Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me mandatarin për krijimin e qeverisë së re në Mal të Zi, Dritan Abazoviqin.
Osmani e Abazoviq janë duke marrë pjesë në Ditën e dytë të Forumit për Diplomaci, i cili po mbahet në Antali të Turqisë, përcjell Klankosova.tv.
Lajmin për takimin e tyre e ka dhënë vet Osmani, përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, ku tha se disktuan për rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve.
“Diskutuam rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve tona tashmë të shkëlqyera fqinjësore dhe potencialin e jashtëzakonshëm për të avancuar më tej bashkëpunim në dobi të popullit tonë”, ka shkruar Osmani./ KultPlus.com
Discussed the importance of strengthening our already excellent neighborly relations & the immense potential to further advance 🇽🇰-🇲🇪 cooperation to the benefit of our people. pic.twitter.com/shKzAKj8KC
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Ballkani Perëndimor duhet që domosdoshmërisht t’i bashkohet strukturave euroatlantike.
Teksa foli në panelin ku u diskutua tema “Rrugët rajonale dhe globale drejt paqes dhe prosperitetit”, në Forumin Diplomatik të Antalisë, Osmani tha se një mjedis paqësor dhe i begatë është çelës për çdo shoqëri.
“Një mjedis paqësor dhe i begatë është çelës për çdo shoqëri, sepse ndikon në të gjitha aspektet e zhvillimit shoqëror të një vendi”, ka theksuar Presidentja Osmani. Por, sipas saj, qëllimet e tilla asnjë vend nuk mund t`i arrijë i vetëm. “Vendosja e bashkëpunimit rajonal dhe global do ta mundësojë paqen dhe stabilitetin, i cili favorizon zhvillimin ekonomik, prosperitetin dhe përparimin”, ka thënë ajo.
Njoftimi i plotë:
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të punimeve të Forumit Diplomatik të Antalisë, sot ka marrë pjesë në panelin e liderëve ku u diskutua për temën “Rrugët rajonale dhe globale drejt paqes dhe prosperitetit”.
Sipas Presidentes Osmani, paqja dhe prosperiteti janë të lidhura ngushtë dhe parakushte për një shoqëri progresive e të zhvilluar.
“Një mjedis paqësor dhe i begatë është çelës për çdo shoqëri, sepse ndikon në të gjitha aspektet e zhvillimit shoqëror të një vendi”, ka theksuar Presidentja Osmani. Por, sipas saj, qëllimet e tilla asnjë vend nuk mund t`i arrijë i vetëm.
“Vendosja e bashkëpunimit rajonal dhe global do ta mundësojë paqen dhe stabilitetin, i cili favorizon zhvillimin ekonomik, prosperitetin dhe përparimin”, është shprehur Presidentja Osmani.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar se rajoni i Ballkanit Perëndimor domosdoshmërisht duhet t`i bashkohet strukturave euroatlantike. Më tej, Presidentja Osmani ka thënë se e vetmja mundësi për ta ruajtur paqen është komunikimi i qartë dhe i drejtpërdrejt, megjithëse sipas saj, paqja është gjithnjë e kërcënuar.
“Përkundër përparimit të jashtëzakonshëm që ka bërë Kosova si shtet, por edhe kontinenti ynë, sot të gjithë i shohim qartë kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë, të cilat janë të vazhdueshme dhe aktive”, është shprehur Presidentja Osmani.
Diskutimin e saj, Presidentja Osmani e përmbylli me një mesazh shprese për bashkëpunimin e botës demokratike për ruajtjen e paqes: “Ashtu siç u mblodh bota demokratike për t’i dhënë fund vuajtjeve dhe gjenocidit në Kosovë në 1999, jam e sigurt që këtë do ta shohim edhe në rastin e Ukrainës dhe kudo tjetër në botë ku ka luftë dhe vuajtje”. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock. Në takim kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, si dhe i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova i është bashkuar BE-së dhe ShBA-ve, me vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës së Rusisë, e cila ka kryer agresion ushtarak ndaj Ukrainës. Sipas Presidentes Osmani, Republika e Kosovës e mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës dhe është e gatshme për të strehuar refugjatë ukrainas.
Presidentja Osmani kërkoi nga ministrja Baerbock mbështetje nga Gjermania për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Ajo theksoi se Kosova është e gatshme të plotësoj të gjitha kriteret për anëtarësim në këtë organizatë, pasi që paraqet shtysë të rëndësishme për zbatimin e standardeve evropiane për të drejtat e njeriut dhe agjendën evropiane të vendit.
