Së fundmi është raportuar se shëndeti i Mbretëreshës Elizabeth II është përkeqësuar, shkruan KultPlus.
Mjekët e mbretëreshës kanë rekomanduar që monarkja 96-vjeçar të qëndrojë nën mbikëqyrjen mjekësore në kështjellën e saj në Skoci.
Ndërkaq, për shëndetin e Elizabeth II ka reaguar edhe Presidentja Vjosa Osmani, e cili ka thënë se mendimet dhe urimet e Kosovës shkojnë për Familjen Mbretërore dhe popullin e Mbretërisë së Bashkuar.
“Në dritën e raporteve në lidhje me shëndetin e Mbretëreshës Elizabeth II sot, mendimet dhe urimet tona më të mira janë me Mbretëreshën, Familjen Mbretërore dhe popullin e Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në postimin e saj.
Elizabeth II është monarkja mbretërore më e gjatë e Britanisë dhe festoi jubileun e saj Platinum në fillim të këtij viti, duke shënuar 70 vjet shërbim. /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot priti në takim një grup deputetësh të Lituanisë, të kryesuar nga kryetarja e Grupit të Miqësisë, Laima Andrikienė.
Në takim me deputetët lituanezë, Presidentja Osmani i falënderoi ata për mbështetjen ndaj Kosovës dhe mikpritjen që iu bë gjatë vizitës në Lituani në maj të këtij viti.
Presidentja i njoftoi deputetët lituanezë me situatën e përgjithshme politike dhe reformat që po zbatohen në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.
Më tej, Presidentja Osmani i falënderoi për përkrahjen e deritanishme të Lithuanisë, dhe kërkoi që kjo mbështetje të vazhdojë tutje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, përfshirjen e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, si dhe mbështetjen për statusin kandidat për Bashkim Evropian.
Në lidhje me procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani theksoi se pala kosovare është konstruktive në këtë dialog dhe se ai duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë.
Ndërkaq sa i përket luftës në Ukrainë, Presidentja Osmani ritheksoi se Kosova qëndron në anën e popullit të Ukrainës dhe kundër agresionit të Rusisë. Sipas saj, Kosova ka ofruar strehim për disa gazetarë nga ky shtet dhe se agresioni rus është përpjekje për ndryshim të rendit aktual botëror.
Nga ana tjetër, deputetët lituanezë, thanë se Kosovës do t`i jepet fokus i veçantë në kuadër të interesimit për Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, thanë se e mbështesin fuqishëm edhe liberalizimin e vizave për Kosovë. /KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët me homologun slloven i është përgjigjur Listës Serbe dhe kryetarëve të komunave në veri që vijnë nga kjo parti të cilët thanë se shefja e shtetit s’ka çka kërkon ta vizitojë veriun e Kosovës.
Osmani tha se jo vetëm që është presidente e të gjithë qytetarëve të Kosovës por është edhe Komandante Supreme e Ushtrisë.
“Lista Serbe më së paku është përfaqësuese e interesave të serbëve që jetojnë në Kosovë, ajo është shndërruar në interesat të organizatave kriminale që janë në listën e zezë të SHBA-së. Unë jo vetëm që jam presidente e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë por jam edhe Komandante Supreme e ushtrisë së këtij vendi, e cila në mesin e saj ka edhe shqiptarë, serbë, turq e të komuniteteve tjera”, tha ajo.
Osmani u shpreh se qytetarët serbë në veri po kërcënohen nga strukturat ilegale atje.
“Çfarë po ndodhë këto ditë është që qytetarët serbë po kërcënohen nga këto struktura ilegale, qytetarët serbë në Kosovë nuk frikësohen nga unë por nga udhëheqësit e organziatave kriminale të cilët po i mbajnë peng në mënyrë që të krijohen tensione në stilin e Putinit. I ftoj qytetarët serbë që të mos bien pre e propagandës që burimin e ka në Rusi dhe te njerëzit që i takojnë të kaluarës së Millosheviqit”, u shpreh ajo. /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, me rastin e 32 vjetorit të Kushtetutës së Kaçanikut ka vlerësuar guximin qytetar të grave dhe burrave përfaqësues që e miratuan Kushtetuën, përcjell KultPlus.
KultPlus e sjell të plotë reagimin e presidentes Osmani, lidhur me këtë datë historike:
32 vjet më parë, gra e burra përfaqësues, me guximin qytetar e vetëdije kombëtare, e miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, e cila shënon aktin e parë në krijimin e rendit kushtetues të Kosovës dhe i fortifikon përpjekjet e brezave të tërë për shtet të pavarur.
