Konferenca e Sigurisë në Mynih, Osmani: Përçuam mesazhin se Kosova është shembull i shkëlqyeshëm i kontributit për paqe e stabilitet në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri. Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kanë marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë që është mbajtur në Mynih, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook, presidentja Osmani thotë se në këto takime tre-ditore, krerët shtetërorë të Kosovës përçuan mesazhin se Kosova është shembull i shkëlqyeshëm i kontributit për paqe e stabilitet në rajon.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të presidents Osmani:

Ishin tri ditë intensive në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku së bashku me Kryeministrin Kurti dhe Zëvendëskryeministren Gërvalla, diskutuam në një numër panelesh e tryezash dhe takuam përfaqësues të shteteve të tjera dhe të organizatave ndërkombëtare. Në të gjitha këto organizime si dhe takime e diskutime bilaterale, përçuam mesazhin se Kosova është shembull i shkëlqyeshëm i kontributit për paqe e stabilitet në rajon, duke kryer njëkohësisht një sërë reformash brenda vendit të cilat po përkrahen fuqishëm nga qytetarët por edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Përkushtimin tonë në procesin e integrimit në struktura euro-atlantike, përtej aspektit deklarativ, po e dëshmojmë me veprime konkrete, prandaj është imperative që e ardhmja e vendit tonë në këto struktura të garantohet duke pasur parasysh ndikimin çdo ditë e më të madh të Rusisë, nëpërmjet Serbisë që ka për qëllim destabilizimin e rajonit.

Në takime me presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm, ministra të mbrojtjes, senatorë, udhëheqës të organizatave ndërkombëtare e përfaqësues të shoqërisë civile, gjithnjë synojmë avancimin e raporteve me shtete të tjera dhe shtyrjen përpara të interesave të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

Kosova ka miq të shumtë në botë, e këto miqësi vetëm sa do t’i shtojmë e do t’i thellojmë./ KultPlus.com

Osmani: Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përqendrohet në njohjen reciproke

Në ditën e fundit të Konferencës për Sigurisë në Mynih, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ishte e ftuar si folëse në tryezën e rrumbullakët për të diskutuar të ardhmen e Ballkanit Perëndimor si dhe për sfidat dhe mundësitë në rrugën drejt strukturave euroatlantike.

Në këtë diskutim, përveç Osmanit, morri pjesë edhe Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor, përfaqësuesi i BE-së për dialog Miroslav Lajçak, ministrat e punëve të jashtme nga rajoni, ambasadorja i SHBA-ve në NATO, i dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor Stuart Peach si dhe përfaqësues të shteteve, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.

Osmani ka folur për progresin thelbësor që po bën Kosova në fusha të ndryshme dhe njëkohësisht përmendi sfidat me të cilat përballet shteti i Kosovës me një fqinj agresiv dhe destabilizues.

Në kuadër të zhvillimeve të fundit në Evropë, Osmani theksoi nevojën për një përpjekje të bashkërenduar të bashkësisë ndërkombëtare në raport me situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Ajo theksoi se ndikimi i Rusisë përmes Serbisë është evident dhe se Serbia duhet të trajtohet si shteti që nuk bazohet në vlerat evropiane. Tutje shtoi pjesën e nevojës së angazhimit të vazhdueshëm në procesin e dialogut dhe potencoibse Kosova e ka dëshmuar gjithnjë konstruktivitetin e saj në proces. Kosova çdoherë ka kontribuuar për paqen dhe sigurinë afatgjate dhe në dialog ka treguar angazhim aktiv duke dhënë propozime konkrete, theksoi Presidentja, duke shtuar se procesi duhet të përqendrohet në njohjen reciproke si e vetmja zgjidhje që siguron paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon. /KultPlus.com

Presidentja Osmani: Në 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës kujtojmë të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë

Sot shënohet 14-vjetori i Pavarësisë së Kosovës.

Presidentja Osmani përmes një postimi në Facebook thotë se në këtë ditë kujtojmë me përulësi të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.

KultPlus ua sjell postimin e plotë:

Në katërmbëdhjetë vjetorin e pavarësisë së shtetit të Kosovës i kujtojmë me përulësi të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.

