Kurti dhe Osmani pranojnë sot Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot do të pranojë Raportin e Progresit për Kosovën të këtij viti nga Komisioni Evropian.

Osmani raporti do t’i dorëzohet nga Ambasadori i Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog në Presidencë në ora 16:30.

Edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, këtë të mërkurë do të pranojë Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për këtë vit.

Raportin do ta pranojë nga Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, në objektin e Qeverisë.

Ditë më parë Komisioni Evropian u ka dërguar vendeve të Bashkimit Evropian dokumentin ku konfirmon se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Po në këtë dokument thuhet se Komisioni konfirmon se mbetet në fuqi propozimi që BE-ja t’i liberalizojë vizat për Kosovën.

Liderët e shtetit janë shprehur optimist lidhur me këtë çështje, ndonëse nuk japin datë se kur qytetarët e vendit mund të lëvizin lirshëm.

Me një vendim pozitiv me datën 13 tetor 2022, në takimin e Grupit Punues për Viza të Komisionit Evropian, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hynte në rrugën formale të miratimit, i cili mund të zgjasë disa muaj. /KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin jorezident të Katarit, Ali bin Hamad Al-Mari

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin jorezident të Shtetit të Katarit për Kosovë, Ali Bin Hamad Al-Mari, të cilin e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme nga shteti i Katarit në fusha të ndryshme.

Me qëllim të forcimit dhe të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve në mes të dy shteteve në fusha të ndryshme, emiri i Katarit ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për vizitë në Republikën e Kosovës.

Sipas presidentes Osmani, një vizitë e tillë,  padyshim do të jetë e një rëndësie të madhe dhe do t’i forcoj marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve si dhe do të hapë mundësi të reja të bashkëpunimit./ KultPlus.com

Osmani takon Scholz dhe Macron, i falënderon për përkrahjen ndaj Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Pragë, në kuadër të samitit të parë të Komunitetit Politik Evropian, ka zhvilluar një takim trilateral me presidentin e Republikës franceze, Emmanuel Macron dhe Kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz.

Presidentja Osmani ka falënderuar Francën dhe Gjermaninë për angazhimin e tyre për liberalizim të vizave për Kosovën, duke përmendur rëndësinë vendimtare që ky proces të përfundojë gjatë Presidencës çeke të Këshillit të BE-së. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka rikonfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera me Francën dhe Gjermaninë, si aleatë të fuqishëm të Kosovës në kontinentin evropian.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se anëtarësimi i Kosovës në strukturat euroatlantike është domosdoshmëri për të garantuar paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon.

Duke folur për procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të mbetet palë konstruktive në këtë proces dhe ka falenderuar Francën dhe Gjermaninë për përpjekjen e tyre për ta intensifikuar procesin e dialogut. Kosova është e interesuar në përmbylljen e dialogut sa më shpejt, me njohje të ndërsjellë, ruajtjen e integritetit territorial, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani potencoi nevojën e avancimit të raporteve ndërmjet shteteve dhe popujve tanë si dhe forcimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, ndaj ka kërkuar që mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe strukturat euroatlantike të vazhdojë./ KultPlus.com

Presidentja Osmani pritet nga kryeministri çek dhe jep deklaratë para hyrjes në samitin e Komunitetit Politik Evropian (VIDEO)

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Pragë ku do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e parë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

Presidentja Osmani ka publikuar një video teksa pritet nga kryeministri çek Petr Fiala dhe deklarata para hyrjes në samitin inaugurues të Komunitetit Politik Evropian.

Ky takim inaugurues do të mbledhë krerë shtetesh nga 44 vende të kontinentit evropian me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.

Krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë evropianë për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

Nga Presidenca bën të ditur se, “para liderëve evropianë, Osmani do ta përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik të Kosovës si garanci për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë. Gjatë takimeve bilaterale, Osmani do të diskutojë edhe mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”.

Komuniteti Politik Evropian është platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të presidenti francez, Emmanuel Macron dhe në të cilën do të bashkohen liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe liderët e 17 vendeve të tjera evropiane.

Kjo nismë synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian./ KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, i cili e viziton për herë të parë Kosovën që prej kur shteti ynë është anëtarësuar në këtë organizatë.

