Osmani: Nuk pranojmë ide që prekin kufijtë dhe bëjnë Kosovën jofunksionale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Maqedonisë  së Veriut, Bujar Osmani.

Në këtë takim, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet të të dy shteteve janë vlerësuar si të shkëlqyeshme. Të dy palët kanë shprehur gatishmërinë që  të thellohen edhe më tej, posaçërisht në sferën e ekonomisë dhe turizmit.

Ministri Osmani ka theksuar se Maqedonia e Veriut do të qëndrojë krah Kosovës në rrugën e saj evropiane, duke shprehur mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në BE. Në këtë kontekst, ai ka kundërshtuar idetë për rivizatimit të kufijve, duke theksuar se Marrëveshja e Ohrit, pavarësia e Kosovës dhe perspektiva euroatlantike e rajonit janë treguar modele të suksesshme.

Presidentja Osmani ka ritheksuar se skenarë të tillë duhet ta parandalohen bashkërisht.

“Nuk pranojmë ide që prekin kufijtë tanë dhe e bëjnë Kosovën jofunksionale”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Në takim, ndër të tjera është biseduar edhe situata me pandeminë Covoid-19, në të dy shtetet.

Presidentja Osmani ka thënë se në bashkërendim me  Qeverinë po e bëjnë të pamundshmen që bashkë me partnerët ndërkombëtarë t`i sigurojnë vaksinat për qytetarët e Kosovës./ KultPlus.com

Osmani falënderon Biden për letrën e tij të përzemërt në emër të popullit amerikan

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu ka falënderuar Presidentin Biden për letrën e tij të përzemërt në emër të popullit amerikan, ku Biden ka potencuar se SHBA-të do të punojnë në realizimin e shpërndarjes së vaksinave ndaj Covid-19 në Kosovë, shkruan KultPlus.

Osmani gjithashtu ka theksuar pjesën ku Biden në letrën e tij shkruan se ShBA-të, mbështesin vazhdimin e dialogut me Serbinë.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të saj:

Falënderoj Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për letrën e tij të përzemërt në emër të popullit amerikan.

Presidenti Biden thekson partneritetin e gjatë mes dy vendeve tona të rrënjosur në vlerat e përbashkëta, duke përmendur edhe raportin personal të familjes Biden me Kosovën. Ai poashtu ka theksuar se do të punojë me ne në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid-19, zhvillimin ekonomik si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike.

Në veçanti, e falënderoj Presidentin Biden që i është përgjigjur letrës sime të datës 19 mars lidhur me ndihmën në drejtim të sigurimit të vaksinave, si prioritet numër një i institucioneve tona. Presidenti Biden ka potencuar se me shtimin e sasisë së vaksinave, SHBA-të do të punojnë për shpërndarjen e tyre dhe se ekipi i tij do të jetë ne kontakt me ekipin tim për realizimin e këtij synimi.

Në letrën e Presidentit Biden theksohet, gjithashtu se ShBA-të, mbështet vazhdimin e dialogut me Serbinë. “ShBA-të do të vazhdojnë t`i mbështesin përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke”, thuhet në letrën e Biden. / KultPlus.com

Letra e plotë që presidenti Biden i ka dërguar Vjosa Osmanit

Presidenti amerikan Joe Biden i ka dërguar letër urimi me rastin e zgjedhjes në postin e presidentes, Vjosa Osmanit.

Letra mban datën 19 prill 2021 e nënshkruar nga presidenti Biden ku theksohet se administrata e Biden do të punojë me presidenten Osmani në prioritetet e shumta e sidomos me ndihmën për sigurimin e vaksinave.

“Presidenti Biden ka theksuar se do të punojë me Presidenten Osmani në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid-19, zhvillimin ekonomik si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike. Presidenti Biden i është përgjigjur edhe kërkesës së Presidentes Osmani që SHBA-të të ndihmojnë me vaksina, bazuar në letrën e saj të 19 marsit. Presidenti Biden ka potencuar se me shtimin e sasisë së vaksinave, SHBA-të do të punojnë me partnerët për shpërndarjen e tyre dhe se ekipi i tij do të jetë ne kontakt me Presidenten Osmani për realizimin e synimit të tillë”, thuhet në letër.

Biden poashtu ka thënë në letër se ShBA-ja mbështet vazhdimin e dialogut me Serbinë i cili duhet të përfundojë me marrëveshjen për njohjen reciproke.

ShBA-të do të vazhdojnë t`i mbështesin përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke”, thuhet në letrën e Biden dërguar Presidentes Osmani./Express/ KultPlus.com

Osmani: Pokleku është Holokausti i Kosovës

Sot bëhen 22 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.

Për këtë përvjetor, ka thënë fjalën e saj edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila përmes një statusi në rrjetin social Facebook, theksoi se kjo masakër është Holokausti i Kosovës.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Osmanit

Pokleku është Holokausti i Kosovës

Gjurmë të gjakut të 54 civilëve të vrarë në Masakrën e Poklekut, në mesin e të cilëve 24 fëmijë, ende janë të freskëta në bodrumin e shtëpisë në të cilën së pari u vranë, pastaj u dogjën dy herë radhazi. Në mesin e tyre, Lirie Muqolli gjashtë muajshe, jeta e së cilës u shua në filim të saj nga forcat policore e ushtarake të regjimit gjenocidal serb. Emri i saj ishte Liri, porse lirinë nuk e arriti!

