Brukseli i largon fusnotën Kosovës, i referohet si Republikë

Ndryshe nga herët e kaluara, kur Kosova është referuar me fusnotë, ndryshe ka ndodhur në vizitën e sotme të presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, në Brukselin zyrtar.

Komisioneri i BE-së për Fqinjësi e Zgjerim, Oliver Varhelyi i është referuar vendit tonë si “Republika e Kosovës”.

Gajtë vizitës dyditore në Bruksel, Osmani do të takohet edhe me deputetët e Parlamentit Evropian që janë në Grupin e miqësisë së Kosovës në Parlamentin Evropian: Rainer Wielandi, zv.presidenti i PE-së, Lukas Mandli (EPP), Viola von Cramon- Taubade, raportuese për Kosovën në PE, Ilhan Kyuchyuku, nga Grupi Reneë dhe Andrey Kovatchevi, nënkryetar i EPP-së.

https://twitter.com/EC_AVService/status/1348940918704005120/photo/1

2020-a, viti i vajzave e grave shqiptare

Ndonëse ishte  vit i përballjes me një pandemi, megjithatë viti 2020 ka qenë tejet i mbarë për vajzat e gratë shqiptare, të cilat e shënuan vitin që e lamë pas me suksese të shumta, duke lënë gjurmë edhe në nivel global.

Politikë

Viti 2020 nuk ka se si të mos përmendet, kur Vjosa Osmani u zgjodh kryeparlamentare e Kosovës, duke u bërë kështu gruaja e parë në historinë e shtetit të Kosovës, që mban një pozitë të tillë.

Ajo ishte gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit në Kosovë, si dhe personi i dytë më i votuar në nivel vendi.

Suksesi i grave në politikë kaloi kufijtë kombëtarë, kur Ylfete Fanaj u zgjodh kryetare e Këshillit Kantonal, në Lucern të Zvicrës. Nuk ka se si të mos kujtohet ceremonia e veçantë e inaugurimit të saj, pasi në të përfshiu motive të prejardhjes së saj shqiptare, konkretisht përgjatë ceremonisë u këndua kënga “Moj e bukura more”.

Gentiana Fana është një tjetër grua shqiptare, e cila ndonëse e re në moshë, u bë këshilltare e presidentes së Kroacisë.

Ndërkohë, Ermina Lekaj Prljaskaj, politikane nga Kosova, fitoi mandatin e saj të tretë rresht si deputete e Parlamentit të Kroacisë, duke përfaqësuar atje komunitetin pakicë shqiptar.

Kur përmendet suksesi i vajzave e grave shqiptare në politikë, nuk mund të mos veçohet suksesi i Besiana Kadaresë. Ajo u përzgjodh zëvëndëspresidente e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në sesionin e 75-të të saj.

Afërdita Bogiqi ishte e vetmja grua që gjatë vitit 2020  u zgjodh në ekzekutivin e Monthey të Zvicrës. Ajo është gruaja e parë që u bashkua me ekzekutivin e Monthey pas tetë vjetësh pa gra, shkruan AlbFem.

Shkencë & Arsim

Majat në karrierën akademike mund t’i mbërrini edhe nëse bazat e formimit i keni marrë në vende si Kosova apo Shqipëria. Këtë e dëshmon rasti i Gresa Latifit, e cila gjatë vitit 2020 u bë pegadodge në universitetin më të mirë të Gjermanisë.

Vigjilenca Abazi është një tjetër emër që arriti majat e karrierës së saj, duke botuar një libër për një nga universitetet më të mira në botë, atë të Oksfordit.

Ajo është anëtare e ‘Emile Noel’ në Fakultetin Juridik në New York dhe asistente në Universitetin e Mastrihit.

Vajzat shqiptare gjatë vitit 2020 shkëlqyen edhe në gara. Era Syla fitoi Medalje të Bronztë në Olimpiadën Matematike Evropiane për Vajza – EGMO 2020.

E shumë e suksesshme u tregua edhe Qëndresa Sahiti, e cila ishte një ndër 10 fitueset e Çmimit Kombëtar të Ekselencës për të diplomuarit e vitit 2020 në Kanada.

Viti 2020 ishte shumë i veçantë edhe për Lindita Camajn.

Akademikja shqiptare u emërua “Director of Graduate Studies”, pranë Fakultetit të Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Houston-it.

Gjatë po të njëjtit vit, astronaturja e re kosovare, Pranvera Hyseni u bë edhe zyrtarisht pjesë e Fushatës Ndërkombëtare për Kërkime të Asteroidëve.

E gjatë muajit tetor, Shoqata Amerikane e Mjekëve Infermierë, i ka ndarë çmimin shtetëror për përsosmëri, infermieres Lindita Vinca.

Përderisa ky çmim shtetëror i ndahet çdo vit një individi i cili demonstron punë cilësore dhe angazhim në praktikën klinike, për Vincën kjo mbetet një sukses tjetër në karrierën e saj, shkruan AlbFem.

Biznes

Duke pasur në konsideratë, mijëra gra shqiptare që suksesshëm kanë udhëhequr binzese gjatë vitit 2020, po ndalemi vetëm në disa suksese që shënuan vajzat dhe gratë shqiptare në këtë vit pandemik.

Gratë shqiptare gjatë 2020-ës shënuan sukses të jashtëzakonshëm edhe në biznes. Një nga të ishte edhe Rudina Seseri, e cila në SHBA, nga Revista Entrepreneur u përzgjodh në mesin 100 grave më të fuqishme në biznes, në Universitetin Teknik të Munihut.

Ditët e para të pandemisë ishin tejet të vështira për çdo shtet, e veçanërisht për Kosovën, e për këtë ndihmë ofroi kreatorja e njohur nga Kosova, Lirika Matoshi.

Ajo mblodhi mbledhur plot 23.250 dollarë amerikanë për vetëm 4 orë, si ndihmë për familjet në nevojë në Kosovë, vetëm nga shitja e maskave që kishte prodhuar.

Ushtri

Viti 2020 duket se ishte viti më i suksseshëm për gratë shqiptare në ushtri.

Arelena Shala është shqiptarja e parë nga Kosova, që ka arritur të diplomohet në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ajo më parë ishte emëruar në pozitën e udhëheqëses së Komandës së Regjimentit në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ka komanduar me 1100 ushtarë amerikanë.

Kurse, Antigona Kalimashi, aspirante për nënoficere të Armatës së Zvicër, ishte personi parë që nga komandanti i përgjithshëm i ushtrisë mori dekoratën Ribbon për kontribut te jashtëzakonshëm.

Antigona kishte shpëtuar një person pas një aksidenti me tren.

Në Akademinë Amerikane të Rreshter Majorëve, në El Paso –Teksas, gjatë vitit 2020 ka diplomuar Reshter Major Rifadie Ramadani, duke u bërë një nga shqiptarët e vetëm me këtë arritje.

Muzikë 

Viti 2020 do të kujtohet si një nga vitet më të suksesshme për vajzat dhe gratë e angazhuara në fushën e kulturës.

Kur përmendet muzika, nuk se si mos të shkojë nëpër mend emri i këngëtarës shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, e cila vitin 2020 e bëri vit të sukseseve në karrierën e saj muzikore.