Përfaqësuesit e atëhershëm të Kuvendit, më 7 shtator 1990 i dolën zot vendit dhe e përjetësuan në Kushtetutë vullnetin e qytetarëve të cilët i përfaqësonin, duke e vulosur përfundimisht përpjekjen për liri, demokraci e shtet të pavarur. Ata e sfiduan një shtet e një regjim të egër, duke i vënë themelet e palëkundura të Kosovës së pavarur.
Sot, 32 vjet më pas, teksa e kujtojmë këtë datë historike, ne i përulemi guximit të delegateve e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, përkushtimit të tyre ndaj atdheut dhe këmbënguljes për ta parë të jetësuar shtetin e tyre. Duke e miratuar Kushtetutën, ata e vendosën gurin e parë, themeltar, të shtetësisë sonë. Me të nisi krijimi i identitetit kushtetues e shtetëror të Republikës së Kosovës. Përjetësisht mirënjohës për këtë akt historik! / KultPlus.com
Në 23 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, presidentja e Reoublikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ‘Polica e Kosovës është jo vetëm njëra ndër shtyllat më të rëndësishme të Republikës sonë, por edhe një nga shembujt se si mund të themelojmë e të ngremë institucione të qëndrueshme, për t’u shërbyer me zell qytetarëve e atdheut’.
“Në 23-vjetorin e themelimit, ua shpreha mirënjohjen tonë të thellë për angazhimin e tyre përgjatë këtyre 23 vjetëve dhe gatishmërinë tonë të plotë që të mos reshtim së punuari që Policia jonë të zhvillohet edhe më tej, duke pasur gjithnjë synim sundimin e ligjit dhe barazinë e të gjithëve para ligjit. Anëtarësimi në INTERPOL dhe në organizata të tjera ndërkombëtare është vizioni ynë për të ardhmen”, ka deklaruar mes të tjerash presidentja Osmani./ KultPlus.com
Në kuadër të ciklit të vizitave në komunat e vendit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, sot do të vizitojë komunën e Mamushës.
Me këtë rast, Presidentja Osmani do të ketë një varg aktivitetesh, të cilat janë të përfshira më poshtë:
Në orën 13:45, Presidentja Osmani do të pritet në takim nga kryetari i komunës së Mamushës, Abdülhadi Krasniç. Pas këtij takimi, do të ketë prononcim për media.
Në orën 15:20, Presidentja Osmani viziton Qendrën për fuqizimin e grave mbështetur nga UN Women dhe Instituti “Junus Emre”
Në orën 16:10, Presidentja Osmani do ta vizitoj fabrikën e prodhimit të thasëve NTP Birlik. /KultPlus.com
Me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së Shën Nënë Terezës, presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, ka vizituar Muzeun në themelim “Nëna Terezë” në Prizren, përcjell KultPlus.
Më poshtë gjeni fjalimin e Presidentes Osmani në përurimin e Shtëpisë Muze të Nënë Terezës në Prizren:
I nderuar kryeministër, z. Kurti,
E nderuar zëvendëskryeministre,
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritarë,
I nderuar kryetar i komunës, z. Totaj,
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë nga vendet e ndryshme,
Të nderuar përfaqësues të Ipeshkvisë,
Të nderuar pjesëmarrës,
Është nder i madh për mua sot, që në 25-vjetorin e kalimit në amshim të nënës sonë, Shën Terezës, të marr pjesë në përurimin e ekspozitës kushtuar Nënë Terezës në muzeun e saj këtu në Prizren dhe të kujtoj së bashkë me ju veprën e madhe jetësore e shembullin e përkryer moral të cilin ajo ia fali njerëzimit.
Përurimi i kësaj ekspozite, sikurse edhe vetë themelimi i muzeut, është vetëm një hap i vogël në krijimin e kujtesës kolektive për nënën tonë të madhe, e cila përkushtimin ndaj njeriut e lidhi me përkushtimin ndaj hyjit, duke krijuar simbiozën e dashurisë së përhershme, të cilën pastaj ia dhuroi tërë njerëzimit si shembull të përkryer personal.
