Osmani: Do të angazhohemi për t’i fuqizuar njerëzit me autizëm që të arrijnë potencialin e plotë

Sot është Dita Botërore e Autizmit e cila është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2007, si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm, shkruan KultPlus.

Për këtë ditë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë një ecje në shesh së bashku me shoqatën “Autizmi”.

Më pas, Osmani ka shkruar në “Twitter” se përfshirja dhe dhembshuria na mundëson një shoqëri më të mirë dhe më të drejtë.

“Ndërsa shënojmë Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, ne jo vetëm që zotohemi, por do të angazhohemi për të fuqizuar njerëzit me autizëm për të arritur potencialin e tyre të plotë”.

Aktualisht, autizmi mendohet se shkaktohet nga një kombinim i gjeneve dhe faktorëve mjedisorë. Vlerësohet se 1 për qind e popullatës globale është autike. /KultPlus.com

Osmani bën homazhe në Lybeniq: U kemi borxh për tërë jetën, është obligim të kërkojmë drejtësi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca të shoqëruar nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri bënë sot homazhe dhe vendosën kurorë me lule në 23 vjetorin e rënies së dëshmorëve dhe martirëve në Lybeniq të Pejës.

Presidentja Osmani tha se sakrifica e martirëve dhe dëshmorëve të Lybeniqit ka bërë që ne sot ta gëzojmë aspiratën tonë shekullore për liri.

“Këtyre njerëzve që kanë dhënë gjithçka deri në më të shtrenjtën e tyre, pra, jetën e tyre u kemi borxh gjithçka sepse asnjëherë ne nuk do të mund ta shijonim lirinë, asnjëherë nuk do të mund ta arrinim pavarësinë në qoftë se ata nuk do ta jepnin jetën për të”, tha Presidentja Osmani, duke shtuar se sot ka takuar shumë familjar që kanë humbur më të dashurit e tyre, e disa e kanë humbur gjithë familjen.

“U kemi borxh për tërë jetën, por në të njëjtën kohë, është obligim i yni institucional që asnjëherë mos t’i ndalim përpjekjet tona për drejtësi. Në këtë masakër, sikurse edhe në çdo tjetër që regjimi gjenocidal i Serbisë ka kryer ndaj popullatës së pafajshme, civile në Kosovë, por edhe gjithë dëshmorët që kanë rënë, dëshmojnë se sa barbare ka qenë lufta e shtetit serb ndaj popullit të Kosovës”, tha Osmani.

Ajo tha masakra e Lybeniqit është dëshmi e qartë e qëllimit shfarosës që regjimi i Millosheviqit që kishte ndaj popullit të Kosovës. “Nuk duhet të ndalemi ditë pas dite dhe të punojmë pareshtur të gjithë bashkërisht, pa dallim, në mënyrë që gjaku i tyre mos të shkoj huq dhe në mënyrë që kryerësit e këtyre veprave makabre, kryerësit e gjenocidit të dalin para drejtësisë”, përfundoi presidentja. /KultPlus.com

Presidentja Osmani për Al Jazeeran: Kërcënimet sikur për Bosnjën nuk e ndalin Kosovën në synimet për t’iu bashkuar NATO-s

Presidentja Vjosa Osmani, në një intervistë për “Al Jazeeran”, ka folur për ushtrinë e Kosovës. Osmani ka thënë se asgjë nuk do t’i ndalë synimet e Kosovës për t’iu bashkuar NATO-s, pasi thekson se do të sillte stabilitet e siguri për gjithë rajonin.

“Si presidente e shtetit më pro-NATO dhe më pro-Evropian në botë, më duhet të them se Rusia absolutisht do të vazhdojë me qasje të njëjtë të kërcënimit ndaj shteteve që zgjedhin rrugën euroatlantike, duke kërcënuar se do të veprojë si në Ukrainë”.

“Para disa ditëve ambasadori i Rusisë në Bosnjë tha se nëse Bosnja i bashkohet NATO-s atë e pret një gjë e ngjashme si Ukrainën. Është një kërcënim direkt jo vetëm për Bosnjën por gjithë shtetet në rajon apo mëtej, që kanë synim t’i bashkohen aleancës. Por, kjo nuk duhet të na ndalë që t’i bashkohemi NATO-s”.

“NATO nuk është thjeshtë makinë ushtarake, por është sistem i bazuar në vlera. Duam t’i bashkohemi për shkak të vlerave që paraqet, por edhe për shkak të sigurisë që do t’i sillte rajonit”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se anëtarësimi i Shqipërisë, Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut në NATO ka sjellë më tepër siguri për rajonin.

Po ashtu foli edhe për çështjen e Rusisë dhe ndërhyrjen në Ukrainë.

Ajo tha se nëse presidenti i Rusisë Vladimir Putin, lejohet të marrë atë që do, do të thotë se ky është fundi i demokracisë.