Janari i viti 2020 e gjeti Dua Lipën si një nga këngëtaret e para shqiptare që arriti t’i ketë dy miliardë klikime vetëm me një video në Youtube, përmes këngës ‘New Rules’.

Ajo u nderua me çmimin “Best British Act”, në edicionin e sivjetmë të ndarjes së shpërblimeve “Global Awards”.

Dua Lipa arriti që të rrëmbej një çmim edhe në “MTV Video Music Award 2020”, ku u nderua në kategorinë “Kënga më efektet më të mira vizuale”, për hitin e saj të padiskutueshëm “Physical”.

Lipa një dominim të jashtëzakonshëm e ka pasur edhe në ndarjen e çmimeve Grammy, ku u nominua gjashtë herë.

Albumi i saj i fundit, “Future Nostalgia” po konsiderohet nga kritikët si albumi më i mirë i vitit 2020.

Ky vit i solli suksese edhe këngëtares tjetër me prejardhje shqiptare, Rita Ora, e cila krahas sukseseve  të arritura me projektet muzikore të publikuara gjatë vitit 2020, u bë edhe anëtare e jurisë në “The Voice of Australia”/

Për më tepër, këngët e tri këngëtareve me prejardhje shqiptare u përfshinë në Top 30 këngët më të mira në botë nga revista Billboard. Këto ishin: Dua LipaBebe Rexha dhe Ava Max.

Një sukses e korri edhe këngëtarja tjetër me famë botërore, Ilira Gashi, e cila njihet për stilin e saj “pa filter” dhe për zërin e saj të mrekullueshëm. Ilira, e cila jeton dhe vepron në Zvicër, tashmë edhe zyrtarisht është ndër këngëtaret më të suksesshme dhe më të dëgjuara në Zvicër, duke mbledhur plot 87.7 milionë klikime në Spotify.

Art & Film

Ky vit solli shumë suksese për krijueset e artit në Kosovë, suksesi i tyre përgjatë vitit 2020 tejkaloi kufijtë kombëtarë.

Sukseset nisën me një nga aktoret më të mira shqiptare, Ilire Vinca, e cila ishte ftuar të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit. Ajo ka një karrierë të pasur si aktore e filmit, teatrit dhe si profesoreshë e aktrimit në Universitetin e Prishtinës.

Aktorja tjetër e mirënjohur nga Kosova, Adriana Matoshi fitoi çmimin “Aktorja më e Mirë” në Festivalin e Francës, për rolin e saj në filmin “Cold November” apo në shqip “Nëntori i Ftohtë”.

Gjatë muajit tetor, Matoshi ka fituar çmimin “Aktorja më e mirë”, në festivalin “Mostra de Venecia”, në Spanjë.

Antoneta Kastrati është regjisorja e njohur shqiptare, e cila me filmin “Zana”, e dërgoi Kosovën në Festivalin e Kinës. Ky film ka korrur sukses jashtëzakonisht të madh nëpër festivale ndërkombëtare të filmit, duke fituar disa çmime.

Filmi ‘Zana’ i regjisores Antoneta Kastratit, po ashtu është futur në mesin e 25 filmave më të mirë të zgjedhur nga ’48 Hills’. Sipas ’48 Hills’, në këtë listë bëjnë pjesë të gjithë filmat për të cilët ne kemi pasur nevojë më shumë se kurrë dhe të cilët janë vlerësuar nga kritikët e filmit.

Sukses të madh korri edhe regjisorja Kaltrina Krasniqi, e cila me filmin e saj të gjatë artistik “Vera andrron detin”, fitoi çmimin “Post Republic”, në Sarajevë.

Viti 2020 i solli suksese edhe aktores dhe shkrimtares shqiptare në SHBA, Erjeta Cufaj, e cila u bë pjesë e jurisë të festivalit ndërkombëtar të filmit “International Filmmaker Festival of  New York 2020” (IFFNY).

Filmi debutues i regjisores dhe skenaristes, Blerta Basholli, “Zgjoi” (Hive), është përzgjedhur në konkurrencë zyrtare kryesore në festivalin e njohur, “Sundance Film Festival”, që do të mbahet gjatë këtij muaji në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Viti 2020 nxori në pah shumë piktore, skulptore dhe ilustratore të reja, të cilat arritën suksese lokale e globale në këtë vit pandemik.

Një ndër to padiskutim është edhe Mimoza Rraci, e cila famë të jashtëzakonshme mori gjatë pandemisë me veprat e saj kushtuar pandemisë.

Madje, piktura e saj për mantelbardhët u bë edhe kartë postale në Tajlandë. Kjo vepër artistike shfaq një mjeke që në maskën e saj ka flamurin e Kosovës.

Së fundmi emër bëri edhe ilustratorja e re nga Kosova, Diellza Gorani, e cila vjen me emrin artistik “Diego”, që inspiruar nga Disney, solli një mori ilustrimesh të grave shqiptare që lanë gjurmë në histori, ku përfshihet emri i Norës së Kelmendit, pastaj Bareshës, etj. Për më tepër, ajo ka realizuar edhe një krijim tjetër artistik, të quajtur “Abetare e ilustruar e Prishtinës”, një minienciklopedi e qytetit, që njëherësh mund të shërbejë si një udhërrëfyes turistik, që ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e kulturës së kryeqytetit të Kosovës.

Sport

Të fundit, por aspak për nga rëndësia, na vijnë sportistet tona, të cilat sikur në secilin vit tjetër, shënojnë në historinë e trojeve shqiptare suksese të jashtëzakonshme, madje edhe në nivel botëror.

Lista nuk ka se si të mos fillojë me Majlinda Kelmendin, e cila që në fillim të vitit 2020 u shpall “Sportistja e Vitit 2019” në Kosovë. Madje, asaj iu ngrit edhe një  shtatore në qytetin e saj të lindjes, në Pejë.

Ajo mori edhe epitetin “Xhudistja më e mirë e dekadës” nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos.

Suksesi i xhudistëve nga Kosova vijon me Distria Krasniqin, e cila fitoi medaljen e artë në Grand Slamin e Xhudos, që u mbajt në Budapest.

Ajo në nëntor fitoi edhe medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të Xhudos, që u mbajt në Pragë të Çekisë.

Në Grand Slamin e Xhudos medalje fitoi edhe xhudistja e re, Loriana Kuka, e cila fitoi medaljen e bronztë. E po të njëjtën medalje e mori edhe në Kampionatin Evropian të Xhudës, në Çeki.

Sukses pati edhe në boks, me ç’rast bokserja nga Kosova, Donjeta Sadiku arriti të fitonte medaljen e argjendtë në turneun ndërkombëtar të boksit, “Balkan”, të mbajtur në Sofje të Bullgarisë.

Kur numërojmë sukseset e futbollisteve shqiptare, Kosovare Asllani mbetet histori suksesi në vete. Ajo u bë pjesë e ekipit të Real Madridit dhe hyri në histori si golashënuesja e parë në historinë e këtij klubi. Ajo vazhdon të mbetet një nga futbollistet më të mira në ligën e Spanjës.

