Poezi nga Naime Beqiraj
Vjeshtë
Në palestër hartash, objekte të verdhme moti
Zhurmat si trokitje, hijezuar ultë, krejt pa taka
Një kopsht me vete dhe rrugë kah mediton Zoti
Prap vjeshtë, prush i kuq, edhe kur s’i del flaka
I dua pemët që thur ti, edhe në mos i hëngsha
Kur me shije planeti syrin ma thirrin mes rreshtash
E praruar me drita, mollë e ftua në mos u bëfsha
Në dorë më ke, n’krahëror, sa e ëmbël vjeshta
Duke i pyetur xhamat të pasqyruar me shije
Drita është e ëmbël edhe kur nuk qet sy dielli
Si ta kthej vjeshtën, kur bora s’ndjell fryrje
Atëherë, kur urtas, nuk të errët syri as qielli
Vjen vjeshta e prajshme si urtake e Zotit
I pushon pak nga pak ngjyrat në simfoni
Si palë ëndrrash, barkas kur kthehet moti
E si copa perlash, kur pikat ju bijnë përbri
E priste bashkë me hënën që i fshihej përballë
Atë krijesë të vogël që i rrinte sipër duke qeshë
Në ditët e njoma as duhan nuk kishte varë
Mister lajmëronte qielli, mandej binte vjeshtë
Ajo qëlloi e bukur e madhe – për tu zvogëluar
Veç rrezja përbirohej në skaj buze duke qeshë
Askush nuk nxirrte as fuqi për ta zëvendësuar
Ajo veç një ishte, veç një, mandej bëhej vjeshtë
Nisi t’i studionte prap ngjyrat e Van Gogut
Plepat e praruar, dritat, gjethet duke qeshë
Impresionizmin, diellin edhe erën e sfondit
Pika të gravuara, si malli që lind në vjeshtë
Te shkallët e oborrit, gjethet luanin mbi kokë
Pemët elegante, qerpikun prapë ia kishin dehë
Bukuria jote nuk mësohet më në asnjë shkollë
Bukuria nuk qetësohet kur thërriste – vjeshtë
Kur një erë e jugut pikë pikë i zhduk kurorat
Bijnë në tokë të vet, përzihen lehtë me hijeshi
E shkruajnë lehtë ylberin, sa do janë të vogla
E mbas gjurmëve të vjeshtës – pikon dashuri / KultPlus.com