Ajo dhe fëmijët e tjerë u vranë pse ishin shqiptarë, teksa bashkë me gra, djem e burra të tjerë prehen në një varrezë të përbashkët. Trupat e njomë të fëmijëve, bashkë me familjet e tyre, ishin bërë shkrumb e hi, për ta bërë të pamundur identifikimin e për ta fshehur krimin mizor. Ky krim kishte një qëllim të qartë: shfarosjen e zhukjen e popullit tonë nga faqja e dheut.

Prandaj, viktimat dhe të mbijetuarit e kësaj masakre janë dëshmi e fuqishme se në këtë fshat më 17 prill 1999 ndodhi Holokausti i Kosovës. Fëmijët e vrarë ishin të moshës gjashtë muajshe e deri në 17 vjeç. Bashkë me ta është vrarë edhe poeti i tyre, poeti i fëmijëve Ymer Elshani me gruan, katër djemtë, nënën dhe kunatën.

Dëshmitë dhe disa dëshmitarë të mbijetuar në Poklek si dhe në masakrën në Çikatovë të Vjetër ku u vranë edhe 24 civilë shqiptarë po më 17 prill, qartë tregojnë qëllimin shfarosës që kishte Serbia.

Sot, së bashku me Kryetarin e Kuvendit, z.Glauk Konjufca nderuam të rënët dhe ndamë dhimbjen për ta bashkë me familjarët e tyre. Sot, zëri i Lirisë dhe i fëmijëve, grave e burrave të tjerë të vrarë në këto masakra trokasin në ndërgjegjen tonë si thirrje e fuqishme për drejtësi!

Ne që po e gëzojmë lirinë na mbetet mision që ta bëjmë të pamundurën që kryesit e këtij akti makabër të dalin para drejtësisë. Liria dhe paqja do të kenë kuptim kur familjarët e të masakruarve në Çikatovë të Vjetër e në Poklek ta gjejnë qetësinë kur drejtësia të marrë epilog. E ne nuk do të ndalojmë kurdo dhe kudo ta themi dhe ta mbrojmë të vërtetën për këto masakra!
Qoftë i përhershëm kujtimi për të rënët në masakrën e Poklekut dhe të Çikatovës së Vjetër! /
KultPlus.com

Pokleku është Holokausti i Kosovës Gjurmë të gjakut të 54 civilëve të vrarë në Masakrën e Poklekut, në mesin e të…

Posted by Vjosa Osmani on Saturday, April 17, 2021

Osmani uron Krasniqin: Vajzat janë shkëndijë në vete, faleminderit për nderin që po na e bëni të gjithëve

Distria Krasniqi sot fitoi medaljen e artë duke u shpallur kështu për herë të parë Kampione e Evropës në xhudo, përcjell KultPlus.

Për fitoren e saj, Distria Krasniqi u urua edhe nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila përmes një statusi në rrjetin social Facebook, uroi Krasniqin duke theksuar se xhudistet tona po e ngrisin Kosovën lartë e më lartë.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Osmanit.

Distria e artë!

Sot, Distria Krasniqi, u shpall Kampione e Evropës për herë të parë. Xhudistet tona të arta – të arta me medale e me shpirt, po e ngrisin Republikën tonë lartë e më lartë. S’ka si të jetë ndryshe! Këto arritje të tyre janë reflektim i pastër i punës së palodhshme, angazhimit në një mision me qëllim të qartë, e i konsistencës në këtë drejtim.

Ditën e parë të punës si Presidente e fillova pikërisht me Distrian dhe xhudistet tona fantastike. Atë ditë e kuptova edhe njëherë që secila nga këto vajza janë një shkëndijë në vete e që s’do ndalen së shëndrituri asnjëherë.

Faleminderit për nderin që po na e bëni të gjithëve, për nderin që po i bëni Republikës sonë.

Vetëm përpara e gjithnjë më fitore të reja. / KultPlus.com

Osmani i ridorëzon dekoratën “Urdhri Hero i Kosovës” familjes së heroit Agim Ramadani

Familjes së heroit të kombit, Agim Ramadanit, veprimtarit e luftëtarit të paepur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, sot i është dorëzuar kopja e dekoratës “Urdhri Hero i Kosovës”, të cilën presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ia kishte ndarë më 19 prill 2009, ndërsa ia kishte dorëzuar presidenti Fatmir Sejdiu. Fatkeqësisht, medalja ishte humbur pa fajin e familjes dhe legjislacioni aktual ka lejuar që ajo të ridorëzohet në raste të tilla, shkruan KultPlus.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dekoratën “Urdhri Hero i Kosovës” ja ka dorëzuar sot bashkëshortes së Agim Ramadanit, duke vlerësuar lart figurën e heroit Ramadani.

Ky është postimi i plotë i Osmanit:

Familjes së heroit të kombit, Agim Ramadanit, veprimtarit e luftëtarit të paepur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ia dorëzuam kopjen e dekoratës “Urdhri Hero i Kosovës”, të cilën ia kishte ndarë presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, e të cilën më 19 prill 2009 ia kishte dorëzuar presidenti Fatmir Sejdiu. Fatkeqësisht, medalja ishte humbur pa fajin e familjes dhe legjislacioni aktual lejon që ajo të ridorëzohet në raste të tilla.

Agim Ramadani është njëri ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili në betejën e Koshares e theu kufirin i cili i ndante shqiptarët dhe e krijoi shpresën për çlirimin përfundimtar të Kosovës.

Duke ia dorëzuar këtë dekoratë familjes së heroit Ramadani ne e ritreguam kujdesin e institucioneve të vendit ndaj atyre që me heroizmin e tyre na mundësuan ta preknim lirinë, por edhe ndaj familjeve të tyre. Ky kujdes do të jetë i vazhdueshëm. / KultPlus.com

Osmani: Gratë dhe vajzat ishin aty kur luftohej për liri, ato ishin aty kur e vulosëm pavarësinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kontributi i grave në procese vendimtare të ndërtimit të Kosovës është i jashtëzakonshëm.

