Presidentja Osmani në takim me ambasadorin gjerman: Kosova nuk nxiti apo krijoi tensione

Presidentja Vjosa Osmani e ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde. Në këtë takim, Presidenca thotë se Osmani ka theksuar se Kosova në asnjë rast nuk ka nxitur apo krijuar tensione.

Osmani, parafrazohet t’i ketë thënë ambasadorit gjerman se prezenca e forcave policore në veri të vendit është në shërbim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike për të gjithë.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde, me të cilin biseduan   lidhur me situatën e sigurisë në vend, me theks të veçantë në veri të vendit. Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës në asnjë rast nuk ka nxitur apo krijuar tensione dhe se prezenca e forcave policore në veri është në shërbim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike për të gjithë qytetarët pa dallim. Sipas Presidentes Osmani Serbia nëpërmjet diskursit dhe veprimeve nxitëse, është duke tentuar ta destabilizojë veriun e vendit”, thuhet në komunikatën e Presidecës.

Më tej, thuhet se presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të realizuar reforma përmbajtësore në fushën e sundimit të ligjit, si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm dhe avancim të mëtutjeshëm në procesin e integrimeve euroatliantike.

“Presidentja Osmani po ashtu ka uruar ambasadorin Rohde për procesin zgjedhor në Gjermani, duke theksuar se Republika e Kosovës është çdoherë e gatshme për thellim të bashkëpunimit me institucionet gjermane”, thuhet në komunikatë.

Sot gjatë ditës u raportua se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është qortuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për aksionin e Policisë së Kosovës në veri. Mirëpo këto lajme janë cilësuar si të pavërteta nga këshilltarja e Osmanit, Donjeta Miftari./KultPlus.com

Krasniqi, Gjakova e Kuke dekorohen nga presidentja Osmani

Sot është hapur Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë, ku kanë marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësues të tjerë të vendit, shkruan KultPlus.

Presidentja me këtë rast ka nderuar me medalje dy kampionet olimpike, Distria Krasniqin dhe Nora Gjakovën me titullin “Nderi i Republikës”.

Ndërsa Distria është dekoruar edhe me medaljen “Medaljen Presidenciale”, pasi që Nora Gjakova më herët është dekoruar me “Medalje Presidenciale”.

Po ashtu është dekoruar edhe trajneri i xhudistëve, Driton Kuka me “Medalje Presidenciale”./ KultPlus.com

Hapet Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë, kryeministri Kurti: Kelmendi do të shpallet “Qytetare me vlera të veçanta”

Sot është hapur Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë, ku kanë marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësues të tjerë të vendit, shkruan KultPlus.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i është drejtuar tri të artave se pikërisht këto vajza ia zbardhën fytyrën një kombi të tërë. “Na keni bërë krenarë, mburremi me sukseset e juaja”, ka thënë mes të tjerash presidentja Osmani.

Kurse kryeministri i Kosovës ka njoftuar me këtë rast se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Kosovës, Majlinda Kelmendi do të shpallet “Qytetare me vlera të veçanta”.

Pas përurimit të këtij institucioni, tri të artat e Kosovës në xhudo: Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi janë parë së bashku me presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti duke e shijuar këtë moment./ KultPlus.com

Wigemark takohet me Osmanin: EULEX është gati të asistojë në veri së bashku me KFOR-in

Kreu i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, është takuar me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe është biseduar lidhur me situatën në veri të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të miratohet masa e reciprocitetit për targa me Serbinë. Pas kësaj, forcat Speciale të Policisë janë vendosur në pikat kufitare në veri të Kosovës, ndërsa banorët e minoritetit serb kanë bllokuar rrugët me automjete.

Kreu i EULEX-it është shprehur i gatshëm që të ndihmojë në zgjidhjen e ngërçit, së bashku me KFOR-in.

