Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani-Sadriu, ka thënë se Kosova të cilën e duan është Kosova në të cilën personat me Sindromën Down ndihen të sigurt për të tashmen e tyre dhe janë entuziast për të ardhmen
“Vizituam sot shoqatën Down Syndrome Kosova për të bashkëbiseduar me udhëheqësit e shoqatës, prindërit, e për të parë nga afër shërbimet që ofrohen aty për fëmijët dhe për të dëgjuar kërkesat për mbështetje institucionale. Kosova të cilën e duam është Kosova në të cilën personat me Sindromën Doën ndihen të sigurt për të tashmen e tyre dhe janë entuziast për të ardhmen. E për të arritur këtë qëllim, së pari duhet të punojmë në vetëdijësim në mënyrë që përfundimisht të ndodhë integrimi i natyrshëm i personave me Sindromen Down në shoqërinë tonë”.
“Jemi shumë më shumë të njëjtë se sa të ndryshëm. Pas një viti sfidues, përtej thirrjeve për mbajtje të distancës ne nuk kemi lënë gurë pa lëvizur që të mbesim të afërt e përzemërt me njëri tjetri. Në po këtë frymë, të punojmë së bashku për t‘u siguruar që të mos presim nga të tjerët të ndryshojnë e t’i përshtaten masës, por të ndryshojmë ne në mënyrë që ata që sot ndihen ndryshe e të përjashtuar, nesër të ndihen të dëgjuar e të integruar. Për sytë plotë jetë e buzëqeshjet më të dëlira, do jem gjithmonë mikesha juaj e përbetuar”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com
Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani nesër do të marrë pjesë në njërin nga emisionet më të ndjekura në BBC, ‘Hard Talk’ me Stephen Sackur, shkruan KultPlus.
Lajmi është bërë i ditur nga Prindon Sadriu i cili në profilin e tij në Fcaebook ka shkruar se prezenca e Vjosa Osmanit në programe të tilla është forma më e mirë e PR-it.
“Nesër Presidentja në detyrë në programin më të ndjekur të BBC, ‘Hard Talk’ me Stephen Sackur. CNN Amanpour para pak ditësh, tani BBC Hard Talk, PR më të mirë se kaq nuk ka si të bëhet për Kosovën. Dy programet politike më të ndjekura në botë nga audienca ndërkombëtare”, ka shkruar Sadriu.
Në përshkrimin e bërë nga BBC ndër të tjera shkruhet se Vjosa Osmani është pjesë e një brezi të ri të politikanëve, të pasluftës që sfidojnë gardën e vjetër të luftës.
“Trashëgimia e konfliktit dhe urrejtjes së lënë pas rënies së Jugosllavisë nuk kapërcehet lehtë. Ata e dinë se Kosova, e cila deklaroi shtetësinë e pavarur një duzinë vjet më parë, ende nuk ka bërë një paqe të qëndrueshme me Serbinë fqinje. Tani për tani Kosova po përjeton një ndryshim të madh politik. Stephen Sackur flet me presidenten e përkohshme të vendit Vjosa Osmani. Ajo është pjesë e një brezi të ri të politikanëve të rinj, të pasluftës që sfidojnë gardën e vjetër të luftës për pavarësinë e Kosovës. Ajo premton një qeveri të pastër dhe një fillim të ri, por a mund ta realizojë?”, është përshkrimi i shkurtër që ka bërë BBC për të paralajmëruar intervistën me Vjosa Osmanin./ KultPlus.com
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani ka uruar këngëtaren e famshme, Dua Lipa për çmimin “Albumi më i mirë Pop” në “Grammy Awards 2021”, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në Instagram Story, Osmani ka thënë se Dua nuk është inspirim vetëm për vajzat dhe gratë në Kosovë, por në të gjithë botën.
“Urime për yllin tonë Dua Lipa” në ‘Grammy-n’ e saj për albumin më të mirë në zhanrin pop. Ju nuk jeni vetëm një frymëzim për vajzat dhe gratë në Kosovë, por edhe në të gjithë botën. Ti po na bën çdo ditë e më shumë krenarë. Vazhdo të shkëlqesh”, ka shkruar Osmani në një postim të publikuar në InstaStory./ KultPlus.com
Vjosa Osmani, presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës ka kujtuar 11 marsin, ditën kur ka filluar shpirti rebelues i studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët thyen pjatat në mes të Mensës së Studentëve, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell të plotë reagimin e saj.
40- vjet më parë, më 11 mars 1981, refuzimi i pjatave në Mensën e Universitetit të Prishtinës nga rinia studentore e Kosovës, shënoi fillimin e demonstratave, të cilat ishin kthesë historike jo vetëm për Kosovën, por edhe më gjerë.