Osmani këtë e deklaroi gjatë një takimi që u realizua online në bashkëpunim të Rrjetit të Grave, Qendrës Artpolis dhe UN Women, transmeton KlanKosova.tv.

Aty u lansua raporti “Një ulëse në tryezë”, Osmani u zotua se do të punojë së bashku me organizatat e grave për të garantuar se zëri i grave do të dëgjohet edhe në procese të paqes dhe të sigurisë.

“Kontributi i grave në procese vendimtare të ndërtimit të shtetit tonë është i jashtëzakonshëm dhe roli i tyre kurrsesi nuk mund të mohohet. Gratë dhe vajzat ishin aty kur luftohej për liri, ato ishin aty kur e vulosëm pavarësinë, ato janë pjesë e rrugëtimit tonë të shtetndërtimit. Por, shpeshherë ato nuk janë dëgjuar aq sa duhet në procesin e ndërtimit të paqes. Gratë vërtetë e kanë vendin në tryeza vendimmarrëse, dhe ky nuk është vetëm vendim i duhur, por është edhe më i mençur”, ka thënë Osmani./ KultPlus.com

Osmani premton angazhimin e duhur që data 14 prill të shënohet si Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale

Pas takimit të sotshëm, me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, me organizatat partnere, (QPDG, Medica Kosva dhe Medica Gjakova) dhe Vasfije Krasniqi-Goodman, përmes një statusi në Facebook ka reaguar edhe Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, shkruan KultPlus.

Ajo është shprehur se 14 Prilli për dikë mund të jetë ditë e një përvjetori të rëndësishëm, datë e lindjes, ditë e parë e punës, e për dikë thjeshtë një ditë e zakonshme, duke përkujtuar kështu edhe barrën e deputetes Vasfije Krasniqi, e cila në vitin 1999 është rrëmbyer dhe dhunuar barbarisht nga forcat serbe. Kjo barrë sipas saj, nuk duhet të bartet e vetme por duhet të ndahet me të gjithë botën, duke luftuar së bashku për të kërkuar drejtësi.

Ndërsa, për sa i përket diskutimit rreth datës 14 Prill, presidentja ka pohuar që  nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, që kjo ditë të shënohet si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke premtuar që në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, të angazhohet për të ndërmarrë të gjithë hapat e duhur institucional për ta shndërruar datën 14 prill në një ditë të shënuar edhe me ligj.

Ky është postimi i plotë i Osmanit:

14 prilli për dikë mund të jetë ditë e një përvjetori të rëndësishëm, datë e lindjes, ditë e parë e punës, e për dikë thjeshtë një ditë e zakonshme. Por, për Vasfije Krasniqin mbetet përherë data kur jeta e saj ndryshoi përgjithmonë. Atë ditë të vitit 1999 ajo u rrëmbye me forcë dhe u dhunua në mënyrë barbare nga forcat serbe. Në këtë ditë, barra e luftës për të ka marrë kuptim tjetër, sepse u shtua aq shumë në peshë e u bë përjetësisht e pashlyeshme.

Barrën që e bartë Vasfija, sot e mbijetuar e dhunës seksuale në luftë, nuk guxojmë kurrsesi të lejojmë ta bartë e vetme, sepse kjo është plotësisht e padrejtë dhe e papranueshme. Ashtu siç e ndau ajo guximshëm dhimbjen, guximin e të vërtetën me ne e me gjithë botën, po ashtu duhet të luftojmë ne krah për krah me të dhe shumë gra e burra të tjerë si ajo, për të treguar të vërtetën e për të kërkuar drejtësi.

Por, siç Vasfija ia doli të jetojë, të mbijetojë, të triumfojë, shembulli e guximi i saj le të na shërbejnë si udhërrëfyes në kërkimin për drejtësi e në komunikimin me të tjerët për këtë pjesë të historisë sonë. Vasfija nuk është e vetme – as në këtë përjetim, por as edhe në rrugëtimin që ka marrë për sjelljen e drejtësisë. Ajo është sot zëri i më shumë se 20.000 të mbijetuarve të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovën tonë.

Sot përveç që diskutuam se duhet të vazhdojmë të flasim gjithnjë e më zëshëm për krimet e kryera nga Serbia e që ende po i mohon, u pajtuam që 14 prilli nga sot e tutje, nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, të shënohët si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Po ashtu, i premtova që në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës do të angazhohemi për të ndërmarrë të gjithë hapat e duhur institucional për ta shndërruar datën 14 prill në një ditë të shënuar edhe me ligj.

Vasfije, na ke pas, ti dhe të gjithë mbi 20.000 të mbijetuar të dhunës seksuale të regjimit barbar serb! / KultPlus.com

Osmani: Dialogu me Serbinë nuk mund të jetë prioritet pa u siguruar vaksinat për COVID-19

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova nuk mund ta ketë prioritet dialogun me Serbinë, derisa nuk sigurohen vaksinat.

Në një takim me ambasadorin e Çekisë në Kosovës, Pavel Bílek, Osmani u shpreh me shpresë se shtetet mike do ta ndihmojnë Kosovën për sigurimin e vaksinave, në diskutimin që patën mbi pandeminë me COVID-19.

