Presidentja Osmani: Sportistët tanë janë ambasadorët më të mirë të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar rolin e jashtëzakonshëm të sportistëve kosovarë në afirmimin ndërkombëtar të vendit.

E para e shtetit ka folur në ceremoninë e organizuar për të shënuar dhjetëvjetorin e anëtarësimit të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

“Anëtarësimi i Kosovës në KON ishte një afirmim i madh i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Sportistët tanë i kanë treguar botës se kush është Kosova. Ata kanë dëshmuar se janë ambasadorët më të mirë dhe më të denjë të Kosovës”, ka theksuar Osmani.

Ajo ka shtuar se përmes sportit, Kosova ka arritur të pozicionohet në mënyrë dinjitoze në hartën globale. “Nuk ka krenari më të madhe se sa kur e kupton që në vende të mëdha sportistët i motivojnë me shembullin e Majlinda Kelmendit”, është shprehur Osmani. 

Gjatë dekadës së fundit, sportistët kosovarë, veçanërisht ata të disiplinës së xhudos, kanë sjellë suksese të jashtëzakonshme për vendin, duke e bërë Kosovën të njohur në arenën ndërkombëtare si një vend me potencial në këtë sport.

Presidentja Vjosa Osmani tregon çka foli me Elon Musk

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka treguar se çfarë ka diskutuar me miliarderin, Elon Musk, në Paris të Francës.

Ajo zbuloi detaje nëpërmjet një postimi në “X”.

“Një bisedë e madhe për efikasitetin dhe efektivitetin e qeverisë, përpjekjet për të luftuar dezinformimin, si dhe rëndësinë e respektimit gjithmonë të vullnetit të popullit”, ka shkruar e para e vendit.

Presidentja Osmani merr konfirmimin: Lituania vazhdon ta mbështesë fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani, është takuar në Budapest me homologun e saj të Lituanisë, Gitanas Nauseda.

E para e vendit bën me dije se e ka falënderuar Nausedan, dhe theksoi përkushtimin e Kosovës për thellimin e raporteve bilaterale, transmeton Klankosova.tv.

“Mora konfirmimin e tij se Lituania do të vazhdojë të na mbështesë edhe më tej për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, ka shkruar ndër të tjera Osmani në Facebook.

Presidentja Osmani në Dubrovnik: Riafirmova mbështetjen për ukrainasit

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore në Dubrovnik të Kroacisë.

Në një postim në Facebook, ajo ka deklaruar se edhe një herë e ka shprehur përkrahjen e Kosovës për Ukrainën.

“Në Samitin e liderëve Ukrainë-Evropë Juglindore në Dubrovnik për ta riafirmuar mbështetjen për të drejtën e popullit ukrainas për të jetuar në liri!”, ka thënë Osmani.

Vjosa, së shpejti pjesë e trashëgimisë së mbrojtur botërore

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur se Vjosa është afër që të bëhet pjesë e trashëgimisë së mbrojtur botërore.

Kjo pasi, sipas Ramës ekspertët e misionit të UNESCO-s po vijojnë punën në terren mbi përgatitjen e dosjes për këtë, përcjell Kalnkosova.tv.

“Vjosa në UNESCO – Puna po vazhdon – Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura së bashku me ekspertët e misionit të UNESCO-s po vijojnë punën në terren mbi përgatitjen e dosjes për ta bërë Vjosën pjesë të trashëgimisë së mbrojtur botërore, duke vlerësuar nga afër mozaikun e saj si një prej ekosistemeve më unikë në Evropë dhe duke bërë pjesë të diskutimeve edhe banorët e bizneset e zonës”, ka shkruar kryeministri./

Presidentja Osmani takon Doughtyn: Aleanca me MB-në, e rëndësishme për popullin e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Pragë u takua me ministrin e ri britanik për Evropën, Stephen Doughty.

Përmes një postimi në Facebook, e para e vendit thotë se për popullin e Kosovës, aleanca me Mbretërinë e Bashkuara është jashtëzakonisht e rëndësishme.

“Raportet e veçanta dhe historikisht të mira në mes të dy vendeve tona shërbejnë si themel i paluhatur për avancimin tutje të bashkëpunimit bilateral”, shkroi presidentja.