“Nëse ne e lejojmë Putinin që të merr atë që do, ky është fundi i demokracisë. Ky është fundi i rregullave të të drejtës ndërkombëtare. Për këtë arsye të gjithë së bashku vendet e mëdha dhe të vogla duhet që të punojnë së bashku që të ndalohet ajo se çka është duke bërë tani Rusia dhë të sigurohemi që regjimi i Putinit do të bjerë”, tha Osmani./Express/ KultPlus.com

Kosova dhe Katari mbeten partnerë të besueshëm dhe të përkushtuar për të thelluar raportet bilaterale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu ka takuar Kryetarin e Kuvendit Konsultativ të Shtetit të Katarit, Hassan bin Abdulla Al-Ghanim me të cilin diskutoi për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në mes të dy vendeve tona.

Presidentja falënderoi Kryetarin Al-Ghanim për mbështetjen e vazhdueshme të Shtetit të Katarit, duke ritheksuar gatishmërinë të forcojmë bashkëpunimin ndërshtetëror në fusha të ndryshme duke përfshirë ekonominë, energjetikën dhe bujqësinë.

Dy bashkëbiseduesit këmbyen mendimet për ndikimin e agresionit rus kundër Ukrainës në kontinentin evropian dhe rajonin tonë, sigurinë energjetike dhe atë të ushqimit.

Presidentja Osmani bëri thirrje për rritje të bashkëpunimit ndërparlamentar si një mjet i fuqishëm bashkëpunimi mes dy shteteve. Si dy vende mike, Kosova dhe Katari mbeten partnerë të besueshëm dhe të përkushtuar për të thelluar raportet bilaterale. /KultPlus.com

FMN vlerëson progresin e Kosovës, veçon stablitetin ekonomik dhe atë fiskal

Në margjinat e Forumit të Dohas, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu ka zhvilluar takim me drejtoreshën menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva.

Gjatë takimit u bisedua për raportet dhe bashkëpunimin e Republikës së Kosovës me FMN-në, situatën e gjithmbarshme ekonomike në Kosovë dhe rajon, si dhe efektet potenciale ekonomike të luftës në Ukrainë.

Presidentja Osmani informoi drejtoreshën menaxhuese të FMN për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë në hapat që po ndërmerr Republika e Kosovës për të ruajtur stabilitetin politik dhe ekonomik, përballë sfidave aktuale globale të krijuara nga lufta agresive e Rusisë kundër Ukrainës.

Presidentja Osmani shprehu falënderim për angazhimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Republikën e Kosovës dhe rikonfirmoi rëndësinë që Republika e Kosovës i kushton bashkëpunimit me FMN-në.

Drejtoresha Ekzekutive e FMN-së, znj. Georgieva, vlerësoi progresin e gjithmbarshëm në Republikën e Kosovës, duke theksuar posaçërisht stabilitetin ekonomik dhe fiskal të Republikës së Kosovës.

Zonja Georgieva ritheksoi përkushtimin për vazhdimin dhe thellimin e komunikimit dhe bashkëpunimit në mes të FMN-së dhe Republikës së Kosovës. /KultPlus.com

Osmani nga forumi i Dohas: Duhet të mbledhemi bashkë për të dënuar Rusinë, ose na presin kohë të errëta

Edicioni i 20-të i Doha Forum, do të mbledhë liderë nga e gjithë bota për të diskutuar në një takim dy ditor rreth marrëdhënieve ndërkombëtare, zhvillimit ekonomik, ndryshimeve klimatike dhe sigurinë, shkruan KultPlus.

Në këtë forum ka marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila pati edhe një fjalim të shkurtër. “

“Kosova ka ndërtuar marrëdhënie dypalëshe me vende mike në mbarë botën dhe ka forcuar aleatët si Katari”, tha fillimisht Osmani.

Tutje, presidentja shtoi edhe pjesën se Kosova është e gatshme që të ofrojmë ndihmë njësoj. “Kosova ishte shteti i prë që u ofroi vendbaim refugjatëve afganë”.

Për fund, marrë parasysh rrethanat dhe luftën që po ndodhë në Ukrainë, Osmani nuk harroi ta përmendte edhe Rusinë.

“Është thelbësore që të gjithë ne të mblidhemi dhe të dënojmë aktet e Rusisë përndryshe, të gjithë do të përballemi me kohë të errëta”.

Gjatë vizitës zyrtare në Doha, Osmani Sadriu ka takuar Emirin e Shtetit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani. /KultPlus.com

Osmani takoi Emirin e Katarit: Jemi të përkushtuar të thellojmë raportet ndërshtetërore

Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu ka takuar Emirin e Shtetit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani gjatë vizitës zyrtare në Doha.

