Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave ka thënë se Kosova këtë ditë e shënon në një stad më të avancuar të kornizës ligjore, shkruan KultPlus.
Osmani tha se Izolimi për shkak të virusit u shndërrua në katalizator të dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Vjosa Osmani shtoi se parandalimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave është edhe i domosdoshëm.
Më poshtë mund të lexoni statusin e saj:
Dy muaj më parë, më 25 shtator, Kuvendi i Kosovës votoi unanimisht për përfshirjen e Konventës së Stambollit, në Kushtetutën e vendit. Sot, më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, Kosova e shënon këtë ditë duke qenë në një stad më të avancuar sa i përket kornizës legjislative për luftimin e një pandemie që po zhvillohet me hov të shtuar dhe në hije krah për krah me pandeminë Covid-19. Por kjo nuk mjafton. Izolimi për shkak të virusit u shndërrua në katalizator të dhunës ndaj grave dhe vajzave. Çdo formë e dhunës përbën shkelje të të drejtave të njeriut.
Por, dhuna triumfon vetëm kur ne heshtim! Parandalimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave jo vetëm që është i mundur, por është edhe i domosdoshëm. Sepse, përveç se një gjë e tillë është demonstrim i përkushtimit tonë për respektim të plotë të të drejtave të njeriut, parandalimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave ka aftësinë për të shpëtuar jetë dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës për çdonjërin nga ne. Të gjithë ne kemi një rol për të luajtur, duke filluar nga investimi në vetvete, angazhimi për ndërgjegjësim të të tjerëve, duke sfiduar stereotipet, e duke edukuar brezin e ardhshëm në frymën e barazisë gjinore.
Shoqëria jonë ka ende shumë për të bërë për viktimat e kësaj pandemie në hije, por në këtë ditë dua t`u rikujtoj që: Unë ju dëgjoj! Unë ju besoj! Unë qëndroj pas jush! Unë do flas për ju çdo ditë deri ditën kur ju do të mund të ngrisni zërin vetë për veten tuaj!/ KultPlus.com
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se do të dekoroj me Medalje Presidenciale të Meritave, punonjësit shëndetësor të cilët derisa aktivisht po ofronin shërbime shëndetësore, u infektuan me Covid-19 dhe humbën jetën nga ky infeksion, shkruan KulPlus.
Ajo ka thënë se ceremonia do të organizohet së shpejti në Presidencë në prani të familjarëve.
Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:
Mijëra punonjës shëndetësor u infektuan nga virusi Covid-19, si vija e parë e përballjes me pandeminë. Përderisa shumica i mbijetuan këtij virusi të rrezikshëm dhe menjëherë u kthyen në shërbim të pacientëve, disa prej tyre, për fat të keq, humbën jetën në këtë përballje. Kontributi i tyre, duke dhënë edhe jetën vetëm e vetëm për t’i shërbyer pacientëve të tyre, duke respektuar betimin e Hipokratit deri në frymën e fundit, meriton të nderohet nga të gjithë ne.
Prandaj, në përputhje me përgjegjësitë e mia kushtetuese, kam vendosur që të dekorojë, post mortem, me Medaljen Presidenciale të Meritave, punonjësit shëndetësor të cilët derisa aktivisht po ofronin shërbime shëndetësore, u infektuan me Covid-19 gjatë pandemisë, dhe humbën jetën e tyre nga ky infeksion.
Ceremoninë e ndarjes së dekoratave do ta organizojmë së shpejti në Presidencë, në prani të familjarëve. Ndërkaq lista e të dekoruarve do të përditësohet konform informatave që i marrim nga institucionet përgjegjëse./ KultPlus.com
U.d. Presidentja, Vjosa Osmani me rastin e Ditës Universale të të Drejtave të Fëmijëve bashkëbisedoi sot në një takim online me 30 fëmijë nga Asambletë Komunale të fëmijëve të Prizrenit, Prishtinës, Gjilanit e Gjakovës.
Ky bashkëbisedim u realizua për nder të 20 Nëntorit, i cili me vendim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara është ditë që i kushtohet të drejtave të fëmijëve.
U.d. Presidentja Osmani i uroi fëmijët me rastin e ditës së tyre dhe shprehu keqardhje që shkaku i rrethanave të krijuara nga pandemia Covid-19, nuk pati mundësi t`i mirëpresë ata në Presidencë.
Osmani i siguroi ata për mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, në funksion të përmirësimit të mirëqenies dhe bërjes së Kosovës siç e ëndërrojnë ata.
“Vendi ynë është vend më i mirë, kur fëmijëria juaj është e bukur dhe e shëndetshme, kur çdo shok e shoqe e lagjes tuaj, fshatit apo qytetit tuaj ka mundësi të shkollohet dhe të marr edukim cilësor, kur ju mund të lozni në parqe e në ajër të pastër, kur mundësitë tuaja për tu avancuar dhe për të fituar vazhdimisht shkathtësi të reja janë të shumta e lehtë të qasshme”, është shprehur u.d. Presidentja. Ajo tha se beson fuqishëm në këtë, ngase: “Kur fëmijët janë mirë, të shëndetshëm, mirë të edukuar, dhe të fuqizuar, e tillë do të jetë edhe e ardhmja e vendit tonë”.
Në bashkëbisedimin virtual me më të vegjlit, u.d. Presidentja pati rastin të njoftohet edhe me punën e Asambleve Komunale të fëmijëve, sfidat dhe kërkesat e fëmijëve nga komunat përkatëse. Ndërkaq fëmijët shfrytëzuan rastin t’i adresojnë u.d Presidentes një sërë pyetjesh që kanë të bëjnë me punën e saj./ KultPlus.com
Ushtruesja e detyrës së postit të presidentes, Vjosa Osmani, ka reaguar për gjetjen e mbetjeve mortore në një lokacion në Serbi ditë më parë.
Osmani është shprehur se Serbia po kërkon që të shtyhet zhvarrosja e tyre, sepse dëshiron të vazhdojë të fshehë krimin. Andaj sipas saj, pranimi i fajit, kërkimfalja dhe vendosja e drejtësisë janë tri parakushtet për stabilitet, fqinjësi të mirë dhe paqe të qëndrueshme!
