Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias.
Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova dhe Greqia ndajnë të njëjtat vlera euroatlantike, ndaj ka kërkuar mbështetjen greke për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe dhe NATO, si një garanci jo vetëm për shtetin e Kosovës, por edhe për rajonin.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përmendur rrezikun nga tendencat destabilizuese të Rusisë në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi, nëpërmjet Serbisë si satelit i saj.
Një pjesë e takimit iu kushtua zhvillimeve të krijuara pas agresionit të Rusisë në Ukrainë. Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së ndaj Rusisë, duke shprehur mbështetje për popullin ukrainas dhe duke bërë me dije se tashmë Kosova ka strehuar një grup të gazetarëve nga ky shtet, sikurse që është e hapur edhe për strehimin e refugjatëve të tjerë.
Në takim me ministrin Dendias, Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit të mëtejmë, me shpresën që së shpejti do të formalizohet vendimi për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Greqia.
Ndër të tjera, në takim me ministrin Dendias, Presidentja Osmani ka potencuar edhe nevojën për rritjen e shkëmbimit tregtar e ekonomik, si dhe bashkëpunimin në politikën e jashtme, turizëm, kulturë si dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm./ KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në nisjen e Javës së Krenarisë nëpërmjet sloganit “Edhe n’shtet, edhe n’familje”, ka thënë që Qeveria e Kosovës është duke punuar në krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë pa dallime.
Tutje Osmani ka thënë që barazia asnjëherë nuk guxon të jetë selektive dhe se ajo duhet të vlejë për të gjithë.
“Stigmatizimi vazhdon të jetë prezent në shoqërinë tonë. Problemet janë pothuajse identike në vendin tonë e rajonin tonë e deri te kontinenti amerikan e aziatik. Në këto rrethana kemi shansin të bëjmë dallimin, se kuptojmë më mirë se deri tani, se duam më mirë se deri tani dhe se ne dashurojmë pa dallim. Sukseset nuk i arrijmë me kërcënime e gjuhë të pa pranueshme ndaj secilës palë. Kjo është mënyra jonë e vetme për ta luftuar stigmën”, ka thënë Osmani.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha se duhet të kemi respekt reciprok ndaj njëri-tjetrit dhe të mos diskriminim pavarësisht gjinisë apo orientimit seksual.
“Ndonëse kemi shënuar progres në ndërtimin e një sistemi të mirëfilltë demokratik jam plotësisht e vetëdijshme për sfidat që kemi, andaj angazhimi për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut duhet dhe do të mbetet përkushtim i përhershëm i institucioneve tona…Ftoj të gjithë përfaqësuesit e institucioneve që të jenë në shërbim të kauzave të përbashkëta për respektimin dhe avancimin e të drejtave të njeriut”, tha Haxhiu.
Ambasadori i SHBA-së Jeff Hovenier ka thënë se pavarësisht progresit të arritur, ka ende shumë punë për të bërë për avancimin e të drejtave të komunitetit LGBTQI+.
“Ne jemi mbledhur këtu që të shënojmë dhe kremtojmë fuqizimin e diversitetit në Kosovë, si dhe të njihet kontributi i personave nga komuniteti LGBTQI+ këtu në Kosovë si dhe në gjithë botën, dhe derisa ne shënojmë progresin e arritur në SHBA, Kosovë dhe vendet e tjera në botë, ne po ashtu mbetemi në dijeni se mbetet edhe shumë për të bërë për të avancuar dhe fuqizuar të drejtat e njeriut për komunitetin LGBTQI+”, ka thënë ai.
Ndërsa, Tomas Szunyog, ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë, ka theksuar se komuniteti LGBTQI+ vazhdon të përballen me sfida për shkak të orientimit të tyre seksual.
“Çështja e komunitetit LGBTQI+ është një proces kompleks. Kjo është një eksperiencë nëpër të cilën kalon BE. Të drejtat e personave të komunitetit LGBTQI+ janë në mbrojtje të ligjeve të vendeve të Bashkimit Evropian, por ata ende përballen me sfida për shkak të orientimit të tyre seksual ose identitetit gjinor. Parada e krenarisë në Kosovë është mbajtur për pesë vjet deri më tash dhe nuk ka pasur asnjë incident dhe ne jemi të lumtur të shohim këtë trend”, ka thënë ai.
Arbër Nuhiu, drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) ka ngritur shqetësime rreth debatit për draft kodin civil, ku ai tha se është përdorur gjuhë fyese ndaj komunitetit LGBTQI+.