Përurimi i kësaj ekspozite, këtu, në tokën e familjes së Nënës sonë Terezë, është shenjë e kujdesit që ne, bashkëkombësit e saj, e tregojmë ndaj së shenjtës Agnesë, por edhe ndaj një familjeje, e cila ishte simbol i bujarisë, mikpritjes e ofrimit të dashurisë ndaj secilit, posaçërisht ndaj më të varfërve. Prandaj, më lejoni që të falënderoj Ministrinë e Kulturës dhe të gjithë ata që u kujdesën që sot ne të mund ta përurojmë këtë ekspozitë.
Kujdesi ndaj trashëgimisë së Nënës Terezës nuk është kujtesë e cila ndërlidhet vetëm me përkatësinë e saj etnike, ose me madhështinë e veprës së saj, por është kujdes para së gjithash ndaj shembullit të cilin ajo ia dhuroi njerëzimit. Nëpërmjet këtij shembulli personal ajo u shndërrua në simbol universal, duke e dëshmuar karakterin e popullit të saj, sipas të cilit nderi, bujaria e ndihma për të vobektin janë parime morale e zakonore.
Si pjesë e këtij kujdesi, institucionet e vendit tonë, së bashku me Ipeshkvinë e Kosovës, nga 26 gushti, që shënon ditën e lindjes së shenjtëreshës shqiptare, e deri më 5 shtator, kur po shënojmë çerekshekullin e kalimit të saj në amshim, me një varg aktivitetesh po shënojmë jetën dhe veprën e humanistes sonë të madhe. Këtë kujdes do ta ruajmë e thellojmë çdo vit, madje në vazhdimësi, sepse kujdesi ndaj të shenjtës sonë nuk mund të ndërlidhet vetëm me data të caktuara. Ajo duhet të na bashkojë e të na frymëzojë çdo ditë, sikur që ajo vetë e niste çdo ditë të ishte e para dhe e fundit njëkohshëm: përplot jetë e dashuri për njeriun.
Prandaj, përurimi i kësaj ekspozite, në muzeun që do ta bartë vulën e veprës së saj, ka peshë të veçantë kulturore e humane. Ne si bashkëqytetarë e bashkëkombës të shenjtës sonë e shumë vizitues të huaj do të kthehen këtu për t’i gjetur të dëshmuara rrënjët e familjes së Nënë Terezës e vatrën e cila rriti breza të tërë familjarësh të saj. Ai do të shërbejë këtu e tutje edhe si një qendër pelegrinazhi për të gjithë ata të cilët duke kërkuar mirësinë në jetë e shembujt e mëdhenj të altruizmit e të dashurisë ndaj njeriut, do të vijnë këtu të mësojnë se si një vatër e vogël në një vend të vogël, në të cilin jeton një popull me zemër të madhe, ia dhuroi botës shembullin universal të përvujtnisë e të sakrificës së pamatshme për njeriun.
Në këtë muze do të gjendet jo vetëm historia e familjes Bojaxhiu, por edhe modeli në të cilin do të mbështetet secili i ri ose e re, ëndrra e të cilëve do të jetë që një ditë të ndjekë shembullin e Nënë Terezës për t’u shërbyer njerëzimit, për t’ua gëzuar zemrat atyre.
Kërkesa e Nënë Terezës drejtuar motrave të saj që duhet të bëjnë gjithçka që të varfërve, e sidomos më të varfërve mes tyre “t’ua dhurojnë lumturinë, të cilën mbase të pasurit siç thoshte ajo mund ta sigurojnë me para”, është shembull se si njeriu mund të jetojë në lumturi, duke ua siguruar atë atyre që nuk mund ta gëzojnë vetë, duke u ofruar përkrahje, mbështetje e dashurinë, atyre të cilët kujtojnë se nuk mund ta arrijnë atë asnjëherë.
Parimi i saj jetësor që, nëse dëshiron të njëjtësohesh me të varfrit, nuk mjafton vetëm t’i përkrahësh ata, por duhet të provosh që të bëhesh njëri nga ta, të ndiesh me ta e për ta, është parimi më i thellë universal, shembullin e të cilit Nënë Tereza ia fali njerëzimit. “Vokacioni në vokacion”, sikurse e quante ajo këtë lloj përkushtimi, e që përkon me thirrjen e dytë të saj , e cila iu shfaq asaj gjatë një udhëtimi me tren nëpër fushat e Indisë, pas atij të parit, të cilin ajo e mori në Letnicë të Kosovës është shembulli i papërsëritshëm në historinë e njerëzimit, kur njëjtësimi në dashuri, sprova për t’i ngjarë atij të cilit i shërben, është model i pakapërcyeshëm nga i cili mund të mësojmë vazhdimisht e të cilin duhet ta provojmë ta ndjekim përjetësisht.