Kjo revoltë “e bukës”, u shndërrua gradualisht në lëvizje rezistence për të drejta përmbajtësore politike për shqiptarët dhe shënoi fillimin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Prej këtu, thirrja për Republikë u shndërrua në kauzë jo vetëm për përmirësimin e pozitës politike të shqiptarëve, por edhe për shtetin, të cilin sot e gëzojmë.
Ky shpirt studentor, mbajti gjallë përpjekjen për liri e pavarësi, për Republikën, të cilën e bëmë realitet dhe të cilën duhet ta forcojmë edhe më tej.
Si çdoherë studentët i kanë paraprirë ndryshimeve në Kosovë. Ky ndryshim tashmë është realitet, ndaj sikur dikur kur ishin studentët që na unifikuan në kërkesën tonë për shtet, sot kemi nevojë sërish për një unitet të tillë që ta forcojmë shtetin e Kosovës, ta lartësojmë imazhin e tij dhe ta bëjmë një vend perspektive për rininë tonë!/ KultPlus.com
Sot në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Fëmijët nga qendra “Autizmi flet” ia kanë uruar përmes një letre ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmanit, festën e 8 Marsit.
“Sepse vetëm kur sytë tanë të shohin atë çfarë nuk panë të tjerët deri më tash, e kur veshët dëgjojnë atë çfarë të tjerët e injoruan deri më tash, vetëm atëherë 8 Marsi bëhet festë, e çdo ditë do të jetë një arsye shtesë për të festuar progresin tonë, të arriturat tona dhe mirëqenien në jetën tone”, shkruan Osmani ndër të tjera.
Postimi i saj i plotë:
Lajtmotiv i 8 marsit është forca e gruas, qëndresa e përkushtimi. Sinonim dhe shëmbëlltyrë e këtyre grave janë nënat e fëmijëve me nevoja të veçanta. Bashkëbisedën e sotme me nënat nga qendra “Autizmi flet”, dhe me fëmijët e tyre margaritarë do ta mbaj përherë si udhërrëfyes e do të më shërbej përherë si rikujtim se kemi ende shumë punë për të bërë.
Derisa kjo shoqëri të jetë e hapur për të gjithë, derisa të gjithë të jemi të barabartë, deri atëherë s’mund dhe nuk guxojmë ta ndalim hapin që e kemi nisur, por të kujdesemi që tutje ta përshpejtojmë atë. Sepse vetëm kur sytë tanë të shohin atë çfarë nuk panë të tjerët deri më tash, e kur veshët dëgjojnë atë çfarë të tjerët e injoruan deri më tash, vetëm atëherë 8 Marsi bëhet festë, e çdo ditë do të jetë një arsye shtesë për të festuar progresin tonë, të arriturat tona dhe mirëqenien në jetën tonë!/KultPlus.com
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ditën e djeshme përfundoi vizitën e saj dy ditore në Zvicër, përcjell KultPlus.
Sot, Osmani në rrjetin social Facebook ka ndarë një moment nga Parlamenti Zvicëran, kur deputët e këtij parlamenti e pritën atë me duartrokitje të shumëta.
‘Të nderuar me pritjen e bërë nga Këshilli Kombëtar (Parlamenti) i Zvicrës për delegacionin tonë në mbledhjen plenare të këtij Këshilli. Të nderuar me pritjen e bërë nga Këshilli Kombëtar (Parlamenti) i Zvicrës për delegacionin tonë në mbledhjen plenare të këtij Këshilli’, ka shkruar Osmani në mbishkrimin e videos. / KultPlus.com
“Vjosa Osmani përfaqëson një fytyrë të freskët, befasuese, të shtetit më të ri në Evropë. Vizita në Bernë e presidentes kosovare në detyrë të mërkurën rrit shpresat për një kapitull të ri në marrëdhëniet kosovare-zvicerane”.
Kjo është parë, veç tjerash edhe në praninë e konsiderueshme të mediave në konferencën për shtyp që ajo e mbajti të mërkurën, pas takimit me kryeparalmentarin zviceran, Andreas Aebbi.
Ndërsa gazeta prestigjioze zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) e përshkruan me entuziazëm profilin e mysafires së lartë nga Kosova, shkruan albinfo.ch.
“Vjosa Osmani përfaqëson një fytyrë të freskët, befasuese, të shtetit më të ri në Evropë. Vizita në Bernë e presidentes kosovare në detyrë të mërkurën rrit shpresat për një kapitull të ri në marrëdhëniet kosovare-zvicerane”, shkruan Georg Häsler Sansano, gazetar që më parë ka punuar si korrespondent ballkanik për mediat zvicerane
“Një anglishte e kultivuar, me tingull amerikan, deklarata politikisht të mprehta, përmbajtjesore në vend të frazave të gjata, e arsimuar mirë, e re, nënë e binjakëve: Vjosa Osmani nuk korrespondon aspak me stereotipin e politikanit ballkanas, konstaton gazetari.
