Dua Lipa nderohet me titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës nga presidentja Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka nderuar këngëtaren kosovare me famë botërore, Dua Lipë, me titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se me këtë veprim e ka falënderuar atë në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për gjithçka që ka bërë dhe po bënë që zëri ynë të dëgjohet kudo në botë.

Postimi i plotë:

Sot, Dua Lipës, i ndava titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës, sepse ajo vazhdon ta nderojë vendin tonë në çdo hap e çdo paraqitje. E falenderova, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për gjithçka që ka bërë dhe po bënë që zëri ynë të dëgjohet kudo në botë.

Dua dhe Anda kishin kënaqësinë e veçantë ta takojnë super yllin tonë, ikonën e pop muzikës, e cila është shndërruar në inspirim e model për vajzat anekënd botës. Ajo po e shfrytëzon zërin dhe talentin e saj të jashtëzakonshëm, jo vetëm për t’i ofruar botës këngë që lënë gjurmë, por edhe për ta prezantuar imazhin më të mirë të Kosovës kudo në botë. Sot, për shkak të Duas, nuk ka njeri që nuk e njeh Kosovën, të cilën edhe kësaj radhe e ka bërë kryeqendër të kulturës botërore, nëpërmjet festivalit Sunny Hill.

Prandaj sot në Presidencë, së bashku me Prindonin dhe vajzat tona, kishim kënaqësinë që ta presim Duan së bashku me prindërit e saj, Dukagjinin dhe Anesën, për t’i falënderuar për këtë kontribut të madh për imazhin e Kosovës në botë si dhe për ta përsëritur mesazhin tonë të përbashkët për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, i cili njëherit është edhe moto e edicionit të sivjetëm të festivalit Sunny Hill.

Faleminderit Dua e mirëserdhe në shtëpi!/ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Faleminderit Dua që po iu bashkohesh thirrjeve tona për liberalizimin e vizave

“Sunny Hill Festival” nisi mbrëmë ku si performancë kryesore ishte padyshim ylli Dua Lipa e cila me performancën e saj ka dalë jashtë çdo parashikimi të publikut.

Ndërsa, ditën e djeshme, festivali doli edhe me një thirrje të re për liberalizimin e vizave për Kosovën. Fushata nisi me moton “SETMEFREE” (Më lër të lirë).

Madje, Dua këtë e potencoi edhe dje në një konferencë për media, duke u shprehur se shpreson që kjo të ndodhë sa më shpejt.

Për këtë nismë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka falënderuar artisten shqiptare përmes një postimi në llogarinë e saj në Instagram.

“Faleminderit Dua Lipa që po i bashkohesh thirrjeve tona kolektive për t’i dhënë qytetarëve tanë liberalizimin e vizave të vonuar prej kohësh”, ka shkruar Osmani.

Këtë postim të Osmanit e ka rishpërndarë edhe Dua Lipa. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Zonja Fahrie Hoti dhe kooperativa “Krusha” janë sinonim i ngadhnjimit dhe suksesit

Gratë e Krushës pas luftes përkundër paragjykimeve morën iniciativën që të merren me ndërmarrësi duke ngritur kështu kooperativën “Krusha” të cilës EULEX-I i dorëzoj dje një donacion, shkruan KultPlus.

E gjatë këtij dorëzimi prezente ishte edhe e para e shtetit, Vjosa Sadriu ë cila është shprehur se zonja Fahrie Hoti dhe kooperativa “Krusha” janë sinonim i ngadhnjimit dhe suksesit.

“Dje bashkë me shefin e EULEX-it, ambasadorin Wigemark ishim në Krushë me ç’rast EULEX-i dhuroi një donacion për kooperativën Krusha dhe ne u zotuam për të vijuar mbështetjen. Çdo mbështetje për punën e këtyre grave të jashtëzakonshme është po ashtu mbështetje e një storie suksesi, e cila shërben si burim inspirimi për shumë gra e vajza të tjera”, shkruan Osmani e cila tutje shkruan se zonja Fahrie dhe gratë e kooperativës “Krusha” janë konfirmimi më i mirë se kur ka vizion të qartë, angazhim dhe punë konsistente, suksesi është gjithnjë i sigurt.