Medalja e dytë për Kosovën, Presidentja Osmani: Krenari e jashtëzakonshme

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, është shprehur tej mase e gëzuar për fitoren e Laura Fazliut.

Osmani tha se medalja e dytë për Kosovën është krenari e jashtëzakonshme.

“Krenari e jashtëzakonshme që na sollën xhudistja Laura Fazliu, trajnerja e saj Majlinda Kelmendi dhe maestro Toni Kuka”, tha Osmani.

“Faleminderit pafundësisht!”, tha ajo.

Xhudistja nga Mitrovica e mori medalje e bronztë pasi mposhti kroatën, Katarina Kristo.

Fitorja e Fazliut, erdhi në Golden Score pasi Kristo i mori tri shido nga referi, për shkak të pasivitetit në luftë.

Nga Bideni te Rama – Presidentja Osmani publikon listën e takimeve që pati në ShBA

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka publikuar listën e plotë të zyrtarëve që i ka takuar gjatë vizitës së saj në Washington D.C, gjatë margjinave të Samitit të NATO-s.

Osmani në Washington takoi presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministri e ri britanik Keir Starmer, e figura të tjera të larta.

Gjatë këtyre takimeve, Osmani mori mbështetje për rrugën euroatlantike të Kosovës dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Më poshtë gjeni listën e plotë të takimeve që Osmani i zhvilloi në ShBA:

Gjatë vizitës në Washington D.C., ku Presidentja Osmani u ftua nga Presidenti Biden në aktivitetin përmbyllës të Samitit të NATO-s, si dhe në aktivitetin e hapjes së Samitit nga Sekretari Blinken, Presidentja ka takuar edhe homologë të saj dhe përfaqësues shtetesh nga shumë vende të botës.

Gjatë kësaj vizite zyrtare, Presidentja Osmani pati mundësinë të bisedojë me zyrtarë të lartë shtetëror amerikan, përfshirë me:

Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden

Sekretarin e Shtetit Antony Blinken

Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien

Michael Carpenter, Drejtor i lartë për Evropë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve

Kryetaren e Nderit të Dhomës së Përfaqësuesve, kongresisten Nancy Pelosi

Senatorët: Jeane Shaheen, Chris Murphy dhe Amy Klobuchar

Kongresistët: Keith Self, Pete Sessions, Gary Palmer dhe Zach Nun

Ambasadoren Geeta Gupta, udhëheqëse e zyres së Sekretarit të Shtetit për Çështjet Globale të Grave

Ambasadoren Melanne Verveer nga Georgetown Institute, ish-përfaqësuese e SHBA-ve për Çështjet Globale të Grave

Përgjatë Samitit, Presidentja po ashtu kishte mundësinë të bisedojë me:

Presidentin e Francës, Emanuel Macron

Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanović

Presidentin e Finlandës, Alex Stubb

Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer

Kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau

Kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen

Kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas

Kryeministrin e Luksemburgut,  Luc Fried

Kryeministrin e Bullgarisë, Dimitar Glavchev

Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama

Sekretarin e jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy

Ministren e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analenna Baerbock

Ministrin e Jashtëm të Holandës, Caspar Veldkamp

Ministrin e Jashtëm të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis,

si dhe përfaqësues të tjerë të shteteve pjesëmarrëse.

Presidentja Osmani, po ashtu:

  1. Me ftesë të Sekretarit Blinken mori pjesë në aktivitetin e hapjes së Samitit të NATO-s dedikuar Agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë
  2. Me ftesë të Presidentit Biden mori pjesë në takimin përmbyllës të Samitit të NATO-s, për shtetet e përfshira në Iniciativën “Compact Ukraine”
  3. Mori pjesë në pritjen e organizuar nga Atlantic Council dhe Munich Security Conference për nder të 75 vjetorit të NATO-s
  4. Mori pjesë në pritjen zyrtare të NATO Public Forum, organizuar nga Misioni i Francës
  5. Bëri homazhe në nderim të ushtarëve amerikanë në Varrezat Kombëtare në Arlington

Vrasja e vëllezërve Bytyqi, Presidentja Osmani: Serbia glorifikon kriminelët e luftës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se familja e Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqit, shtetas amerikanë të vrarë brutalisht 25 vjet më parë, janë ende në kërkim të drejtësisë.

Osmani, në një postim në platformën X, shkruan se regjimi i Serbisë vazhdon t’i glorifikojë kriminelët e luftës, në vend që t’i mbajë ata përgjegjës.

