Osmani për xhudistet: Lartësuan flamurin e Kosovës aty ku nuk arrinte dot as politika as diplomacia

Pas marrjes se detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kabinetin e saj, ka pritur në takim ambasadorët më të mirë të shtetit të Kosovës, ata që lartësuan flamurin e Kosovës aty ku nuk arrinte dot as politika as diplomacia, shkruan KultPlus.

Sipas Osmanit, xhudistët janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë.

Duke i cilësuar si krenaria e kombit tonë, Osmani krejt në fund ka potencuar se asgjë nuk është e paarritshme dhe se me përkushtim, punë, pasion e disiplinë ëndrrat bëhen realitet.

Ky është postimi i plotë i presidentes Osmani:

Të ftuarit e mi të parë në Presidencë ishin ato e ata që lartësuan flamurin e Kosovës aty ku nuk arrinte dot as politika as diplomacia. Ka disa vjet që xhudistet e xhudistët e Kosovës janë bërë ambasadorët tanë më të mirë.

Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Akil Gjakova dhe shumë të tjerë jo vetëm që kanë korrur suksese historike në këtë disiplinë sportive, por kanë ngritur flamurin dhe nderuar himnin e Kosovës edhe në vende që akoma nuk e kanë njohur Kosovë.

Këta janë pjesa më pozitive e rrëfimit për Kosovën kudo në botë.

Këta janë krenaria e kombit tonë. Me rezultatet e tyre e kanë vendosur Kosovën në hartën e botës ndaj u jemi mirënjohës secilit nga ta!

Shpirti garues i xhudisteve e xhudistëve tanë mban mbi supe shpresën e rinisë sonë se asgjë nuk është e paarritshme dhe se me përkushtim, punë, pasion e disiplinë ëndrrat bëhen realitet. / KultPlus.com

Walker e quan vendim të mençur zgjedhjen e Osmanit presidente

Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker ka uruar Vjosa Osmanin për marrjen e detyrës së presidentes.

Ai ka thënë se është i kënaqur që Osmani është zgjedhur presidente e një shteti, e një populli që atij i intereson shumë.

“Zonja President, ju keni urimet e mia më të ngrohta, më të sinqerta. Unë jam i sigurt që, nën udhëheqjen tuaj, Kosova do të shkojë në të ardhmen me gjithë besimin, respektin që përfaqëson zgjedhja juaj dhe Kosova e meriton”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se populli dhe Parlamenti i Kosovës kanë marrë një vendim të mençur. / KultPlus.com

Me të marrë detyrën e presidentes, Osmani pret në takim Majlinda Kelmendin

Takimin e parë zyrtar si presidente e Kosovës, Vjosa Osmani e ka zhvilluar me xhudistët e Kosovës. Në kabinetin e saj, ajo ka pritur xhudistët kampionë të Kosovës, në krye me trajnerin Driton Kuka.

Kryetarja e shtetit është shprehur e bindur se sukseset e xhudistëve nuk do të mungojnë.

Presidentja Osmani ka thënë se xhudistët të cilat i sollën Kosovës shumë medalje nga vendet e ndryshme të botës, janë ambasadorët më të mirë të shtetit të Kosovës.

“Për mua ka qenë shumë me rëndësi si presidente e sapozgjedhur e vendit që takimin e parë ta mbajë me ata që kanë qenë ambasadorët më të mirë dhe më të suksesshëm të shtetit tonë në kohën kur edhe politika ka dështuar, edhe diplomacia ka dështuar, kanë qenë Majlinda, Nora dhe Distria dhe xhudistet e tjera që bashkë me trajnerët që na kanë bërë zemrën mal por mbi te gjitha e kanë nderuar shtetin tinë, e kanë lartësuar flamurin e Republikës së Kosovës dhe e kanë nderuar shtetin e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme madje edhe në shtet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën”, tha ajo.

Osmani tha se shteti duhet t’i përkrah xhudistët në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Jam e bindur qe sukseset e tyre nuk do të mungojnë por është e domosdoshme që shteti të qëndrojë pranë tyre, t’i përkrah në mënyrën më të mirë të mundshme, e mbi të gjitha ta shohim qe flamuri ynë të valojë lart e më artë nëpërmjet futoreve e sukseseve të tyre të njëpasnjëshme”, tha Osmani.

Ndërsa kampionia e shumëfishtë e xhudos, Majlinda Kelmendi tha se shpreson që Osmani si presidente të jetë aty ku njerëzit kanë nevojë.