I kujtojmë dhe nderojmë në këtë ditë vizionarët dhe heronjtë. Përkushtimi i tyre për lirinë e vendit është përgjegjësi e jona për të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

Faleminderit prijësit të urtë e arkitektit të pavarësisë, presidentit dr.Ibrahim Rugova, faleminderit vajzave e djemve të UÇK-së në krye me legjendarin Adem Jashari me familje dhe faleminderit NATO dhe shteteve mike që e bën të mundshme lirinë dhe shtetin tonë!

Qytetarë të Republikës, urime 14 vjetori i shteti tonë! Na duhet angazhim i përbashkët që ta përmbyllim rrugëtimin tonë për në familjen evropiane.

Shteti i Kosovës është mbi të gjitha, e paçim për jetë!./ KultPlus.com

Joe Biden për ditën e pavarësisë: Kosova zë një vend të veçantë në zemrat e familjes Biden

Sot nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Presidentja Vjosa Osmani ka ndarë urimin e Presidentit Joe Biden për ditën e pavarësisë së Kosovës – 17 shkurtin, në të cilin ai potencon se Shtetet e Bashkuara mbesin partner i palëkundur i Kosovës, përcjell KultPlus.

Presidenti Biden në këtë urim, duartroket punën dhe përkushtimin tonë për forcimin e demokracisë dhe në luftën kundër krimit e korrupsionit, teksa kërkon që dialogu të përqendrohet në njohje reciproke. Po ashtu, ai në urimin e tij ka përsëritur faktin e lidhjes së veçantë, të cilën familja Biden e ka me vendin tonë.

“Kosova është e bekuar ta ketë në krah aleatin e saj të përhershëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, ka thënë Osmani.

KultPlus ua sjell postimin e saj të plotë:

Jam e lumtur ta ndaj me ju urimin e Presidentit Biden për ditën e pavarësisë së Kosovës – 17 shkurtin, në të cilin ai potencon se Shtetet e Bashkuara mbesin partner i palëkundur i Kosovës.

Presidenti Biden në këtë urim, duartroket punën dhe përkushtimin tonë për forcimin e demokracisë dhe në luftën kundër krimit e korrupsionit, teksa kërkon që dialogu të përqendrohet në njohje reciproke. Sipas tij, në Samitin për Demokraci, Kosova ka dëshmuar se është e gatshme ta ndajë përvojën me shtete të tjera, ndaj thekson se gjatë këtij viti Kosova vazhdimisht ka treguar lidership në arenën ndërkombëtare. Në urimin e tij, Presidenti Biden ka përsëritur faktin e lidhjes së veçantë, të cilën familja Biden e ka me vendin tonë.

Kosova është e bekuar ta ketë në krah aleatin e saj të përhershëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Zoti e bekoftë miqësinë e Kosovës me ShBA-të! / KultPlus.com

Osmani takohet me ambasadoren Lobbezoo, diskutohet për liberalizimin e vizave

Presidentja Vjosa Osmani, sot takoi ambasadoren holandeze në Kosovë, Carin Lobbezoo.

Në takim u diskutua për situatën e përgjithshme në vend, përballjen me pandeminë dhe mundësitë e intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Presidentja ka përsëritur se Kosova tashmë ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave, ndaj në këtë kontekst ka shfaqur shpresën se do ta ketë mbështetjen e shtetit holandez.

Sipas Osmanit, është radha që BE-ja ta mbajë fjalën kundrejt qytetarëve të Kosovës sa i përket liberalizimit të vizave. U diskutua edhe për zhvillimet në rajon dhe nevojën e integrimin të shteteve të rajonit të Ballkanit në BE.

Kryetarja e shtetit dhe ambasadorja Loobezo diskutuan edhe për bashkëpunimin politik dhe ekonomik ndërmjet Holandës dhe Kosovës.

“Kosova ka bërë hapa përmbajtësor në sundimin e ligjit dhe krijimin e mjedisit të përshtatshëm për investitorët e huaj”, ka thënë Osmani.

Në fund të takimit ambasadorja Loobezo e dorëzoi në presidencë telegramin e urimit të mbretit të Holandës, Willem-Alexander R., për 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. /KultPlus.com

Osmani uron Stenmeier për rizgjedhjen si president i Gjermanisë: Pres me padurim punën tonë të përbashkët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier, për rizgjedhjen në këtë pozitë, shkruan KultPlus.