Prandaj, sot, kur po e kujtojmë 25-vjetorin e kalimit të saj në amshim, themi me krenari se Nënë Tereza paraqet jo vetëm simbolin e dashurisë, të paqes e humanizmit, por edhe një fat të madh historik, të cilin ne, pasardhësit e saj, duhet ta kujtojmë çdo ditë e ta themi me zë të lartë se ajo u shndërrua në fytyrën morale të njerëzimit, duke e shfaqur traditën morale të saj e të familjes, dhe traditën e popullit të vet shqiptar.
Historike, edhe ngaqë, në kohën e represionit etnik serb kundër Kosovës e të vetizolimit komunist në Shqipëri, ajo u shndërrua në simbolin tonë përfaqësues. Duke e theksuar përkatësinë e saj etnike kudo që shkonte, vlerat e familjes e traditën e popullit të saj, e duke e nënvizuar atdheun e saj, sikurse e quante ajo, “atdheun e vogël, po të quajtur Shqipni”, ajo e ktheu vëmendjen e botës kah një popull i vogël, por zemërgjerë e paqedashës.
Prandaj, në ditët sikurse kjo, por edhe në secilën ditë të jetës sonë, ne duhet të mos reshtim së theksuari emrin e saj, mësimet e saj, personalitetin e saj të jashtëzakonshëm. Si institucione dhe si njerëz të politikës ne duhet ta përbrendësojmë dashurinë e saj për njerëzit dhe t’i theksojmë pa pra porositë e saj paqedashëse e humane, sikur bënte presidenti ynë historik, dr. Ibrahim Rugova, në vitet ’90, duke e humanizuar të bërit politikë, sipas modelit human të Shën Terezës.
Pra jemi krenar që botës ia kemi ofruar shembullin e gruas shqiptare të quajtur, Agnesë Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, modelin e gruas së butë por të vendosur, e përkushtuar skajshmërisht ndaj njerëzve dhe e dashur për të gjithë, e gatshme që çdo herë të sakrifikojë për të tjerët; njeri që e njeh dhimbjen dhe provon që t’ua shërojë atë të tjerëve, me fjalë të ëmbla e me vepra, sikurse thoshte edhe vet ajo, “vepra të vogla, por me dashuri të madhe”.
Zoti e bekoftë Shën Terezën!
Zoti e bekoftë edhe këtë muze që po e përurojmë sot!
Në kujtim të shejtores shqiptare, presidentja Osmani u shprehu mirënjohjen e thellë motrave të saj për angazhimin e pakursyer për t’u shërbyer njerëzve në Kosovë, përcjell KultPlus.
“Motrat misionare, të cilat ofrojnë ndihmë në heshtje, jashtë vëmendjes së gjithsekujt, prej vitesh kujdesen për më të varfrit, për ata që Nënë Tereza i deshi më së shumti. Ato u ofrojnë atyre strehë e ushqim, kujdesen për ta dhe i mbajnë afër me dashuri, sipas shembullit të misionares së madhe shqiptare, Nënë Terezës”, theksoi Osmani.
Sipas saj, duke qenë çdo ditë me të varfrit, duke e ndarë dhembjen me ta, motrat misionare po e japin shembullin se si mes njerëzish duhet të mbretërojë dashuria e respekti.
“Këto parime nëna Terezë i kishte fort për zemër. Ne do t’u jemi gjithmonë mirënjohës për këtë shembull përkushtimi e dashurie që ato ua ofrojnë më të varfërve tanë”, është shprehur Osmani./ KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani ka folur lidhur me grevën e sindikalistëve, duke thënë se është duke u përpjekur maksimalisht për të gjetur një zgjidhje në mënyrë që nxënësit të mos pësojnë më tutje.
Osmani në një konferencë për media tha se duhet bashkuar forcat që të përmirësohet cilësia e sistemit arsimor në Kosovë.
“Për gjatë ditëve të kaluara, kam qenë në komunikim me Qeverinë e Kosovës, me të cilën ka vazhduar edhe sot e do të vazhdojë edhe më tutje lidhur me këtë cështje. E drejta kushtetuese e fëmijëve në arsim nuk duhet të lejojmë të cenohet, por duhet të bashkojmë forcat që të përmirsojmë cilësinë e sistemit arsimor, me nxënësit në qendër të vëmendjes. Mësimi duhet të fillojë meniher. Jam e përkushtuar maksimalisht për të gjetur zgjidhje në mënyrë që sa më shpejt të jetë e mundur që nxënësit të mos pësojnë më tutje”, tha ajo.
