Vjollca Dibra – Ibrahimi
(Ilir Muharremi “Moskuptimet”, Gutenberg, 2016 Prishtinë)
Për lexuesin e rëndomtë ose, siç themi ndryshe, mesatar, në aspektin e dijeve, të informacionit dhe të kulturës libri “Moskuptimet” vërtet vjen i moskuptuar. Kur i shtohet këtij fakti edhe mungesa e informacionit për autorin dhe vokacionin e tij të duket sikur po futesh në një denduri pyjesh të pashkelura kuptimore. Ndoshta paraqitje të këtilla kishte parasysh eruditi Umberto Eko kur shkroi ekskursionin e tij nëpër pyjet narrative.
Mua ma thotë mendja se Iliri e bën këtë (pra mosparaqitjen e shënimeve për autorin) nga intenca e thyerjes së klishesë, nga modestia dhe, së fundi, ngaqë rëndësia dhe pesha e një libri qëndron në substancën e tij.
Pavarësisht se e kam në konsideratë këtë fakt, unë nuk e shmang dot së paku informatën bazë për autorin si një çelës a hyrje në rrëfimin e tij.
Ilir Muharremi lindi më 1983 në Pejë. Diplomoi më 2004 në Fakultetin e Arteve, Dega e Aktrimit, në klasën e profesor Luan Dakës. Pas diplomimit qe angazhuar në disa shfaqje teatrale, si: “Sfida e madhe” e autorit Nebi Islami, “Nata e dymbëdhjetë” e William Shekspeare-t, “Duart e ndyta” e Zhan Pol Sartre-t, “Shkolla e grave” e Molierit etj.
Në vitin 2007, me dramën “Van Goghu kosovar”, ka kryer magjistraturën në Degën e Dramaturgjisë në Prishtinë. Ndërsa, në vitin 2010, ka doktoruar me temën: “Ekspresionizmi, absurdi, ekzistencializmi dhe çmenduria: katër dramat shqiptare/shfaqjet”, në Fakultetin e Filologjisë “Kiril i Metodij” në Shkup.
Ka mbi 20 punime shkencore në revista rajonale dhe ndërkombëtare të artit. Kryesisht merret me absurdin dhe postmodernizmin. Në formimin e tij intelektual ndihen dukshëm ndikimet e Friedrich Nietzsche-s, Albert Kamy-s dhe Zhan Pol Sartre-it. Është profesor në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë. Deri tash ka botuar veprat: “Djalli në qytetin tim” (1996), poezi “Dera e fundit e çmendurisë” (2003), poezi “Van Goghu kosovar”, (2010), dramë “Kafeneja”, (2013), komedi “Unë me veten”, (2013), dramë, “Moskuptimet”, (2016), libër shkencor “Psycho”, (2017), roman.
Paraqitja e biobibliografisë së autorit nuk është qëllim më vete, një akt prezantimi, por ka korrelacion të ndërlikur dhe gjeneroz me profilin e krijuesit, përkatësisht me anamnezën e preokupimeve të tij. Studimet e derisotme kanë nxjerrë në pah se jo rrallë biografia e autorit profilizohet edhe në krijimtarinë e tij. Këtu nuk bëhet fjalë thjeshtë për elementet biografike si projeksion autorial, por së përbërës në formimin e karakterit dhe të ndërgjegjes krijuese. Libri për të cilin po flasim është botuar në vitin 2016 që i korrespondon moshës së Ilirit prej 33 vjetëve, një koincidencë befasuese me moshën e profetit të parafundit në hierarkinë e profetëve. Derisa Jezusi, Krishti strukturon doktrinën e besimit të krishterë, autori ynë strukturon të kundërtën: antidoktrinën religjioze.
Nuk vijnë prandaj së koti në veprën e tij një galeri personazhesh, një nomenklaturë e tërë sa e sferës religjioze (Zot, Djall… etj), po aq edhe e filozofisë e artit (Kamy, Sartër, Toma Akuini, Van Gogu…), pa lënë mëjanë fenomenete përkatëse (çmenduri, psycho e të tjera).
Vetë titulli i kësaj vepre, nocioni në shumës “Moskuptimet”, nuk ka pikë reference agnosticizmin, pamundësinë e njohjes, por lajthitjet dhe eklektizmin, raportin midis dhënësit – krijuesit dhe marrëzit – lexuesit.
Pas leximit të librit “Moskuptimet” të përkund dilema e përcaktimit teoriko-letrar, dilema e zhanrit shkrimor e tipit e kështu me radhë. Diçka që nuk e ka definuar as botuesi dhe as katalogimi i Bibliotekës kombëtare. Përmbajtja e lëndësisë së tij që në krye të herës të drejton metodologjikisht në domenin e teksturës së përsiatjeve. Ky konstatim gjen mbështetje edhe në parimet e përgjithshme të postmodernizmit ku tejkalohen format e ngurta të përkufizimeve teorike.
E, megjithatë, formulimi i përmbajtjes, jo vetëm përcakton kapituj a tërësi, po edhe nënkapituj. Unë veçoj tri tërësi a pjesë, do të thosha labirintesh, ku përvijohet vrojtimi i autorit: Religjioni, Arti, Njeri. Pjesën e parë ai e përmbledh brenda kornizës së titullit “Zoti dhe ekzistenca”, të dytën, “Arti dhe vlera” dhe të tretën “Njeriu i revoltuar si dominues”.
Te “Zoti dhe ekzistenca”, që unë e kornizova me nocionin RELIGJIONI, ai nuk bën historinë as kategorizimin e feve politeiste, monoteiste, abrahamike e të tjera, porse merret me teorinë e konceptualizmit, duke e trajtuar religjionin, pra besimin, Zotin sipas filozofisë dhe sociologjisë gjuhësore, si formë të ndërgjegjes shoqërore. Këtu ai nuk merret me teori e teorira, me aksioma e konkluzione logjike e përfundime skolastike. U mor vesh, baza e trajtimit të tij gjen mbështetje te korifenjtë e ekzistencializmit që nga paraformat e mendimit të lashtësisë e deri tek Kamy e Sartri.
“Arti dhe vlera” është pjesa e dytë që ndjek po atë diskurs, diskursin e superstrukturës së ndërgjegjes shoqërore të njeriut.
Në pjesën e tretë, “Njeriu i revoltuar si dominues” ai pos dijeve nga bota e të njohurve sjell edhe përvojën personale prej poeti, sjell këndvështrimin autorial mbi botën, ekzistencën dhe artin.
Pjesa e katërt, “Letrari dhe absurdi” në sinkroni me Aristotelin tangjenton raportin: letërsia dhe historia, ekzilin e autorit nëpër labirintet dhe shtjellat e absurditetit për të ngarendur në pjesën e pestë “Përjetësia e artit skenik”, një kthinë ku autori ndihet pothuajse më së mirë, ndoshta ngaqë përafron me vokacionin e tij të profesionit, të prirjes e të interesimit specifik!
Në një paraqitje të këtillë përurimi është pothuajse e pamundur të përfshihen shtresimet e një libri si ky, ku përthekohet një vëllim prej rreth katërqind faqesh, e megjithatë nuk mund të mos konstatosh gjuhën a, më saktë, kulturën gjuhësore, strukturën kompakte të frazës dhe begatinë e ngjyrimit të figurshëm.
Dhe, e fundit për këtë paraqitje, libri “Moskuptimet” është krejt i mëvetësishëm në këtë hapësirën tonë kulturore dhe letrare./KultPlus.com