Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë ekskluzive për median e njohur ndërkombëtare, CNN, ku ka biseduar për luftën në Ukrainë dhe si mund të ndikojë ajo në Kosovë, përcjell KultPlus.
Në intervistë me gazetaren, Christiane Amanpour, Osmani deklaroi se Kosova është një vend i vogël, por ka një zë të veçantë në mënyrën se si ata e shohin luftën në Ukrainë nga pushtimi rus.
“Edhe pse jemi një vend i vogël, besoj se kemi një zë të veçantë në mënyrën se si e shohim luftën në Ukrainë nga pushtimi rus, gjë që na kujton se çfarë u desh të kalonim para 23 viteve edhe populli i Kosovës. Ne ishim viktimë e gjenocidit dhe krimeve të luftës, por bota nuk na riktheu shpinën dhe ne jetojmë sot falë bombardimeve të NATO-s”.
Tutje, ajo tha se me një njeri sikurse Putini, paqja nuk mund të arrihet, e lufta në Ukrainë mund të ndikojë në Ballkanin Perendimor.
“Ne gjithashtu duhet të kuptojmë që çfarë po ndodhë në Ukrainë mund të ndikojë në të gjithë botën, sidomos për neve në Evropë. Mund të duket se jemi shumë larg nga Ukraina, por hegjemonia dhe mentaliteti imperalist që Rusia po mundohet të shtyjë përpara është diçka që mund të ketë ndikim edhe në Evropë. Rusia është përpjekur për një kohë të gjatë që të destabilizojë Ballkanin Perendimor përmes Serbisë, që e shohin si një aleat për një kohë të gjatë dhe këtë e kanë bërë përmes përpjekjeve që të destabilizojnë në Kosovë, Bosnjë dhe në Mal të Zi. Këto përpjekje për destabilizim kanë mundësuar ekzistimin e një shqetësim të ri dhe më të rrezikshëm”, deklaroi presidentja. /KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se do të ketë një intervistë ekskluzive në median e mirënjohur, CNN, me fillim nga ora 19:00, shkruan KultPlus.
Osmani këtë gjë e bëri të ditur përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Twitter”, derisa u shpreh e lumtur për këtë intervistë.
“Gjithmonë një kënaqësi e veçantë të flas me gazetaren Christiane Amanpour. Ndiqeni intervistën sot në ora 19:00”, ka shkruar ajo.
Kohët e fundit, përpos presidentes, intervista për mediat e huaja ka dhënë edhe i pari i vendit, Albin Kurti. /KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani po vazhdon vizitat nëpër komunat e Kosovës, ndërkaq sot do ta vizitojë vendlindjen e saj, Mitrovicën.
Përmes një video-mesazhi që ka postuar në Facebook, shefja e shtetit tha se po shkon në qytetin e rock muzikës dhe qytetin e minatorëve, raporton Gazeta Express.
“Sapo i përfunduam aktivitetet në Prishtinë në shënimin e 14 prillit që i kushtohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Një ditë e rëndësishme për mijëra gra e burra që e kanë përjetuar ferrin gjatë luftës por e kanë shndërruar fuqinë e tyre dhimbjen e tyre në një zë të fuqishëm për vendin tonë. Po rikthehem në qytetin tim të lindjes, në qytetin e minatorëve, në qytetin e rock muzikës, në mënyrë që të dëgjojmë për së afërmi kërkesat e komunës por mbi të gjitha të qytetarëve të Mitrovicës”, tha ajo.
Osmani njoftoi se së bashku me kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamza, do të përkujtojnë masakrën në Lagjen e Kovaçëve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës.
“Do ta fillojmë ditën me takimin me kryetarin e Mitrovicës, do të shkojmë bashkë me kryetarin në Lagjen e Kovaçëve për të përkujtuar sot masakrën e forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë në këtë lagje dhe pastaj do të vazhdojmë me takime dhe vizita të tjera”, tha Osmani./ KultPlus.com
Presidentja, Vjosa Osmani, do të vazhdojë serinë e vizitave nëpër Komunat e Kosovës, derisa në rend për nesër është qyteti i Mitrovicës, shkruan KultPlus.