“Unë vetëm kisha dashtë me ju urua mbarësi në punë dhe sukses, po shpresoj dhe besoj shumë qe keni me qenë aty ku njerëzit kanë nevojë dhe kur për ju. Po shpresoj shumë qe keni me qenë bashkë me ne në lojëra olimpike, jemi gjithsej pesë garuese dhe po besoj shumë të paktën një ose dy medalje t’i marrim dhe të jeni pjesë e suksesit tonë”, tha Kelmendi.

Presidentja e Kosovës ka thanë se përmes xhudistëve shteti i Kosovës ka bërë histori. / KultPlus.com

Osmani zyrtarisht merr detyrën e presidentes (LIVE)

Vjosa Osmani-Sadriu edhe zyrtarisht ka pranuar detyrën e presidentes së Kosovës, dy ditë pasi u votua në Kuvend.

Në njoftimin e Presidencës është bërë e ditur paraprakisht se nuk do të ketë ceremoni të inaugurimit për shkak të situatës me pandeminë, porse Osmani do të vazhdojë me aktivitete gjatë tërë ditës.

Vjosa Osmani-Sadriu ka marrë postin e të parës së shtetit të dielën. / KultPlus.com

Osmani sot pranon detyrën e presidentes

Vjosa Osmani-Sadriu sot do të pranojë detyrën e presidentes së Kosovës, dy ditë pasi mori votat e mjaftueshme në Kuvend për të qenë shefe e shtetit.

Siç ka njoftuar Presidenca e Kosovës të hënën, për shkak të situatës me pandeminë s’do të organizohet ceremoni e inaugurimit, por do të ketë një sërë aktivitetesh për të shënuar pranimin e detyrës.

Sipas agjendës së nisur nga Zyra për Informim, ceremonia do të nisë në orën 10:00 me arritjen e Osmanit para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës për të ta mbyllur në orën 17:00, kur do të presë komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant, Rahman Rama dhe gjeneralë të tjerë.

Gjatë ditës së parë në zyrë, Osmani do të presë edhe xhudistët kampionë nga Peja.

Osmani u zgjodh të dielën presidente e vendit. / KultPlus.com

Dua Lipa uron Vjosa Osmanin: Sa e mrekullueshme të shohësh një grua në maje

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa i është gëzuar lajmit se Vjosa Osmani është bërë presidente e Kosovës.

Përmes një postimi, Dua ka uruar Vjosa Osmanin për postin e ri.

“Urime znj.Presidente. Sa e mrekullueshme të shohësh një grua në maje”, kështu ka shkruar Lipa në postimin e saj në Instastory.

Vjosa Osmani u bë presidente e Kosovës ditën e diele me 71 vota për në seancën e parlamentare./KultPlus.com

Osmani citon nënën e heroit Jusuf Gërvalla: Rruga e nderit është më e zorshmja…

Presidentja Vjosa Osmani procesin e mbrëmshëm ku ajo u zgjodh presidente e vendit, e ka quajtur një përmbyllje të dijnititshme dhe vulosje të një shembulli të mirë funksionimit të demokracisë, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Osmani ndër të tjera ka shkruar se të luftosh padrejtësitë dhe veprime e gabuara nuk është vetëm çështje vote, por përmbushja më e madhe e rrugëtimit politik.

Tutje ajo ka cituar mësimin që Jusuf Gërvalla kishte nxjerrë nga nëna e tij, Ajshe, si kujtesë për secilën herë që përballemi me pengesa.

Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:

Mbrëmë e përmbyllëm dinjitetshëm një kaptinë të zgjedhjeve demokratike, si dhe e vulosëm edhe njërin ndër shembujt më të mirë të funksionimit të demokracisë, duke respektuar në plotëni vullnetin e qytetarëve.

Vullneti i qytetarëve, i shprehur më 14 shkurt u plotësua dhe  institucionet e vendit të dala nga ky vullnet u konstituuan plotësisht.

Jam plotësisht e vetëdijshme për pritshmëritë që ju i keni. Por, po ashtu jam e vetëdijshme që misioni ynë është shumë më shumë se sa angazhim politik, ngaqë se çdo mision i nisur me bekimin e qytetarëve e që derivon nga vullneti i tyre, është mbi të gjitha, mision fisnik. Andaj nga ne pritet të dijmë të dallojmë se si të ndajmë të mirën nga e keqja, të bëjmë diferencën në mes të së tashmes dhe të kaluarës, të dijmë se kur është koha e duhur të ndërmarrim veprime madhore, duke u siguruar që çdo veprim i yni na sjell një hap më afër Kosovës për të cilën flasim kaq shumë; një hap më afër Kosovës ashtu siç e duam dhe e ëndërrojmë.