“Familja e Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqit, shtetas amerikanë të vrarë brutalisht 25 vjet më parë, janë ende në kërkim të drejtësisë. Deri më sot, regjimi i Serbisë vazhdon t’i glorifikojë kriminelët e luftës, në vend që t’i mbajë ata përgjegjës. Nuk do të pushojmë derisa autorët të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Osmani.

Kujtojmë se vëllezërit Bytyqi kanë luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kanë qenë shtetas të SHBA-së. Ata janë vrarë në vitin 1999, pasi paraprakisht janë arrestuar nga autoritetet serbe për shkak të, siç është thënë atëkohë, hyrjes së paligjshme në Serbi. Trupat e pajetë të tyre janë gjetur në qershor të vitit 2001 në një varrezë masive në Petrovo Sello, në lindje të Serbisë.

Vjosa në “Canadian Geographic”, Rama: Lumi i fundit i egër në Evropë josh vizitorë nga gjithë planeti

Revista “Canadian Geographic” ka botuar një shkrim kushtuar Vjosës, lumit të fundit të egër të Evropës.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale shkrimin e Suzanne Morphet të publikuar në “CanadianGeographic”.

“Canadian Geographic udhëton në Shqipërinë tonë përmes Vjosës, lumit të fundit të egër të Evropës që vërshon i lirë dhe i mbrojtur si Park Kombëtar, peizazheve mbresëlënëse që rrjedha e saj krijon dhe jetës së larmishme që gëlon në brigjet e saj bashkë me traditat e komuniteteve lokale, që po joshin drejt Vjosës vizitorë nga gjithë planeti”, shkruan Rama.

“Më 15 mars 2023, kryeministri shqiptar Edi Rama njoftoi formimin e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, duke mbrojtur më në fund Vjosën dhe katër degët kryesore – Drinon, Kardhiqin, Bënçën dhe Shushicën – që mbulojnë 12 727 hektarë. Gjëja e vetme më domethënëse e Vjosës është se ajo është e egër, ekosistemi i saj me rrjedhje të lirë i paprekur nga burimi në det – diçka e padëgjuar në Evropë, ku shumica e lumenjve u penduan, u kanalizuan dhe u drejtuan dekada më parë”, theksohet në shkrimin e Morphet.

Në shkrimin e saj Morphet përshkruan edhe qytetin e Përmetit dhe Gjirokastrës./atsh/KultPlus.com

Kumbaro: ITB Berlin promovon Vjosën dhe bregdetin e Jugut

Shqipëria do të jetë vendi i nderit në panairin më të rëndësishëm të turizmit në botë për vitin 2025, ITB Berlin.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale imazhet e Shqipërisë, të publikuara nga ITB Berlin.

“Imazhet e Shqipërisë Turistike janë publikuar nga ITB Berlin, panairi më i madh në botë i turizmit që do ta ketë Shqipërinë vendin e nderit për vitin 2025 përmes një programi promovimi që nisi me Vjosën, vazhdon me bregdetin e jugut e do të shtrihet në gjithë buqetën e madhe të ofertës sonë sepse e gjithë Shqipëria është turistike”, tha Kumbaro.

Në nëntor të vitit të kaluar Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe ITB Berlin nënshkruan  marrëveshjen që shpalli Shqipërinë vend nderi të ITB Berlin 2025.

Kjo marrëveshje ka për qëllim fuqizimin e rolit të Shqipërisë jo vetëm në nivel pjesëmarrës, por në sipërmarrje aktive të organizimit të agjendave të nivelit të lartë të eventeve të rëndësishme globale siç është ITB Berlin, që promovojnë ndërkombëtarisht imazhin e Shqipërisë./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani: Programi ‘Kompakt’ është investim për të ardhmen e Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, me rastin e lansimit të programit “Kompakt”, ka thënë se është një simbol i mbështetjes së pakompromis në marrëdhëniet strategjike ndërmjet dy shteteve tona dhe qytetarëve tanë.

Sipas saj, ky event përveç shënimit tonë të bashkëpunimit të suksesshëm po ashtu përbën edhe fuqizimin e vendit.