“Një çështje tjetër që ka ndodhur dhe është shumë shqetësuese është gjuha e përdorur nga disa deputetë gjatë seancës së Parlamentit të Kosovës, më 16 mars kur i gjithë debati për draft kodin civil u kufizua në një paragraf që nuk rregullon asgjë. Ajo ishte gjuhë urrejtjeje dhe më së shumti gjuhë e gërditshme. Kuvendi i Kosovës lejoi që të një pjesë e qytetarëve të Kosovë të fyhen. Është dëshpëruese që askush nuk ka reaguar”, tha ai.
Ndryshe, Java e Krenarisë synon të ngritë vetëdijen kolektive dhe dukshmërinë e orientimeve të ndryshme seksuale dhe identiteteve të ndryshme gjinore në shoqërinë kosovare, të adresojë çështje të situatës aktuale të personave LGBTQI+ dhe të luftojë diskriminimin. / KultPlus.com
Bajram Begaj është zgjedhur sot president i ri i Shqipërisë, shkruan KultPlus.
Menjëherë pas zgjedhjes së tij si president ai është përgëzuar për postin e ri nga figura të njohura politike.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes rrjeteve sociale ka uruar presidentin e ri të Shqipërisë, duke shkruar se do të punojnë për thellimin edhe më tej të marrëdhënieve vëllazërore.
“Urime të përzemërta për presidentin e sapozgjedhur të Shqipërisë, z. Bajram Begaj! Ju uroj suksese në rolin tuaj të ri dhe shumë të rëndësishëm. Së bashku do të punojmë që raportet vëllazërore ndërmjet Kosovës e Shqipërisë t’i thellojmë edhe më tej, si dhe t’i sjellim vendet tona më afër BE-së”, ka shkruar Osmani. /KultPlus.com
Sot i është dhënë lamtumira e fundit ish-presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani i vdiq pak ditë më parë, përcjell KultPlus.
E pranishme në këtë ceremoni ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo përmes një postimi në Facebook, e cilëson Nishanin si një president që u kujdes që kosova të mbahet lart në agjendën e tij shtetërore.
Në vijim gjeni postimin e plotë të presidentes Osmani:
Sot ia dhamë lamtumirën e fundit ish-Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishanit, i cili u nda nga jeta ditë më parë.
Në emër të qytetarëve të Kosovës u përkulëm para arkëmortit të Presidentit, shtetarit të paepur, njeriut të urtë e dinjitar, qytetarit të ndershëm e atdhetarit të përkushtuar.
Ai u angazhua tërë jetën për shtetin e kombin shqiptar. Si President i Shqipërisë, ai u kujdes gjithnjë që Kosova të mbahet lart në agjendën e tij shtetërore.
Populli i Kosovës dhe institucionet e saj do ta kujtojnë përherë me mirënjohje të thellë.
I përjetshëm kujtimi për Presidentin Nishani!./ KultPlus.com
Sot, në mbarë botën shënohet 1 Qershori, dita ndërkombëtare e fëmijëve. Me këtë rast, presidentja e Vjosa Osmani ka uruar fëmijët në Kosovë por edhe në mbarë botën.
Osmani në një postim në Twitter ka shkruar se fëmijët janë dhurata më e madhe për të gjithë.
Presidentja tutje ka shkruar se fëmijët janë e ardhmja dhe pasuria jonë kombëtare, derisa ka bërë thirrje që ata të mbrohen e të edukohen.
“Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, të gjithë fëmijëve në Kosovë dhe në mbarë botën. Ju vazhdoni të na frymëzoni çdo ditë dhe jeni dhurata më e madhe nga të gjitha. Ju jeni e ardhmja dhe pasuria jonë kombëtare. Të gjithë fëmijët duhet të mbrohen, të mbështeten, të edukohen dhe t’u jepet mundësia për të shkëlqyer”, ka shkruar Osmani.
Happy #InternationalChildrensDay to all the children in and around the world. You keep inspiring us every day and you’re the greatest gift of all. You are our future & our national treasure. All children must be safeguarded, supported, educated & given opportunities to shine. https://t.co/JSge0myKlB
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Samitit për Demokraci të Evropës Juglindore me temë: “Lufta në Evropë: ndikimi në Ballkan”, të organizuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan i ShBA-ve, që po mbahet në Mal të Zi, ka mbajtur sot një fjalim të fokusuar në ndryshimin e arkitekturës së sigurisë në Evropë si pasojë e luftës në Ukrainë dhe implikimet e këtyre zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor.