Po ashtu, Presidentja Osmani theksoi se për Kosovën dhe paqen e sigurinë në rajon, është ekzistenciale fillimi i procesit të anëtarësimit në NATO. Agresioni rus në Ukrainë, sipas Presidentes Osmani ka nxitur domosdoshmërinë e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe gjithë Ballkanit Perëndimor.
Presidentja Osmani ka potencuar se aspirata e Kosovës për t’u bërë anëtare e NATO-s, synon parandalimin e përpjekjeve për ta destabilizuar vendin tonë dhe rajonin nga përpjekjet e Rusisë dhe aleatit të saj, Serbisë. Më tej, Presidentja Osmani ka përmendur kërcënimin që vjen nga bashkëpunimi i ngushtë ushtarak ndërmjet Rusisë dhe Serbisë, sikurse edhe nga funksionimi i një qendre ruse afër kufirit me Kosovën.
Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësim në Partneritetin për Paqe, pastaj në NATO, si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
Në këtë takim u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve. Presidentja Osmani theksoi se për Kosovën, Gjermania është partner strategjik në aspektin politik, të sigurisë dhe atë ekonomik. Sipas saj, Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë.
Presidentja Osmani vlerësoi se marrëdhëniet me Gjermaninë i bëjnë edhe më të forta një numër i madh i mërgimtarëve kosovarë, të cilët jetojnë dhe janë të integruar mirë në Gjermani. Prandaj, sipas Presidentes Osmani, Kosova e konsideron Gjermaninë si një forcë lëvizëse për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe rajonit. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka takuar sot, shefin e BE-së në Kosovë, ambasadorin Tomáš Szunyog, me të cilin ka biseduar për situatën në Kosovë dhe rajon pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse kundër Ukrainës.
Ambasadori Szunyog shprehu falënderimin e Bashkimit Evropian për qëndrimin dhe veprimet e qarta të institucioneve të Republikës së Kosovës në kundërshtim të agresionit rus dhe hapave të ndërmarra që janë në harmoni me veprimet e Bashkimit Evropian.
Presidentja kërkoi që Bashkimi Evropian t’i ofrojë mbështetje Kosovës në ballafaqim me pasojat ekonomike që rezultuan me rritje çmimesh, pas fillimit të luftës në Ukrainë.
Osmani ka shprehur mirënjohjen e saj për mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe theksoi se Serbia mbetet njëri nga shtetet e pakta evropiane që nuk e kanë harmonizuar politikën e tyre të jashtme me Bashkimin Evropian, gjë që rrezikon stabilitetin e gjithë rajonit. /KultPlus.com
Presidentja e Kosovës një konferencë për media, është paraqitur me një fjalim me rastin e Ditës së Gruas, shkruan KultPlus.
Këtë fjalim, Osmani e filloi duke adresuar çështjet problematike që janë në vend për shkak të mos-barazisë gjinore.
“Do të doja që të fillojë këtë 8 Mars me një dolli dhe të ju them gëzuar kjo festë. Uroj që në 365 ditët në vijim, fjalët grua dhe vajzë të jenë sinonim i triumfit dhe suksesit, ashtu siç ishin shumë gra gjatë vitit që lam pas”.
E parja e shtetit uron që t’i vihet fund një herë e mirë barazisë gjinore dhe kjo gjë të jetë synim i të gjithëve, për të pasur një jetë më të mirë.
“Shënimi i Ditës së Gruas këtë vit, jo vetëm në Kosovë, por anë e mbanë botës përkon me një kohë kur ne po ballafaqohemi me sfida të madhe, duke përfshirë rritjen e rasteve të dhunës në familje, raste evidente të diskriminimit mbi barazi gjinore, dhunës, si dhe të papunësisë së lartë në mesin e grave dhe vajzave. Këto probleme nuk e kanë gjenezën në ditët e muajve që po i lëmë pas. Por është e qartë tashmë që barazia gjinore dhe të drejtat e grave janë themelore dhe janë parakusht për adresimin e të gjitha sfidave që i përmendëm”.
Ajo beson se siguria, prosperiteti dhe stabliteti arrihet vetëm atëherë kur promovohet dhe mbrohet e drejta e grave.