“Ky kompakt përfaqëson më shumë se sa një grant, është një simbol i mbështetjes së pakompromis në marrëdhëniet strategjike ndërmjet dy shteteve tona dhe qytetarëve tanë. Marrëdhënie e ndërtuar në vlera, respekt të përbashkët për prosperitet”, ka thënë Osmani, duke shtuar se SHBA kanë mbështetur Kosovën dhe kanë qëndruar pranë nesh edhe në ditët më të vështira në secilin hap të saj, duke përpjekur në zhvillimin ekonomik dhe atë demokratik.

“Kompakti që po lansojmë sot nuk është vetëm investim në infrastrukturën e energjisë dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë sonë, por është investim për të ardhmen e Kosovës dhe njerëzve të saj”, tha presidentja e vendit.

Ajo, tutje shtoi se në qendër të këtij projekti që po lansohet sot është transformimi i energjisë përmes zbatimit të solucioneve inovative dhe vendosja e parimit të barazisë, si parakusht në qëndrueshmërinë në botën e energjisë .

“Si e tiullë MCC-ja fokusohet kryesisht në projektet e ruajtjes së energjisë në bateri që do ta revolucionalizojë energjinë e Kosovës, të adresojë sfidat më të mëdha të Kosovës e të rajonit që është qëndrueshmëri e energjisë dhe besueshmëria në të”, tha mes tjerash presidentja Osmani./rtk/ KultPlus.com

Presidentja Osmani flet me O’Brien: Diskutuam për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ka diskutuar sot në telefon me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit James O’Brien.

Me të kanë diskutuar për partneritetin me SHBA-në dhe hapat e mëtejmë të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, transmeton klankosova.tv.

”Një telefonatë produktive me O’Brien sot. Theksoi rëndësinë themelore të punës së bashku me aleatët tanë të SHBA-së në mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë. Ne diskutuam gjithashtu hapat e Kosovës për anëtarësimin në KE dhe zbatimin e plotë dhe të shpejtë të marrëveshjes së Brukselit”.

Presidentja Osmani: USAID-i është shembull i përkushtimit amerikan ndaj Kosovës

“Kontributi i USAID-it në Kosovës është shembull i përkushtimit të palëkundur të SHBA-së ndaj Kosovës”. Kështu ka deklaruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë për media të mbajtur pas takimit me ndihmësadministratoren e USAID-it, Erin McKee.

“Gjatë takimit me ndihmësadministratoren e USAID-it, Erin McKee, shpreha mirënjohjen tonë të thellë për mbështetjen e USAID-it në Kosovë, një shembull i përkushtimit të palëkundur të Shteteve të Bashkuara për ta ndihmuar vendin tonë drejt arritjes së sukseseve të reja”, ka deklaruar Osmani.

Në Kosovë, sipas saj, kur flitet për USAID-in, flitet për zhvillim e vendimit dhe mbështetjen amerikane për popullin e Kosovës.

“Kontributi i USAID me dekada është një nga shembujt më të fortë të përkushtimit të palëkundur të SHBA-së, Amerikës dhe popullit amerikan për ta ndihmuar vendin tonë në arritjen e sukseseve tona. Një partneritet i ndërtuar me besim të ndërsjellë të fuqizuar nga vlerat e përbashkëta dhe të motivuara nga qëllimi ynë i përbashkët”, tha ajo.

Sipas presidentes, në përpjekjet e përbashkëta për një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës, USAID-i ka përkrahur Kosovën duke investuar mbi 1 miliard dollarë e që bashkë me projekte tjera të Qeverisë Amerikane investimet arrin diku në 2 miliardë dollarë./rtk/KultPlus.com

Presidentja Osmani uron presidentin e ri të Hungarisë: Mezi pres të punoj me ju për të rritur bashkëpunimin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar presidentin e ri të Hungarisë, Tamas Sulyok.

Presidentja Osmani përmes një komunikate ka thënën se mezi pret të rrisë bashkëpunimin Kosovë-Hungari.

“Ju uroj suksese në rrugëtimin e shenjtë të udhëheqjes së vendit tuaj dhe mezi pres të punoj me ju për të rritur bashkëpunimin Kosovë-Hungari”, ka deklaruar Presidentja Osmani./KultPlus.com

Presidentja Osmani në takim me Forumin Ekonomik të Grave: Ligji i ri i Punës të miratohet sa më parë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim përfaqësuese të Forumit Ekonomik të Grave, udhëhequr nga znj. Saxhide Mustafa.

