Me ftesë të presidentit Pahor, presidentja Osmani udhëton për vizitë zyrtare në Slloveni

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit të Sllovenisë Borut Pahor, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në këtë shtet

Kjo vizitë do t`i rikonfimojë marrëdhëniet e shkëlqyshme me Slloveninë, teksa me homologun Pahor, në një sërë aktivitetesh të përbashkëta, Presidentja Osmani do t`i diskutoj mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe raporteve ndërshtetërore.

Gjatë kësaj vizite, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime edhe me udhëheqës të Parlamentit të Sllovenisë si dhe të Këshillit Kombëtar të Sllovenisë.

Kurse Forcave të Armatosura të Sllovenisë, Presidentja Osmani gjatë qëndrimit në këtë shtet do t`ua ndajë një dekoratë për kontributin për paqe dhe siguri në kuadër të misionit të NATO-s në Republikën e Kosovës, në të cilin përgjatë viteve kanë shërbyer mijëra ushtarë slloven.

Në agjendën e vizitës zyrtare të Presidentes Osmani në Slloveni do të jetë edhe takimi me mërgatën e Kosovës në Slloveni, ligjërata e organizuar nga Qendra për Perspektivën Evropiane dhe Bled Strategic Forum si dhe pjesëmarrja në shfaqjen “Zgjimi i pranverës”, bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Qendrës për Arte dhe Komunitet- Artpolis, e cila do të jepet në Teatrin e Nova Goricës./ KultPlus.com

Osmani: Atë që kanë bërë Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan për vendin tonë, shkon përtej çdo partneriteti që ka njohur ndonjëherë bota

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka ndarë me ndjekësit e saj momente të festës së Pavarësisë së ShBA-ve, festë kjo që është shënuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë. Presidentja Osmani ka theksuar se ‘Më 4 Korrik, festojmë krahas popullit amerikan dhe kujtojmë vlerat e idealet mbi të cilat janë ndërtuar Shtetet e Bashkuara’.

KultPlus ju sjell të plotë mesazhin e presidentes Osmani.

Mbrëmë, në një atmosferë të jashtëzakonshme, mes miqsh të shumtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nga Kosova, festuam festën e pavarësisë së SHBA-ve.

Atë që kanë bërë Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan për vendin tonë, për lirinë tonë, për të drejtën tonë për të ekzistuar dhe për çdo qytetar që e quan Kosovën shtëpi të vet, shkon përtej çdo partneriteti që ka njohur ndonjëherë bota.

Më 4 Korrik, festojmë krahas popullit amerikan dhe kujtojmë vlerat e idealet mbi të cilat janë ndërtuar Shtetet e Bashkuara. Në këtë ditë, kujtojmë edhe të gjithë ata që nëpër dekada kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e miqësisë sonë të përjetshme./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Më tepër se tri dekada më parë, gra e burra patën guximin që Kosovës t`ia japin drejtimin e duhur

Mesazhi i Presidentes Osmani me rastin e 32 vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka dhënë një mesazh për 32 vjetorin e miratimit të Deklaratës Kushtetuese, shkruan KultPlus.

Më poshtë e sjellim mesazhin e saj të plotë.

114 delegatë të Kuvendit të Kosovës, atëkohë morën guximin që në rrethana dhe kushte të jashtëzakonshme nëpërmjet këtij akti heroik e juridik ta artikulojnë vullnetin e popullit të Kosovës për trajtim të barabartë.

Më tepër se tri dekada më parë, gra e burra patën guximin që Kosovës t`ia japin drejtimin e duhur, ta krijojnë bazën për subjektivitet të shtetit në ardhje, ndaj në këtë përvjetor falënderoj secilin që vuri një gur në projektin tonë historik për shtet.

Themelet e shtetit të janë ngritur mbi vendimin e delegatëve të 2 Korrikut, ndaj sot Kosova është shtet i pavarur, i lirë dhe sovran!

Urime 2 Korriku!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe popullin e saj!/ KultPlus.com

Presidentja Osmani në CNN për Serbinë: Nuk mund të ecësh në rrugë të Moskës dhe të BE-së

Në një intervistë të shkurtër dhënë për “CNN International”, Presidentja Vjosa Osmani ka folur për aspiratat e Kosovës që të aplikojë për statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ajo ka thënë se Kosova asnjëherë nuk ka shikuar të gjejë rrugë tjetër, pos asaj Euroatlantike.

Osmani ka folur edhe për pikëpamjet se Serbia po ecën në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke thënë se nuk beson në diçka të tillë.

“Serbia provon të ecën edhe rrugës së Moskës edhe rrugës së së Evropës. S’mund të ecësh në të dy rrugët, të të njëjtën kohë”.

Për kërkesën që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s, Presidentja Osmani ka thënë se pas sulmit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, “çdokush” e ka kuptuar se të jesh në NATO, do të thotë të jesh i sigurt.