Viti 2020 filloi më së mbari për alpinisten e re, Mrika Nikçi, e cila u bë vajza më e re në botë, dhe atë në moshën 14 vjeçare, që ngjitet në majat më të larta në shtatë kontinente, të njohura si “Seven Summits”.

Urojmë që viti 2021 të jetë po kaq i suksesshëm sikurse ai paraprak./AlbFem/ KultPlus.com

Agim Veliu kërkon falje pas deklaratës për Vjosa Osmanin

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu i ka kërkuar falje Vjosa Osmanit pas deklaratës së tij ku tha se edhe po t’ia lëshonte vendin e gjithë Kryesia, Vjosa Osmanin nuk do ta nxinte.

Veliu tha se nuk ka pasur qëllim që ta fyej Osmanin dhe se nëse dikush është ndjerë keq për atë deklarim i kërkon falje.

“Qëllimi i deklarimit sot nuk ka qenë që ta fyejë sikurse është keqkuptu dekarata ime. Unë kam thënë që nuk e kam ditë që është aq sa t’i liroj vendin një kryesi e një subjekti politik. Nuk ka qenë qëllimi im ta fyej, gjithmonë kam folur në kontestin politik. Me thënë të drejtën jam ndje keq sepse e kam pasë edhe një pyetje a po e mendon kështu apo ashtu. Unë kam thënë nuk e mendoj në atë kuptim si më është bërë pytetja. Nëse dikush është ndjerë keq për atë deklarim unë mund të kërkoj edhe falje, nuk e kam fyer kurrë askënd në asnjë bazë”, tha Veliu në Debat Plus./ KultPlus.com

Osmani mesazh ndërkombëtarëve: Serbia kreu dhunë sistematike kundër popullit tonë

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, u ka bërë një mesazh të fundvitit aleatëve dhe miqve ndërkombëtarë.

Përmes një videoje që ka postuar në llogarinë e saj në Facebook, ajo ka thënë se Serbia ka kryer dhunë sistematike të sponsorizuar nga shteti, kundër popullit të Kosovës.

“Gjatë gjithë historisë sonë, populli i Kosovës vazhdimisht ka demonstruar një dëshirë të madhe për paqe, stabilitet dhe drejtësi. Ndërsa paqja është arritur, lufta për të vërtetën ende vazhdon. Pas më shumë se dy dekadash, plagët e Kosovës nuk mund të shërohen pa drejtësi”.

“Ende sot, kemi me mijëra gra që jetojnë me stigmën e padrejtë për shkak se janë përdhunuar nga forcat serbe gjatë luftës. Ndërsa asnjë person i vetëm nuk është ndjekur penalisht për këtë krim të neveritshëm”.

“Për këto gra që vazhdojnë të vuajnë në heshtje, unë jam e përkushtuar të bëhem zëri i tyre. Ende sot, kemi prindër që dëshirojnë të dinë vendndodhjen e 1600 kosovarëve të zhdukur”.

“Fotografitë e fëmijëve të tyre të dashur, vëllezërve, motrave dhe prindërve varen në muret e shtëpive të tyre si një mënyrë për t’u kujtuar të afërmve të tyre që janë ende të zhdukur. Ata jetojnë me shpresën se një ditë do të gjejnë drejtësi”.

“Serbia kreu dhunë sistematike të sponsorizuar nga shteti, kundër popullit tonë. Kjo rezultoi në më shumë se 13,000 vrasje të popullatës civile gjatë luftës, 1133 prej të cilëve ishin fëmijë”.

“Nisur nga kjo, ne kërkojmë mbështetjen tuaj në ndjekjen tonë për drejtësi për krimet e luftës dhe gjenocidin serb, si dhe kërkimin tonë për përgjegjësi për personat tanë të zhdukur”./ KultPlus.com

Flutura Açka: Vjosa do mbesi për të bërë Kosovë, pse jo dhe pak Shqipëri

Flutura Açka

E shatë Vjosa Osmanin pa pikë turpi, në të vërtetë më shumë e shatë se ju digjet goja të lëvdoni ndonjë grua shqiptare. Vetëm këtë zanat e bëni mirë. Ato që tha Vjosa pikë më pikë i ka numëruar edhe më herët Ramush Haradinaj, por nuk guxuat t’ia përmendni atij kokën e shogët, siç bëtë me ondulacionet e saj, as i kujtuat artikulimin që po bënte kinse skizmë mes shqiptarësh dhe as e akuzuat për majtist. Se nuk jeni burra që të ngrefoseni me një burrë.

Por Vjosa punon në një shtet, o të vrarë, e ju në një pseudoshtet që e vratë dje e hëngrët së brendshmi si tenja bashkë me shefat tuaj, kepucët e të cilëve lëpini përditë.

Jua dha përgjigjjen “Kushtetusja”, gjykata e një shteti, jo surrogatoja që në “hall” na mbeti!

Rrnoftë Kushtetuesja!

Sepse Vjosa do mbesi për të bërë Kosovë, pse jo dhe pak Shqipëri!/ KultPlus.com

Rrëfimi i Vjosa Osmanit në Parlamentin e Shqipërisë: Familjari mu varros për së gjalli nga Enver Hoxha

Kryeparlamentarja dhe ushtruesja e detyrës së Presidentit në Kosovë, Vjosa Osmani, ka mbajtur një fjalim sot në Kuvendin e Shqipërisë.

Nga atje ajo rrëfeu një histori që ndërlidhet me familjen e saj. Osmani rrëfeu se si xhaxhai i nënës së saj është varrosur për së gjalli nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Ajo tha se si historia e familjes së saj, ka edhe me mijëra të tilla të familjeve tjera shqiptare.

“Përgjatë historisë sonë shumë familje janë ndarë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Të tillë e kishte fatin edhe familja ime. Përderisa gjyshi im, babai i nënës sime kishte përjetuar tortura të tmerrshme në burgjet e regjimit serb e në fund edhe kishte vdekur nga ato tortura, në anën tjetër xhaxhai i nënës, pra vëllai tjetër Sylejman Vuçitërna kryetar i Akademisë Ushtarake në Shqipëri kishte mbetur këtu në Shqipëri por u varros për së gjalli nga regjimi i Enver Hoxhës. Kjo histori e dhimbshme e ndarjes së familjes në të dy anët e kufirit është histori e qindra familjeve shqiptare e mijëra familjeve shqiptare”, ka thënë ajo. /Gazeta Express/ KultPlus.com

Osmani: Kuvendi i Shqipërisë duhet të marrë qëndrim për krimet e Serbisë në Kosovë

Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, njëherësh edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës në vizitën dy ditore në Shqipëri ka takuar kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçin.

Gjatë takimit me të Osmani ka kërkuar që Kuvendi i Shqipërisë të marrë qëndrim për krimet e Serbisë në Kosovë, shkruan Gazeta Express.

“Duhet ndiqet shembulli i Kuvendit të Kosovës, i cili ka miratuar një Rezolutë, me të cilën kërkohet dënimi i gjenocidit serb në Kosovë. Sot dialogu me Serbinë është ende i pambyllur ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik. Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territor të saj e as me koncesione të tjera, për politikën gjenocidale që Serbia kishte ndaj nesh. Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje e të dënohet. E jo të shpërblehet”, ka deklaruar ajo.