Bashkë me presidentin Infantino, në delegacion ishin edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ai i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armando Duka, dhe presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muhamet Sejdini Kosova është anëtarja e 210-të e FIFA-s, për të cilën gjë Presidentja Osmani e ka falënderuar presidentin Infantino, ngase që në Kuvendin e parë të kësaj organizate, prej kur ai mori drejtimin e kësaj organizate, e vendosi në agjendë pranimin e Kosovës në shtëpinë e madhe të futbollit.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përmendur edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Fadil Vokrrit për pranimin në UEFA dhe FIFA. Sipas saj, Kosova tashmë është anëtare e FIFA-s, porse ka nevojë për ndihmë në aspektin infrastrukturor sportiv, duke përmendur këtu stadiumet e reja të nevojshme për sportistët kosovarë. Në takim me presidentin Infantino, Presidentja Osmani ka diskutuar mundësitë për stadiume të reja si dhe për projekte të tjera investuese në infrastrukturën sportive. Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e FIFA-s për sportistët e rinj të Kosovë dhe përmendur klubin e vajzave të vogla në futboll, të cilat sipas saj kanë nevojë për infrastrukturë të qëndrueshme. Në takim u diskutua edhe për pjesëmarrjen e ekipeve kosovare në garat ndërkombëtare. / KultPlus.com

Osmani me ministrin Lipavsky: Është vendimtare që procesi i liberalizimit të vizave të përfundojë gjatë Presidencës çeke

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Republikës Çeke, Jan Lipavsky, ndërkaq fokusi kryesor i takimit ishte çështja e liberalizimit të vizave.

Osmani ka falënderuar ministrin Lipavsky për angazhimin konstruktiv të Çekisë për t’i dhënë fund këtij procesi përgjatë Presidencës çeke.

Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se vonesa e liberalizimit të vizave për popullin e Kosovës është një padrejtësi e madhe.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që liberalizimi i vizave të jetë në agjendë, prandaj llogarisim në mbështetjen çeke në këtë aspekt si bartëse e Presidencës së Këshillit të BE-së”, ka theksuar presidentja.

Krahas temës së liberalizimit të vizave, Osmani ka folur edhe për nevojën e avancimit të rrugës evropiane për vendin tonë.

Ajo ka theksuar bashkërendimin e plotë të politikave të jashtme dhe të sigurisë së Kosovës me ato të Bashkimit Evropian si dëshmi e përkushtimit të institucioneve dhe popullit të Kosovës për integrim evropian.

Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka përmendur që Kosova do të dorëzojë këtë vit aplikimin për statusin e vendit kandidat.

Në lidhje me dialogun me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive dhe se zgjidhja e vetme që i kontribuon paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm është një proces i përqendruar në njohje të ndërsjellë. /KultPlus.com

Osmani e thotë me bindje të plotë: Kosova është në rrugën e duhur

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është rikthyer në Kosovë, pas disa vizitave të saj jashtë vendit.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Osmani thotë me bindje të plotë se Kosova është në rrugën e duhur.

Pas një jave të mbushur me takime dhe diskutime me miq dhe aleatë të rinj e të vjetër, ne kthehemi në vendlindje me bindjen e plotë se Kosova është në rrugën e duhur”, ka shkruar ajo në Facebook.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mbajti punime në New York të SHBA-së, event në të cilin mori pjesë edhe Osmani.

Gjatë qëndrimit atje, Presidentja e Kosovës u takua edhe me presidentin amerikan, Joe Biden dhe sekretarin e përgjithshëm, Antony Blinken.

Në mes tjerash, Osmani tha se Kosova është e përkushtuar që të vazhdojë bashkëpunimin me aleatët dhe organizatat ndërkombëtare. /KultPlus.com

Reagon presidenca: Nuk ka pas kërkesë nga presidentja Osmani që të merr me vete Dua Lipën në takimin me Joe Biden

Disa nga mediet më Kosovë kanë publikuar një lajm, që sipas tyre posedojnë një letër të presidentes Vjosa Osmani që i ka drejtuar presidentit të ShBA-ve Joe Biden, ku po sipas medieve, në këtë letër përpos që ka kërkuar takim me Biden, presidentja Osmani ka siguruar Biden që me vete do ta merr edhe këngëtaren e famshme Dua Lipa.