Me këtë rast, Osmani do të ketë një sërë takimesh:
Në orën 12:00, do të ketë takim me kryetarin e komunës së Mitrovicës, z. Bedri Hamza.
Në orën 13:00, vendosë lule tek pllaka përkujtimore në lagjen e Kovaçëve.
Në orën 13:30, viziton shkollën fillore të mesme të ulët “Ismail Qemali”.
Gjatë vizitës në Mitrovicë, do të ketë takime me OJQ dhe do t`i vizitoj disa biznese. /KultPlus.com
Kosova sot ndërmori një hap të rëndësishëm për jetësimin e zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci, përcjellë KultPlus.
Këtë lajm e ka dhënë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila është shprehur që përkushtimi i institucioneve tona në këtë drejtim është maksimal.
KultPls ju sjell fjalën e plotë të presidentes Osmani:
Të nderuar të pranishëm mirë se keni ardhur në takimin inaugurues të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, I nderuar Kryetar i Kuvendit, z. Konjufca, I nderuar Kryeministër, z. Kurti, E nderuara udhëheqëse e USAID në Kosovë, Zeinah Salahi, Të nderuar zëvendëskryeministre, ministra, përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, Të institucioneve të pavarura në vend,
Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile,
Të nderuara media dhe të gjithë ju që jeni prezent,
Mirë se vini edhe një herë në takimin inaugurues të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.
Më 9 dhjetor të vitit të kaluar, Kosova me plot meritë u rreshtua pranë vendeve të ftuara nga Presidenti Biden për të qenë pjesë e edicionit të parë të Samitit për Demokraci.
Samiti për Demokraci, një nismë jashtëzakonisht e qëlluar në një kohë kur demokracitë anë e mbanë botës janë bërë cak i drejtpërdrejt i tendencave gjithnjë e në ngritje autoritare, është platforma që ka bashkuar vendet nga 4 anët e globit në përpjekjet e tyre për të konsoliduar vlerat demokratike dhe për t’i promovuar e fuqizuar tutje ato.
Të punosh në drejtim të fuqizimit të demokracisë dhe përhapjes së vlerave demokratike, do të thotë të punosh për ruajtjen e shtyllave mbi të cilat janë ndërtuar shoqëritë moderne, prosperuese e filozofia e të cilave është e përqendruar në ruajtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
Kosova është sot një shembull i një demokracie të mirëfilltë, por edhe shembull i një vendi që vazhdimisht punon për përmirësimin e nivelit të demokracisë duke u fokusuar në mbrojtje të interesave të qytetarëve të saj, por edhe duke u fuqizuar gjithnjë e më shumë si një partnere e besueshme në rrafshin rajonal dhe atë ndërkombëtar.
Siç e kam thënë edhe në fjalimin në emër të Republikës së Kosovës në Samitin për Demokraci – Demokracia është në themelet e shoqërisë sonë, ajo është e rrënjosur thellë në luftën tonë historike për liri dhe për të drejtat e njeriut.
Por aq sa ka rëndësi rrugëtimi ynë i deritashëm, po kaq i rëndësishëm e strategjik është rrugëtimi ynë i mëtutjeshëm. Ngjarjet në Evropë sot, por edhe në vende të ndryshme në botë, na dëshmojnë se demokracia kurrë nuk është një projekt i përfunduar. Përkundrazi, demokracia kërkon që vazhdimisht të mirëmbahet, në mënyrë që të sofistikohet, të avancohet dhe të mbrohet.
Në këtë frymë, si dhe konform zotimeve të Republikës së Kosovës që i kemi paraqitur gjatë Samitit për Demokraci, jemi angazhuar për themelimin e një këshilli koordinues nëpërmjet të cilit jo vetëm se do të angazhohemi për përmbushjen e zotimeve ashtu siç janë prezantuar në Samitin për Demokraci, por edhe do të punojmë së bashku për të garantuar respektimin e plotë të standardeve demokratike në çdo proces tjetër strategjik për vendin dhe për qytetarët tanë.
Respektivisht, ky Këshill të cilin e kam themeluar do të shërbej si forum i lartë koordinues, qëllimi parësor i të cilit është koordinimi dhe menaxhimi i punës në drejtim të përmbushjes së zotimeve të Republikës së Kosovës në kuadër të Samitit për Demokraci, si dhe përmbushjes së zotimeve tjera të institucioneve që ndërlidhen me forcimin e sundimit të ligjit, forcimin e demokracisë, forcimin e rolit të gruas në shoqërinë kosovare, avancimin e të drejtave dhe lirive të njeriut si dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe mediat.