“Ne mund të arrijmë prosperitet, siguri, stabilitet vetëm atëherë kur promovojmë dhe mbrojmë të drejtat e grave dhe të vajzave. Me vite, gratë kanë thirrur për barazinë, përsërin se ka ardhur koha, koha për barazi, mundësi, përfaqësi dhe koha për t’i dhënë fund dhunës. Duhet të bashkohemi që të gjithë, gra e vajza, burra e djem, të rinj e të moshuar që t’i japim frymë barazisë gjinore”. /KultPlus.com
Institucionet kosovare dhe organizatat joqeveritare kanë organizuar sot një aktivitet në qendër të Prishtinës në solidarizim me popullin ukrainas, shkruan KultPlus.
Të pranishëm në këtë tubim ishin edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, gazetarë e përfaqësues të shoqërisë civile.
Gjithashtu, në këtë protestë ka qenë e pranishme edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila para mediave tha se ajo çfarë po përjeton populli i Ukrainës e rikthen Kosovën në kohë.
“Natyrisht që ajo çfarë po përjeton populli i Ukrainës në këto momente na rikthen kujtimet e plagëve të rënda që janë shkaktuar mbi secilin qytetar të Kosovës gjatë viteve të 90-ta nga regjimi gjenocidial i Serbisë. Prandaj edhe jemi bashkuar botës demokratike jo vetëm për ta dënuar agresionin rus mbi Ukrainën por edhe për të kërkuar përgjegjësi për krimet qe po i kryen krimineli i luftës diktatori Putin”.
Sa i përket Kosovës dhe mbështetjes së saj për Ukrainën, e parja e shtetit thotë se institucionet kanë treguar gatishmëri me aq kapacitete që i kanë.
“Institucionet tona kanë treguar gatishmëri që të gjitha ato kapacitete që i kemi dhe që kanë ndërtuar në ndërkohë për pritjen e refugjatëve nga Ukraina ti shfrytëzojmë… Kosova ka treguar gatishmëri që t’i jep mbështetje dhe mikpritje edhe gazetarëve nga Ukraina në mënyrë që ata jo vetëm të vendosen në Kosovë por edhe të vazhdojnë ta kryejnë punën e gazetarisë e raportimit këtu nga një vend u sigurte, pra nga republika e Kosovës”.
Ukraina është duke kaluar nëpër momente shumë të vështira pas pushtimit nga Rusia, e ndërkohë janë duke u zhvilluar disa takime mes palëve për të gjetur një marrëveshje. /KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, janë takuar së fundmi me pasardhësit e familjes Jashari, shkruan KultPlus.
Në kuadër të shënimit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krerët e shtetit kanë takuar edhe pasardhësit e familjes Jashari.
Në një fotografi të postuar nga Osmani shihen Rifat Jashari së bashku me Bekim Jashari dhe fëmijët e tjerë të familjes.
“Liria triumfoi mbi robërinë! Çlirimtarët triumfuan mbi pushtuesit! E mira triumfoi mbi ligësinë! Jeta triumfoi mbi vdekjen!”, ishte mbishkrimi i Osmanit në “Facebook”.
Ky vit shënon 24 vjetorin e rënies heroike të familjes Jashari në luftën e fundit në Kosovë. /KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe ne Kompleksin Memorial ne Prekaz në kujtim të Komandantitlegjendar Adem Jashari dhe gjithë familjes Jashari, përcjell KultPlus
“Homazhe në kujtim të Komandantit legjendar Adem Jashari dhe gjithë familjes Jashari. Sakrifica dhe trimëria e tyre do të mbesin dritë udhërrëfyese për breza të tërë.” – ka shkruar Osmani në postimin e saj në Facebook.
Bashkë me Osmanin në këtë vizitë ishin të pranishëm edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca./ KultPlus.com
Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancë solemne për të shënuar Epopenë e UÇK-së, shkruan KultPlus.
Fjalimi i plotë i presidentës Vjosa Osmani në këtë seancë.
“Sot jemi mbledhur në këtë seancë të veçantë për të përkujtuar sakrificën e familjes Jashari, peshën historike të ngjarjeve 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998 por dhe ndikimin e të gjithë atyre grave, burrave dhe të rejave dhe të rinjëve pati në historinë tonë më të re.Marsi i vitit 1998 shënon kthesën e madhe në historinë shekullore të përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri.Në këtë ditë, fryma e lirisë që nisi në Prekaz në familjen Jashari u bart gjithandej nëpërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ditë, që është vetëm njëra prej disave të tilla, por do të mbesë në historinë tonë edhe për shekuj të tërë, Familja Jashari në Prekaz u ndodh nën rrethimin e forcave të regjimit gjenocidal serb”.