Presidentja Osmani ka theksuar se lufta barbare dhe e paprovokuar e Rusisë kundrejt Ukrainës po e ripërcakton jo vetëm të ardhmen e Evropës.
“Pavarësisht përparimit të madh që kemi arritur si shtet dhe si rajon, të gjithë ne sot duhet ta kujtojmë që kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë janë gjithnjë aktive”, ka theksuar Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani, kjo dëshmohet me përpjekjet e Rusisë që nëpërmjet sateliteve të saj ta destabilizojë Kosovën, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi.
Prandaj, sipas Presidentes Osmani, BE-ja duhet të jetë e qartë, azhure dhe e guximshme. “Rajonit tonë dhe popullit tonë i nevojitet garanci sa i përket perspektivës së integrimit. Na duhen vepra, jo fjalë. Na duhet qartësi dhe një udhërrëfyes konkret i rrugës së mëtejme. Vendet e rajonit tonë, përveç njërit, e kanë të qartë vizionin e tyre për të ardhmen: synimi ynë është anëtarësimi në BE sepse besojmë në vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE-ja”, ka potencuar Presidentja Osmani.
Më tej, Presidentja Osmani ka thënë se vlerat e BE-së janë të mishëruara në ADN-në e shoqërisë kosovare dhe se “rruga e integrimit evropian shërben si udhërrëfyes për zhvillimin tonë institucional dhe qeverisjen e përditshme”. Në fjalimin e saj, Presidentja Osmani ka theksuar se zvarritja e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, do të krijojë terren të përshtatshëm në mënyrë që aktorët malinj ta rrisin ndikimin e tyre në rajon.
“Nuk guxojmë t`i mbyllim sytë ndaj asaj që shihet: kjo nuk është vetëm një luftë e Rusisë kundër Ukrainës, ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë kundër të gjithë arkitekturës së sigurisë së kontinentit tonë dhe përplasje midis vlerave demokratike nga njëra anë, me ambiciet hegjemoniste të agresorëve nga ana tjetër. Është gjithashtu një përpjekje e drejtpërdrejtë për ta sulmuar dhe minuar çdo gjë që ka ndërtuar përgjatë historisë aleanca transatlantike”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka shtruar domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO. “Aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO nuk janë vetëm deklarim politik. Anëtarësimin në NATO, duke filluar me Partneritetin për Paqe, e shohim nga këndi i sigurisë dhe ju ftojmë të gjithë ta bëni njësoj. Anëtarësimin në NATO e shohim si garancën më të mirë për paqen afatgjate dhe të qëndrueshme në rajon”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Sipas Presidentes Osmani lufta e para dy dekadave në Kosovë i ka bërë kosovarët ta kuptojnë më së miri luftën që po zhvillohet sot në Ukrainë.
“Kosova menjëherë dhe në tërësi i ka vendosur sanksione Rusisë bashkërisht me BE-në, ShBA-të dhe vendet demokratike. Gjithashtu kemi hapur dyert për refugjatët dhe gazetarët, mu sikurse shumë nga ju bëtë për popullin tim në fund të viteve të 90-ta. Ne jemi të gatshëm të bëjmë dhe të japim edhe më shumë po që se është nevoja”, tha Presidentja Osmani.
“Republika e Kosovës është e gatshme sikurse çdo herë ta luajë rolin e saj për sigurinë, avancimin dhe ruajtjen e paqes e sigurisë në rajon e më gjerë”, ka përmbyllur fjalimin e saj, Presidentja Osmani.
Përveç Presidentes Osmani, në këtë Samit, kanë folur edhe: kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, zëvendëkryeministrja, njëherësh ministrre për çështje evropiane e Malit të Zi, Jovana Maroviq, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bojan Marichikj, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, i ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si dhe ambasadorë, ministra e zëvendësministra nga rajoni dhe organizata ndërkombëtare. / KultPlus.com
Në përvjetorin e ndarjes nga jeta, presidentja Vjosa Osmani i është bashkuar familjes Biden për ta kujtuar të ndjerin Beau Biden dhe kontributin e tij për një sistem gjyqësor të pavarur dhe profesional, si dhe për ta forcuar sundimin e ligjit.