Mirëpo për këtë publikim ka reaguar këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina i cili ka demantuar këto lajme. Ai ka thënë se të gjitha letrat e presidentes Osmani, drejtuar presidentit Biden janë publike dhe se asnjëherë letrat e presidentes nuk kanë pas një përmbajtje të tillë.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e Bekim Kupinës.

Demant

Presidentja Osmani asnjëherë dhe në asnjë rast nuk i ka dërguar letër Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, në të cilën thotë se do ta marrë me vete edhe Dua Lipën në takim. Të gjitha letrat e Presidentes dërguar Presidentit Biden janë publike dhe ato asnjëherë nuk e kanë pasur një përmbajtje të tillë.

Prandaj, raportimet e tilla nga disa mediume, janë të pavërteta./ KultPlus.com

Osmani: Valmiri u bë viktimë e gjenocidit serb më 1998, së bashku me gra, fëmijë e pleq të familjes Deliu

Më 26 shtator të vitit 1998, në fshatin Abri e Epërme, forcat serbe kishin kryer një nga masakrat më mizore gjatë luftës në Kosovë. Sot shënohen plot 24 vjet nga kjo masakër mizore, me ç’rast ka reaguar edhe Presidentja Vjosa Osmani përmes një postimi në rrjetin soical Facebook, shkruan KultPlus.

“Në 24-vjetorin e Masakrës së Abrisë, i kujtojmë të gjithë të masakruarit dhe do ta themi kudo e kurdo se Serbia kreu gjenocid në Kosovë. Relativizimi i krimeve të Serbisë është përpjekje për ndryshim të historisë”, ka shkruar ajo.

Po ashtu ajo ka shpërndarë edhe një poezi të Naxhije Gashanit që i dedikohet vrasjes së dy vjeçarit, Valmir Deliu.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

Një fëmijë i vogël me vdekje të madhe në masakrën e llahtarshme të Abrisë, më 26 shtator 1998.
Valmir Deliut, 2 vjeç, e plot fëmijëve të tjerë, ëndrrat e fëmijërisë iu prenë sapo filluan rrugëtimin jetësor. Me biberon në gojë, Valmiri u bë viktimë e gjenocidit serb më 1998, së bashku me gra, fëmijë e pleq të familjes Deliu të masakruar nga forcat serbe.
Në 24- vjetorin e Masakrës së Abrisë, i kujtojmë të gjithë të masakruarit dhe do ta themi kudo e kurdo se Serbia kreu gjenocid në Kosovë. Relativizimi i krimeve të Serbisë është përpjekje për ndryshim të historisë.
Valmiri i vogël dhe të gjithë fëmijët e masakruar nga regjimi serb, na e bëjnë dhimbjen dhe kurajon e madhe që akterët t’i nxjerrim para drejtësisë për gjenocidin e kryer ndaj popullit shqiptar. / KultPlus.com

Presidentja: Më 26-30 shtator 1991 Kosova e shprehu me referendum vullnetin politik të qytetarëve të saj për shtet të pavarur

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka thënë se më 26-30 shtator 1991 Kosova e shprehu me referendum vullnetin politik të qytetarëve të saj për shtet të pavarur në një organizim të pashoq për rrethanat e atëhershme, duke rikonfirmuar vullnetin e pakthyeshëm të qytetarëve të saj për liri e demokraci, të shprehur paraprakisht në Deklaratën e 2 Korrikut dhe të kodifikuar juridikisht në Kushtetutën e Kaçanikut.

“Referendumi i vuri themelet e para të shtetit të Kosovës. Ai qe një deklarim plebishitar jo vetëm për pavarësinë e vendit, por edhe për përcaktimin e Kosovës për demokraci përfaqësuese. Ai e vulosi dëshirën e qytetarëve të vendit për të jetuar të mosvarmë dhe u hapi udhë proceseve të pandalshme drejt jetësimit të shtetit, nën udhëheqjen e prijësit të saj historik, Presidentit Rugova”, ka thënë Presidentja Osmani. 

Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani: 

Më 26-30 shtator 1991 Kosova e shprehu me referendum vullnetin politik të qytetarëve të saj për shtet të pavarur, në një organizim të pashoq për rrethanat e atëhershme, duke rikonfirmuar vullnetin e pakthyeshëm të qytetarëve të saj për liri e demokraci, të shprehur paraprakisht në Deklaratën e 2 Korrikut dhe të kodifikuar juridikisht në Kushtetutën e Kaçanikut.

Referendumi i vuri themelet e para të shtetit të Kosovës. Ai qe një deklarim plebishitar jo vetëm për pavarësinë e vendit, por edhe për përcaktimin e Kosovës për demokraci përfaqësuese. Ai e vulosi dëshirën e qytetarëve të vendit për të jetuar të mosvarmë dhe u hapi udhë proceseve të pandalshme drejt jetësimit të shtetit, nën udhëheqjen e prijësit të saj historik, Presidentit Rugova.

Në këtë përvjetor, ne i kujtojmë me respekt të gjithë ata që organizuan ose iu përgjigjën thirrjes për referendum. Ata u kujdesën që zanafilla e shtetit të ri të mbajë vulën e deklarimit të lirë të qytetarëve të saj. Vullneti i tyre qe përcaktues për të ardhmen e vendit tonë./ KultPlus.com

Osmani nderon viktimat e 11 shtatorit: Jemi në krah të popullit amerikan, sikurse çdo herë

Presidentja Vjosa Osmani tha se sot ka nderuar kujtimin e viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Jemi në krah të popullit amerikan, sikurse çdo herë dhe partnerë të vendosur kundër terrorizmit dhe çfarëdo forme që cenon lirinë e të tjerëve. Amerika është personifikim i lirisë, ndaj në mbrojtje të saj jemi gjithnjë bashkë!”.

Ajo ka përmendur edhe Mon Gjonbalajn, njërin nga shqiptarët që ka vdekur si pasojë e sulmit.

“Shkallët e mbijetesës, druri i vetëm i mbijetuar, fotografi të të zhdukurve, një automjet zjarrfikësish përbëjnë një pjesë të ekspozitës së tmerrit nga sulmet e 11 shtatorit 2001. E kaluara gërshetohet me të tashmen, dhimbja me krenarinë, kujtesa me të sotmen, jonjerëzorja me njerëzoren”.

“Mbi të gjitha, flamuri amerikan kudo si shenjë e mbijetesës se Amerika dhe bota civilizuese nuk zmbrapsen para qëllimeve dashakeqe të forcave të errëta, të cilat janë kundër lirisë. Rrëfimi i të birit të një zjarrfikësi amerikan, rrëqethës e frymëzues, njëkohësisht. Ata që janë reaguesit e parë, të parët e panë tmerrin, të parët e ndjenë dhimbjen e disa nga ta u bën pjesë e dhimbjes”.

“Jetë njerëzish u shuan nga sulmi terrorist, në mesin e të cilëve edhe tre shqiptarë. Mon Gjonbalaj nuk arriti ta gëzoj pensionimin. Të njëjtën ditë në vend të pensionit fitoi  përjetësinë”. /KultPlus.com

Osmani takon Blinken: E falënderova për angazhimin e tij të vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në New York, ku në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, shkruan KultPlus.

Osmani së fundmi ka ndarë një fotografi me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në vend.

“E informova atë [sekretarin Blinken] për zhvillimet e fundit që nga takimi ynë i fundit dhe e falënderova për angazhimin e tij të vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”, ka shkruar Osmani në Twitter, derisa në takim është bashkë me minsitren e Jashtme, Donika Gërvalla me sekretarin amerikan Blinken. /KultPlus.com

Presidentja Osmani takon presidentin e Estonisë gjatë vizitës në Nju Jork

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në New York është takuar me presidentin e Estonisë, Alar Karis.

Diskutimi u fokusua në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet në rajon e më gjerë, si dhe bashkëpunimin e mëtejmë.

Presidentja Osmani e falënderoi homologun estonez për mbështetjen e vazhdueshme dhënë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.