Rrethime të tilla kjo familje kishte përjetuar edhe më 30 dhjetor 1991, më 22 janar 1998 dhe së fundi edhe më 5, 6 e 7 mars 1998.Në të tri rrethimet, rezistenca e familjes Jashari në krye me bacën Shaban, Hamzën dhe komandantin legjendar Adem Jasharin, nuk ishte përpjekje thjesht për mbrojtjen e pragut të shtëpisë së tyre.Ata, bashkë u vunë në mbrojtje të pragut të Kosovës, shtëpisë sonë të përbashkët për të cilën u flijuan. Në tri ditët e Epopesë, ata u heroizuan dhe të tillë, pra si heronj të kombit do të mbeten për sa të jetë Kosova.Ata u vunë në mbrojtje të dinjitetit, të lirisë dhe të së drejtës për shtet, prandaj sot në këtë ditë, përulemi para veprës së tyre heroike. Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 98, rezistenca e familjes Jashari ishte thirrje për mobilizim të të gjithë popullit për t`i dhënë fund robërisë, për ta kthyer dinjitetin në vend dhe për ta dërguar mesazhin se liria nuk ka çmim.
Duke refuzuar nënshtrimin, Komandanti Legjendar, Adem Jashari bashkë me shumë anëtarë të familjes e bashkëfshatarë ranë heroikisht, në mbrojtje të atdheut. Ky sakrifikim epik i familjes Jashari me bashkëfshatarë e bashkëluftëtarë u bë guri themeltar i lirisë dhe shtetit tonë. Kjo familje është portreti i lirisë sonë, e cila ishte e zorshme për t’u arritur, për të cilën u desh shumë mund, për të cilën ranë edhe 3 mijë dëshmorë të UÇK-së, 13 mijë civilë, u dhunuan afro 20 mijë gra e burra, dhe të zhdukur me dhunë janë ende mbi 1600 persona. Por, ende nuk ka drejtësi për asnjërin nga ta.
Prandaj, duhet të vendoset drejtësia edhe për të pasur kuptim liria jonë, edhe për të nxjerrë mësime nga historia. Ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë se drejtësi, sepse këtë e kemi obligim për një të ardhme më të mirë. Rezistenca dhe sakrifica sublime e familjes Jashari ishin dhe janë idealet për ta mbrojtur lirinë dhe të drejtën për të jetuar në shtet sovran. Këtë e bëri familja Jashari nën guximin, jo vetëm të familjarit, por edhe të komandantit të ushtrisë sonë, legjendarit Adem Jashari. Faleminderit komandant! Faleminderit familje Jashari! Faleminderit Ushtrisë sonë çlirimtare, të cilët vulosën fatin tonë si popull dhe si shtet. Sot jemi këtu në këtë ditë përkujtimore, në kazermën që me krenari mbanë emrin e komandantit legjendar, prandaj si krenaria ashtu edhe përgjegjësia jonë janë bërë bashkë.
Përveç frymëzimit që jep ky emër për secilin ushtar të Republikës së Kosovës, i ngarkon ata edhe me përgjegjësi për atdheun në kohën kur paqja po bëhet gjithnjë e më sfiduese. Sikurse dikur ne, bota sot është në përpjekje për mbrojtjen e lirisë si një e drejtë universale. Sot, mbi ushtarët tanë bie barra e sigurisë për popullin dhe për shtetin tonë. Unë besoj fuqishëm se ju jeni gardianët tanë dhe gardianët e çdo cepi të territorit të Kosovës. Lufta jonë çlirimtare bashkë me aleatët tanë e bëri lirinë tonë, e ju të nderuar ushtarë do ta mirëmbani lirinë tonë. Kërcënimet ndaj lirisë, tashmë janë realitet, të cilin ne akoma po e përjetojmë. Hegjemonia po shihet akoma në kontinentin tonë, pra në Evropë. Ne i njohim edhe sot vuajtjet e tyre dhe i njohim gjithnjë e më shumë ata që synojnë hegjemoninë.
Kjo situatë e bën të domosdoshme nevojën për unitet dhe për vigjilencë, sepse siç nuk ka luftë të përhershme, nuk ka as paqe të përhershme! Ne nuk duhet të heqim dorë asnjëherë nga përpjekja jonë që shtetin ta mbajmë stabil, e t`i dalim zot kudo, e kurdo. Si komandante supreme e ushtrisë sonë, jam e bindur se ju të dhashur ushtar do ta bëni këtë dhe jeni të gatshëm për secilën situatë. Megjithëse ushtria jonë është në fazën e transformimit, ju tashmë keni dhënë prova të mjaftueshme se krahas partnerëve ndërkombëtarë mund të shërbeni në çdo mision, të jeni jo vetëm garantues te paqes në shtetin tonë, por edhe importues të saj, kudo ku e kërkon nevoja.