Osmani falënderoi Emirin për marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të dy vendeve tona dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin diplomatik, ekonomik dhe tregtar. Veç kësaj, Presidentja e informoi Emirin për progresin e gjithmbarshëm në Kosovë, duke përfshirë sektorët e bujqësisë, turizmit dhe infrastrukturës si fusha potenciale për investim nga Shteti i Katarit.

Presidentja Osmani përmendi ndihmën e popullit dhe Shtetit të Katarit ndaj Kosovës përgjatë ditëve më të errëta për popullin tonë si dhe pas shpalljes së pavarësisë. “Populli i Kosovës nuk do ta harrojë asnjëherë zemërgjerësinë e Shtetit të Katarit në momente të vështira e deri më sot. Ne mbesim të përkushtuar që të thellojmë raportet ndërshtetërore” ka thënë ndër tjera Presidentja. 

Presidentja Osmani po qëndron në Doha të Katarit për të marrë pjesë në edicionin e njëzetë të Forumit të Dohas i cili ka mbledhur liderë botëror, politikbërës, studiues dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar hapat përpara pas zhvillimeve të shkaktuara nga pandemia në të gjitha aspektet e jetës dhe zhvillimeve të fundit gjeopolitike, përfshirë luftën në Ukrainë. /KultPlus.com

Osmani takoi të dërguarin special të Presidentit Biden, ish-Sekretarin John Kerry

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu është takuar me mbështetësin e madh të Kosovës, John Kerry, i Dërguar i Posaçëm Presidencial i Shteteve të Bashkuara për çështje klimatike dhe ish Sekretar i Shtetit. Në takim morri pjesë edhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gervalla Schwarz.

Presidentja Osmani ka falënderuar Kerry për angazhimin dhe përkushtimin e tij personal për të ndihmuar Kosovën dhe popullin e saj të ecë përpara, që sot të gëzojë marrëdhënie unike dhe të pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidentja dhe Kerry diskutuan edhe për zhvillimet në Evropë dhe rajon si rezultat i agresionit rus në Ukrainë dhe përmendi përpjekjet e Republikës së Kosovës për t’i ardhur në ndihmë popullit ukrainas. Presidentja Osmani theksoi rrezikun nga destabilizimi i rajonit nga satelitët e Rusisë dhe nevojën për anëtarësimin e Kosovës në NATO si garancë më e mirë për paqe dhe stabilitet në rajon. Ajo ka vlerësuar përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve për fuqizimin e rolit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke potencuar se tani është edhe më e rëndësishme që të rritet përkrahja në procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare.

Duke e uruar Kerry në rolin e tij të ri si i dërguar i posaçëm i Presidentit Biden për ndryshimet klimatike, Presidentja Osmani ka vlerësuar se adresimi i efekteve të drejtpërdrejta të ndryshimeve klimatike kërkon qasje dhe udhëheqje transformuese.

“Pavarësisht politikave vendore dhe globale, ndryshimet klimatike nuk do të ndalojnë së ndodhuri. Është një nga sfidat më serioze të kohës sonë. Të flasim për ndryshimet klimatike nuk është temë luksoze, por ekzistenciale për të siguruar jetën e fëmijëve tanë. Kosova nuk është imune ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike. Andaj, Kosova me të drejtë kërkon të jetë pjesë e nismave globale për luftimin e ndryshimeve klimatike” ka thënë Presidentja. /KultPlus.com

Presidentja Osmani merr pjesë në ceremoninë hapëse të Forumit të Dohas

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë në ceremoninë hapëse të edicionit të 20-të të Forumit të Dohas, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në Tëitter, Osmani thotë se në këtë kohë sfiduese për botën, dialogu, diplomacia dhe diversiteti janë më të rëndësishme se kurrë.

Në vijim gjeni postimin e plotë të Presidentes:

Kënaqësi të marr pjesë në ceremoninë e hapjes së edicionit të 20-të të Doha Forum.

Në këtë kohë sfiduese për botën, dialogu, diplomacia dhe diversiteti janë më të rëndësishme se kurrë.

Pres me padurim të takohem me liderët e tjerë dhe të marr pjesë në diskutimet gjatë forumit./ KultPlus.com

Presidentja Osmani kujton avokatin Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij në 23 vjetorin e vrasjes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar sot avokatin Bajram Kelmendi me dy djemtë e tij, Kastriotin e Kushtrimin, të cilët u rrëmbyen nga forcat gjenocidale të Serbisë dhe u ekzekutuan mizorisht, 23 vjet më parë.

“Vrasja e aktivistit për të drejta të njeriut dhe e djemve të tij ishte një veprim i paramenduar i pushtetit serb, pikërisht në ditën kur NATO-ja filloi sulmet ajrore për t`i dhënë fund përpjekjes së këtij regjimi për shfarosjen e popullit të Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani.

Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes:

Të rrëmbyer nga forcat gjenocidale të Serbisë, avokati Bajram Kelmendi me dy djemtë e tij, Kastriotin e Kushtrimi, 23- vjet më parë  u ekzekutuan mizorisht.