“Keni të drejtë, është një stereotip dhe jo realitet”, thotë presidentja aktuale e Kosovës në hapje të bisedës me NZZ: “Unë përfaqësoj imazhin e shumicës dërrmuese të popullatës kosovare – veçanërisht të popullatës së re”.
Osmani është juriste dhe ka kryer doktoraturën në Shtetet e Bashkuara. Së bashku me Albin Kurti, udhëheqës i lëvizjes Vetëvendosje, ajo ishte një nga fituesit e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në shkurt, transmeton albinfo.ch. Populli kosovar ka realizuar kështu një ndryshim pa ndonjë ndërhyrje të jashtme: larg komandantëve dominues të luftës dhe strukturave të tyre, drejt diçkaje të re.
Vullneti i mirë i Zvicrës
Pritjet e popullsisë së re të vendit janë të mëdha, ashtu si dhe sfidat. “Për herë të parë u dëgjua thirrja e njerëzve, nuk është thjesht një thirrje, por është klithje për ndryshim”, thotë Osmani, duke komentuar suksesin e zgjedhjeve. “Tani, ajo që ne kemi për të dhënë është: punë dhe drejtësi.”
Së bashku me Albin Kurtin, ajo në fushatën zgjedhore kishte premtuar punë dhe sundimin e ligjit. Sot, një e katërta e popullatës kosovare është e papunë. Besimi në institucionet shtetërore është përtokë. Klasa e mëparshme sunduese shihet si e korruptuar, në disa raste edhe e lidhur me krimin e organizuar.
Njerëzit në Kosovë i kanë të njohura premtimet e fryra të politikanëve. Osmani e di se: “Njerëzit në Kosovë janë shumë të durueshëm, ata ju japin një shans, por ne nuk duhet t’i zhgënjejmë ata!”. Sigurisht, jo të gjitha problemet mund të zgjidhen brenda natës, por tani ekziston një perspektivë e re për Kosovën.
Ajo dëshiron të japë një shembull të mirë dhe, mbi të gjitha, të prezantojë frymën e meritokracisë: ata që realizojnë diçka, shkojnë përpara dhe kanë për të thënë diçka, përcjell albinfo.ch. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më përpara në Kosovë, thotë Osmani në intervistë për NZZ.
Para mediave në Bernë, mysafires nga Kosova ju premtua shumë vullnet i mirë nga kryetari i Dhomës Nacionale të Parlamentit të Zvicrës, Andreas Aebi . Zgjedhjet kanë paralajmëruar një epokë të re politike në Kosovë. Shpresat e diasporës kosovare në Zvicër që sundimi i ligjit të përmirësohet dhe që korrupsioni dhe krimi i organizuar do të luftohen, janë të mëdha: “Unë mund vetëm t`i bashkohem kësaj shprese”, është shprehur Aebi. Kjo gjithashtu do ta bënte Kosovën më tërheqëse për investitorët.
Osmani shpreson që Zvicra do të punojë për të siguruar që popullata kosovare të mos ketë nevojë për vizë. Deri më sot, kosovarët nuk mund të hyjnë lirisht në zonën Shengen. Pika më e ulët në marrëdhëniet zvicerane-kosovare ishte shkëputja e marrëveshjes së sigurimeve shoqërore (në vitin 2010, nga ana zvicerane), transmeton albinfo.ch. Asnjë pension nuk ishte paguar në Kosovë nga Zvicra në mes të viteve 2010 dhe 2019. Sindikatat dhe SP (Partia Socialdemokrate) u dalluan si avokatë të kosovarëve.
“Problemet nuk janë të natyrës ideologjike”
Socialdemokratët dhe veçanërisht bashkëkryetari i kësaj partie, Cédric Wermuth kanë bërë në të kaluarën një fushatë të fuqishme për Albin Kurtin dhe partinë e tij. Lëvizja është jashtëzakonisht e popullarizuar në mesin e të rinjve zviceranë me prejardhje kosovare. Shumë ithtarë të Kurtit janë gjithashtu anëtarë të Partisë Socialdemokrate, në Zvicër.
Kurti dhe Osmani janë të dy intelektualë, por kanë sfond të ndryshëm prapa vetes, përcjell albinfo.ch. Albin Kurti ka filluar jetën e tij politike si aktivist kundër dominimit serb në Kosovë gjatë viteve 1990 dhe qe detyruar të mbante burg për këtë.