“Mbështetja për to do të jetë e vazhdueshme, sepse suksesi i grave të Krushës është sukses i Kosovës!”, përfundon presidentja Osmani. / KultPlus.com

Emërimi i Bozhidar Deliq nënkryetar të Parlamentit të Serbisë, reagon presidentja Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas emërimit të Bozhidar Deliq, nënkryetar të Parlamentit të Serbisë, përcjell KultPlus.

Osmani përmes një postimi në Twitter shkroi se përderisa në Kosovë, nënkryetare e parlamentit është një e mbijetuar lufte, në Serbi emërohet komandanti i brigadës që emëroi mijëra kosovarë.

“Në Kosovë, Saranda Bogujevci, një e mbijetuar e një masakre brutale të regjimit gjenocidal të Serbisë, shërben si nënkryetare e Parlamentit.

Ndërkohë, Parlamenti i Serbisë ka emëruar nënkryetar Bozhidar Deliqin, komandantin e brigadës që masakroi mijëra kosovarë.”.thuhet në postimin e presidentes Osmani/ KultPlus.com

Reagon Osmani: Përpjekjet e Vuçiq për destabilizimin e Kosovës me metodat e Putinit do të dështojnë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës duke thënë se Policia e Kosovës po punon pa ndaluar që të garantohet respektimi i ligjit dhe liria e lëvizjes. Po ashtu, ajo ka bërë të ditur se veprimet janë duke u marrë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

“Masa e reciprocitetit nuk është e drejtuar kundër askujt, por në favor të qytetarëve pa dallim përkatësie. Prandaj, ftoj qytetarët serbë të Republikës së Kosovës që të mos bien pre e propagandës nga Beogradi.  Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet e sigurisë po punojnë shumë për të garantuar respektimin e sundimit të ligjit dhe lirinë e lëvizjes. Jemi duke u koordinuar e punuar pandalur me partnerët tanë ndërkombëtar”, shkruan ajo.

Tutje Osmani tha se veprimet nga grupet serbe në veri janë përpjekje të Vucicit që të destabilizohet Kosova.

“Përpjekjet e Vuqiçit për destabilizim të Kosovës, i cili po shërbehet me metoda të mentorit të tij- Putinit, do të dështojnë”, shtoi ajo./ KultPlus.com

Presidentja Osmani pas nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në: Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithnjë pranë Kosovës

Në Kongresin e SHBA-ve, në prani të një numri të madh të miqve të Kosovës, u mbajt ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në për Programin e Kompaktit. Kjo marrëveshje po konsiderohet historike për shtetin tonë, përcjellë KultPlus.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar sot përmes një statusi në facebook ku është shprehur se kjo marrëveshje në shumë prej 236.7 milion dollarë, përbën investimin më të madh në sektorin e energjisë në Kosovë pas disa dekadash.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithnjë pranë Kosovës”, ka shkruar Osmani.  

Sipas Osmanit, këto projekte do të kontribuojnë në garantimin e stabilitetit dhe fleksibilitetit të sistemit energjetik të Kosovës gjersa përgatitemi për tranzicionin energjetik dhe integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

“Ky investim do të garantojë po ashtu një të ardhme energjetike ku gratë do të kenë rol kyç dhe do të jenë kontribuuese aktive në adresimin e sfidave të së ardhmes në fushën e energjisë.

Kjo marrëveshje konfirmoi edhe njëherë atë që dihet tashmë botërisht, partneritetin e jashtëzakonshëm e unik në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Faleminderit të gjithëve për punën e jashtëzakonshme!”, ka shkruar Osmani. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Marrëveshja 236-milionëshe me MCC-në është investimi më i madh në Kosovë me dekada

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes për Programin Kompakt, në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, ndërmjet Kosovës dhe MCC-së në Uashington.