“Një takim shumë i dobishëm me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në lidhje me ngërçin në 2 Pikat e Përbashkëta Kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. EULEX ka vendosur ekipe zbulimi në dy pikat një javë më parë dhe është gati të asistojë së bashku me KFOR-in”, tha ai./KultPlus.com

Nesër organizohet ceremonia përuruese e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë

Nesër duke filluar prej orës 11:00, do të organizohet ceremonia përuruese e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë.

Në përurimin e Qendrës Nacionale do të marrin pjesë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministri Albin Kurti, kryetari Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Federatës së Xhudos së Kosovës dhe shumë personalitete e mysafirë tjerë vendorë e ndërkombëtarë.

Lokacioni i Qendrës Nacionale të Xhudos: Lagjja Tabjet, Pejë

Agjenda e ceremonisë përururese:

Moderatore: Donika Hyseni

11:00 – 11:05 Hapja e ngjarjes nga Moderatorja
11:05 – 11:10 Fjalimi i Presidentes
11:10 – 11:15 Dekorimi i Sportisteve nga Presidentja
11:15 – 11:23 Fjalimi i Kryeministrit
11:23 – 11:30 Fjalimi i Kryetarit të FNXH-së, Marius Vizeri
11:30 – 11:35 Fjalimi i Kryetarit te Komunës së Pejës
11:35 -11:40 Fjalimi i Agron Kuka
11:40 – 11:43 Përmbyllje nga Moderatorja
11:43 – 11:50 Prerja e shiritit
11:50 – 12:00 Performancë nga Sportistet e Xhudos brenda Qendrës Nacionale / KultPlus.com

Osmani: Më 26 shtator të vitit 1991, rrugëtimi i Kosovës mori kahun e synuar ndër breza

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka kujtuar Referendumin për Pavarësi të Kosovës më 26 shtator të vitit 1991, shkruan KultPlus.

“Më 26 shtator të vitit 1991, rrugëtimi i Kosovës mori kahun e synuar ndër breza, drejt bërjes shtet nën udhëheqjen e urtë të presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova”, ka shkruar Osmani.

KultPlus ju sjell njoftimin e saj të plotë:

Tridhjetë vjetë më parë, përcaktimi politik i shprehur me Referendumin për pavarësi të Kosovës nga Serbia, ishte hapi përmbajtësor pas Deklaratës së 2 Korrikut, Kushtetutës së Kaçanikut dhe së fundi paraprijës i 17 shkurtit të vitit 2008.
Më 26 shtator të vitit 1991, rrugëtimi i Kosovës mori kahun e synuar ndër breza, drejt bërjes shtet nën udhëheqjen e urtë të presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova.
Në këtë përvjetor, i kujtojmë me respekt të gjithë ata që organizuan Referendumin, një nga ngjarjet, e cila i vuri themelet e para të shtetit të Kosovës!
E tashmja nuk ka kuptim pa e kujtuar të kaluarën, pa e hedhur vështrimin prapa në rrugën në të cilën kemi ecur, duke njohur njëkohësisht kontributin e shumë burrave e grave të këtij vendi për shtetin që e kemi sot! / KultPlus.com

Osmani: Masakra ndaj familjes Deliu është dëshmi e egërsisë së forcave gjenocidale serbe

Më 26 shtator të vitit 1998, në fshatin Abri e Epërme, forcat serbe kishin kryer një nga masakrat më mizore gjatë luftës në Kosovë. Sot shënohen plot 23 vjet nga kjo masakër mizore, me ç’rast ka reaguar edhe Presidentja Vjosa Osmani përmes një postimi në rrjetin soical Facebook.

“Masakra ndaj familjes Deliu është dëshmi e egërsisë së forcave gjenocidale serbe, së cilës ende nuk i ka dhënë përgjigje drejtësia. Përpjekja jonë nuk do të ndalojë asnjëherë që ata të cilët e kryen këtë akt mizor, të dalin para drejtësisë. Këtë ua kemi borxh viktimave dhe familjeve të tyre!”, ka shkruar Osmani.

