Kryeministri Kurti në Vjenë: Demokracia dhe ekonomia shkojnë krah për krah

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në edicionin e 21-të të Forumit Ekonomik të Vjenës. Ai ishte folës kryesor në sesionin e pas ditës me titull “Bashkëpunimi ekonomik është më i rëndësishëm se kurrë më parë”.

Në fjalën e tij hyrëse, Kurti fillimisht theksoi rolin e rëndësishëm të Austrisë dhe partneritetin e saj me Kosovën para dhe pas pavarësisë së vendit tonë.

“Si një vend i ri me një angazhim të palëkundur ndaj demokracisë dhe rritjes ekonomike, ne besojmë se partneritetet janë thelbësore për arritjen e prosperitetit dhe paqes, jo vetëm brenda kufijve tanë, por në të gjithë rajonin tonë”, tha Kurti.

Ai foli edhe rreth arritjes së marrëveshjes për Tregti të Lirë me shtete anëtare të EFTA-s dhe avancimin në përfaqësimin e Kosovës në CEFTA.

Numri një i qeverisë kosovare u shpreh se për Kosovën, bashkëpunimi ekonomik nuk është vetëm një zgjedhje politike; është një domosdoshmëri strategjike.

“Suksesi dhe përparimi ynë varet nga aftësia jonë për të krijuar një mjedis që nxit tregtinë ndërkufitare, tërheq investime dhe ndërton ura me vendet fqinje”, u shpreh Kurti.

Albin Kurti, me këtë rast foli edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe 10-vjetorin e suksesshëm të Procesit të Berlinit.

Veçoi njoftimin që ai bëri gjatë punimeve të samitit në Berlinit për sa i përket vendimit që duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, në mënyrë të njëanshme Kosova do të lejojë udhëtimin në drejtim të saj të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës me letërnjoftime, siç parashihet me marrëveshjen e mobilitetit të nënshkruar në Berlin dy vjet më parë në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Sepse pa lirinë e lëvizjes, siç tha kryeministri, nuk do të jemi në gjendje të rrisim mobilitetin e punëtorëve, studentëve dhe profesionistëve, gjë që është thelbësore si për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, ashtu edhe për rritjen e ekonomive tona”, thuhet në njoftim.

Ai tha se kemi nevojë për bashkëpunim ekonomik, jo vetëm sepse na jep qëndrueshmëri për t’u përballuar me kriza dhe tronditje, por sepse duam të heqim barrierat dhe të krijojmë mundësi të reja për qytetarët tanë.

“Kur njerëzit mendojnë në aspektin e bashkëpunimit ekonomik, ata duhet të mendojnë më shumë për mundësitë dhe përfitimet sesa për sfidat dhe rreziqet. Dhe ne kemi treguar se jemi bartës të standardeve kur bëhet fjalë për rregullat dhe vlerat. Vitet e fundit kemi treguar se demokracia dhe ekonomia shkojnë krah për krah. Sot ka disa fuqi dhe superfuqi në botë që duan të tregojnë se për të patur zhvillim nuk ka nevojë për demokraci. Vendi ynë nuk është një vend i madh, por është një shembull i madh që progresi demokratik dhe rritja ekonomike shkojnë dorë për dore, dhe në fakt ato forcojnë njëra-tjetrën”, potencoi kryeministri i vendit.

Ai këtë e mbështeti me indikatorët e performancës ekonomike, politikat sociale, mbështetjen për qytetarë, punësimin, rritjen e pensioneve, pagave dhe pagës minimale, në të njëjtën kohë kur kemi treguar përparim dhe përmirësim në demokraci, në sundim të ligjit, në liritë civile dhe të drejtat politike, siç dëshmohen në raporte të ndryshime ndërkombëtare.

Megjithatë, progresi i vendit tonë është i ndërlidhur me progresin e vendeve tona fqinje, prandaj ne jemi të përkushtuar që të punojnë së bashku sepse besojmë që të gjithë përfitojmë kur rajoni është më prosperues dhe më i sigurt, theksoi kryeministri. Me përjashtim të fqinjit tonë verior, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ose janë pjesë e NATO-s ose e kanë NATO-n brenda tyre, dhe të gjitha duan t’i bashkohen Bashkimit Evropian, tha më tej.

“Kjo është arsyeja pse bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik nuk mund të ketë të bëjë vetëm me statistikat e rritjes dhe marrëveshjet tregtare. Ka të bëjë gjithashtu me nxitjen e qëndrueshmërisë demokratike brenda vendeve dhe solidariteteve të demokracive ndërmjet vendeve. Ne nuk e shohim bashkëpunimin ekonomik si një lojë zero-sum, por si një mundësi për arritje të përbashkëta. Partneritetet e qëndrueshme janë ato që bazohen jo në komoditete ose mallra, por në një angazhim të përbashkët ndaj vlerave të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Kur i bëjmë bashkë demokracinë dhe ekonomisë, besoj se fitojmë atë që na nevojitet më shumë: sigurinë ekonomike duke ruajtur dinjitetin njerëzor”, u shpreh kryeministri Kurti në përmbyllje të fjalës së tij.

