Presidentja Osmani falënderon Bidenin për ftesën në Samitin e Demokracisë

Kosova është ftuar për herë të parë që të marrë pjesë në Samitin e Demokracisë të organizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar Presidentin e SHBA-ve, Joe Biden, për ftesën në Samitin e Demokracisë.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Osmani ka publikuar letrën e dërguar nga Presidenti Biden, duke falënderuar atë që ka punuar drejt fuqizimit të shoqërisë demokratike që respekton të drejtat e njeriut.

“Pas takimeve produktive të javës së shkuar në Ëashington, në të cilat jam njoftuar se Kosova do të jetë pjesë e këtij Samiti, jam e nderuar ta pranoj ftesën nga Presidenti Biden”, ka shkruar Presidentja mes tjerash.

KultPlus ua sjellë postimin e plotë të Presidentes së Kosovës:

Falënderoj Presidentin Biden për ftesën në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtëpia e Bardhë si dhe vlerësimin për partneritetin e ofruar nga Kosova për të punuar drejt fuqizimit të shoqërisë demokratike që respekton të drejtat e njeriut, të cilat ia mundësojnë secilit qytetarë ta përmbush potencialin e vet.

Pas takimeve produktive të javës së shkuar në Ëashington, në të cilat jam njoftuar se Kosova do të jetë pjesë e këtij Samiti, jam e nderuar ta pranoj ftesën nga Presidenti Biden.

Republika e Kosovës është shembull i ndritur i përpjekjeve të vazhdueshme për liri e demokraci. Si e tillë është model për rajonin tonë dhe më gjerë. Kosova do ta ndajë përvojën e saj të veçantë në ndërtimin e institucioneve dhe praktikave demokratike, në partneritet të jashtëzakonshëm me miqtë tanë ndërkombëtar – ku rol prijatarë kanë pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jam e lumtur që në emër të Republikës së Kosovës do t`i prezantoj të arriturat dhe sfidat që i kemi, si dhe do të angazhohemi bashkërisht që gjatë 12- muajve të ardhshëm ta zbatojmë një plan ambicioz për fuqizimin e mëtejmë të demokracisë sonë të re në mënyrë që qytetarët tanë t`i ndjejnë përfitimet e një udhëheqjeje demokratike të bazuar në sundim të ligjit, të drejta të njeriut dhe gjithëpërfshirje shoqërore./KultPlus.com

Presidentja Osmani pas takimit me Nuland: Kosova s’ka aleat më të madh se Amerika

Presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës në SHBA ëshë takuar me Nënsekretaren amerikane të shtetit, Victoria Nuland, takim të cilin e ka cilësuar si produktiv duke deklaruar se Kosova s’ka aleat më të madh se SHBA-ja.

“Një takim mjaft produktiv me Nënsekretaren e Shtetit, Victoria Nuland për të riafirmuar angazhimin afatgjatë të dy vendeve tona ndaj partneritetit dhe vlerave të përbashkëta. Kosova nuk ka aleat më të madh se SHBA-ja dhe unë mezi pres të punoj së bashku për siguruar që ne edhe më tej të kontribojmë për paqe dhe demokraci”, ka shkruar Osmani.

https://twitter.com/VjosaOsmaniPRKS?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1458798904242286602%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.gazetaexpress.com%2Fpresidentja-osmani-pas-takimit-me-nuland-kosova-ska-aleat-me-te-madh-se-amerika%2F

Presidentja Osmani gjatë vizitës në ShBA është takuar edhe me zyrtarë të tjerë të Departamentit amerikan të shtetit./ KultPlus.com

Presidentja Osmani në fjalimin e fundit në Amerikë thotë se ndjehet krenare që përfaqëson një popull si Kosova (VIDEO)

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shoqëruar këngëtaren me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, në një ceremoni të mbajtur nga Këshilli Atlantik, shkruan KultPlus.

Këngëtarja Dua Lipa është nderuar me çmimin “Lidershipi i Dalluar”.

Në këtë mbrëmje gala, Presidentja Osmani pati një fjalim, ku tha se ndjehet krenare që përfaqëson një popull të tillë.

Kosova është një komb me plotë njerëz mendje-ndritu, të shkëlqyer dhe ambicioz që që shohin të ardhmen e tyre në zemër të Bashkimit Evropian.”

“Unë nuk mund të jem më krenar që përfaqësoj një popull që ka kaq shumë dhembshuri, kaq shumë talent, potencial dhe qëndrueshmëri”, përfundoi ajo.

Ky çmim ka të bëjë me individët shembullorë që kanë kontribuar në misionin e këtij organi për të formësuar së bashku të ardhmen globale në një gamë të gjerë fushash./ KultPlus.com

Dua Lipa: Uroj që filmi “Zgjoi” të merr çmimin Oscar (VIDEO)

Këngëtarja e famshme Dua Lipa e cila mbrëmjen e fundit e kaloi duke parë filmin artistik të metrazhit të gjatë “Zgjoi”, për ndjekësit e saj ka ndarë emocionet për këtë film.

Ajo në profilin e saj në instagram ka treguar për këtë film me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, e cila e vlerëson si një histori të bukur, prekëse dhe frymëzuese, histori kjo e Fahrije Hotit, e cila është realizuar në film.

https://www.instagram.com/p/CWGIN3WMDF9/?fbclid=IwAR0rR3vcJyrl0PPGSTiLsZqbTxXcdODGOpoK8Pk1aGYCXYhpbrYYHyJV6rQ

“Këtë histori lufte dhe këmbëngulëse duhet treguar”, ka shkruar Dua Lipa, duke shtuar se ky film tregon për përvojën kosovare.  

“Jam shumë krenare për atë që ka arrit Blerta Basholli”, ka shkruar Dua Lipa, duke uruar në fund që ky film të shpërblehet edhe me Oscar./ KultPlus.com

Dikur ishin refugjate, tashmë gra të fuqishme

Fotografia e sotme ku shihen bashkë katër gra shumë të suksesshme të Kosovës, presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, këngëtarja botërore Dua Lipa, regjisorja Blerta Basholli dhe aktorja shumë e suksesshme Yllka Gashi po shënojnë suksesin e filmit artistik të metrazhit të gjatë “Zgjoi”, që po shfaqet në këto momente në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filmi “Zgjoi” po i shpërfaqë botës vuajtjet e popullit të Kosovës, të cilët përjetuan tmerrin nga ushtria dhe paramilitarët serb, e si pasojë, përpos vrasjeve të shumta, përdhunimeve dhe mijërave të zhdukur, një përqindje e lartë e popullsisë ishte detyruar të lëshojë edhe vendin, duke kërkuar strehim në të katër anët e botës.