Në takim me presidentin Karis, Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Kosovës për ta avancuar integrimin euroatlantik dhe në të njëjtën kohë shtroi nevojën e  përmbylljes urgjente të liberalizimit të vizave.

Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet palë konstruktive në dialog, i cili synon një marrëveshje përfundimtare, të përqendruar në njohjen e ndërsjellë.

Në raport me luftën në Ukrainë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka dënuar pa mëdyshje luftën e paprovokuar të Putinit kundër Ukrainës dhe se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së kundër Rusisë.

Në takim u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit strategjik në fushën e digjitalizimit./ KultPlus.com

Osmani kërkon nga BE përmbyllje urgjente të çështjes së liberalizimit të vizave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ëdhtë takuar me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Osmani kërkoi përmbyllje urgjente të çështjes së liberalizimit të vizave.

Postimi i plotë:

“Sot në takimin e organizuar nga përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor potencova përkushtimin e Kosovës për paqe e stabilitet dhe për rrugën e saj euroatlantike, kërkova përmbyllje urgjente të çështjes së liberalizimit të vizave dhe mbështetje nga BE-ja për tejkalimin e krizës energjetike këtë dimër.”, thuhet në postimin e saj.

Në takim ishin të pranishëm edhe Edi Rama, Aleksandër Vuçiq, Dritan Abazoviq etj. /KultPlus.com

Presidentja Osmani njofton për lansimin e edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Presidentja Osmani njofton për lansimin e edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet në Kosovë më 22-23 tetor.

Me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në Prishtinë do të organizohet edicioni i parë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (GPS), më 22-23 tetor 2022.

Me temën “Ndërtimi i aleancave për paqe të qëndrueshme”, ky forum ndërkombëtar ka për qëllim të reflektojë mbi sukseset dhe sfidat e kësaj axhende 22 vite pas miratimit, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin mbi nevojën për të njohur e promovuar aftësitë e grave dhe vajzave për të kontribuar në mënyrë aktive e përmbajtësore në procese të paqes dhe sigurisë.

Ky edicion i parë i Forumit do t’i dedikohet trashëgimisë së ish-sekretares së SHBA-ve, Madeleine Albright. Forumi do të sjellë në Kosovë liderë nga rajoni dhe bota, akademikë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile, e personalitete përgjegjëse për zbatimin e kësaj axhende.

Organizimi i këtij Forumi ndërkombëtar është një ndër zotimet në kuadër të Samitit për Demokraci. Forumi synon të përçojë qartë mesazhin se paqja dhe siguria e grave janë shtyllat qendrore të vizionit të Kosovës për paqe të qëndrueshme në nivel vendor, rajonal dhe global.

Forumi GPS do të zhvillohet në një kohë kur paqja, liria dhe siguria po sulmohen në zemër të Evropës, teksa gratë e vajzat sërish janë në qendër të dhunës, torturës dhe trajtimit çnjerëzor.

Forumi do të fokusohet në “Ndërtimin e aleancave për paqe të qëndrueshme” dhe do të shërbejë si platformë për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe mësimeve të nxjerra nga përvojat e vendeve pjesëmarrëse, zhvillimin e politikave gjithëpërfshirëse dhe të balancuara gjinore, si dhe hartimin e kornizave të reja të veprimit në vazhdën e ndryshimeve të vazhdueshme të arkitekturës së sigurisë dhe paqes në Evropë e më gjerë.

Në këtë frymë, Forumi do të promovojë një rol më të fuqishëm për gratë në të gjitha fushat e jetës dhe posaçërisht drejt avancimit të Axhendës GPS.

Forumi organizohet në bashkëpunim me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme, znj. Donika Gërvalla Schwarz, si dhe mbështetet nga partnerë lokal e ndërkombëtar.

PËR ÇËSHTJE TË AKREDITIMIT: Forumi do të jetë i hapur për mediat vendore, rajonale e ndërkombëtare. Të gjitha informatat, përfshirë akreditimin medial, do të publikohen në javët në vazhdim. / KultPlus.com


Presidentja Osmani: Sot shprehëm mirënjohjen e popullit të Kosovës për partneritetin tonë me Mbretërinë e Bashkuar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot është prezente në Funeralin Shtetëror të Mbretëreshës Elizabeth II, shkruan KultPlus.