Të luftosh padrejtësitë e të sfidosh veprimet e gabuara, të shtysh përpara kauza që e përmirësojnë jetën e njerëzve që na rrethojnë, të qëndrosh fort prapa bindjeve tuaja kur e di që diçka është e drejtë dhe duhet bërë, nuk është thjesht çështje e një vote apo deklarimi publik, është përmbushja më e madhe dhe arritja më kulminante në realizimin me sukses të misionit tonë në këtë rrugëtim politik. Veprime të tilla, veprime guximtare, veprime që i japin kah shpresëngjallës historisë, janë dëshmia më e pastër e madhështisë së secilit e secilës nga ne.

Kur zgjedhet rruga e drejtë, asnjëherë nuk është e lehtë e pengesat janë të mëdha. Por kur përballeni me to, kujtojeni gjithnjë atë që heroi ynë kombëtar Jusuf Gërvalla e shkroi si mësim që kishte marrë nga nëna e tij, Nëna Ajshe:

“Rruga e nderit është më e zorshmja, por është e vëtmja rrugë e drejtë për njeriun. E kush është munduar për nder, nder ka gjetë”!

Në këtë rrugëtim, shpresoj t’u kem të gjithëve bashkudhëtarë. Na priftë e mbara!/ KultPlus.com

Media zvicerane citon deklaratën e Vjosa Osmanit: Dialogu, pasi të kërkojë falje Serbia

Presidentja e re ka bërë thirrje për një dialog me Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet midis dy palëve. Por, ajo ka kërkuar që qeveria në Beograd së pari të kërkojë falje dhe të padisë ata që janë përgjegjës për luftën 1998/99″

Zgjedhja e presidentes së re të Kosovës është mbuluar në mënyrë të konsiderueshme nga mediat në gjuhën gjermane. Krahas lajmeve nga agjencitë, disa nga gazetat dhe mediat tjera, kësaj ngjarjeje i kanë kushtuar edhe komente dhe analiza redaktoriale.

Kështu, transmetuesi publik i Zvicrës SRF, krahas përshkrimit të rrjedhës së zgjedhjes merret edhe me deklaratën e presidentes së re, të bërë menjëherë pas zgjedhjes.

“Pas zgjedhjes së saj, politikania, e cila veç tjerash është shkolluar edhe në SHBA, bëri thirrje për një dialog me Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet midis dy palëve. Por, ajo ka kërkuar që qeveria në Beograd së pari  të kërkojë falje dhe të padisë ata që janë përgjegjës për luftën 1998/99”, shkruan srf.ch, transmeton KultPlus.

Srf merret edhe me kritikat brenda në parlament. “Disa parti të opozitës kanë kritikuar zgjedhjen e Osmanit dhe janë shprehur se në një demokraci të brishtë si ajo kosovare nuk është mirë që presidenti, kryeministri dhe kryeparlamentari të vijnë nga një parti. Sidoqoftë, Osmani nuk është anëtare e Vetëvendosjes, por ishte pjesë e listës së Vetëvendosjes në zgjedhjet e mbajtura në shkurt”.

“Në një përpjekje të përsëritur, juristja e popullarizuar, Vjosa Osmani është zgjedhur të dielën Presidente e Kosovës. Zgjedhjet kishin dështuar një ditë më parë, të shtunën, për shkak të bojkotit të opozitës”, shkruan “Der Spiegel”, transmeton tutje KultPlus.

Juristja 38-vjeçare u zgjodh kryetare e shtetit nga parlamenti me sugjerimin e partisë qeverisëse të Kryeministrit Albin Kurti, Vetëvendosje. Ajo mori 71 vota duke arritur kështu shumicën në parlamentin me 120 vende. 82 deputetë ishin të pranishëm, 11 vota dolën të pavlefshme.

Të shtunën, zgjedhjet kishin dështuar për shkak të bojkotit të opozitës dhe pakicës serbe; nëse ato do të dështonin përsëri, do të Kosova duhej të shkonte përsëri në zgjedhje të parakohshme.

Posti i presidentit u shpall i lirë në nëntor të vitit 2020 pasi kreu i shtetit Hashim Thaçi kishte dhënë dorëheqjen pas akuzës së ngritur ndaj tij nga Tribunali Special i Kosovës.

Pas dorëheqjes së Thaçit, Osmani mori detyrën e tij përkohësisht në cilësinë e kryetares së parlamentit në atë kohë.

Presidentja e re, Vjosa Osmani, ishte nënkryetare e partisë e cila në atë kohë në pushtet dhe tani në opozitë, LDK (parti konservatore liberale, siç e quan “Der Spiegel”) deri në qershor 2020. Pastaj ajo u përjashtua pas një mosmarrëveshjeje brenda partisë së saj.

Në zgjedhjet parlamentare në shkurt të këtij viti, ajo hyri në listën e partisë së majtë të reformës së Kurtit.