Ajo ka thënë se kjo marrëveshje vërteton partneritetin Ksoovë-SHBA dhe që Kosova është e gatshme të përqafojë të ardhmen e agjendës së gjelbër.

“Kjo marrëveshje vërteton, marrëveshjen që të jemi krahë njëri-tjetrit në kohëra të mira e të vështira. SHBA-ja është duke vazhduar që të na mbështesë që të arrijmë edhe më shumë. Është koha që të hartojmë politika më të mira për t’u përballur me situatën energjetike. Kosova është e gatshme që ta përqafojë të ardhmen e agjendës së gjelbër”.

Ajo ka shtuar ky është investimi më i madh për dekada me radhë që ka ndodhur në Kosovë.

“Marrëveshja me MCC është investimi më i madh në dekada me radhë, që do të na ndihmojë që të përballemi me krizën. Marrëveshja na afron drejt një sistemi të energjisë drejt nevojave të së ardhmes”. / KultPlus.com

Kurti: Partner të padiskutueshëm të sigurisë Kosova e ka ShBA-në

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova partner të sigurisë i ka Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai, para medieve në Uashington, pas përfundimit të takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, ka theksuar se bashkë me presidenten Vjosa Osmani e kanë shfrytëzuar mundësinë për kërkimin e shtimit të investimeve amerikane në Kosovë.

“Takimi që patëm bashke me presidenten qe shume i përzemërt, fort i dobishëm për raportet e shkëlqyeshme mes Kosovës dhe ShBA-së. Me këtë rast ne treguam se si Kosova është një rrëfim suksesi në mënyrë të dyfishtë”.

“Së pari është rrëfim suksesi i punës dhe qëndrueshmërisë së popullit dhe i ndërhyrjes NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Dhe së dyti është rrëfim suksesi i një demokracie cilësore e cila shkon bashkë me zhvillimin ekonomik. Pra, në kontrast me disa fuqi të tjera nëpër botë të cilat dëshirojnë të tregojnë për zhvillim ekonomik se demokracia nuk është e nevojshme, shteti jo i madh i Kosovës është një shembull i madh se zhvillimi ekonomik dhe demokracia cilësore shkojnë bashkë”.

“Njëkohësisht ne përfituam nga rasti, nga sekretari Blinken të kërkojmë shtimin e investimeve amerikane në Kosovë, por gjithashtu edhe ta rrisim shkëmbimin tregtar mes dy vendeve tona. Edhe në NATO ne e kemi bashkëpunimin shumë të ngushtë me ShBA-në për shkak se mbrojtja është një fushë në të cilën Kosova e ka rritur ndjeshëm buxhetin, synojmë që siguria e Kosovës ta ketë për partner edhe të padiskutueshëm por gjithnjë e më të fuqishëm, pikërisht ShBA-në”, ka thënë Kurti, njofton KlanKosova.tv/ KultPlus.com

Osmani pas takimit me Blinken: U konfirmua se Kosova s’ka mik më të madh se Amerika

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur të shkëlqyeshëm takimin me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Ajo ka thënë se në këtë takim është konfirmuar se Republika e Kosovës nuk ka mik më të madh sesa Amerika.

“Pa përkrahjen e ShBA nuk mund të kemi sukses në organizatat ndërkombëtare që janë synimi i përhershëm yni. Kemi folur me Blinken për subjektivitetin ndërkombëtar dhe mënyrën se si Kosova fuqizohet nëpërmjet njohjeve dhe organizatave ndërkombëtare”, është shprehur Osmani.