“Të jesh në NATO do të thotë të jesh i sigurt. Kështu që, praktikisht, arsyeja kryesore pse populli i Kosovës dhe vizioni ynë si krerë të institucioneve të Kosovës është që të bëhemi anëtar i NATO-s, është për shkak të sigurisë dhe mbrojtjes. Por, edhe se ne nuk e shohim NATO-n vetëm si një makineri ushtarake, por si një sistem bazë të vlerave”, ka thënë Osmani. /Express/ KultPlus.com

Osmani: Ndërkombëtarët s’mund të na kërkojnë ta zbatojmë vendimin për Manastirin e jo atë të Asociacionit

Presidentja Vjosa Osmani, ka hedhur kritika ndaj komunitetit ndërkombëtar lidhur me kërkesat e tyre për zbatim të vendimit të Kushtetueses për tokat rreth Manastirit të Deçanit.

Shefja e shtetit ka thënë se askush s’mund t’i kërkojë Kosovës që ta zbatojë vendimin për Manastirin por të mos e zbatojë vendimin e Kushtetueses për Asociacionin, raporton Gazeta Express.

“Nëse kërkohet nga komuniteti ndërkombëtar që të shtyhet çështja e zbatimit të Manastirit të Deçanit, pyetja është pse nuk janë aq të zëshëm edhe për shumë e shumë vendime të tjera të Gjykatës Kushtetuese që nuk janë zbatuar në praktikë, pra nuk mund të ketë qasje të ndarë që të kërkohet vetëm njëri të zbatohet e jo të tjerat. Nuk mundet askush me i thënë institucioneve të Kosovës zbatojeni vendimin për Manastirin e Deçanit por mos e zbatoni atë për Asociacionin”, ka thënë ajo në emisionin Interaktiv.

Osmani poashtu tha se çështja e Asociacionit është sqaruar me Aktgjykimin e Kushtetueses dhe s’mund të bëhen propozime për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe pas Aktgjykimit.

“Si mendoni ju që mund të bëhet një propozim për Asociacionin përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Çështja e Asociacionit është sqaruar me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.”, tha ajo.

Presidentja deklaroi tutje se Gjykata Kushtetuese s’i ka dhënë fund vetëm një çështje në Aktgjykimin për Asociacionin, e që është një OJQ.

“E vetmja gjë të cilës nuk i ka dhënë fund Gjykata Kushtetuese është një OJQ-je, pra një OJQ e cila tashmë edhe parashihet me ligjin për vetqeverisjen lokale. Pra ligji ynë i lejon komunat që të bashkohen nëpër OJQ për interesa të caktuara, ta zëmë komunat që kanë interes në çështje ambientale, formojnë një Asociacion për interesa të gjelbërta ta zëmë Asociacioni i Komunave të Gjelbërta”, tha ajo.

Osmani shtoi se asociacionet me kompetenca ekzekutive janë të ndaluara nga Kushtetuesja dhe s’mund të zbatohen në praktikë.

“Asociacione të tilla që kanë kauza, por asociacionet monoetnike i ka ndaluar Gjykata Kushtetuese. Asociacionet me kompetenca ekzekutive janë të ndaluara në Kushtetutën tonë dhe të konfirmuara nga Gjykata Kushtetuese. Pra këtu po flasim për parimet, dhe natyrisht assesi ato që i ka ndaluar Gjykata Kushtetuese nuk mund të zbatohen në praktikë vetëm ato që nuk i ka ndaluar pavarësisht se shumë prej tyre nuk na kanë pëlqyer fare në të kaluarën Kosova ka marrë obligim ndërkombëtar”, u shpreh Osmani./ KultPlus.com

Presidentja Osmani takoi kryeministrin e Tajlandës, Prayout Chan-o-cha

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës në Tajlandë është takuar me kryeministrin e Tajlandës, Prayout Chan-o-cha, me të cilin fokusi i bisedës ishte forcimi i marrëdhënieve ndërshtetërore.

Presidentja Osmani ka falënderuar kryeministrin e Tajlandës për mbështetjen e këtij shteti ndaj Kosovës dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar përkrahjen në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Në takim me Kryeministrin e Tajlandës, Presidentja ka theksuar se Kosova e sheh këtë shtet si aleat në këtë pjesë të botës, ndaj është e interesuar që edhe me ndihmën e saj të ndërtojë marrëdhënie miqësore me shtetet e Azisë Juglindore.

Presidentja Osmani në këtë takim ka prezantuar mundësinë dhe potencialin që ofron Kosova për investitorë të jashtëm, duke përmendur popullsinë e re dhe të arsimuar si asetin kryesor shtetëror.