Ndërsa gazeta austriake, “Kurrier”, pasi përshkruan rrjedhën e votimit në Parlamentin e Kosovës, jep një biografi të shkurtër të presidentes së re.

“Osmani (38, e  lindur më 17 maj 1982) kishte shërbyer si Ushtruese e Detyrës së Presidentit të Kosovës që nga fillimi i nëntorit, kur kryetari i tanishëm Hashim Thaçi kishte dhënë dorëheqjen me akuzat e krimeve të luftës. Dy javë më parë kjo detyrë u mor nga Presidenti i ri i Parlamentit, Glauk Konjufca.

Doktoresha e drejtësisë ka filluar karrierën e saj politike në vitin 2006 në kabinetin e Presidentit të atëhershëm Kosovar, Fatmir Sejdiu. Midis viteve 2008 dhe 2010 ajo ishte anëtare e ekipit kosovar që përfaqësonte shtetin më të ri në Evropë në procedurat para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Pyetja që shtrohej aty ishte nëse Kosova kishte të drejtë të shpallte pavarësinë e saj në shkurt 2008.

Për vite, Osmani i përkiste Lidhjes Demokratike (LDK) të formuar nga politikani i moderuar Ibrahim Rugova. Nga kjo parti ajo u nda në vitin e kaluar./albinfo/ KultPlus.com

epa09045869 Acting president of the Republic of Kosovo Vjosa Osmani gestures during a press conference following her meeting with EU Special Representative for the Pristina-Belgrade Dialogue in Pristina, Kosovo, 02 March 2021. EU Special Representative Miroslav Lajcak is on three-day official visit in Kosovo. EPA/VALDRIN XHEMAJ

Presidentja Osmani: Masakra e Rezallës është dhimbje e jona e vazhdueshme

Presidentja e Republikës se Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar sot 22 vjetorin e masakrës së Rezallës, duke shprehur dhimbjen e saj për të gjithë ata që u privuan nga jeta vetëm pse ishin shqiptarë, shkruan KultPlus.

Osmani është shprehur se do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për njerëzit e vrarë dhe se liria dhe paqja do të kenë kuptim vetëm kur përgjegjësit dhe ekzekutuesit të vihen para drejtësisë.

Ky është postimi i plotë i Osmanit:

Drejtësi për Rezallën!

Në Rezallë, më 5 prill të vitit 1999, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë rrethuan shtëpitë e fshatit, ndanë nga gratë, nënat e motrat, 98 djem e burra dhe i ekzekutuan mizorisht.

44 nga këta civilë të vrarë ishin të pagjetur. Disa vite më pas një pjesë e trupave u gjetën në Rudnicë të Rashkës.

Tre të mbijetuarit dhe trupat e të vrarëve të gjetur në varreza masive në Serbi ishin dëshmi e fuqishme e krimeve makabre të kryera nga regjimi serb.

22-vjet pas, nevoja për drejtësi riaktualizohet, duke u bërë përpjekje e vazhdueshme e institucioneve të vendit. Ne nuk do të ndalemi së kërkuari vendosjen e drejtësisë për njerëzit tanë sepse ata u privuan nga jeta, vetëm pse ishin shqiptarë. Liria dhe paqja kanë kuptim vetëm kur përgjegjësit dhe ekzekutuesit të vihen para drejtësisë!

Masakra e Rezallës është dhimbje e jona e vazhdueshme, kujtesë historike dhe sakrifica për lirinë e vendit!

Qoftë i përhershëm kujtimi për 98 të vrarët në Masakrën e Rezallës! / KultPlus.com

Flet nëna e Vjosa Osmanit pasi e bija u bë presidente (VIDEO)

Nëna e Vjosa Osmanit ka folur ekskluzivisht për herë të parë për emisionin #gjesi në T7 pasi vajza e saj u bë gruaja e dytë që u emërua presidente e Republikës së Kosovës, përcjell KultPlus.

Nëna e presidentes së Kosovës ka thënë para kamerës së T7 që si çdo familje kanë qenë në stres gjatë seancës, por në fund e kanë ditur se e njëjta do të fitojë.

“Si çdo familje kemi qenë në stres, po në fund e kemi ditur që do të fitojë”, ka thënë ajo.

E njëjta ka treguar se si e kanë uruar vajzën e tyre dhe me kë e kanë përcjellë seancën.

“Nuk kemi komuniku, ajo ka qenë e nxanë nuk e pengojmë kur është duke punu. Kam qenë me bashkëshortin, djalin, nusen, ata jetojnë të gjithë në Prishtinë, po mbrëmë ka qenë këtu. Veç urimin ja kemi përcjellë përmes telefonit”, tha ajo. / KultPlus.com

Mediat ndërkombëtare shkruajnë për Vjosa Osmanin, presidenten e re të Kosovës

Zgjedhja e një gruaje për presidente në Kosovë për herë të dytë mori vëmendje edhe në mediat ndërkombëtare.

