Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Vjosa Berisha u bën thirrje vajzave e grave për kontrolle rutine

Muaji tetor ndryshe njihet edhe si muaji i ndërgjegjësimit rreth kancerit të gjirit.

Aktorja dhe producentja e njohur, Vjosa Berisha, me këtë rast u ka bërë thirrje të gjitha vajzave dhe grave që të bëjnë kontrolle apo edhe mamografinë.

Artistja, e cila ka qenë e diagnostikuar me kancer në vezor, më tej thekson se zbulimi i hershëm i kancerit do të thotë shërim.

“Vajza e gra shfrytëzoni muajin tetor për të bërë kontrollën rutinë të gjirit apo edhe mamografinë (varësisht nga këshilla e mjekut dhe mosha) zbulimi i hershëm i kancerit do të thotë shërim”, kanë qenë fjalët e Berishës.

Regjisorja në një nga intervistat e fundit bëri me dije se u diagnostikua me kancer në muajin mars të këtij viti duke shtuar se ka qenë një moment shumë i vështirë./KultPlus.com

Vjosa Berisha me mesazh për gratë që po përballen me kancer: Unë po e vazhdoj jetën njëjtë, duhet ta gjeni forcën

Producentja e njohur Vjosa Berisha në emisionin Natë Vere në T7 mes tjerash ka folur edhe për përballjen e saj me sëmundjen e kancerit, përcjell KultPlus.

Berisha dha edhe një mesazh për të gjitha gratë që janë duke u përballur me këtë sëmundje.

Ajo tha se duhet ta gjejnë forcën dhe të besojnë se edhe kjo sëmundje mund të shërohet.

“Të gjitha ato gra që janë të sfiduara me kancerin në këto momente,dhe janë duke u përballë me këtë sëmundje, ta gjejnë forcën dhe të besojnë se mund të gjejnë shërim. Nesër mundemi me dalë me na shkelë kerri, nuk i dihet jetës. Fatmirësisht kemi doktorë shumë të mirë. Unë jam duke e vazhdu jetën njëjtë si përpara, duke u ruajt në ushqim, por në aspektet tjera, jam duke e vazhdu punën e të gjitha”, ka thënë Berisha në T7. / KultPlus.com

Prifest shpall fituesit e garës ‘Best Pitch’

Gjatë fundjavës, PriFest ka mbajtur edicionin e 12të të PriForum Online ku janë organizuar shumë aktivitete online si një numër panel diskutimesh, workshope dhe seanca me ekspertë të ndryshëm, përcjellë KultPlus.

Poashtu është mbajtur edhe gara ‘Best Pitch’ në Zoom, para jurisë ndërkombëtare tre anëtarëshe (Linda Beath eksperte finance dhe koproduksioni nga Kanada, Wendy Bernfeld, VOD eksperte nga Holanda dhe Danijel Hocevar, producent nga Sllovenia) dhe në ditën e mbylljes së PriForum janë shpallur edhe fituesit.

Në Best Pitch morën pjesë 12 projekte nga Ballkani të cilat kishin edhe workshope me ekspertë në fushën e prezentimit të projektit dhe workshop për financim dhe koproduksion. Projektet poashtu morën pjesë në Prishtina Rendezvous ku u prezentuan para agjentësive ndërkombëtare të shitjes. Përderisa Forumi u mbajt në zoom, shumë prej seancave ishin edhe livestream në facebook dhe ato mund t’i ndiqni edhe në kanalin youtube të PriFest së shpejti.

Më poshtë gjeni ndarjen e çmimeve dhe dedikimet e jurisë

Çmimi i parë – shërbime colour grading (Përpunimi i ngjyrave) e ndarë nga kompania In My Country Production i është ndarë projektit filmik:
The Second Chapter (Kapitulli I dytë) nga Shqipëria

Dedikimi i jurisë: Ky film tregon një histori lëvizëse që do të ngjallë dëshpërimin, zhgënjimin dhe trishtimin si dhe kënaqësinë, lumturinë dhe gëzimin. Ajo paraqet një kapitull të rëndësishëm në jetën e një guaje, nëne dhe një artisteje, nje personazh kryesor që audienca mund dhe do të lidhet me të më lehtë.