Osmani me një postim në llogarinë zyrtare në “Twitter”, platformë e cila konsiderohet si një mjetë komunikimi me shtete të ndryshme të botës, ka thënë se mezi pret që të shtojë edhe më thellë bashkëpunimin e tyre.

“Urime për rizgjedhjen tuaj si President Federal i #Gjermanisë! Pres me padurim punën tonë të përbashkët për thellimin e marrëdhënieve të bazuara në vlerat e përbashkëta evropiane nga të cilat do të përfitojnë njerëzit dhe vendet tona”, shkruan presidentja.

Frank-Walter Steinmeier u zgjodh për një mandat të dytë si president i Gjermanisë të dielën. /KultPlus.com

Presidentja Osmani: Në vitet ’90, Shtetet e Bashkuara na shpëtuan jetën dhe sot na shpëtojnë me vaksina

Kosova ka pranuar sot mbi 1 milion vaksina Pfizer, të siguruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus.

Me këtë rast Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e saj ndaj Presidentit të Shteteve të Amerikës, Joe Biden.

“Në vitet ’90, Shtetet e Bashkuara na shpëtuan jetën dhe sot na shpëtojnë me vaksina.

Jashtëzakonisht mirënjohëse ndaj Presidentit Biden @POTUS për dhurimin jashtëzakonisht bujar të mbi 1 milion vaksinave Pfizer!”, ka shkruar Osmani në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Emisari britanik, Stuart Peach në vizitë zyrtare në Kosovë, takohet nesër me Osmanin

Emisari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach do ta vizitojë Kosovën nesër (10 shkurt) në një vizitë zyrtare, shkruan KultPlus.

Zyra e Presidentit të Kosovës ka njoftuar se presidentja Vjosa Osmani do të takohet me të në ora 11:00.

“Në orën 11:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach. Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit, ndërsa më pas do të ketë komunikatë për media”, njofton zyra për media e Presidencës së Kosovës.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, vizituan para disa ditëve Kosovën. /KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me tri kadetet që studiuan në fushën e sigurisë në ShBA e Turqi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim tri kadetet e FSK-së të cilat studiuan në fushën e sigurisë në SHBA dhe Turqi, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook, presidentja Osmani thotë se Liridona Jashari- Baftjari, Arbenita Grezda dhe Jeta Berisha, janë modeli që duhet ndjekur vajzat dhe gratë tona.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të presidentes Osmani:

Kënaqësi dhe krenari e jashtëzakonshme takimi me tri kadetet e FSK-së, të cilat na e zbardhën fytyrën, me suksesin e treguar gjatë studimeve në fushën e sigurisë  në SHBA dhe Turqi.

Liridona Jashari- Baftjari, Arbenita Grezda dhe Jeta Berisha, janë modeli që duhet ndjekur vajzat dhe gratë tona.

Kosova ka nevojë për sa më shumë vajza  e gra të përfshira në sektorin e sigurisë, prandaj mora konfirmimin e Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, për përkrahjen e tyre të vazhdueshme. Sa më të suksesshme ato, më shumë siguri për ne dhe më mirë për imazhin e shtetit!./ KultPlus.com

Presidentja Osmani uron Mbretëreshën Elizabeth në shënimin e 70 vjetorit në fronin e Mbretërisë së Bashkuar

Sot, Mbretëresha Elizabeth shënon 70-vjetorin në fronin e Mbretërisë e Bashkuar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në Twitter ka uruar mbretëreshën Elizabeth duke e cilësuar kontributin e saj si një  frymëzim, përcjell KultPlus.

Sot Flamuri i Britanisë së Madhe feston 70-vjetorin e shërbimit të Mbretëreshës për popullin e Mbretërisë së Bashkuar dhe Komonuelthit.
Përkushtimi historik i Madhërisë së saj, kontributi dhe shërbimi ndaj popullit dhe vendit të saj është i jashtëzakonshëm dhe një frymëzim.”- ka shkruar presidentja Osmani./ KultPlus.com

Presidentja Osmani kujton Natën e Tmerrit: Dëshmi se spastrimi etnik ndaj shqiptarëve vazhdoi edhe pas luftës

Presidentja Vjosa Osmani e ka kujtuar 3 dhe 4 shkurtin e vitit 200 ku në Mitrovicë u vranë 10 shqiptarë, përcjell KultPlus.