Dhe pikërisht nga kjo foto e suksesit, ku shihen katër gra të suksesshme në profile të ndryshme, që të katërtat kanë përjetuar në lëkurën e tyre ndjesinë e refugjatit. Përpos Dua Lipës, e cila prindërit i kishte emigrantë në Angli, por që këtë histori e ka shumë të afërt nga rrëfimet e prindërve të saj, tri gratë tjera e kanë përjetuar në vetën e parë.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani gjatë luftës në Kosovë, ishte refugjate në Mal të Zi, Yllka Gashi në Maqedoni, kurse Blerta Basholli në Gjermani.

Ndërkohë, presidentja Osmani, përpos që ka marr pjesë në premierën e filmit “Zgjoi” në Amerikë, do të shoqërojë edhe Dua Lipën në ceremoninë e Këshillit Atlantik, ku Dua Lipa do të nderohet me çmim ndërkombëtar, kurse presidentja Osmani do të paraqitet me një fjalim./ KultPlus.com

E shoqëruar nga Presidentja Vjosa Osmani, Dua Lipa do të nderohet me çmim ndërkombëtar nga Këshilli Atlantik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do ta shoqërojë këngëtaren me famë botërore, Dua Lipa, në ceremoninë e Këshillit Atlantik, shkruan KultPlus.

Osmani pritet që të marrë pjesë në mbrëmjen ceremoniale të Këshillit Atlantik në Washington dhe do të jap një fjalim special, me ç’rast Dua Lipa do të nderohet me çmimin e “Lidershipit Artistik të Shquar”.

Gjatë vizitës zyrtare, Osmani është takuar edhe me regjisoren Blerta Basholli, pasi filmi “Zgjoi” është duke u transmetuar në një festival të filmit.

Yllka Gashi, Vjosa Osmani, Dua Lipa dhe Blerta Basholli janë parë shumë të buzëqeshura në disa fotografi së bashku, të publikuara nga fondacioni “Sunny Hill News”.

Këngëtarja me origjinë nga Kosova po nderohet jo vetëm që është “një nga muzikantët më me ndikim në botë”, por edhe mbështetja në një sërë kauzash bamirësie dhe “fuqizimi i gjeneratës së ardhshme të liderëve dhe muzikantëve ballkanikë”.

Mbrëmja gala do të shërbejë gjithashtu për të festuar 60-vjetorin e Këshillit Atlantik, i cili promovon udhëheqjen konstruktive të Shteteve të Bashkuara së bashku me aleatët globalë./KultPlus.com

Gratë e fuqishme të Kosovës takohen në Washington DC

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani po qëndron ë SHBA, dhe gjatë kësaj vizite ka realizuar edhe një takim me skenaristen dhe regjisoren e filmit “Zgjoi”, Blerta Bashollin, film që është duke u shfaqë në Amerikë, shkruan KultPlus.

Ky film ka bërë bashkë një numër të madh të grave të Kosovës, të cilat janë të suksesshme në fusha të ndryshme. Në një fotografi shihen bashkë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, këngëtarja e suksesshme botërore Dua Lipa, Blerta Basholli e cila po shënon një sukses të jashtëzakonshëm me filmin “Zgjoi”, dhe Yllka Gashi, figura kryesore e këtij filmi, e cila për rolin e saj tashmë ka marrë disa çmime të mëdha ndërkombëtare.

Të katër gratë duken mjaftë elegante, të cilat edhe kanë zgjedhur të vishen me ngjyrë të zezë./ KultPlus.com

Studentët e Kolegjit Universum në Portugali takojnë Presidenten Vjosa Osmani

Studentët e Kolegjit Universum, Rinesa Kosci, Festim Hoxha dhe Poema Baruti, të cilët këtë semester janë duke studiuar në Portugali me BURSA të plota në “Polytechnic Institute of Beja” dhe “University of Coimbra” si rezultat i bashkëpunimit të Kolegjit Universum me Universitete Evropiane.

Studentët e Kolegjit Universum me ftesë të Ambasadorit Z. Ylber Kryeziu të Ambasadës së Kosovës në Lisbon, janë takuar dhe kanë qenë pjesë e diskutimit te Presidentës Znj. Vjosa Osmani me studentët portugezë dhe ngjarjeve përcjellëse.

Studentët tanë tashmë janë bërë ambasador të shtetit të Kosovës duke promovuar vlerat e Kosovës, përmes rezultateve të larta akademike, etike dhe profesionale në universitetet Evropiane. Kolegji Universum deri më tani ka shkëmbyer 462 studentë me bursa të plota në 115 universitete në 26 shtete të Evropës.

Universum mbetet i përkushtuar në ndërkombëtarizimin e Kosovës përmes ofrimit të studimeve jashtë vendit për studentët kosovarë.

Kliko këtu, shiko fotot e studentëve përfitues të bursave. Edhe ti mund të jesh përfitues i bursës ndërkombëtare në Kolegjin Universum. Eksploro Evropën gjatë studime, studio një semester në Evropë me të gjitha shpenzimet e mbuluara. Apliko këtu https://www.universum-ks.org/sq/apliko/

Për më shumë informata kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni Kolegjin Universum në facebook & instagram.

(Shkrim i sponsorizuar nga Kolegji Universum)

U shpall aktorja më e mirë, Osmani: Yllka, jemi shumë krenarë me ty

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar pasi që Yllka Gashi është zgjedhur aktorja më e mirë në “Festival de Cine” në Spanjë.

“Kjo grua e jashtëzakonshme është shndërruar nga një aktore në ekranet tona televizive të Kosovës në një superstar ndërkombëtar”, shkruan Osmani në Twitter.

“Yllka, jemi shumë krenarë për ty! Performanca juaj në #Hive solli në jetë luftën e grave të Krushës – vërtet e merituar”, shton Osmani./KultPlus.com

Presidentja Osmani ndan historinë triumfuese të Fahrije Hotit në Samitin Global të Grave në Lisbonë

Presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur fjalim në Samitin Global të Grave në Lisbonë, përcjell KultPlus.     

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e parë të vizitës në Portugali, në adresimin e saj në Samitin Global të Grave, ka theksuar se pandemia ka rritur pabarazitë me të cilat përballen gratë çdo ditë, në punë dhe në shtëpi.

