Matthias Pfaffenbichler: Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut nuk do të zhvendosen në Shqipëri (VIDEO)

Historiani dhe drejtori i Muzeut të Armëve në Vjenë, Matthias Pfaffenbichler, hedh dritë se si vajti shpata dhe përkrenarja në Muzeun e Vjenës, në një intervistë për “Deutsche Welle”.

Ndër të tjerash, ai ka folur edhe për kontekstin historik të simboleve të Skënderbeut, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar.

Shpata dhe përkrenarja e Heroit, – që ndodhen në Muzeun e Vjenës, – erdhën dhe u ekspozuan në Shqipëri në vitin 2012, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, ndërsa këtë vit, i shpallur nga qeveria shqiptare si Viti i Skënderbeut, nuk ka plan për zhvendosjeje drejt Shqipërisë, – pasi ato janë pronë e Mbretërisë së Hasburgëve

Sipas Pfaffenbichler, Ferdinand von Tirol, një koleksionist i njohur dëshironte me çdo kusht të kishte simbolet e Skënderbeut në koleksionin e tij. “E nëse një koleksionist e dëshironte këtë gjë, tregu i artit e prodhon këtë”.

Por a është origjinale përkrenarja e tij, aq shumë e mitizuar.

Ndiqeni këtë intervistë tejet interesante nga DW, me drejtorin e Muzeut të Armëve në Vjenë. (Përshtati nga DW: Edmond Prifti/Konica.al)./ KultPlus.com

“Arti në Proces – Procesi në Art”, ekspozitë sinestezike me artistë dhe kompozitorë shqiptarë e ndërkombëtar në Vjenë

Në galerinë “Ausstellungsraum” në Vjenë më 21 dhjetor hapet ekspozita me artisë dhe kompozitorë, shkruan KultPlus.

Ekspozita “Arti në Proces – Procesi në Art” është pjesa e dytë e ekspozitës “Arti si Hulumtim” që u zhvillua me artist internacional nga USA, Austria, Sllovenia, Franca dhe Italia në Vjenë në maj të vitit 2017. Kjo ekspozitë paraqet veprat e artistëve dhe kompozitorëve kosovar dhe ndërkombëtarë (Spanjë, Rumani, Austri) në Vjenë. Ekspozita është kuruar nga Penesta Dika ndërsa hapet më 21 dhjetor, me fillim nga ora 19.

Sivjet në këtë ekspozitë paraqiten artistët dhe kompozitorët si: Artistet pjesëmarrës: Cesar Escudero Andaluz (ES), Aura Balanescu (RO), Katja Berger (AT), Albana Ejupi (KS), Gaz Ejupi (UK), Shqipe Kamberi (KS), Ardiana Shasivari-Kika (KS) and Valerie Tiefenbacher (AT). Ndërsa kompozitorët pjesëmarrës janë: Sonique Perception, Anyla Berisha (KS) and Stefanie Fridrik (AT)): Rrita Bejtullahu (KS), Erëmira Ҫitaku (KS), Visar Kasa (KS), Anna-Sophie Kern (AT) and Visar Kuci (KS).

Veprat e ekspozuara të artit janë të shoqëruara me kompozime që u krijuan në mënyrë të përshtatshme për secilën prej këtyre veprave vizuale të artit. Vizitorët mund të përjetojnë individualisht këtë përshtypje audiovizive. Me idenë e ekspozitës synaestezike, sidomos njerëzit e verbër ose njerëzit me vështirësi në të pamurit mund t’i përjetojnë veprat vizuale përmes dëgjimit.

Një tjetër qëllim i ekspozitës është të qartësojë pyetjen se si artistët mendojnë dhe bëjnë hulumtime gjatë procesit krijues derisa të bëjnë një përzgjedhje. Përveç veprave aktuale të artit, audienca duhet të jetë në gjendje të ndjekë disa hapa në procesin krijues.

Karakteristikë tjetër është përdorimi i mediumeve te ndryshme: skulptura interaktive digjitale, të cilat ndërveprojnë direkt me audiencën, por edhe piktura, kolazhe (analoge dhe digjitale), film, instalime dhe teknikave të përziera. Këto vepra shoqërohen me skica, foto, tabletë me informacione shtesë, pëlhura dhe materiale të tjera që dokumentojnë procesin e krijimit.

Ekspozita “Arti në proces – Procesi në Art” është e mbështetur nga Ministria e Kulturës në Kosovë./ KultPlus.com

Eno Peçi sonte me performancë në “Javët e Kulturës Shqiptare” në Vjenë

Në kuadër të Javës të Kulturës Shqiptare në Austri, sonte në Vjenë mbahet njëri ndër projektet më të veçanta.

Bëhet fjalë për balerinin e njohur ndërkombëtarisht Eno Peçi, i cili do të dhurojë një performancë baleti të quajtur “Balet në pikturë” së bashku me partneren e tij austriake Mila Schmid nën tingujt e muzikës shqipe nga grupi Za ft. Sibling.