KultPlus ju sjell njoftimin e saj të plotë:

Më 25 shtator 1998, Familja Deliu ishte strehuar në mal, duke kërkuar shpëtimin nga barbaria e forcave gjenocidale të regjimit të Serbisë.
Një ditë më pas, më 26 shtator 1998, 23 anëtarë të familjes Deliu nga mosha 2-vjeçe e deri në moshën 94-vjeç u masakruan po në këtë vend.
Sot i kujtojmë me dhimbje të gjithë ata fëmijë, pleq, gra e të rinj, të cilët u qëlluan nga afër vetëm pse ishin shqiptarë.
Sot i kujtojmë edhe dëshmorët: Valdet Xhemajli, Vesel Demaku dhe Afrim Hajdari, të cilët ranë dhe janë dëshmi e sakrificës për liri.
Masakra ndaj Familjes Deliu është dëshmi e egërsisë së forcave gjenocidale serbe, së cilës ende nuk i ka dhënë përgjigje drejtësia.
Planifikuesit dhe ekzekutorët duhet të dalin para drejtësisë si një parakusht që aktet e tilla barbare të mos përsëriten në asnjë cep të botës.
Paqja ka kuptim vetëm atëherë kur duke kujtuar të kaluarën, adresojmë përgjegjësinë për njerëzit tanë që u vranë. Përpjekja jonë nuk do të ndalojë asnjëherë që ata të cilët e kryen këtë akt mizor, të dalin para drejtësisë. Këtë ua kemi borxh viktimave dhe familjeve të tyre!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për martirët dhe dëshmorët e Abrisë! / KultPlus.com

Presidentja Osmani ndërpret vizitën në Nju Jork për shkak të zhvillimeve në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndërprerë vizitën e saj në Nju Jork dhe është nisur për në Prishtinë për shkak të zhvillimeve në veri të vendit, përcjell KultPlus.

Njoftimin e ka bërë këshilltari politik i presidentes Osmani, Bekim Kupina, përmes një postimi në Facebook.

“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës demanton raportimet se delegacioni përcjellës i Presidentes në Nju Jork ishte i madh. Presidentja ka udhëtuar për javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme me vetëm 4 anëtarë të kabinetit të saj” -shton tutje këshilltari Kupina./KultPlus.com

Vjosa Osmani, Millo Gjukanoviq dhe Zheljko Komshiq shprehin shqetësimin për zhvillimet e fundit në rajon

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq dhe kryetari i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiq u takuan sot në Nju Jork gjatë javës së Nivelit të Lartë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të diskutuar zhvillimet në tri shtetet që përfaqësojnë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Presidentët shprehën shqetësimin për zhvillimet e fundit në rajon dhe gjithashtu qëllimin e përbashkët të tyre për ruajtjen e stabilitetit si parakusht për perspektivën evropiane të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Të tre presidentët ranë dakord ta vazhdojnë komunikimin dhe dialogun për këtë çështje. / KultPlus.com

Vjosa Osmani pas takimit me Bill Clinton-in: Kosova është e bekuar me miqtë më besnikë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Osmani ka thënë se është pak të thuhet se Kosova është e bekuar me miqtë e saj. Ndërsa e ka falenderuar Clintonin, Osmani ka publikuar disa fotografi me të, transmeton KultPlus.

“Është pak të thuhet se Kosova është e bekuar me miqtë më të përkushtuar dhe më besnikë. President, faleminderit për gjithçka që keni bërë për njerëzit tanë”, shkroi Osmani në një postim në Twitter. / KultPlus.com

Presidentja Osmani për reciprocitetin e targave: Asnjë kërcënim nga Serbia nuk e ndalon vendosmërinë tonë për zbatimin e ligjit

Presidentja, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova sot ka zbatuar në plotësi marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, të cilat Serbia i ka injoruar dhe po vazhdon të mos i zbatojë.

Përmes një shkrimi në Facebook, Osmani theksoi se reciprociteti në çështjen e targave, për të cilën kanë nënshkruar të dyja palët në Bruksel, nuk mund të shihet si veprim tensionues e i njëanshëm, por veprim drejt zbatimit të marrëveshjeve të cilën do të duhej ta kërkonte edhe vet BE-ja.