Por, sipas saj, gratë nuk ndaluan. “Është e jashtëzakonshme ajo që po dëshmojmë në ditët e sotme. Një tendencë në rritje e grave dhe vajzave që nuk e pranojnë ‘JO’-në për përgjigje; gra dhe vajza që nuk dorëzohen. Në vend të kësaj, ne shohim gjithnjë e më shumë gra dhe vajza që luftojnë fort, ngrihen për atë që është e drejtë, ngrihen për njëra-tjetrën dhe më e rëndësishmja – ato flasin”, ka theksuar Presidentja Osmani në Samit, i cili sivjet trajton rolin e grave në transformimin e ekonomisë.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përmendur angazhimin e grave të Krushës, të cilat pavarësisht vuajtjeve me të cilat janë përballë, kanë arritur të triumfojnë.

“Dua të ndaj një moment me ju një histori vendase të qëndrueshmërisë dhe triumfit të grave nga fshati Krushë. Fahrije Hoti, bashkëshorti i së cilës është në mesin e 1600 të zhdukurve me dhunë, ende të zhdukur pas luftës, arriti ta kthejë këtë fshat të shkatërruar nga lufta në një histori të fuqizimit ekonomik. Ajo ia doli duke sfiduar stereotipet gjinore dhe duke demonstruar guxim, këmbëngulje dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Jo vetëm që ka arritur ta kthejë dhimbjen e saj në punë të palodhur, por sot ajo qëndron pas më shumë se 100 vendeve të punës të krijuara për gratë e fshatit Krushë”, ka theksuar Presidentja Osmani. Sipas saj, historia e grave të Krushës është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të grave që bashkohen dhe ngrihen për njëra-tjetrën.

“Jeta dhe beteja e saj janë portretizuar me mjeshtëri në filmin “Zgjoi”, pretendenti zyrtar i Kosovës për çmimin Oscar dhe fitues i trefishtë i çmimeve të Sundance Festival. Ju ftoj të gjithëve ta shikoni!”, ka theksuar Presidentja Osmani para grave pjesëmarrëse nga mbarë bota në këtë Samit.

Në këtë adresim, Presidentja Osmani, gjithashtu ka vërë theksin në fuqizimin e grave në proceset vendimmarrëse.

“Përfundimisht, tashmë është e qartë se kur gratë marrin pjesë në qarqe të nivelit të lartë politik dhe shtetëror, ato kontribuojnë në politika më të balancuara, më të ndjeshme ndaj gjinisë, të kujdesshme ndaj mjedisit dhe më përparimtare. Vetëm përmes një qasjeje të tillë të politikë-bërjes do të kemi një mundësi për të përmbushur premtimin tonë për ndërtimin e shoqërive të përqendruara në nevojat e njerëzve dhe sistemet ekonomike që përshtaten me nevojat e së ardhmes”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Në kuadër të këtij Samiti, Presidentja Osmani ka takuar edhe përfaqësuese të shteteve të ndryshme pjesëmarrëse.

Fjalimi i plotë i Presidentes Osmani në Samitin Global të Grave në Lisbonë

Samiti Global i Grave

Gratë i transformojnë ekonomitë

28-30 tetor 2021

Lisbonë, Portugali

Të nderuar,

është një kënaqësi e madhe t’ju takoj të gjithëve në atë që njihet si pika më perëndimore e Evropës dhe vendi që më është thënë se duhet ta vizitoj të paktën një herë në jetë.

Unë mbaj fjalime në vende të ndryshme të botës, por ky i sotmi është posaçërisht i veçantë për mua. Është vërtet rifreskuese, motivuese dhe frymëzuese të jesh në mesin e disa prej grave më të fuqishme, më të zgjuara dhe më të suksesshme në botë.

Samiti Global i Grave quhet me të drejtë si forumi kryesor i biznesit dhe ekonomisë për gratë në mbarë botën. Por është edhe shumë më tepër se kaq. Përderisa ne festojmë sukseset tona sot, mendoj se në mendjen tonë të gjithë duhet ti kujtojmë gratë që jetuan përpara nesh. Ngjarja e sotme është ajo që na bashkon të gjithëve për të çmuar atë që është arritur deri më tani dhe për të përshkruar dhe caktuar qartë se ku duam të shkojmë më pas.

Nuk ka dyshim: gratë janë në zemër të shoqërive të barabarta, të qëndrueshme dhe të begata. Nuk e them këtë me qëllimin për të zvogëluar rolin e burrave – përkundrazi, është një thirrje për të njohur përfundimisht rolin e gruas në komunitetet tona dhe në fusha të ndryshme të jetës. Burrat mund të jenë ata që janë renditur kryesisht si figurat kryesore në librat tanë të historisë, por unë besoj fuqimisht se e ardhmja u përket grave. I përket të gjithë zërave që kanë mbetur të padëgjuar prej shekujsh; atyre që luftuan me guxim për t’i hapur rrugën grave të tjera që vinin pas tyre; atyre që e dinin se meritonin më shumë; atyre që ende luftojnë fort dhe mundohen edhe sot e kësaj dite; grave dhe vajzave të së ardhmes që do t’i çojnë shoqëritë tona në lartësi krejtësisht të reja. Sepse gratë munden – sepse gratë e dinë – sepse gratë janë duke udhëhequr ndryshimin!

Këto nuk janë kohë të lehta. Në një hark kohor më pak se dy vjeçar, ne kemi përjetuar një pandemi globale, vështirësi serioze globale ekonomike dhe aktualisht jemi dëshmitarë të asaj që njihet si kriza energjetike e Evropës – e cila kërcënon të bëhet një krizë globale.

Ndikimi i kësaj në shoqëritë tona ka qenë shumë përfshirës. Askush nuk është kursyer, por disa janë goditur më fort. Pabarazitë që vazhdojnë në shoqëritë tona u reflektuan në një shpërndarje të pabarabartë të sfidave dhe vështirësive midis grupeve dhe komuniteteve të ndryshme. Më

së shumti u goditën të margjinalizuarit dhe të varfrit. Pasojat për gratë dhe vajzat në mbarë botën ishin të rënda.

Është e qartë se pandemia ka rritur pabarazitë me të cilat përballen gratë çdo ditë – si në punë ashtu edhe në shtëpi. Pavarësisht kësaj, gratë vazhduan të zhvillohen dhe të kenë sukses. Ata kanë qenë në vijën e parë në luftën kundër COVID-19 dhe kanë luajtur një rol të madh në menaxhimin e pandemisë, përderisa i kanë ndihmuar vendet e tyre të hartojnë programe më të fokusuara në nevoja dhe programe të qëndrueshme të rimëkëmbjes ekonomike.