Ndër tjerash, Osmani kërkoi që mësimi të fillojë të hënën.
“Sot me prezentimin e pakos ekonomkik, Qeveria ka bërë një hap të rëndësisshëm për zgjedhjen e kësaj zgjidhjeje, tani është koha që sindikatat ta tregojnë një vullnet të mirë, që mësimdhënësit t’i hapin shkollat të hënën në mënyrë që të krijohet një atmosferë krejtësisht e re, ku të gjitha palët ulen dhe i i tregojnë kërkesat e tyre”, tha ajo./ KultPlus.com
Nis takimi i Presidentes Vjosa Osmani me Këshillin e Prindërve, Jeton Demi dhe Labinot Salihu, Këshillin e Nxënësve në përbërje të Ditjon Fetahu dhe Hekuran Muja, si dhe Koalicionin e OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve me përfaqësuese Donjeta Kelmendi.
Presidentja Osmani mbështetë kërkesat e nxënësve dhe të prindërve: Nxënësit duhet të jenë në qendër të interesimit tonë për ta tejkaluar krizën në arsim! / KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar pas mos-nisjes së mësimit më 1 shtator duke thënë se në vend të grevës, e cila sipas saj i dëmton nxënësit, duhet t’i jepet mundësi dialogut.
Osmani u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira në këtë proces që ta bojkotojnë grevën dhe atë ta zëvendësojnë me dialog. “Sot na duhet reflektim dhe sjellje e përgjegjshme, jo vetëm në raport me procesin mësimor, por edhe për sfidat e mëdha nëpër të cilat po kalon shteti ynë.
Sindikata e arsimit parauniversitar ka të drejtë t`i adresoj shqetësimet në raport me mirëqenien e mësimdhënësve dhe pagave të tyre, por gjithmonë duke shmangur dëmin e pariparueshëm që i bëhet interesit të nxënësve nga ndalimi i procesit mësimor”, është shprehur Osmani.
Më tej, e para e shtetit tha se institucione e Kosovës janë duke realizuar reforma për përmirësimin e sistemit arsimor, rritjen e cilësisë e përmirësimin e pozitës materiale për mësimdhënës. “Prandaj edhe është proceduar Projektligji për pagat, i cili parasheh përmirësimin e pozitës për mësimdhënësit. Të gjitha palët kanë të drejtë t`i adresojnë propozimet e tyre për përmirësimin e këtij Projektligji, i cili është i hapur për diskutime paraprake dhe shumë shpejtë pritet të jetë në diskutim publik”, ka shkruar Osmani.
Osmani më tej tha se fillimi i mësimit duhet të jetë i pakushtëzuar, teksa shtoi se secili veprim i institucioneve dhe sindikatave duhet të jetë në shërbim të nxënësve dhe përmirësim të cilësisë së sistemit arsimor.
“Si Presidente e vendit, jam për përmirësimin e pozitës së mësimdhënësve dhe rritjes së cilësisë në arsim duke e ditur se arsimi cilësor është bazamenti i një shteti e shoqërie të suksesshme. Por, jam në anën e nxënësve. E drejta u takon vetëm atyre! Atyre duhet t`ua ofrojmë dhe mbrojmë të drejtën për edukim dhe arsimim! E grevës duhet t`ia zë vendin dialogu”, ka thënë Osmani.
Ajo bëri të ditur se zyra e saj ka kontaktuar me të gjitha palët dhe po angazhohet për të gjetur një zgjidhje të pranueshme që në fokus, sipas saj, ka interesin e nxënësve dhe të gjithë sistemit arsimor./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Republikën Çeke, ka takuar sot kryetaren e Dhomës së Deputetëve, Markéta Pekarová Adamová.
Sikurse edhe në takimet e tjera me zyrtarë të lartë të shtetit çek, edhe në këtë takim Osmani ka kërkuar përkrahje për procesin e liberalizimit të vizave dhe avancimin e agjendës evropiane të Republikës së Kosovës në përgjithësi. Presidentja ka ritheksuar se Kosova prej disa vjetësh ka plotësuar kriteret për liberalizim vizash, ndaj ka kërkuar mbështetjen çeke që ky proces të përmbyllet nën Presidencën çeke të Këshillit të BE-së.