“Serbia është ajo që ka vepruar në mënyrë të njëanshme nga viti 2016 e në shkelje të marrëveshjeve të Brukselit, e jo Kosova”, tha Osmani.

Tutje shtoi se strukturat ilegale serbe, të financuara e që marrin urdhra nga shteti i Serbisë, po ndërmarrin veprime jo vetëm në kundërshtim me marrëveshjet e Brukselit, por edhe që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe stabilitetin e rajonit.

“Për më tepër, Serbia, sipas logjikës së pandryshuar të së kaluarës, po i shfrytëzon edhe institucionet shtetërore serbe për ta kërcënuar vendin tonë”, u shpreh Osmani.

Më tej tha se asnjë lloj kërcënimi nga Serbia nuk e ndalon vendosmërinë tonë për të jetësuar zbatimin e ligjit, në përputhje me obligimet tona ndërkombëtare, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Republikës, pa dallim etnie.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve është ndërmarrë si rezultat i përfundimit të marrëveshjeve të vitit 2011 dhe 2016 për lirinë e lëvizjes së qytetarëve mes dy shteteve. Rrjedhimisht, vendimi siguron trajtim të barabartë dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve të të dyja vendeve. Vendimi është pranuar dhe po zbatohet me përpikëri në të gjitha pikat kufitare, me përjashtim të dy pikave në veri, në të cilat serbët lokalë po keqpërdoren nga Qeveria serbe dhe strukturat ilegale atje”, vazhdoi Osmani.

Presidentja ka ftuar Bashkimin Evropian që të ushtrojë presion mbi qeverinë e Serbisë që të ndalojë menjëherë provokimet ndaj Kosovës dhe keqpërdorimin për qëllime politike të qytetarëve serbë të Kosovës.

“Politika destabilizuese e Serbisë në Kosovë dhe në rajon dhe qëllimet e tyre hegjemoniste për të ashtuquajturën ‘botë serbe’ janë rikthim në logjikën e tyre të viteve ’90, e cila ka sjellë shumë viktima në rajonin tonë”, tha në fund Osmani./KultPlus.com

Dukagjin Lipa takohet me Presidenten Osmanin: Një vizitë e veçantë me një zonjë shumë të veçantë

Anëtari i grupit ODA, njëherësh organizatori i festivalit “Sunny Hill” në Kosovë, Dukagjin Lipa, ditë më parë është takuar me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanin, përcjell KultPlus.

Presidentja Osmani ndodhet në takim zyrtar në Berlin të Gjermanisë, por që para se të nisej për atje, ka mirëpritur në takim organizatorët e festivalit “Sunny Hill”.

Ka qenë Dukagjin Lipa ai i cili përmes një fotografie të publikuar në rrjetin social Instagram ka falënderuar Osmanin për mikpritjen në këtë takim.

“Një vizitë e veçantë me zonjën shumë të veçantë. Faleminderit Zonja Presidente Vjosa Osmani për përfaqësimin tuaj të mahnitshëm të vendit tonë. Krenar që jam pjesë e ekipit tuaj të fushatës zgjedhore”, ka shkruar Lipa në Instagram. / KultPlus.com

“Presidentja jonë…”, Dua Lipa poston një video të Vjosa Osmanit

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, ka ripostuar një video të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, në llogarinë e saj në Instagram, ku numëron rreth 70 milionë ndjekës.

Ka qenë Osmania jo që e ka publikuar një video ku dëgjohet një këngë e Dua Lipës.

“Duke e nisur ditën e dytë në Gjermani me Dua Lipën”, ka qenë përshkrimi i Osmanit.

Këtë video, më pas e ka ripostuar Dua, e cila ka shkruar “Presidentja jonë e di se çfarë bëhet”.