Vrasja e aktivistit për të drejta të njeriut dhe e djemve të tij ishte një veprim i paramenduar i pushtetit serb, pikërisht në ditën kur NATO-ja filloi sulmet ajrore për t`i dhënë fund përpjekjes së këtij regjimi për shfarosjen e popullit të Kosovës.

Avokati Kelmendi do të mbahet mend për angazhimin në fushën e drejtësisë, e cila do të vendoset kur vrasësit e tij dhe dy djemve do të vihen para drejtësisë.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për avokatin dhe bijtë e tij!./ KultPlus.com

Presidenca me thirrje të hapur kërkon nominimin e tre anëtarëve të shoqërisë civile në Këshillin për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka publikuar një thirrje të hapur për nominimin e tre anëtarëve nga shoqëria civile, të cilët do të jenë pjesë e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.  

Ky Këshill është derivat i zotimeve, të cilat institucionet e Republikës së Kosovës i kanë marrë në kuadër të edicionit të parë të Samitit për Demokraci të organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Rrjedhimisht, Presidentja Vjosa Osmani ka inicuar themelimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, i cili do të luaj rolin e mekanizmit përgjegjës për udhëheqjen dhe garantimin e mbarëvajtjes së punës së të gjitha institucioneve të cilat janë drejtpërdrejt përgjegjëse për përmbushjen e zotimeve të prezantuara në Samitin për Demokraci.

Ky Këshill do të jetë përgjegjës për të garantuar monitorimin, transparencën, dhe llogaridhënien në lidhje me përmbushjen e këtyre zotimeve.

Thirrjen e gjeni në vegzën në vijim:

Shpallje – Presidente e Republikës së Kosovës – DR. VJOSA OSMANI – SADRIU (president-ksgov.net) / KultPlus.com

Presidentja Osmani përkujton Epopenë e Dukagjinit: Liria jonë mbanë fuqishëm vulën e secilit dëshmor të UÇK-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 24-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, kur në Gllogjan, luftëtarët e UÇK-së u përballën në fushëbetejë me forcat e regjimit gjenocidal serb.

“Luftëtarët e lirisë bashkë me ata të Aleancës Veri-Atlantike, i dhanë udhë lirisë sonë, e bën të mundshme realizimin e amanetit të brezave, prandaj kujtimi për të gjithë dëshmorët e UÇK-së do të jetë i përjetshëm”, ka theksuar Presidentja Osmani.

“Liria jona mbanë fuqishëm vulën e secilit dëshmor. Ata janë kujtimi i rrugës së zorshme nëpër të cilën kemi kaluar, ata janë referencë për brezat dhe nderim për shtetin”, ka theksuar Presidentja Osmani./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Ndërhyrja historike e NATO-s e vulosi të drejtën tonë për liri e pavarësi (VIDEO)

Sot shënohet 23-vjetori i fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë, përcjell KultPlus.

Presidentja Osmani përmes një video-mesazhi në Facebook ka thënë së 23 vite më parë filloi të jetësohet shpresa e popullit tonë për një Kosovë të lirë.

23 vite më parë, filloi të jetësohet shpresa e popullit tonë paqedashës për një Kosovë të lirë. Në këtë përvjetor, shprehim në veçanti mirënjohjen e thellë për rolin e Sekretares Albright, e cila fizikisht na la dje, por do të mbetet përherë fanar ndriques për të ardhmen tonë. Ndërhyrja historike e NATO-s e vulosi të drejtën tonë për liri e pavarësi. Në emër të popullit të Kosovës, të atyre që nuk janë më në mesin tonë, dhe brezave të tërë që do të vijnë pas nesh, ju faleminderit!.“- ka shkruar presidentja Osmani/ KultPlus.com

SHBA mbetet e përkushtuar ndaj sovranitetit, integritetit dhe sigurisë rajonale të Kosovës

Gjatë javës së 14 marsit, Asistentja e Presidentit për Sigurinë Kombëtare Liz Sherwood-Randall udhëhoqi një delegacion të SHBA-së në Prishtinë, Kosovë.

Në këtë vizitë, Sherwood-Randall u takua me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryeministrin Albin Kurti dhe vizitoi kampin Liya dhe kampin Bondsteel.

Sherwood-Randall përsëriti përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin, integritetin territorial dhe sigurinë rajonale të Kosovës, siç dëshmohet përmes udhëheqjes së qëndrueshme të SHBA-së në misionin e NATO-s në Forcën e Kosovës (KFOR) dhe mbështetjes thelbësore për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), ku edhe po vazhdon planin e tij 10-vjeçar të tranzicionit.