Të njëjtën përkrahje, Presidentja e kërkoi edhe për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe e më pas edhe në NATO.
“Ajo në veçanti diskutoi për rolin e rëndësishëm të parlamentarëve të Çekisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku do të na duhet përkrahje për shtyrjen përpara të procesit të anëtarësimit të Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.
Në takim me Pekarová Adamová, Osmani, u ndal edhe te marrëdhëniet dypalëshe, duke diskutuar për fusha të ndryshme në të cilat mund të thellohen më tej raportet dhe në këtë kontekst përmendi miqësinë e hershme të Kosovës me Republikën Çeke, që nga vitet e 80-ta dhe përkrahjen e palëkundur që Çekia ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar zyrtarisht për në Çeki ku do të zhvillojë një sërë takimesh me zyrtarë të lartë shtetëror të Çekisë si dhe do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të Forumit 2000, së bashku me liderë të tjerë botëror.
Çekia aktualisht udhëheqë me presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian, prandaj në këto takime, Presidentja do ta adresojë në veçanti çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe avancimin e agjendës evropiane të vendit tonë.
Presidentja Osmani, ndër të tjera, do të takohet me kryeministrin çek z. Petr Fiala, me presidentin e Senatit Çek, z. Miloš Vystrčil si dhe me zv.kryeministrin, njëherësh ministër për punë të jashtme të Holandës, z. Wopke Hoekstra.
Në kuadër të kësaj vizite, Presidentja Osmani do të marrë pjesë dhe do të flasë në konferencën ndërkombëtare të Forumit 2000 me temë: Rreziku i qartë dhe i tashëm i demokracisë: si të përgjigjemi.
Fondacioni Forum 2000, vazhdon trashëgiminë e ish-presidentit çek, Vaclav Havel në mbështetje të vlerave demokratike, respektimit të të drejtave të njeriut, si dhe duke ndihmuar në zhvillimin e shoqërisë civile dhe inkurajuar tolerancën kulturore dhe etnike.
Presidentja Osmani në këtë Konferencë do të mbajë dy fjalime si dhe do të marrë pjesë edhe në disa aktivitete të tjera. /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, duke u mbështetur në kompetencat kushtetuese e ligjore, me rastin e përfundimit të shërbimit të tij në Kosovë ka dekoruar sot zëvendësambasadorin amerikan, Nicholas J. Giacobbe me Urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”, i cili u jepet personave për kontribut në ndërtimin e paqes apo në zhvillimin e demokracisë.
Në ceremoninë e dekorimit, Presidentja Osmani ka vlerësuar lart punën dhe angazhimin e z. Giacobbe gjatë shërbimit të tij në Kosovë.
“Z. Giacobbe me përkushtimin e tij të pashoq ka dhënë kontribut të çmueshëm në avancimin e demokracisë dhe paqes në Kosovë. Ai, gjithashtu ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për forcimin e marrëdhënieve miqësore në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar Presidentja Osmani në ceremoninë e dekorimit.
Presidentja Osmani ka shfaqur bindjen se miqësia e përhershme me SHBA-të do të vazhdojë të kultivohet e mirëmbahet edhe nga pasuesja e z. Giacobbe. Ndërkaq zv. ambasadori Giacobbe falënderoi Presidenten Osmani për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm, pavarësisht kohës sfiduese nga pandemia Covid-19. /KultPlus.com
Gjatë ditës së sotme është raportuar për një vajzë që dyshohet se është dhunuar nga pesë burra në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Për rastin ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani, duke thënë se ky është një akt çnjerëzor, e duke kërkuar hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës.
Postimi i plotë:
“Tronditës akti çnjerëzor i dhunimit seksual të të miturës 11 vjeçe. Kërkoj një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës.
Me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët.
Dhunimi seksual sikurse edhe të gjitha format e dhunës ndaj vajzave e grave përbëjnë kërcënim për të gjithë dhe shpërfaqin një plagë serioze në shoqërinë tonë. Prandaj kryesit e këtyre veprave duhet të marrin përgjigjen e duhur dhe të menjëhershme nga organet e drejtësisë. Ne nuk duhet të lejojmë që vendi ynë të jetë i pasigurt për vajza e gra.