Në takim u diskutua mbi nevojën urgjente për miratimin e Ligjit të ri të Punës në Kuvendin e Kosovës.

Presidentja Osmani potencoi se integrimi i plotë dhe i barabartë i grave dhe burrave në ekonomi është strategji afatgjate për të stimuluar rritjen ekonomike dhe pjesëmarrjen aktive të grave në ekonomi. Në këtë frymë, Presidentja theksoi se reduktimi i hendekut gjinor në tregun e punës jo vetëm që rrit mirëqenien sociale dhe ekonomike të grave, por edhe kontribuon në mirëqenien e përgjithshme të të porsalindurve dhe të familjeve. Prandaj është e domosdoshme që ligji i ri i punës që i adreson këto nevoja të jetë në përputhje me direktivat e BE-së dhe të procedohet sa më parë në Kuvend.

Në veçanti, u diskutua rëndësia e politikave lidhur me pushimin prindëror, si masë e rëndësishme që duhet të rregullohet me këtë ligj. Presidentja Osmani dhe përfaqësueset e Forumit Ekonomik të Grave diskutuan modele të mundshme të pushimit prindëror, të cilat janë propozuar nga organizatat e shoqërisë civile, e të cilat mundësojnë dhe inkurajojnë pjesëmarrjen aktive të grave në ekonomi, duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare.

Presidentja Osmani dhe Forumi Ekonomik i Grave diskutuan edhe për rëndësinë e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor si masë e rëndësishme si nga institucionet qendrore, ashtu edhe nga ato lokale. Në këtë takim u bë thirrje për angazhim më të madh nga të gjitha institucionet përkatëse për të zhvilluar dhe zbatuar politika të drejta dhe efikase që adresojnë sfidat specifike me të cilat përballen gratë në tregun e punës./KultPlus.com

Rënia e nivelit të Vjosës nxjerr në pah një varkë të vjetër, pritet të bëhen studime për vjetërsinë e saj

Thatësira e këtij dimri dhe rënia e nivelit të lumit Vjosë ka nxjerrë në sipërfaqe ditët e fundit, skeletin e një varke të vjetër pranë fshatit Kashisht të Bashkisë Fier.

Mbetjet e varkës janë pikasur nga barinjtë e zonës, ndërsa me sy të lirë duken qarte konstruksioni prej druri, gozhdët metalike, te cilat janë përdorur nga ndërtuesit dhe një shtrese bitumi për hidroizolim.

Sipas studiuesit dhe historianit Ilirjan Gjika, ky mjet lundrues duhet t’i nënshtrohet më parë studimit nga specialistet e fushës, pasi Vjosa njihet për historinë e saj të vjetër në lundrimin e brendshëm.

Po sipas historianit Gjika, hipotezat për vjetërsinë e saj  mund të jenë të shumta pasi dihet tradita shekullore e lundrimit në këtë lumë në antikitet dhe mesjetë dhe këtë e faktojnë një sere dëshmish historike.

Nga studimi i skeletit të kësaj varke, pritet të zbulohet më shumë informacion për epokën në të cilën lumi Vjose ishte i lundrueshëm./Balkanweb/KultPlus.com

Bukuri mbresëlënëse të peizazhit rreth Vjosës

Vjosa si lumi i fundit i egër në kontinentin e vjetër që e bën atë mbretëreshën e lumenjve të Evropës.

Agjencia Kombëtare e Turizmit solli në rrjetet sociale pamje mbresëlënëse nga lumi i Vjosës përmes fotografisë fituese në “Wanderlust in Albania”.

Fotoja është një nga mënyrat e zbulimit të bukurisë mbresëlënëse të peizazhit rrotull Vjosës – lumi i fundit i egër i Evropës, tashmë Park Kombëtar i mbrojtur.

Ngjyrat e Vjosës vijojnë nga fotografi i talentuar Bleron Çaka, një nga konkurentët fitues në kategorinë peizazhe të Konkursit Ndërkombëtar të Fotove dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania”./atsh/KultPlus.com

18-vjetori i vdekjes së Rugovës, Osmani: Ia kushtoi ҫdo ditë të jetës së tij lirisë e pavarësisë së vendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në 18-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova tha se ai ia kushtoi ҫdo ditë të jetës së tij lirisë dhe pavarësisë së vendit.