Andaj, në fund të muajit të kaluar, me dekret kam themeluar Këshillin për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, që është një ndër zotimet tona me qëllim të mbështetjes së punës së mbarë institucioneve në përmbushjen e detyrave të tyre. Por, njëkohësisht, ky Këshill është edhe garanca jonë për angazhimin e bashkërendimin sistematik e institucional në drejtim të përmbushjes së zotimeve edhe në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më vjen jashtëzakonisht mirë që ky Këshill reflekton në strukturën e vet 3 shtyllat kryesore të zotimeve që i kemi bërë më 9 dhjetor, respektivisht:
Shtylla e parë: sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit,
Shtylla e dytë: luftimin e autoritarizmit,
Shtylla e tretë: avancimi i të drejtave të njeriut, diversitetit dhe gjithëpërfshirjes me fokus në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore.
Si rezultat, ne kemi sot të ulur për rreth kësaj tryeze:
Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si Anëtar i Këshillit;
Kryeministrin e Republikës së Kosovës, po ashtu si Anëtar i Këshillit;
Zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si Anëtare e Këshillit;
Ministrin e Punëve të Brendshme, si Anëtar i Këshillit;
Ministren e Drejtësisë, si Anëtare e Këshillit;
Avokatin e Popullit, si Anëtar të Këshillit;
Kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si Anëtar i Këshillit;
Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, si Anëtar i Këshillit;
Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, si Anëtar i Këshillit;
Kryesuesin e Këshillit Konsultativ për Komunitete, si Anëtar të Këshillit;
Drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, si Anëtar të Këshillit;
Kryeshefen e Agjencisë për Barazi Gjinore, si Anëtare e Këshillit;
Si dhe, 3 përfaqësues nga shoqëria civile, të cilët po ashtu janë anëtarë të Këshillit, përfaqësojnë fushën e sundimit të ligjit, demokratizimin dhe barazinë gjinore. Dy përfaqësues tashmë janë përzgjedhur në një proces të hapur, dhe nëpërmjet një konkursi, kurse për të tretin votimi është në proces në kuadër të platformës së shoqërisë civile Civikos, dhe që nga takimi i radhës do të na bashkohet edhe anëtari i tretë i përzgjedhur nga vet shoqëria civile.
Përbërja e Këshillit mund të zgjerohet duke përfshirë edhe anëtarë tjerë në mënyrë që të sigurojmë gjithëpërfshirjen dhe zbatimin e përpiktë të zotimeve të bëra gjatë Samitit për Demokraci. Të gjithë që jemi prezent jemi çdo ditë në shërbim të demokracisë dhe secili prej nesh kemi mundësinë, mandatin, dhe platformat e nevojshme në dispozicion për të kontribuar drejtpërdrejt në përmbushjen e këtyre zotimeve.
Më duhet të them që jam jashtëzakonisht e lumtur për faktin që prej takimit të parë të këtij Këshilli ne kemi mundësinë që të raportojmë për rezultate tejet pozitive e të arritura përmbajtjesore qysh në 3 mujorin e parë të këtij viti, për çka dua t’i falënderoj institucionet relevante. Gjersa Këshilli fillon punën sot, puna e institucioneve të Kosovës në drejtim të zbatimit dhe të përmbushjes së zotimeve ka filluar që nga dita e parë, pra që nga 9 dhjetori e tutje, pas përmbylljes së edicionit të parë të Samitit për Demokraci. Pra, ne sot do të diskutojmë më shumë në këtë drejtim në pjesën e dytë të takimit, pas fjalimeve hyrëse. Themelimi i Këshillit sot bëhet pikërisht me idenë që të kemi një platformë ku institucionet tona do të mund të diskutojnë, të reflektojnë dhe të tregojnë për nismat e tyre drejt avancimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.