Për fat të keq, për vite me radhë, në raste të caktuara kemi parë mostrajtimin e barabartë të jetës së grave dhe të burrave, fajësimin e viktimës e jo të dhunuesit e deri të rastet me dënime edhe më të ulëta se sa ato që parashihen me ligj. E kjo, vetëm sa i ka inkurajuar keqbërësit e dhunuesit. Prandaj, kërkoj nga organet e drejtësisë që ta eliminojnë në tërësi seksizmin dhe pabarazinë në vendimet gjyqësore si dhe nga institucionet e sigurisë që të rrisin nivelin e mbrojtjes për vajzat e gratë që janë viktima të dhunës. Është koha poashtu, që të procedojmë me ndryshime legjislative që ashpërsojnë edhe më tej dënimet ndaj dhunuesve.
Është përgjegjësi e jona kolektive të kujdesemi që të gjithë fëmijëve t’u garantojmë fëmijëri të dinjitetshme dhe të eliminojmë dhunën mbi baza gjinore”, thuhet në postimin e Vjosa Osmanit. /KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë për dokumetet.
Osmani përmes një postimi në Facebook ka thënë se Liria e lëvizjes ështe themeli i shoqërive demokratike e i vlerave evropiane.
KultPlus ua sjell postimin e plotë:
Reciprocitet e barazi.
Liria e lëvizjes ështe themeli i shoqërive demokratike e i vlerave evropiane. Republika e Kosovës çdo ditë e më shumë po kontribuon në paqe dhe stabilitet.
Falenderime Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropia për rolin e tyre mbështetës.
Do të vazhdojmë pandalshëm angazhimin drejt njohjes reciproke./ KultPlus.com
Ka përfunduar takimi mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe emisarit special amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.
Më poshtë gjeni statusin e plotë të Presidentes Vjosa Osmani:
Në takim me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, potencova se Kosova do të vazhdojë të jetë palë konstruktive, e barabartë dhe e përkushtuar në procesin e dialogut, duke kontribuar për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon.
Institucionet tona janë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me partnerët tanë ndërkombëtar dhe çdo vendim i yni reflekton frymën kushtetuese të vendit tonë dhe vlerat tona demokratike.
Partnetiteti ynë me SHBA-të vazhdon të jetë qenësor. / KultPlus.com
Sot, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur Vera Orën, nënën e këngëtares shqiptare me famë botërore, Rita Ora, përcjell KultPlus.
“E nderuar të takohem dhe të diskutoj me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani”, ka shkruar Vera Ora pas takimit me presidenten, duke njoftuar se një prej çështjeve për të cilën ato kanë diskutuar ka qenë ajo e shëndetit mendor.
E pas këtij takimi ka reaguar edhe vetë këngëtarja Ora.
“Dy inspirimet e mia në një dhomë” ka shkruar Rita Ora bashkëngjitur me fotografinë nga takimi i nënës së saj më presidenten Osmani./ KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur në takim Vera Sahatçiu-Orën nënën e këngëtares Rita Orës.
Ka qenë psikiatrja Sahatçiu-Ora, që ka publikuar në InstaStory disa fotografi nga takimi.
“E nderuar të takohem dhe të diskutoj me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani”, ka shkruar Vera në mbishkrimin e fotografisë së saj.
Tutje, ajo ka rishpërndarë edhe një tjetër imazh të publikuar nga këshilltarja e presidentes, ku ndër të tjerash Sahatçiu – Ora shkroi: “Ne duam, shpërndajmë dhe ndërtojmë eksperienca të reja me Presidenten e Kosovës”.
Ajo do të jetë në kryqytetin shqiptar, në Tiranë më 6 shtator për një koncert të madh në sheshin “Skënderbej. /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka dorëzuar “Urdhrin Hero i Kosovës”, familjes së heroit të kombit, Sali Çekaj, të cilin ia kishte ndarë ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, në vitin 2005.
Në një ceremoni me familjarë të heroit Sali Çekaj, Presidentja Osmani ka theksuar se kontributi i tij ishte i jashtëzakonshëm dhe shtrihej në shumë kohë e drejtime.
“Një jetë e tërë në shërbim të kombit dhe atdheut. Sali Çekajn e gjejmë në ballë të betejave për organizimin e jetës institucionale dhe rezistencës ndaj pushtimit të Kosovës gjatë fillimit të viteve të 1990-ta. Pas largimit nga Kosova për t’i shpëtuar arrestimit nga regjimi pushtues i Serbisë, Sali Çekaj dha një kontribut të pashoq në organizimin e diasporës shqiptare dhe në sensibilizimin e çështjes së Kosovës në Evropën Perëndimore”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Sipas saj, ai ka pasur rol qendror në organizimin e rezistencës së armatosur për liri dhe pavarësi të Kosovës, që në fillet e para të organizimit institucional të formacioneve të armatosur të Republikës së Kosovës dhe në organizimin dhe shtrirjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sali Çekaj ka organizuar dhe drejtuar me shkathtësi dhe trimëri disa nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deri në rënien e tij heroike, në betejën e Koshares”, theksoi Presidentja Osmani.