Ky është postimi i plotë i Osmanit:
Mbi 13 mijë civilë janë vrarë nga Serbia në luftën e fundit në Kosovë, shumë prej të cilëve ishin fëmijë. Mbi 13 mijë njerëz sot nuk janë, në mënyrë që ne të kemi më shumë zë, në mënyrë që lirshëm të mund ta ngrisim atë zë. Përtej detyrimit politik, si përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve është mbi të gjitha obligim njerëzor e human që këtë zë ta ngrisim për viktimat dhe familjet e tyre. Çdo ditë, në çdo vend e para cilësdo palë. Sepse e vërteta e Kosovës, është e vërtetë e dhimbjes, sakrificës, humbjes së më të dashurve, e vërtetë e nënave që humbën fëmijët, e vërtetë e fëmijëve që mbetën pa prindër, e vërtetë e familjarëve që panë tmerrin me sy, e shpëtuan pikërisht për të treguar këtë tmerr, siç thoshte edhe At Zef Pllumi: “Rrno për me tregue”.
Në varrezat masive në Serbi, u gjetën pjesë të trupave të civilëve, shumica prej të cilëve gra (përfshirë gra shtatzëna) e fëmijë, u gjetën lodra, receta barnash, rroba fëmijësh, e gjësende të tjera të njerëzve tanë, të pafajshëm, të cilët u vranë në mënyrat më mizore vetëm pse ishin shqiptarë.
Gjetja e mbetjeve mortore në një lokacion në Rashkë të Serbisë, disa ditë më parë, rikthen vëmendjen te 1643 personat e pagjetur, për të cilët ende familjet presin në ankth dhe për të cilat nuk ka informacion as shteti i Kosovës. Serbia kërkon që të shtyhet zhvarrosja e tyre, sepse dëshiron të vazhdojë të fshehë krimin. Fshehja e fakteve është krim në vete, ndaj çfarëdo vonese në këtë plan, është krim i dyfishtë. Veprimet gjenocidale të Serbisë në Kosovë ende nuk kanë marrë përgjigje. Pranimi i fajit, kërkimfalja dhe vendosja e drejtësisë janë tri parakushtet për stabilitet, fqinjësi të mirë dhe paqe të qëndrueshme!
Prandaj secili njeri racional në Kosovë, kurrë nuk duhet të lodhet së treguari të vërtetën e së ngrituri zërin për njerëzit që humbëm si rezultat i politikave gjenocidale të Serbisë. Ne nuk jemi lodhur e nuk do të lodhemi kurrë së dëgjuari familjet e viktimave, sepse ata e tregojnë të vërtetën e Kosovës. Mirëpo jemi lodhur nga politikanë të papërgjegjshëm, të cilët tregojnë mosdurim ndaj së vërtetës e ndaj familjeve të viktimave, ndërkaq tolerancë ndaj politikave mohuese të Serbisë!
Për të gjithë ata që pyesin “Çfarë ka Kosova për t’i dhënë Serbisë si kompromis në dialog”, përgjigja jonë, njëzëri, duhet të jetë: Dëgjoni rrëfimet e familjeve të viktimave. Kosova nuk ka asgjë tjetër për të dhënë. Kosova ka dhënë më të shtrenjtit e saj…Ka dhënë fëmijët e saj. Kjo është e vërteta të cilën nuk do të lodhemi asnjëherë duke e treguar! / KultPlus.com
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se është infektuar me COVID-19.
Përmes një postimi në Facebook, ajo tregon se pas disa dyshimeve ajo ka bërë testin dhe ka rezultuar pozitiv me Covid-19.
Osmani ka treguar se do të punojë nga shtëpia në dy javët e ardhshme, po ashtu takimet do t’i mbajë përmes platformave elektronike.
Postimi i plotë i Osmanit:
Të nderuar qytetarë!
Pasi disa të afërm me të cilët kisha kontakt rezultuan pozitivë në testin për Covid-19, u testova në IKSHKP dhe pak më parë u njoftova se edhe unë kam rezultuar pozitiv.
Në dy javët e ardhshme do të punoj nga shtëpia, duke u kujdesur që secili dokument a vendim që kërkon shqyrtim e vendimmarrje dhe që lidhet me përgjegjësitë e mia në të dy funksionet shtetërore që i ushtroj, të trajtohet në kohë. Po ashtu, një numër takimesh do t’i vazhdoj nëpërmjet platformave elektronike.
Përkundër kujdesit maksimal, po shihet që këto ditë virusi është kudo, më i përhapur se kurrë më parë, njëjtë i rrezikshëm si çdoherë. Prandaj, uroj që ta tejkalojmë këtë sfidë bashkërisht, duke mos e injoruar rrezikun nga virusi dhe kujdesin që duhet treguar.
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani , ka reaguar pas fitores së Joe Biden.
Osmani nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar se pak njerëz i kanë njohur vuajtjet e popullit të Kosovës aq mirë sa presidenti i sapozgjedhur i Amerikës, Joe Biden.
Tutje ajo ka shtuar se është një nderë i jashtëzakoshëm për të që në emër të popullit më proamerikan në botë ti uroj Presidentit Amerikan, Joe Biden dhe Zëvëndës Presidentes Kamala Harris për zgjedhjen e tyre në krye të demokracisë botërore.
“Prandaj, është nder i jashtëzakonshëm sot, që në emër të popullit të Republikës së Kosovës, popullit më proamerikan në botë dhe U.D. Presidente e shtetit që ai ndihmoi të ndërtohej, ta uroj Presidentin Joe Biden dhe Zëvendës Presidenten Kamala Harris për zgjedhjen e tyre në krye të demokracisë botërore, të vendit të shpresave e ëndrrave të të gjithëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Osmani.
Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:
Pak njerëz i kanë njohur vuajtjet e popullit të Kosovës aq mirë e aq afër sa Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-ve, Joe Biden.
Pak njerëz i kanë qëndruar pranë Kosovës në kohën kur ai na u gjend pranë.
Ai ishte zëri ynë, kur ne nuk kishim zë.
Sepse mbrotja e jetës e dinjitetit njerëzor, për të ishte mbi të gjitha.