Bëhet e ditur se këta të fundit janë të njohur në Vjenë për artin e tyre të performancave të muzikës së vjetër shqipe, dhe gjithashtu e veçanta tjetër e tyre është se i gjithë grupi përbëhet nga anëtarë të familjes (dy motra dhe vëllai).

Kjo mbrëmje, e cila fillon nga ora 19:30 në Quellenstrasse të Vjenës, pritët të vizitohet edhe nga shumë austriakë, për shkak të emrit të madh që ka arritur ta krijojë Eno Peçi.
Vendi: Quellenstrasse 149, 1100 Wien Ora: 19:30. / KultPlus.com

Inva Mula bashkë me artistë e famshëm shqiptar, mrekulluan mbrëmë publikun vjenez (FOTO)

Inva Mula ishte mbrëmë ajo që i parapriu koncertit të mbajtur në Vjenë të Austrisë, ndërsa pjesë e këtij koncerti ishin edhe artistë të rëndësishëm shqiptarë si: Genc Tukici, Eno Peci, Olen Cezari e Gëzim Myshketa, shkruan KultPlus.

Ky koncert u mbajt në shenjë të marrëdhënies diplomatike mes Shqipërisë dhe Austrisë ndërsa kjo ngjarje artistike është mbështetur nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë dhe Ambasada e Austrisë në Tiranë.

Koncerti u mbajt në Konzerthaus të Vjenës, në Mozart- Saal, ndërsa në të ishte i pranishëm edhe presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dhe kryetari i Tiranës, Erion Veliaj. / KultPlus.com

Artistët shqiptarë me koncert në Vjenë

Më 30 shtator në Vjenë do të mbahet koncerti i mbështetur nga shumë artistë që veprojnë në Austri, shkruan KultPlus.

Ky koncert i cili do ta mbahet në Ruckergasse në Vjenë, sjellë artistët shqiptar që janë Agim Llapashtica-Gima, Flaka Goranci, Menan Bërveniku, Flamur Ahmeti, Petrit Carkaxhiu dhe Fatlind Dehiri-Paja nga Jericho dhe Duo Ela- Alfred Bushi, Elizabeta Okonska dhe violinisti Ferdi Fanaj.

Ky koncert është organizuar për të mbështetur përfaqësuesin shqiptar Januz Saliuka, i cili nga radhët e partisë social-demokrate SPÖ kandidon në zgjedhjet nacionale të 15 tetorit për deputet në Parlamentin e Austrisë.

Ky koncert mbahet më 30 shtator me fillim nga ora 19:00./ KultPlus.com

Tingujt e Valton Beqirit në “World Peace Concert in Vienna 2017”

Kompozitori Valton Beqiri do të prezantohet sot në Vjenë me anë të krijimtarisë së tij në kuadër të koncertit solemn “World Peace Concert in Vienna 2017”, shkruan KultPlus.

Ky koncert shënon 10 vjetorin e themelimit të orkestrës kamertale ballkanike dhe do të realizohet nën drejtimin e dirigjentit japonez Toshio Yanagisawa.

Në këtë koncert solist do të jetë pianisti francez Pacal Roge dhe krahas veprave të kompozitorëve të periudhës romantike si Camille Saint-Saëns dhe Pyotr Ilyich Tchaikovsky si dhe kompozitorit japonez Kaoru Wada, pjesë e pandarë e repertorit të kësaj orkestre është bërë edhe opusi krijues i kompozitorit të mirënjohur Valton Beqiri.

E rëndësishme është vepra “Shpirti i traditës” për orkestër harkore dhe perkusione e cila interpretohet nga kjo orkestër në vende të ndryshme të botës që nga viti 2010 dhe sot njihet si himni i orkestrës kamerale ballkanike dhe njëkohësisht e cilësuar promovimi më i mirë i trashëgimisë tonë kulturore. Është vepër programore e ndarë në katër kohë ku secila përmban dhe titullin ku me anë të tingujve muzikor na japin pasqyrimin e plotë të historisë tonë.

Kjo vepër sot njihet si vepra më e interpretuar në arenën ndërkombëtare nëse krahasojmë prezantimin e krijimtarisë së kompozitorëve të tjerë shqiptarë të muzikës artistike në vitet e fundit. Beqiri krahas me veprën e sipërpërmendur në këtë koncert prezantohet edhe si orkestrues i veprës “Kanki-no-Uta” (premierë botërore) mbi temën e kompozitorit dhe këngëtarit shumë të njohur japonez Koji Tamaki.
Valton Beqiri njihet për afinitetin e tij të pashoq në muzikë dhe sa i përket stilit krijues ai sado të jetë impresionist e ekspresionist (stilistikisht) rëndësi të madhe i kushton përdorimit të motiveve tona folklorike duke i shkrirë e bashkëdyzuar ato në invencionin e tij krijues.

Koncerti mbahet sonte në Wienner Konzerthaus Mozart-saal duke filluar në orën 19:30. / KultPlus.com