Ne synojmë që ky Këshill të shërbejë si një platformë e tillë, e cila mund të kryej këtë funksion në bashkërendim midis institucioneve, e njëkohësisht të shndërrohet në platformën tonë të përbashkët për promovimin e punës së institucioneve të Republikës së Kosovës, dhe këtu s’po flas vetëm për institucionet politike, por të gjitha që janë prezent në këtë tryezë dhe gjatë mandatit tim si Presidente do ta shndërrojmë këtë këshill në një trashëgimi të qëndrueshme të angazhimit tonë për ta fuqizuar demokracinë çdo ditë.
Është zëri ynë, puna jonë dhe angazhimi ynë i përbashkët që na mundëson t‘i dalim ballë çdo sfide. Është zëri ynë, është puna jonë dhe angazhimi ynë i përbashkët që do t’i mundësojë Republikës së Kosovës që të rreshtohet pranë vendeve që dëshmojnë pjekuri, gatishmëri dhe seriozitet në përmbushjen e zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci.
Të nderuar pjesëmarrës,
Përmbushja e këtyre zotimeve nuk është vetëm përmbushje e asaj që ne kushtimisht mund ta konsiderojmë si obligim përpara një Samiti global. Realisht, përmbushja e këtyre zotimeve është përmbushja e obligimeve tona si bartës të institucioneve më të rëndësishme në vend në raport me qytetarët tanë. Në veçanti është, përmbushje e vullnetit të qytetarëve tanë, të cilët frymojnë dhe veprojnë për demokracinë, si dhe besojnë në garantimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut pa dallim.
Rrugëtimi përpara padyshim se do të ketë sfida, por ne mbesim të palëkundur në përkushtimin tonë për t’i jetësuar zotimet tona dhe për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve tanë.
Faleminderit gjithsecilit që jeni sot këtu. Besoj në angazhimin tonë të përbashkët dhe jam e sigurt që rrugëtimi ynë përpara do të jetë rrugëtim drejt suksesit.
Kosova sot ndërmori një hap të rëndësishëm për jetësimin e zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci, përcjellë KultPlus.
Këtë lajm e ka dhënë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila është shprehur që përkushtimi i institucioneve tona në këtë drejtim është maksimal.
“Sot kam inauguruar Këshillin për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, mekanizëm përgjegjës për koordinimin dhe garantimin e mbarëvajtjes së punës së të gjitha institucioneve tona, të cilat janë drejtpërdrejt përgjegjëse për përmbushjen e zotimeve të prezantuara në Samitin për Demokraci”, ka shkruar Osmani.
Tutje Osmani është shprehur se përkushtimi i institucioneve tona kyçe në këtë drejtim, përfshirë shoqërinë civile, është dëshmi e seriozitetit të Republikës së Kosovës në përmbushjen e zotimeve të dhëna në këtë samit të President Joe Biden, e që ndërlidhen me luftimin e korrupsionit, mbrojtjen nga autoritarizmi dhe avancimin e të drejtave të njeriut. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar në 23 vjetorin e rënies heroin Agim Ramadani.
“Heroi Agim Ramadani është simbol i lirisë, guximit dhe përbashkimit. Lirinë e portretizuar me vargje e brushë, e bëri realitet me angazhimin e tij në UÇK, duke qenë një ndër shtyllat e operacionit “Shigjeta”, me të cilin u thye kufiri ndërmjet Kosovës e Shqipërisë. Në 23-vjetorin e rënies, fjalët janë të pakta në krahasim me veprën e heroit të papërsëritshëm. Sot përkulemi para veprës së tij dhe e kujtojmë më respekt heroin që i dha kuptim dhe formë lirisë sonë”, thuhet në përkujtimin e Presidentes Osmani.
Presidentja Osmani ka theksuar se Agimi e realizoi ëndrrën për lirinë që ne të jetojmë të lirë, falë tij e bashkëluftëtarëve.
“Çdo përvjetor do të na sjellë në vëmendje vlerën e lirisë, heroizmin dhe pavdekësinë e tyre! Qoftë i përjetshëm kujtimi për heroin Agim Ramadanin!”, ka theksuar Presidentja në përkujtimin e saj. / KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar së fundmi se hiti i Dua Lipës “Levitating” është kënga që ajo ka dëgjuar më së shumti këtë vit, shkruan KultPlus.