Producenti dhe shkrimtari-regjisori na dhanë një hap të mrekullueshëm që nxiti besimin se ky film jo vetëm që po bëhet nga talenti i duhur krijues, por që ata janë të aftë dhe të gatshëm për të bërë kinema me cilësi të lartë.
Dhe padyshim është një nga filmat e vitit 2021 që duam ta shohim sapo të jetë gati.Çmimi i dytë postproduksioni i zërit (Foleys) i dhënë nga kompania Audiohaus, Maqedoni Veriore iu nda projektit filmik Balkan Top Stars (Top yjet e Ballkanit) nga Serbia.

Dedikimi i jurisë: Ky projekt nuk i takon botës së filmave art house, por ai tërhoqi vëmendjen dhe mbështetjen tonë. Është një film me synim të qartë për një audience të vështirë në kinema- fëmijë dhe adoleshentë. Ky projekt ka zemrën në vendin e duhur: dëshiron të inkurajojë dhe përfundimisht të nxisë një sens të fortë të tolerancës shoqërore dhe politike.

Prezentimi i projektit ishte shumëngjyrësh, dinamik dhe Zoom dhoma u përdor në mënyrë efektive. Ne të gjithë besojmë se mundeni dhe do të përdorni platforma dixhitale në promovimin e këtij filmi për t’u siguruar që audienca e sheh filmin dhe se filmi promovohet mirë.

Çmimi për prezentimin më të mirë (Best Pitch) që ndahet nga PriFest, iu dha projektit filmik Flirtbar nga Kosova

Dedikimi i jurisë: Si një projekt pa një regjisor dhe pa një producent, ky është një tjetër film jo shumë e lehtë për një juri për t’a veçuar. Megjithatë, në këtë rast tregimi u tregua në një mënyrë të qartë, të detajuar dhe shumë mbresëlënëse. Ne ndjekëm personazhin kryesor simpatik përmes një udhëtimi që kuptuam një fund emocional që na preku të gjithëve. Padyshim nje prezentim i mirë.

Ndërsa është qartësisht një nga ‘bashkëproduksionet’ e natyrshme, ky film është në atë pikë të udhëtimit të tij ku i duhet një producent i shkëlqyeshëm një bashkë-producent cilësor, një regjisor i talentuar me përvojë dhe talenti kryesor. Kjo juri ju inkurajon ta mbështesni.

Honorable Mention / apo dedikim i veçantë nga juria iu bë edhe projektit filmik nga Mali I zi Scarab:

Dedikimi i jurisë: Një artist i ri, gruaja e tij, shoku i tij i ngushtë shumë qesharak dhe vellau i madh i tij kan nevojë për para. Ata gjithashtu kanë zemra të mëdha. Kështu që, kur dikush afër tyre vdes, ata vendosin të fillojnë një biznes duke pikturuar me motive ne arkivole. Shumë më mire se sa të varrosesh në një arkivol të thjeshtë, apo jo? Një ide e lezetshme për një komedi të zezë ballkanike. Ne mezi presim të qeshim së bashku me filmin dhe yjet e tij në premieren e tij të festivalit.

Vlen te theksohet qe edicioni i 12-të i PriFestit do të mbahet ne ambiente te hapura në datat 25-30 gusht 2020. / KultPlus.com

‘Ajo’ nga More Raça, një reflektim mbi rrugëtimin e grave të cilat ikin prej dhunës

Arbër Selmani

Lajmet për dhunën e ushtruar ndaj grave po shtohen dita-ditës, njëjtë si barra e zemrës së qytetarit i cili lëngon prej dhimbjes kur dëgjon se gruaja kosovare vendin më të rrezikshëm e ka pikërisht brendësinë e shtëpisë së saj.
Megithatë, shpesh një grua largohet, merr zemër dhe zgjedhë diçka më të mirë, ose veç merr rrugë të cilën nuk e njeh por e ndjen se nuk ka dhunë në atë drejtim.