“Populli i Kosovës mbetet përjetësisht mirënjohës për shërbimin fisnik, punën dhe përkushtimin e të ndjerit Beau Biden, si dhe të grave dhe burrave të tjerë të shërbimit amerikan të cilët i ndihmuan Kosovës drejt pavarësisë dhe lirisë të cilën e gëzojmë sot”, ka thënë presidentja Osmani.
Vitin e kaluar, presidentja Osmani i ka ndarë Beau Biden Medaljen Presidenciale për Sundim të Ligjit për kontributin e tij në këtë fushë gjatë shërbimit të tij në Kosovë.
Përmes një video-mesazhi presidenti amerikan Joe Biden i ishte drejtuar pjesëmarrësve të ceremonisë. / KultPlus.com
Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka vdekur, shkruan KultPlus.
Për këtë ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila është shprehur thellësisht e pikëlluar për këtë lajm.
“Presidenti Bujar Nishani ishte model i atdhetarit të pashoq, i cili përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet të lartë dhe përkrahu Kosovën parreshtur, deri në frymën e fundit. Ai një jetë të tërë ia kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke qenë shembull i politikanit racional e me integritet. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime familjes Nishani si dhe miqve e bashkëpunëtorëve! Shpirti i Presidentit Nishani pushoftë në paqe!”, shkruan Osmani. /KultPlus.com
Irfete Spahiu është dekretuar për herë të parë në histori të Kosovës dhe ushtrisë së saj, me gradën gjeneralmajore dhe inspektore gjenerale në FSK, shkruan KultPlus.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Spahiu është një ndër shtyllat e FSK-së, pasi e ka dekretuar si gjeneralmajore.
“FSK-ja po forcohet dhe profesionalizohet vazhdimisht. Vendosja e grave në pozita drejtuese do ta bëj ushtrinë tonë më të fortë, më të besueshme dhe më profesionale. Pata nderin sot që gjeneral brigade Irfete Spahiun ta dekretoj me gradën gjeneralmajore dhe inspektore gjenerale në FSK”, thotë Osmani.
Presidentja gjithashtu ka thënë se duhet bërë edhe më shumë që sa më shumë gra të përfshihen në përbërjen dhe udhëheqjen e FSK-së. /KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngushëlluar për 19 nxënësit dhe dy arsimtarët që u vranë dje në një shkollë fillore në shtetin e Teksasit në SHBA.
Ajo përmes një postimi në Twitter ka thënë se populli i Kosovës ndan dhimbjen me popullin amerikan.
“Të thyer nga lajmi për të shtënat në një shkollë në Teksas. Ngushëllimet tona për familjet e fëmijëve dhe të rriturve, jetët e të cilëve u morën padrejtësisht. Ne ndajmë dhimbjen e popullit amerikan dhe bashkëndiejmë me miqtë tanë në këtë kohë”.
Në nderim të viktimave, ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka ulur sot flamurin në gjysmështizë, pasi presidenti amerikan Joe Biden ka urdhëruar që flamujt e institucioneve amerikane të ulen në gjysmështizë.
Nxënësit dhe arsimtarët u qëlluan nga një 18-vjeçar në shkollën fillore Robb, në qytetin Uvalde. Sulmuesi u vra nga forcat e sigurisë, thanë zyrtarët.
Hetuesit thanë se sulmuesi kishte qenë i armatosur me një pistoletë, me një pushkë gjysmë-automatike të llojit AR-15 dhe kishte pasur karikatorë me kapacitet të lartë. Adoleshenti dyshohet se fillimisht ka qëlluar gjyshen e tij dhe më pas ka vazhduar sulmin. Mediat lokale raportuan se ai mund të ketë qenë nxënës i një shkolle të mesme në atë zonë.
Shefi i policisë për qarkun e pavarur të shkollës Uvalde, Pete Arredondo, tha se të shtënat kishin filluar në orën 11:32 sipas kohës lokale gjatë së martës dhe hetuesit besojnë se sulmuesi ka “vepruar i vetëm gjatë këtij akti të tmerrshëm”. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit Ilir Meta, sot ka udhëtuar për në Shqipëri ku do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë: Trendet aktuale të trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë konferencë, Presidentja Osmani do të jetë ndër folëset kryesore dhe në ekspozenë e saj do të flasë për trafikimin me qeniet njerëzore në kontekstin kosovar, rajonal dhe global.