Menjëherë pasi e ka parë këtë postim, Lipa ka ripublikuar fotografinë e Osmanit, ku shihen së bashku me Blerta Bashollin dhe Yllka Gashin.
“Levitating” është njëri prej hiteve shumë të suksesshme të 26 vjeçarjes dhe gjithashtu është pjesë e albumit “Future Nostalgia”. /KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po i përgjigjjet pyetjeve që qytetarët i kanë bërë në kuadër të 1 vit qeverisje nga ajo, shkruan KultPlus.
Përmes rrjetit social “Instagram”, Osmani ka shtuar mundësinë e pyetjeve për gjithë qytetarët, ndërsa sot edhe është përgjigjur në disa pyetje nga më të ndryshmet, duke filluar nga falënderimet e deri te raportet me të parin e qeverisë.
Në mesin e shumë pyetjeve, e parja e shtetit është pyetur edhe për këngën që e ka dëgjuar më së shumti këtë vit, dhe përgjigjja e saj ishte e veçantë.
Hiti “Levitating” i këngëtares shqiptare, Dua Lipa është kënga që Osmani ka dëgjuar më së shumti këtë vit.
Dua Lipa e ka ripublikuar foton e Osmanit, duke përfshirë edhe këngën e saj. /KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po i përgjigjjet pyetjeve që qytetarët i kanë bërë në kuadër të 1 vit qeverisje nga ajo, shkruan KultPlus.
Përmes rrjetit social “Instagram”, Osmani ka shtuar mundësinë e pyetjeve për gjithë qytetarët, ndërsa sot edhe është përgjigjur në disa pyetje nga më të ndryshmet, duke filluar nga falënderimet e deri te raportet me të parin e qeverisë.
E pyetur nga qytetarët për raportet me kryeministrin Albin Kurti, Osmani ka dhënë një përgjigjje të shkurtër.
“Të shkëlqyeshme deri tani”, duke përfshirë edhe një fotografi së bashku me Kurtin, Donika Gërvallin dhe Glauk Konjufcën.
Përpos kësaj pyetje, Osmani ka marrë edhe disa të tjera sikurse për dialogun me Serbinë, ku ka thënë se është aktive në këtë proces. /KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se sot se 9 prilli është ditë e veçantë në historinë e re të Kosovës, shkruan KultPlus.
Osmani përmes një postimi në Facebook shkruan se shpirti luftarak i vajzave e djemve të UÇK-së, vendosmëria për ta parë vendin të lirë dhe gatishmëria për të sakrifikuar gjithçka ishin më të fuqishme se çfarëdo arsenali ushtarak.
“9 prilli është ditë e veçantë në historinë e re të Kosovës. Beteja e Koshares tregoi se pabarazia në armatim nuk është çelësi përcaktues i luftërave. Shpirti luftarak i vajzave e djemve të UÇK-së, vendosmëria për ta parë vendin të lirë dhe gatishmëria për të sakrifikuar gjithçka ishin më të fuqishme se çfarëdo arsenali ushtarak.
Sot, ne e përkujtojmë këtë betejë si njërën ndër momentet më krenare të historisë sonë të re. Ajo dëshmoi se liria nuk ka çmim dhe se vendosmëria për ta arritur atë dhe shpirti i një populli janë të pathyeshme. Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të vitit 1999, shënoi jo vetëm një fitore për vajzat e djemtë e UÇK-së, por edhe për gjithë popullin e Kosovës.
Ne u falemi atyre, sakrificës së Agim Ramadanit, Sali Çekajt, Xhemajl Fetahut dhe mijëra dëshmorëve të tjerë që ranë për lirinë e Kosovës. Ata qëndrojnë në themele të lirisë dhe të shtetësisë sonë.
I përjetshëm kujtimi për heronjtë e Koshares!”, shkruan presidentja. /KultPlus.com
Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Romëve, festë e cila është një kremtim i historisë, traditave dhe kulturës rome, ashtu si edhe thirrje për përfshirje sociale, përcjell KultPlus.
Për këtë ditë, Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se diversiteti kulturor i Kosovës është forca jonë më e madhe.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Romanit, ne festojmë kulturën e pasur të popullit rom në Kosovë dhe në mbarë botën. Kjo ditë është një kujtesë për të gjithë ne se ne duhet të vazhdojmë të punojmë për të avancuar barazinë, përfshirjen dhe përfaqësimin”, ka shkruar Osmani në “Twitter”.