Ndërkaq familjarë të heroit Sali Çekaj falënderuan Presidenten Osmani për respektin jo vetëm ndaj heroit, por edhe të luftës çlirimtare./ KutlPlus.com
11 persona kanë mbetur të vdekur në Cetine të Malit të Zi pasi një person pas një konflikti familjar ka dalë në rrugë dhe ka qëlluar edhe kalimtarët, përcjell KultPlus.
Pas tragjedisë në Mal të Zi ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila i ka ngushëlluar familjarët dhe u ka uruar shërim të shpejtë të lënduarve.
“E pikëlluar nga lajmi për të shtënat masive sot në Cetine të Malit të Zi. Duke dërguar ngushëllimet më të sinqerta për gjukanoviq, familjet që humbën të dashurit e tyre dhe u uroj shërim të shpejtë të lënduarve. Ne qëndrojmë me njerëzit e Malit të Zi në këtë moment pikëllimi.”, ka shkruar Osmani./ KultPlus.com
Artistja Fitore Berisha Alisdottir është ftuar nga Presidentja Vjosa Osmani për të diskutuar rreth ndikimit të artit që mund të ketë për përmirësim të vazhdueshëm, shkruan KultPlus.
Artistja Berisha e cila së fundmi ka realizuar një mural nën titullin “Andrrat e thyera”, mural ky që i dedikohet grave dhe vajzave që u vranë nga burrat, gjithashtu ia ka bërë një dhuratë Presidentes Osmani.
Ajo me këtë rast ka realizuar një vepër të cilën e ka punuar duke u bazuar në metodat tradicionale të leshit që janë përdorur me shekuj në vendin tonë.
“Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani më ftoi të diskutojmë ndikimin që mund të ketë arti për përmirësim të vazhdueshëm. Ajo pranoi dhuratën time për të, një vepër të cilën e punova duke u bazuar në metodat tradicionale të leshit që janë përdorur me shekuj në vendin tonë”, ka shkruar Berisha në rrjetet sociale. / KultPlus.com
“Sunny Hill Festival” i cili u mbajt këto ditë në Prishtinë, solli yllin Dua Lipa në Kosovë ku përveç se performoi në natën e parë të festivalit, Lipa realizoi edhe shumë takime e vizita në vendin e saj të lindjes.
Performanca e saj e zjarrtë bëri që për të të shkruajnë edhe mediat ndërkombëtare të cilëve nuk ju iki edhe një lëvizje tjetër e Duas në Kosovë.
Gjatë këtyre ditëve të qëndrimit të saj në vendlindje, Lipa u nderua me titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës nga presidentja Vjosa Osmani.
“Dua Lipa është emëruar ambasadore nderi e Kosovës.”
Ndërkohë që këngëtarja e “Don’t Start Now” u rrit në Britaninë e Madhe, prindërit e saj janë shqiptarë të Kosovës dhe familja u kthyen në Prishtinë kur ajo ishte tetë vjeçe, menjëherë pasi Kosova shpalli pavarësinë”, thuhet në një pjesë të prestigjiozes Independent. / KultPlus.com
Gjatë ditës së djeshme, Dua Lipës, i është ndarë titulli Ambasadore Nderi e Kosovës nga Presidentja Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.
Dua Lipa është shprehur shumë e nderuar që ka marrë këtë medalje presidenciale dhe ka shprehur këtë gëzim përmes një postimi në “Facebook”.
Postimi i plotë:
“Dje pasdite më është ndarë titulli Ambasadore Nderi e Kosovës nga Presidentja jonë Vjosa Osmani.Është nder dhe privilegj të jem në gjendje të përfaqësoj vendin tim në mbarë botën dhe të vazhdoj punën dhe përpjekjet e mia globalisht për të parë që ne të lëmë gjurmë dhe të bëjë një ndryshim. Rinia e Kosovës meriton të drejtën e liberalizimit të vizave, lirinë për të udhëtuar dhe për të pasur ëndrra të mëdha. Faleminderit”, thuhet në postimin e saj. /KultPlus.com