Ndryshe, Dua duket se i ndjek aktivitetet e presidentes, meqenëse jo rrallëherë i shpërndan postimet e saj nëpër rrjete sociale/gazetaexpress/ KultPlus.com

Presidentja Osmani dekoron ambasadorin Kosnett me urdhrin ‘”Dr. Ibrahim Rugova”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot në takimin lamtumirës ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë Philip S. Kosnett, për kontributin e dhënë në ndërtimin e paqes dhe zhvillimit të demokracisë në vend.

Duke e falënderuar për punën e palodhshme dhe angazhimin jashtëzakonisht aktiv gjatë misionit të tij në vendin tonë, Osmani tha se puna e ambasadorit Kosnett dhe të stafit të tij janë po ashtu kontribuese të rëndësishme në drejtim të mbajtjes së Kosovës lartë në agjendën e politikës së jashtme të SHBA-së.

Palët diskutuan edhe për raportet e thella e strategjike ndërmjet të dy vendeve, me ç’rast presidentja Osmani vlerësoi se tashmë jemi në një etapë të re të bashkëpunimit bilateral, e cila krijon mundësi të jashtëzakonshme për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në vitet në vijim.

Me këtë rast, ambasadori Kosnett shprehu mirënjohjen e thellë për vlerësimin e punës së tij dhe konfirmoi se raporti në mes të Kosovës dhe SHBA-ve do të jetë përherë i fortë dhe i pakontestueshëm.

Në takim palët vlerësuan lart edhe faktin se raporti në mes të dy vendeve tona po zhvillohet gradualisht me një dinamikë të re e premtuese, ku Kosova po bëhet më shumë partner aktiv dhe kontributdhënës në procese të ndryshme strategjike.

Në këtë kontekst, u apostrofua vendimi i fundit i institucioneve kosovare për mikpritjen e qytetarëve afganë, angazhimin e FSK-së në misione paqeruajtëse krah ushtrisë amerikane, si dhe angazhimi aktiv i Kosovës në luftën ndaj terrorizmit.

Ndryshe, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka nominuar për ambasador të ri në Kosovë Jeffrey M. Hovenier.

Hovenier, i cili pritet të zëvendësojë ambasadorin aktual Kosnet, është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan që ka qenë pjesë e stafit të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës./KultPlus.com

Vjosa Osmani: I kujtojmë viktimat e 11 shtatorit dhe do të qëndrojmë bashkë në luftimin e terrorizmit

Në shenjë nderimi për jetët e humbura nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot Presidentja Vjosa Osmani ka vizituar Memorialin “Kosova kujton” në oborrin e Qeverisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Akti terrorist në New York të ShBA-së ishte goditje ndaj institucioneve dhe popullit amerikan, ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë. Në atë sulm, humbën jetën rreth tre mijë persona.

“I kujtojmë viktimat e 11 shtatorit dhe e konfirmojmë edhe njëherë se si populli me proamerikan në botë do të qëndrojnë bashkë në luftimin e terrorizmit krahas SHBA-ve, por edhe duke e ndarë dhimbjen në ditë si kjo”, ka shkruar Osmani.

KultPlus ju sjell njoftimin e saj të plotë:

SHBA-të janë aleat i yni strategjik dhe i përhershëm. Sot jemi me ta, sikurse në çdo ditë dhe situatë tjetër. I kujtojmë viktimat e 11 shtatorit dhe e konfirmojmë edhe njëherë se si populli me proamerikan në botë do të qëndrojnë bashkë në luftimin e terrorizmit krahas SHBA-ve, por edhe duke e ndarë dhimbjen në ditë si kjo.
11 shtatori i vitit 2001, ishte thirrja e ndërgjegjes njerëzore, mobilizim kundër një te keqe të përgjithshme dhe rikujtim se solidariteti ndërnjerëzor në raste si ky sulm është garancë për një botë më të mirë dhe kontribut në luftën jo vetëm kundër terrorizmit, por edhe për lirinë, paqen dhe demokracinë në botë. / KultPlus.com

Presidentja Osmani i uron sukses ekipit të filmit ‘Zgjoi’ në Oscars 2022

Të mërkurën, Qendra Kinematografike e Kosovës njoftoi se tri herë fituesi i Fesitvalit të Sundance, filmi  ‘Zgjoi’ nga Blerta Basholli, është propozuar për Oscars 2022

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, përmes një statusi në rrjetin social Twitter, u ka dëshiruar shumë suksese ekipit të filmit, duke iu uruar fat për në çmimet e Akademisë.