Sot, sikurse asnjëherë më parë, ne duhet ta rrisim përkushtimin për ushtrinë tonë. Prandaj, themelimi i Fondit të Sigurisë nga ana e Qeverisë është dëshmi se ne duam ta forcojmë ushtrinë tonë në të gjitha mënyrat dhe me kontributin e gjithsecilit. Kjo është ushtria jonë e ndërtuar me shumë sakrifica, ndaj të gjithë ne duhet ta ndjejmë përkatësinë ndaj saj, jo vetëm nga shërbimet që i ofron ajo, por edhe duke e mbështetur konkretisht, sepse sa më shumë e mbështesim ushtrinë tonë, më të sigurt e kemi të ardhmen tonë. Prandaj, besoj fuqishëm se do ta arrijmë këtë me përkushtimin, kurajën dhe guximin e vajzave dhe djemve të Forcës, e cila po rritet çdo ditë e më shumë së bashku me kapacitet tona.
Ushtria jonë në këtë proces po zhvillohet edhe më tej si forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s. Prandaj, e them sërish siç e kemi thënë në këto 14 vite, anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i shtetit tonë, ndaj anëtarësimi në Aleancën Veri-Atlantike tani është më i domosdoshëm se kurrë dhe është parakusht për paqe në rajon. Prandaj, të nderuar ushtarë të Forcës, të nderuar pjesëmarrës, shumë e nderuar familje Jashari, luftëtarë të lirisë, aleatë tanë, heronjtë që ranë për lirinë tonë së bashku me viktimat civile e bën lirinë të mundshme, ne na mbetet që ta mirëmbajmë atë, ta forcojmë shtetin dhe ta sigurojmë atë duke e bërë pjesë të NATO-s, duke e bërë pjesë të Bashkimit Evropian, e të Kombeve të Bashkuara
Ky është mesazhi të cilin, ne përfaqësuesit e republikës së lirë të cilët e kanë përjetuar dhunën hegjemonike, duhet që edhe sot në këto ditë të errta të hegjemonisë së Evropës, të ua dërgojmë të gjithë njerëzve e popujve liri-dashës. Ne sonte na ka mbledhur në këtë seanca krenaria për heroin tonë”, thotë mes tjerash presidentja Osmani. /KultPlus.com
Kosova dhe Turqia do të thellojnë bashkëpunimin në fushën e sportit dhe rinisë. Për këtë është nënshkruar marrëveshje ndër-shtetërore në kuadër të vizitës zyrtare të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu në Turqi, përcjell KultPlus.
Në emër të Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, marrëveshjen e ka nënshkruar zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schëarz.
Disa nga pikat që përfshihen në këtë marrëveshje janë bashkëpunimi në ngritjen e kapaciteteve profesionale në fushën e sportit, shkëmbimi i përvojave në sport dhe rini, organizimi i garave të përbashkëta, realizimi i programeve të shkëmbimit të ekspertëve, shkëmbimi i ekspertëve në fushën e mjekësisë sportive dhe antidopingut, organizimi i kampeve të përbashkëta sportive, forcimi i politikave kombëtare rinore, mbështetja e programeve për punësim dhe formim profesional të të rinjve, zbatimi i programeve dhe projekteve për parandalimin e varësisë, organizimi i kampeve të përbashkëta rinore dhe festivaleve rinore e të tjera./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka mirëpritur vendimin e Kuvendit të Kosovës për miratimin e Rezolutës në mbështetje të Ukrainës.
Ajo tha se sot Kuvendi i Kosovës foli me një zë, teksa ka falënderuar të gjithë deputetët për votimin.
Osmani tha se Kosova qëndron me Ukrainën, sepse qëndron në anën re lirisë.