Për ta lehtësuar bashkëpunimin ekonomik me këtë shtet, Presidentja Osmani ka theksuar nevojën e marrëveshjes për mbrojtje të investimeve dhe atë për eliminimin e taksimit të dyfishtë. Në këtë kontekst, Presidentja është angazhuar për rritjen e shkëmbimit të mallrave dhe lëvizjes së qytetarëve në mes të dy vendeve. / KultPlus.com

Presidentja Osmani ngushëllon familjen për ndarjen nga jeta të producentes, Vjosa Berisha

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka shprehë ngushëllime për familjen Bajraj, me rastin e vdekjes së poetit Xhevdet Bajraj.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e presidentes Osmani:

Me dhimbje të thellë pranova lajmin për ikjen e hershme të producentes së filmave, znj.Vjosa Berisha.

Ajo ishte jo vetëm një profesioniste e shquar, por edhe model i gruas së guximshme e stoike, ndaj e tillë do të mbetet në kujtesën tonë.

Kontributi i saj në industrinë e filmit është i çmuar. Ajo la  pas një festival filmi, të cilin e bashkëthemeloi dhe i cili do të mbetet simbol me të cilën do ta kujtojmë përherë.

Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor!

Në këto çaste të vështira për ju, bashkëndjej me Familjen Berisha!

I përhershëm qoftë kujtimi për znj.Vjosa Berisha! / KultPlus.com

Presidentja Osmani takon Kancelarin e Austrisë Karl Nehammer: Austria mbështet me ngulm liberalizimin e vizave dhe integrimin evropian të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Bruksel, ka takuar kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer me të cilin ka biseduar për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Gjatë takimit me kancelarin e Austrisë, Presidentja Osmani ka falënderuar atë për mbështetjen e qartë të Austrisë pro liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. “Austria po luan rol të rëndësishëm për ta çuar përpara procesin e integrimit të Kosovës dhe vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor. Ne mbesim të përkushtuar në rrugëtimin tonë evropian”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po realizon takime me krerët e shteteve anëtare të BE-së në Bruksel, pas takimit të liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor të organizuar nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel./ KultPlus.com

Kryeministri i Irlandës takohet me presidenten Osmani, shpreh mbështetje të plotë për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së

Në selinë e Bashkimit Evropian (BE), është mbajtur sot Samiti BE-Ballkani Perëndimor ku 27 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane diskutuan me kolegët e tyre nga rajoni mbi sfidat, me të cilat përballen së bashku, shkruan KultPlus.

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka mbajtur sot një fjalim të fuqishëm para liderëve ku me theks të veçantë foli për liberalizimin e vizave duke ju drejtuar shefave të BE-së: Unë jam e vetmja në tryezë që duhet të marr vizë.

Gjatë ditës së sotme, presidentja e vendit u takua me shumë personalitete të cilët shprehen hapur përkrahjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kryeministri i Irlandës, Micheal Martin ndau edhe një fotografi me presidenten Osmani në rrjetet sociale duke theksuar mbështetjen e Irlandës për Kosovën në rrugëtimin e saj për tu bërë pjesë e familjes më të madhe në botë.

“Takim i ngrohtë dhe konstruktiv me presidentin e Kosovës, Vjosa Osmani. Përsëris mbështetjen e Irlandës për Kosovën në rrugëtimin e tyre si pjesë e familjes më të madhe evropiane”, ka shkruar kryeministri Martin. / KultPlus.com

Gazetari i njohur gjerman për presidenten Osmani: E qartë si kristali, argumentuese, e strukturuar, pozitive dhe e përsosur retorikisht

Gazetari i njohur gjerman Markus Preiss ka komentuar paraqitjen e presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili ka thënë nëpërmjet Twitter se kushdo që dëshiron të shoh se si bëhet një komunikim shumë i mirë politik, duhet ta shoh paraqitjen e sotme të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.

Markus Preiss është shef i studios së televizionit gjerman ARD në Bruksel. KultPlus ju sjell të plotë reagimin e tij.

«Kush dëshiron të shoh se si bëhet komunikimi shumë i mirë politik, duhet ta shoh paraqitjen e sotme të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor. E qartë si kristali, argumentuese, e strukturuar, pozitive dhe e përsosur retorikisht»./ KultPlus.com

Presidentja Osmani ne Bruksel: Kosova është gati, ka ardhur koha për vendime të guximshme nga BE

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot gjendet në Bruksel ku po zhvillohet takimi mes liderëve të shteteve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Presidentja Osmani në këtë takim mbajti një fjalim mjaft të rëndësishëm për vendin tonë të cilin KultPlus ju sjellë të plotë:

Shkëlqesi,

Të nderuar kolegë,

Kontinenti ynë është në një gjendje të jashtëzakonshme, kështu që nuk do të humbas shumë kohë për të arritur te pika kryesore. Ukraina është nën rrethim, me vlerat, liritë dhe mënyrën e saj të jetesës nën sulm. Ky është një sulm edhe ndaj nesh.