Është e jashtëzakonshme ajo që po dëshmojmë në ditët e sotme. Një tendencë në rritje e grave dhe vajzave që nuk e pranojnë ‘JO’-në për përgjigje; gra dhe vajza që nuk dorëzohen. Në vend të kësaj, ne shohim gjithnjë e më shumë gra dhe vajza që luftojnë fort, ngrihen për atë që është e drejtë, ngrihen për njëra-tjetrën dhe më e rëndësishmja – ato flasin.

Nga iniciativat transformuese lokale, deri te politikat kombëtare gjithëpërfshirëse, transparenca e shtuar dhe përpjekjet e shtuara për të luftuar gjithmonë për më shumë dhe për më mirë, gratë po marrin udhëheqjen në komunitetet tona, në qytetet tona, në vendet tona dhe në mbarë globin.

Sfidat e ditëve të sotme dhe ato të së ardhmes kërkojnë një stil të ri udhëheqjeje. Dhe gratë kanë treguar se i zotërojnë me mjeshtëri këto aftësi të nevojshme. Në këto kohë më sfiduese, gratë ishin në gjendje të bashkojnë popullin dhe të mobilizonin njerëzit për të kuptuar rëndësinë e ndryshimit të sjelljes së tyre të përditshme për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së virusit.

Ky stil udhëheqjeje për të cilin ishim vetë dëshmitarë, në këto rrethana të jashtëzakonshme mund të bëhet gjithnjë e më i vlefshëm dhe të kthehet në një aset të rëndësishëm që do të shërbejë si një udhërrëfyes për liderët e së ardhmes. Ndërsa kërcënimet e ndryshimeve klimatike bëhen më të rënda, frekuenca e krizave të shkallës së lartë kërcënon të rritet gjithashtu. Prandaj, bëhet një domosdoshmëri për të nxjerrë mësime të vlefshme nga sukseset e grave në pandemi.

Andaj, pavarësisht nga fakti se kemi arritur mjaft larg, ne kemi ende shumë punë për të bërë për të garantuar një shoqëri që rritet duke pranuar barazinë gjinore. Deri më sot, numri i grave në menaxhimin e bizneseve dhe pozitat drejtuese mbetet shumë i ulët. Për më tepër, vendet e punës së grave janë prekur dy herë më shumë në krahasim me ato të burrave. Dhe, për shkak se shumë gra ende mbesin në krye të detyrave shtëpiake dhe familjare, një në katër gra po e shqyrton largimin nga fuqia punëtore apo kalimin në një karrierë me dinamikë më të vogël. Sikur kjo të mos mjaftonte, një pandemi në hije po zhvillohej paralelisht në sfond – gratë ishin një objektiv i drejtpërdrejtë i dhunës në familje.

Këto janë arsye të forta për ndryshime strukturore dhe është koha që ne të kuptojmë se nuk mund t’i lëmë më gratë vetëm në rrugëtimin e tyre për të harmonizuar përgjegjësitë e tyre në shtëpi me përgjegjësitë në punë. Është momenti i fundit që të fillojmë t’i trajtojmë çështjet gjinore në kontekstin e çështjeve ekonomike. Është momenti i fundit që të angazhohemi për të përkrahur investimet në arsim, në planifikim familjar, përfshirje dixhitale dhe financiare dhe

përmirësimin e barrës së pabalancuar të punës pa pagesë për përkujdesje për fëmijët dhe të moshuarit.

Përfundimisht ne duhet të kuptojmë se fuqizimi i grave dhe barazia gjinore nuk është vetëm gjëja e duhur për t’u bërë, por është edhe gjëja më e zgjuar. Ajo çon në një performancë ekonomike të përmirësuar dhe të ngritur, dhe në fund na çon më pranë përmbushjes së qëllimit tonë për shoqëri gjithëpërfshirëse dhe të begatë.

Studimet sugjerojnë se nëse ndërmerren veprime tani për të arritur përmirësime të barazisë gjinore deri në vitin 2030, 13 trilion dollarë mund t’i shtohen GDP-së globale krahasuar me skenarin regresiv gjinor. Ky është arsyetimi më i fortë ekonomik për të gjithë ne për t’i bërë tregjet e punës më të qasshme për gratë.

Duke folur për arsyetimin ekonomik rreth fuqizimit të grave, dua të ndaj një moment me ju një histori vendase të qëndrueshmërisë dhe triumfit të grave nga fshati Krushë. Fahrije Hoti, bashkëshorti i së cilës është në mesin e 1600 të zhdukurve me dhunë, ende të zhdukur pas luftës, arriti ta kthejë këtë fshat të shkatërruar nga lufta në një histori të fuqizimit ekonomik. Ajo ia doli duke sfiduar stereotipet gjinore dhe duke demonstruar guxim, këmbëngulje dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme.

Jo vetëm që ka arritur ta kthejë dhimbjen e saj në punë të palodhur, por sot ajo qëndron pas më shumë se 100 vendeve të punës të krijuara për gratë e fshatit Krushë.

Me të vërtetë, ajo është shembulli më i mirë i një heroi të jetës reale që lulëzon duke ngritur lart gra të tjera. Historia e grave të Krushës është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të grave që bashkohen dhe ngrihen për njëra-tjetrën.

Jeta dhe beteja e saj janë portretizuar me mjeshtëri në filmin “Zgjoi”, pretendenti zyrtar i Kosovës për çmimin Oscar dhe fitues i trefishtë i çmimeve të Sundance Festival. Ju ftoj të gjithëve ta shikoni!

Të nderuar pjesëmarrës,

Për të përmbushur objektivin e fuqizimit ekonomik të grave, ne gjithashtu duhet të sigurohemi që gjithnjë e më shumë gra të ulen në tryezën e vendimmarrjes. Sepse, kur një grua udhëheqëse ulet në një tryezë, ajo sjell me vete historinë e saj e po ashtu edhe historinë e nënës dhe gjyshes. Kjo do të thotë se ato vijnë në atë tryezë duke pasur parasysh sfidat, betejat dhe pengesat e atyre që ishin aty para tyre dhe fokusohen që të angazhohen në hartimin e politikave dhe ndërtimin e strategjive së zhvillimit që ndihmon drejt adresimit të këtyre sfidave dhe sjelljes së një ndryshimi pozitiv.