“Sot, Kuvendi i Kosovës foli me një zë. U dëshmua se përballë hegjemonive që cenojnë liritë më fundamentale njerëzore e që shkelin të drejtën e një populli për të jetuar i lirë, sovran e në përputhje me vlerat demokratike, ne gjithmonë qëndrojmë të bashkuar dhe në anën e drejtë të historisë. Falënderoj të gjithë deputetët të cilët e fuqizuan edhe mëtej qëndrimin tashmë të shprehur nga Kosova lidhur me dënimin e agresionit rus në Ukrainë, sanksionet ndaj Rusisë dhe hapjen e dyerve për refugjatët nga Ukraina. Kosova qëndron me Ukrainën, sepse Kosova qëndron në anën e lirisë! #WeStandWithUkraine”, ka shkruar Osmani në një postim në “Facebook”. / KultPlus.com
Presidentja Osmani u prit në takim nga kryetari i Parlamentit të Maltës, z.Angelo Farrugia dhe ministri i Punëve të Jashtme të Maltës, z. Evarist Bartolo, përcjell KultPlus.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në vazhdën e takimeve gjatë vizitës zyrtare në Maltë, është pritur nga kryetari i Parlamentit, z.Angelo Farrugia dhe nga Ministri i Punëve të Jashtme z.Evarist Bartolo.
Presidentja Osmani ka theksuar se në kuadër të diplomacisë parlamentare e pret ndihmën e z.Farrugia dhe të parlamentit të Maltës në mënyrë që edhe Kosova të arrijë të përfaqësohet në organizata ndërkombëtare.
Në takimin me ministrin e punëve të Jashtme të Maltës, z. Evarist Bartolo, u bë e qartë se mbështetja e tij dhe e Maltës në procesin e anëtarësimit në BE si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare nuk ka munguar deri tani dhe është kërkuar që kjo përkrahje të vazhdojë edhe më tutje.
Kosova dhe Malta mbesin dy vende dhe partnere të besueshme dhe të përkushtuara për thellim të raporteve bilaterale. / KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar presidentin kroat Zoran Milanoviq, për propozimin që ky i fundit ka bërë rreth Kosovës që t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësin në Bashkimin Evropian, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare në “Twitter”, Osmani ka falënderuar Milanoviq duke thënë se Kroacia është një vend kampion në përkushtimin e saj për anëtarësimin e Kosovës në BE.
“Ne jemi të gatshëm të punojmë me të gjitha vendet anëtare dhe institucionet e BE-së për të përshpejtuar zbatimin e reformave në rrugën tonë të anëtarësimit”, ka shkruar Osmani.
Zoran Milanoviq i ka dhënë gjithë mbështetjen e tij kandidaturës së Ukrainës për të hyrë në Bashkimin Evropian, por gjithashtu pati edhe propozimin tjetër që përfshin statusin e kandidatit për Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën si dhe fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur një vizitë pune në Maltë, me ftesë të presidentit të Maltës, George Vella, nën patroantin e të cilit do të mbahet Forumi për Paqe dhe Kulturë.
Përveç takimit me homologun, Presidentin Vella, ajo do të takohet edhe me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Angelo Farrugia, dhe Ministrin e Jashtëm të Maltës, Evarist Bartolo.
Në Forumin për Kulturë dhe paqe, Osmani do të jetë paneliste krahas presidentëve të tjerë, në tryezën ku do të diskutohet për rolin e liderëve botërorë në paqe. /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës është pritur sot në takim nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Në takim me presidentin Erdoğan, Presidentja Osmani, e shoqëruar edhe nga ministrja për punë të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla si dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, e ka falënderuar Turqinë për mbështetjen ndaj Kosovës në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe të shtetndërtimit. Gjatë këtij takimi, Presidentja Osmani ka marrë konfirmimin e Presidentit Erdoğan se Turqia e mbështetë anëtarësimin e Kosovës në NATO. Presidenti turk, poashtu ka shprehur gatishmërinë që ta ndihmojë Kosovën edhe më tej në sigurimin e njohjeve të reja, për të cilën gjë ka premtuar angazhim personal.
Ndërkaq në takimin ndërmjet dy presidentëve, temë e bisedës ishte edhe aktualiteti politik në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Evropë.
Presidentja Osmani, duke u ndërlidhur me situatën në Ukrainë, ka theksuar se Kosova dënon agresionin ushtarak te Federatës së Rusisë ndaj Ukrainë. Sipas saj, Rusia dhe aleati i saj, Serbia synojnë ta destabilizojnë edhe Ballkanin Perëndimor, duke sfiduar dhe kërcënuar sovranitetin dhe stabilitetin jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit. Prandaj, sipas Presidentes Osmani bota demokratike duhet me vendosmëri dhe me unitet t`i përgjigjet tendencave të Rusisë dhe Serbisë për destabilizim të Ballkanit Perëndimor. Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, ka përsëritur se ky proces duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke.