Dhe nëse dikush mendon se paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në Evropë është i mundur pa Ballkanin Perëndimor të integruar në strukturat euroatlantike, më duhet t’u them, si dikush që e ka përjetuar anën më të errët të luftës dhe shkatërrimit, se kjo nuk është e mundur.

Nuk kam ardhur këtu për deklarata boshe politike, por me qëllimet më të mira për të folur për pasojat për të gjithë kontinentin tonë poqëse integrimi i Ballkanit Perëndimor do të vonohej më tej.

Lufta në Ukrainë shënon më shumë se një pikë kthese për kontinentin tonë. Ajo ka ripërcaktuar të ardhmen tonë. Ajo duhet të jetë një shtysë për veprim të përshpejtuar nga BE-ja, ndaj atyre shteteve që synojnë të anëtarësohen, dhe më e rëndësishmja, atyre shteteve që përkasin këtu.

Ka shumë dimensione të asaj që po ndodh në Ukrainë që ndryshojnë nga rasti i Kosovës, por në fund të fundit, mendoj se janë dy gjëra që vërtet nxjerrin në pah ngjashmëritë e përvojave tona. Së pari dhe më kryesorja është vuajtja e jashtëzakonshme njerëzore, përballë një lufte brutale gjenocidale kundër një populli liridashës. Dhe e dyta është mbështetja nga bashkësia ndërkombëtare. Uniteti juaj sot më kujton vendosmërinë e komunitetit ndërkombëtar për të ardhur në shpëtimin tonë në vitin 1999.

Populli i Kosovës e di se si është të luftosh edhe kur fitorja mund të duket e pamundur, ndaj për këtë arsye ne qëndrojmë me popullin e Ukrainës sot, si ndër vendet e para që u bashkuan me sanksione kundër Rusisë dhe ofruam mbështetjen tonë për refugjatët.

Ka një rrugë për në Moskë dhe një rrugë për në Bruksel – këto rrugë nuk kryqëzohen dhe janë më larg se kurrë. Nga ky këndvështrim, satelitët rusë në rajonin tonë nuk duhet të tolerohen e aq më pak të akomodohen.

23- vjet pas luftës gjenocidale të Millosheviqit, Kosova është një demokraci dinamike dhe që kur institucionet tona të reja morën detyrën pranverën e kaluar, ne kemi forcuar sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike.

Të dashur kolegë,

Politika fillon dhe mbaron tek njerëzit. Prandaj është jam e vendosur që jo vetëm ta përfaqësoj më së miri zërin e qytetarëve të mi këtu sot, por edhe të siguroj që ne ta përmirësojmë jetën e tyre për më mirë.

Pavarësisht progresit të jashtëzakonshëm, populli i Kosovës dëshiron më shumë mundësi dhe përparim. Ata dëshirojnë një regjim pa viza, për të parë, ndjerë dhe përjetuar Evropën.

Dua të flas sërish këtu për rëndësinë e jashtëzakonshme të liberalizimit të vizave, me shpresën se këtë herë vërtetë, do të na dëgjoni.

Kjo thjesht ka shkuar shumë larg. Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej 4 vitesh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë.

Ironia është që ne jemi këtu si anëtarë të barabartë të komunitetit ndërkombëtar, duke diskutuar agjendën evropiane, por sigurisht që unë ulem mes jush sot këtu si i vetmi person – i vetmi person – në këtë tryezë që duhet të marrë një vizë për të marrë pjesë në këtë samit.

Për t’i vënë gjërat në perspektivë, ka liberalizim të vizave për vendet e largëta si Venezuela, por qytetarët e Kosovës që jetojnë në një distancë të shkurtër me makinë, që jetojnë në fqinjësinë tuaj, nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Kjo është një padrejtësi e madhe. Kosova ka bërë pjesën e saj, tani është radha juaj.

Vetë ekzistenca e BE-së dhe vlerat që ajo përfaqëson janë të pazëvendësueshme. Por vlerat në rajonin tonë, pa një perspektivë të qartë, jo vetëm rezultojnë të jenë politikisht të paqëndrueshme dhe të pambrojtura, por edhe vetë këto vlera rrezikojnë të zhvleftësohen.

Mosintegrimi i vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor përbën një kërcënim të madh sigurie për të gjithë Evropën, pasi që e lë rajonin të pambrojtur ndaj akterëve dhe kërcënimeve malinje.

Besoj se të gjithë që janë ulur këtu e mbajnë mend qartë dhe pajtohen se anëtarësimi i Kroacisë dhe Sllovenisë në BE vetëm sa e forcoi pozitën e BE-së. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë në NATO vetëm sa e forcoi paqen dhe stabilitetin rajonal, nuk e dobësoi atë.