Osmani ka theksuar rolin e Kuvendit të Kosovës në bashkëpunimin me atë të Shqipërisë, ndaj ka kërkuar mbështetjen dhe ndarjen e përvojave në procesin e integrimit evropian.

“Duhet ta rrisim bashkëpunimin dhe bashkërendimin ndërmjet të të dy Kuvendeve në funksion të shkëmbimeve ndërparlamentare dhe zhvillimit të diplomacisë parlamentare”, është shprehur Osmani.

Ajo pritet që nga ora 12:30 të mbaj një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë. /Gazeta Express/ KultPlus.com

Osmani: Djemtë e vajzat tona në FSK po na bëjnë krenar

Dy vite më parë, Kuvendi i Kosovës, me 106 vota pro miratoi ndryshimet e nevojshme ligjore që hapën rrugën për transformimin e FSK-së në Ushtri të shtetit të Kosovës dhe themeluan Ministrinë tonë të mbrojtjes.

Kjo votë, do të mbetet e shënuar në historinë e re të Republikës sonë si ndër momentet kulminante të përpjekjeve tona të përbashkëta për fuqizim të shtetësisë, mbrojtje të sovranitetit dhe konfirmim të aspiratave tona për anëtarësim në NATO.

Djemtë e vajzat tona në FSK, po vazhdojnë të na bëjnë krenar dhe ta mbajnë Kosovën në piedestalin më të lartë duke lartësuar flamurin tonë e Ushtrinë tonë të përbashkët.

Është detyrë e jona kombëtare që të kontribuojmë në fuqizimin e mëtejmë të ushtrisë sonë, në mënyrë që në bashkëpunim me miqtë e partnerët tanë strategjik, ta shohim atë si ndër ushtritë më të sukseshshme që kontribuojnë në paqe e siguri në Kosovë, rajon dhe më gjerë.

Lavdi të gjithë atyre që dhanë jetën në mënyrë që ne sot të gëzojmë Ushtrinë e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Dekorohet nga Presidenca aktivistja Sevdije Ahmeti

Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka dekoruar humanisten Sevdije Ahmeti, shkruan KultPlus.

Dekorata “Urdhri Dr. Ibrahim Rugova” iu është dorëzuar familjes së Sevdije Ahmetit, e cila ishte një aktiviste e pashoq që kishte vdekur në vitin 2016.

Ahmeti do të kujtohet si ideatore dhe shtyllë e lëvizjes së grave në Kosovë, duke përkrahur përherë interesat dhe të drejtat e tyre.

Pas luftës, Ahmeti ishte ndër të parat që inicioi çështjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë. / KultPlus.com

Osmani: Serbia duhet ta pranojë gjenocidin ndaj shqiptarëve, krimi s’mund të fshihet

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, njëherësh ushtruese e detyrës së presidentes, në seancën e veçantë për nderim të viktimave të krimit të gjenocidit, tha se duhet edhe njëherë të ngritët zëri për krimin gjenocidal të kryer nga regjimi serb i Millosheviqit.

Duke iu drejtuar edhe familjarëve të viktimave të këtij krimi serb, Osmani ka përmendur edhe shifrat e të zhdukurve.

“Jemi mbledhur, pra, për ta ridëshmuar plagën tonë të pambyllur, për vrasjen e mbi 13.000 njerëzve tanë, shumica prej të cilëve civilë, gra, pleq e fëmijë, mbi 1.600 nga të cilët ende mbajnë statusin e “personave të pagjetur”. Por, ata nuk janë thjesht të pagjetur. Ata janë “të pagjetur të fshehur” nga pushteti pasardhës i regjimit që kreu gjenocid mbi ta”, u shpreh Osmani.

Osmani tutje ka shtuar se dhuna mbi viktimat e gjenocidit serb, është sistematike, nga vrasja e tyre në fshehjen e tyre e në thirrjen e regjimit të sotëm serb për mosdhënie të informative për ta.

“Serbia duhet ta pranojë peshën historike të gjenocidit ndaj shqiptarëve. Ajo duhet të detyrohet që të japë informata për dhunën sistematike ndaj viktimave. Ajo duhet t’u përgjigjet thirrjeve për ofrim të informatave mbi krimet e kryera mbi viktimat dje dhe mbi ta e mbi familjet sot”, u shpreh Osmani.

U.d e presidentes, tha gjithashtu se krimi i kryer nga Serbia nuk mund të fshihet.

“Fshehja e krimit është krim i ri, po aq i tmerrshëm sa ai i pari, për t’i dëshmuar vetes e botës se rrëfimi mbi gjenocidin është i domosdoshëm, sepse ai dëshmon të kaluarën tonë. Ikja nga të rrëfyerit për përjetimin është mohim i ekzistimit të tij”, tha tutje ajo.

Osmani ka shtuar gjithashtu se Kosova do dialog, por vetëm me njohje reciproke.

“Ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, vetëm duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik. Mbi të gjitha, duke kërkuar me ngulm që Serbia ta pranojë peshën e fajit historik. A është Serbia e gatshme? Jo”, u shpreh Osmani në këtë seancë të veçantë./ Koha.net/ KultPlus.com

Vjosa Osmani: Premiera e baletit ‘Sisters’ ishte thirrje për vëmendje ndaj artistëve

Teksa dje u dha premiera e veprës “Sisters”, e pranishme për të shijuar magjinë që krijuan balerinët e Baletit Kombëtar ishte edhe ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.

Osmani ka çmuar lartë këtë shfaqje e cila ishte dedikim për “babain” e Baletit në Kosovë, Ahmet Brahimaj. Ajo e vlerësuar premierën e shfaqjes “Sisters” si një thirrje për vëmendje ndaj artistëve të vendit të cilët veprojnë në sfera të ndryshme kulturore.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e u.d. Presidentes, Vjosa Osmani:

Janë padyshim disa nga ditët më të vështira këto me të cilat po ballafaqohemi, për shkak të pandemisë. Por rikthimi mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës për të parë premieren e baletit ‘Sisters’ ishte shpresëdhënës, frymëzues, por njëkohësisht, një thirrje për vëmendje. Thirrje për vëmendje të shtuar ndaj artistëve tanë, qofshin baletanë, kineastë, kompozitorë, piktorë, skulptorë, regjisorë, të gjithë ata që me mjeshtrinë e talentin e tyre e ngjyrosin jetën, momentet e veçanta, skenën ku ata përformojnë me ngjyra, lëvizje e tinguj shpesh përtej imagjinatës tonë.

E di që fjalët nuk mjaftojnë për të adresuar sfidat e tyre, që për fat të keq janë të shumta, por sonte jam plot fjalë mirënjohjeje ndaj tyre. Sidomos ndaj Baletit Kombëtar të Kosovës, një grup fantastik i vajzave dhe djemve të talentuar, e mbi të gjitha shumë punëtorë, të përkushtuar dhe këmbëngulës, që përkundër sfidave për shkak të kushteve të vështira të punës si dhe sfidat e shkaktuara nga pandemia, sollën në skenë një performancë për çdo lëvdatë. Ju lumtë!