“Është zyrtare. Aplikimi i Kosovës për Oscars është “Zgjoi (Hive)”. Përveç të qenit një kryevepër, kjo histori e luftës dhe këmbënguljes është një frymëzim. Fat të mbarë Blerta Basholli dhe ekipit. Fituesi i trefishtë i Sundance, ‘Hive’ është zgjedhur si Pretendues Ndërkombëtar i ‘Oscar’-it”, shkruhet në postimin e presidentes.

Vjosa Osmani përndryshe e kishte dekoruar regjisoren Basholli në fillim të këtij viti me “Medaljen Presidenciale të Meritave”.

“Zgjoi” ka për producent Yll Ukën, Valon Bajgorën dhe Agon Ukën; drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n. Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj; “Zgjoi“ është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe me drejta të shitjes globale nga LevelK./KultPlus.com

Presidentja Osmani: E prekur thellësisht nga aksidenti tragjik në Spitalin Covid të Tetovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas zjarrit që ka ndodhur mbrëmë në spitalin e Tetovës, ku po trajtoheshin personat e infektuar me COVID 19.

“Presidentja Osmani ngushëllon familjet, homologun Pendarovski dhe kryetaren e Tetovës për aksidentin tragjik në Spitalin Covid të Tetovës. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjet, Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe kryetaren e Tetovës, znj.Teuta Arifi për viktimat nga zjarri në Spotalin Covid të Tetovës”, thuhet në njoftimin që ka nisur presidenca.

“E prekur thellësisht nga aksidenti tragjik në Spitalin Covid të Tetovës, jua përcjellë ngushëllimet e mija familjeve që humbën më të dashurit, Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski si dhe kryetares së Tetovës, znj.Teuta Arifi.

Në këto çaste të dhimbshme bashkëndjejmë me familjet që humbën të afërmit dhe lutemi për shërim të shpejtë të të  lënduarve!”, thuhet në mesazhin e Presidentes Osmani./KultPlus.com

Presidentja Vjosa Osmani i bën thirrje Indisë që ta njohë Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për televizionin indian “WION” i ka bërë thirrje Indisë që ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës, shkruan Wionews.

Osmani ka thënë se fillimisht India duhet të njohë vuajtjet e kosovarëve nga regjimi gjenocidal i Sllobodan Millosheviqit dhe pastaj të njohë pavarësinë e Kosovës, realitet ky për të cilin presidentja thotë se nuk ka për të ndryshuar.

“Ne i bëjmë edhe një herë thirrje qeverisë së Indisë që para së gjithash të njohë vuajtjen e popullit të Kosovës nga regjimi gjenocidal e Millosheviqit dhe së dyti, ta njohë realitetin e pandryshueshëm në terren”, ka thënë presidentja Osmani në këtë intervistë për redaktoren e WION, Palki Sharma.

Presidentja ka potencuar se është vetëm çështje kohe kur India do t’i bashkohet vendeve demokratike që kanë njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Linku i intervistës është shpërndarë nga këshilltari i presidentes, Artan Murati. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Kushtetuta e Kaçanikut është guri themeltar i rendit juridik të shtetit të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, me rastin e 31 vjetorit të Kushtetutës së Kaçanikut ka vlerësuar se ‘në këtë ditë historike, jemi falënderues ndaj grave e burrave të Kosovës, të cilët 31-vjet më parë patën dijen, vizionin e guximin që ta miratojnë Kushtetutën e Kaçanikut, dokumentin përmbajtësor, me të cilin nisi krijimi i identitetit kushtetues e shtetëror të Republikës së Kosovës’, ka shkruar mes tjerash presidentja Osmani.