E njëjtë është gruaja në filmin “Ajo” nga More Raça. Vajza e saj e largon nga babai dhe vëllau, ndërsa nëna e lumtur bashkë me vajzën në veturë largohen për një jetë më të mirë. Nëna e ka fytyrën me shenja nga goditjet e dhunës, derisa vajza në fund të filmit ka arsye të buzëqeshë. Burri është i tmerrshëm, e djali është viktima që pajtohet me të atin. Por ka një shpëtimtare, e cila e kupton më së miri zemrën, trupin dhe fizikun që dhemb të nënës së saj të pafat.

Aurita Agushi, Sunaj Raça, Florist Bajgora dhe Diella Valla janë katër aktorët e filmit “Ajo” me regji nga More Raça, i cili mbrëmë u shfaq në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në kryeqytet, në kuadër të dhjetorit që në këtë Qendër po shënohet si muaji i grave të suksesshme kosovare, në fushën e artit dhe kulturës.

Filmi 12-të minutësh tregon për dhunën në familje, një inspirim i radhës i regjisores e cila sapo është kthyer nga Amerika, atje ku e promovoi filmin e saj dhe e cila pret që ndoshta ky film të mund të nominohet në listën e ngushtë të filmave të shkurtër në ceremoninë Oscars.
“Unë e kam ndje obligim me e përdorë artin tim për të mirën e shoqërisë, për me ngritë debate, dhe gjithmonë kam dashur me sjellë në ekran histori të parrëfyera. Filmi “Ajo” për mua ka qenë një proces i ndjeshëm dhe i dhimbshëm sepse gjatë shkrimit të skenarit kam takuar gra që janë viktimë e dhunës, disa prej tyre edhe kanë nisur një jetë të re dhe janë larguar” tregoi në bisedën e zhvilluar pas filmit regjisorja More Raça.

Filmi ka nisur mbarë, ndërsa është shfaqur për 15 ditë në rreth 350 kinema rreth e qark Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më pas filmi fitoi në Mahnattan ndërsa para pak ditësh morri çmimin special të jurisë në Kajro, në një festival të kategorisë A. Historia shqiptare kësisoj shndërrohet në histori universale, e dhuna ndaj gruas kosovare bëhet dhuna ndaj secilës grua. Sepse në fakt, të rrahësh një grua duket sikur ke goditur secilën grua që merr frymë në këtë botë.
“Fundi i lumtur i filmit tregon se ka shpresë. Unë gjithmonë e kam pyetur veten se pse këto gra nuk ikin, nuk largohen, por gjithmonë ka arsye e rrethana të ndryshme. Në film së paku vjen një fund me buzëqeshje. Unë dua poashtu me këtë film të reflektoj mbi atë se sa bën ky shtet dhe kjo shoqëri për këtë rrugëtim të largimit të këtyre grave, dhe sa i sigurtë është ky rrugëtim” tregon tutje More Raça, regjisore e filmit “Ajo” dhe disa filmave të tjerë të cilët gjithmonë lidhen me gruan kosovare dhe me realitetin rreth saj.

Gjatë filmit janë përdor kuadro të fytyrës të cilët qëndrojnë të tillë për disa minuta, dhe sipas Moresë kjo vjen sepse ajo dëshiron që audienca të futet thellë në personazhet gra brenda filmit dhe në emocionet e tyre.
“Unë si i vogël jam mësu me e pa gruan dhe femrën si pjesë timen, prandaj shpesh e kam problem me e kuptu edhe rolin tim në film, se si dikush pajtohet me një trajtim të tillë ndaj gruas” tregon në anën tjetër Florist Bajgora, aktor në këtë film, në rolin e djalit të familjes i cili është dukshëm një viktimë e mentalitetit por nuk bën zë dhe pajtohet me trajtimin që po i bëhet nënës së tij.