Pas adresimit fillestar, kryeministri Kurti ishte pjesë e panelit të diskutimit. Në fund të Forumit, kryeministrit Kurtit, përkatësisht Republikës së Kosovës, iu nda çmimi “Vendi partner për vitin 2024” për kontributin e çmueshëm në përmbushjen e misionit të Forumit Ekonomik të Vjenës dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe afatgjatë.

Ministri Çeku ndjek me admirim paraqitjen e Elbenita Kajtazit në Vjenë: Sopranoja jonë e talentuar bëri historinë

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku mbrëmë ka ndjekur nga afër paraqitjen e sopranos Elbenita Kajtazi dhe tenorit Saimir Pirgu, në Teatrin e Operës së Vjenës, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, Ministri Çeku ka thënë se sopranoja Kajtazi me rolin e Mimit të “La Boheme” pati një paraqitje të shkëlqyer, përkrah një shqiptari tjetër të dëshmuar gjithashtu, tenorit Pirgu.

“Mbrëmë Elbenita Kajtazi u ngjit në njërën ndër skenat kryesore të operës në botë. Sopranoja jonë e talentuar, përveç që bëri historinë si shqiptarja e parë nga Kosova në Teatrin e Operës së Vjenës, pati paraqitje të shkëlqyer në rolin e Mimit të “La Boheme” nga Giacomo Puccini. Luajti krah tenorit të madh shqiptar, Saimir Pirgu, një emër tashmë i dëshmuar i skenës botërore operistike.

Elbenitën dhe Saimirin i ndoqëm me plot admirim bashkë me deputeten Tinka Kurti, mezo-sopranon Flaka Goranci, këngëtaren dhe kompozitoren Vjollca Robelli Mripa dhe të ngarkuarin me punë në ambasadën tonë në Vjenë Albinot Bimbashi”, thuhet në njoftimin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com

Çelet në Vjenë ekspozita ‘Midis Fates dhe Fates’

Në Vjenë, në Bildungsakademie Gaweinstal, u hap ekspozita “Midis Fates dhe Fates“.

Në këtë event që mblodhi personazhe të shquara të artit dhe kulturës dhe jo vetëm, Fate Velaj paraqiti punimet e tij pikturë, fotografi dhe literaturë.

Mbi veprën e autorit, botën e tij midis artit, kulturës, politikës dhe diplomacisë, folën Franz Knittelfelder drejtor i Akademisë, Johannes Berthold, kryetar i Bashkisë, Andreas Minnich, deputet në Parlamentin e Austrisë si dhe ambasadore e Shqipërisë pranë OSCE-UNO, Eglantina Gjermeni./balkanweb/KultPlus.com

Kori Siparantum sonte me koncert në Vjenë, ju pret një udhëtim i jashtëzakonshëm në muzikën klasike

Një ngjarje kulturore shumë e veçantë pritet të ndodhë sonte në Vjenë, shkruan KultPlus.

Sot, datë 29 Dhjetor, ora 20:00, Kori Siparantum, ndër më të njohurit dhe të respektuarit, do të mbajë një koncert shumë të veçantë në Votivkirche, që ndryshe nga ky vend kanë dalur shumë vepra të kompozitorit të madh Anton Bruckner, si ‘Locus iste’ dhe shumë të tjera.

Organo historike në Kishën Votive u ndërtua në 1878 nga kompania e njohur e ndërtimit të organove E. F. Walcker dhe u inspektua nga Anton Bruckner, ky vend është një thesar i padiskutueshëm i artit dhe performimi në këtë ambient është një kënaqësi e rrallë.

Hyrja në këtë koncert është pa pagesë, duke bërë këtë ngjarje akoma më të arritshme për të gjithë dashamirët e muzikës klasike. Për Korin Siparantum, ky nuk është vetëm një koncert, por një ëndërr që po bëhet realitet.

Kori Siparantum ka një traditë të gjatë dhe të pasur në interpretimin e muzikës klasike, dhe kjo është arsyeja pse ky koncert në Votivkirche po pritet me shumë entuziazëm.

Për rezervimin e vendit tuaj në këtë koncert ju mund të kontaktoni [email protected]. / KultPlus.com

Nëntori i letrave shqipe dhe atdhedashurisë në Vjenë të Austrisë

Nga Besim Xhelili, Vjenë, Austri,

Me një përzierje të këndshme kulturore dhe letrare, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, në bashkëpunim me Teatrin “ArbnoriIlir”, shfaqën para bashkëvendësve tanë në Vjenë, një program të bukur dhe plot ndjenjë atdhedashurie, shoqëruar me poezi, pika muzikore dhe përurime librash. E gjithë kjo me rastin e Festave të Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Alfabetit.