KultPlus e sjell të plotë reagimin e presidentes Osmani, lidhur me këtë datë historike.

Në këtë ditë historike, jemi falënderues ndaj grave e burrave të Kosovës, të cilët 31-vjet më parë patën dijen, vizionin e guximin që ta miratojnë Kushtetutën e Kaçanikut, dokumentin përmbajtësor, me të cilin nisi krijimi i identitetit kushtetues e shtetëror të Republikës së Kosovës. Të frymëzuar nga idealet e lirisë dhe demokracisë, delegatët e Kuvendit të Kaçanikut sfiduan guximshëm veprimet represive dhe kërcënimet brutale të regjimit të Serbisë, duke u bërë udhërrëfyes në rrugëtimin tonë për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Tri dekada më parë, ëndrra e brezave për shtetin e Kosovës mori formë. Së pari Deklarata e 2 korrikut 1990 e pas saj Kushtetuta e Kaçanikut e bënë Kosovën Republikë, i dhanë kuptim thirrjes së hershme, kauzës sonë për liri, demokraci e shtet.

Urime Dita e Kushtetutës së Kaçanikut, e bëfshim Kosovën çdo ditë e më të mirë!/ KultPlus.com

Presidentja Osmani: 503 mijë vaksinat e dhuruara nga SHBA-të janë 503 mijë shanse shtesë për të shpëtuar jetë nga virusi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një postimi në rrjetin social facebook ka bërë të ditur se Kosova ka pranuar gjithsej 503 mijë vaksina të dhuruara nga SHBA-të, e të cilat kanë arritur sot, përcjellë KultPlus.

“Nuk ka asnjë arsye për mos vaksinim! Të rinj, pleq, mësues, shtatzëna, gra e burra, vaksinimi shpëton jetë! Vaksinohu edhe TI të shpëtosh veten, më të dashurit e tu, ekonominë dhe të ardhmen tonë!”, shkruan Osmani.

KultPlus ju sjell njoftimin e saj të plotë:

503 mijë vaksinat e dhuruara nga SHBA-të e të cilat arritën sot në vendin tonë janë 503 mijë shanse shtesë për të mbrojtur e shpëtuar jetë nga virusi.
Nuk ka asnjë arsye për mos vaksinim! Të rinj, pleq, mësues, shtatzëna, gra e burra, vaksinimi shpëton jetë! Vaksinohu edhe TI të shpëtosh veten, më të dashurit e tu, ekonominë dhe të ardhmen tonë!
Faleminderit Presidentit Biden dhe popullit amerikan që na u gjindën sërish pranë, ashtu sikurse gjithherë. / KultPlus.com

Harris pas bisedës me presidenten Osmani: U pajtuam të vazhdojmë forcimin e raportit të rëndësishëm Kosovë-SHBA

Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, ka njoftuar për bisedën telefonike që ka pasur dje me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, transmeton KultPlus.

Përmes një postimi në faqen zyrtare, Harris ka thënë se me Osmanin janë pajtuar që të vazhdojnë forcimin e raportit të rëndësishëm SHBA-Kosovë.

“Ishte kënaqësi të flisja me Presidenten Vjosa Osmani dje për t’ia shprehur falënderimet e kombit tonë Kosovës për strehimin e afganëve të ndjeshëm në Kampin Bonsteel. U pajtuam që ta vazhdojmë fuqizimin e raportit të rëndësishëm ShBA – Kosovë”, ka shkruar Harris.

Presidentja Osmani takohet me Presidentin e Konfederates Zvicerane, Sh.T. Guy Parmelin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S. Vjosa Osmani u takua sot me Presidentin e Konfederates Zvicerane, Sh.T. Guy Parmelin.

Në këtë takim, Presidentja Osmani theksoi raportet tashmë jashtëzakonisht të mira në mes të Kosovës dhe Zvicrës, të cilat ajo konsideroi se kanë krijuar mundësi të shkëlqyeshme për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

Ajo po ashtu foli për raportet e veçanta në mes të dy popujve, me ç’rast shprehu mirënjohje të thellë për institucionet dhe popullin zviceran për faktin që Zvicrën e shndërruan në shtëpinë e mbi 200,000 kosovarëve duke u mundësuar atyre integrim të suksesshëm në shoqërinë zvicerane.