Në takimin ndërmjet të dy delegacioneve shtetërore janë diskutuar edhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, shëndetësisë, këmbimit tregtar dhe ekonomik, turizmit etj. Poashtu janë nënshkruar tri marrëveshje bashkëpunimi në fushën e rinisë dhe sportit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Turqisë, një në fushën e pylltarisë dhe një memorandum mirëkuptimi për protokollin ndërmjet ministrive të Jashtme. / KultPlus.com
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në një konferencë për media pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vendi i tij e përkrah hyrjen e Kosovës në NATO.
Erdogan thotë se Turqia ka qenë vendi i dytë pas Amerikës që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ai thotë se Turqia ka kontribuar mjaft shumë në këtë proces dhe ende vazhdon të lobojë për të siguruar sa më shumë njohje të reja për Kosovën.
Duke folur për kërkesën e Kosovën për anëtarësim në NATO, Erdogan thotë se nuk ka asnjë problem që Kosova të anëtarësohet në NATO.
“Turqia si një vend i rëndësishëm i NATO-s nuk sheh asnjë problem për anëtarësimin e Kosovës në aleancë. Ne nuk kemi nevojë për të marrë leje nga askush për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në NATO. Ne i kemi marrë hapat tona në këtë drejtim. Ashtu siç e njohëm shtetin e Kosovës, do të veprojmë edhe me anëtarësimin e saj në NATO”, deklaroi Erdogan gjatë një konference me Osmanin. / KultPlus.com
Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kryeministri Albin Kurti ka autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e “Fondit të Sigurisë”, përcjell KultPlus.
Mjetet e mbledhura financiare synohen të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria e Republikës se Kosovës.
Funksionimi i këtij fondi do të rregullohet me akte përkatëse procedurale dhe do të përdoret ekskluzivisht për qëllimin e përcaktuar nga qeveria.
Në përputhje me legjislacionin në fuqi do të zbatohen procedurat për prejardhjen e mjeteve financiare me qëllim të ruajtjes së integritetit të fondit dhe qëllimit të tij.
Ftohen qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët në diasporë por edhe donatorë të tjerë të kontribuojnë për sigurinë shtetërore. / KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani së fundmi ka ndarë solidaritetin e saj nëpërmjet një interviste të zhvilluar për TRT World mbi sulmet ruse në Ukrainë, shkruan KultPlus.
“Imazhet shkatërruese nga Ukraina dhe veçanërisht dhe do të thoja se shumë njerëz në mbarë rajonin tonë që u bënë viktima të gjenocidit ishin krime dhe po ashtu krime kundër njerëzimit, si dhe në të njëjtën kohë tregon se sa e rëndësishme është që kombet demokratike në mbarë botën të bashkohen rreth shpëtimit të njerëzimit”, thotë Osmani.
Sipas saj, po aq sa ka të bëjë me synimet imperialiste të Rusisë ndaj Ukrainës dhe vendeve të tjera që ishin formalisht pjesë e BRSS dhe më gjerë, ka të bëjë edhe me ruajtjen e vlerave që ndajmë, prandaj ajo tregon se ne si Kosovë vazhdimisht theksohet fakti se zëri ynë kolektiv është jashtëzakonisht i rëndësishëm tani për të sjellë bashkimin e vlerave kolektive, sepse mund të duket sikur bëhet fjalë për Ukrainën, por kjo është shumë më e madhe se kaq.
“Bëhet fjalë për mënyrën tonë demokratike të jetesës, të cilën Rusia dhe aleatët e saj po përpiqen ta shkatërrojnë. Bëhet fjalë për gjithçka që kemi arritur deri më tani, që ata po përpiqen të shkatërrojnë, dhe për këtë arsye ne me të vërtetë kemi nevojë, sado i madh apo i vogël të jetë një vend, të sigurohemi që të shprehim zërat e njerëzve që përfaqësojmë dhe në të njëjtën kohë shprehim solidaritet me popullin ukrainas, prandaj Kosova ka qenë ndër kombet e para në botë që ka treguar solidaritet, për të treguar se qëndrojmë me Ukrainën, duke e ditur se kjo do të jetë për botën në të cilën duam të jetojmë”, thotë Osmani.
Më poshtë KultPlus ua sjell intervistën e plotë të saj:
Presidentja e Republikës së Kosovës është nderuar me çmimin Doctor Honoris Causa, çmim ky nga Universiteti i Ankarasë, përkatësisht nga Fakulteti Juridik, shkruan KultPlus.
Presidentja Osmani është shprehur të jetë e nderuar me këtë vlerësim.
“Nder i dyfishtë ta pranoj çmimin Doctor Honoris Causa nga Universiteti prestigjioz i Ankarasë, e posaçërisht nga Fakulteti Juridik.