Kosova nuk është vetëm në cep të Evropës. Ajo është dhe do të jetë gjithmonë në zemër të Evropës. Ballkani Perëndimor nuk është një fqinjësi e thjeshtë, është një pjesë e natyrshme e Evropës – dhe një interes strategjik për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në këtë kontinent. Kjo është arsyeja pse këtë vit ne kemi vendosur të aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE dhe shpresojmë që mbledhja e radhës e Këshillit, ta mbështesë aplikimin tonë.

Pavendosmëria e Bashkimit Evropian ndaj rajonit tonë do të krijonte mundësi për Rusinë, diçka që asnjë lider i arsyeshëm në këtë sallë nuk duhet ta dëshironte. Kjo pavendosmëri gjithashtu do të çonte në zhgënjimin e qytetarëve, gjë që do t’i lejonte Rusisë të përforcojë narrativën e saj.

Ne llogarisim në udhëheqjen dhe vendosmërinë tuaj. Ne kurrë nuk do të largohemi nga rruga jonë euro-atlantike. Ne kurrë nuk kemi shikuar në drejtim tjetër dhe kurrë nuk do ta bëjmë.

Është koha për vendime të guximshme, e jo për gjysmë hapa, për sa i përket integrimit. Kosova dhe vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor meritojnë më mirë. Ne jemi këtu përkrah jush dhe jemi pjesë e kësaj familjeje. Na leni të hyjmë brenda!

Ju faleminderit! / KultPlus.com

Fotoja e Ibrahim Rugovës në Parlamentin Evropian, Osmani: Moment i veçantë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpërndarë një foto ku shihet ajo së bashku me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, duke shikuar një foto të ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Osmani po qëndron në Bruksel ku, me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, ajo do ta përfaqësojë Kosovën në takimin e krerëve të Bashkimit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor.

“Një moment i veçantë sot në Parlamentin Evropian.”, ka shkruar ajo në foton ku shihet së bashku me Metsolan duke e shikuar së bashku fotografinë. / KultPlus.com

Presidentja Osmani në Bruksel për takimin e liderëve të BE dhe Ballkanit Perëndimor, kërkon liberalizimin e vizave

Me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Bruksel, ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në takimin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit.

Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel ndër të tjera do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkërendimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe sfidat gjeostrategjike si rezultat i agresionit rus në Ukrainë.

Po ashtu gjatë vizitës në Bruksel, Presidentja Osmani do ta takojë presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, si dhe krerë tjerë shtetesh partnere të BE-së për ta rritur mbështetjen për rrugëtimin evropian të Kosovës. / KultPlus.com

Osmani për liberalizimin e vizave: Shkoj me shpresë në Bruksel, por pa shumë pritshmëri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se niset me shpresë drejt Brukselit për Samitin e Bashkimit Evropian, ku pritet që të futet në rend të ditës çështja e liberalizimit të vizave.

Në një intervistë për mediumin holandez, NRC.nl, ajo ka thënë megjithatë se nuk pret shumë për këtë pikë.

“Unë çdo herë shkoj me shpresë, por pa shumë pritje. Le të shpresojmë se nuk do të ketë një zhgënjim të radhës”.

“Njerëzit nga Ukraina, Gjeorgjia dhe shtete të ndryshme të Amerikës Latine lejohet që të udhëtojnë lirshëm. Por unë – e vetmja – kam nevojë për vizë për ta përcjell samitin në Bruksel”, është shprehur Osmani.

“Është padrejtësi e madhe, diskriminim për një popull”.

Më tej ajo ka folur edhe për procesin e anëtarësimit në BE.

“Ne jemi gati dhe e meritojmë” ka thënë ajo. “Ne kemi kryer detyrat”, shprehet ajo duke iu referuar raporteve ndërkombëtare në të cilat shënohet përparimi mbi demokracinë, lirinë e medias dhe të të drejtave të njeriut./KultPlus.com

Osmani takohet me Çavuşoğlu, diskutohet për rritjen e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Turqisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, me të cilin zhvilluan një bisedë përmbajtësore dhe konfirmuam raportet e shkëlqyera ndërshtetërore.

Me ministrin Çavuşoğlu, Presidentja Osmani diskutoi për bashkëpunimin bilateral, në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, tregtisë dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm. 

Presidentja Osmani dhe ministri Çavuşoğlu, disutuan edhe për zhvillimet aktuale në rajon dhe në Evropë, me ç`rast, Presidentja Osmani potencoi se integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike parandalon ndikimin rus në rajon dhe tendencën për destabilizim.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se anëtarësimi i Kosovës dhe rajonit në strukturat euroatlantike është domosdoshmëri.

“E vlerësoj maksimalisht mbështetjen e qartë të presidentit Erdoğan ndaj anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Mbështetje të tillë nga Turqia na duhet edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka theksuar në takim Presidentja Osmani.

“Marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë strategjike dhe se ky shtet është ndër partnerët tanë kryesor në NATO. Komuniteti turk në Kosovë dhe mërgata e madhe shqiptare në Turqi janë urë e fortë ndërmjet dy shteteve”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve, sipas Presidentes Osmani kanë potencial të thellohen edhe mëtej, posaçërisht në fushën e investimeve, si dhe duke rritur eksportin e Kosovës në Turqi. /KultPlus.com

Osmani takohet me Kovacevskin, diskutohet për BE-në

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski, me të cilin  diskutuan për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në mes të dy vendeve dhe përafrimit të qytetarëve të të dy shteteve.

“Raportet tona të shkëlqyera ndërshtetore janë inkurajuese në një kohë përcaktuese për kontinentin tonë. Si Kosova, ashtu edhe Maqedonia e Veriut e kanë vendin në Bashkimin Evropian, prandaj presim që vendet anëtare të BE-së ta përkrahin perspektivën dhe vendosmërinë tonë të qartë”, ka theksuar pas takimit Presidentja Osmani.

Ndryshe, Presidentja Osmani po merr pjesë në Forumin e Prespës për Dialog me ftesë të Presidentit Pendarovski. Forumi me temën: Formësimi i të ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore evropiane të sigurisë, mbyllë punimet sonte.

Osmani: Nëse liberalizimi i vizave ndodh më 23 qershor ose jo është vullnet i shteteve anëtare

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, por thotë se nuk e di nëse kjo do të ndodhë më 23 qershor ashtu siç paralajmëroi homologu i saj serb Aleksandar Vuçiq.

Ajo thotë se vendimi për t’ia hequr vizat kosovarëve varet nga vullneti individual i shteteve anëtare të BE-së, njofton Klankosova.tv.

“Asnjë arsye që ky proces të bllokohet nuk ka dhe nuk ka pasë as këto katër vite. Do të vazhdojmë të punojmë intensivisht me shtetet anëtare deri në momentin që të merret një vendim që t’i vihet fundi kësaj padrejtësie të madhe dhe të thellë ndaj popullit të Kosovës. Nëse kjo do të ndodhë më 23 qershor, apo në ndonjë datë tjetër, është vullnet individual i shteteve anëtare të BE-së, që shpresojmë se do ta shprehin pro liberalizimit sa më parë të jetë e mundur. Ka akoma disa shtete nga të cilat po presim përgjigje përfundimtare, prandaj do të varet shumë prej qëndrimit të tyre në javët në vijim e sidomos në samitin që mbahet më 23 qershor”.

E para e shtetit konfirmoi se për liberalizimin e vizave janë në kontakt me të gjitha shtetet anëtare të BE-së veç e veç.

“Ka një kohë të gjatë që punojmë intensivisht për të trajtuar çfarëdo lloj pyetje apo shqetësimi që ndonjëri nga shtetet mund ta ketë. Dua ta rikonfirmoj se Kosova vërtet i ka plotësuar të gjitha kriteret, që disa vite tashmë, dhe këtë plotësim të kritereve e ka rikonfirmuar Komisioni Evropian disa herë dhe po ashtu është rikonfirmuar nga Parlamenti Evropian me më shumë se 2/3 e votave në disa votime rradhazi dhe së fundmi edhe vetë rezoluta e Parlamentit Evropian, dje, dëshmoi se është vullnet i PE-së sërish që të gjitha shtetet anëtare ta përkrahin liberalizimin e vizave”./ KultPlus.com

Osmani kërkoi nga Schallenberg mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Presidentja Osmani priti në takim ministrin e jashtëm të Austrisë, Alexander Schallenberg

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e jashtëm të Republikës së Austrisë, Alexander Schallenberg.

Në takim, Presidentja Osmani ka diskutuar me ministrin Schallenberg për angazhimin e Kosovës në rrugën evropiane të saj.

Presidentja ka theksuar se Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizim vizash, ndaj sipas saj, i takon BE-së që ta mbajë premtimin në raport me popullin e Kosovës.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen austriake jo vetëm për këtë çështje, por edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Gjatë diskutimit për zhvillimet në raport me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, Presidentja Osmani ka deklaruar se qëndrimi i Kosovës është plotësisht në përputhje me BE-në, SHBA-të dhe të gjitha vendet demokratike.

Kurse për dialogun Kosovë-Serbi, Presidentja Osmani ka theksuar se ai duhet të përqendrohet në njohjen reciproke.

“Kosova është palë konstruktive në këtë proces dhe rendi kushtetues, sovraniteti dhe kufijtë aktualë janë të panegociueshëm”, ka thënë Presidentja Osmani.

Në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërshtetërore, në të cilën dy palët shprehën gatishmëri për thellimin e tyre, në fushën e politikës së jashtme, arsimit, shkëmbimit tregtar, si dhe fusha të tjera të interesit reciprok./ KultPlus.com

E njohur për foton e veçantë në ‘Times’, Sherifa Luta e ftuara kryesore në manifestimin për Ditën e Çlirimit

Gruaja nga Kosova, Sherife Luta, përmes një fotografie të shpërndarë në median e njohur botërisht “TIMES”, u bë personifikimin i vuajtjeve të refugjatëve kosovarë, shkruan KultPlus.