Kjo shfaqje e baletit e dedikuar mjeshtrit të ndjerë, z. Ahmet Brahimaj, është mirënjohje për punën e pashoq të tij për të mbajtur gjallë dhe për të kultivuar baletin në Kosovë. Le të na shërbej në të tjerve si thirrje për këndjellje dhe për vlerësim për punën, kontributin, dhe veprën e gjithë artistëve tanë! / KultPlus.com

Versioni i veçantë i këngës “Dhurata” në ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të veçanta

Gjashtë fytyra publike të fushave të ndryshme janë bashkuar me gjashtë nëna të fëmijëve me aftësi të veçanta në përkrahje të fushatës “Ti barabartë unë” në ditën ndërkombëtare të tyre, shkruan KultPlus.

Në një video të mrekullueshme në kuadër të kësaj fushate, nënat, fëmijët dhe fytyrat publike sjellin pamje të interpretimit të këngës “Dhurata” të Miriam Canit dhe Alban Skënderajt.

Lyrical Son, Miriam Cani e Alban Skënderaj, Vjosa Osmani, Meriton Mjekiqi, Sellma Kasumoviq dhe Osman Azemi janë ata të cilët u janë bashkuar kësaj nisme

Përgjatë videos shohim se bëhet edhe komunikimi nëpërmjet gjuhës së shenjave, që është edhe një shkëndijë tjetër sensibilizuese për këtë kategori të veçantë të shoqërisë sonë.

Kjo video e përcjellur me këtë këngë shpreh më së miri mesazhin që personat me aftësi të veçantë duhet të trajtohen çdo ditë si dhuratë e jona. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/tv/CIVvt9dgqq7/?igshid=1nphtp95f0i7o&fbclid=IwAR05QImulPcJ0ccvHYqSCt_PUUiFFhFa4Ex-gQKjaijDaDbPcEYIpSz5E98

Vjosa Osmani inicion themelimin e Bibliotekes “Ibrahim Rugova”

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se janë iniciuar procedurat për themelimin e Bibliotekës Presidenciale, e cila do të emërtohet me emrin e presidentit të parë të Kosovë, Ibrahim Rugovës, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një statusi në Facebook ajo ka thënë se ky akt shënon nismën e një traditë të vyer të ruajtjes dhe të promovimit të traditës shtetërore.

Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:

Sot, në ditën e lindjes së presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, kemi inicuar procedurat për themelimin e Bibliotekës Presidenciale, e cila do të emërtohet me emrin e themeltarit të shtetit, presidentit të parë të Kosovës, “Dr. Ibrahim Rugova”.

Me këtë akt ne nisim një traditë të vyer të ruajtjes dhe të promovimit të traditës shtetërore. Bibliotekat, krahas arkivave e muzeve, ruajnë kujtesën e një populli dhe e mbajnë të gjallë vetëdijen për shtetin. Biblioteka Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova” do ta jetësojë kujtesën tonë për njërin ndër institucionet themelore të vendit, Presidencën e Kosovës.

Krahas akteve presidenciale, vendimeve, dekreteve, dhuratave, shkresave zyrtare e fotografive, biblioteka do ta mbledhë edhe krijimtarinë e dr. Rugovës, përfshirë librat dhe dorëshkrimet e dr. Rugovës, si dhe njësi të shumta bibliografike për të. Së shpejti, biblioteka do të përfshijë edhe koleksione të tjera të veçanta. Modeli i bibliotekave presidenciale është traditë edhe në SHBA, shtet me të cilën kultivojmë miqësi të hershme e të përhershme./ KultPlus.com

Osmani: Rugova, dijetar i shquar e politikan humanist, vizioni i të cilit i parapriu shtetësisë së Kosovës

Sot është datëlindja 76-të e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ushtruesja e detyrës së postit të presidentit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka nderuar sot figurën e Rugovës ku bëri homazhe tek varri i tij dhe tutje ka theksuar se Rugova është themeltari i shtetit të Kosovës, një personalitet i jashtëzakonshëm historik dhe politikan humanist.

“Në ditëlindjen e themeltarit të shtetit, Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, kujtuam personalitetin e jashtëzakonshëm historik, dijetarin e shquar të Kosovës e politikanin humanist, vizioni i të cilit i parapriu shtetësisë së Kosovës”, shkruan Osmani e cila tutje shprehet se tri postulatet e tij na dëshmojnë e rikujtojnë se pavarësia është e plotë nëse janë të plota liritë njerëzore, se liria është e përhershme dhe e qëndrueshme vetëm nëse shoqëria është demokratike dhe e përkushtuar ndaj vlerave të saj dhe nëse respektohet rendi dhe ligji e nuk bashkëpunohet me krimin.” / KultPlus.com

Rifat Jashari dekorohet nga presidenca me “Urdhrin e Lirisë”

Rifat Jashari, vëllau i komandantit legjendar, Adem Jashari është dekoruar sot nga presidenca me Urdhrin e Lirisë, shkruan KultPlus.

Në një postim në Facebook ushtruesja e detyrës së presidentes, Vojsa Osmani ka njoftuar se ndarja e këtij urdhri është nderim jo vetëm për Rifat Jasharin si një trashëgimtar i shpirtit të komandantit dhe familjarëve të tjerë të rënë, por edhe mirënjohje për atdhetarin që nuk pushon kurrë sa herë që i jepet rasti ta ngrisë zërin për unitet e bashkim rreth vlerave të lirisë.

Ndarja e Urdhrit të Lirisë, Rifat Jasharit i është bërë në ditën e flamurit dhe ditëlindjen e komandantit Adem Jashari.

Osmani ka shtuar se Rifat Jashari është shenja më tipike e gjallë e Shaban Jasharit, komandant Adem Jasharit dhe Hamzës. Ajo ka thënë se ai është vazhdimësia e përpjekjes për liri dhe për një Kosovë siç e deshën të gjithë të rënët e familjes Jashari e më gjerë.

Krejt në fund Vjosa Osmani ka treguar se ceremonia e ndarjes së Urdhrit do të organizohet në Presidencë pas kthimit të Rifat Jasharit në Kosovë.

Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:

Liria e një populli merr kuptimin kur secili në mënyrën e vetë kontribuon në arritjen e të drejtave elementare.

Rifat Jashari është vetëm njëri nga anëtarët e familjes Jashari, i cili ishte krah rezistencës së kësaj familje që vuri themelet e lirisë së Kosovës. Ai ishte aty më 30 dhjetor të vitit 1991, kur bashkë me Ademin e Hamzën, rezistuan ndaj sulmit të forcave serbe, të bindur se liria nuk ka kusht.

Në të njëjtën vazhdë, më 22 janar, 1998, në sulmin e forcave serbe është plagosur vajza e Rifatit, Iliriana.

Teksa në mars të vitit 1998, në mesin e anëtarëve të familjes Jashari vritet gruaja e Rifatit bashkë me tri vajzat e tij.