Ai më vonë ka luftuar për vetëvendosje dhe ka kritikuar bashkësinë ndërkombëtare për “sjelljen e saj koloniale” në marrëdhëniet me Kosovën.
Osmani, nga ana tjetër, vjen nga partia më konservatore e Ibrahim Rugovës, përfaqësuesit të rezistencës paqësore kundër Serbisë. Në zgjedhje, ajo ka garuar me listën e saj, por në një koalicion të lidhur me Kurtin, përcjell albinfo.ch. Ai do të bëhet kryeministër, Osmani president.
A përfaqëson ajo (Vjosa Osmani) “korrigjimin” e politikës së majtë të Kurtit?
Sigurisht, ata u përmbahen dy ideologjive të ndryshme politike, përkatëse, thotë Osmani. Por Kurti është zhvendosur drejt qendrës, ai është socialdemokrat. “Ne kemi pasur sukses në zhvillimin e një programi të përbashkët që përmban pozicione të qendrës së majtë si dhe të qendrës së djathtë”.
Problemet e Kosovës nuk janë ideologjike. “Nëse duam të luftojmë sistemin e korruptuar, atëherë asnjë ideologji nuk duhet të na ndajë, përcjell albinfo.ch. Kjo gjithashtu do të na mbajë bashkë”, shprehet e bindur Osmani.
Për të pasur stabilitet dhe perspektivë reale, Kosovës i duhet një traktat paqeje me Serbinë. Por të dy palët këmbëngulin në kërkesat maksimale. Zvicra ndan përgjegjësinë për të kontribuar në një zgjidhje.
Si një vend neutral, ajo qe ekspozuar shumë dhe kishte njohur Kosovën si shtet, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, në vitin 2008. Zvicra gjithashtu ka edhe lidhje njerëzore me Kosovën, falë diasporës së madhe. Edhe në kohën e pandemisë mbahet “ura ajrore”, gjegjësisht zhvillohen disa fluturime në ditë ndërmjet Prishtinës dhe tre aeroporteve kombëtare zvicerane.
Në vitet e fundit, për të zgjidhur konfliktin, është propozuar shkëmbimi i territoreve: veriu i Kosovës me shumicë serbe duhej të shkonte në Serbi ndërsa një zonë me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, në Kosovë.
Në prapaskenë, Zvicra është angazhuar shumë kundër ndryshimeve të kufijve. Tani, si rezultat, asaj do t’i duhet gjithashtu të bëjë përpjekje kundër një bashkimi midis Kosovës dhe Shqipërisë, bashkim me të cilin Albin Kurti po flirton edhe sot e kësaj dite. Për momentin, ideja nuk mund të ketë shumë shanse dhe përdoret kryesisht si një kundërpeshë në negociatat me Serbinë.
Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani bën të qartë për NZZ se marrëveshja e koalicionit përcakton se nuk do të ketë ndërrime kufijsh – dhe as ndryshime kushtetuese (që do të ishte e nevojshme për një projekt bashkimi Kosovë – Shqipëri).
“Ne jemi pajtuar për prioritetet: Në Kosovë ka ende vende pa ujë të rrjedhshëm ose pa energji elektrike. Ky është fokusi ynë”.
Sa i përket Beogradit, çështja ka të bëjë me njohjen e realiteteve, thotë Osmani: “Ka shumë çfarë për tu diskutuar në tryezën e bisedimeve, por sigurisht nuk diskutohet sovraniteti i Kosovës”, transmeton albinfo.ch. Pikërisht për arsyen për të cilën presidentja në detyrë u prit me krahë hapur në Bernë, diplomacia zvicerane duhet të promovojë një dialog konstruktiv midis Prishtinës dhe Beogradit”, përfundon NZZ./albinfo.ch/ KultPlus.com
Kandidatja nga Lëvizja Vetëvendosje për presidente, Vjosa Osmani, ka dal më e votuara në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Numri dy në listën e VV-së, ka marrë 300.788 vota.
Me këtë numër, Osmani bëhet kandidatja e dytë më e votuar në zgjedhjet në Kosovë. Më shumë vota sesa ajo ka marrë vetëm edhe ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në zgjedhet e viteve 2001 dhe 2004. / KultPlus.com
Ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani ka ndarë medalje për regjisoren Blerta Basholli për nder të 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Një medalje tjetër është ndarë edhe për Njësitin e Kërkim Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës për kontributin e tyre në fushën e mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Ky Njësit, për vite me radhë është shquar me punën e tij në misione të ndryshme të kërkim-shpëtimit, brenda dhe jashtë vendit. Kurse, regjisorja Blerta Basholli është dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontribut në fushën e kulturës. Filmi ‘Zgjoi’ me regji nga Blerta Basholli ka fituar tri çmimet kryesore të festivalit të madh të filmit në SHBA, Sundance Film Festival”, thuhet në njoftim.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka uruar ushtruesen e detyrës së presidentes në Kosovë, Vjosa Osmani, në 13-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Në mesazhin e urimit të kreut të shtetit thuhet se Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në të gjitha sfidat e ardhshme, si liberalizimi i vizave apo avancimi i procesit të integrimit euro-atlantik të Kosovës.