“Kujtimi për ta do të rëndojë ende mbi ndërgjegjet tona, derisa autorët, pjesë të bandave kriminale të nxitura nga Serbia, të dalin para drejtësisë”, ka shkruar Osmani.

KultPlus ju sjell postimin e saj të plotë:

Mitrovica nuk do ta harrojë kurrë tmerrin e 3-4 shkurtit të vitit 2000, kur u vranë 10 qytetarë të saj, në mesin e të cilëve edhe pleq, gra e fëmijë.

Kujtimi për ta do të rëndojë ende mbi ndërgjegjet tona, derisa autorët, pjesë të bandave kriminale të nxitura nga Serbia, të dalin para drejtësisë.

25 të plagosur nga ajo natë dhe 1664 familje të dëbuara me gati 12 mijë anëtarë nga ajo pjesë janë dëshmi e natës së trishtë, kur ata pësuan vetëm pse ishin shqiptarë por edhe dëshmi se spastrimi etnik ndaj shqiptarëve në veri të vendit vazhdoi edhe pas luftës.

Ngjarje të tilla mos u përsëritshin kurrë, teksa kujtimi për të vrarët qoftë i përhershëm! / KultPlus.com

Zgjedhjet e 17 tetorit u vlerësuan si zgjedhjet më demokratike të organizuara ndonjëherë në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim një ekip të Misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, të udhëhequr nga eurodeputeti, Lukas Mandl. 

Ky mision ishte në Kosovë me ftesë të Presidentes Osmani me qëllim të monitorimit të mbarëvajtjes së zgjedhjeve lokale të cilat u mbajtën në Kosovë më 17 tetor 2021.

Në takim, u diskutua për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale të cilat u vlerësuan si zgjedhjet më demokratike të organizuara ndonjëherë dhe u potencua besimi i lartë në integritetin e këtij procesi.

E para e shtetit theksoi se është krenare me nivelin e demokracisë që ka arritur Kosova duke u shndërruar kështu në model për rajonin e më gjerë. /KultPlus.com

Presidentja Osmani pas takimit me Escobar dhe Lajcak: Serbia bllokuese e progresit në dialog

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani sot priti në takim Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajčák dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve, njëherit përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për të diskutuar mbi zhvillimet në dialog dhe se si mund të ecet përpara me dialogun Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke dhe u shpreh se Kosova e ka dëshmuar këtë me angazhimin e saj aktiv dhe me propozimet e bëra përgjatë procesit. Ajo gjithashtu përsëriti qëndrimin e Kosovës se marrëveshja për njohje reciproke nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës. “Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jokonstruktive”, potencoi Presidentja.

Duke vënë në pah konstruktivitetin e Kosovës, Presidentja, gjithashtu bëri të qartë se lista e marrëveshjeve që nuk janë  zbatuar nga Serbia është e gjatë dhe duhet të trajtohet urgjentisht nëse duam të rivendosim besimin në procesin e dialogut. Ajo tha se Serbia jo vetëm që vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e mëparshme, por ajo gjithashtu shfaq pengesa të qarta sa herë që marrin pjesë në takimet e organizuara në kuadër të dialogut në Bruksel. Në këtë drejtim, Presidentja tha se pret trajtim të barabartë të palëve në këtë proces nga ana e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues i dialogut.

Presidentja po ashtu theksoi edhe një herë rëndësinë absolute të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur me dhunë si prioritet i procesit të dialogut. / KultPlus.com

Osmani fton ZRRE-në që të trajtojë me seriozitet komentet dhe t’i integrojë në mënyrë adekuate në dokumentin final

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, sot ka dërguar komentet në Raportin Konsultativ të Zyrës së Rregullatorit për Energji mbi Shqyrtimin e Strukturës Tarifore për Konsumatorët e Rregulluar të Amvisërisë të Shërbyer nën FSHU.

Në këtë dokument janë paraqitur qëndrimet e Zyrës së Presidentes lidhur me strukturën e re tarifore të propozuar nga ZRRE-ja dhe janë dhënë rekomandime konkrete të cilat do të rezultonin me respektim të parimit të mosdiskriminimit, përballueshmërisë, qasjes së barabartë dhe furnizimit të rregullt me energji.