Folës në këtë konferencë, përveç presidentit Meta dhe Presidentes Osmani, do të jenë edhe senatorë e kongresmenë amerikanë, përfaqësues të OKB-së, si dhe të organizatave joqeveritare që merren me luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore. /KultPlus.com
Në Ditën e Presidentit, në shenjë mirënjohjeje për kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në prani të zëvendësambasadorit të SHBA-ve, z. Nicholas Giacobe dhe përfaqësuesve të shoqatës “Vatra”, Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, e dekoroi z. Jim Xhema me Urdhrin e Lirisë.
Ai ishte dekoruar më parë edhe me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit nga presidenti historik, dr.Ibrahim Rugova. Në të njëjtën ceremoni, Presidentja Osmani dekoroi me Urdhrin dr. Ibrahim Rugova edhe z. Christopher Hyland.
Presidentja Osmani ka vlerësuar kontributin e të dekoruarve për afirmimin e çështjes së Kosovës ndër vite.
“Duke e rikthyer vëmendjen te miqtë e Kosovës e atdhetarët tanë përtej Oqeanit Atlantik, ne e ripërtërijmë edhe kujtimin për afirmuesin e madh të demokracisë, presidentin tonë, dr. Rugovën”, ka theksuar Presidentja Osmani në ceremoninë e ndarjes së dekoratave./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën e Presidentit, bashkë me ekipin e saj ka bërë homazhe te shtatorja e presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova.
“Në Ditën e Presidentit nderuam arkitektin e shtetit të pavarur të Kosovës, nismëtarin e jetës demokratike e të angazhimit plural politik, presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën. Në ditën e tij, të vendosur prej vetë atij, si shenjë përkujtimi e përjetësimi të zgjedhjeve të para demokratike në Republikën e shpallur të Kosovës, më 24 maj 1992, e nderuam presidentin Rugova për vizionin e tij, e rikujtuam madhështinë e veprës së tij dhe e ritheksuam peshën e tij në jetën tonë politike. Kjo ditë i kushtohet atij! Gëzuar, President!”, ka theksuar Presidentja në kujtim të kësaj dite.
Në Ditën e Presidentit, Presidentja Osmani pasdite do ta zhvillojë një vizitë në familjen e presidentit Ibrahim Rugova./KultPlus.com
Presidenti i Malit të Zi, Milo Đukanović dhe Presidentja Vjosa Osmani sot ishin të pranishëm në Teatrin Kombëtar të Kosovës me rastin e shënimit të Ditëve të komunitetit malazez në Kosovë.
“Faleminderit që i jeni bashkangjitur këtij aktiviteti përmes të cilin po shënojmë përmes artit dhe muzikës që do të nderojmë ditët e komunitetit malazez në Kosovë. Si një pjesë integrale e saj dhe një vlerë e çmueshme për demokracinë dhe shtetësinë tonë. Jemi të nderuar se kemi zotin president Gjukanoviq, jemi të gëzuar se këtë vizitë po e përmbyllim me frymën e promovimit të vlerave e të artit e të kulturës”, tha ajo.
Osmani iu ka premtuar përfaqësuesëve të komunitetit malazez se do të bahskëpunojë me ta.
“Sot, kemi në mesin tonë disa prej përfaqësuesve të komunitetit malazez dhe dua t’i them faleminderit, jam e vetëdijshme se edhe ju ballafaqoheni me sfida dhe jo çdo herë janë të lehta. Ju konfirmoj se do të bashkëpunojmë e të komunikojmë me ju”.
Tutje Osmani ka falënderuar delegacionet nga Kosova dhe Mali i Zi.
“Jam e sigurt se në muajt e vitet në vijim bashkëpunimi ynë me vendet e komunitetin malazez do të shtohet. Në fund dua të faleminderit delegacionet nga Kosova e Mali i Zi, Policinë e Kosovës, kabinetin tim e të gjithë ata që kanë shërbyer në mbarëvajtjen e vizitës”.
“Është nder u madh për mua që brenda vizitës 2 ditore të suksesshme sonte bashkë me presidenten Osmani të bëhem pjesë e këtij manifestimi solemn pe shënimin e ditëve të komunitetit malazez në Kosovë. Ne, sot jemi këtu që të flasim për kontributet e shumta të komunitetit malazez në Mal të Zi. Në periudhën e intensifikimit të marrëdhënieve të vendeve tona. Nuk mund të mos ta vërejmë inercionin e Ballkanit Perëndimor. Komuniteti malazez nga viti 81 ka pas pak mbi 21 mijë malazez, ku malazezet me arsye kanë qenë anëtar konstruktiv i territorit të Kosovës”, ka thënë presidenti i Malit të Zi.