“Reuters” e nis artikullin duke thënë se Vjosa Osmani, një juriste me profesion, u shkollua në SHBA dhe se ishte kandidatja e Vetëvendosjes për postin e presidentes.

“Vjosa Osmani ishte në detyrë si presidente e Kosovës që nga nëntori i vitit të kaluar kur paraardhësi i saj, Hashim Thaçi, dha dorëheqje për shkak se u përballë me gjyq për krime lufte në Holandë”, shkruan Reuters.

Për zgjedhjen e Osmanit presidente shkroi edhe e famshmja gjermane “Deutsche Welle” e cila në rreshtin e parë e quan atë lidere karizmatike.

“Liderja karizmatike 38 vjeçare mori mbështetjen nga parlamenti në një votim që u bojkotua nga parta serbe. Ish-presidenti Hashim Thaçi e la postin në nëntor pasi u akuzua për krime lufte”, nis shkrimi i DW.

Gazeta turke “Anadolu Agency”, derisa dha lajmin se Kosova ka një presidente të re tregoi pak edhe për figurën e Osmanit. / KultPlus.com

Rita Ora publikon fotografi të Vjosa Osmanit: Urime Presidentja e re e Kosovës

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora ka uruar Vjosa Osmanin për postin e presidentes.

Rita përmes një fotografie në llogarinë e saj në Instagram ka shprehur urime për të parën e shtetit të Kosovës.

“Urime Vjosa Osmani, Presidentja e re e Kosovës”, ka shkruar Rita në përshkrimin e fotografisë. / KultPlus.com

Sibel Halimi për Kastratin: Botëkuptimi i tillë duhet dënuar, gjuha seksiste është metoda për dekurajimin e grave

Pas përzgjedhjes së Vjosa Osmanit si Presidente e Republikës së Kosovës, deputeti Ardian Kastrati publikoi një status ku përmes fjalëve të Konicës, ironizoi me peshën e Osmanit, gjë për të cilën kanë reaguar komentues të shumtë e figura publike të cilët kërkonin dënimin e Kastratit, përcjell KultPlus.

Ndërkaq, sociologja Sibel Halimi ka theksuar përmes një statusi në rrjetin social Facebook se gjuha seksiste është njëra prej metodave kryesore të dekurajimit të pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në jetën publike.

”Botëkuptimi dhe shprehja e tillë e artikuluar duhet dënuar, e sidomos kur vije nga përfaqësuesit e shtetit, ku prej tyre pritet që një mentalitet i tillë të luftohet”, është shprehur tutje Halimi. / KultPlus.com

Ambasada e Francës uron Osmanin për zgjedhjen Presidente

Ambasada e Francës në Kosovë ka reaguar pasi Vjosa Osmani u bë presidente e vendit.

Përmes një statusi në Facebook, Ambasada e Francës e ka uruar Osmanin që u bë presidente.

“Franca i dërgon urimet e saj të sinqerta Presidentes së re të Republikës së Kosovës, Znj Vjosa Osmani”, ka shkruar Ambasada.

Vjosa Osmani u bë presidente e vendit me 71 vota në Kuvendin e Kosovës.

La France adresse ses plus sincères félicitations à la nouvelle Présidente de la République du Kosovo, Mme Vjosa…

Posted by Ambassade de France au Kosovo – French Embassy in Kosovo on Sunday, April 4, 2021

Glauk Konjufca ja dorëzon detyrën e Presidentes Vjosa Osmanit

Kryetari i parlamentit, Glauk Konjufca, ja ka dorëzuar zyrtarisht detyrën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Glauk Konjfuca ka thënë këto fjalë gjatë aktit të dorëzimit.

“Kam nderin dhe përgjegjësinë që të ja dorëzoj detyrën Vjosa Osmani Sadriut. Ajo ka pasur përfaqësim të dinjitetshëm në të gjitha pozitat që ka pasur si deputete dhe ato tjerat”, tha ai, përcjell KultPlus.

“E dyta është një person që në angazhimin e vet politik ka qenë një mbrojtëse e vlerave dhe parimeve dhe një avokate e pakompromis e kombit shqiptar. Duke qenë se pozita e presidentit  është pozita më e lartë shtetërore, e cila duhet ta përfaqësoj në tërësi popullin. Nuk kam dyshim se ëktë përgjegjësi do ta kryejë me nderin për popullin të cilin ajo përfaqëson ajo. Presidente urime detyra e re, unë si kryetar i Parlamentit pres bashkëpunim të mirë”, shtoi ai. / KultPlus.com

Ilir Meta: Osmani do t’i shërbejë vendit me përkushtim dhe përgjegjshmëri të lartë

Kreu i Shtetit të Shqipërisë, Ilir Meta ka uruar Vjosa Osmanin, e cila u zgjodh Presidente e Kosovës. Në një mesazh urimi, Meta shprehet i bindur se Osmani me përkushtim të lartë do t’i shërbëje unitetit të gjithë qytetarëve.