Ky çmim është respekt ndaj marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Turqisë, por edhe për popujt, stafin akademik dhe studentët tanë”, ka shkruar presidentja Osmani./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar së fundmi se Kosova është e gatshme që të pranojë refugjatë nga Ukraina pas ndodhive të fundit atje, për të ndihmuar popullin e Ukrainës të jetë në gjendje të qëndrojë në këmbë, përcjell KultPlus.
Gazetari Alexis Conran ka biseduar me Osmanin në “Times Radio”, ku kanë diskutuar për shumë gjëra, duke filluar nga deklarimet e fundit të saja dhe gjithashtu vizitën në Turqi.
39 vjeçarja deklaroi se Kosova është e gatshme të pranojnë dhe të strehojnë refugjatë nga Ukraina, derisa shpjegoi gjithashtu se vizita e saj në Turqi duhej të ndodhte më herët, por është shtyrë për shkak se Tayyip Erdogan është infektuar me COVID-19.
Rreth sulmit të Rusisë, Osmani deklaroi: “Ata nuk janë vetëm pas Ukrainës, ata janë pas mënyrës sonë demokratike të jetesës, prandaj jetët e të gjithë neve janë në rrezik”.
Intervistën e plotë mund ta dëgjoni në YouTube ose duke klikuar KËTU. /KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ku kanë biseduar për luftën në Ukrainë.
Sot Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, duke bombarduar disa qytete, ndërsa i është afruar rajonit të kryeqendrës ukrainase Kiev.
“Jam takuar me ambasadorin amerikan në Kosovë për të diskutuar zhvillimet pas agresionit të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe ndikimit rajonal të tij. Ne dënojmë fuqishëm agresionin e Rusisë dhe jemi plotësisht të rreshtuar me aleatët për të parandaluar çdo destabilizim të rajonit tonë. Ne qëndrojmë me Ukrainën”, ka shkruar Osmani në Twitter.
E ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, po ashtu ka njoftuar për takimin, ai ka thënë se SHBA-ja dhe Kosova janë bashkë dhe përkrahin plotësisht Ukrainën.
“Një bisedë të rëndësishme me Vjosa Osmanin sot në lidhje me sulmin e paprovokuar të Rusisë dhe pushtimin masiv të Ukrainës, të cilin e dënojmë në mënyrën më të fortë të mundshme. Kosova dhe SHBA-ja përkrahin plotësisht dhe qëndrojnë me Ukrainën”, ka shkruar Hovenier./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, përcjell KultPlus.
Presidentja Osmani ka rikthyer fjalimin e saj të datës 17 shkurt ku ajo shprehet se populli i Kosovës solidarizohet me atë ukrainas.
KultPlus ua sjell postimin e plotë:
Lufta në Ukrainë, si rezultat i akteve te agresionit dhe sulmeve të paprovokuara të Rusisë, na e përkujton se sa e vlefshme është liria. Në ditë si kjo, kur shohim horrorin e luftës me të cilin përballet ky shtet, qëndrojmë me popullin ukrainas dhe shprehim solidaritetin tonë të thellë. Imazhet e tmerrshme nga Ukraina na përkujtojnë sërish rëndësinë e aleancave mes popujve demokratik, si e vetmja mënyrë për t’i dalë ballë hegjemonisë së Rusisë dhe të satelitëve të saj.
Prandaj, jemi në koordinim të vazhdueshëm me aleatët tanë, për të mos lejuar destabilizimin e rajonit tonë.
Hegjemonia ruse do të dështojë sërish. Liria dhe demokracia do të triumfojnë!
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren Donika Gërvalla, kanë marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku edhe kanë zhvilluar disa takime, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti njofton qytetarët për gjitha takimet që ka zhvilluar dhe gjithashtu çfarë është diskutuar.
“Për marrëdhëniet bilaterale dhe fushat e bashkëpunimit biseduam me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, me kryeministrin e Bullgarisë, Kiri Petkov, dhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimistar Kovaçevsik”, shkroi i pari i shtetit.
Në anën tjetër, Kurti njofton se së bashku me presidenten Vjosa Osmani, kanë takuar kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, ku theksuan rëndësinë e njohjes së shtetit të Kosovës nga Greqia, si hap i radhës i natyrshëm drejt thellimit të mëtutjeshëm të raporteve mes dy shteteve. Në takime të ndara me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák u diskutua për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Konferenca e Sigurisë është një takim vjetor për politikën ndërkombëtare. /KultPlus.com