Sherwood-Randall shprehu falënderime të thella për Osmanin e Kurtin për mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës për pritjen e përkohshme të afganëve vulnerabël në Kampin Liya gjatë tranzicionit në shtëpitë e ardhshme, për partneritetin e Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe për aktet e solidaritetit të Kosovës me ukrainasit. /KultPlus.com

l;

Human Rights Watch letër Kurtit, Osmanit e Haxhiut: Siguroni të drejta për çiftet e seksit të njëjtë

Organizata për mbikëqyrjen e të drejtave të njeriut “Human Rights Watch” i ka shkruar një letër të përbashkët presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pasi Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar Kodin e ri Civil në leximin e parë, meqë në Kodin Civil të dërguar për miratim nga ministria e Drejtësisë përfshihet edhe lejimi i martesave të gjinisë së njëjtë.

Kjo ka qenë edhe arsyeja pse në Kuvend është shkaktuar debat i madh, pasi disa deputetë të koalicionit qeverisës s’kanë kursyer as komentet homofobike në sallën e Kuvendit.

“Ne po ju shkruajmë të shqetësuar pas hapave të fundit për të miratuar martesat e gjinisë së njëjtë në kuadër të Kodit të ri Civil”, thuhet në letër.

Nga HRW kërkojnë që t’i jepet fund diskriminimit dhe përjashtimit të martesës së gjinisë së njëjtë nga legjislacioni i Kosovës.

Në fund të letrës thuhet se HRW shpreson që Qeveria e Kosovës do të punojë për të siguruar që çiftet e të njëjtës gjini të kenë të drejta sikur çiftet tjera dhe se institucionet e Kosovës do të veprojnë për të çrrënjosur diskriminimin në baza të orientimit seksual dhe baza gjinore.

“Shpresojmë që qeveria e Kosovës do të punojë për të siguruar që çiftet e të njëjtit seks ta kenë të njëjtat të drejta si çiftet e tjera, dhe për të çrrënjosur diskriminimin në bazë të orientimit seksual dhe identiteti gjinor në të drejtën familjare. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë informacion dhe këshilla – dhe presin me padurim legjislacionin që i jep fund diskriminimit në të drejtën familjare dhe ofron më të fortën mbrojtje e mundshme për çiftet e të njëjtit seks dhe familjet e tyre”, thuhet në letër. /Express/ KultPlus.com

Takimi me delegacionin nga Shtëpia e Bardhë, Osmani: Jam krenare për intensifikimin e bashkëpunimit tonë me SHBA-të

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur një delegacion nga Shtëpia e Bardhë sot në Presidencë.

Në krye te delegacionit amerikan është Elizabeth Sherwood-Randall, asistente e presidentit të SHBA’së për Siguri Kombëtare. Bashkë me të janë edhe Curtis Reid, drejtor i Lartë për Çështje Multilaterale në kuadër të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Hillary Hurd, këshilltare e Lartë në Këshillin për Siguri Kombëtare dhe Holly Holzer, koordinatore e Departamentit të Shtetit për Përpjekjet e Zhvendosjes nga Afganistani (CARE).

“Jam krenare për intensifikimin e bashkëpunimit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jemi të vendosur për t`i forcuar mëtej marrëdhëniet tona politike, ushtarake dhe ekonomike, prandaj sot pata nderin ta mirëpres në takim një delegacion nga Shtëpia e Bardhë, të udhëhequr nga znj. Elizabeth Sherwood-Randall, këshilltare e Presidentit Biden.
Marrëdhëniet me SHBA-të janë ekzistenciale dhe strategjike!”, ka shkruar Osmani në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Delegacioni i Shtëpisë së Bardhë sot në Presidencë, priten nga presidentja Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu do ta pres sot në takim një delegacion nga Shtëpia e Bardhë.

ZPRK-ja përmes një komunikate për media tha se ky takim do të mbahet në orën 15:00.

Sipas burimeve të Gazetës Express, zyrtarët amerikanë që do të jenë pjesë e delegacionit të Shtëpisë së Bardhë e që do të priten nga Presidentja Osmani janë:

Elizabeth Sherwood-Randall- asistente e Presidentit të SHBA’së për Siguri Kombëtare

Curtis Reid- Drejtor i Lartë për Çështje Multilaterale në kuadër të Këshillit të Sigurisë Kombëtare

Hillary Hurd– Këshilltare e Lartë në Këshillin për Siguri Kombëtare

Holly Holzer- Koordinatore e Departamentit të Shtetit për Përpjekjet e Zhvendosjes nga Afganistani (CARE)

Ky delegacion do të jetë i shoqëruar edhe nga Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier si dhe Këshilltarja për Ekonomi Politike në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Amy Carnie./KultPlus.com

Delegacioni i Shtëpisë së Bardhë nesër në Presidencë, pritet nga Presidentja Osmani

Nesër, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu do ta pres në takim një delegacion nga Shtëpia e Bardhë.

ZPRK-ja përmes një komunikate për media tha se ky takim do të mbahet në orën 15:00.