Por, kjo nuk është e tëra që bëri Rifati për lirinë e vendit. Ai është shenja më tipike e gjallë e Shaban Jasharit, komandant Adem Jasharit dhe Hamzës. Ai është vazhdimësia e përpjekjes për liri dhe për një Kosovë siç e deshën të gjithë të rënët e familjes Jashari e më gjerë.

Me mesazhet e tij, Rifati prej kohësh është shndërruar në një zë të familjes Jashari që thërret për unitet për ta bërë Kosovën siç duam.

Prandaj sot, më 28 nëntor, në këtë festë të të gjithë shqiptarëve dhe në ditëlindjen e komandantit legjendar të UÇK-së, kam vendosur t’i ndajë Urdhrin e Lirisë, bacës Rifat Jashari. Akordimi i Urdhrit të Lirisë për Rifat Jasharin është nderim ndaj jo vetëm atij si një trashëgimtar i shpirtit të komandantit dhe familjarëve të tjerë të rënë, por mirënjohje për atdhetarin që nuk pushon kurrë sa herë që i jepet rasti ta ngrisë zërin për unitet e bashkim rreth vlerave të lirisë.

Ceremonia e ndarjes së Urdhrit do të organizohet në Presidencë sapo të kthehet baca Rifat në Kosovë./ KultPlus.com

Osmani i shkruan Metës për 28 Nëntor, thotë se kjo është ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar

Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një telegrami i ka uruar 28 Nëntorin, Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta dhe të gjithë shqiptarëve.

Në letrën e Osmanit thuhet se 28 Nëntori shënon ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar.

“28 Nëntori shënon ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar. Ajo na mbledh përreth së kaluarës sonë dhe shndërrohet në shtysë të fuqishme për ta jetësuar vizionin tonë. Prandaj, tash kur vizioni i brezave për liri është kurorëzuar edhe me pavarësinë e Kosovës, lidhjet shpirtërore ndërmjet dy shteteve tona duhet të forcohen. Shqipëria dhe Kosova, njëra fëmijë i fillimshekullit XX e tjetra e fillimshekullit XXI, të dyja rrjedhojë e ngulmimit për vlerat e lirisë dhe e aleancave të fuqishme me qytetërimin perëndimor, po shndërrohen dalëngadalë në faktor stabiliteti e paqeje në rajon. Ato po ecin krahas njëra-tjetrës, si dy shtete sovrane, në procesin e integrimit evropian, duke e njohur dhe ndihmuar njëra-tjetrën”, thuhet në letrën e Osmanit dërguar Presidentit Meta.

Komunikata e plotë:

Osmani: 28 Nëntori- ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar

U.d. Presidentja e Kosovës, njëherësh kryetare e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, nëpërmjet një telegrami e ka uruar Presidentin e Shqipërisë, z. Ilir Meta për festën e madhe të Flamurit, 28 Nëntorin!  

“Flamuri kombëtar prek ndjenjën e ekzistimit të kombit në histori. Ai është trashëgimi e përjetësuar në simbol. Qysh nga koha e Skënderbeut, ai i bën krenarë shqiptarët dhe i bashkon rreth një fryme. Prandaj, ata janë fort të lidhur për të, sepse, përveç tjerash, ua simbolizon lirinë. Kështu qe në Krujë, më 1443, në Vlorë më 1912 e në Prishtinë, më 1999. Prandaj, nuk është aspak rastësi që shqiptarët janë ndër të paktët popuj, i cili, duke treguar respektin e skajshëm ndaj këtij simboli, e ka lartësuar atë edhe në simbolin tjetër, himnin kombëtar”, thuhet në telegramin e u.d. Presidentes dërguar presidentit Meta.

Në telegram, thuhet se Dita e Flamurit është e veçantë, ndaj duhet rikujtuar trashëgimia jonë historike e kulturore.

“28 Nëntori shënon ditë krenarie e shprese për çdo shqiptar. Ajo na mbledh përreth së kaluarës sonë dhe shndërrohet në shtysë të fuqishme për ta jetësuar vizionin tonë. Prandaj, tash kur vizioni i brezave për liri është kurorëzuar edhe me pavarësinë e Kosovës, lidhjet shpirtërore ndërmjet dy shteteve tona duhet të forcohen. Shqipëria dhe Kosova, njëra fëmijë i fillimshekullit XX e tjetra e fillimshekullit XXI, të dyja rrjedhojë e ngulmimit për vlerat e lirisë dhe e aleancave të fuqishme me qytetërimin perëndimor, po shndërrohen dalëngadalë në faktor stabiliteti e paqeje në rajon. Ato po ecin krahas njëra-tjetrës, si dy shtete sovrane, në procesin e integrimit evropian, duke e njohur dhe ndihmuar njëra-tjetrën”, përfundon telegrami i u.d. Presidentes Osmani dërguar Presidentit Meta. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Flamuri kuq e zi vendoset para Kuvendit dhe Presidencës së Kosovës

Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani nëpërmjet një postimi ka bërë të ditur që flamuri kombëtar ka marrë vendin para ndërtesës së Kuvendit dhe Presidencës së Kosovës, shkruan KultPlus.

Krahas flamurit të Kosovës dhe atij të Evropës, tanimë në këto dy institucione të vendit përgjatë festës kombëtare do të qëndroj edhe flamuri kuq e zi.

KultPlus ua sjell shkrimin e Osmanit:

Për nder të Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit, para ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe para zyrës se Presidentit të Republikës, është vendosur flamuri kombëtar shqiptar, krahas atij shtetëror të Republikës së Kosovës.

Flamuri do të qëndrojë aty përgjatë festës së 28 Nëntorit.

Urime të gjithëve Dita e Flamurit! / KultPlus.com

Vjosa Osmani shkarkon djalin e Haxhi Shalës dhe 3 konsuj tjerë në Lubjanë, Shkup e Tiranë

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka shfuqizuar katër dekrete për konsuj të përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

Siç thuhet në komunikatën për media, sa i përket tri rasteve të para, bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe Ambasada.

“Për më tepër, bazuar në informatat që na janë dërguar, për këta konsuj të përgjithshëm nuk kishte ekzekuaturë/pëlqim nga shteti pritës. Ndërkaq, sa i përket rastit të katërt, atij të konsullit në Tiranë, u.d. Presidentja Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin për emërimin e konsullit të përgjithshëm, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, propozim ky i cili nuk ishte marrë për bazë nga Presidenti paraprak”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Osmani iu drejtohet viktimave të dhunës: Unë do te flas për ju çdo ditë, deri ditën kur do të mund të ngrisni zërin për veten tuaj

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave ka thënë se Kosova këtë ditë e shënon në një stad më të avancuar të kornizës ligjore, shkruan KultPlus.

Osmani tha se Izolimi për shkak të virusit u shndërrua në katalizator të dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Vjosa Osmani shtoi se parandalimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave është edhe i domosdoshëm.

Më poshtë mund të lexoni statusin e saj:

Dy muaj më parë, më 25 shtator, Kuvendi i Kosovës votoi unanimisht për përfshirjen e Konventës së Stambollit, në Kushtetutën e vendit. Sot, më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, Kosova e shënon këtë ditë duke qenë në një stad më të avancuar sa i përket kornizës legjislative për luftimin e një pandemie që po zhvillohet me hov të shtuar dhe në hije krah për krah me pandeminë Covid-19. Por kjo nuk mjafton. Izolimi për shkak të virusit u shndërrua në katalizator të dhunës ndaj grave dhe vajzave. Çdo formë e dhunës përbën shkelje të të drejtave të njeriut.