“Përfitoj nga rasti, që në këtë ditë të rëndësishme jo vetëm për qytetarët e Kosovës por edhe për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, të përshëndes përpjekjet e jashtëzakonshme dhe arritjet e deritanishme në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve, duke sjellë më shumë stabilitet e begati për Kosovën, si dhe shndërruar atë në faktor të rëndësishëm bashkëpunimi, për paqen në rajonin tonë. Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në të gjitha sfidat e ardhshme, e bindur se maturia politike dhe përgjegjshmëria shtetërore e demonstruar gjatë këtyre 13 viteve Pavarësi, do të vijojnë të shoqërojnë përpjekjet e mëtejshme për konsolidimin e shtetit dhe kurorëzimin në një kohë të afërt të liberalizimit të regjimit të vizave, si dhe për avancimin e procesit të integrimit euro-atlantik të Kosovës”, ka shkruar Metaj në Facebook.
Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë dhënë shembull demokracie në zgjedhjet e të dielës.
“Zgjedhjet e mbajtura para pak ditësh në Kosovë treguan maturi dhe pjekuri politike të qytetarëve të Kosovës, si dhe dhanë një shembull demokracie se si duhet të mbahen zgjedhjet dhe të respektohet rezultati i tyre. Uroj që krijimi i institucioneve të reja të dala nga rezultati i zgjedhjeve të fundit, të jetë sa më i shpejtë, në interes të qytetarëve të Kosovës dhe përparimit në proceset integruese të vendit. Bashkëpunimi vëllazëror dhe Partneriteti Strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës, meriton të fuqizohet dhe konkretizohet në të gjitha fushat, në veçanti për t’ju dhënë një mundësi e perspektivë sa më të madhe të rinjve për të ndërtuar të ardhmen e tyre të sigurtë europiane, në vendet tona dhe për të ndalur shpopullimin. Shqipëria është e vendosur për të mbrojtur Pavarësinë, integritetin territorial dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën. Me urimet më të mira për këtë ditë të shënuar për Republikën e Kosovës, ju lutem pranoni, e nderuar Zonja Presidente në Detyrë, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, ka shkruar Meta./ KultPlus.com
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova në 13-vjetorin e pavarësisë së shtetit të Kosovës.
Të dy janë shprehur se në këtë ditë nderojnë figurat historike të shtetit të Kosovës.
“E nderuam arkitektin e pavarësisë së Kosovës. Njeriun që sublimoi dhe unifikoi kërkesat e qytetarëve të Kosovës për liri, pavarësi e sovranitet. Njeriun i cili hapi dyert e botës në mënyrë që zëri ynë të dëgjohet e kumbojë kudo”, ka thënë me këtë rast Osmani.
Në anën tjetër, Kurti, që në zgjedhjet e 14 shkurtit fitoi bindshëm, ka thënë se shpreson e beson që viti i ardhshëm të gjejë Kosovën me drejtësi, demokratizim e zhvillim.
“Sot kujtojmë personalitetet politike kombëtare, historike, që kontribuan në faza e mënyra të ndryshme. Vendosëm lule të freskëta te presidenti i parë i Republikës së parë të Kosovës, Ibrahim Rugova që ishte edhe presidenti i parë i Kosovës së çliruar. Në veçanti falënderojmë të gjithë qytetarët që kanë kontribuar për këtë ditë kaq të rëndësishme”, ka thënë ai. / Koha.net / KultPlus.com
U.D. e presidentit, Vjosa Osmani, ka publikuar letrën e pranuar nga presidenti Joe Biden, në të cilën u ritheksua lidhja e fortë mes dy popujve dhe nevoja që dialogu me Serbinë të sjellë njohjen e ndërsjellë.
“Përjetësisht mirënjohëse për mbështetjen e pazëvendësueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Osmani ndër të tjera.
Sot kam pranuar letër urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ku ai rithekson raportet e forta ndërmjet dy popujve tanë, mbështetjen e vazhdueshme e të fuqishme të SHBA-ve si dhe nevojën që dialogu me Serbinë të përqëndrohet në njohjen e ndërsjellë.