Po ashtu, në orën 16:10, presidentja pret në takim edhe kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer.

“Fillimisht Presidentja Osmani do ta presë Kancelarin Nehammer në hyrje të objektit të Kuvendit të Kosovës, ku do të bëhet edhe fotografia zyrtare, dhe më pas takimi do të mbahet në Kabinetin e Presidentes”, thuhet në komunikatën e tyre. / KultPlus.com

Presidentja Osmani takon komandantin e KFOR-it Gjeneral Major Ferenc Kajári, diskutohet çështja e sigurisë në vend

Presidentja Osmani takoi komandantin e KFOR-it Gjeneral Major Ferenc Kajári.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Ferenc Kajári, me të cilin diskutoi çështjen e sigurisë në vend dhe zhvillimet e fundit në kontinentin evropian pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për punën e KFOR-it dhe kontributin e tyre për paqe dhe siguri. Ne anën tjetër, komandanti Kajári ritheksoi përkushtimin e trupave të KFOR-it në mbështetjen e një mjedisi të sigurt dhe paqësor në të gjithë vendin. / KultPlus.com

Letra e plotë e presidentes Osmani drejtuar Biden, i kërkon anëtarësimin e Kosovës në NATO

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani i ka dërguar një letër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ku i ka kërkuar ndihmën e ShBA-së për t’u anëtarësuar në NATO.

“Në këtë kohë sfiduese, dhe si gjithmonë, Shtetet e Bashkuara mund të vazhdojnë të llogarisin në Republikën e Kosovës si një mike dhe aleate e përkushtuar dhe si një vend që do të mbrojë interesat tona të përbashkëta”.

“Integrimi euroatlantik ka qenë gjithmonë synimi ynë, por sot – në dritën e ngjarjeve të paprecedentë në kontinentin evropian – është prioriteti ynë kryesor i sigurisë kombëtare. Evropa po përballet me kohërat më të errëta dhe më të rrezikshme që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Ndërsa ne ndajmë qëllimin e përbashkët për mbrojtjen dhe promovimin e sigurisë globale, anëtarësimi i Kosovës në NATO është bërë imperativ. Argumentet që kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO shpërfillin imperativat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe nuk i shërbejnë interesit të botës së lirë demokratike, e cila është nën rrethimin në rritje nga tendencat autoritare dhe politikat e tyre agresive”, shkruan Klan Kosova.

Tutje Osmani thotë se Kosova e ka dëshmuar vazhdimisht se si dhe pse e meriton anëtarësimin në NATO.

“Pa dyshim, Republika e Kosovës ka dëshmuar vazhdimisht se si dhe pse e meriton, beson plotësisht dhe duhet të jetë anëtare e plotë e familjes euroatlantike të kombeve. Vendi im dhe qytetarët e tij kanë luftuar për dekada jo vetëm për lirinë, por për vendin tonë të merituar në familjen e kombeve euroatlantike, si një partner i besueshëm dhe i aftë në ndërtimin, ruajtjen dhe mbrojtjen e paqes dhe demokracisë. Kosova është vendi më pro amerikan dhe pro NATO-s në botë. Megjithatë, edhe sot e kësaj dite, Kosova mbetet e përjashtuar nga procesi, marrëveshjet dhe programet e zgjerimit të NATO-s, siç është Partneriteti për Paqe (Pfp) dhe ende nuk është bërë anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut (AS)”, thuhet në letrën e Osmanit.

Më poshtë e gjeni letrën e plotë

I nderuar President Biden,

Me kënaqësi të madhe mora mesazhin tuaj dashamirës me rastin e 14 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Miqësia dhe partneriteti i qëndrueshëm midis dy vendeve tona janë të rrënjosura në vlerat e përbashkëta demokratike dhe një përkushtim për promovimin e stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme.

Siç theksuat ju, zoti President, Republika e Kosovës ka bërë progres të jashtëzakonshëm dhe sot shërben si shembull në skenën ndërkombëtare. Kosova është transformuar nga një shoqëri e shkatërruar nga lufta në një vend që respekton dhe vlerëson demokracinë dhe vlerat që e mbështesin atë. Ne mbajmë zgjedhje shembullore të lira dhe të ndershme, ofrojmë mbrojtje të avancuar ligjore për pakicat etnike dhe pakicat e tjera dhe kontribuojmë në shkaqet globale të paqes, sigurisë dhe veprimeve humanitare. Së fundmi, ne iu bashkuam botës demokratike në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për luftën e saj të paprovokuar kundër Ukrainës dhe treguam gatishmëri për të pritur refugjatë ukrainas. Ne jemi gjithmonë të përulur që kemi mundësinë t’i kthejmë aleatët tanë pas dekadave të investimeve politike, ekonomike dhe ushtarake në vendin tonë.
Kosova sot është një faktor kyç në promovimin e stabilitetit rajonal. Kjo është në fund të fundit vendosmëria e popullit të Kosovës, por është edhe arritja jonë e përbashkët, prandaj

SHBA vazhdon të mbajë një vend të veçantë në zemrat dhe mendjet e popullit tonë. Në këtë kohë sfiduese, dhe si gjithmonë, Shtetet e Bashkuara mund të vazhdojnë të llogarisin në Republikën e Kosovës si një mike dhe aleate e përkushtuar dhe si një vend që do të mbrojë interesat tona të përbashkëta.