Gjatë takimit, palët u dakorduan që ekzistojnë mundësi të jashtëzakonshme të bashkëpunimit bilateral në fushën e ekonomisë. Presidentja Osmani theksoi që institucionet e reja janë të interesuara për thithjen e investimeve të reja, për të cilat do të ofrohet mbrojtje dhe siguri e plotë. Në këtë drejtim, palët u dakorduan për bashkëpunim aktiv dhe angazhim dypalësh për intensifikim e shkëmbimeve ekonomike, si dhe shtimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët.

Nisur nga zhvillimet e fundit me pandeminë, Presidentja Osmani theksoi edhe njëherë rëndësinë e vaksinimit si mundësia jonë më e mirë për të shpëtuar jetë dhe për të luftuar pandeminë. Me këtë rast, Presidentja Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të ketë nevojë për asistencën e vendeve mike për sigurim të dozave shtesë të vaksinës. / KultPlus.com

Dita ndërkombëtare e të zhdukurve, Osmani: Ata janë plaga jonë e përbashkët që nuk mbyllet pa u ditur fati i tyre

Sot shënohet dita ndërkombëtare e të zhdukurve.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti kanë bërë homazhe pranë memorialit për personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“1632 persona janë ende nëpër listat e të zhdukurve me dhunë. Ky numër, për ne nuk paraqet, thjesht, numër. As numri në të cilin listat e renditin secilin nga ta nuk është thjesht një numër. Ata paraqesin jetë njerëzish, histori më vete, të cilët së bashku e përbëjnë historinë tonë të përbashkët. Ata janë plaga jonë e përbashkët, e cila nuk mund të mbyllet pa u bërë i ditur fati i secilit prej tyre.”- shkruan Osmani përmes një postimi në Facebook.

Presidentja Osmani thotë se Kosova nuk do të heshtë karshi poshtërimit që shteti serb po ua bën të zhdukurve me dhunë, viktima të dhunës shtetërore serbe.

“Prandaj, gjetja e më të dashurve tanë – vajzave, djemve, nënave e baballarëve të Kosovës, është prioriteti ynë. Ne nuk mund të dialogojmë për tema të tjera përpara çështjes së fatit të të zhdukurve, sepse asgjë tjetër nuk ka vlerë krahasuar me jetët e të dashurve tanë, me njohjen e fatit të tyre dhe, së paku, me prehjen e eshtrave të tyre në tokën e të parëve. Pa zbardhjen e fatit të tyre nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në rajon.” – shton më tutje presidentja Osmani./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Ditë e rëndë sot për vendin tonë me 36 humbje jetësh të qytetarëve tanë

Në 24-orëshin e fundit, 36 persona në Kosovë kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka cilësuar si një ditë të rëndë për Kosovën, shkruan KultPlus.

Ajo tutje i fton institucionet e Kosovës të mblidhen sot në Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar masat e nevojshme.

Postimi i plotë:

Ditë e rëndë sot për vendin tonë me 36 humbje jetësh të qytetarëve tanë. Ngushëllime të gjithë atyre që humbën më të dashurit nga kjo pandemi e tmerrshme, e cila po vazhdon të shkaktojë dhimbje e trishtim në Kosovë dhe gjithandej globit. Institucionet e Kosovës sot mblidhen në Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar masat e nevojshme.

Situata e sotme dramatike dëshmon edhe njëherë domosdoshmërinë e vaksinimit të të gjithë qytetarëve me të drejtë vaksinimi, por edhe bartjen e maskave për të parandaluar zingjirin e infektimeve. Kjo është mbrojtja e vetme dhe më e mirë. Ta bëjmë për veten tonë, për më të dashurit tanë, për familjet tona, për shtetin tonë!./KultPlus.com