“Kemi diskutuar edhe për rolin konstruktiv në dialogun Kosovë-Serbi. SHBA si partner që mbështesin pavarësinë, kushtetutshmërinë, gjithnjë kanë qenë të zëshëm në këtë drejtim. Si Biden edhe Blinken e kanë thënë qartë që procesi i dialogut të përqendrohet në njohje reciproke”, ka thënë presidentja Osmani./ KultPlus.com

Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti sot priten nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken

Sot, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu dhe Kryeministri Albin Kurti do të priten në takim nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Në fokus të diskutimeve do të jetë thellimi i partneritetit bilateral Kosovë-SHBA në nivel strategjik, angazhimi i përbashkët në drejtim të adresimit të sfidave ndaj paqes dhe sigurisë në rajon dhe Evropë, si dhe mbështetja për Kosovën në sektorët strategjik.

Takimi me Sekretarin e Shtetit Blinken do të mbahet në një periudhë përcaktuese për sigurinë dhe paqen në rajonin tonë, si dhe për kontinentin evropian e më gjerë si pasojë e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Në takim, Presidentja Osmani do të kërkoj vazhdimin e mbështetjes amerikane për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, duke përfshirë edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Ajo do ta informojë Sekretarin Blinken edhe për hapat të cilat i ka ndërmarrë Kosova në avansimin e rrugëtimit euroatlantik, si dhe për angazhimin aktiv të institucioneve të Kosovës në drejtim të zbatimit të reformave në fushën e sundimit të ligjit.

Me qëllim të hapjes së kapitujve të rinj të bashkëpunimit nën kornizën e partneritetit bilateral strategjik, do të diskutohet edhe për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, ekonomisë, si dhe fusha të tjera të rëndësisë së veçantë. Takimi do të mbahet sot në Departamentin Amerikan të Shtetit në ora 16:30, sipas orës lokale në Uashington D.C., respektivisht në ora 22:30 sipas kohës së Kosovës./ KultPlus.com

Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti udhëtuan për në SHBA, nënshkruajnë marrëveshje me MCC

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, kanë udhëtuar për në Uashington D.C. për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në Kongresin amerikan për nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për Programin Kompakt të Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Uashington, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti do të zhvillojnë edhe takime të tjera bilaterale. / KultPlus.com

Osmani uron Begajn: Do të thellojmë bashkëpunimin mes Kosovës e Shqipërisë dhe rrugën e përbashkët euro-atlantike

Bajram Begaj, është betuar si president i ri i Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Begaj u zgjodh president me 78 vota pro dhe katër kundër  dhe një abstenim në Kuvendin e Shqipërisë më 6 qershor.

Përmes një postimi në “Twitter”, Osmani uron Begajn dhe thotë se bashkë do ta thellojmë bashkëpunimin, jo vetëm në raportet vëllazërore mes Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe në rrugën e përbashkët euro-atlantike

“Në inaugurimin e Presidentit Bajram Begaj, i përcolla urimet më të sinqerta për suksese në këtë detyrë të rëndësishme. Bashkë do ta thellojmë bashkëpunimin, jo vetëm në raportet vëllazërore mes Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe në rrugën e përbashkët euro-atlantike”, thuhet në postimin e presidentes. /KultPlus.com

Osmani udhëton në Shqipëri, merr pjesë në inagurimin e presidentit të ri

Presidentja Vjosa Osmani do të marrë pjesë nesër në inaugurimin e presidentit të ri të Shqipërisë, Bajram Begajt.

Presidenca ka njoftuar se Osmani shkon në Tiranë me ftesë të Presidencës shqiptare.

“Presidentja Osmani do të marrë pjesë në një ceremoni që do të mbahet në Presidencën e Shqipërisë, në të cilën presidenti aktual, Ilir Meta, do ta dorëzojë detyrën tek Presidenti i ri, z. Bajram Begaj”, njoftoi Presidenca.

Para dy ditësh, Osmani e priti me nderime të larta shtetërore në Prishtinë, presidentin në largim të Shqipërisë, Ilir Meta. /KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim deputetin Shaip Kamberi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, të cilin e ka uruar për rizgjedhjen.