Integrimi euroatlantik ka qenë gjithmonë synimi ynë, por sot – në dritën e ngjarjeve të paprecedentë në kontinentin evropian – është prioriteti ynë kryesor i sigurisë kombëtare. Evropa po përballet me kohërat më të errëta dhe më të rrezikshme që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Ndërsa ne ndajmë qëllimin e përbashkët për mbrojtjen dhe promovimin e sigurisë globale, anëtarësimi i Kosovës në NATO është bërë imperativ. Argumentet që kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO shpërfillin imperativat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe nuk i shërbejnë interesit të botës së lirë demokratike, e cila është nën rrethimin në rritje nga tendencat autoritare dhe politikat e tyre agresive.

Pa dyshim, Republika e Kosovës ka dëshmuar vazhdimisht se si dhe pse e meriton, beson plotësisht dhe duhet të jetë anëtare e plotë e familjes euroatlantike të kombeve. Vendi im dhe qytetarët e tij kanë luftuar për dekada jo vetëm për lirinë, por për vendin tonë të merituar në familjen e kombeve euroatlantike, si një partner i besueshëm dhe i aftë në ndërtimin, ruajtjen dhe mbrojtjen e paqes dhe demokracisë. Kosova është vendi më pro amerikan dhe pro NATO-s në botë. Megjithatë, edhe sot e kësaj dite, Kosova mbetet e përjashtuar nga procesi, marrëveshjet dhe programet e zgjerimit të NATO-s, siç është Partneriteti për Paqe (Pfp) dhe ende nuk është bërë anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut (AS).

Si Presidente e Republikës së Kosovës, e pranoj se politika e jashtme dhe e sigurisë kombëtare e SHBA-së për Evropën përqendrohet në një Evropë të lirë, të plotë dhe në paqe dhe se integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike është pjesë e një stabiliteti. marrëdhënie transatlantike. Duke pasur parasysh këtë, ne shprehim besimin dhe pritshmërinë tonë që SHBA-të do të përdorin lidershipin dhe ndikimin e tyre për të mbështetur dhe avancuar në mënyrë aktive procesin kompleks të anëtarësimit në NATO për Kosovën, duke filluar me programin pfp dhe anëtarësimin e plotë në Kartën e Adriatikut.

Ndërsa sytë e botës janë me të drejtë në luftën shkatërruese në Ukrainë tani, ne nuk duhet të harrojmë situatën e brishtë me të cilën përballemi në Ballkan. Jemi të ekspozuar ndaj përpjekjeve të vazhdueshme të Rusisë për të minuar Kosovën dhe destabilizuar të gjithë Ballkanin Perëndimor. Revizionizmi i Putinit është një përpjekje për të minuar parimet dhe vlerat thelbësore që qëndrojnë në themelin e sistemit ndërkombëtar të pas Luftës së Dytë Botërore.

Përballë këtyre zhvillimeve, Republika e Kosovës qëndron në prag të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera demokratike anembanë botës kundër veprimeve kërcënuese të Rusisë të pranuara në heshtje dhe të dukshme dhe të mbështetura ndryshe nga përfaqësuesi i saj në Ballkanin Perëndimor. Fillimi i programit pfp të NATO-s fillimisht, dhe përfundimisht, një anëtarësim i plotë në Aleancë, do të kontribuonte ndjeshëm drejt konsolidimit dhe fuqizimit të këtyre përpjekjeve. Ne jemi me shpresë dhe optimistë se do të kemi mbështetjen e aleatit tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë përpjekje vendimtare.

Pres me padurim mundësinë për t’u takuar me ju personalisht sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ju lutemi pranoni, zoti President, garancitë e konsideratës sime më të lartë për ju dhe vendin tuaj. Zoti i bekoftë kombet tona dhe botën e lirë.

Sinqerisht,
Vjosa Osmani Sadriu Presidente e Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

Osmani ndan Medaljen Presidenciale Ushtarake për ushtarët ukrainas që kanë shërbyer në Kosovë nga viti 1999

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë sot Medaljen Presidenciale Ushtarake për ushtarët ukrainas që kanë shërbyer në Kosovë në kuadër të KFOR-it që nga viti 1999.

Osmani ka thënë se një mirënjohje e tillë shkon për 1 mijë e 400 ushtarët ukrainas, gra e burra, të cilët u kujdesën për sigurinë e Kosovës.