Populli i Kosovës i shpëtoi shfarosjes nga regjimi serb për shkak të mbështjetjes bipartizane nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por shpëtoi edhe për shkak të njerëzve si Joe Biden. Sepse ai nuk heshti kur ne tentonin të na zhduknin nga faqja e dheut. Nuk qëndroi indiferent para padrejtësive, në Kosovë e gjetiu. Prandaj edhe sonte, teksa një gazetar në CNN me lot në sy po komentonte fitoren e Biden, ai e tha atë që po e mendonim dhe ndjenim që të gjithë: “Nga sot është më e lehtë të jesh prind. Karakteri ka rëndësi. Ta thuash të vërtetën ka rëndësi. Të jesh njeri i mirë ka rëndësi”.
Joe Biden nuk e ktheu kokën prapa kur ne e përjetuam ferrin nga shteti i Serbisë. Jo vetëm pse ishte politikan i jashtëzakonshëm e i mirë, por sepse ishte edhe njeri i mirë. Si i tillë ai nuk mbyllte sytë kur një popull shtypej, por na doli në krah.
Prandaj, është nder i jashtëzakonshëm sot, që në emër të popullit të Republikës së Kosovës, popullit më proamerikan në botë dhe U.D. Presidente e shtetit që ai ndihmoi të ndërtohej, ta uroj Presidentin Joe Biden dhe Zëvendës Presidenten Kamala Harris për zgjedhjen e tyre në krye të demokracisë botërore, të vendit të shpresave e ëndrrave të të gjithëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Do të punojmë së bashku, që raportet tona speciale e aleanca jonë strategjike të forcohen edhe më tej. E mbi të gjitha, do të punojmë ta bëjmë Kosovën vend të drejtë e me mundësi të barabarta për të gjithë, në mënyrë që t’i bëjmë krenar edhe miqtë tanë si dhe Presidentin Biden!
Zoti e bekoftë Kosovën!
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Zoti e bekoftë miqësinë tonë të përhershme e të përjetshme!/KultPlus.com
Në përputhje me obligimet kushtetuese, pas dorëheqjes së presidentit të vendit Hashim Thaçi, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka marrë zyrtarisht funksionin e u.d. të presidentes së Kosovës.
Ceremonia e pranim- dorëzimit është bërë në prezencën e stafit të Presidencës dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës. U.d. e presidentes do t`i drejtohet sot qytetarëve me një adresim në orën 17:00./ KultPlus.com
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi përmes një konference për media ka konfirmuar aktakuzën nga Specialja. Me këtë rast ka dhënë dorëheqje nga posti i Presidentit të Republikës së Kosovës, kështu ligjërisht ish- kryeparlamentarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani kalon postin e ushtrueses së detyrës së presidentit të vendit, shkruan KultPlus.
Gjithashtu, Kadri Veseli, kreu i PDK-së dhe ish-kryetari i Kuvendit, bëri të ditur se sot do të niset drejt Hagës, pasi i është konfirmuar aktakuza. Sot do të niset edhe Rexhep Selimi, shefi i Grupit parlamentar të VV-së. / KultPlus.com
Në 25 vjetorin e vdekjes së veprimtarit të pajtimit shqiptar, Anton Çettës, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani e kujtoj veprimtarinë e tij, duke propozuar që shtatorja e tij të vendoset në oborrin e institucionit ku ajo e drejton, shkruan KultPlus.
Në një postim në profilin e saj, Osmani ka theksuar se ne ende nuk kemi një shtatore të tij në një vend të denjë, ku mund të pëkrulemi e ta falenderojmë, pavarësisht pse ai la 1200 gjaqe të falura. Andaj, shtatorja për “Plakun e urtë” sipas saj do të ishte nder për gjithë Kosovën.
“Si Kryetare e Kuvendit, do t’i propozojë Kryesisë së institucionit më të lartë përfaqësues e legjislativ, që shtatorja e Anton Çettës të vendoset në oborrin e Kuvendit, pra në shtëpinë e përfaqësuesve të popullit, si figurë frymëzimi e pajtimi”, ka shkruar Osmani.
Tutje, kryetarja e Kuvendit të Kosovës është shprehur se ai e ka bërë ta pamundërën në një kohë të pamundshme, duke mbledhur dhe pajtuar shqiptarët.
“Ideja e tij për pajtimin nuk ka marrë fund. Ëndrra vazhdon, teksa nevoja për pajtim e unifikim vjen e rritet në këto kohë të zorshme për vendin”, ka thënë Vjosa Osmani.
Anton Çetta mbahet mend për urtësinë e tij që kishte, për punë e madhe që ka bërë në mbledhjen e folklorit shqiptar. / KultPlus.com
Skandalet e fundit në Francë kanë tronditur gjithë botën, duke bërë kështu që edhe liderët e vendit tonë të reagojnë e të shprehin mendimet e tyre në lidhje me këto krime, shkruan KultPlus.
E para e kuvendit, Vjosa Osmani ka reaguar përmes një statusi në rrjetin social Twitter, ku është shprehur se krime të tilla duhet të dënohen dhe se liria e shprehjes e toleranca fetare janë vlera të cilat duhet t’i shohim tek lulëzojnë në gjithë botën.
‘Liria e shprehjes dhe toleranca fetare janë vlera që ne i ushqejmë, kultivojmë dhe duam t’i shohim të lulëzojnë në të gjithë botën. Krimet skandaloze në Francë shkojnë kundër këtyre vlerave pa kompromis dhe ne të gjithë duhet t’i dënojmë ato. Terrorizmi dështon kur të gjithë qëndrojmë të bashkuar kundër tij’, ka shkruar Osmani. / KultPlus.com
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur sot një ligjëratë në temën “Parlamentarizmi dhe sfidat aktuale”, për studentët e AAB-së ku foli për çështje të rëndësishme me të cilat ballafaqohet organi më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës i Republikës së Kosovës.
Sipas Osmanit, në vitet e 90-ta, Kuvendi i Kosovës i cili doli nga zgjedhjet e sistemit paralel, të ndërtuar nga Presidenti Ibrahim Rugova, nuk ishte vetëm organ ku diskutoheshin vetëm idetë siç ndodh sot. Parlamenti në atë kohë më shumë ishte rezistencë ndaj pushtuesit, ishte rezistencë ndaj Serbisë, ishte rezistencë ndaj një regjimi gjenocidal, tha Osmani derisa theksoi se në ditët e sotme qytetarët e kanë humbur besimin në Kuvendin e Kosovës, për disa arsye.