Me këtë rast ajo nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka thënë se në homazhet e mbajtura në Westminster Hall, si dhe në Librin e Zisë të hapur në Lancaster House, është kujtuar dedikimi i palëkundur ndaj popullit, urtësinë dhe bujarinë e Mbretëreshës, të cilat sipas saj, do të vazhdojnë t’i frymëzojnë brezat e ardhshëm.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të saj:

Përgjatë këtyre dy ditëve, ju bashkuam anëtarëve të Familjes Mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar dhe liderëve nga mbarë bota për ta nderuar trashëgiminë historike të Mbretëreshës Elizabeth II.

Në homazhet e mbajtura në Westminster Hall, si dhe në Librin e Zisë të hapur në Lancaster House, kujtuam dedikimin e palëkundur ndaj popullit, urtësinë dhe bujarinë e Mbretëreshës, të cilat do të vazhdojnë t’i frymëzojnë brezat e ardhshëm.

Në pritjen e organizuar mbrëmë nga Mbreti Charles III në Buckingham Palace, si dhe në pritjen e organizuar sot nga Sekretari i Jashtëm James Cleverly, shprehëm mirënjohjen e popullit të Kosovës për partneritetin në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilin jemi të përkushtuar ta forcojmë tutje gjatë viteve në vijim.

Ndërsa sot, në Funeralin Shtetëror në Westminster Abbey, i dhamë lamtumirën e fundit Mbretëreshës, duke i nderuar virtytet dhe veprën e saj për të cilat do të kujtohet përherë. Pusho në paqe Mbretëreshë! 🇽🇰🇬🇧

Fotot nga funerali: RFEL/AP / KultPlus.com

Presidentja Osmani udhëton në New York, krahas liderëve botërorë do të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga Biden

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në New York, ku në margjina të sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara (UNGA), krahas liderëve të tjerë botërorë do të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.

Gjatë vizitës në New York, Presidentja Osmani, në funksion të përpjekjes për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës do të zhvillojë një sërë takimesh me krerë të delegacioneve të shteteve pjesëmarrëse në sesionin e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, zyrtarë të lartë amerikanë dhe udhëheqës të organizatave ndërkombëtare.

Presidentja Osmani, gjithashtu do të ketë takim edhe me mërgatën shqiptare në Amerikë.

Ndërkaq në Fordham University, Presidentja Osmani do ta mbajë një ligjëratë, në të cilën do të flasë për reformat në sistemin e drejtësisë, sundimin e ligjit, zhvillimin e demokracisë dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Gjatë vizitës në New York, Presidentja Osmani do të shoqërohet edhe nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz. / KultPlus.com



Presidentja Osmani takon Biden në Londër: Biden shprehu mbështetjen e tij të përzemërt për vendin tonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot është prezente në Funeralin Shtetëror të Mbretëreshës Elizabeth II, shkruan KultPlus.

Me këtë rast ajo ka takuar dhe ka biseduar me Presidentin Joe Biden, i cili ka shprehur mbështetjen e tij për Kosovën.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të saj:

Është nder të bisedoj me Presidentin Biden sot gjatë Funeralit Shtetëror të Mbretëreshës Elizabeth II.

Ai shprehu mbështetjen e tij të përzemërt për vendin tonë dhe në emër të popullit të Kosovës e falënderova dhe shpreha përkushtimin tonë për partneritetin e hekurt SHBA-Kosovë. / KultPlus.com

Osmani në Londër, bën homazhe për Mbretëreshën Elizabeth

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron këtë kohë në Londër teksa po bën homazhe për mbretëreshën Elizabeth e cila ndërroi jetë para pak ditësh, përcjell KultPlus.

Ajo përmes një postimin në Twitter tha se është baahkuar me popullin e Mbretërisë së Bashkuar për të nderuar kontributin e mbretëreshës.

“Sot ne i bëmë nderimet tona Mbretëreshës së ndjerë të HM Elizabeth II në shtetin e saj të shtrirë në Westminster Hall në Londër.