Përfundimisht, tashmë është e qartë se kur gratë marrin pjesë në qarqe të nivelit të lartë politik dhe shtetëror, ato kontribuojnë në politika më të balancuara, më të ndjeshme ndaj gjinisë, të kujdesshme ndaj mjedisit dhe më përparimtare. Vetëm përmes një qasjeje të tillë të politikë-

bërjes do të kemi një mundësi për të përmbushur premtimin tonë për ndërtimin e shoqërive të përqendruara në nevojat e njerëzve dhe sistemet ekonomike që përshtaten me nevojat e së ardhmes.

Ekonomitë tona janë ndërtuar mbi kurriz të grave. Ekonomitë tona do të lulëzojnë plotësisht vetëm kur potenciali i grave të eksplorohet plotësisht. Ndërsa ecim përpara, nuk mund të përballojmë asnjë humbje të potencialit dhe talentit femëror gjatë rrugës, pasi kjo do të nënkuptonte një humbje për të gjithë ne.

Por jam shumë e bindur se diçka po ndryshon dhe shoqëritë tona po ndryshojnë për të mirë. Unë jam dëshmitare e kësaj në vendin tim dhe ndjej se një revolucion i udhëhequr nga gratë po pushton botën.

Zonja dhe zotërinj,

Le ta mbrojmë, ta mbështesim dhe ta udhëheqim këtë përpjekje në drejtim të duhur! Sepse, gratë jo vetëm që kanë potencialin për të transformuar ekonomitë tona – ato me të vërtetë kanë potencialin për të transformuar shoqëritë tona. / KultPlus.com

Presidentja Osmani thirrje vajzave: Aplikoni për t’u bërë pjesë e FSK-së (VIDEO)

Forca e Sigurisë së Kosovës ka hapur konkurs për rekrutë të rinj.

E presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka bërë thirjeve vajzave në Kosovë që të bëhen pjesë e FSK-së, për t’i shërbyer me krenari vendit.

“Të dashura vajza, aplikoni për t’u bërë pjesë e FSK-së, për t’i shërbyer me krenari vendit tuaj.”- ka shkruar presidentja Osmani./KultPlus.com

Presidentja Osmani për vdekjen e Berishës: Ndarja e saj nga jeta do të lërë zbrazëti të madhe në jetën tonë publike

Sot vdiq regjisorja Burbuqe Berisha në moshën 51-vjeçare.

Për vdekjen e regjisores kanë reaguar figura të shumta publike, të cilën shprehën pikëllimin e ngushëllime për vdekjen e saj.

Ishte edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila përmes një statusi në faqen e saj zyrtare në rrjetin social Facebook ka theksuar se lajmin për vdekjen e regjisores Berisha e ka pranuar me pikëllim të thellë.

Ndër të tjera, Presidentja Osmani ka potencuar se Burbuqe Berisha përfaqëson një brez krijuesisht të cilët u formuan në kohë rezistencë dhe e zhvilluan krijimtarinë e tyre krahas kësaj rezistence.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të Presidentes Osmani:

Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të regjisores Burbuqe Berisha. Vdekja e hershme e Buqes, sikur njihet ndër qarqet artistike, është humbje e madhe për artin, kulturën dhe kinematografinë e Kosovës.

Ajo përfaqëson një brez krijuesish, të cilët u formuan në kohë rezistence dhe e zhvilluan krijimtarinë e tyre krahas saj, duke e shndërruar artin në rezistencë e dëshmi.

Puna e saj prej regjisoreje në Teatrin Kombëtar, në teatrin “Faruk Begolli”, por edhe në teatro të tjera, mbetet vulë e fuqishme në zhvillimin e teatrit, por edhe të jetës kulturore përgjithësisht.

Krahas punës në teatër, Buqja ka dhënë kontribut të theksuar në edukimin e brezave të rinj, duke qenë pedagoge e respektuar.

Ndarja e saj nga jeta do të lërë zbrazëti të madhe në jetën tonë publike.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të! / KultPlus.com

Presidentja Osmani sonte organizon “Darkën e Lamës”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do ta organizojë sonte manifestimin tradicional, të njohur si “Darka e Lamës”.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate nga Presidenca.

“Në orën 18:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në bashkëpunim  me prodhuesit vendor, organizojnë festën e moçme shqiptare, Darka e Lamës”, thuhet në njoftim.

“Dita e Falënderimit – Darka e Lamës” është ceremoni tradicionale institucionale e organizuar nga Presidenti/ja e Republikës së Kosovës./KultPlus.com

Osmani: Trishtuese statistikat e dhunës ndaj grave, kryesit duhet të dënohen

Në hapjen e “Javës për mbrojtjen e viktimave të krimit” presidentja Vjosa Osmani tha se obligim i shtetit është mbrojtja dhe garantimi i së drejtës për jetë.

Ajo shtoi se statistikat janë trishtuese, ku dhuna tashmë është bërë sfidë e madhe për vendin. Osmani thotë se kryesit e veprave duhet të dënohen dhe të mos tolerohet asnjë lloj dhune.

“Obligimi i shtetit në raport me të drejtat dhe liritë e njeriut nuk është vetëm obligim negativ, por edhe obligim pozitiv, që nënkupton t’i mbrosh ato kur janë në rrezik, e qoftë ajo e mbrojtjes për jetë. Deri në shtator të këtij viti janë edhe tri gra viktima të dhunës në familje dhe statistikat janë trishtuese, kryesit e veprave duhet dënohen”.

Osmani, përkundër punës që po bëhet në luftimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, ftoi institucionet të vazhdojnë të punojnë në këtë drejtim.

Madje ajo ka ofruar edhe mbështetjen e saj në mbrojtje të viktimave, raporton EO-ja.

“Më vjen mirë që po punohet pozitivisht nga profesionistët që të fitohet besimi në këto institucione. Dua të rikonfirmoj angazhimin tim personal që të bashkëpunoj me të gjitha institucionet ku integritetin dhe respektimin e ligjit e kanë parësore dhe bashkërisht të luftojmë krimin e t’i mbrojmë viktimat. Mbi të gjitha të zbatohet ligji duke siguruar një të ardhme më të mirë për qytetarët pa frikë, ne vetëm bashkë mund të sigurojmë qetësi për qytetarët. Heshtja ime ndaj padrejtësive kurrë nuk do të jetë një alternativë, sepse kështu i nxisim kryesit e veprave dhe dhunës që të vazhdojnë tutje, andaj ta ngrejë zërin sa më shumë”./KultPlus.com

FSK-ja me 180 rekrutë të rinj, Presidentja Osmani: Prej sot shteti ynë është edhe më i fortë

Sot, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përmes një statusi në llogarinë e saj zyrtare në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se FSK-së i janë shtuar edhe 180 rekrutë të rinj, prej tyre edhe 12-të vajza ushtare, përcjell KultPlus.