Sipas Presidentes Osmani është e rëndësishme që u sigurua vazhdimësia e përfaqësimit të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dhe se Shaip Kamberi do të jetë zëri artikulues i kërkesave të shqiptarëve.

Presidentja Osmani theksoi se në të gjitha takimet me përfaqësues ndërkombëtar e ka ngritur shqetësimin për problemet me të cilat përballen shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dhe se duhet thelluar përpjekjet për ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve.

Sipas saj është i rëndësishëm koordinimi i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve shqiptarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit për t`i adresuar të gjitha çështjet që ndërlidhen me pozitën e tyre.

Kurse deputeti Shaip Kamberi ka falënderuar Presidenten Osmani, e cila vazhdimisht  ka folur për problemet me të cilat përballen shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit./ KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadoren suedeze, Karin Hernmarck

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadoren suedeze, Karin Hernmarck, të cilën e përgëzoi për punën e deritanishme në Kosovë dhe i uroj suksese në angazhimin e mëtejmë.

Në takim me ambasadoren Hernmarck, Presidentja Osmani e falënderoi shtetin e Suedisë për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës.

Sipas Presidentes Osmani, Kosova e ka synim anëtarësimin në Aleancën Veri-Atlantike, i cili është i domosdoshëm dhe në funksion të paqes e stabilitetit të rajonit.

Presidentja Osmani kërkoi nga Suedia mbështetjen në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Kosova ka shënuar progres në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, ndaj sipas Presidentes Osmani anëtarësimi në Këshill të Evropës do të ishte në dobi të garantimit dhe respektimit të të drejtave të gjithë qytetarëve, pa dallim. /KultPlus.com

Presidentja Osmani uron Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ka edhe një kërkesë për BE-në

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar sot Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për fillimin e negociatave me Bashkimin Europian të cilin e konsideron një hap më afër BE-së.

“Urime Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut për një hap më afër BE-së. Në këtë kohë vendimtare, përshpejtimi i procesit të zgjerimit për vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor është një domosdoshmëri!”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Tutje, Osmani ju bën thirrje vendeve anëtare europiane për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Ne u bëjmë thirrje vendeve anëtare europiane që të dorëzojnë urgjentisht vendimin e vonuar për lirinë e vizave për qytetarët tanë”. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Do të punojmë ngusht me partnerët tanë që gjatë presidencës çeke të përmbyllet çështja e vizave

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka takuar ambasadorët dhe përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të akredituar në Kosovë.

Në takim me ambasadorë dhe përfaqësues të vendeve të BE-së, Presidentja ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, në rajon dhe më gjerë, si dhe harmonizimin e plotë të politikës së jashtme të vendit tonë me atë të BE-së.

Presidentja ka thënë se Kosova do të vazhdojë të punojë me partnerët evropian për procesin integrues të vendit.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë gjatë presidencës çeke të BE-së në mënyrë që të përmbyllet çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ta avancojmë rrugëtimin tonë evropian, e të forcojmë më tej sundimin e ligjit dhe demokracinë.”, ka thënë Presidentja Osmani. / KultPlus.com

Osmani në ditën e Kurban Bajramit: Festat si kjo mbajnë gjallë jo vetëm shpresën, por edhe shpirtin solidar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, me rastin e festës së Kurban Bajramit, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë.

“Uroj që Kurban Bajrami të kremtohet e përjetohet në mënyrën më të mirë të mundshme në të gjitha familjet tuaja”, ka thënë Presidentja Osmani.

E para e vendit ka thënë se festat si kjo mbajnë gjallë jo vetëm shpresën, por edhe shpirtin solidar.

“Festat si kjo mbajnë gjallë jo vetëm shpresën, por edhe shpirtin solidar për t’i mbështetur njerëzit në nevojë në këtë kohë sfiduese. Paqja, shëndeti, mirësia e begatia qoftë me ju dhe familjet tuaja!”, thuhet në urimin e Presidentes Osmani. /KultPlus.com

Presidentja Osmani: Abe ishte një lider i shquar që luajti një rol të rëndësishëm në thellimin e lidhjeve Kosovë-Japoni

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për vdekjen e ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe, duke kujtuar rolin e tij që pati në lidhjen me Kosovën.