Festat e Nëntorit sërish i afrojnë dhe bëjnë bashkë shqiptarët gjithandej globit, njashtu edhe në Austri, ku jetojnë e veprojnë një numër i madh i tyre. Me këtë rast, LSHKSHA “Aleksandër Moisiu”, në bashkëpunim me Teatrin “Arbnoriilir”, në një ambient të bukur artistik, mbajtën një orë letrare, ku disa anëtarë lexuan krijimet e tyre dhe disa krijues të tjerë, të ardhur nga Zvicra, përuruan veprat e tyre më të fundit. Ardita Lajçi-Gjocaj paraqiti para artdashësve romanin e saj “Hije që mbesin”, një roman me një përmbajtje të ndjeshme mbi dhunën seksuale të agresorit në luftën e fundit për çlirim në Kosovë, ndërsa poeti Besnik Camaj librin e tij me poezi “Fryma e kandilit të dehun”, një vëllim i çmuar shumë nga lexuesit e kritikët, me copëza poetike, siç do të thoshte vetë autori, “thërrmija apo trohë të vogla”, të mbetura anësh nga libri paraprak “Strehë dashnie”.

Për mbarëvajtjen dhe udhëheqjen e këtij organizimi kulturor u kujdes poetja shkodrane Gabriela Mujaj, e cila lexoi me shumë patos emocional dhe fuqi artistike disa poezi të autorëve në sallë.

Anton Marku, poet dhe kryetar i LSHKSHA “Aleksandër Moisiu” pasi i falënderoi mysafirët për pjesëmarrje, uroi Festat e Nëntorit, të cilat na bashkojnë të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhemi, pa marrë parasysh dallimet krahinore, politike e fetare.

Në emër të Ambasadës së Kosovës në Austri përshëndeti zyrtari Jeton Maliqi, ndërsa të Fondit Austriak të Integrimit, Bahri Troja. Me praninë e tyre e nderuan këtë aktivitet znj. Manjola Lumani, profesoreshë e gjuhës shqipe në Universitetin e Durrësit, znj. Alketa G. Fazliu, poete dhe gazetare pranë RTK-së, si dhe sopranoja e talentuar shkodrane Gesu Zefi, të cilat morën fjalën dhe përshëndetën të pranishmit dhe uruan festat. Të pranishëm ishin edhe mësuesit e gjuhës shqipe Miradije Berisha dhe Osman Ademi.

Në pjesën e parë të programit, me nga disa poezi u paraqitën Violeta Allmuça, Kimete Krasniqi-Prebreza, Besim Xhelili, Gabriela Mujaj dhe Angjelina Marku, në pjesën e dytë u përuruan romani “Hije që mbesin” i autores Ardita Lajçi-Gjocaj dhe vëllimi poetik “Fryma e kandilit të dehun” i autorit Bes Camaj. Një shkëputje nga romani gjergjësisht disa poezi nga vëllimi poeti i lexoi znj. Arilda Lleshi. Në pjesën e tretë, autori nga Shkodra me banim në Vjenë Gjergj J. Kola, bashkë me znj. Enxhi Rroji shfaqën një shkëputje të shkurtër të dramës së tij të radhës “Krishtlindje për fillestarë”, e cila në prag të Krishtlindjes, do të vihet në skenë para publikut vendas. Për shoqërimin muzikor të programit u përkujdes Prof. Lejla Agolli dhe në fund u shtrua një koktej rasti. /KultPlus.com

Aksidentohet një autobus nga Kosova që po udhëtonte në Austri, rreth 20 të lënduar

Të enjten mbrëma ka ndodhur një aksident në autostradën perëndimore pranë Eugendorf në Austri, e sipas informacioneve fillestare janë lënduar rreth 20 njerëz, përcjell KultPlus.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 03:30 mes kryqëzimeve Salzburg-Nord dhe Wallersee (komuna Eugendorf im Flachgau) në drejtim të Vjenës.

Autobusi me rreth 25 pasagjerë dyshohet se u përplas në rrugë me një shufër prej betonit.

“Aktualisht dimë tre të lënduar rëndë dhe 16 të lënduar lehtë”, tha në mëngjes zëdhënësja e Kryqit të Kuq Roberta Thanner. “Aktualisht nuk kemi raporte për viktima.” Të gjithë të lënduarit nga aksidenti u dërguan me ambulancë në Spitalin e Aksidenteve dhe Spitalin Shtetëror në Salzburg. “Tetë persona të cilët ishin të padëmtuar aktualisht po kujdesen nga ekipi i ndërhyrjes në krizë në selinë e qytetit tonë,” tha komandanti i shpëtimit të qarkut Hermann Gerstgraser.

Sipas zëdhënësit të policisë Hans Wolfgruber, autobusi ishte nisur nga Kosova për në Hanover. “Këta janë turistë që janë qartësisht nga Kosova. /KultPlus.com