Presidentja Osmani ka theksuar poashtu se si komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndjehet jashtëzakonisht krenare që e sheh çdo ditë e më tepër përparimin e FSK-së.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të Presidentes Osmani.

Prej sot shteti ynë është edhe më i fortë. 180 rekrutë të rinj të FSK-së, tashmë janë ushtarë të shtetit të Kosovës, të shtetit tonë të pavarur e sovran e me territor të pacenueshëm, të përgatitur dhe të gatshëm për t`i dalë zot atdheut kurdo që të jetë nevoja.

Si komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, jam jashtëzakonisht krenare që po e shoh çdo ditë e më tepër përparimin e FSK-së.

Ndihem krenare, që që në mesin e rekrutëve janë edhe 12 vajza ushtare, ngase shanset e barabarta në kuadër të ushtrisë sonë gjithnjë janë dëshmi e përparimit të Forcës. Numri i vajzave në FSK duhet të rritet edhe më tej.

Forca jonë është në funksion të mbrojtjes së sovranitetit dhe të paprekshmërisë së territorit të Republikës sonë, sikurse edhe të aleancës sonë me partnerët e në shërbim të paqes. / KultPlus.com

Presidentja Osmani ndaj ministrit serb në Këshill të Sigurimit: Serbia ende fle në varreza masive

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u raportua për Kosovën, nuk munguan as përleshjet mes Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani e ministrit të Jashtëm serb, Nikola Selakoviq.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë fjalës së saj në Këshillin e Sigurimit ka kërkuar nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, që të gjunjëzohet para monumenteve të viktimave të luftës në Kosovë dhe të kërkojë falje për gjenocidin e kryer në Kosovë nga Serbia.

Ajo ia ka përmendur vazhdimisht masakrën e Poklekut dhe  54 viktimat e saj, duke i kërkuar të gjunjëzohet para pllakës përkujtimore.

“Ju ftoj të gjunjëzoheni aty, se këtë e bënë qenia njerëzore, kur nuk bëhet drejtësi”, tha Osmani.

Ministri serb e provokoi rëndë Osmanin, duke i thënë ndër të tjera, se kur flet për presidentin serb duhet të ngritët në këmbë dhe duke shtuar se, Vuçiq është edhe president i Osmanit.

Selakoviq vazhdimisht i drejtohej Presidentes së Kosovës si “qytetare e Kosovës”.

“Zonja Osmani duhet të qëndroni në këmbë kur të përmendi Aleksandar Vuçiq, sepse është edhe presidenti i juaj dhe duhet t’i kushtoni respekt presidentit tuaj”, është shprehur Selakoviq,

Tutje, ai i është drejtuar ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi si “Kasap i Ballkanit”, për të cilën mori edhe përgjigje nga Osmani

“Ndërsa sa i përket kasapit të Ballkanit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit e të tjerëve të cilët kanë kidnapuar qytetarë të pafajshëm dhe kanë tregtuar me organe njerëzore, janë në burg dhe po përballen me gjyqësorin”, u shpreh ministri serb.

Ai tutje akuzoi Kosovën edhe për numrin e viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Duhet të ndaloni të gënjeni për 20 mijë raste të dhunës gjatë luftës, sepse bazuar në raportin e dhënë këtu tek Këshilli i Sigurimit të OKB-së, nga sekretari i përgjithshëm në misionin e UNMIK i prezantuar më 5 prill 2021, statusi i grave të dhunuar është konfirmuar jo tek 20 mijë gra por 920 raste”, ka thënë ai. “Protestoj për faktin se kanceri në zemër të Evropës, duke i vendosur hartat me simbolet e deklarata të rreme”, tha Selakoviq, raporton Telegrafi.

Osmani iu përgjigj atij, duke i thënë se me shumë krenari përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Z.Selakoviq, unë jam qytetarë krenare e Republikës së pavarur e sovrane të Kosovës. Është më mirë që ju të ballafaqoheni me këtë realitet dhe do të jetë edhe mirë për qytetarët e Serbisë”, tha Osmani.

“Populli juaj ka vuajtur shumë nga ju, jo vetëm ne por edhe ata. Pajtohem se është një tragjedi pas secilit të zhvendosur sepse kam qenë vet e tillë, jo vetëm unë por mbi 80 për qind e popullit tim janë detyruar të ikin nga regjimi i Millosheviqit”, tha Osmani

Osmani theksoi se serbët e Kosovës kanë frikë nga strukturat paralele të Serbisë në Kosovë dhe bandat e përkrahura nga Vuçiq.

“Në bazë të raporteve ndërkombëtare, nga 2017 deri në 2020 përqindja e krimeve të motivuara etnikisht nuk është 3 për qind, por ëshë 0.03 për qind. Serbët në Kosovë frikësohen nga strukturat paralele që përkrahen dhe shndërrohen në banda nga presidenti Vuçiq. Ata po shkelin të gjitha të drejtat themelore të serbëve dhe po i kërcënojnë që të mos marrin pjesë në zgjedhje. Do të bëjmë gjithçka që t’i mbrojmë serbët nga këto struktura kriminale”, tha Osmani.

Osmani iu përgjigj Selakoviqit edhe për deklaratën ku ai i quan “kasapë të Ballkanit” krerët e UÇK-së, Kadri Veselin e Hashim Thaçin.

“Kosova ka përkrahur themelimin e Zyrave të Prokurorit të Specializuar. Udhëheqësit kanë bashkëpunuar me këtë tribunal sepse s’kemi çka të fshehim. E vërteta është se NATO ka intervenuar për të ndaluar gjenocidin serb dhe kjo nuk mund të ndryshohet. Ne kemi qenë viktimë dhe serbët kanë qenë agresor”, ka thënë ajo.

Ata gjatë fjalimeve të tyre diskutuan për marrëveshjet e arritura në Bruksel, për të cilat Osmani theksoi se nuk janë implementuar nga ana e Serbisë, ndërkaq më vonë u fol është për masakrat që regjimi serb i ka bërë në Kosovë.