Po ashtu, Meta shprehet i gatshëm për bashkëpunim të mëtejshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Urimet më të sinqerta Vjosa Osmanit me rastin e zgjedhjes në detyrën tepër të rëndësishme të Presidentes së Republikës së Kosovës.

Jam i bindur se Presidentja Osmani, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, do t’i shërbejë me përkushtim dhe përgjegjshmëri të lartë unitetit mes të gjithë qytetarëve, frymës së konsensusit, dialogut, forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe marrëdhënieve të shkëlqyera vëllazërore mes dy vendeve tona.

Si President i Republikës së Shqipërisë shpreh gatishmërinë time të plotë për bashkëpunim të ngushtë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike, ekonomike dhe kulturore, në interes të qytetarëve tanë dhe përshpejtimit të proceseve të integrimit në Bashkimin Europian, të Shqipërisë dhe të Kosovës”, shkruan Meta në Facebook. / KultPlus.com

Osmani: Sot Kosova e zgjodhi edhe një presidente grua, vajzat e kane vendin vetëm ku ato vet dëshirojnë

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se është nder i madh për të që me vullnetin e qytetarëve të drejtohet në cilësinë e presidentes.

Ajo ka thënë se ky post i veshë me shumë përgjegjësi.

Osmani ka thënë se dashuria për Kosovën është motivimi më i madh.

“Sot është dita e Kosovës, dita juaj, ditë në te cilën vullneti juaj qytetarë po plotësohen dhe institucionet po konstatohen plotësisht. Po e vulosin njëri ndër shembujt më të mirë të funksionimit të demokracisë. Sot është dita kur dëshmojmë se me urti dimë t’i përballojmë sfidat e t’iu japim kuptim. Sot Kosova e zgjodhi edhe një presidente grua, vajzat e kane vendin vetëm ku ato vet dëshirojnë. Mos u ndalni, mos e ndalni hapin tuaj kurrë. Çdo ëndërr e juaja mund të bëhet realitet”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se institucionet po e reflektojnë historinë e larmishme por ka edhe shumë punë përpara.

Ajo ka thënë se nuk ka nevojë të shihet as pas kësaj salle për t’i kuptuar sakrificat e popullit,

Presidentja Osmani ka përmendur deputeten Vasfije Krasniqin duke thënë se ajo është forca e dhimbja e përbashkët.

“Në Qeveri sot kemi ministra që kanë mbijetuar masakrën e Dubravës e na tregojnë që i bëjmë ballë çdo sfide. Në krye të Qeverisë është kryeministri ynë, një ish-i burgosur politik. Secili nga ta e shumë të tjerë në këtë sallë që dhanë më të shtrenjtit e tyre, sot shpërfaqin një faqe të re të historisë së Kosovës. Bashkë të gjithë ne e kemi kthyer dhimbjen në fuqi për bashkëveprim të qytetarëve tanë. Ne jemi fëmijët e prindërve që çdo ditë u zgjuan e ranë në gjumë me brengen se si do t’i rrisnin fëmijët e si do t’i ushqenin familjet. Prandaj sot të gjithë shprehim mirënjohjen e thellë ndaj gjeneratës tonë. Sot Kosova rishtas po e jep shembullin e demokracisë”, ka thënë ajo, duke përmendur edhe ish-presidentin Ibrahim Rugova.

Ajo ka thënë se historia jonë është histori e përkushtimit.

Osmani ka shtuar se duhet kujtuar trimëria e jashtëzakonshme dhe sakrifica e Adem Jasharit dhe secilit ushtar, dëshmorë e hero që sakrifikuan për vendin.

Ajo tutje ka përmendur edhe ushtarët që janë nisur në misionin e parë jashtë vendit.

“Forca e Sigurisë së Kosovës, ushtria jonë është ushtria me besimin më të madh qytetar. Historia jonë krahas dhimbjes është histori i ngadhënjimit mbi të keqen, ne do t’u jemi mirënjohës atyre që u rreshtuan krah Kosovës. Ata duhet të qëndrojnë pranë nesh në mbrojtjen e vlerave të demokracisë. Në mesin e aleatëve të shumtë janë tri shtylla, SHBA, BE-ja dhe Republika e Shqipërisë. Si presidente e Kosovës, shfrytëzoj rastin që të ftoj të gjithë politikanët të ndërtojmë frymën e bashkëpunimit e tolerancës”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se ajo udhëhiqet nga vullneti i qytetarëve.