E pranishme në diskutim ishte edhe Aurita Agushi, aktore në film, e cila barti mbi vete fuqinë e tërë filmit duke qenë gruaja e heshtur që flet me zë më shumë se me gojë. Ajo tregon se ndihet e lumtur që ka punuar në këtë film i cili po pritet mirë dhe ka marrë hovin e tij nëpër botë.
“Më ka pëlqyer skenari dhe e kam lexuar me shumë kujdes. Sidomos titulli “Ajo” më intrigoi shumë sepse nuk e dija kush ishte ajo. Ajo mund të isha unë ose edhe secila në këtë audiencë. E kam përcjellë suksesin e filmave të mëhershëm të Moresë dhe më pas më pëlqeu të isha pjesë në këtë film, i cili trajton një problematikë të shoqërisë kosovare, problematikë aktuale dhe shumë shqetësuese” tregon Agushi.

Gjatë diskutimit Agushi tregoi edhe për përvojën e saj në Oscars, kur ajo ishte pjesë e filmit “Shok” i cili u nominua në listën e ngushtë për Ceremoninë Oscars në vitin 2016-të.

Sot, me fillim prej orës 16:00, në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian do të diskutohet mbi gruan kosovare dhe diplomacionë kulturore, me Nita Dedën, Vjosa Berishën, Arta Aganin, Zana Hoxha Krasniqin, Donika Rudin dhe Besa Luzhën. / KultPlus.com

Gratë që nuk heshtin erdhën mbrëmë në Prishtinë

Arbër Selmani

Femra më koka të mëdha, më të ndezura në ngjyra të flokëve dhe më të zjarrta në sy, afër edhe me skulptura të bardha e me elemente tradicionale, gati sa putheshin afër në hapësirën e bardhë të Qendrës Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në kryeqytet.

Mjellma Goranci Firzi i solli të parët ndërsa Shqipe Kamberi të dytat, për një ekspozitë e cila u hap mbrëmë në këtë Qendër dhe solli këto dy artiste në një bashkëpunim të radhës, për të formësuar një grua që nëse nuk është shqiptare, është një grua universale, e bukur dhe në heshtje, e mangët dhe e kompletuar, e vrarë dhe e gjallë, e kuqe dhe e gjelbër, me sy dhe pa sy, me vuajtje dhe pa të.

Dy artistet mbrëmë hapën ekspozitën “Klithma e heshtjes së gruas”, në këtë muaj i cili në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë festohet si muaji i gruas kosovare me suksese në art dhe kulturë.
“Sonte po i sjellim dy artiste të cilat janë të suksesshme në artin e tyre dhe janë dy promovuese edhe në diplomacinë kulturore. Meqë në Qendër këtu dhjetorin do ta festojmë si muajin me gratë e suksesshme nga Kosova në art dhe kulturë, sonte po e tregojmë prapë promovimin dhe përkrahjen që kjo Qendër i jep artistëve dhe kulturës në përgjithësi” tha në fjalën e hapjes Vjosa Berisha, kryesuese e EUICC.

Të pranishmit me të hyrë në dy hyrjet e kësaj qendre do të ballafaqoheshin me pikturat dhe me artin e Kamberit dhe Goranci Firzit. Një cikël i njohur i vajzave të hijshme ngjyra-ngjyra dhe kornizat që rrethonin bardhësinë e punës së Kamberit u shikuan nga audienca e cila jo rrallë po provonte të gjente veten në këtë art ose ta dëshifronte atë deri në mundësinë njerëzore.

“Unë dhe Shqipja po bashkëpunojmë për herë të dytë, dhe kjo sepse e trajtojmë temën e figurës së gruas. Shpresoj që të gjithë e kuptoni sonte mesazhin e artit tim: jo dhunës fizike, seksuale, duhet ta luftojmë këtë dukuri dhe duhet ta përkrahim njëri-tjetrin. Shoqëria jonë duhet ta kuptojë që femra duhet të ketë një pozitë më të mirë në shoqëri, për një familje më të shëndoshë” tha në hapjen e ekspozitës Mjellma Goranci Firzi.

