“Fati i Rozit” nga Vjosa Malokaj pjesë e “The ONE Festival” në New York

“Fati i Rozit”, shkruar dhe performuar nga artistja Vjosa Malokaj Mala me regji të Kreshnike Osmani do të shfaqet në New York si pjesë e festivalit “The ONE Festival”, shkruan KultPlus.

Një grua sakrifikohet që të shpëtojë shoqërinë, sipas legjendës shqiptare Rozafa është një grua e cila ka zgjedhur që të sakrifikohet duke u murosur e gjallë në muret e kështjellës.

Shfaqja “Fati i Rozit” do të jetë pjesë e edicionit të 13-të të festivalit “The ONE Festival”, një platformë e cila ju ofron mundësin talenteve të ri dhe krijuesve që të shfaqin aftësitë e tyre. Festivali është bërë një pasqyrë e përvitshme e zërave inovativ dhe të zëshëm nga gjithë bota të cilët sjellin shfaqe teatrale dhe i prezantojnë ato në NewYork.

Në këtë edicion performanca “Fati i Rozit”do të shfaqet në tri data të ndryshme. Më 24 prill dhe 25 prill duke filluar nga ora 20:00, kurse më 28 prill duke filluar nga ora 17:00.

Vjosa Malokaj është aktore e diplomuar, dhe dramaturge e filmit nga Kosova. Ajo ka performuar nëpër shfaqje të ndryshme si dhe ka qenë pjesë e shfaqjeve televizive dhe filmave. Po ashtu ka punuar edhe si mësuese e dramës më fëmijë. Aktorja Vjosa Malokaj gjithashtu ka marrë pjesë edhe nëpër shumë festivale Evropiane duke përfshirë edhe “Amsterdam ITS Festival” në vitin 2016.

Biletat për këtë shfaqje janë 20-30 dollarë dhe mund të rezervohen në linkun më poshtë./ KultPlus.com

https://www.eventbrite.com/e/rozis-fate-tickets-44081176987?aff=erellivmlt