“E pikëlluar thellë për vdekjen tragjike të ish-kryeministrit
@AbeShinzo
Ai ishte një lider i shquar që luajti një rol të rëndësishëm në thellimin e lidhjeve Kosovë-Japoni dhe do të mbahet mend si aleat i popullit të Kosovës. Mendimet tona janë me familjen Abe dhe popullin e Japonisë”, ka shkruar ajo.

Abe vdiq në spital pasi nuk u përballoi plagëve të marra. Ai u sulmua me armë zjarri derisa po mbante një fjalim në një tubim zgjedhor.

Ai u dërgua me urgjencë në spital, ndërsa i dyshuari u arrestua menjëherë në vend të ngjarjes.

Për këtë sulm reaguan shumë liderë botërorë, duke dënuar ashpër sulmin ndaj tij. / KultPlus.com

Osmani pritet me nderime të larta shtetërore nga presidenti Pahor: Kosova dhe Sllovenia ndajnë të njëjtin vizion për paqe

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, e shoqëruar nga zotëriu i parë, Prindon Sadriu dhe delegacioni, është pritur me nderime të larta shtetërore nga presidenti Borut Pahor dhe zonja e parë, Tanja Pečar.

Në takimin tête-à-tête me presidentin Pahor dhe në takimet me delegacionet, presidentja Osmani ka potencuar se marrëdhëniet e afërta ndërmjet popujve të Kosovës dhe Sllovenisë, datojnë që nga vitet e para luftës dhe janë zhvilluar hovshëm në vitet që pasuan.

Sipas presidentes Osmani, raportet ndërshtetërore me Slloveninë do të thellohen dhe intensifikohen vazhdimisht në të ardhmen.

“Kosova dhe Sllovenia ndajnë të njëjtin vizion për paqe e prosperitet në rajon bazuar në vlerat euro-atlantike. Anëtarësimi në BE dhe NATO janë garanca kryesore për paqe në rajonin tonë. Mirënjohës pafund për mbështetjen e Sllovenisë për të ardhmen tonë evropiane, përfshirë për përkrahjen për liberalizimin e vizave si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka theksuar presidentja Osmani, në takime me homologun Pahor.

Sipas presidentes Osmani, ekziston gatishmëria e dyanshme që të punohet për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fushën ekonomike, atë të mbrojtjes e në diplomaci, si dhe në shumë fusha të tjera.

Në takimin ndërmjet dy delegacioneve mori pjesë edhe ministrja e punëve të Jashtme, Tanja Fajon, e cila është një përkrahëse e fuqishme e Kosovës. / KultPlus.com

Presidentja Osmani uron Presidentin Biden për 4 korrikun: Lidhja midis dy kombeve tona është krijuar në disa prej ditëve tona më sfiduese

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu e ka uruar Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph R. Biden Jr, me rastin e 4 korrikut.

Në vijim gjeni të plotë urimin e Presidentes Osmani:

I Nderuari Joseph R. Biden Jr.                                  
President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

I nderuar President Biden,

Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, ju shpreh urimet e mia më të ngrohta për ju dhe popullin amerikan me rastin e festimit të 4 Korrikut. Ne bashkohemi me ju dhe miqtë e Shteteve të Bashkuara në mbarë botën për ta festuar këtë ditë të gëzueshme.

Ndërsa shumë gjëra kanë ndryshuar në rrjedhën e historisë, vendosmëria dhe shpirti i palëkundur i Etërve Themelues për të drejtuar Shtetet e Bashkuara për t’u bërë fuqia më e madhe demokratike, ekonomike dhe ushtarake e botës ka mbetur e pranishme në të gjithë botën. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë një fanarë shprese dhe mbrojtësi më i vendosur i idealeve tona të përbashkëta të demokracisë dhe lirisë.