“Për shkak se pikërisht që për vite të tëra Parlamenti i Kosovës është konsideruar vetëm si vulë që vulosë vendime të qeverisë, shumë prej qytetarëve e kanë humbur besimin në të. Sepse nuk e kanë parë si një vend ku bëhet kontrolli, ku bëhet mbikëqyrja, pra ku shërben si një lloj filtri si një lloj kontrolluesi në qoftë se ato vendime janë të mira apo jo. Pra kjo është një ndër sfidat që na kanë përcjellë ndër vite dhe është një prej çështjeve që përmendet në shumicën dërmuese të raporteve të Komisionit Evropian.” – shtoi mes tjerash, Osmani.
Sipas Osmanit një parlament i fuqishëm duhet ta ketë pavarësinë buxhetore, dhe se Qeveria nuk mundet t’ ia caktojë buxhetin parlamentit, e ky sipas saj është presion buxhetor.
Kryeparlamentarja tha se ka pasur tendenca që Kuvendi të mos përzihet në çështjen e pandemisë, ku për katër muaj janë bllokuar iniciativa ligjore të inicuara nga ajo dhe deputetë të tjerë. “Sfida më emergjente është pandemia. Siç e dini ka pasur tendenca të thuhet se Kuvendi nuk ka fare kompetenca të përzihet tek çështja e pandemisë, dhe për katër muaj është bllokuar një iniciativë ligjore që e patëm iniciuar, unë si kryetare me disa deputetë tjerë”- ka thënë mes tjerash kryetarja e Kuvendit të Kosovës.
Kryetarja Osmani ka folur edhe për zhvillimet aktuale politike, ku theksoi se dialogu Kosovë – Serbi është një tjetër temë që po ia harxhon energjinë institucioneve të Kosovës.
Ndërsa, krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Osmani e sheh si një vendim të rrezikshëm për vendin: “Sa i përket Asociacionit të Komunave Serbe mendoj që është një prej vendimeve më të rrezikshme që është marrë nga institucionet e Kosovës. Një autonomi për serbët në Veri, është vetëm një paralajmërim i ndarjes së mëvonshme, nuk është një ide më e mirë se ndarja. Është po aq e rrezikshme, thjesht e shtynë për më vonë.” – tha kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.
Në ligjëratën e sotme, e cila u përcoll edhe me një seancë diskutimesh me studentë, kryetarja Osmani ka bërë të ditur se Kuvendi i Kosovës ka filluar punën për një Rregullore të re të Kuvendit./ KultPlus.com
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite që i bëri organizatës Medica Gjakova, ka kërkuar nga institucionet dhe shoqëria që të qëndrojnë pranë grave që ishin viktimë e dhunës seksuale në luftë.
Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftë janë viktima të dyfishta – së pari janë viktimë e vetë krimit, e së dyti, viktima të paragjykimeve nga shoqëria.
Postimi i plotë:
Të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftë janë viktima të dyfishta: së pari janë viktimë e vetë krimit, e së dyti, viktima të paragjykimeve nga shoqëria, sa që një pjesë e madhe zgjedhin t’i vuajnë pasojat emocionale e traumatike në heshtje e izolim të plotë. E mbi të gjitha, ato duan drejtësi.
18:36 – Sot
Shpërndaje në
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite që i bëri organizatës Medica Gjakova, ka kërkuar nga institucionet dhe shoqëria që të qëndrojnë pranë grave që ishin viktimë e dhunës seksuale në luftë.
Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftë janë viktima të dyfishta – së pari janë viktimë e vetë krimit, e së dyti, viktima të paragjykimeve nga shoqëria.
Postimi i plotë:
Të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftë janë viktima të dyfishta: së pari janë viktimë e vetë krimit, e së dyti, viktima të paragjykimeve nga shoqëria, sa që një pjesë e madhe zgjedhin t’i vuajnë pasojat emocionale e traumatike në heshtje e izolim të plotë. E mbi të gjitha, ato duan drejtësi.
Këto gra nuk janë vetëm! Në njërën anë, ato kanë mbështetjen e organizatave si Medica Gjakova, të cilën e vizituam këto ditë, e organizatave të tjera simotra që nuk reshtin së rezistuari çfarëdo presioni, e në anën tjetër, na kanë ne të cilët ju përkulemi përpara qëndresës së pashoq përballë dhimbjes e vuajtjes që ato përjetojnë.
Por ne mbështetësit e tyre jemi ende të paktë në numër. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me mbështetje, por ka të bëjë me kuptimin e vërtetë të vuajtjes e pasojave shkatërruese shumëdimensionale të luftërave.
Të jemi aty për të mbijetuarit, do të thotë të jesh aty për t’u ballafaquar plotësisht me të kaluarën, për të udhëhequr shoqërinë tonë drejt një rehabilitimi të shëndoshë, solidar, e me mirëkuptim të plotë për vuajtjet e brengat e secilës e secilit. Mbi të gjitha, të jesh me to, do të thotë të kërkosh çdo ditë e me ngulm DREJTËSI./ KultPlus.com
Posta e Kosovës ka lëshuar në qarkullim emisionin e pullave postare me titull “Heroinat e Kosovës”, kushtuar grave të Kosovës që sakrifikuan jetën e tyre në rrethana të ndryshme për lirinë e Kosovës.
Në promovimin e mbajtur në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nën patronatin e Kryeparlamentares, Znj. Vjosa Osmani – Sadriu, mori pjesë U.D. Kryeshefja Ekzekutive, Vjollca Shala Mulaj me bashkëpunëtorë, si dhe përfaqësues të shoqatave të grave, gratë deputete, ambasadorë si dhe mysafirë të tjerë.