Presidentja tutje ka potencuar se “në kohën kur në Ukrainë po mbrohet në mënyrë dinjitoze e tashmja dhe e ardhmja e gjithë Evropës, populli i Kosovës qëndron me popullin dhe ushtarët e Ukrainës drejt fitores ndaj agresionit rus”.

Shkrimi i plotë i Osmanit:

Sot dekorova me Medaljen  Presidenciale Ushtarake kontigjentin ukrainas të KFOR-it për kontributin e dhënë për më shumë se dy dekada për paqen dhe sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Medalja e sotme është mirënjohje ndaj 1400 grave e burrave të Forcave të Armatosura të Ukrainës, të cilët shërbyen në Kosovë që nga viti 1999 në kuadër të forcave të NATO-s, por edhe vlerësim ndaj profesionalizmit dhe trimërisë të cilat kjo ushtri po i manifeston në këto kohë të errëta për popullin ukrainas dhe për gjithë kontinentin tonë.

Në kohën kur në Ukrainë po mbrohet në mënyrë dinjitoze e tashmja dhe e ardhmja e gjithë Evropës, populli i Kosovës qëndron me popullin dhe ushtarët e Ukrainës drejt fitores ndaj agresionit rus. / KultPlus.com

Osmani gjatë Forumit Diplomatik të Antalisë është takuar me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Forumin Diplomatik të Antalisë ka takuar personalitete të ndryshme botërore, me të cilët edhe ka zhvilluar edhe disa biseda, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, shkroi se edicioni i dytë i Forumit Diplomatik të Antalisë ishte një mundësi e shkëlqyer për të takuar dhe diskutuar me homologë e liderë nga mbarë bota për rëndësinë e aleancave dhe bashkërenditjes së qëndrimeve e veprimeve karshi zhvillimeve të fundit në Evropë dhe jo vetëm.

“Në kuadër të ADF2022 u takuam me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, anëtarin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Sefik Dzaferoviq dhe kryeministrin e nominuar të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, me të cilët diskutova për zhvillimet në rajonin tonë, rëndësinë e përshpejtimit të rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian si dhe intensifikimin e bashkëpunimit rajonal për tejkalimin e sfidave dhe barrierave me të cilat përballemi”, ka shkruar Osmani duke falënderuar Erdoganin dhe Çavushoglun për mikpritjen e delegacionit kosovar.

Në vrazhdën e takimeve, Osmani ka biseduar edhe me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Pata po ashtu rastin të shkëmbej vlerësime rreth zhvillimeve të fundit edhe me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg”, shkroi presidentja.

Në këto takime, e parja e shtetit ka pasur rastin që të takojë shtete të cilat e kanë njohur Kosovën, por edhe të tilla të cilat nuk e njohin sovranitetin dhe pavarësinë e vendit më të ri në kontinentin e vjetër.

“ADF është shndërruar në platformë të përmasave globale për diskutime përmbajtësore e strategjike, e të cilat u realizuan në një moment tejet të rëndësishëm”, deklaroi tutje Osmani. /KultPlus.com

Presidentja Osmani: Sulmi me minahedhës në Tregun e Mitrovicës 23 vjet më parë, shpërfaq barbarinë e regjimit gjenocidal serb

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar sulmin me minahedhës në Tregun e Mitrovicës 23-vjet më parë.

Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani: 

Sulmi me minahedhës në Tregun e Mitrovicës 23-vjet më parë, shpërfaqë barbarinë e regjimit gjenocidal serb, i cili ia mori jetën gjashtë qytetarëve dhe la të plagosur 128 të tjerë.

Në këtë përvjetor, nderojmë kujtimin për të vrarët dhe riafirmojmë nevojën për drejtësi. Respekti më i madh ndaj atyre që u vranë dhe atyre që jetojnë më traumat nga ky akt është vendosja e drejtësisë.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të vrarët në Tregun e Mitrovicës!/ KultPlus.com

Kurti: Vetëm një botë e bashkuar dhe demokratike mund të ndalojë Putinin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e Forumit Diplomatik në Antalia të Turqisë, ka takuar ministrin e jashtëm të Austrisë, Alexander Schallenberg, Përfaqësuesin e Lartë Ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt dhe mandatarin për krijimin e qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Përmes një postimi në “Twitter”, Kurti njoftoi edhe temën e bisedës që e bëri me diplomatët në takimet që zhvilloi.

“Ne nuk duhet t’u dorëzohemi autokratëve askund dhe në asnjë kohë. Vetëm një botë e bashkuar dhe aktive demokratike do të ndalojë Putinin dhe do të parandalojë despotë të tjerë në të ardhmen”, ka shkruar Kurti.

Përveç kryeministrit të Kosovës, në Forumin për Diplomaci që po mbahet në Antalia të Turqisë, përveç kryeministrit Kurti, po merr pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani. /KultPlus.com