Në këtë kohë kyçe për botën tonë dhe për idealet tona të fituara me mund, ne vlerësojmë qasjen tuaj parimore dhe mbështetjen tuaj të palëkundur për unitetin dhe sigurinë në Evropë, pasi kontinenti ynë përballet me një nga sfidat më të mëdha dhe më shkatërruese të kohës sonë.

Shtëpia e të lirëve dhe e trimave është sot një mbrojtës global i paqes dhe lirisë, dhe një vend shprese e rehatie për njerëzit në mbarë botën që besojnë në të njëjtin vizion për të ardhmen. Ne shikojmë drejt jush dhe jemi gati t’u mbështesim në mbrojtjen e vlerave në të cilat ne dhe njerëzit tanë besojmë.

Lidhja midis dy kombeve tona është krijuar në disa prej ditëve tona më sfiduese dhe është forcuar gjatë ditëve tona më të mira. Gjatë dekadave të fundit, vendet tona jo vetëm që janë forcuar, por edhe jemi rritur së bashku. Në veçanti, populli i Republikës së Kosovës është mirënjohës për mbështetjen tuaj personale dhe të vazhdueshme, ndaj ne vazhdojmë të llogarisim tek ju, përderisa ecim përpara në rrugën tonë të qëndrueshme drejt integrimit në strukturat euroatlantike dhe në strukturat e tjera ndërkombëtare që promovojnë vizionin tonë të përbashkët dhe qëllimet.

Sot populli i Kosovës feston përkrah miqve dhe aleatëve tanë amerikanë dhe flamujt tanë valëviten me krenari krah për krah. Më lejoni t’u shprehë përsëri urimet tona më të mira për këtë ditë të veçantë dhe t’u uroj juve dhe popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gëzuar 4 Korrikun.

Ju lutem, zoti President, pranoni shprehjen e vlerësimit tim më të lartë për ju dhe vendin tuaj.

Sinqerisht,

Vjosa Osmani Sadriu
Presidente e Republikës së Kosovës . /KultPlus.com

Osmani në Slloveni: Është e papranueshme që çështja e vizave për Kosovën të hapet sërish

Sllovenia është duke e mbështetur Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.

Këtë e ka kumtuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite zyrtare në Slloveni ku u takua me homologun, Borut Pahor.

Gjatë një konference për media, Osmani e ka kundërshtuar hapjen e sërishme të liberalizimit të vizave, duke thënë se “Kosova i ka plotësuar kushtet për heqjen e vizave”.

“Është e papranueshme që çështja e vizave për Kosovën të hapet sërish. Ne kemi përmbushur kriteret para katër viteve. PE ka votuar dy herë për neve tani i mbetet shteteve anëtare. e presim të arrihet në muajt në vijim”, ka thënë Osmani.

Gjatë kësaj konference Osmani e ka falënderuar Slloveninë për mbështetjen.

“Osmani ndër të tjera ka falënderuar shtetin e Sllovenisë për mbështetjen ndaj Kosovë në të gjitha etapat, përfshirë këtu edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Osmani. /Express / KultPlus.com

Presidentja Osmani uron 4 korrikun: Jemi krenarë për arritjet tona të përbashkëta

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar SHBA-në për 4 korrikun, përvjetorin e pavarësisë.

Në këtë urim, Osmani është shprehur krenare për arritjet tona të përbashkëta dhe për promovimin dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta.

“Sot populli i Kosovës i bashkohet me gjithë zemër presidentit Joe Biden dhe të gjithë miqve tanë amerikanë në festimin e 4 korrikut. Ne jemi krenarë për arritjet tona të përbashkëta dhe për promovimin dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta. Së bashku, ne do të vazhdojmë të shkojmë nga forca në forcë”, ka shkruar Osmani në Twitter. / KultPlus.com