“Kurse Presidentja Osmani, duke u ndërlidhur në këtë temë, theksoi se nuk mund të prioritizohet dialogu me Serbinë, teksa nuk sigurohen vaksinat për qytetarët e Kosovës. Ajo potencoi se në këtë kohë nevojitet solidaritet ndërmjet shteteve, ndaj shfaqi shpresën se Kosova do të ndihmohet nga shtetet mike dhe organizatat ndërkombëtare për sigurimin e sasisë e nevojshme të vaksinave për qytetarët e saj”, thuhet në komunikatë./ KultPlus.com

Osmani fton ish-presidentët në takim “për respektim të memories institucionale”

Presidentja e Kosovës , Vjosa Osmani ka pritur në takim tre ish-presidentët e Kosovës, Fatmir Sejdiu, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli.

Osmani ka thënë se ka ftuar ish-presidentët për të ndërtuar kulturë të re institucionale të respektimit të memories institucionale, e cila sipas saj është e domosdoshme që shteti të ecën përpara.

“Poashtu për të ndërtuar një model të ri të konsultimit për çështjet e interesin nacional, që t’i zgjidhim problemet me të cilat përballen qytetarët”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se Sejdiu ka qene pjese historike e vendimmarrjes.

“Jahjaga krijoi një model të shkëlqyeshëm duke shtyrë përpara kauza si çështja e viktimave të dhunës seksuale. Dhe z. Pacolli që ka shërbyer edhe si ministër i jashtëm, bashkëpunojmë me shtetet veç e veç”, ka thënë ajo.

Ish-presidentja Atifete Jahjaga, ka përgëzuar Osmanin për vazhdimin e traditës për konsultim me ish-presidentët.

“Jeni zgjidhja e duhur ne momentin e duhur, ka shumë punë për tu bërë por do të na kesh afër në çdo proces. Ne si gra kemi shumëçka të diskutojmë, kemi parë raportimet e fundit që ende po ballafaqohemi me paragjykimet e shoqërisë tonë që kam menduar se do te kalojnë në fazën time por ende po vazhdojnë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq Pacolli ka thënë se është i lumtur që Kosova ka përfaqësim dinjitar duke premtuar se do t’i qëndrojnë afër Osmani. / KultPlus.com

Fotografia zyrtare e Presidentes Osmani u realizua nga Arban Osmani

Sot u bë publike fotografia zyrtare e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit, fotografi kjo e cila është realizuar nga Arban Osmani, shkruan KultPlus.

Fotografia e përzgjedhur tashmë u është dërguar Qeverisë së Kosovës, Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese. Ndërkaq, kjo fotografi është përzgjedhur nga një komision i përbërë prej katër artistëve, përfaqësuesi i protokollit të shtetit, përfaqësuesit të Kuvendit të Kosovës si dhe dy përfaqësuesëve nga Presidenca e Kosovës.

Sipas Ligjit për Protokollin e shtetit, neni 20, paragrafi 3, fotografinë e Presidentes Osmani obligohen ta mbajnë në zyra të gjithë institucionet e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Përzgjidhet dhe vendoset fotografia zyrtare e Presidentes Osmani

Në përputhje me Protokollin e Shtetit, është përzgjedhur fotografia zyrtare e Presidentes Vjosa Osmani, e cila është vendosur në Presidencë dhe e njëjta u është dërguar edhe Qeverisë së Kosovës, Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese.

“Fotografia zyrtare e Presidentes Osmani është përzgjedhur nga një komision i përbërë prej katër artistëve, përfaqësuesi i protokollit të shtetit, përfaqësuesi i protokollit të Kuvendit të Kosovës dhe dy përfaqësues nga Presidenca e Kosovës”, njofton presidenca, transmeton KultPlus.

Sipas Ligjit për Protokollin e shtetit, neni 20, paragrafi 3, fotografinë e Presidentes Osmani obligohen ta mbajnë në zyra të gjithë institucionet e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Osmani: Instrumentet e muzikës tonë burimore mbetën pa mjeshtrin e madh, Shaqir Hotin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas vdekjes së instrumentistit të njohur kosovar Shaqir Hoti duke thënë se kavalli i tij pushoi por tingujt e tij do të jehojnë ndër breza.

Osmani, përmes një statusi në Facebook ka thënë se Hoti do të kujtohet përherë si njeriu që deshti, ruajit dhe kultivoi traditën shqiptare.

“Instrumentet e muzikës sonë burimore: okarina, fyelli e kavalli, mbetën pa mjeshtrin e madh Shaqir Hotin. Baca Shaqë iku në përjetësi duke lënë pas një trashëgimi të begatshme të punës së tij mjeshtërore në ruajtjen e traditës së punimit të instrumenteve frymore, por edhe kultivimin e muzikës sonë burimore. Kavalli i Bacës Shaqë pushoi, por tingujt e tij do të jehojnë ndër breza. Ai do të kujtohet përherë si njeriu që e deshi, ruajti dhe e kultivoi traditën tonë me devotshmëri deri në frymën e fundit! Qoftë i përhershëm kujtimi për mjeshtrin e instrumenteve – Bacën Shaqë!”, ka shkruar Osmani./ KultPlus.com

NZZ: Presidentja e re kosovare dëshiron “të çlirojë vendin e saj për herë të dytë”

Gazeta prestigjioze zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) ka botuar sot një presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, shkruar nga ekspertja austriake e Ballkanit (dhe Kosovës)  Adelheid Wölfl.

Më poshtë gjeni artikullin në gjuhën shqipe.