Ajo ka thënë se drejtësia nuk do të arrihet derisa kriminelët serbë të vihen para drejtësisë.

Ajo ka thënë se dialogu është rruga përpara porse ai duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë.

Osmani ka thënë se sfida me pandeminë është ajo që duhet pasur prioritet.

“Në këtë sfidë fitorja e suksesi nuk është vetëm e njërës palë. Kemi humbur shumë jetë njerëzish e të tjera mund t’i humbim”, ka thënë ajo.

Osmani tutje ka falënderuar të gjithë deputetët përfshirë edhe LDK-në për mbështetjen që i kanë dhënë.

“Zotohem se do të punoj për fuqizimin e shteti, sundimin e ligjit, se do të mbrojë çdo pëllëmbe të vendit. Do të jem presidentja e të gjithëve. Nuk jemi shumë për t’u ndarë në ne dhe ata. Dera ime do të jetë e hapur për të gjithë, nuk do të ketë parti nga pozita dhe parti nga opozita”, ka thënë ajo. / KultPlus.com

Kosnett uron Osmanin për postin e Presidentes: SHBA mbetet e përkushtuar për partneritet të ngushtë me Kosovën

Ambasadori amerikan Philip Kosnett ka uruar Vjosa Osmanin për zgjedhjen e saj si Presidente e Kosovës.

Konsett përmes një postimi në Twitter ka shkruar se SHBA mbetet e përkushtuar për partneritet të ngushtë me Republikën e Kosovës.

Përgëzime për Vjosa Osmanin për zgjedhjen e saj si President, dhe për ata deputetë që kryen detyrën e tyre si anëtarë të Kuvendit. SHBA mbetet e përkushtuar për partneritet të ngushtë me Republikën e Kosovës për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët”, ka shkruar Kosnett.

Vjosa Osmani është zgjedhur sot Presidente e Kosovës, në raundin e tretë të votimit në Kuvendin e Kosovës ku nga 82 deputetë të pranishëm mori 71 vota. / KultPlus.com

Vjosa Osmani jep betimin para deputetëve të Republikës së Kosovës

Sot, në seancën e jashtëzakonshme të qeverisë së Kosovës për zgjedhjen e presidentit të vendit, Vjosa Osmani u emërua presidente, përcjell KultPlus.

Ajo bëri edhe betimin e presidentes para deputetëve të Republikës së Kosovës.

Betohem se tërë fuqinë time do të ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës ..
Sigurimit të lirive dhe të të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryejë të gjitha detyrimet e mija.
Betohem!
/ KultPlus.com

Vjosa Osmani zgjidhet Presidente e Republikës së Kosovës

Sot, në seancën e jashtëzakonshme të qeverisë së Kosovës për zgjedhjen e presidentit të vendit, Vjosa Osmani u emërua presidente, përcjell KultPlus.

Vjosa paraprakisht ka qenë Ushtruese e Detyrës së Presidentes, ndërkaq në zgjedhjet e shkurtit të këtij viti, Osmani ka qenë deputetja më e votuar në historinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Osmani  u zgjodh në raundin tretë që ishte final për përcaktimin e presidentit të ri të vendit.

Në raundin e tretë të votimit mori pjesë edhe Adelina Grainca, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ajo është e vetmja deputete nga kjo parti e pranishme në sallë. Gjatë seancës, ajo u ulë në pjesën ku ulen deputetët e LVV-së.

Në raundin e dytë morën pjesë 82 deputetë. Vjosa Osmani mori 67 deputetë dhe kundërkandidati i saj Nasuf Bejta fitoi katër vota. Njëmbëdhjetë vota ishin të pavlefshme.

Ndërkaq, në raundin e parë Osmani fitoi 69 vota, 12 vota ishin të pavlefshme. / KultPlus.com

Vjosa Osmani: Le të na sjellin Pashkët mirësi e begati për mbarë kombin shqiptar

Vjosa Osmani

Sot, besimtarët katolikë festojnë Pashkët. Kjo ditë shënon triumfin e të mirës ndaj të keqes. Bota, sikurse edhe ne, po përballet me pandeminë Covid-19. Të goditur nga kjo e keqe edhe kremtet janë transformuar.

Në këtë ditë feste kam veç një urim. Që në një të ardhme të afërt, secilën festë ta presim bashkë, që ta kemi mundësinë secilit t`ia zgjatim dorën, ta urojmë e ta përqafojmë!

