Rritje e numrit të vizitorëve, muzeu ‘Onufri’ i hapur edhe ditëve të hëna

Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat njoftoi se Muzeu Ikonografik “Onufri” do të qëndrojë i hapur edhe ditëve të hëna deri në fillimin e sezonit zyrtar veror.

Ky vendim është marrë duke parë numrin gjithnjë në rritje të vizitorëve në këtë muze, por edhe në objektet e tjera të trashëgimisë kulturore në qytetin e Beratit.

Ditëve të hëna “Onufri” do të mikpresë vizitorët në orarin 09:00-14:00.

Muzeu Ikonografik “Onufri“ ndodhet në brendësi të kalasë së Beratit. Ai është përshtatur në ambientet e katedrales “Fjetja e Shën Marisë“. Kjo kishë është ndërtuar në vitin 1797, por mendohet se është rindërtuar mbi themelet e një kishe më të vjetër. Sipas të dhënave historike, katedralja ka funksionuar si e tillë deri në vitin 1967, viti i reformës ateiste, kur ambientet e komuniteteve fetare i kaluan në administrim shtetit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. /atsh/ KultPlus.com