Si vajzë, ajo ka përjetuar luftën në Ballkan. Si kryetare e shtetit, Vjosa Osmani tani drejton një shoqëri të mbizotëruar nga meshkujt – ajo përpiqet ta nxisë dhe ta ndryshojë atë. “Të bëhem si Vjosa”, përgjigjigjen kosovaret e reja kur pyeten për të ardhmen e tyre, shkruan NZZ, transmeton albinfo.ch, përcjell KultPlus,

Jo më heronjtë e luftës, por arsimi, liria personale dhe ndërkombëtarizmi janë ato që kërkohen. Këto i mishëron saktësisht presidentja e re kosovare, Vjosa Osmani.
Ajo është idhull i vajzave dhe grave të reja në Kosovë.

Në zgjedhjet e fundit më 14 shkurt, juristja 38 vjeçe ndihmoi partinë e majtë nacionaliste Vetëvendosje për të fituar shumicën absolute. Ajo vetë mori 300,000 vota, të quajtura  preferenciale. Askush në shtetin më të ri në Evropë nuk ka arritur kaq shumë.

Vjosa Osmani është një përjashtim në Ballkan. Asnjë grua tjetër nuk ka aq fuqi sa ajo, ndaj asnjë tjetre nuk tregohet aq shumë respekt, përcjell albinfo.ch. Ajo është e patrembur, e zgjuar dhe i njeh detajet ligjore të kushtetutës kosovare dhe të drejtës ndërkombëtare. Është e qeshur, argumenton qartë dhe nuk ka frikë nga konflikti.

Ndoshta kjo ka të bëjë me formimin e saj të hershëm. Kur ajo ishte vajzë, gjatë luftës me Serbinë, familja e saj ishte detyruar të largohej nga veriu i Kosovës. Osmanit i kujtohet se ka ndjerë tytën e ftohtë të një pushke AK-47 që një ushtar serb i kishte futur në gojë.

Vështirë se ndonjë shoqëri tjetër në Evropë ka rezistuar aq shumë sa shoqëria kosovare që nga vitet 1990. Prandaj ata (kosovarët) nuk tolerojnë më asgjë. Edhe kur u duhet të presin dhe të ndalen, ata zhvillojnë strategji afatgjata. Janë elastikë kur është puna për të bërë sakrifica. Kur të vijë koha, ata luftojnë për të realizuar kthesën.

Vjosa Osmani mishëron këtë vetëbesim demokratik. Ajo është në pushtet sepse shumë kosovarë besojnë në të, trasnmeton albinfo.ch gazetën zvicerane. Besojnë se me të mund të ndryshohet, përkundër varfërisë, pavarësisht papunësisë së lartë, korrupsionit në zyra dhe izolimit të Kosovës.

Presidentja e re e shtetit dëshiron të çlirojë vendin për herë të dytë, siç e thotë thotë vetë ajo: nga njerëzit në gjyqësor dhe në polici, që bëjnë gjithçka për para, nga profesorët që japin nota provimi në këmbim të eurove, nga burrat të cilët nuk dua që gratë e tyre të shkojnë në punë.

Zgjedhja e saj kuptohet kështu: Tani është radha e grave dhe të rinjve. Gruaja me flokë kaçurrelë të gjatë dhe të errët ishte aktive politikisht si adoleshente. Ajo ka marrë diplomën e drejtësisë nga Universiteti i Pittsburghut në shtetin Pensilvania të SHBA-së, transmeton albinfo.ch. Më vonë ka luftuar si avokate para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimimin e pavarësisë së Kosovës.

Ajo ka qenë në parlament si pjesë e Lidhjes (Konservatore) Demokratike të Kosovës (LDK) në parlament, ku ndihej pakëndshëm në mesin e klikës së zotërve të vjetër. Prandaj themeloi Nismën “Guxo!” dhe votuesit e ndoqën atë. Koalicioni i saj mori më shumë se 50 për qind të votave. Asnjëherë më parë kaq shumë gra kosovare nuk janë zgjedhur në parlament dhe qeveri si sot.

Osmani përfaqëson kampin e djathtë por modern të shoqërisë kosovare. Ish-ushtarët që pozojnë në fotografi me armë para shqiponjave të zeza nuk kanë sjellë vende pune.

Gruaja që mban gjerdan me perla, pëlqen të marrë pjesë edhe në ndeshje futbolli, por mbi të gjitha tregon sukses në sigurimin që gratë e përdhunuara në luftën e vitit 1999 të marrin kompensimin. Ajo mbështet prindërit e rinj dhe ndërtimin e kopshteve për fëmijë.

Vjosa Osmani përpiqet të mbrojë sa më shumë që të jetë e mundur nga publiku dy vajzat e saj. Burri i saj punon në ministrinë e jashtme, por nuk ndërhyn në politikë.

Kohët e fundit, Osmani ka rënë në sy me kritikat e saj ndaj BE-së. E pyetur për Serbinë, ajo ndonjëherë ka reaguar ashpër, gjë që nuk e lehtëson dialogun midis fqinjëve ndërluftues. Osmani kërkon që Serbia të kërkojë falje për mizoritë e luftës të viteve 1990 para se të mund të fillojnë bisedimet. Toni i saj i zërit ka një anë populiste, herë nacionaliste.

Ajo dëshiron të anulojë një marrëveshje që paraardhësi i saj bëri me Presidentin e SHBA, Donald Trump.

Në Kosovë, pikët me shqiptarë nacionalistë mund të fitohen posaqërisht duke sharë Serbinë dhe duke larguar vëmendjen nga problemet e brendshme, përcjell albinfo.ch. Do të ishte i rëndësishëm tani përqendrimi në menaxhimin e pandemisë dhe pasojave shkatërruese të saj ekonomike dhe sociale.