Osmani gjatë fjalimit të saj në Këshillin e Sigurimit iu drejtua ministrit të Jashtëm të Serbisë, Nikola Selakoviq  në lidhje me implementimin e marrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë të nënshkruara në Bruksel.

Osmani theksoi se Kosova ka implementuar mbi 90 për qind të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

“Kosova ka implemetuar rreth 90 për qind të marrëveshjeve sipas Brukselit, dhe derisa ju flisni për një Asociacion të nënshkruar në marrëveshje në Bruksel, e cila marrëveshje është shkelje e qartë e Kushtetutës së vendit tonë. Në anën tjetër, Serbia nuk ka implementuar 2/3 e marrëveshjeve të nënshkruara”, theksoi Osmani.

Ajo u shpreh se Selakoviq nuk mund të mësojë Kosovën për implementim të marrëveshjeve.

“Ju lutem z.Selakoviq mos na ligjëro neve se si duhet të bëhet implementimi, se kjo nuk do të ishte hera e parë që Serbia injoron marrëveshjet që i nënshkruan dhe nuk i implementon pastaj”, iu drejtua Osmani gjatë fjalimit të saj ministrit të Jashtëm të Serbisë. / KultPlus.com

Presidentja Osmani u thotë anëtarëve të KS-së të mos e çojnë buxhetin dëm duke financuar UNMIK-un

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Këshillin e Sigurimit ka folur për misionin e UNMIK-ut në Kosovë. Osmani ka thënë se kanë qenë kohë të vështira kur është vendosur UNMIK-u si një mision i përkohshëm dhe ka përmendur faktin se atë kohë është thënë se vlefshmëria e “Rezolutës 1244” do të jetë derisa të determinohet statusi final i Kosovës.

“UNMIK-u ishte vendosur në Kosovë në rrethana krejtësisht të tjera, pas ndërhyrjes së NATO-së për të ndalur krimet dhe gjenocidin kundër popullit të Kosovës”, ka thënë presidentja e Republikës së Kosovës.

E para e shtetit ka thënë se “UNMIK-u në Kosovë jo vetëm që e ka stërzgjatur mandatin në Kosovë, por është duke e vazhduar atë edhe në kundërshtim me opinionin e GJND-së”.

Duke folur për këtë çështje, Osmani ka thënë se këshillon anëtarët e Këshillit të Sigurimit që t’i shpenzojnë paratë e tyre më mirë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se statusi i Kosovës është vendosur një herë e përgjithmonë më 17 shkurt të vitit 2008 kur Kosova ka deklaruar pavarësinë.

Shefja e shtetit ka përmendur edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që ka konstatuar se vendimi i Kosovës për shpalljen e pavarësisë ka qenë në përputhje të plotë me Ligjin Ndërkombëtar.

“Prandaj ne i bëjmë thirrje Serbisë që të respektojë Ligjin Ndërkombëtar”, ka thënë presidentja e vendit. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Kushdo që është kundër aksionit të sotëm të policisë, është në anën e krimit të organizuar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për aksionin e sotëm të policisë kundër kontrabandës për të cilin ka thënë se lufta kundër krimit të organizuar është e panegociueshme.

Osmani poashtu ka thënë se krimi s’ka etnitet dhe se kushdo që e kundërshton aksionin e policisë është në anën e krimit të organizuar.

“Lufta kundër krimit të organizuar është e panegociueshme dhe duhet të jetë e kampromis.Policia e Kosovës dhe Autoritetet e Doganave ndërmorrën një aksion legjitim kundër grupeve të organizuara kriminale të përfshira në kontrabandë, në disa lokacione në Republikën e Kosovës.Krimi s’ka etnitet dhe duke e lidhur në mënyrë false aksionin e sotëm me grupe etnike është thellësisht e papërgjegjshme dhe do të shërbejë vetëm për rritjen e tensioneve. Kushdo që është kundër këtij aksioni është duke në anën e krimit të organizuar dhe është kundër vlerave të sundimit të ligjit të BE-së”, ka shkruar presidentja Osmani./KultPlus.com

Osmani: Serbia po i vazhdon përpjekjet për ta minuar shtetin e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj Serbisë e cila sipas saj në konferencën e Lëvizjes së Shteteve të Painkuadruara (NAM), që po mbahet në Beograd po lobon duke shtrembëruar të vërtetën për shtetin e Kosovës.

Nëpërmjet një shkrimi të publikuar në llogarinë e saj në Facebook, Osmani ka kujtuar të kaluarën dhe veprimet e Serbisë që bien ndesh siç thotë me “me vlerat mbi të cilat është ndërtuar NAM”.

“Në këtë kontekst, shpresoj që vendet pjesëmarrëse në konferencën e NAM-it, në Beograd do t`i refuzojnë qartë përpjekjet e Serbisë për të keqpërdorur konferencën për ndjekjen e agjendave të saj destabilizuese politike kundër Republikës së Kosovës dhe kundër shteteve të tjera në rajonin tonë”, shkroi ajo.

‘Për të kontribuar në marrëdhëniet e mira fqinjësore midis dy vendeve, Serbia duhet të heqë dorë nga përpjekjet për ta minuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës, përmes lobimit kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare si dhe me fushatën kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vendet e tjera”, theksoi Osmani.

KultPlus ju sjell shkrimin e plotë të saj:

Serbia po vazhdon përpjekjet për ta minuar shtetin e Kosovës me narrative e argumente të falsifikuara. Së fundi, në konferencën e Lëvizjes së Shteteve të Painkuadruara (NAM), që po mbahet në Beograd, Serbia sërish po e keqpërdor statusin e vendit vëzhgues me synim për ta shtrembëruar të vërtetën për shtetin e Kosovës.

Nën udhëheqjen e kasapit Sllobodan Millosheviq, Serbia ka shkaktuar shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë, duke shkaktuar gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci, si dhe duke shkelur në mënyrë flagrante parimet themelore të NAM-it. Si vend kolonizues, me politika destabilizuese, me mohim te gjenocidit të kryer ndaj civilëve të pafajshëm e me veprime që çdo ditë bien ndesh me përpjekjet për paqe e stabilitet në rajonin tonë, Serbia dëshmon se është në kundërshtim me vlerat mbi të cilat është ndërtuar NAM.

Pavarësia e Kosovës është njohur nga një numër i konsiderueshëm i shteteve të NAM-it. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010 konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare. Prandaj ftoj të gjitha shtetet e NAM që nuk kanë njohur Kosovën që të udhëhiqen nga ky interpretim i GJND-së dhe jo nga propaganda e Serbisë e cila rrënjët i ka tek mendësia Millosheviqiane.