Festa e Pashkëve shpërfaqë dashurinë, tolerancën dhe zemërgjerësinë, të cilat populli ynë i kultivon në vazhdimësi. Le të na sjellin Pashkët mirësi e begati për mbarë kombin shqiptar!

Gëzuar për shumë mot Pashkët!/ KultPlus.com

Osmani: Zemrat na bëhen mal sa herë që Dardanët zbarkojnë në fushë të futbollit

Sa herë që Dardanët zbarkojnë në fushë tē futbollit, secilën herë zemrat na bëhen mal e krenaria mbizotëron, tha Vjosa Osmani pak para fillimit të ndeshjes mes Kosovës dhe Suedisë.

Më poshtë gjeni postimin e plotë:

Sa herë që Dardanët zbarkojnë në fushë tē futbollit, secilën herë zemrat na bëhen mal e krenaria mbizotëron.

Loja juaj nuk është thjesht futboll, loja juaj është sinonim i entuziazmit e zellit që personifikojnë më së miri këtë stad të zhvillimit të vendit tonë.

Ju faleminderit për emocionin që na e dhuroni çdo herë. Qoftë nata e sotme kapitull suksesi në rrugëtimin tuaj drejt majave.

Forca, Ekipi i zemrave tona!/ KultPlus.com

Osmani përkujton Masakrën e Izbicës: Drejtësi për Dafinën 6-muajshe

Në 22-vjetorin e masakrës së Izbicës, kandidatja për presidente Vjosa Osmani, ka kërkuar drejtësi për vajzën 6-muajshe Dafinën, e vrarë nga forcat serbe.

“Eshtrat e Dafina Qelajt janë gjetur në varrezën masive të Petrovo Selos në Serbi më 2017. Në po të njëjtin vit, ajo është rivarrosur në varrezat e Izbicës”, shkruan Osmani.

Postimi i saj i plotë:

Drejtësi për Dafinën 6-muajshe!

Sot bëhen 22 vjet nga masakra e Izbicës, kur forcat ushtarake e policore të regjimit gjenocidal të Serbisë, vranë një vajzë gjashtë muajshe dhe 146 djem e burra.

Eshtrat e Dafina Qelajt janë gjetur në varrezën masive të Petrovo Selos në Serbi më 2017. Në po të njëjtin vit, ajo është rivarrosur në varrezat e Izbicës.

Historia e Dafinës nuk është vetëm e saj. Është edhe e mbi njëmijë fëmijëve të vrarë në luftën e Kosovës, nga të cilët 109 ende rezultojnë të zhdukur.

Kjo histori është dhimbja jonë. Në çdo 28 mars, kujtimi për këta njerëz që u privuan nga jeta vetëm pse ishin shqiptarë është rikujtim për adresim të përgjegjësisë së kryerësve, është thirrje për drejtësi, është kujtesë historike dhe personifikim i mbijetesës!

Në dekadën e dytë që prej se jemi të lirë, duhet të reflektojmë për rrugën që kemi kaluar, sepse Masakra e Izbicës është dëshmia para së cilës duhet të përkulemi të gjithë dhe para së cilës duhet marrim forcën për të thënë dhe kërkuar të drejtësinë.

E mbi të gjitha drejtësi për Dafinën!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për të rënët në Masakrën e Izbicës! / KultPlus.com

Osmani për vdekjen e Cimës: Humori i tij ishte dritë edhe në ditët tona më të errëta

Humoristi Rasim Thaçi-Cima ka vdekur sot si pasojë e COVID-19. Lajmin e kanë bërë të ditur nga Klinika Infektive por edhe familjarët, shkruan KultPlus.

Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, ka reaguar përmes një postimi në facebook ku shpreh pikëllimin e thellë për ikjen e aktorit dhe humoristit Rasim Thaci-Cima.

Osmani shprehet se Kosova sot mbeti pa ikonën e humorit, aktorin dhe njeriun e mirë që na fali shumë kujtime.

Ky është postimi i plotë i Osmanit:

Me pikëllim të thellë sot pranuam lajmin e ikjes së aktorit dhe humoristit të madh Rasim Thaçi-Cima. Sot Kosova u varfërua, mbeti pa ikonën e humorit, aktorin dhe njeriun e mirë që na fali shumë kujtime. Humori i tij ishte dritë edhe në ditët tona më të errëta, ishte rezistencë ndaj sistemit shtypës, ishte shpresë për ditë më të mira!

Ai na bëri të qeshim gjithë jetën e tij. Ne sot jemi të pikëlluar, sepse ikja e Cimës do ta lë një zbrazëtirë të madhe. Por, ne do ta kujtojmë përherë me mall humorin e tij!

Ngushëllime familjes, miqve, kolegëve dhe gjithë popullit të Kosovës! / KultPlus.com