Kryeparlamentarja Znj. Vjosa Osmani ka falënderuar Postën e Kosovës, duke vlerësuar pullën postare kushtuar heroinave të Kosovës, ajo tha se: “Është e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës të jetë imazhi që e kanë ndërtuar heroinat tona. Ju e keni parë që gjatë historisë pullat postare u janë kushtuar figurave nacionale. Shoqëria jonë ka injoruar për një kohë të gjatë sakrificën e tyre gjatë luftës, por edhe guximin e pashembullt që kanë treguar në luftën e fundit”.
Në fjalimin e saj, U.D. Kryeshefja Ekzekutive, Znj. Vjollca Shala Mulaj tha se: “Ky emision i pullave postare që po e promovojmë sot është i veçantë, sepse mishëron sakrificën dhe njëherësh krenarinë e gruas shqiptare nëpër shekuj, sidomos vuajtjet biblike të shumë vajzave dhe nënave që përjetuan tmerrin e dhunimit”.
Triumfin dhe sakrificën e këtyre heroinave e pasqyron në vepër artistike edhe autori ka përshtatur dizajnin në imazhin e kësaj pulle postare, ‘’Heroinat e Kosovës’’, përmes të cilës Filatelia e Postës së Kosovës promovon vlerat tona historike, kulturore dhe kombëtare. / KultPlus.com
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka rënditur sonte disa diskriminime që iu bëhen nënave vetë-ushqyese në shoqërinë kosovare.
Osmani ka thënë se kjo kategori diskriminohet nga drejtësia, tregu i punës, qendrat për punë sociale e nga shoqëria.
E në fund kryetarja tha se nënave vet-ushqyese iu diskriminohen edhe fëmijët.
Për këtë, Osmani ka kërkuar nga institucionet shtetërore të krijohen lehtësira për t’i fuqizuar ato.
Postimi i saj i plotë:
Diskriminimi i shumëfishtë për nënat vetë-ushqyese
– Nënat vetë-ushqyese diskriminohen nga drejtësia!
Shumë nëna vetë-ushqyese rrëfejnë për diskriminime nga drejtësia, teksa luftojnë për drejtësi. Proceset e tejzgjatura gjyqësore edhe me mbi 10 vite rëndojnë gjendjen e tyre, amplifikojnë vështirësitë e përditshme dhe krijojnë ambient të volitshëm për manifestim të akteve të dhunës në familje, të cilat në disa raste përfundojnë edhe me humbje të jetës. Për më tepër, përkundër kërkesave ligjore, shumë shpesh atyre u mohohet kontributi i dhënë për vite në familje, duke pamundësuar kështu që të përfitojnë nga ndarja e pasurisë.
– Nënat vetë-ushqyese diskriminohen në tregun e punës!
Situata e rënduar ekonomike, sidomos në këtë periudhë të përballjes me pandeminë Covid-19, por edhe shkalla e lartë e papunësisë në mesin e grave, kufizojnë ndjeshëm mundësitë dhe rëndojnë skajshmërisht pozitën e grave, e në veçanti të nënave vetë-ushqyese. Atyre shpesh iu mohohen apo s’ju ofrohen fare mundësitë e punësimit, herë si pasojë e stigmatizimit e rregullisht si pasojë e mungesës së politikave mbështetëse për angazhimin dhe inkuadrimin e tyre, qoftë nga sektori publik po edhe ai privat.
– Nënat vetë-ushqyese shpesh diskriminohen nga qendrat për punë sociale!
Shumë gra rrëfejnë se në vend se të marrin mbështetjen e duhur nga institucionet, atyre kohë pas kohe u bëhet presion që të kthehen aty ku ka dhunë e të durojnë. Qendrat për punë sociale duhet të jenë mbështetje e fuqishme e trajtuese e drejtë e kërkesave të nënave vetë-ushqyese, e jo vend ku ato ndiejnë presion, paragjykim apo refuzim.
– Nënat vetë-ushqyese diskriminohen nga shoqëria!
Nënat vetë-ushqyese kanë nevojë për mbështetje e jo paragjykime. Trajtimi i barabartë i secilës nënë por në raste të caktuara edhe baba si prind vetushqyes, është jo vetëm gjëja më e drejtë por edhe domosdoshmëri për një shoqëri e cila nuk synon të udhëhiqet nga idetë izoluese por nga ato të gjithpërfshirjes, solidarizimit, inkurajimit dhe bashkëpunimit. Koncepti i familjes dhe pikëpamjet filozofike mbi raportet familjare kanë evoluar, e ngjashëm duhet të avancojë respekti, konsiderata dhe përkrahja e nënave vetë-ushqyese në çdo rreth e organizim shoqëror.
– Nënave vetë-ushqyese u diskriminohen fëmijët!
Përtej barrës së drejtpërdrejt që bartin nënat vetë-ushqyese, barra e këtyre sfidave për to është e dyfishtë, sepse, këto rrethana godasin posaçërisht fëmijët e tyre. Në institucionet mësimore – pikërisht aty ku do duhej të respektoheshin dallimet e të promovohej toleranca e komunikimi i mirëfilltë, në plot raste ka diskriminim e trajtim joadekuat ndaj fëmijëvë që kanë prindërit e ndarë ose jetojnë me vetëm njërin prind për shkaqe të ndryshme. Shpeshherë këta fëmije përballen me diskriminim dhe stigmatizim sistematik si nga shokët e shoqet, ashtu edhe nga mësimdhënës të caktuar. Mësimdhënësit do duhej të ishin ata që e lehtësojnë barrën e fëmijëve të prindërve vetë-ushqyes dhe ndërtojnë ura miqësie mes të gjithë fëmijëve pa dallim. Stigmatizimi dhe diskriminimi nuk do duhej të gjente strehë në shkollat tona në asnjë rrethanë!
Rrugëtimi në jetë i secilës nga ne është individual dhe fati i nënave vetë-ushqyese me raste varet nga to e shpesh është komplet jashtë kontrollit të tyre. Por pavarësisht shkakut, shoqëria jonë duhet të tregojë pjekurinë e duhur për t’u ofruar hapësirën e duhur, institucionet e kanë për obligim të krijojnë lehtësira qoftë përmes politikave apo nismave për t’i fuqizuar ato, e secili nga ne duhet të kuptojë që çdo përmirësim i mirëqenies se çdo individi është një hap më afër përmirësimit të mirëqenies kolektive. Andaj, mirëqenia e nënave vetë-ushqyese rezulton edhe në mirëqenie më të mirë për gjithë shoqërinë tonë tani, si dhe në të ardhmen përmes fëmijëve të tyre!/ KultPlus.com
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka shkruar lidhur me deklaratat që kanë bërë udhëheqësit serb ndaj luftës në Kosovë dhe varreve masive të viktimave shqiptare në Serbi.