Por Osmani kohë më parë është shprehur: “Ne nuk jemi zgjedhur që të kemi frikë nga telashet”./albinfo/ KultPlus.com

epa09114496 Vjosa Osmani candidate for the President of the Republic of Kosovo flashes victory sign during a parliament session to elect the new president in Pristina, Kosovo, 03 April 2021. EPA/VALDRIN XHEMAJ

Osmani: Thyerja e kufirit me Shqipërinë në Koshare 22 vjet më parë, ishte kambana e lirisë

Sot janë bërë 22 vite prej kur ka filluar Beteja e Koshares, e cila qëllimin kryesor e kishte për ta thyer kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku edhe thyerja e tij u arrit më 9 prill të vitit 1999, duke shënuar edhe fitoren më të fortë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përballë forcave serbe.

Ky 22 vjetor i Betejës së Koshares i bëri bashkë tre krerët institucionalë. Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Galuk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti vendosën kurora lulesh dhe bënë homazhe te kompleksi Memorial “Dëshmorët e Koshares”. Të tre vlerësuan rëndësinë e kësaj beteje për çlirimin e vendit dhe thanë që themelet e shtetësisë burojnë edhe në këtë vend.

E para e shtetit, Vjosa Osmani tha se është borxh i institucioneve që sakrificën sublime të dëshmorëve ta shndërrojnë në forcim të shtetit.

Më poshtë po ju sjellim publikimin e plotë të Osmanit:

Thyerja e kufirit me Shqipërinë në Koshare nga Brigada 138, nën udhëheqjen e Agim Ramadanit e Sali Çekajt, 22 vjet më parë ishte kambana e lirisë.

Nga 9 prilli i vitit 1999 e deri më 10 qershor, në këtë vend si askund tjetër, trimat e kësaj Brigade, i dhanë goditjen përfundimtare regjimit gjenocidal serb, i cili në këtë datë shënoi kapitullimin.

Në këtë ditë nuk u hoq vetëm një gur kufiri, por u hoq edhe një pengesë emocionale ndërmjet motrave e vëllezërve në Kosovë e Shqipëri.

Liria mori kuptim kur trimat e Brigadës 138, e vulosën përfundimisht lirinë tonë, shtruan bazament të fortë për të ardhmen, shtetin dhe kujtesën historike.

Kësisoj Kosharja u shdërrua dhe vazhdon të jetë pelegrinazh lirie.

Aty u bashkuan trimëria me mendjen, sakrifica me idealin dhe përjetësia me lirinë!

Sot, përkulemi me dinjitet para varreve të këtyre trimave, të cilët mbrojtën dinjitetin, ekzistencën dhe trashëgiminë tonë!

Testamentin e tyre për shtetin do ta përmbushim çdo ditë, me përkushtim maksimal, për të ardhmen e brezave!

Nuk ka më gurë ndërmjet nesh, por ka veç rrugë, ka integrim, ka bashkëpunim ndërvëllazëror dhe kultivim të shpirtit liridashës!

Lavdi dhe kujtim i përhershëm për të gjithë ata që ranë për lirinë tonë! / KultPlus.com

Osmani kujton të rënët në Rakoc e Lagje të Re: E deshën lirinë dhe u flijuan për të

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar sot të rënët në Rakoc dhe Lagje të Re, 22 vite më parë.

Në një shkrim në Facebook, Osmani ka thënë se pjesëtarët e Brigadës 162 “Agim Bajrami” e deshën lirinë dhe u flijuan për të.

 “22-vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal serb ia mësynë Rakocit dhe Lagjes së Re në Kaçanik. Në Betejën e 9 prillit të vitit 1999 për mbrojtjen e pragut të shtëpisë ranë 28 dëshmore e dëshmorë dhe 32 martirë. Pjesëtarë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, të UÇK-së, e deshën lirinë dhe u flijuan për të. Sakrifica e tyre është testament historie për rrugën deri te liria. Sot i kujtojmë me nder e respekt gjithë ato gra e burra, të cilët janë shtyllë e fuqishme e lirisë, pavarësisë dhe e shtetit tonë”, ka shkruar ajo.

“Përveç tjerash, Beteja e 9 Prillit dëshmoi edhe për guximin dhe  kontributin e grave për lirinë e vendit. Në altarin e lirisë, këtë ditë ranë: Lumnije Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu, dhe Mukadeze Muhaxheri-Lika. Qoftë i përjetshëm kujtimi për dëshmoret, dëshmorët e martirët”, tha Osmani./ KultPlus.com

Osmani: Mjekët duhet ta shohin perspektiven në Kosovë

Presidentja Vjosa Osmani, në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetit ka pritur sot në një takim një grup studentësh të mjekësisë.

Sipas njoftimit për media, ata kanë prezantuar aktivitet e tyre me studentët e rinj, trajnimet e organizuara për ta dhe përpjekjet që ikja e kuadrit mjekësor jashtë vendit të mos jetë opsion.

Osmani ka theksuar se investimi në arsim e shëndetësi duhet të jetë prioritet. Në këtë kontekst, ka përmendur se ikja e kuadrit mjekësor ka shkaktuar problem serioz për Kosovën.

“Duhet ta kthejmë trendin, në mënyrë që mjekët tanë ta shohin perspektivën këtu”, ka potencuar ajo.

Për këtë shkak, njoftohet se Osmani ka theksuar se duhet të kthehet vëmendja nga kjo sferë, në mënyrë që kuadrot shëndetësore të mbeten në Kosovë./ KultPlus.com

Osmani: Përgjatë punës sime, çështja e të pagjeturve do të jetë përkushtim i pandalshëm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka nderuar kujtimin e personaliteteve që qëndrojnë në themelet e shtetit tonë, shkruan KultPlus.