“Marrëdhëniet cilësore do të qojnë deri të zgjidhja e statusit të malazezeve në Kosovë. Kjo është edhe rasti që të kujtojmë me krenari që në stuhinë e luftës mali i zi ka treguar aftësi që të ruaj paqen. Ne kemi vendosur për një sistem vlerash evropiane dhe kemi shkuar me vendosmëri në rrugën e integrimeve evropiane”, tha ai.
“Mali i Zi është një fqinj i përgjegjshëm i Kosovë, si dhe të kontribuojnë në perspektivën evropiane dhe euroatlantike, shfrytëzoj rastin që e ardhmja e Kosovës e fëmijëve të tyre të jetë e lidhur përjetësisht me vlerat evropiane”.
Presidenti i Malit të Zi ka theksuar se dëshiron që fëmijët e Kosovës të rriten në një vend që është i lidhur me vlerat evropiane./InLajmi/ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 23-vjetorin e Masakrës së Dubravës, në të cilën regjimi gjenocidal serb prej 19-24 maj 1999, vrau brenda burgut 160 të burgosur shqiptarë dhe plagosi 300 të tjerë.
Pllaka me emrat e të vrarëve e vendosur në hapësirën e Burgut të Dubravës do të jetë dëshmi e përhershme e egërsisë së regjimit gjenocidal serb, i cili mbajti padrejtësisht në burg shqiptarët, e më pas i ekzekutoi barbarisht. Ky krim makabër mbetet ende i pandëshkuar. Ka dëshmitarë të mbijetuar, ndaj drejtësia duhet ta bëj punën e vetë duke sjellë autorët e krimit para përgjegjësisë. Lufta jonë për liri dhe shtet do të vuloset kur drejtësia të vihet në vend për të gjitha krimet që ka bërë regjimi serb”, thuhet në përkujtimin e Presidentes Osmani. /KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Presidenti i Malit të Zi, Milo Đukanovićdo të marrin pjesë në aktivitetin kulturor të organizuar me rastin e shënimit të Ditëve të komunitetit malazez në Kosovë.
Ky aktivitet do të mbahet sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë me fillim nga ora 16:30.
Đukanovićudhëtoi më 18 maj në Prishtinë, me ftesë zyrtare nga Osmani. /KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka pritur në takim ambasadoren e Mbretërisë së Suedisë, Karin Hernmarck për të diskutuar zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajon dhe bashkëpunim në avancimin e agjendës së grave, paqes dhe sigurisë.
Ambasadorja Hernmarck e ka njoftuar Presidenten Osmani për vendimin e qeverisë suedeze për të aplikuar për anëtarësim në NATO, duke përmendur si shkas kërcënimin e sigurisë në Evropë pas agresionit rus në Ukrainë.
Presidentja e përgëzoi ambasadoren Hernmack për vendimin e marrë nga qeveria suedeze, duke theksuar se ky hap do të kontribuojë në garantimin e paqes dhe stabilitetit në kontinent dhe botë.
Më tej, Presidentja Osmani gjithashtu kërkoi mbështetjen e Suedisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke potencuar se Kosova është e përkushtuar që t’i bashkohet strukturave euro-atlantike./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vazhduar takimet dhe aktivitetet në vizitën zyrtare në Lituani, bashkë me udhëheqës institucionalë dhe akademikë në vend.
E shoqëruar nga ministrja e Punëve të Brendshme të Lituanisë, znj. Agnė Bilotaitė, Presidentja Osmani ka vizituar qendrën e regjistrimit për refugjatët e luftës, ku bashkëbisedoi me refugjatë ukrainas dhe me organizata humanitare të cilat po i dalin në ndihmë refugjatëve, shumica nga të cilët gra dhe fëmijë.
Presidentja ka përmendur përgjigjen efikase dhe njerëzore të shtetit dhe popullit lituanez ndaj popullit ukrainas dhe në këtë kontekst ka përmendur përvojën e ngjashme të popullit tonë para dy dekadash. “Populli i Kosovës e ka përjetuar ngjashëm tmerrin e luftës, gjenocidit dhe dëbimit me dhunë nga shtëpitë e tyre, prandaj u solidarizuam me ukrainasit, krah të cilëve janë bashkuar të gjithë popujt liridashës të botës”, ka thënë Presidentja Osmani.