Ajo u shpreh se Rugova arriti që në një kohë të vështirë për popullin tonë të ndërtojë aleanca të cilat, siҫ u shpreh ajo edhe sot i duhen Kosovës, përcjell Klankosova.tv.

“Sot përkujtojmë presidentin historik të Republikës së Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova, atin themeltar dhe arkitektin e pavarësisë së vendit tonë, njeriun i cili ia kushtoi ҫdo ditë të jetës së tij, lirisë dhe Pavarësisë së vendin dhe punoi në radhë të parë bashkë me popullin e Kosovës e në radhë të dytë bashkë me aleatët tanë në mënyrë që sot ta gëzojmë këtë të vërtetë pas shumë sakrificash të vendin tonë”.

“Presidenti Rugova arriti që në një kohë jashtëzakonisht të vështirë për popullin tonë të ndërtojë aleanca të cilat edhe sot i duhen Kosovës, prandaj sot e përjetë do t’i ruajmë këto aleanca të cilat do të na ndihmojmë që të ecim përpara drejt realizimit të plotë të vizionit të presidentit historik për një Kosovë të pavarur, sovrane, të integruar në BE dhe në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Osmani./klankosova/KultPlus.com

Presidentja Osmani: Gjergj Kastrioti, njeriu që orientimin perëndimor të shqiptarëve e kultivoi në vendosmërinë për ta mbrojtur atdheun e vet

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar përvjetorin e heroit të shqiptarëve, strategut luftarak e projektuesit të parë të shtetit europian të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti.

Përkujtimi i plotë:

Sot kujtojmë përvjetorin e vdekjes së heroit të shqiptarëve, strategut luftarak e projektuesit të parë të shtetit europian të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit, njeriut që orientimin perëndimor të shqiptarëve e kultivoi në vendosmërinë për ta ruajtur e mbrojtur atdheun e vet e për të krijuar aleanca të fuqishme me perëndimin. I përjetësuar në qindra vepra arti, ai e njohu për të gjallë madhështinë e të bëmave të veta, jehona e së cilave u rrit me kalimin e kohës, duke u shndërruar në busullë orientuese për ne.

Lavdi, Gjergj Kastrioti!/KultPlus.com

Qendra Multifunksionale e Vjosës, Rama ndan projektin fitues të studios ‘CERBA’

Parku Kombëtar “Lumi Vjosa”  do të ketë Qendrën Multifunksionale dhe Stacionet e Informimit, projekt që do të zbatohet nga studioja projektuese daneze “CEBRA A/S & Arup International Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale projektin fitues të Konkursit Ndërkombëtar për Qendrën Multifunksionale të Parkut Kombëtar të Vjosës, që u shpall katër ditë më parë Tiranë.

Juria e përbërë nga kryeministri Edi Rama, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, shefi ekzekutiv i Patagonia Ryan Gellert dhe ekspertë kombëtarë e ndërkombëtarë të mjedisit, arkitektonikës e planifikimit të territorit vlerësoi projektin e kësaj studioje si më kreativi dhe inovativi në përputhje me kriteret e shpallura nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit si dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për këtë konkurs.

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij tha se “jam i bindur se ky projekt, i cili do të materializohet menjëherë pas shpalljes së fituesit, do të jetë projekti që do të hapë edhe atë shteg të perpsektivës së të ardhmes dhe për njerëzit e mbi të gjitha për vajzat dhe djemtë që rriten në mes të kësaj mrekullie të natyrës, që të gjejnë të gjitha arsyet ta ndërtojnë jetën aty, duke pasur mundësinë të jetojnë po aq mirë sa vetë Vjosa, të mbrojtur, të mbështetur edhe të financuar nga aktiviteti i tyre ekonomik dhe social”.

Projekti i dizajnit të grupit “CEBRA A/S & Arup Internatioonal Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO” fituese u vlerësua si më afër zgjidhjeve arkitektonike në harmoni të plotë me natyrën dhe peizazhin si dhe për nxjerrjen në pah të vlerave natyrore, kulturore, trashëgiminë e historinë e zonës.

Lumi i Vjosës, si lumi i fundit i egër në Europë, u shpall në mars të këtij viti nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “park natyror”./atsh/KultPlus.com

Nesër finalizohet Konkursi Ndërkombëtar për qendrën multifunksionale në Vjosë

Vjosa do të ketë së shpejti edhe odën e saj të mikpritjes së vizitorëve.