Kjo ditë është deklaruar zyrtarisht në vitin 1990 në Poloni gjatë Kongresit të katërt të Unionit Ndërkombëtar Rom, në nderim të takimit të parë ndërkombëtar të përfaqësuesve romë i mbajtur në prill të vitit 1971. /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në prag të përvjetorit të Betejës së Koshares,sot ka dekoruar post mortem me Medalje Presidenciale pesë ushtarakë të Brigadës së UÇK-së138 “Agim Ramadani”.
Sipas propozimit të përfaqësuesve të Brigadës, Presidentja Osmani, për trimërinë e dëshmuar gjatë Betejës së Koshares dhe kontributin pas luftës, ka dekoruar ushtarakët: Adem Dahri, Afrim Beka, Arben Sejdiu, Faik Gashi dhe Skënder Rexhëahmetaj.
Dekoratat iu ndanë familjarëve të luftëtarëve në praninë e komandantëve të Brigadës 138.
Presidentja Osmani ka çmuar kontributin e luftëtarëve të UÇK-së për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe ka theksuar se liria e Kosovës mbanë emrin e secilit prej tyre.
“Ndihem e nderuar që në këtë përvjetor të lavdishëm si presidente dekoroj me medalje pesë luftëtarë të shquar të Brigadës “Agim Ramadani”. Kontributi dhe sakrifica e tyre do të jenë udhërrëfyes për brezat dhe tregues i vlerës së lirisë që e gëzojmë”, është shprehur Presidentja Osmani.
Familjarët kanë falënderuar Presidenten Osmani dhe kanë thënë se kjo dekoratë ka vlerë të veçantë në këtë përvjetor të Betejës së Koshares.
Manifestimi kushtuar përvjetorit të 23-të të Betejës së Koshares, pritet të mbahet të shtunën (9 prill) nën patronazhin e Presidentes Osmani. / KultPlus.com
Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim përfaqësues të këtij komunitetit të kryesuar nga deputeti Ergjan Galushi, përcjellë KultPlus.
Presidentja Osmani ka uruar përfaqësuesit rom në Ditën Ndërkombëtare të tyre dhe ka theksuar se Republika e Kosovës është shtet i lirë dhe demokratik në të cilin respektohen standardet më të larta ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Sipas Presidentes Osmani, komuniteti rom krahas komuniteteve të tjera është pjesë e rëndësishme e diversitetit kulturor të Kosovës dhe se ka dhënë kontribut në procesin e shtetndërtimit të vendit.
“Në Kosovë, të gjitha komunitetet duhet kenë mundësi të barabarta, sikurse edhe ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu. Komuniteti rom ka dhënë kontribut në shtetformim, në ndërtimin e fundamentit të shtetit tonë”, ka thekuar Presidentja Osmani.
Me rastin e kësaj Dite, Presidentja Osmani ka dekoruar post mortem me Medaljen Presidenciale të Meritave, dramaturgun, gazetarin dhe mësuesin e gjuhës rome, Nexhip Menekshe. / KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të vizitojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë muajit prill dhe muajit maj, përcjell KultPlus.
Këtë gjë e ka konfirmuar Shefi i stafit të Presidencës, Blerim Vela, në emisionin “Rubikon me Adriatik Kelmendin”.
“Presidentja i ka dyert e hapura në ShBA, në muajin prill dhe maj do të ketë vizitë në SHBA, do të ketë takime të niveleve të ndryshme, qoftë në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongresin Amerikan. Ajo ka ftesë nga zyrtarë të ndryshëm të Shtëpisë së Bardhë që të ketë takime me ata. Disa në Shtëpinë e Bardhë disa në Kongres”, ka thënë Vela.
KultPlus do t’iu mbajë të informuar sapo të bëhet e ditur edhe agjenda zyrtare e kësaj vizite. /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot ka pritur në takim të rregullt ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier.
Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, si dhe thellimin e bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e sigurisë.
Osmani diskutoi me ambasadorin Hovenier realizimin e projekteve zhvillimore ne fushën e energjetikës në Kosovë me mbështetje nga Shtetet e Bashkuara te Amerikës.
