79 mijë vizitorë më shumë në kalanë e Gjirokastrës

 Gjatë vitit që lamë pas, turistët që vizituan Kalanë e Gjirokastrës, arritën një numër të lartë për periudhën 1 janar -31 dhjetor 2023. Sipas statistikave të bëra publike nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, vizitat kanë ardhur gjithnjë në rritje, duke arritur në 217,906 vizitorë gjatë vitit 2023 ose rreth 79 mijë vizitorë më shumë se në vitin 2022.

Gjirokastra ishte ndër destinacionet më të kërkuara në turizmin ndërkombëtar gjatë 2023. Rreth 300 mijë turistë priti ky qytet, duke i surprizuar, jo vetëm me atraksionet historike, kulturore e natyrore, por edhe me standarde premium të bujtinave dhe restoranteve falë një bashkëpunimi shumë të frytshëm e në sinkron me sektorin privat. Kjo e ka çuar qytetin drejt 12 muajve turizëm.

Turistët, kryesisht e nisin vizitën nga kalaja e qytetit. Pjesa më e madhe e tyre janë të huaj. Përveç kalasë, nuk lihet pa u vizituar pazari karakteristik, komplekset muzeale, dhjetëra banesa të gurta, etj./atsh/KultPlus.com

Mbi 9.5 milionë të huaj vizituan Shqipërinë deri në fund të nëntorit

Mbi 9.5 milionë të huaj vizituan Shqipërinë deri në fund të muajit nëntor.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur se fakti që vendi u vizitua nga 547 mijë turistë të huaj në nëntor tregon se Shqipëria po shihet si superdestinacion i turizmit gjithëvjetor e të qëndrueshëm.

“Shifrat e nëntorit na çojnë në rekorde dhe pritshmëri të reja të mikpritje me 9.538 milionë vizitorë të huaj që kemi pritur gjatë këtij viti. 547 mijë turistë të huaj që erdhën në Shqipëri gjatë nëntorit janë prova se vendi po vizitohet në çdo stinë të vitit e në çdo cep të territorit, duke u konfirmuar si një superdestinacion i turizmit gjithëvjetor e të qëndrueshëm”, u shpreh Kumbaro.

/atsh/KultPlus.com

57-vjetori i shpalljes zonë e mbrojtur, Llogoraja u vizitua nga mbi 163 mijë turistëve

 Parku Kombëtar i Llogorasë, rreth 40 km në juglindje të Vlorës, vijon të tërheqë turistë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Vlorë, Edi Breshani tha sot për ATSH-në “ky park, i cili sot shënon edhe 57-vjetorin e shpalljes ‘zonë e mbrojtur’ është vizituar nga 163 503 turistë, nga të cilët 99 779 vendas dhe 63 724 të huaj”.

Sipas tij, turistët përveç shtigjeve që ndodhen në këtë park, vizitojnë edhe qendrën e vizitorëve të parkut kombëtar Llogora, ku njihen me historinë e këtij parku.

Por, shtoi Breshani, parku tërheq edhe grupe botanistësh të huaj, të cilët njihen me vlerat natyrore të parkut dhe me shtigjet turistike, ndër të cilët përmendim shtegun e Qafës së Thellë, i cili përbëhet nga prezenca e lartë e llojeve endemike dhe subendemike.

“Gjatë ditës së sotme Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe AdZM Vlorë organizojnë një aktivitet në natyrë, ku pjesëmarrësit do të ndjekin shtegun natyror “Tisi Plakë”, ku do të provojnë së bashku metodën e identifikimit të moshës së drurëve pyjor, me qëllim katalogimin e të dhënave mbi jetëgjatësinë e pemëve të parkut”, tha Breshani.

Parku i Llogorasë është një pikë klimaterike ku ofrohet akomodim dhe shërbim restorantesh. Veçantinë e këtij parku natyror e shton kombinimi i klimës malore me atë detare.

Territori i tij zë një hapësirë prej 810 ha dhe shtrihet në lartësitë nga 470 deri në 2018 metra mbi nivelin e detit. Në këtë territor shtrihen disa fshatra turistikë si Palasa, Dhërmiu, Vunoi etj, që gjatë stinës së verës janë të populluar nga turistët vendas e të huaj.