Osmani në Twitter ka shkruar se kryetari i Këshillit për Integrimet Evropiane në Parlamentin e Serbisë, Nenad Canak kishte cituar ish- kryeministrinë e Serbisë, Zoran Gjingjiç, i cili kishte folur për varret masive që kanë ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Gjithashtu ajo ka shtuar se Gjingjiç komentonte se kudo që gërmohet do të dal një kafkë, teksa fliste për varret masive me shqiptarë në Serbi.
“Nenad Canak ka cituar ish-kryeministrin e Serbisë, Zoran Gjingjiq, duke thënë: ‘Kush do të investojë në një shtet ku, kudo që të gërmoni me lopatë, do të dalë një kafkë’, ndërsa komentonte për varret masive me viktimat e shqiptarëve të Kosovës në Serbi”, ka shkruar Vjosa Osmani. / KultPlus.com
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka nënshkruar peticionin online ku kërkohet drejtësi për 11 vjecarin e vrarë në Fushë Kosovë. Osmani bën thirrje qytetarëve që të nënshkruajnë gjithashtu peticionin.
“Drejtësi, përgjegjësi, kërkimfalje dhe llogaridhënie për Kujtimin! Unë sapo e kam nënshkruar peticionin ‘Drejtësi për Kujtimin!’ Ju ftoj ta mbështesni këtë peticion për Kujtimin; për familjen e tij; për të parandaluar diçka të ngjashme në të ardhmen!”, ka shkruar ajo në rrjetin social Facebook.
“Humbja e jetës së Kujtimi Veselit – 11 vjeçarit ashkali që u dhunua seksualisht dhe u vra më 11 korrik 2019 në Fushë Kosovë – është dëshmi se si për vite të tëra, të gjithë ne, si shtet dhe shoqëri kemi dështuar ta dënojmë dhe luftojmë racizmin institucional ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Prandaj kjo e bën edhe më të detyrueshme që të gjithë së bashku të kërkojmë drejtësi për Kujtimin, dhe përgjegjësi nga shteti për ta mbrojtur jetën e të gjithë qytetarëve të vendit tonë, pa dallim!”, përfundoi ajo./ KultPlus.com
Janë bërë 1 vjet prej zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, kohë kjo kur Lëvizja Vetëvendosje doli partia fituese. Pas fitores, LVV bëri koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike por që ky koalicion nuk ishte jetëgjatë. Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, përmes një statusi në facebook ka kujtuar se sot janë bërë 1 vjet që kur Kosova shënoi kthesën më të madhe politike në 15 vitet e fundit. Sipas saj, me këtë datë, qytetarët treguan haptas se nuk duan të jetojnë në një shtet i cili u shërben vetëm një grushti njerëzish dhe i cili pasurinë publike ua lë në dorë keqbërësve, përcjellë KultPlus.
“Më 6 tetor të vitit të shkuar Kosova shënoi kthesën më të madhe politike në 15 vitet e fundit. Qytetarët e saj treguan haptas se nuk duan të jetojnë në një shtet i cili u shërben vetëm një grushti njerëzish dhe i cili pasurinë publike ua lë në dorë keqbërësve. Me votën e tyre ata e thanë zëshëm dëshirën e tyre për shtet të së drejtës e për jetë të dinjitetshme”, ka shkruar Osmani.
Tutje, Osmani ajo thotë se vullneti qytetar është përdhosur, e vota e tyre është tjetërsuar.
“Sot, një vit më pas, ky vullnet qytetar është përdhosur, ndërsa vota e tyre është tjetërsuar. Kosova frymon me pamjen e zymtë, si atë të para 6 tetorit, e cila e ka tjetërsuar vullnetin qytetar dhe e ka instaluar një qeveri, e cila jo vetëm që nuk e përfaqëson vullnetin e qytetarëve të vendit për ndryshim, por është e vendosur që t’u kundërvihet atyre, si për t’u treguar se vota e tyre është e pavlerë, se ata mund të vendosin të bëjnë qeveri e të marrin vendime për vendin pavarësisht vullnetit qytetar.”
Ajo krejt për fund potencon zhgënjimin e saj me kastën politike, por njëkohësisht shprehet e lumtur që qëndron në krahun e bashkëqytetarëve të saj.
“Edhe pse jam skajshmërisht e zhgënjyer me sjelljen e tillë të këtyre kastave politike, jam e lumtur që vazhdoj të qëndroj në krahun e bashkëqytetarëve të mi, me vullnetin e pathyer të tyre për ndryshim, vullnet i cili sot mund të jetë i ndrydhur, por jo i shuar. Ai do të rikthehet edhe më i fuqishëm, për ta çkapur njëherë e mirë vendin nga strukturat që e mbajnë të uzurpuar atë. Tek e fundit, vota e 6 tetorit nuk qe zotim të cilën e morën politikanët, por qytetarët e vendit. Ata do ta jetësojnë atë, herët a vonë.” / KultPlus.com
Kryetarja e Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi të bërë në faqen zyrtare Facebook, ka publikuar një fotografi, ku tregon se ndërtesa e Kuvendit është ndriçuar me ngjyrë rozë, në shenjë solidarizimi me të gjitha ato nëna, gra, e vajza, të cilat përballen me kancerin e gjirit.
Ky është postimi i plotë i saj:
Sot, në kuadër të muajit kundër kancerit të gjirit, ndërtesa e Kuvendit të Kosovës është ndriçuar me ngjyrë rozë, në shenjë solidarizimi me të gjitha ato nëna, gra, e vajza, të cilat përballen me kancerin e gjirit. Për t’i kujtuar ato që na lanë dhe për t’i inkurajuar edhe më tej ato që ngadhënjyen në këtë sfidë.