Ekspozita e njëjtë ka udhëtuar më disa shtete evropiane, përfshirë këtu Gjermaninë, Holandën, Austrinë e Bullgarinë, për të përçuar të njëjtin mesazh, që figura e femrës të mbetet e shenjtë dhe e pa dhunuar.
“Ekspozita ka nisur në qendrat kryesore të Evropës, për me reflektu mbi këtë dukuri. Shumica jetojmë në familje patriarkale prandaj të gjithë duhet të reflektojmë mbi gruan dhe mbi dhunën” vazhdoi Shqipe Kamberi.

Ekspozita do të vazhdojë të qëndrojë e hapur në këtë Qendër. Sot prej orës 19:00 regjisorja More Raça do të jetë në një bashkëbisedim në këtë qendër, pasi të shfaqet filmi i saj “Ajo”. Nesër, e mërkurë, me fillim prej orës 16:00, gratë e suksesshme kosovare që janë edhe drejtoresha të festivaleve më të rëndësishme dhe institucioneve kulturore më me nam do të bisedojnë rreth diplomacisë kulturore dhe fuqisë së gruas në këtë diplomaci. / KultPlus.com

Vjosa Berisha: Jemi të fokusuar që të zhvillohemi si festival filmi dhe jo festival i eventeve

Kanë mbetur vetëm edhe dhjetë ditë deri në nisjen e rrugëtimit të nëntë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë-PriFest. Tashmë kemi pas mundësinë të shohim pak a shumë programin e këtij festivali i cili përgjatë nëntë viteve rresht në kryeqytetin kosovar ka sjellë emra të mëdhenj të kinematografisë botërore, evropiane, rajonale dhe vendore. Si viteve të kaluara, ashtu edhe sivjet PriFest, sjellë risi duke i dhuruar publikut shqipfolës të jetë më afër ekranit botëror dhe jo vetëm. Në prag të nisjes së këtij festivali, KultPlus realizoi një intervistë me drejtoreshën e përgjithshme të PriFest-it Vjosa Berishën, e cila shpalosi detaje interesante e shumë të pathëna në lidhje me programin që ka përgatitur ajo bashkë me ekipin e saj. Sjellja e regjisorit të njohur Paul Haggis, Prishtina Film FORUM, Prishtina Rendezvous, PriFest Afters, janë disa nga temat që kemi shpalosur në këtë intervistë duke mos lënë anash edhe 7 premierat botërore, 4 premierat ndërkombëtare, 3 premierat evropiane, 22 premiera regjionale ku hyjnë në mesin e mbi 80 filmave që sjellë ky festival. Poashtu, Vjosa Berisha për KultPlus, ka folur pak edhe për kinematografinë shqiptare dhe ka dhënë një premtim për publikun shqipfolës.

Sarandë Selimi

KultPlus: Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë, ndryshe i njohur si PriFest, edicionin e parë e nisi në vitin 2009. Tashmë ka plotë nëntë vite që udhëtojmë bashkë me këtë festival, me filmat e përzgjedhur, me aktorët (mysafirë) të cilët i sjellë nëpër edicione të ndryshme që janë me famë botërore e me aktorët vendorë e të rajonit. Si fillim Vjosa, na thuaj ndjesinë që ke, ku pavarësisht sfidave vazhdon ta mbash gjallë e fuqishëm PriFestin?