Poashtu, Presidentja Osmani ka vendosur kurorë lulesh në kujtim të dëshmorëve të rënë në përpjekje për ta rikthyer lirinë dhe demokracinë në Lituani, duke kujtuar trimërinë e tyre, e cila hodhi themelet e Lituanisë së sotme liridashëse e demokratike.
Ndërkaq para një grupi akademikësh dhe studentësh të Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Shkencave Politike në Universitetin e Vilniusit, Presidentja Osmani ka diskutuar mbi mbrojtjen e demokracisë. Presidentja theksoi se lufta barbare dhe gjenocidale e Rusisë në Ukrainë është dëshmi se sistemi ndërkombëtar i bazuar në rregulla, liria dhe sovraniteti, si dhe vlerat tona të përbashkëta demokratike nuk duhen asnjëherë të merren si të mirëqena. “Si dy vende të cilat janë përballur gjatë me agresorë e tiranë, Lituania dhe Kosova do të vazhdojnë që ta forcojnë partneritetin dhe ta mbrojnë me çdo kusht lirinë, demokracinë dhe sovranitetin,” theksoi Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani gjithashtu ka vizituar qytetin Kaunas në Lituani i cili sivjet është kryeqyteti evropian i kulturës, ku është takuar me kryetarin e Komunës Visvaldas Matijošaitis dhe ka vizituar Muzeun Kombëtar të Artit ku janë shfaqur ekspozita të ndryshme, përfshirë edhe mbi mbijetesën e shtypjes në Kaunas./ KultPlus.com
Në përmbyllje të qëndrimit të saj në Washington D.C., Presidentja Osmani morri pjesë në darkën e shtruar nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesëve, Nancy Pelosi për nder të Takimit të Liderëve të Konferencës së Sigurisë së Mynihut.
Presidentja Osmani dhe Kryetarja Pelosi patën rastin të diskutojnë për gjendjen aktuale të sigurisë në Evropë e në veçanti edhe në Ballkan. Në këtë drejtim u potencua rëndësia e partneritetit e komunikimit të vazhdueshëm në të dy anët e Atlantikut për garantimin e paqes dhe stabilitetit.
Në darkë Presidentja Osmani pati rastin të takohet dhe me Kryeministrin e Bullgarisë, Kiril Petkov, Senatorin Bob Menendez, Senatorin Lindsay Graham, Kongresistin Gregory Meeks, si dhe zyrtarë e të ftuar të tjerë.
Presidentja Osmani qëndroi në Washington D.C. me ftesë të organizatorëve të Takimit të Liderëve të Konferencës së Sigurisë së Mynihut, me ç’rast ajo ishte edhe njëra nga folësit kryesor në diskutimin mbi bashkëpunimin transatlantik për sigurinë energjetike si dhe folësja kryesore në organizimin lidhur me rritjen e rolit të grave në politikë./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me liderë të tjerë botërorë, ka marrë pjesë në ceremoninë e Inaugurimit të Presidentit të Republikës së Kosta Rikës, Rodrigo Chaves.
Presidentja Osmani e ka uruar Presidentin Chaves në marrjen e detyrës së tij të re, duke i uruar suksese në përfaqësimin e popullit të Kosta Rikës.
“Pavarësisht distancës, partneriteti ynë është unik, i themeluar në shtyllat e miqësisë, e vlerave tona të demokracisë, sundimit të ligjit, lirisë e paqes. Tani, është detyra jonë e përbashkët, si të zgjedhurit e popujve tanë, që t’i përafrojmë shtetet tona edhe më shumë”, ka thënë Osmani. / KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po vazhdon vizitën e saj në Kosta Rika, ku edhe është takuar me Presidentin e ri të vendit, Rodrigo Chaves, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Osmani ka thënë se i çmonë marrëdheniet e shkëlqyera bilaterale me këtë shtet.
Postimi i plotë:
“Kisha nderin e veçantë që si përfaqësuesja e parë e popullit të Kosovës që viziton Kosta Rikën, të takoj Presidentin e ri të vendit, z.Rodrigo Chaves.
Me Presidentin Chaves u pajtuam që t’i çojmë marrëdhëniet tona të shkëlqyera bilaterale në lartësi të reja, duke përfshirë thellimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme dhe rritjen e interaksionit ekonomik e tregtar.