“Për Presidenten e Kosovës, objektiv kryesor mbetet respektimi i parimit të përballueshmërisë, qasjes së barabartë, dhe furnizimit të rregullt me energji elektrike. Nisur nga kjo, kërkohet nga ZRRE që, ashtu siç e ka cekur vet në dokumentin e publikuar, të sigurohet që ‘konsultimi publik [të jetë] në qendër të politikave rregullatore efektive. Respektivisht, ZRRE-ja ftohet që me seriozitet t`i trajtojë komentet dhe rekomandimet e palëve të interesit dhe t’i integrojë ato në mënyrë adekuate në dokumentin final, në mënyrë që struktura e re tarifore të mos jetë diskriminuese dhe e papërballueshme ndaj grupeve të caktuara të konsumatorëve në vend’”, thuhet në njoftimin e dërguar nga presidenca.

Sot ka qenë dita e fundit kur palët e interesit kanë mundur të dërgojnë komente në ZRRE. /KultPlus.com

Osmani: Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu janë pararoja e UÇK-së dhe lajmëtarët e lirisë së Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryeministrin Albin Kurti kanë vendosur kurorë lulesh te shtatoret e heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe Ilir Konushevci, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarine zyrtare në ”Facebook”, ka shkruar se ata ishin patriotë të devotshëm.

Postimi i plotë:

“Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu janë pararoja e UÇK-së dhe lajmëtarët e lirisë së Kosovës.

Ata ishin patriotë të devotshëm, organizatorë të zotë dhe luftëtarë të paepur.

25- vjet më parë, angazhimi i tyre për lirinë e vendit u ndal mizorisht në një pritë, në të cilën tre patriotët ranë në përjetësi.

Ata janë fryma çlirimtare, krenaria e shtetit të Kosovës dhe udhërrëfyes për brezat!

U kujtofshin përjetë Zahiri, Edmondi dhe Hakifi!”, shkruan Osmani.

Më 31 janar të vitit 1997 ndodhi njëra nga betejat e para të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me forcat armike. /KultPlus.com

Presidentja Osmani pret sot në takim Lajçak dhe Escobar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do ta pres në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e shtetit të SHBA-ve, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, shkruan KultPlus.

Escobar dhe Lajçak do të jenë në Kosovë për një vizitë tre ditore, derisa pritet që të takohen me të gjithë krerët e shtetit.

“Sot (31.01.2022), në orën 16:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, pret në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e shtetit të SHBA-ve, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak”, thuhet në njoftimin nga presidenca.

Kosova dhe Serbia akoma nuk janë duke dialoguar pas zgjedhjes së Albin Kurtit si i pari i ekzekutivit. /KultPlus.com

Kurti e Osmani do të vendosin kurorë lulesh te shtatoret e heronjve Pajaziti, Zejnullahu, Hoxha e Konushevci

Në orën 09:30, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin, Albin Kurti, do të vendosin nesër kurorë lulesh te shtatoret e heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe Ilir Konushevci.

“Sheshi i Dëshmorëve” në Podujevë do të vizitohet nga Kurti e Osmani gjatë ditës së nesërme.

“Në orën 10:10, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, vendosin kurorë lulesh dhe bëjnë homazhe te varri i heroit Zahir Pajaziti, në 25 vjetorin e rënies”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Më 31 janar të vitit 1997 ndodhi njëra nga betejat e para të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me forcat armike.

Tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, kur hasën në pritën e vënë nga forcat pushtuese në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë. /KultPlus.com

Presidenca publikon shpenzimet e vitit 2021, i krahason me vitet e kaluara

Presidenca e Kosoves kanë publikuar shpenzimet e tyre për vitin 2021, shkruan KultPlus.

Këshilltarja e Presidentës Vjosa Osmani, Learta Hollaj, ka bërë një postim me disa grafika, në të cilat shihen edhe shpenzimet gjatë vitit 2021.

Postimi i plotë:

Me shumë punë të kryera, më pak para të shpenzuara.

Më shumë udhëtime zyrtare të realizura, më shumë para të kursyera.