Vjosa Berisha: Është ndjenje e veçantë, jo vetëm të mbërrijmë deri te realizimi i edicionit të nëntë përkundër të gjitha sfidave dhe vështirësive, por që çdo edicion i kemi dhënë vetes detyrë dhe përgjegjësi të bëjmë program më të pasur, më të zgjeruar dhe më përmbajtjesor. Sjellja e filmbërësve me nam botërore në Prishtinë është e vështirë, por ne kemi arritur ta bëjmë çdo vjet. Jam krenarë që jam pjesë e një eventi të madh, jo vetëm filmik, që kontribuon në ngritjen edhe të imazhit të qytetit dhe shtetit tonë, por edhe në zhvillimin e kinematografisë vendore.
KultPlus: Tashmë jemi në prag të edicionit të nëntë të festivalit, na i tregoni risitë që do sjellë ky edicion?
Vjosa Berisha: Si çdo vit, i gjithë programi i filmit është risi, pra premierë në Kosovë. Për më shumë do të kemi edhe premiera botërore, ndërkombëtare, evropiane dhe rajonale. Rritja e tillë e premierave botërore e rajonale i bën nder festivalit dhe është tregues për rritjen e nivelit të tij. Do të kemi më shumë evente përcjellëse, siç është Prishtina Film FORUM, por edhe pjesën e after party, ku sivjet do të organizojmë dy evente të mëdha muzikore në Amfiteatrin e Gërmisë, një me muzikë elektornike me DJ ndërkombëtar (14 korrik) dhe një me muzikë rock LIVE me bendet e Prishtinës (15 korrik).

KultPlus: PriFest, sivjet hapet aty ku nisi, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Na tregoni pse vendosët të ktheheni në TKK e jo ta mbani ceremoninë hapëse në ambient të hapur, siç ndodhi vitin e kaluar ku Sheshi ‘Zahir Pajaziti’, ishte nikoqir i edicionit të tetë të PriFest?

Vjosa Berisha: Ceremonia e hapjes bëhet njëkohësisht në dy lokacione, pra edhe në Sheshin Zahir Pajaziti edhe në Teatrin Kombëtar. Pra, do të shfaqet filmi i njëjtë, dhe mysafirët e filmit do të jenë në dy lokacionet. Jemi shumë të lumtur që publikut kosovar në natën e hapjes do t’i sjellim premierën ndërkombëtare të filmit kosovar “T’padashtun” në regji të Edon Rizvanollit. Këtë film do ta shfaqim njëkohësisht edhe në Teatër Kombëtar edhe në Sheshin Zahir Pajaziti në kinema të hapur, me një distancë kohore prej 45 minutash në mes dy ceremonive.
PriFest kthehet në shtëpinë e vet ku filloi rrugëtimin, në Teatrin Kombëtar, sepse një festival patjetër që duhet të ketë një hapësirë të mbyllur dhe lokacion qendror, por njëkohësisht do të vazhdojmë traditën e mikpritjes për gjithë qytetarët pa dallim, gratis dhe pa ftesa në kinemanë nën qiellin e hapur në Sheshin Zahir Pajaziti.

KultPlus: Sivjet do e sillni edhe regjisorin e njohur Paul Haggis-fitues i dy çmimeve Oskar, çmimeve Bafta dhe Emmy. Si arritët të kontaktoni me Haggis dhe duke e pas parasysh karrierën e tij, sa do të jetë mundësi e mirë një takim me aktorët e regjisorët vendor?

Vjosa Berisha: Regjisori i mirënjohur botëror Paul Haggis është mysafir nderi i PriFest. Ardhja e tij e nderon festivalin tonë, qytetin dhe Kosovën. Kjo tregon për ngritjen e festivalit tonë, që na gëzon, por edhe na jep obligime dhe përgjegjësi shtesë në organizim edhe sivjet edhe vitet në vazhdim. Dua ta potencoj që nuk është aspak lehtë të bindësh filmbërësit e kalibrit të tillë të vijnë në Kosovë. Mos të përmendi edhe koston e udhëtimit dhe qëndrimit. Neve si festival na nevojitet një përkrahje më e madhe për të vazhduar me këtë punë, e cila nuk është në të mirë vetëm të festivalit, por edhe komunitetit artistik vendor dhe industrisë së filmit të Kosovës. Nëse përkrahja nuk rritet, vitet në vijim ne do të arrijmë në pikë të rraskapitjes, që nuk është mirë për askënd.
Për tu kthyer te pyetja juaj, po patjetër që do të ketë mundësi. Paul Haggis do të qëndrojë në Kosovë 5 ditë, do të ketë agjendë të ngjeshur që të marrë maksimumin e informacioneve. Ndërkohë, si për aktorët e regjisorët, ashtu edhe për mediet, studentët e publikun e gjerë Paul Haggis do të ketë disa paraqitje publike: do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar për shfaqjen speciale të filmit Crash, që do të jetë si program i veçantë ‘Tribute to Paul Haggis’, do të ketë një Masterclass mbi jetën dhe punën e tij, dhe do të jetë pjesë e një paneli diskutimi që do të organizohet në kuadër të PriFest. Në ditët në vijim do ti publikojmë detajet e takimeve dhe aktiviteteve të tij.