Populli i Kosovës i është gjithmonë mirënjohës Kosta Rikës që njohën pavarësinë tonë qysh në ditën e parë të shpalljes, më 17 shkurt, pikërisht kur Republika e Kosovës filloi kapitullin e saj të ri si një shtet i pavarur e sovran.
Presidentit Chaves i përcolla urimet më të mira në marrjen e përgjegjësive së detyrës së tij të re, udhëheqjes së popullit të Kosta Rikës drejt një të ardhmeje të begatë e të sigurt”. /KultPlus.com
Gjatë vizitës zyrtare në Kosta Rikë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka takuar homologun e saj nga Republika Dominikane, Luis Abinader. Presidenca thotë se të dy janë pajtuar që ta avancojnë partneritetin ndërshtetëror tutje.
Në takim me Abinader, Presidenca thotë se Osmani ka theksuar se “Republika Dominikane mbetet aleat i rëndësishëm i Kosovës në Amerikën Latine”.
“Ndër të tjerash, në takim u diskutua për raportet miqësore në mes të vendeve tona dhe mundësitë më të mira për të thelluar bashkëpunimin ndërshtetëror, duke përfshirë ekonominë dhe tregtinë, turizmin si dhe fusha të tjera”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
“Forcimi i pozitës ndërkombëtare është një prej shtyllave kryesore strategjike të politikës sonë shtetërore, prandaj jam e lumtur që me Presidentin Abinader u dakorduam për ta avancuar partneritetin tonë diplomatik duke i afruar kështu edhe më shumë dy vendet tona”, citohet të ketë thënë presidentja Osmani. / KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani gjatë viziztës në Kosta Rikë është takuar me Uzra Zeya, Nënsekretaren amerikane të Shtetit për Siguri Civile, Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Administratën e Presidentit Joe Biden.
Siç njofton Presidenca, ato kanë biseduar për “progresin e Kosovës në përmbushjen e zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci si dhe intensifikimin e bashkëpunimit Kosovë-SHBA”.
“Në diskutim me Nënsekretaren Zeya, Presidentja Osmani ka folur për themelimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut si dëshmi e përkushtimit të institucioneve të Kosovës për përmbushjen e zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci, përfshirë forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë, rolit të gruas në shoqërinë kosovare, avancimin e të drejtave dhe lirive të njeriut si dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe mediat”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Presidentja ka theksuar se Kosova qëndron në të njëjtën vijë me aleatët tanë në mbrojtjen e vlerave demokratike.
“Në këtë kohë kur demokracitë anë e mbanë botës janë bërë cak i drejtpërdrejt i tendencave gjithnjë e në ngritje autoritare, Samiti për Demokraci është platforma që ka bashkuar vendet nga 4 anët e globit në përpjekjet e tyre për të konsoliduar vlerat demokratike dhe për t’i promovuar e fuqizuar tutje ato”, citohet të ketë thënë Osmani.
Me ftesë të Presidentit Carlos Alvarado Quesada, Presidentja Osmani po qëndron në Republikën e Kosta Rikës, ku sipas Presidencës, do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të zgjedhur të Kosta Rikës, Rodrigo Chaves. Gjatë vizitës në San José, Presidentja do t’i takojë udhëheqësit shtetëror të këtij shteti si dhe do të realizojë takime me përfaqësues të shteteve tjera. / KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani gjendet për vizitë zyrtare në Amerikën Latine ku ka qëndruar në shtetin e Panamasë ndërkaq sot ka udhëtuar për në Kosta Rikë.
Zyra e Presidencës në një komunikatë për media ka njoftuar se e para e shtetit do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të zgjedhur të Kosta Rikës.
“Me ftesë të Presidentit Carlos Alvarado Quesada, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të zgjedhur të Kosta Rikës, Rodrigo Chaves. Gjatë vizitës në San José, Presidentja do të takojë udhëheqësit shtetëror të Kosta Rikës, Presidentin e zgjedhur Chaves si dhe do të realizojë takime bilaterale me krerë të shteteve tjera”, thuhet në njoftim.
Tutje zyra e presidentes njofton se shefja e shtetit në Amerikën Latine po e promovon potencialin ekonomik të Kosovës.
“Gjatë vizitës zyrtare në Panama dhe vizitës aktuale në Kosta Rika, Presidentja Osmani po realizon një sërë aktivitetesh për të promovuar potencialin ekonomik të Kosovës, për të thelluar marrëdhëniet miqësore me shtetet mike në Amerikën Latine, si dhe për të rritur mbështetjen për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë. / KultPlus.com