Osmani ka vizituar varrin e presidentit Ibrahim Rugova, ka vizituar familjen Jashari në Prekaz, duke nderuar në kujtim Adem Jasharin.

“Sot nderova kujtimin edhe për të pagjeturit. Janë mbi 1600 persona për të cilët ende nuk dihet asgjë. Memoriali për nder të të pagjeturve të Kosovës në oborrin e Kuvendit të Republikës së Kosovës është kujtimi ynë dhe malli i çdoditshëm i familjarëve për të cilët liria do të ketë kuptim, kur për më të dashurit e tyre do ta kenë një adresë e mbi të gjitha kur do të ketë drejtësi. Ata janë pengu jonë, janë testamenti i luftës, janë paqja e papërfunduar”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Në fotografitë e bashkangjitura, Osmani ka kujtuar edhe gratë e dhunuara gjatë luftës, ku thotë se Kosova numëron afro 20  mijë gra të dhunuara nga regjimi gjenocidal serb.

“Kosova numëron afro 20 mijë gra të dhunuara gjatë luftës nga regjimi gjenocidal serb. Te memoriali “Heroinat”, sot nderova kujtimin për secilën nga to. Njëzetë mijë plagë të hapura, njëzetë mijë heroina për të cilat drejtësia asnjëherë nuk u vu në vend. Kryesit e krimeve monstruoze duhet të dënohen, shteti i Kosovës duhet t’i ofroj heroinave drejtësi, përkrahje, e jetë me dinjitet”, shtoi Osmani.

Ajo ka shtuar se çështja e të pagjeturve do të jetë përkushtim i pandalshëm për të

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë:

Sot nderova kujtimin e personaliteteve më ikonike që qëndrojnë në themelet e shtetit tonë.

Te varri i arkitektit të shtetit të Kosovës, presidentit Ibrahim Rugova bëra nderime në kujtim të këtij burrështetasi, i cili pati kurajën për t`i afruar të gjithë afër vetes, për ta bërë të mundshëm misionin e bërjes së shtetit. Ai e bëri Kosovën me shumë miq. Ne sot po e  forcojmë shtetin dhe po i kultivojmë aleancat, sepse siç thoshte ai: shtëpia mbahet me miq!

Kurse në Prekaz, nderova nderova kujtimin për Bacën Adem dhe Familjen Jashari, të cilët na bëjnë krenar çdo ditë të jetës sonë, të cilët na rikujtojnë rrugën e vështirë deri te liria dhe të cilët janë e vërteta e përpjekjes sonë kombëtare për liri! Ai si komandant dhe shumë luftëtarë të UÇK-së, mbrojtën dinjitetin tonë si popull me rezistencën, mosnënshtrimin, luftën dhe sakrificën.

Por, lufta jonë për liri pati tagrin e vetë.

Kosova numëron afro 20 mijë gra të dhunuara gjatë luftës nga regjimi gjenocidal serb. Te memoriali “Heroinat”, sot nderova kujtimin për secilën nga to. Njëzetë mijë plagë të hapura, njëzetë mijë heroina për të cilat drejtësia asnjëherë nuk u vu në vend. Kryesit e krimeve monstruoze duhet të dënohen, shteti i Kosovës duhet t’i ofroj heroinave drejtësi, përkrahje, e jetë me dinjitet.

Sot nderova kujtimin edhe për të pagjeturit. Janë mbi 1600 persona për të cilët ende nuk dihet asgjë. Memoriali për nder të të pagjeturve të Kosovës në oborrin e Kuvendit të Republikës së Kosovës është kujtimi ynë dhe malli i çdoditshëm i familjarëve për të cilët liria do të ketë kuptim, kur për më të dashurit e tyre do ta kenë një adresë e mbi të gjitha kur do të ketë drejtësi. Ata janë pengu jonë, janë testamenti i luftës, janë paqja e papërfunduar!

Përgjatë punës sime, çështja e të pagjeturve do të jetë përkushtim i pandalshëm, sikurse edhe kujtimi i përhershëm për ta!/ KultPlus.com

Osmani për xhudistet: Lartësuan flamurin e Kosovës aty ku nuk arrinte dot as politika as diplomacia

Pas marrjes se detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kabinetin e saj, ka pritur në takim ambasadorët më të mirë të shtetit të Kosovës, ata që lartësuan flamurin e Kosovës aty ku nuk arrinte dot as politika as diplomacia, shkruan KultPlus.

Sipas Osmanit, xhudistët janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë.

Duke i cilësuar si krenaria e kombit tonë, Osmani krejt në fund ka potencuar se asgjë nuk është e paarritshme dhe se me përkushtim, punë, pasion e disiplinë ëndrrat bëhen realitet.

Ky është postimi i plotë i presidentes Osmani:

Të ftuarit e mi të parë në Presidencë ishin ato e ata që lartësuan flamurin e Kosovës aty ku nuk arrinte dot as politika as diplomacia. Ka disa vjet që xhudistet e xhudistët e Kosovës janë bërë ambasadorët tanë më të mirë.

Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Akil Gjakova dhe shumë të tjerë jo vetëm që kanë korrur suksese historike në këtë disiplinë sportive, por kanë ngritur flamurin dhe nderuar himnin e Kosovës edhe në vende që akoma nuk e kanë njohur Kosovë.

Këta janë pjesa më pozitive e rrëfimit për Kosovën kudo në botë.

Këta janë krenaria e kombit tonë. Me rezultatet e tyre e kanë vendosur Kosovën në hartën e botës ndaj u jemi mirënjohës secilit nga ta!