Përjetësisht mirënjohëse për mbështetjen e pazëvendësueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës./ KultPlus.com
Sot kam pranuar letër urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ku ai rithekson raportet e…
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, i ka dërguar një telegram urimi ushtrueses së detyrës së presidentes Vjosa Osmani, me rastin e 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Në këtë letër Biden tha se SHBA-të mezi presin të punojnë me qeverinë e re në rrugën drejt integrimit në Bashkim Evropian,.
Ai shtoi se ka shumë punë për të bërë drejt arritjes së një marrëveshje për normalizim të raporteve me Serbinë që në qendër do të ketë njohjen reciproke.
Bashkangjitur e gjeni telegramin e plotë të Biden dërguar Osmanit./ KultPlus.com
Presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës, ka bërë publike listën e këngëve të cilat kjo e fundit i dëgjon gjatë kësaj fushate zgjedhore, shkruan KultPlus.
Në listën e këngëve të publikuara, Osmani ka shkruar se muzika zë një vend të veçantë në jetën tonë, duke theksuar poashtu se është muzika ajo që na motivon dhe na sjell gëzim.
‘Sot po ndaj me ju disa nga këngët e këtij rrugëtimi ngazëllues të fushatës zgjedhore. Do të doja shumë që në komentet tuaja t’i ndani me mua këngët tuaja të preferuara! Përqafime!’, ka shkruar ndër të tjera Osmani. / KultPlus.com
Ambientet e KultPlus Caffe Gallery tashmë kishin hapur dyert për të mirëpritur artistë e regjisorë të shumtë, të cilët tashmë po prisnin që të takoheshin dhe diskutonin për artin dhe kulturën me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.
Ishte gazetari Arbër Selmani ai që hapi mbrëmjen duke falënderuar të ftuarit, por edhe dy figurat kyqe të kësaj mbrëmjeje.
Teksa e tërë vëmendja tashmë ishte përqendruar pikërisht tek katërshja që qëndronte përballë komunitetit të artistëve, Vjosa Osmani filloi fjalimin e saj duke treguar se është çdo herë kënaqësi e madhe takimi me artistët.
Ajo shtoi më pas se ky vit ka qenë një vit i suksesshëm për filmin e Kosovës, duke potencuar filmin “Zgjoi”, me regji të Blerta Bashollit, por edhe duke vënë theksin në atë se përgjatë këtij viti, kultura dhe tradita shqiptare me një sukses të madh po i shpaloset botës.
“Ky vit ka qenë tepër i suksesshëm, e kemi suksesin e fundit me filmin “Zgjoi”, të Blerta Bashollit, sukses që na ka bërë krenarë të gjithëve. Pastaj, këto ditë po shohim se si Rita Ora do ta prezantojë traditën tonë, veshjet tona, nëpërmjet një videoklipi të ri, suksese këto që nuk janë të vetme, sepse nëpërmjet kulturës, artistët po promovojnë kulturën tonë”, ka thënë para të pranishmëve Osmani, e cila ka shtuar se edhe këtë vit shpreson në suksese të mëdha të komunitetit të artistëve, sukses që e kanë dëshmuar tash e shumë vite, e që sipas saj, për fat të keq, politikanët dukshëm kanë pas performancë më të dobët se sa komuniteti i artistëve.
Tutje ajo ka shtuar se përkrahja që do ti japin kulturës nuk do të jetë përkrahje vetëm për artistët, por një përkrahje për shtetin, sepse ky komunitet është imazhi dhe pasqyra më e mirë e një shteti. E sipas saj një shtet i mençur investon në një imazh të mirë, e briliant që artistët kanë ndërtuar përgjatë viteve.
Ndërkaq lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kuri shpalosi programin qeverisës të partisë së tyre, gjithnjë në fokus të artit dhe kulturës. A theksoi se në ketë program përfshihen institucionet e artit, krijimi i Teatrit te Operas dhe Baletit e shumë investime të tjera.
“Me qeverisjen tonë, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, institucionet e artit do të kenë buxhet vetjak dhe të qëndrueshëm, pra nuk do të varen nga Ministria në linja buxhetore. Teatri Kombëtar dhe teatrot e qyteteve do të kenë të garantuar financimin e rregullt dhe fondin e shtuar për projektet artistike. Njëjtë dhe për baletin, ansamblin dhe institucionet e tjera. Do ta themelojmë edhe Teatrin e Operas dhe Baletit si institucion të vetëqëndrueshëm”, deklaroi ndër të tjera Kurti.
Kurti shtoi se në plan programin e tyre zgjedhor përfshihet edhe shpëtimi i trashëgimisë në rrezik, por edhe mbrojtja e përhershme e aseteve të trashëgimisë kulturore.