Në 8 muaj në detyrë, Presidentja Osmani ka realizuar 14 udhëtime zyrtare, ka mirëpritur dhjetëra liderë e figura të larta nga rajoni e bota, ka punuar me transparencë të plotë, dhe ka pas vetëm një udhërrëfyes – vullnetin e qytetarëve.
Në grafikat e postuara shohim:

89% reduktim të shpenzimeve për biletat për udhëtime jashtë vendit në vitin 2021 në krahasim me vitin 2019 (viti 2020 ishte vit pandemik dhe udhëtimet në mbarë botën janë pezulluar pothuajse plotësisht)
85% reduktim të shpenzimeve për akomodim në vitin 2021 në krahasim me vitin 2019.

109,346 EUR të shpenzuara më pak për karburante (96% më pak se në vitin 2019). Thënë ndryshe, 21,058 EUR të shpenzuara nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës në vitin 2021, nga të cilat vetëm 5,165 EUR për nevojat e kabinetit.

Vetëm 2,714 EUR të shpenzuara për dreka e darka zyrtare të shtruara për presidentë, senatorë, e figura të larta zyrtare nga vendet mike. Rikujtoj, në të kaluarën, kjo rastiste të ishte shuma e shpenzuar për një drekë/darkë ose 2-3 shishe verë.

Me publikim të shpenzimeve , po e realizojmë edhe një zotim. Sot filluam me publikimin e shpenzimeve të Zyrës së Presidentes dhe kjo praktikë do të realizohet tashmë në vazhdimësi. Nuk ka nevoë të bëhen dhjetëra kërkesa për qasje në shpenzime, sepse shpenzimet do të jenë të qasshme për çdo qytetar.

Punë të mira bëhen edhe duke shpenzuar më pak. Në fakt punët më të mira bëhen kur çdo cent i parasë publike shpenzohet me përgjegjësi. /KultPlus.com

Presidentja Osmani: Distria Krasniqi me sukseset e saj prej kohësh është bërë ikona e Kosovës së sotme



Sot xhudistja kosovare Distria Krasniqi ka fituar medaljen e artë në Grand Prix të Portugalisë, duke bërë një popull shqiptar, krenarë, shkruan KultPlus.

Ndërsa sot Presidentja Vjosa Osmani nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale e ka uruar xhudisten tonë, duke e cilësuar atë si një ikonë të sotme të Kosovës.

“Distria është fytyra e shtetit tonë, ajo është nderi dhe krenaria!”, ka shkruar Osmani.

Më poshtë gjeni postimi e plotë të saj:

Disi jonë fitoi medaljen e artë në Grand Prix të Portugalisë.

Krenare që sportistët tanë vazhdimisht po demonstrojnë formë fantastike në gara ndërkombëtare, duke e nderuar veten dhe shtetin.

Distria është fytyra e shtetit tonë, ajo është nderi dhe krenaria!

I lumtë që me sukseset e saj prej kohësh është bërë ikona e Kosovës së sotme! / KultPlus.com

Presidentja Osmani në 86 vjetorin e lindjes së Kadaresë: E gëzofsh ditëlindjen, mjeshtër

Sot, shkrimtari dhe poeti Ismail Kadare feston ditëlindjen e tij të 86-të.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimin në Facebook ka uruar shkrimtarin të cilin ajo e quan mjeshtër të vargut e fjalës dhe mbrojtës të kulturës perëndimore të shqiptarëve.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të saj:

Në jetën e kombeve ndodh jo rrallë që njerëzit e kulturës, të artit e të letrave, t’i japin udhë kombit në çastet më të vështira të historisë së tij, duke qenë artikuluesit më të mëdhenj të idesë së lirisë.

I tillë është shkrimtari ynë Ismail  Kadare, mjeshtër i vargut e i fjalës, mbrojtës i kulturës perëndimore të shqiptarëve.

Në kryeveprat e tij, të matshme vetëm me klasikët e letërsisë botërore, ai arriti që ta shpërfaqte shpirtin e lirë të kombit, historinë, traditat, kulturën e përkatësinë (identitetin) e tij, kur diktatura po bënte përpjekje ta tjetërsonte atë.

Bota e njeh sot traditën, kulturën e shpirtin e shqiptarëve nëpërmjet veprave të tij, pa pasur nevojë për mësues historie.

