Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes rrjeteve sociale ka përkujtuar 14 prillin, Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale, duke u shprehur se kjo ditë nuk është vetëm një kujtim, por edhe një kërkim drejtësie.
“14 prilli është një ditë që nuk është vetëm kujtim, por edhe kërkim drejtësie, ngritje e zërit për mijëra gra, burra e fëmijë, që përjetuan dhunën seksuale gjatë luftës nga regjimi gjenocidal i Serbisë”, ka shkruar Osmani.
Tutje, ajo është shprehur se qëndresa dhe guximi i tyre janë inspirim për secilin prej nesh. Vasfija, Shyretja e shumë gra të tjera, e tani Ramadan Nishori e shumë burra, asnjëherë nuk u dorëzuan përballë dhimbjes. Zgjodhën të bëhen zë për veten dhe për të gjithë ata që ende nuk mund të flasin. U bënë zëri i së vërtetës dhe i drejtësisë.
“Do të jemi me të gjithë të mbijetuarit sot e çdo ditë, në këtë rrugëtim. Plagët janë ende të hapura, por lufta jonë për drejtësi nuk do të ndalet kurrë”, ka shkruar Osmani.
Në videon e shpërndarë nga Osmani, Vasfije Krasniqi është shprehur se qëndron këtu para botës sepse historia ime është historia e shumë grave, burrave përfshirë edhe fëmijëve të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, në vitete 1998 dhe 1999./KultPlus.com