Kurse Ardianë Pajaziti, kryeredaktore e KultPlus ka thënë para të pranishmëve se pikërisht në mbrëmjen e sotme, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery janë mbledhur artistë të profileve të ndryshme, që presin mbështetjen e institucioneve shtetërore për jetësimin e projekteve dhe ideve të tyre.
“Artistët vazhdojnë të jenë imazh i mirë i Kosovës, andaj, një mbështetje institucionale më e madhe ndaj këtij komuniteti, është shumë i rëndësishëm për artistët por edhe për imazhin e Kosovës”, ka thënë Pajaziti.
Më pas, Pajaziti bashkë me Osmanin dhe Kurtin kanë takuar veç e veç të gjithë artistët pjesëmarrës, të cilët edhe kanë treguar për idetë dhe mundësitë e bashkëpunimit në jetësimin e projekteve të ndryshme. Ndërkohë, të pranishmit kanë pas rast të shohin për së afërmi ekspozitën e Yllka Letit, ekspozitë që vazhdon të jetë e hapur në ambientet e KultPlus Caffe Gallery
(Ngjarja u mbështet nga Stone Castle, Fluidi, Birra Prishtina dhe Uji Dea) /KultPlus.com
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, iu bashkua peticionit për vendosjen e Kosovës në hartën e Netflix.
Kjo ngase në këtë platformë, Kosova figuron si pjesë e Serbisë, andaj ka filluar nisma për të vendosur Kosovën në kufijtë e saj në Netflix.
“I dashur Netflix, njerëzit e Kosovës i shijojnë shumë shërbimet tuaja ‘streaming’ dhe e duan punën tuaj. Ata meritojnë të njihen për këtë. Është koha që ta vendosni Republikën e Kosovës në hartën tuaj”, shkruan Osmani në Twitter.
Nisma filloi nga Sovran Hoti, me këtë peticion ashtu sikurse ndodhi më parë me “Apple”, kërkohet që Kosova të njihet si shtet në platformën e njohur Netflix. / KultPlus.com
Në përvjetorin e parë të vdekjes së Nexhmije Pagarushës, ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani e ka kujtuar bilbilin nëpërmjet rrjeteve sociale, shkruan KultPlus.
“Në njëvjetorin e ikjes në amshim të zërit unik të muzikës sonë, zonjës Nexhmie Pagarusha, jeta jonë kulturore është varfëruar nga mosprania fizike e saj, porse mbetet e pasuruar me fondin muzikor të saj, i cili është një nga vlerat më të çmueshme trashëgimore të artit tonë muzikor”, ka shkruar Osmani.
Tutje ajo ka përmendur se si Pagarusha që në rininë e saj ka kënduar vepra të njohura botërisht, e deri te kryevepra e saj, të cilën s’ka moshë që nuk e do.
“Në rininë e saj i këndoi të përkthyera veprat e Beethovenit e Verdit për ta mbërri kulminacionin artistik me perlën e muzikës sonë, këngën “Baresha”, të kompozuar nga burri i saj, Rexho Mulliqi”, është shprehur u.d. Presidentja.
“Në përvjetorin e parë të ikjes së saj, zëri i Bilbilit të Kosovës jehon ende. Jehoftë përjetë e mot!”, ka përfunduar Osmani.
Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha ka vdekur më 7 shkurt 2020, duke lënë një krijimtari të madhe artistike. / KultPlus.com
Era Istrefi ka bashkëbiseduar në një live video në Instagram me Vjosa Osmanin. Këngëtarja diskutoi për karrierën e saj dhe për pauzën e bërë deri më tani ku dhe zbuloi edhe arsyen se pse nuk ka ardhur me ndonjë projekt të ri, shkruan KultPlus.
Era tha se si pasojë e mos-lejimit të këndoi në gjuhën shqipe nuk e ka vazhduar kontratën me kompaninë në të cilën ka qenë dhe shumë shpejt do nënshkruaj kontratën e re ku do i lejohet kjo gjë.
Era më pas është pyetur për një nga momentet më të rëndësishme e më të suksesshme në jetë, paraqitjen e saj në Kampionatin Botëror në Rusi
“Jam ndjerë jashtëzakonisht mirë, kanë qenë dy milionë shikues në stadiumin e Rusisë me Will dhe Nicky Jam. Will më ka lënë përshtypje shumë të mirë është interesuar shumë për Kosovën, më ka bërë pyetje të shumta se si kemi munduar t’ia dalim nga një vend i vogël, është interesuar për shumë gjëra. Çfarë e ka bërë më të veçantë është publiku shqiptar, është si asnjë publik tjetër një ndjenjë shumë e veçantë”. shtoi ajo.
Istrefi theksoi se e ka ndjerë si obligim ndaj shqiptarëve të bënte shqiponjën, edhe pse është kritikuar as këtij veprimi.