Shpirti garues i xhudisteve e xhudistëve tanë mban mbi supe shpresën e rinisë sonë se asgjë nuk është e paarritshme dhe se me përkushtim, punë, pasion e disiplinë ëndrrat bëhen realitet. / KultPlus.com

Walker e quan vendim të mençur zgjedhjen e Osmanit presidente

Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker ka uruar Vjosa Osmanin për marrjen e detyrës së presidentes.

Ai ka thënë se është i kënaqur që Osmani është zgjedhur presidente e një shteti, e një populli që atij i intereson shumë.

“Zonja President, ju keni urimet e mia më të ngrohta, më të sinqerta. Unë jam i sigurt që, nën udhëheqjen tuaj, Kosova do të shkojë në të ardhmen me gjithë besimin, respektin që përfaqëson zgjedhja juaj dhe Kosova e meriton”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se populli dhe Parlamenti i Kosovës kanë marrë një vendim të mençur. / KultPlus.com

Me të marrë detyrën e presidentes, Osmani pret në takim Majlinda Kelmendin

Takimin e parë zyrtar si presidente e Kosovës, Vjosa Osmani e ka zhvilluar me xhudistët e Kosovës. Në kabinetin e saj, ajo ka pritur xhudistët kampionë të Kosovës, në krye me trajnerin Driton Kuka.

Kryetarja e shtetit është shprehur e bindur se sukseset e xhudistëve nuk do të mungojnë.

Presidentja Osmani ka thënë se xhudistët të cilat i sollën Kosovës shumë medalje nga vendet e ndryshme të botës, janë ambasadorët më të mirë të shtetit të Kosovës.

“Për mua ka qenë shumë me rëndësi si presidente e sapozgjedhur e vendit që takimin e parë ta mbajë me ata që kanë qenë ambasadorët më të mirë dhe më të suksesshëm të shtetit tonë në kohën kur edhe politika ka dështuar, edhe diplomacia ka dështuar, kanë qenë Majlinda, Nora dhe Distria dhe xhudistet e tjera që bashkë me trajnerët që na kanë bërë zemrën mal por mbi te gjitha e kanë nderuar shtetin tinë, e kanë lartësuar flamurin e Republikës së Kosovës dhe e kanë nderuar shtetin e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme madje edhe në shtet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën”, tha ajo.

Osmani tha se shteti duhet t’i përkrah xhudistët në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Jam e bindur qe sukseset e tyre nuk do të mungojnë por është e domosdoshme që shteti të qëndrojë pranë tyre, t’i përkrah në mënyrën më të mirë të mundshme, e mbi të gjitha ta shohim qe flamuri ynë të valojë lart e më artë nëpërmjet futoreve e sukseseve të tyre të njëpasnjëshme”, tha Osmani.

Ndërsa kampionia e shumëfishtë e xhudos, Majlinda Kelmendi tha se shpreson që Osmani si presidente të jetë aty ku njerëzit kanë nevojë.

“Unë vetëm kisha dashtë me ju urua mbarësi në punë dhe sukses, po shpresoj dhe besoj shumë qe keni me qenë aty ku njerëzit kanë nevojë dhe kur për ju. Po shpresoj shumë qe keni me qenë bashkë me ne në lojëra olimpike, jemi gjithsej pesë garuese dhe po besoj shumë të paktën një ose dy medalje t’i marrim dhe të jeni pjesë e suksesit tonë”, tha Kelmendi.

Presidentja e Kosovës ka thanë se përmes xhudistëve shteti i Kosovës ka bërë histori. / KultPlus.com

Osmani zyrtarisht merr detyrën e presidentes (LIVE)

Vjosa Osmani-Sadriu edhe zyrtarisht ka pranuar detyrën e presidentes së Kosovës, dy ditë pasi u votua në Kuvend.

Në njoftimin e Presidencës është bërë e ditur paraprakisht se nuk do të ketë ceremoni të inaugurimit për shkak të situatës me pandeminë, porse Osmani do të vazhdojë me aktivitete gjatë tërë ditës.

Vjosa Osmani-Sadriu ka marrë postin e të parës së shtetit të dielën. / KultPlus.com

Osmani sot pranon detyrën e presidentes

Vjosa Osmani-Sadriu sot do të pranojë detyrën e presidentes së Kosovës, dy ditë pasi mori votat e mjaftueshme në Kuvend për të qenë shefe e shtetit.

Siç ka njoftuar Presidenca e Kosovës të hënën, për shkak të situatës me pandeminë s’do të organizohet ceremoni e inaugurimit, por do të ketë një sërë aktivitetesh për të shënuar pranimin e detyrës.

Sipas agjendës së nisur nga Zyra për Informim, ceremonia do të nisë në orën 10:00 me arritjen e Osmanit para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës për të ta mbyllur në orën 17:00, kur do të presë komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant, Rahman Rama dhe gjeneralë të tjerë.

Gjatë ditës së parë në zyrë, Osmani do të presë edhe xhudistët kampionë nga Peja.

Osmani u zgjodh të dielën presidente e vendit. / KultPlus.com

Dua Lipa uron Vjosa Osmanin: Sa e mrekullueshme të shohësh një grua në maje

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa i është gëzuar lajmit se Vjosa Osmani është bërë presidente e Kosovës.

Përmes një postimi, Dua ka uruar Vjosa Osmanin për postin e ri.

“Urime znj.Presidente. Sa e mrekullueshme të shohësh një grua në maje”, kështu ka shkruar Lipa në postimin e saj në Instastory.

Vjosa Osmani u bë presidente e Kosovës ditën e diele me 71 vota për në seancën e parlamentare./KultPlus.com