Ai është një pikë ideale edhe për ushtrimin e sporteve verore e dimërore, si ngjitje, ecje në natyrë, njohje me historinë dhe me monumentet e natyrës dhe të kulturës, por edhe për sporte ajrore, ku në shpatin e malit që shikon nga deti është përshtatur një pistë fluturimi për amatorët dhe profesionistët e fluturimeve me mjete të ndryshme sportive./atsh/KultPlus.com

‘Syri i Kaltër’ destinacioni i mbi 185 mijë vizitorëve në 9 muaj

 I cilësuar si perla e turizmit veror, Parku natyror “Syri i kaltër” në Sarandë ka tërhequr një numër të lartë turistësh gjatë këtij viti.

Infrastruktura e re për këmbësorë e çiklistë e ka ndryshuar rrënjësisht rrugën turistike drejt këtij parku natyror,  duke e bërë të aksesueshme më lehtë për turistët.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Vlorë, Edi Breshani tha sot për ATSH-në se “pas përfundimit të infrastrukturës së re rrugore dhe krijimit të mjediseve më të përshtatshme për frekuentuesit e parkut natyror të Syrit të Kaltër, numri i vizitorëve për vitin 2023, ka ardhur çdo muaj duke u rritur”.

“Që prej janarit deri në shtator “Syri i kaltër” u vizitua nga 185 305 vizitorë, nga të cilët  60 821 vendas dhe 124 484 të huaj”, tha Breshani.

Sipas tij, edhe gjatë muajit tetor ky park natyror vijon të tërheqë tursitë vendas e të huaj.

Breshani bëri të ditur se Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka në kuadrin e masterplanit të ri shtigjet brenda hapësirës së parkut natyror “Syri i Kaltër”, sinjalistikën e munguar prej shumë vitesh dhe disa pika vëzhgimi për turistët e interesit të veçantë.

“Gjithashtu Ministria e Turizmit dhe AKZM po punojnë për rritjen e shërbimeve te kjo pikë turistike në bashkëpunim edhe me bizneset e zonës”, tha Breshani.

“Syri i kaltër” ndodhet pranë fshatit Muzinë, pranë rrugës nacionale Delvinë-Gjirokastër, rreth 30 minuta larg nga Saranda. Ai është burimi më i madh dhe më i bukur i Shqipërisë, që gëzon statusin e monumentit të natyrës.

Thellësia e tij arrin deri në 45 metra. Ai është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm. Burimi i lumit të Bistricës, që përshkon një pjesë të jugut të Shqipërisë, i shëmbëllen vërtet një syri të madh rrumbullak me diametër afro dhjetë metra.

Brenda zonës së mbrojtur përfshihen sipërfaqe ujore, sipërfaqe pyjore, livadhe dhe toka bujqësore.

“Syri i Kaltër” tërheq çdo vit mijëra vizitorë nga mbarë bota./atsh/KultPlus.com

Kumbaro: 3,2 milionë vizitorë të huaj dhe vendas në zonat e mbrojtura

 Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale të dhënat e sezonit turistik veror që vijnë nga zonat e mbrojtura. Sipas statistikave, deri në muajin gusht 3,2 milionë turistë të huaj dhe vendas kanë vizituar parqet tona natyrore dhe ato kombëtare, si edhe monumentet e natyrës, duke e bërë ekoturizmin një realitet të pashmangshëm dhe aq shumë të dëshirueshëm njëkohësisht.

Gjithashtu ministrja Kumbaro publikoi një material video, që tregon ecurinë e vizitueshmërisë së zonave të mbrojtura, duke treguar grafikisht rritjen nga muaji në muaj. Janari i këtij viti ka nisur me 93975 vizitorë, për të arritur pikën kulmore në muajin gusht, me 1317082 vizitorë.

Pavarësisht se është një vend relativisht i vogël, Shqipëria është jashtëzakonisht e pasur me biodiversitet.

Vazhdimisht bëhen përpjekje për të zgjeruar rrjetin e zonave të mbrojtura: nga 5.2 % të territorit të vendit në 2005, në 16% të territorit në 2014. Sot, 799 zonat e mbrojtura përbëjnë rreth 18 % (5263 km²) të territorit. Shumica e tyre është e përcaktuar në kategorinë “Monument natyre” (747) dhe shumica janë të vogla për nga madhësia./atsh/KultPlus.com

Fluks në rritje i turistëve në Apoloni, 50 mijë vizitorë deri tani

Parku Arkeologjik i Apolonisë u vizitua nga rreth 50 mijë turistë në periudhën janar-gusht 2023, duke shënuar kështu një rritje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë.