Kështu theksoi sot ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, në një postim në rrjetet sociale.

Kumbaro bëri të ditur se “nesër finalizojmë Konkursin Ndërkombëtar të Dizajnit për krijimin e një “Qendre Multifunksionale dhe Stacioneve të Informacionit” të Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa”.

“Studiot arkitekturore që kanë arritur deri në fazën finale konkurrojnë me projektet e tyre dhe i takon jurisë, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama dhe ekspertëve shumë të mirë shqiptarë e ndërkombëtarë, t’u dhurojë gjithë mysafirëve që do të vizitojnë parkun, një guidë të plotë për atë ç’ka gjejnë në Vjosë brenda kornizës së artit të mikpritjes shqiptare”, tha Kumbaro.

Projekti për Qendrën Multifunksionale në Vjosë cilësohet i një rëndësie të veçantë pas shpalljes së këtij rajoni si një Park Kombëtar.

Qendra Multifunksionale do të shërbejë si një portë e Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa, ku vizitorët do të nisin udhëtimin dhe marrin informacione për vlerat natyrore dhe kulturore të parkut, në zemër të ekosistemeve natyrore, por edhe të habitatit njerëzor.

Konkursi Ndërkombëtar i Dizajnit synon të bashkojë studiot më inovative dhe kreative të dizajnit nga të gjitha anët e globit. Ai ofron një platformë unike për studiot për të shfaqur talentin e tyre, për të fituar njohje ndërkombëtare dhe për t’u lidhur me liderët e industrisë.

“Ne jemi në kërkim të zgjidhjeve arkitekturore në harmoni të plotë me natyrën dhe peizazhin, propozime që do të shërbejnë si katalizatorë për rëndësinë kombëtare të kësaj zone. Konceptet duhet të bazohen në parimet e krijuara duke identifikuar karakteristikat natyrore, trashëgiminë, vlerat kulturore, historike dhe arkeologjike të zonës, si dhe në përvojat më të mira ndërkombëtare”, thuhet në mesazhin që shoqëroi shpalljen e këtij konkursi.

Në 13 qershor 2022 u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe organizatës amerikane “Patagonia” për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar”.

Më 13 mars të këtij viti, lumi i Vjosës, i fundit i egër në Evropë, u shpall nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “park natyror”./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani: E kam analizuar propozimin për Asociacionin, vlerësimet do t’i jap kur kemi proces të nënshkrimit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se e ka analizuar dhe lexuar draftstatutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili u propozua nga pesëshja evropiane.

“E kam analizuar gjerë e gjatë me vëmendje të gjatë, vlerësimit e mia do t’i jap më shkrim në momentin që kemi proces të nënshkrimit pastaj kur shkon ky draftstatut në Gjykatën Kushtetuese, si presidente e Republikës së Kosovës do t’i dërgoj të gjitha komentet me shkrim”, ka theksuar Osmani, njofton Klankosova.tv./KultPlus.com

Presidentja Osmani pret në takim ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yaşar GÜLER

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yaşar GÜLER.

Presidentja e uroi për pozitën e tij si ministër në Republikën e Turqisë, si dhe e falënderoi Turqinë e në veçanti presidentin Erdogan për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit me ministrin u diskutua për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me theks të veçantë në trajnimet e FSK-së dhe shkëmbimin e intensifikuar me qëllim të avancimit të bashkëpunimit të përgjithshëm në fushën e sigurisë.

Ministri konfirmoi mbështetjen e palëkundur për Kosovën. Më tej, Ministri GÜLER u shpreh mirënjohës ndaj Republikës së Kosovës veçmas me solidarizimin dhe ndihmën që Republika e Kosovës i pati ofruar Turqisë pas tërmetit shkatërrues në këtë shtet.

Në takim, Presidentja Osmani foli edhe për gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovë, si dhe për aktin e agresionit dhe sulmin terrorist të Serbisë që ndodhi më 24 shtator në Republikën e Kosovës, me ç’rast potencoi se garantimi dhe mbrojtja e sigurisë në vend janë prioritet. Konfirmoi gatishmërinë dhe rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët në këtë drejtim./KultPlus.com