Për të kontribuar në marrëdhëniet e mira fqinjësore midis dy vendeve, Serbia duhet të heqë dorë nga përpjekjet për ta minuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës, përmes lobimit kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare si dhe me fushatën kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vendet e tjera.

Republika e Kosovës e vlerëson mbështetjen, të cilën ia kanë dhënë disa vende të NAM-it, në rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Në këtë kontekst, shpresoj që vendet pjesëmarrëse në konferencën e NAM-it, në Beograd do t`i refuzojnë qartë përpjekjet e Serbisë për të keqpërdorur konferencën për ndjekjen e agjendave të saj destabilizuese politike kundër Republikës së Kosovës dhe kundër shteteve të tjera në rajonin tonë. / KultPlus.com

Kthehen 7 trupa të të vrarëve në Masakrën e Rezallës, presidentja Osmani: Ata përfundimisht do të kenë një vendprehje

Presidentja e Republikës së Kosovës përmes një statusi në llogarinë e saj zyrtare në Facebook, ka bërë të ditur se janë kthyer trupat e shtatë qytetarëve të Kosovës, të vrarë nga regjimi serb në Masakrën e Rezallës, përcjell KultPlus.

”Sot, trupat e shtatë qytetarëve tanë të vrarë nga regjimi gjenocidal serb në Masakrën e Rezallës dhe eshtrat e dy trupave që ribashkohen, u kthyen në atdheun e tyre nga Kizhevaku.

Ata përfundimisht do ta kenë një vendprehje ku familjarët dhe ne mund të vendosim lule në kujtim të tyre.

Sot, i bashkohem dhimbjes së familjeve të tyre dhe rikujtoj se zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë është angazhim i yni i përditshëm, derisa ta zbardhim fatin e secilit. Siç nuk do të ndalemi as në adresimin e përgjegjësisë për akterët e krimit.

Drejtësia për viktimat është synim i yni dhe parakusht për paqe të qëndrueshme, ndërkaq Serbia ka përgjegjësi shtetërore për mbajtjen peng të fatit të edhe mbi 1600 të zhdukurve me dhunë dhe fshehjes së fakteve mbi ta.

U prehshin në paqe të masakruarit e Rezallës dhe i përhershëm qoftë kujtimi për ta!’‘, ka shkruar presidentja Osmani. / KultPlus.com

Foto: Erkin Keçi

Presidentja Osmani në takim me ambasadorin gjerman: Kosova nuk nxiti apo krijoi tensione

Presidentja Vjosa Osmani e ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde. Në këtë takim, Presidenca thotë se Osmani ka theksuar se Kosova në asnjë rast nuk ka nxitur apo krijuar tensione.

Osmani, parafrazohet t’i ketë thënë ambasadorit gjerman se prezenca e forcave policore në veri të vendit është në shërbim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike për të gjithë.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde, me të cilin biseduan   lidhur me situatën e sigurisë në vend, me theks të veçantë në veri të vendit. Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës në asnjë rast nuk ka nxitur apo krijuar tensione dhe se prezenca e forcave policore në veri është në shërbim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike për të gjithë qytetarët pa dallim. Sipas Presidentes Osmani Serbia nëpërmjet diskursit dhe veprimeve nxitëse, është duke tentuar ta destabilizojë veriun e vendit”, thuhet në komunikatën e Presidecës.

Më tej, thuhet se presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të realizuar reforma përmbajtësore në fushën e sundimit të ligjit, si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm dhe avancim të mëtutjeshëm në procesin e integrimeve euroatliantike.

“Presidentja Osmani po ashtu ka uruar ambasadorin Rohde për procesin zgjedhor në Gjermani, duke theksuar se Republika e Kosovës është çdoherë e gatshme për thellim të bashkëpunimit me institucionet gjermane”, thuhet në komunikatë.

Sot gjatë ditës u raportua se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është qortuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për aksionin e Policisë së Kosovës në veri. Mirëpo këto lajme janë cilësuar si të pavërteta nga këshilltarja e Osmanit, Donjeta Miftari./KultPlus.com

Krasniqi, Gjakova e Kuke dekorohen nga presidentja Osmani

Sot është hapur Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë, ku kanë marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësues të tjerë të vendit, shkruan KultPlus.

Presidentja me këtë rast ka nderuar me medalje dy kampionet olimpike, Distria Krasniqin dhe Nora Gjakovën me titullin “Nderi i Republikës”.

Ndërsa Distria është dekoruar edhe me medaljen “Medaljen Presidenciale”, pasi që Nora Gjakova më herët është dekoruar me “Medalje Presidenciale”.

Po ashtu është dekoruar edhe trajneri i xhudistëve, Driton Kuka me “Medalje Presidenciale”./ KultPlus.com

Hapet Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë, kryeministri Kurti: Kelmendi do të shpallet “Qytetare me vlera të veçanta”

Sot është hapur Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë, ku kanë marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësues të tjerë të vendit, shkruan KultPlus.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i është drejtuar tri të artave se pikërisht këto vajza ia zbardhën fytyrën një kombi të tërë. “Na keni bërë krenarë, mburremi me sukseset e juaja”, ka thënë mes të tjerash presidentja Osmani.

Kurse kryeministri i Kosovës ka njoftuar me këtë rast se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Kosovës, Majlinda Kelmendi do të shpallet “Qytetare me vlera të veçanta”.

Pas përurimit të këtij institucioni, tri të artat e Kosovës në xhudo: Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi janë parë së bashku me presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti duke e shijuar këtë moment./ KultPlus.com

Wigemark takohet me Osmanin: EULEX është gati të asistojë në veri së bashku me KFOR-in

Kreu i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, është takuar me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe është biseduar lidhur me situatën në veri të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të miratohet masa e reciprocitetit për targa me Serbinë. Pas kësaj, forcat Speciale të Policisë janë vendosur në pikat kufitare në veri të Kosovës, ndërsa banorët e minoritetit serb kanë bllokuar rrugët me automjete.

Kreu i EULEX-it është shprehur i gatshëm që të ndihmojë në zgjidhjen e ngërçit, së bashku me KFOR-in.

“Një takim shumë i dobishëm me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në lidhje me ngërçin në 2 Pikat e Përbashkëta Kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. EULEX ka vendosur ekipe zbulimi në dy pikat një javë më parë dhe është gati të asistojë së bashku me KFOR-in”, tha ai./KultPlus.com