KultPlus: Do të keni gjithsej mbi 80 filma në kategori të ndryshme. 7 premiera botërore, 4 premiera ndërkombëtare, 3 premiera evropiane, 22 premiera regjionale, kurse të tjerat janë premiera kosovare. Sa ka qenë e vështirë përzgjedhja e këtyre filmave duke e pas parasysh numrin dhe cilat do jenë premierat botërore që do ua dhuronit publikut kosovar?

Vjosa Berisha: Kemi pasur numër rekord aplikimesh. Kësaj i shtohet fakti edhe i hapjes së një kategorie të re garuese, asaj të filmave dokumentar. Përzgjedhja e filmave është punë që i kushtojmë më së shumti vëmendje. PriFest çdo vit sjell në Prishtinë filmat më të mirë artistik botëror, fitues të festivaleve më të mëdha dhe filma nga rajoni, që vështirë që mund të shihen në kinema apo televizion. Kualiteti i lartë i filmit është prioriteti ynë. Jemi të fokusuar që të zhvillohemi si festival filmi dhe jo festival i eventeve përcjellëse. Andaj, jemi krenar si me numrin e rritur të filmave, por dhe me nivelin artistik që kanë.

KultPlus: Po premierat kosovare cilat janë?

Vjosa Berisha: Që të gjithë filmat në kategoritë garuese janë premiera në Kosovë. Ky është edhe kriter për t’u shfaqur në PriFest. Ndërsa, për shkak se festivali mbahet në korrik dhe ka shumë bashkëqytetar nga diaspora, kemi vendosur të shfaqim një program të quajtur ‘In Albanian’, ku do të jenë filma të metrazheve dhe zhanreve të ndryshme në gjuhën shqipe, ca nga ta që janë shfaqur më parë në kinema apo dhe në edicionet e mëhershme në PriFest apo në Kosovë. Këta filma do të shfaqen gratis për audiencën e interesuar.

KultPlus: A ka arritur që falë PriFest të ketë bashkëpunime në mes regjisorëve apo aktorëve shqiptarë me ata të huaj?

Vjosa Berisha: PriFest që nga viti i parë ka qenë pikëtakim i filmbërësve nga rajoni dhe Evropa. Duke e zhvilluar PriFORUM-in si event disa ditësh ku mblidhen kineastë vendor dhe ata ndërkombëtar, për debate, masterklasa, punëtori, garë projektesh dhe prezantim të projekteve para kompanive të shitjes e distribuimit, ne kemi kontribuar shumë në bashkëprodhimin mes Kosovës dhe shteteve tjera, por edhe rajonit në përgjithësi. Kemi patjetër raste konkrete kur producentët kanë parë prezantimin e projekteve të filmit në PriFORUM dhe kanë lidhur marrëveshje për bashkëpunim, por kemi edhe shumë raste kur miqësitë kanë lindur mu këtu, siç është rasti i takimit të regjisores së njohur boshnjake Jasmila Zbanic me aktorin e njohur italian Franco Nero, në PriFest në vitin e dytë dhe pastaj bashkëpunimi i tyre në filmin e saj të radhës, pastaj interesimi i producentit fitues të Oscar, Cedomir Kolar për projektin filmik të Blerta Zeqirit “Martesa” pasi e ka parë prezantimin në PriFest para 3 vitesh…
Seksioni i titulluar Prishtina Rendezvous që sivjet organizohet për herë të dytë, del të jetë shumë e qëlluar për industrinë vendore, sepse prezantojnë projektet para producentëve te huaj dhe agjentëve të shitjes dhe distribuimit, qysh në fazën fillestare të projekteve.