Me tej, Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier biseduan edhe për agjendën e takimeve ndërkombëtare te Presidentes në vende të ndryshme të botës. /KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, derisa njoftoi se nga sot do të fillojë seria e vizitave nëpër komunat e Kosovës, shkruan KultPlus.
“Një ditë intensive me përplot takime në Gjilan”, ishte përshkrimi i Osmanit në statusin e saj të fundit në “Facebook”.
“E nisa nga këtu serinë e vizitave nëpër komunat e Kosovës, në një takim me kryetarin energjik, z. Alban Hyseni. Shqetësimet, preokupimet dhe problemet do t`i adresojmë bashkërisht. Në shkollën “Nazmi Hoxha”, prej sot nxënësit me nevoja të veçanta do ta kenë më të lehtë qasjen falë një projekti të UNICEF-it, të cilin e përuruam sot”, shkruan tutje presidentja.
Ajo gjithashtu njoftoi se është takuar me përfaqësues të strehimores dhe të shoqërisë civile, me ç’ rast diskutuan për pozitën e grave, eliminimin e dhunës mbi baza gjinore, fuqizimin e grave dhe përfshirjen në vendimmarrje.
“Kurse te bizneset, pashë përkushtimin e tyre që të punojnë parreshtur edhe në këtë kohë kur përballemi me kriza. Do të vazhdojmë me vizitë në Dobërçan të Gjilanit ku pritemi nga familja e dëshmorit Nusret Hajdari. Komunat e zhvilluara e bëjnë shtetin e zhvilluar.Shihemi në komunën e radhës!”, shkruhet në fund të postimit. /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu ka zhvilluar një takim virtual me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola me të cilën diskutuan një sërë temash, që nga liberalizmi i vizave për Kosovën, situata aktuale në Evropë pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës, si dhe përkushtimin e Kosovës për paqe dhe dialog.
Duke e falënderuar Presidenten Metsola për përkushtimin e saj për të përshpejtuar procesin e liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës, Presidentja Osmani ritheksoi se populli i Kosovës është populli më pro-evropian në botë, prandaj e drejta për të udhëtuar lirshëm duhet garantuar pa vonesë.
“Vlerat evropiane janë të mishëruara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe përparimi i vazhdueshëm i vendit tonë në indekset e ndryshme të demokracisë dhe luftës kundër korrupsionit janë dëshmi që e ardhmja jonë e vetme është në familjen evropiane. Ne jemi të përkushtuar që të forcojmë marrëdhënien tonë për një rrugëtim të drejtë e të barabartë drejt Bashkimit Evropian”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Në këtë bashkëbisedim, Presidentja Osmani e informoi Presidenten Metsola për synimin e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, përpjekjet institucionale për rimëkëmbje nga pandemia dhe rolin konstruktiv të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. Ndërkaq Presidentja Matsola e falënderoi Presidenten Osmani për bashkërendimin e Kosovës me partnerët perëndimorë për luftën në Ukrainë dhe ritheksoi kërkesën e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për përshpejtim të liberalizimit të vizave. / KultPlus.com
Kur janë bërë 1 vit që posti i Presidentit të Kosovës udhëhiqet nga një grua, Vjosa Osmani ka mbajtur një fjalim për të shënuar sukseset dhe pritshmëritë për të ardhmen, shkruan KultPlus.
Përmes një fjalimi në kabinetin e saj, Osmani e filloi fjalimin duke thënë se viti i kaluar është karakterizuar nga shumë sfida lokale e globale.
“Pandemia, kriza energjetike dhe zhvillimet e fundit në kontinentin evropian. Kosova është sot një kontribuuese aktive dhe një anëtare e respektuar e komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë Osmani.
Si udhëheqëse e politikës e jashtme, ajo thotë se ka punuar për të siguruar që të përfaqësohemi me dinjitet dhe krenari në çdo cep të botës.
“Jam angazhuar që zëri ynë të dëgjohet edhe te vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë tonë”, shprehet tutje Osmani.
Ajo edhe gjatë ditës por edhe gjatë fjalimit ka potencuar se Kosova mbetet e përkushtuar në angazhimin e saj për anëtarësim në familjen e NATO-s.