Presidentja Vjosa Osmani, e ka takuar pas 23 viteve Lutën, e cila ishte e ftuara kryesore në manifestimin për Ditën e Çlirimit.

“23 vjet më parë, Sherife Luta u bë personifikim i vuajtjeve të refugjatëve kosovarë. 23 vjet pas, sot ajo ishte e ftuara ime kryesore në manifestimin për ditën e çlirimit.

Sherifja është personifikim i qëndresës së popullit dhe kujtesë e eksodit të dhunshëm të shkaktuar nga regjimi gjenocidal serb më 1999. Ajo është një nga gratë tona stoike, të cilat nuk u dorëzuan në luftë, siç nuk dorëzohen as sot në paqe!”, shkruan Osmani.

Presidentja Osmani: 23-vjet më parë, Prishtina e ndjeu lirinë, u realizua ëndrra e brezave për liri e pavarësi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu ka kujtuar 23 vjetorin e çlirimit të Prishtinës.

23-vjet më parë, Prishtina e ndjeu lirinë. Në kujtim të kësaj dite, përulemi para të gjithë atyre që ndihmuan dhe kontribuuan për lirinë tonë.

Vajzat dhe djemtë e UÇK-së nga njëra anë dhe paqeruajtësit e NATO-s nga ana tjetër, mundësuan realizimin e ëndrrës së brezave për liri e pavarësi.

Do ta kujtojmë përherë këtë ditë, duke nderuar të gjithë dëshmorët që ranë, duke e mirëmbajtur lirinë tonë dhe duke e forcuar Republikën çdo ditë e më shumë!  /KultPlus.com

Osmani : Qasja e Kosovës në institucionet dhe mekanizmat e Këshillit të Evropës është në interes të qytetarëve pa dallim

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në  Samitin e krerëve të shteteve të Evropës Juglindore ka folur për rolin e Republikës së Kosovës në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon, rëndësinë e bashkëpunimit bazuar në parimin e barabarësisë dhe gjithëpërfshirjes, si dhe për nevojën për ta përshpejtuar perspektivën euro-atlantike të Kosovës dhe vendeve të tjera demokratike të rajonit.

Në fjalimin e saj gjatë Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), Presidentja Osmani ka nënvizuar përparimin e Kosovës në zbatimin e reformave që kanë fuqizuar cilësinë e demokracisë dhe sundimin e ligjit.

Më pas Presidentja është ndalur edhe te agresioni ilegal dhe lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës dhe ka theksuar se e drejta e kombeve për të ekzistuar dhe për të qenë sovran ndodhet nën kërcënim.

“Përballë agresionit të Putinit kundër Ukrainës, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos i hapim dyert çfarëdo ndikimi keqdashës në rajonin tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani, duke nënvizuar se shtetet e rajonit duhet të kenë qëndrim unik në ndalimin e tendencave të Rusisë për destabilizimin e rajonit dhe në miratimin e sanksioneve kundër Rusisë.

Më tej, Presidentja Osmani para krerëve të shteteve pjesëmarrëse ka përsëritur domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Qasja në institucionet dhe mekanizmat e Këshillit të Evropës, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është mbi të gjitha në interes të qytetarëve të Kosovës, të të gjitha përkatësive etnike, fetare apo të tjera. T’i thuash jo anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, është t’i thuash jo të drejtave të njeriut për qytetarët tanë”, ka thënë Presidentja Osmani. Në këtë kuadër, ajo ka përmendur përjashtimin e padrejtë të Kosovës nga procesi i liberalizimit të vizave.

“Disa nga mendjet tona më të ndritura, nga studentët e deri te doktorantët,  studiuesit apo gazetarët hulumtues, humbasin ditën e tyre të orientimit, ditën e diplomimit, mbrojtjen e doktoratës ose një ngjarje me rëndësi profesionale për shkak të mungesës së vizës, për shkak të ngarkesës së ambasadave ose për shkak të mungesës së mundësisë për të rezervuar termin për aplikim për vizë”, ka theksuar Presidentja Osmani, duke e cilësuar këtë si një padrejtësi për popullin e Kosovës dhe duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që urgjentisht të liberalizojë vizat për vendin tonë.

Në darkën e përbashkët me kancelarin Scholz, Presidentja Osmani e falënderoi Kancelarin për mbështetjen e madhe të Gjermanisë si dhe qëndrimet e qarta të qeverisë së tij për të ardhmen euro-atlantike të vendit tonë. Në anën tjetër, kancelari Scholz potencoi rëndësinë e përshpejtimit të procesit të anëtarësimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian dhe fuqizimin e Procesit të Berlinit.