KultPlus: Poashtu keni një line-up, interesant të PriFest Afters. Të flasim pak edhe për këtë pjesë?

Vjosa Berisha: PriFest Afters ka pas mbrëmje interesante me artist e muzikë çdo vit, por këtë vit jemi përkushtuar që të sjellim shumë më shumë. Do të organizojmë dy mbrëmje muzikore shumë të veçanta me datat 14 dhe 15 korrik. Bendi i ri i titulluar PriBeats nga PriFest, do të përkujdeset për mbrëmjet e muzikës elektronike.
Me datën 14 korrik,në amfiteatrin e Pishinës së Gërmisë, PriBeats sjell në Kosovë DJ me renome ndërkombëtare Point G, DJ Honesty, Hajdar Berisha si dhe Lekë dhe Altin Boshnjaku nga Kosova.
Ndërsa tjetri event,me 15 korrik, është koncert i muzikës rock i quajtur Dritë e pluhun, Kangë e Prishtinës. I kuruar nga Arbër Salihu, ky event do të mbledh një numër të madh bendesh nga Prishtina që do të performojnë live në amfiteatrin e Pishinës së Gërmisë si: Lindja, Genc Salihu, Shpat Deda, Oborri, Taste2 dhe Goblenët si dhe bendi Me t’njofshëm.
Por PriFest Afters nuk përfundon këtu, sepse do të sjell edhe më shumë… një Sunset party (event në perëndim t’diellit) në kulmin e Hotelit Sirius përsëri me muzikë elektronike e DJ, disa mbrëmje të vona në BASStore si dhe shumë performanca live në tapetin e kuq te Teatri Kombëtar, si bendi Ves Ves që do të jetë në hapje, dhe një mbrëmje e veçantë që do të quhet Tirana @PriFest që mendojmë ta realizojmë me përkrahjen e Kryebashkiakut të Tiranës, mikun e festivalit Erion Veliaj.

KultPlus: Na thuaj një mendim tuajin për kinematografinë shqiptare në përgjithësi?

Vjosa Berisha: Kinematografia shqipfolëse, pra si në Kosovë, Shqipëri apo në Maqedoni, ka trend të rritjes. Si në buxhetet publike të shteteve përkatëse, ashtu edhe në prezencën e filmave në festivale ndërkombëtare. Sukseset e filmave të Kosovës, përfshirë edhe ato në bashkëprodhim me shtetet tjera, janë rezultat i hapjes së industrisë vendore ndaj bashkëprodhimeve filmike. PriFest e ka për mision që të zhvillojë industrinë vendore filmike me gjithë strukturën që ka, si në zhvillim skenari, trajnime të ndryshme dhe organizime të seminareve, master klasave dhe garave të ndryshme të projekteve. Mos të harrojmë që sivjet PriFest në bashkëpunim me Sarajevo Film Academy jep një bursë të plotë për studim në këtë akademi shumë të mirë ndërkombëtare filmike. Ky është një kontribut që do të sjell efekte pozitiv në afat të gjatë.

KultPlus: Krejt në fund Vjosa, çfarë i premton publikut shqipfolës përmes PriFest-it, duke u nis nga ajo çfarë keni sjellë deri tash?

Vjosa Berisha: Publikut i premtoj shumë filma të mirë, mundësi takimi të shumë filmbërësve nga bota, argëtim të pafund këtë vit çdo mbrëmje, dhe atë që e kemi në slogan, krijimin e miqësive të reja. Përgjithmonë./ KultPlus.com