Rrëfimi i tyre duhet të jetë mësimi më i mirë për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm. Kanceri i gjirit është një nga sëmundjet më të shpeshta te gratë, andaj është jetike të rritet vetëdija qytetare dhe të praktikohet kontrolli te mjeku. Njëkohësisht, institucionet përgjegjëse duhet t’i rrisin kapacitetet për diagnostikim dhe trajtim të sëmundjes.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një video-mesazhi ka ftuar qytetarët e Kosovës të vetdijësohen në lidhje me kujdesin ndaj natyrës, shkruan KultPlus.
Sot shënohet Dita e Pastrimit të Botës dhe e para e kuvendit të Kosovës ka apeluar për mos konsumimin e duhanit, duke ruajtur kështu jo vetëm shëndetin tonë por edhe të natyrës.
‘Pandemia na e ka bërë të qartë që shëndeti ynë është drejtpërdrejt i lidhur me shëndetin e natyrës’, thekson Osmani.
Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit të Kosovës po kujdeset që maskat të cilat i vendosë për mbrojtje nga Covid19, të bartin edhe mesazhe, shkruan KultPlus.
Në secilën ditë, ajo mban një maskë që simbolizon ndodhinë e asaj date.
Duke kujtuar Masakrën e Srebrenicës, Osmani mbante maskë me lulen që e simbolizon atë.
Poashtu edhe nëpër “Vizitat e Gjelbra”, ajo mbante maskë me një simbol të gjelbër.
Njëjtë ndodhi edhe për datën 9/11, ku kryetarja e Kuvendit kishte maskë me Kullat Binjake. “Never Forget 9/11”, shkruante aty.
Edhe në fushatën “Be my voice”, Osmani e tregoi po atë kujdes, ku në maskën e saj gjendet lulja. / KultPlus.com
Përpara teatrit kombëtar tashmë ishte vendosur fotoja e Adem Mikullovcit, por ndryshe nga herë të tjera ai ishte vetëm, për të dhënë shfaqjen e tij të fundit, lamtumirën me skenën ku për aq sa jetoj i dha jetë. Krahas fotos para së cilës ishin vendosur lule, qëndronte edhe tavolina e veshur me të zeza, e së bashku me të libri i kujtimeve ku dalë nga dalë filluan të shënoheshin fjalët, kujtimet e ditëve të mira e të këqija, që miqtë, kolegët e artdashësit kishin përjetuar me të, shkruan KultPlus.
Homazhet për të nderuar veprën, jetën, talentin e madhështinë e Mikullovcit, filluan dalë nga dalë, në ditën kur dielli nuk kishte harruar të lindë, por që artit i kishte marrë dritën. Ishte kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ajo që vendosi shkronjat e para në librin e kujtimeve të ikonës së artit kosovar.
Osmani tha se sot kemi humbur një njeri të madh, e jo vetëm të komunitetit artistik, por një njeri të madh të zemrës të secilit qytetar të Kosovës. Ajo theksoi se ishte pikërisht Adem Mikullovci, ai prej të cilit mësuan shumë çka e mbi të gjitha ai prej të cilit, përmes humorit ju bëri më të lehtë tejkalimin e situatave të vështira.
“Sot kemi humbur një njeri të madh jo vetëm të komunitetit artistik. Adem Mikullovci aktroj për publikun, por në të njëjtën kohë e mbrojti interesin publik deri në frymën e fundit. Ishte një bashkëpunëtor i jashtëzakonshëm në Kuvendin e Kosovës, një njeri nga i cili kemi mësuar shumëçka , i cili edhe në kohërat më të rënda e dinte përmes humorit të tejkalohen ato situata të vështira për të gjithë ne”, tha Osmani për tashmë të ndjerin Adem Mikullovci.
Në homazhe ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi. Ajo theksoi se ky vit ka sjellë një shprazëti të madhe, ka marrë me vete një gjeneratë e emra kulminant të artit të Kosovës. Dumoshi tha se Mikullovci në kohët më të vështira në familjet e secilit ka sjellë humorin dhe gëzimin.
“Do të ketë një shprazëti shumë të madhe, ka ik një gjeneratë këtë vit disa emra kulminantë të artit të Kosovës, ne do t’i kujtojmë dhe detyra jonë është që këta njerëz të cilët dhanë kontributin e vet për artin e Kosovës, për teatrin dhe fushat e tjera t’i përcjellim te gjeneratat e reja. Në kohët më të vështira ai nëpër familjet tona na ka sjellë shumë herë me rolet e tij të humorit edhe gëzimin, sidomos vitet e 90ta e këndej, kur nuk kishim televizione të cilat punonin por me video kaseta ka qenë prezent në çdo shtëpi”, është deklaruar ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Përgjatë karrierës së tij të madhe e të bujshme si aktor, Mikullovci la pas vete personazhet që sollën hare, gëzim madje edhe pikëllim. Por, krahas këtyre personazheve ai ju la kujtimet më të bukura, kolegëve me të cilët pati fatin të bashkëpunoi. Homazheve për Adem Mikullovcin nuk kishte si t’ju mungonte Shkumbin Istrefi dhe Fatmir Spahiu, artistët që për vite të tëra punuan së bashku me të ndjerin.
Teksa sytë i kishte të mbushur lot, Istrefi deklaroi se humbja e Adem Mikullovcit ishte e madhe për të githë popullin e Kosovës. Ai nuk la pa përmendur faktin që ai ishte rritur me praninë e Ademit në skenën e teatrit. Aktori pohoi se Adem Mikullovci përpos bashkëpunëtor, ka qenë edhe prind që ka përcjellë rritjen e tij artistike.
“Ademi na la dhe kjo është humbje e madhe jo vetëm për komunitetin artistik por edhe për gjithë popullin e Kosovës. Me Ademin jo vetëm unë por edhe gjeneratat më të vjetra jemi rrit, me praninë e Ademit në skenën e teatrit dhe sidomos në programe televizive. Për mua Ademi ka qenë përveç një bashkëpunëtor i ngushtë, ka qenë edhe prind i cili e ka përcjell rritjen time artistike. Hapat e parë në ekranin televiziv i kam marrë në projekte të Ademit dhe e falënderoj shumë për ndihmën që ma ka dhanë jo vetëm mua por krejt gjeneratave të reja të aktorëve të Kosovës”, tha gjatë homazheve Shkumbin Istrefi.