Kombi ynë i është mirënjohës përjetësisht këtij kolosi të letrave. Kosova, në mënyrë të veçantë, i përulet për peshën e rrallë të fjalës së tij.

E gëzofsh ditëlindjen, mjeshtër!

Paç shëndet!

Presidentja Osmani: Përkujtimi i Holokaustit është obligim jetësor

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar vitktimat e popullit hebre, përcjell KultPlus.

Osmani përmes një postimi në Facebook thotë se përkujtimi i Holokaustit është obligim njerëzor i secilit, jo vetëm për t`i nderuar viktimat, por edhe për ta mbajtur zgjuar ndërgjegjen njerëzore që akte të tilla të mos përsëriten kurrë më.

KultPlus ua sjell postimin e plotë:

Përkujtimi i Holokaustit është obligim njerëzor i secilit, jo vetëm për t`i nderuar viktimat, por edhe për ta mbajtur zgjuar ndërgjegjen njerëzore që akte të tilla të mos përsëriten kurrë më.

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, nderojmë miliona jetë të humbura të popullit mik hebre.

Në kohët më të errëta për ta, shqiptarët hapën zemrat dhe dyert, duke demonstruar fisnikëri e humanizëm.

Në kujtim të kësaj dite jemi fuqimisht të vendosur kundër urrejtjes e diskiriminimit dhe vazhdojmë përkushtimin tonë për promovimin e mesazhit: Holokausti, kurrë më!./ KultPlus.com

Presidentja Osmani i bashkohet kampanjës në përkrahje të filmit “Zgjoi”

Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit është futur në listën e ngushtë për nominim nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, ‘Oscars 2022’, në kategorinë e filmit ndërkombëtar me metrazh të gjatë, përcjell KultPlus.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka treguar përkrahjen e saj përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”.

Osmani i është bashkuar thirrjes për të publikuar posterin e filmit “Zgjoi” duke përfshirë edhe përshkrimin e shkurtër për çfarë bëhet fjalë.

Më 8 shkurt bëhet e ditur lista finale e nominimeve. /KultPlus.com

Osmani dhe Kurti bëjnë homazhe te varri i Rugovës: Bashkoi popullin shqiptar kundër Serbisë okupatore

Presidentja e Kosovës,Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti, kanë bërë homazhe te varri i ish presidentit Ibrahim Rugova.

Osmani ka thënë se Rugova është arkitektet i pavarësisë së Kosovës, transmeton Telegrafi.

“Sot është 16 vjetori i shkuarjes në amshim të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, ideatorit të pavarësisë, presidentit historik Ibrahim Rugova. Bëri gjithçka për shtetin tonë, ai punoi në një kohë të vështirë për të gjithë popullin e Kosovës, dhe arriti ta bëjë bashkë popullin e Kosovës. Ai arriti të ndërtojë miqësi aq të mëdha. Ne sot e gëzojmë shtetin tonë, por gëzojmë edhe miqësitë që i i ndërtoi presidenti Rugova”, deklaroi ajo.

Presidentja tha se kujtimi për Ibrahim Rugovën do të jetojë përgjithmonë në zemrat e qytetarëve.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti para mediave pohoi se Rugova ka dhënë kontribut të çmuar në bashkimin e shqiptarëve kundër Serbisë okupatore.

“Presidenti Rugova është presidenti i parë i Kosovës, i zgjedhur me votë popullore. Presidenti i parë i Kosovës së çliruar. Dr.Ibrahim Rugova para se të ishte president ishte intelektual, njeri paqësor, humanist, dha kontribut të çmuar në bashkimin e shqiptarëve kundër Serbisë okupatore”, theksoi Kurti.

Ish presidenti Ibrahim Rugova kishte ndërruar jetë më 21 janar 2006, pas një sëmundje të rëndë. / KultPlus.com

Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti sot do të bëjnë homazhe te varri i ish presidentit Rugova

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti do të bëjnë sot homazhe te varri i Presidentit Historik, Ibrahim Rugova, në 16 vjetorin e vdekjes së tij. 

Sipas njoftimit të Presidencës, ata do të bëjnë homazhe në orën 11:00.   

 “Sot më 21 janar 2022, në orën 11:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, bëjnë homazhe te varri i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, në 16 vjetorin e vdekjes”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com