Por, dhuna triumfon vetëm kur ne heshtim! Parandalimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave jo vetëm që është i mundur, por është edhe i domosdoshëm. Sepse, përveç se një gjë e tillë është demonstrim i përkushtimit tonë për respektim të plotë të të drejtave të njeriut, parandalimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave ka aftësinë për të shpëtuar jetë dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës për çdonjërin nga ne. Të gjithë ne kemi një rol për të luajtur, duke filluar nga investimi në vetvete, angazhimi për  ndërgjegjësim të të tjerëve, duke sfiduar stereotipet, e duke edukuar brezin e ardhshëm në frymën e barazisë gjinore.

Shoqëria jonë ka ende shumë për të bërë për viktimat e kësaj pandemie në hije, por në këtë ditë dua t`u rikujtoj që: Unë ju dëgjoj! Unë ju besoj! Unë qëndroj pas jush! Unë do flas për ju çdo ditë deri ditën kur ju do të mund të ngrisni zërin vetë për veten tuaj!/ KultPlus.com

Vjosa Osmani do të dekoroj me medaljen e meritave të gjithë punonjësit shëndetësorë të vdekur nga virusi

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se do të dekoroj me Medalje Presidenciale të Meritave, punonjësit shëndetësor të cilët derisa aktivisht po ofronin shërbime shëndetësore, u infektuan me Covid-19 dhe humbën jetën nga ky infeksion, shkruan KulPlus.

Ajo ka thënë se ceremonia do të organizohet së shpejti në Presidencë në prani të familjarëve.

Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:

Mijëra punonjës shëndetësor u infektuan nga virusi Covid-19, si vija e parë e përballjes me pandeminë. Përderisa shumica i mbijetuan këtij virusi të rrezikshëm dhe menjëherë u kthyen në shërbim të pacientëve, disa prej tyre, për fat të keq, humbën jetën në këtë përballje. Kontributi i tyre, duke dhënë edhe jetën vetëm e vetëm për t’i shërbyer pacientëve të tyre, duke respektuar betimin e Hipokratit deri në frymën e fundit, meriton të nderohet nga të gjithë ne.

Prandaj, në përputhje me përgjegjësitë e mia kushtetuese, kam vendosur që të dekorojë, post mortem, me Medaljen Presidenciale të Meritave, punonjësit shëndetësor të cilët derisa aktivisht po ofronin shërbime shëndetësore, u infektuan me Covid-19 gjatë pandemisë, dhe humbën jetën e tyre nga ky infeksion.

Ceremoninë e ndarjes së dekoratave do ta organizojmë së shpejti në Presidencë, në prani të familjarëve. Ndërkaq lista e të dekoruarve do të përditësohet konform informatave që i marrim nga institucionet përgjegjëse./ KultPlus.com

Osmani: Të punojmë çdo ditë për ta ndërtuar Kosovën që e ëndërrojnë fëmijët

U.d. Presidentja, Vjosa Osmani me rastin e Ditës Universale të të Drejtave të Fëmijëve bashkëbisedoi sot në një takim online me 30 fëmijë nga Asambletë Komunale të fëmijëve të Prizrenit, Prishtinës, Gjilanit e Gjakovës.

Ky bashkëbisedim u realizua për nder të 20 Nëntorit, i cili me vendim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara është ditë që i kushtohet të drejtave të fëmijëve. 

U.d. Presidentja Osmani i uroi fëmijët me rastin e ditës së tyre dhe shprehu keqardhje që shkaku i rrethanave të krijuara nga pandemia Covid-19, nuk pati mundësi t`i mirëpresë ata në Presidencë.

Osmani i siguroi ata për mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, në funksion të përmirësimit të mirëqenies dhe bërjes së Kosovës siç e ëndërrojnë ata.

“Vendi ynë është vend më i mirë, kur fëmijëria juaj është e bukur dhe e shëndetshme, kur çdo shok e shoqe e lagjes tuaj, fshatit apo qytetit tuaj ka mundësi të shkollohet dhe të marr edukim cilësor, kur ju mund të lozni në parqe e në ajër të pastër, kur mundësitë tuaja për tu avancuar dhe për të fituar vazhdimisht shkathtësi të reja janë të shumta e lehtë të qasshme”, është shprehur u.d. Presidentja. Ajo tha se  beson fuqishëm në këtë, ngase: “Kur fëmijët janë mirë, të shëndetshëm, mirë të edukuar, dhe të fuqizuar, e tillë do të jetë edhe e ardhmja e vendit tonë”. 

Në bashkëbisedimin virtual me më të vegjlit, u.d. Presidentja pati rastin të njoftohet edhe me punën e Asambleve Komunale të fëmijëve, sfidat dhe kërkesat e fëmijëve nga komunat përkatëse. Ndërkaq fëmijët shfrytëzuan rastin t’i adresojnë u.d Presidentes një sërë pyetjesh që kanë të bëjnë me  punën e saj./ KultPlus.com

Osmani reagon për gjetjet mortore në Serbi: Fshehja e fakteve është krim në vete


Ushtruesja e detyrës së postit të presidentes, Vjosa Osmani, ka reaguar për gjetjen e mbetjeve mortore në një lokacion në Serbi ditë më parë.

Osmani është shprehur se Serbia po kërkon që të shtyhet zhvarrosja e tyre, sepse dëshiron të vazhdojë të fshehë krimin. Andaj sipas saj, pranimi i fajit, kërkimfalja dhe vendosja e drejtësisë janë tri parakushtet për stabilitet, fqinjësi të mirë dhe paqe të qëndrueshme!

Ky është postimi i plotë i Osmanit:

Mbi 13 mijë civilë janë vrarë nga Serbia në luftën e fundit në Kosovë, shumë prej të cilëve ishin fëmijë. Mbi 13 mijë njerëz sot nuk janë, në mënyrë që ne të kemi më shumë zë, në mënyrë që lirshëm të mund ta ngrisim atë zë. Përtej detyrimit politik, si përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve është mbi të gjitha obligim njerëzor e human që këtë zë ta ngrisim për viktimat dhe familjet e tyre. Çdo ditë, në çdo vend e para cilësdo palë. Sepse e vërteta e Kosovës, është e vërtetë e dhimbjes, sakrificës, humbjes së më të dashurve, e vërtetë e nënave që humbën fëmijët, e vërtetë e fëmijëve që mbetën pa prindër, e vërtetë e familjarëve që panë tmerrin me sy, e shpëtuan pikërisht për të treguar këtë tmerr, siç thoshte edhe At Zef Pllumi: “Rrno për me tregue”.

Në varrezat masive në Serbi, u gjetën pjesë të trupave të civilëve, shumica prej të cilëve gra (përfshirë gra shtatzëna) e fëmijë, u gjetën lodra, receta barnash, rroba fëmijësh, e gjësende të tjera të njerëzve tanë, të pafajshëm, të cilët u vranë në mënyrat më mizore vetëm pse ishin shqiptarë.