“Shteti i së drejtës është përkushtimi im i vazhdueshëm me qëllim që ta rrënjosim atë në të gjithë vendin. Në këtë frymë kamë punuar secilën herë kur kam marrë një vendim , kur kam bërë një emërim dhe kjo ka jehuar në çdo deklarim e takim timin”, ka thënë Osmani.
Osmani gjithashtu shprehet se gjatë punës së saj një vjeçare është angazhuar edhe në fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, ndërgjegjësimin dhe adresimin e sfidave me të cilat përballen fëmijët me nevojat e veçanta dhe rritjen e vetëdijes mbi kërcënimet që i kanosen shëndetit tonë nga shkatërrimi i ambientit.
“Pres të punojmë drejt arritjeve të sukseseve të reja. Do të vazhdoj të punoj për të udhëhequr politikën e jashtme dhe për t;i treguar botës që Kosova është më shumë se sa dinamikat e përditshme politike dhe që është një vend paqedashës”, njoftoi 39 vjeçarja.
Presidentja gjatë ditës së sotme ka publikuar në llogarinë e saj zyrtare në “Instagram” opsionin për të bërë pyetje, në mënyrë që çdo qyetetarë të pyes për punën 1 vjeçare dhe të ardhmen e vendit. /KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkruar për 73 vjetorin e themelimit të Alenancës Euro-Atlantike, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në “Twitter”, Osmani ka shkruar se Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim në familjen e NATO-s.
“Sot, 73 vjet më parë, anëtarët themelues të NATO-s u bashkuan me një vizion të përbashkët për paqen, stabilitetin dhe sovranitetin. Aleanca na erdhi në shpëtim dy dekada më parë dhe vazhdon të jetë një kontribues i rëndësishëm për paqen në botë. Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim në familjen e NATO-s!”, shkruan ajo.
Pas ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur në Ukrainë, Kosova është angazhuar maksimalisht që të anëtarësohet në familjen e NATO-s. /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka pritur sot në takim ministrin për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare të Luxemburgut, Franz Fayot, përcjellë KultPlus.
Gjatë takimit u bisedua për raportet dhe bashkëpunimin e Republikës së Kosovës me Luxemburgun si një nga kontribuesit kryesor në projekte zhvillimore e të cilat janë në dobi të qytetarëve të Kosovës.
Në veçanti, Presidentja Osmani u falënderua për angazhimin e Luxemburgut për kontributin e pashoq në fushën e shëndetësisë ndër vite, si dhe në fushën e arsimit.
Ministri Fayot vlerësoi progresin e gjithmbarshëm në Republikën e Kosovës, duke theksuar në veçanti angazhimin për luftim të korrupsionit dhe sundimit të ligjit.
Palët u dakorduan për bashkëpunim të mëtejmë në drejtim të zhvillimit të kapitalit njerëzor, dhe diskutuan potencialin për investim në fushën e digjitalizimit, energjisë, si dhe në drejtim të mbledhjes dhe gjenerimit të të dhënave si parakusht për politikbërje më efektive. / KultPlus.com
Sot janë mbajtur zgjedhjet në Serbi, ku edhe është raportuar për parregullsi në proces, shkruan KultPlus.
Rreth kësaj çështje shkruar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se këto situata duhet të monitorohen nga Bashkimi Evropian.
“Sipas raportimeve, 6,000 shqiptarëve në Serbi iu mohua e drejta bazë për të votuar për shkak të fushatës së qëllimshme pasive të spastrimit etnik të Serbisë përmes mjeteve administrative.
Komuniteti ndërkombëtar duhet të dënojë fytyrën e vërtetë të autoritarizmit të Serbisë”, shkroi Osmani. /KultPlus.com
2 Prilli shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave me Autizëm, e cila është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2007, si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm, shkruan KultPlus.
Ndërtesa e Presidences dhe Kuvendit është ndriçuar në mënyrë simbolike me ngjyrë të kaltër, në shenjë të solidaritetit me personat me autizëm dhe në funksion të ndërgjegjësimit për autizmin në të gjitha nivelet e shoqërisë.
Aktualisht, autizmi mendohet se shkaktohet nga një kombinim i gjeneve dhe faktorëve mjedisorë.
Vlerësohet se 1 për qind e popullatës globale është autike. /KultPlus.com