“E kam ndjerë obligim shpirtëror që të bëjë shqiponjën si lloj falënderimi për gjithë përkrahjen që më është bërë, më kanë qortuar pak por u kam treguar se ka qenë shumë spontante, e kam ndjerë. Në fund të ditës suksesin tim ia atribuoj shqiptarëve”, pohoi ajo.
Po ashtu, u.d. presidente Vjosa Osmani bashkë me Erën diskutuan edhe mundësinë depërtimit të artistëve shqiptar në skenat ndërkombëtare.
Kujtojmë se Vjosa Osmani ka shpeshtuar lidhjet direkte live me artistët e estradës kohët e fundit./ KultPlus.com
Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se për 7 ditë me radhë do të bashkëbisedoj me 7 personalitete të ndryshme, shkruan KultPlus.
Nismën që e filloj me Vera Orën, Osmani gjatë natës së sotme e ka vazhduar me aktoren e cila ka debutuar në skenat ndërkombëtare, Arta Dobroshi.
Dobroshi gjatë këtij bashkëbisedimi ka folur për sukseset e saj të shumta në karrierë.
Ajo ka shpjeguar se asnjëherë nuk ka tentuar të arrijë famë, pasi aktrimi është një gjë që e dashuron.
“Gjithmonë kam ndjekur zemrën time, nuk kam shikuar famën. Por, çka është me rëndësi, të kesh sinqeritet me vete, më pas vjen dinjiteti dhe rrezaton pozitivitet”, është shprehur ajo.
Dobroshi ka potencuar se nuk e sheh veten si refugjate sepse kur shkel në tapetin e kuq të gjithë janë të njëjtë.
“Do të bëjë gjithçka për vendin, pasi e kemi në gjak”, ka përfunduar aktorja./ KultPlus.com
Vjosa Osmani dhe Capital T kanë diskutuar për industrinë muzikore në Instagram Live.
Vjosa Osmani tash e disa javë me radhë është duke realizuar intervista në mënyrë virtuale me personazhe të njohur.
Dje ishte i ftuar rep-artisti i njohur, Capital T, në një lidhje ‘live’ në rrjetin social Instagram.
Reperi dhe Vjosa diskutuan për problemet që shkaktoi pandemia COVID-19, gjatë bisedës ata prekën edhe disa nga ngecjet që industria muzikore ka si përgjithësi.
Capital T bëri kërkesën qe për shkak të kapacitetit të vogël që kanë lokalet e natës, sallat sportive të kthehen në vende ku mund të performohet.
Reperi i njohur filloi duke thënë, “Normalisht janë disa pika që mund të bëhen më mirë, sikur sallat sportive të rinovohen dhe të menaxhohen mirë, që artistët të kenë vend që të performojnë”,u shpreh Capital T.
Reperi gjithashtu nuk la pa përmendur Ligjin për Pirateri dhe këngët të cilat lëshohen në televizione pa marrë miratimin e artistit.
“Të tjera probleme janë sikur Ligji për Pirateri, televizionet që nuk paguajnë për këngë që lëshohen. Por, një shtëpi e madhe diskografike do të kishte qenë mirë të jetë në Kosovë”, përfundoi reperi./Lajmi.net/KultPlus.com
Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se për 7 ditë me radhë do të bashkëbisedoj me 7 personalitete të ndryshme, shkruan KultPlus.
Këtë nismë, Vjosa e filloi me Vera Orën, me të cilën biseduan për rëndësinë e shëndetit mendor kryesisht në këtë periudhë pandemie.
Në këtë bisedë, nuk kishte si të mos përmendej edhe këngëtarja e famshme shqiptare, Rita Ora, për të cilën Vera Ora tregoi se në projektet e Ritës, po planifikohet edhe një projekt që përfshinë kulturën dhe traditën shqiptare.
Vera Ora nuk tregoi më detajisht në lidhje me këtë projekt, por pritet të shihet në një të ardhme të afërt. / KultPlus.com
U.d së presidentit, Vjosa Osmani ka bërë homazhe në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, shkruan KultPlus.
Në përkujtim të jetëve të humbura, Osmani ka thënë se duhet të punojmë çdo ditë për të luftuar urrejtjen dhe diskriminimin.
“Në Ditën Përkujtimore të Holokaustit, ne kujtojmë të gjithë humbjet e shkaktuara nga gjenocidi i tmerrshëm i Holokaustit. Nuk është e mjaftueshme të thuhet kurrë më, ne duhet të punojmë çdo ditë për të luftuar urrejtjen dhe diskriminimin. Kosova nuk do të harrojë kurrë”, ka shkruar Osmani./KultPlus.com