Gjetja e mbetjeve mortore në një lokacion në Rashkë të Serbisë, disa ditë më parë, rikthen vëmendjen te 1643 personat e pagjetur, për të cilët ende familjet presin në ankth dhe për të cilat nuk ka informacion as shteti i Kosovës. Serbia kërkon që të shtyhet zhvarrosja e tyre, sepse dëshiron të vazhdojë të fshehë krimin. Fshehja e fakteve është krim në vete, ndaj çfarëdo vonese në këtë plan, është krim i dyfishtë. Veprimet gjenocidale të Serbisë në Kosovë ende nuk kanë marrë përgjigje. Pranimi i fajit, kërkimfalja dhe vendosja e drejtësisë janë tri parakushtet për stabilitet, fqinjësi të mirë dhe paqe të qëndrueshme!

Prandaj secili njeri racional në Kosovë, kurrë nuk duhet të lodhet së treguari të vërtetën e së ngrituri zërin për njerëzit që humbëm si rezultat i politikave gjenocidale të Serbisë. Ne nuk jemi lodhur e nuk do të lodhemi kurrë së dëgjuari familjet e viktimave, sepse ata e tregojnë të vërtetën e Kosovës. Mirëpo jemi lodhur nga politikanë të papërgjegjshëm, të cilët tregojnë mosdurim ndaj së vërtetës e ndaj familjeve të viktimave, ndërkaq tolerancë ndaj politikave mohuese të Serbisë!

Për të gjithë ata që pyesin “Çfarë ka Kosova për t’i dhënë Serbisë si kompromis në dialog”, përgjigja jonë, njëzëri, duhet të jetë: Dëgjoni rrëfimet e familjeve të viktimave. Kosova nuk ka asgjë tjetër për të dhënë. Kosova ka dhënë më të shtrenjtit e saj…Ka dhënë fëmijët e saj. Kjo është e vërteta të cilën nuk do të lodhemi asnjëherë duke e treguar! / KultPlus.com

Vjosa Osmani infektohet me koronavirus

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se është infektuar me COVID-19.

Përmes një postimi në Facebook, ajo tregon se pas disa dyshimeve ajo ka bërë testin dhe ka rezultuar pozitiv me Covid-19.

Osmani ka treguar se do të punojë nga shtëpia në dy javët e ardhshme, po ashtu takimet do t’i mbajë përmes platformave elektronike.

Postimi i plotë i Osmanit:

Të nderuar qytetarë!

Pasi disa të afërm me të cilët kisha kontakt rezultuan pozitivë në testin për Covid-19, u testova në IKSHKP dhe pak më parë u njoftova se edhe unë kam rezultuar pozitiv.

Në dy javët e ardhshme do të punoj nga shtëpia, duke u kujdesur që secili dokument a vendim që kërkon shqyrtim e vendimmarrje dhe që lidhet me përgjegjësitë e mia në të dy funksionet shtetërore që i ushtroj, të trajtohet në kohë. Po ashtu, një numër takimesh do t’i vazhdoj nëpërmjet platformave elektronike.

Përkundër kujdesit maksimal, po shihet që këto ditë virusi është kudo, më i përhapur se kurrë më parë, njëjtë i rrezikshëm si çdoherë. Prandaj, uroj që ta tejkalojmë këtë sfidë bashkërisht, duke mos e injoruar rrezikun nga virusi dhe kujdesin që duhet treguar.

Mirëmbetshi e shëndet të gjithëve! / KultPlus.com

Vjosa Osmani uron Biden për fitoren: Pak njerëz i kanë njohur vuajtjet e popullit të Kosovës aq mirë sa Joe Biden

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani , ka reaguar pas fitores së Joe Biden.

Osmani nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar se pak njerëz i kanë njohur vuajtjet e popullit të Kosovës aq mirë sa presidenti i sapozgjedhur i Amerikës, Joe Biden.

Tutje ajo ka shtuar se është një nderë i jashtëzakoshëm për të që në emër të popullit më proamerikan në botë ti uroj Presidentit Amerikan, Joe Biden dhe Zëvëndës Presidentes Kamala Harris për zgjedhjen e tyre në krye të demokracisë botërore.

Prandaj, është nder i jashtëzakonshëm sot, që në emër të popullit të Republikës së Kosovës, popullit më proamerikan në botë dhe U.D. Presidente e shtetit që ai ndihmoi të ndërtohej, ta uroj Presidentin Joe Biden dhe Zëvendës Presidenten Kamala Harris për zgjedhjen e tyre në krye të demokracisë botërore, të vendit të shpresave e ëndrrave të të gjithëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Osmani.

Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:

Pak njerëz i kanë njohur vuajtjet e popullit të Kosovës aq mirë e aq afër sa Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-ve, Joe Biden.

Pak njerëz i kanë qëndruar pranë Kosovës në kohën kur ai na u gjend pranë.

Ai ishte zëri ynë, kur ne nuk kishim zë.

Sepse mbrotja e jetës e dinjitetit njerëzor, për të ishte mbi të gjitha.

Populli i Kosovës i shpëtoi shfarosjes nga regjimi serb për shkak të mbështjetjes bipartizane nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por shpëtoi edhe për shkak të njerëzve si Joe Biden. Sepse ai nuk heshti kur ne tentonin të na zhduknin nga faqja e dheut. Nuk qëndroi indiferent para padrejtësive, në Kosovë e gjetiu. Prandaj edhe sonte, teksa një gazetar në CNN me lot në sy po komentonte fitoren e Biden, ai e tha atë që po e mendonim dhe ndjenim që të gjithë: “Nga sot është më e lehtë të jesh prind. Karakteri ka rëndësi. Ta thuash të vërtetën ka rëndësi. Të jesh njeri i mirë ka rëndësi”.

Joe Biden nuk e ktheu kokën prapa kur ne e përjetuam ferrin nga shteti i Serbisë. Jo vetëm pse ishte politikan i jashtëzakonshëm e i mirë, por sepse ishte edhe njeri i mirë. Si i tillë ai nuk mbyllte sytë kur një popull shtypej, por na doli në krah.

Prandaj, është nder i jashtëzakonshëm sot, që në emër të popullit të Republikës së Kosovës, popullit më proamerikan në botë dhe U.D. Presidente e shtetit që ai ndihmoi të ndërtohej, ta uroj Presidentin Joe Biden dhe Zëvendës Presidenten Kamala Harris për zgjedhjen e tyre në krye të demokracisë botërore, të vendit të shpresave e ëndrrave të të gjithëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Do të punojmë së bashku, që raportet tona speciale e aleanca jonë strategjike të forcohen edhe më tej. E mbi të gjitha, do të punojmë ta bëjmë Kosovën vend të drejtë e me mundësi të barabarta për të gjithë, në mënyrë që t’i bëjmë krenar edhe miqtë tanë si dhe Presidentin Biden!

Zoti e bekoftë Kosovën!

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Zoti e bekoftë miqësinë tonë të përhershme e të përjetshme!/KultPlus.com