Kështu konfirmoi sot për ATSH-në, drejtoresha e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, Ornela Durmishaj, ndërsa iu referua statistikave të numrit të turistëve për këtë periudhë të vitit.

Sipas Durmishaj, “të dhënat tregojnë se është tejkaluar si numri i vizitorëve ashtu edhe të ardhurat nga biletat, krahasuar me vitin e kaluar”.

Ajo theksoi se numri i turistëve që vizituan Parkun Arkeologjik të Apolonisë gjatë kësaj periudhe shënon një rritje të konsiderueshme, po të kemi parasysh se gjatë gjithë vitit 2022, Apoloninë e vizituan gjithsej 52 244 turistë.

“Ky vit ka nje rritje shumë të lartë të vizitorëve. Në fund të muajit gusht Parku Arkeologjik i Apolonisë do të kalojë numrin e vizitorëve të gjithë vitit 2022”, theksoi Durmishaj.

Sa i përket turistëve të huaj, Durmishaj tha se “këtë vit numri i vizitorëve nga vendet europiane është shumë i madh,”.

“Përqindjen më të lartë të vizitorëve e kanë turistët italianë, spanjollë, francezë, polakë etj”, theksoi ajo. Ndërkohë të shumtë kanë qenë edhe turistët familjarë që kanë vizituar sitin arkeologjik.

Apolonia në Fier është një nga sitet më të mëdhenj të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Si një nga 27 Apolonitë e pellgut të Mesdheut, ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë tonë arkeologjike./atsh/KultPlus.com

Numër i lartë vizitorësh në Kalanë e Gjirokastrës, mbi 31 mijë vetëm në korrik

Kalaja e gurtë e Gjirokastrës ka tërhequr një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj gjatë muajit korrik të këtij viti.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër bëri të ditur se “vizitat turistike në Kalanë e Gjirokastrës për periudhën 1-31 korrik 2023 kanë ardhur duke u rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kalaja u vizitua nga 31,637 vizitorë ose 14,999 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2022”.

Kalaja është një monument me vlera të rralla historike dhe ndërtimore. Ajo përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336.

Megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë së ekzistenca e Kalasë së gurtë është më e hershme. Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.

Falë vlerave historike dhe arkitektonike që mbart kalaja e Gjirokastrës, ajo vazhdon të ngelet monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja gjatë udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës./atsh/KultPlus.com

42% më shumë vizitorë të huaj në janar-maj të 2023-tës në Shqipëri

Shqipëria vijon të tërheqë një numër të lartë vizitorësh të huaj, të cilët në periudhën janar-maj të këtij viti kanë qenë 42% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, në një postim në rrjetet sociale, publikoi të dhënat e numrit të vizitorëve gjatë periudhës janar-maj 2023, të krahasuara ato me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Kumbaro tha se, “vizitorët e huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë në pesë muajt e parë të këtij viti, janë 42% më shumë se viti i kaluar duke premtuar për më shumë turistë në pikun e sezonit veror ku po hyjmë”.

Sipas të dhënave në periudhën janar-maj 2023 Shqipëria u vizitua nga 2 389 899  vizitorë të huaj, ndërsa në të njëjtën periudhë të 2022 nga 1 677 691 vizitorë të huaj.

“Po ashtu në maj të 2023 vendi ynë u vizitua nga  705 079 vizitorë të huaj dhe në maj 2022 nga 604 430, pra 17% më shumë”, thuhet në videon e publikuar nga Kumbaro.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë, Sarandë, etj., plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve, edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës. Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor.

Po ashtu, vendi ynë ka kushte për turizëm gjithëvjetor, për shkak të relievit, që ofron mundësi për turizëm nga jugu, në veri. Fshatrat turistikë të veriut të vendit njohin së fundmi numër të lartë turistësh, ndërsa po zhvillohet edhe infrastruktura për turizmin e aventurës.

Shqipëria po ashtu ka lumenj të shumtë, laguna dhe parqe kombëtare të cilat thithin turistë nga e gjithë bota./atsh/KultPlus.com