Gjatë Samitit të vendeve të Evropës Juglindore, Presidentja Osmani ka realizuar takime me presidentin e Sllovenisë Borut Pahor dhe kryeministrin e Kroacisë Andrej Plenković. Presidentja Osmani ka falënderuar Slloveninë dhe Kroacinë për mbështetjen e dhënë për integrimin euro-atlantik të Kosovës, ndërkaq ka diskutuar për përkrahjen e këtyre shteteve në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.

Përgjatë samitit, Presidentja Osmani po ashtu bashkëbisedoi me kryetarin e Këshillit të BE-së Charles Michel, kryesuesin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës Šefik Džaferović, kryeministrin e Maqedonisë se Veriut Dimitar Kovačevski dhe kryeministren e Moldavisë Natalia Gavrilița.

Në këto takime, Presidentja Osmani theksoi nevojën për përshpejtimin e integrimit të shteteve të rajonit në institucionet euro-atlantike dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët. /KultPlus.com

Presidentja Osmani: Kosova është e bekuar me mbështetjen nga Kancelari Scholz

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka qenë e pranishme në darkën e punës në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që po mbahet në Selanik të Greqisë, e ku po merr pjesë edhe kancelarit Olaf Scholz, shkruan KultPlus.

“Kosova është e bekuar me mbështetjen nga Kancelari Scholz dhe miqësinë me Republikën Federale të Gjermanisë. 🇽🇰🤝🇩🇪”, ka shkruar presidentja Osmani duke publikuar edhe fotografitë e kësaj darke, ku shihet pranë kancelarit Olaf Scholz, i cili vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.

Në Samitin e  SEECP në Selanik presidentja Osmani do të flasë edhe për rolin që Republika e Kosovës po luan në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon; rëndësinë e bashkëpunimit rajonal duke u bazuar në parimet e barabarësisë dhe gjithëpërfshirjes, si dhe për nevojën për ta përshpejtuar perspektivën euro-atlantike për Kosovën dhe vendet e tjera demokratike në rajon./ KultPlus.com

Presidentja Osmani takoi kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis: Kosova dhe Greqia intensifikojnë raportet bilaterale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani -Sadriu, është pritur sot në takim nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në kuadër të Samitit të krerëve të shteteve të Evropës Juglindore (SEECP).

Në takim me nikoqirin e Samitit të SEECP-sw, kryeministrin Mitsotakis, Presidentja Osmani ka vlerësuar ngritjen e vazhdueshme të raporteve në mes të Kosovës dhe Greqisë dhe takimet e shtuara në mes liderëve të dy vendeve tona. “Ekonomia, tregtia e turizmi janë disa nga fushat më të rëndësishme në fokus të bashkëpunimit kosovaro-grek, për të cilat si krerë shtetëror po punojmë bashkërisht që t’i avancojmë, për t’i përafruar edhe më shumë dy popujt tanë dhe bizneset tona”, ka thënë Presidentja Osmani, duke përmendur gatishmërinë e Kosovës që t’i thellojë tutje marrëdhëniet me Greqinë.

Presidentja Osmani dhe kryeministri Mitsotakis kanë biseduar edhe për luftën ilegale dhe të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, dhe nevojën që demokracitë të qëndrojnë të bashkuara karshi sfidimit të vlerave euro-atlantike. Presidentja Osmani ka nënvizuar nevojën për vëmendje të partnerëve euro-atlantik për rajonin tonë, sidomos ndaj veprimeve që kanë për qëllim të destabilizojnë stabilitetin dhe paqen e fituar me mund në rajonin tonë./ KultPlus.com

Osmani: Lidhja Shqiptare e Prizrenit është frymëzim i përhershëm për emancipimin tonë kombëtar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në 144 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, ka thënë Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historisë tonë mbarëkombëtare.

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historisë tonë mbarëkombëtare. Ky kuvend historik për kombin, nëpërmjet organizmit gjithëkombëtar politik dhe luftarak, paraqet organizim kulmor për çlirimin e trojeve shqiptare dhe mbrojtjen e tyre nga çdo kërcënim dhe pretendim i vendeve fqinje.

Kjo Lidhje parqet bashkimin më të madh të shqiptarëve pas Kuvendit të Lezhës, ndaj sot në 144 vjetorin e saj, kujtojmë me respekt ideologët e saj si: Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi e të tjerë, të cilët arritën unitetin e faktorit shqiptar, i cili është i nevojshëm edhe sot e kësaj dite.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit është frymëzim i përhershëm për emancipimin tonë kombëtar, konfirmimin e orientimit tonë evropian, si dhe referencë e fuqishme në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë.

Ngjarjet e tilla historike sikur kjo na bëjnë të reflektojmë ndaj të kaluarës sonë, duke ecur përpara dhe duke gjetur forcën njësoj sikur dikur që në funksion të mbrojtjes së kombit e atdheut, të gjithë të jemi një”, ka shkruar presidentja Osmani. /KultPlus.com