Ne bashkohemi me kolegët e tjerë dhe popullin e Mbretërisë së Bashkuar për të nderuar trashëgiminë e saj të një jete të përkushtuar ndaj shërbimit.”, shkroi Osmani./ KultPlus.com

Joe Biden mbërrin në Londër për funeralin e Mbretëreshës

Presidenti amerikan Joe Biden ka mbërritur në Londër përpara funeralit të Mbretëreshës Elizabeth II të hënën, transmeton KultPlus.

Presidenti Biden është në mesin e rreth 500 krerëve të shteteve dhe personaliteteve të huaja që vijnë në Londër për një mbledhje të liderëve botërorë që nuk janë parë për dekada.

Kryeministrat e Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re janë tashmë në Mbretërinë e Bashkuar.

Në mesin e të ftuarve është edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Të pranishëm do të jenë edhe anëtarë të familjeve mbretërore nga e gjithë Evropa. /KultPlus.com

Osmani merr pjesë në ceremoninë e varrimit të Mbretëreshës Elizabeth II

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është ftuar për të marrë ftesë në ceremoninë e varrimit të Mbretëreshës Elizabeth II.

Sipas njoftimit të Presidencës, të dielën, ata janë ftuar të marrin pjesë në pritjen e organizuar nga Mbreti Charles III për krerë shtetesh dhe bashkëshortët e tyre nga mbarë bota, të cilët do të jenë prezent në varrimin e Mbretëreshës së Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeth II, e cila ndërroi jetë më 8 shtator.

Të hënën ndërkaq do të jenë prezent në varrimin e Mbretëreshës Elizabeth II, e më pas në pritjen e organizuar nga Sekretari për Punë të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly. /KultPlus.com

Vjosa Osmani do të marrë pjesë në varrimin e mbretreshës së Britanisë së Madhe

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani do të marrë pjesë në varrimin e mbretreshës Elizabeth II që do të mbahet më 19 shtator.

Këtë e kanë konfirmuar burime nga zyra e presidentes së Kosovës.

“ Me 18 shtator z. Osmani do të udhëtojë për në Britani të Madhe , ku të nesermën do të jetë pjesë e cerëmonisë së varrimit të mbretreshës Elizabeth II”, ka thënë ky burim i Gazetës Blic./ KultPlus.com

Presidentja Osmani nënshkruan ‘Librin e Ngushëllimeve’, shpreh edhe një herë dhimbjen për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së fundmi ka nënshkruar Librin e Ngushëllimeve në Ambasadën Britanike në Prishtinë, në kuadër të vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II, përcjell KultPlus.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

Sot kam nënshkruar Librin e Ngushëllimeve në
@UKinKosovo
për të shprehur edhe një herë dhimbjen tonë të thellë për ndarjen nga jeta të Madhërisë së Saj Mbretëreshës Elizabeth II.

Mbretërimi historik i Madhërisë së saj dhe shërbimi i jashtëzakonshëm publik gjatë jetës së saj është një frymëzim për të gjithë ne. / KultPlus.com

Osmani do të marrë pjesë në takimin Bërdo-Brione në Slloveni, bisedon për vizat dhe rrugët euroatlantike të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, krahas presidentëve të shteteve të rajonit do të marrë pjesë në takimin e 11-të të procesit Bërdo-Brione.

Sipas presidencës, thuhet se temat të cilat do të diskutohen në këtë takim përfshijnë perspektivën e integrimit evropian për vendet aspiruese të Ballkanin Perëndimor, të cilat i përmbushin kushtet për integrim dhe të cilat i bashkërendojnë politikat me ato të Bashkimit Evropian, tejkalimin e sfidave të përbashkëta si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, përfshirë krizën energjetike dhe sigurinë ushqimore; si dhe përkushtimin për demokraci, paqe dhe dialog.

“Presidentja Osmani do t’i paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës lidhur me temat që do të trajtohen në këtë proces, përfshirë thirrjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe avancimin e rrugës euroatlantike të vendit tonë”, thuhet në njoftim.

Takimi i Procesit Bërdo-Brione do të mbahet në Bërdo afër Kranjit në Slloveni nën udhëheqjen e presidentit të Sllovenisë Borut Pahor dhe presidentit të Kroacisë, Zoran Milanoviq. /KultPlus.com