Ai ka shtuar se veprat që la pas Adem Mikullovci janë vulë e kohës, ngase ai ka qenë një opozitë e së keqes. Sipas tij ishte pikërisht Ademi ai që në momentet më të vështira mbajti popullin me humorin e tij të hollë duke ju dhënë në të njejtën kohë edhe forcë.
“Veprat e Ademit mendoj që kanë qenë vulë e kohës, në çdo kohë që ka punuar. Ka qenë opozitë e të keqes. Në momentet e vështira e ka mbajtur popullin me humorin e tij të hollë. Pushoftë në paqe dhe shpresoj që vepra e tij do të jetë pishtar për punën tonë të mëtutjeshme”, ka përfunduar Istrefi.
Kurse Fatmir Spahiu tha se Kosova sot ka humbur Çaplinin e saj, figurën komike e tragjike. Ai ka shtuar se ka humbur një nga bashkëpunëtorët e tij më të mirë dhe se ikja e Ademit ka shënuar varfërimin e komedisë.
“Kosova ka humbur Charlie Chaplinin e vet, figurën e vet edhe komike edhe tragjike. Personalisht kam humbur njërin prej bashkëpunëtorëve më të mirë të atij brezi. Adem Mikullovci ka qenë ndër profesionistët e parë, me të cilin unë kam pasur mundësi të bashkëpunoj qysh në moshën time 18 vjeçare, si aktor shumë i ri dhe student i aktrimit. Kosova dhe skena filmike, televizive dhe teatrove nuk do të jetë më e njëjtë. Komedia do të jetë më e varfër pa Adem Mikullovcin”, ka deklaruar Spahiu.
Edhe për artisten Arbnesha Grabovci -Nixha, humbja e ikonë së artit ka qenë një lajm i hidhur. Sipas saj humbja e kolegëve e rëndoi edhe më shumë pandeminë, por pasuria që ata lanë pas është ngushëllimi më i madh.
“Sot u zgjuam me një lajm të hidhur, me humbjen e bacës Adem. Mirëpo pasuria të cilën e ka lënë na bën të ngjitemi pas asaj dhe të gjejmë një ngushëllim. Baca Adem ka qenë një tekstshkrues, regjisor, filmbërës i njohur, mbi të gjitha ka qenë një patriot i cili ka kontribuar shumë edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por me plotë kuptimin e fjalës mund të them që ka qenë një trim, intelektual i kohës së tij i cili është ballafaquar me sistemin”, deklaroi ajo teksa bënte homazhe pranë fotografisë së Mikullovcit.
Aktori i njohur Adem Mikullovci vdiq në mëngjesin e sotëm në moshën 82-vjeçare, duke lënë kështu të pikëlluar të gjithë ata që e njohën e e deshën edhe nga ekrani. Aktori Mikullovci ka lindur në vitin 1939 në Vushtrri, kurse përgjatë jetës së tij ka luajtur në shumë projekte filmike, teatër, komedi dhe shumë performanca të tjera artistike. Varrimi i tij do të bëhet sot në varrezat e qytetit në Dragodan/Arbëri në orën 16:00./ KultPlus.com
Edicioni i 11-të i “Anibarit” filloj në një formë ndryshe prej herëve tera. Tashmë kinematë, diskutimet e shumë çka tjetër shfaqet në platformën online të këtij festivali. Ky realitet i ri i botës së artit është krijuar si pasojë e vendimeve të njëpasnjëshme të qeverisë për menaxhimin e situatës me COVID-19, shkruan KultPlus.
Diskutimi “Are We Humans, Are We dancers?” solli pikëpyetjen se a jemi duke ndjekur lëvizjet e vullnetit tonë të lirë apo thjesht jemi duke ndjekur hapat e zakonshëm të vallëzimit, në fushën e politikës, jetën shoqërore por edhe cilën do sferë tjetër të veprimtarisë.
Pjesëmarrëset e këtij diskutimi Vjosa Osmani, Leonora Kryeziu dhe Donika Emini sollën para publikut perspektiven e tyre rreth asaj se si mund të ecim në një rrugë të pa trasuar, me mendime e ide tona. Të vallëzojmë nën tingujt e njëjtë, por secili prej nesh me vallen tonë unike.
Vjosa Osmani, Kryetare e Kuvendit të Kosovës gjatë këtij diskutimi theksoi faktin se në vend që ne të krijojmë melodi të reja, kërcejmë me ritmin e melodive të orkestruar. Sipas saj e njëjta praktikë vlen edhe në shumicën e gjërave që ne bëjmë në jetë.
“E njëjta praktikë vlen pothuajse për shumë gjëra që ne i bëjmë në jetë pra sillemi në mënyra të caktuara sepse ashtu na kanë mësuar në familje dhe në shkollë, veprojmë në publik ashtu si veprojmë sepse ashtu është qoftë rregulli, ligji apo rendi publik. Gjykojmë dhe paragjykojmë nganjëherë sepse lejojmë të na merr përpara mendimi i masës dhe kjo natyrisht shpesh kritikohet mirëpo është deri diku ritmi i zakonshëm i jetës, duke jetuar me një ritëm çmendurisht të shpejtë në kohën tonë”, ka thënë Osmani e cila tutje tha se çdo ditë është sfidë në vete sepse kur ndjek rrugën e trasuar nga dikush tjetër shtegu i jetës mund të duket më i lehtë.
Sipas Osmanit janë pikërisht valltarët që në një moment kanë kuptuar se jo çdo herë duhet të kërcesh sipas koreografisë sepse vallëzimi shijohet vërtetë vetëm kur dominon njerëzorja, kur shpërfaqet emocioni e kur ngadhënjejnë ndjenjat, e si të tillë ata kanë mundësuar të kemi çdo të mirë që e vlerësojmë lartë në shoqërinë tonë.
Ajo tutje tha se është e vështirë të ecësh me ritmin tënd të muzikës në vendin tonë, e sidomos kur je një grua në një profesion si politika. Sipas saj kur ti fillon të ndryshosh koreografinë e cila ka qenë pjesë e jotja deri sot atëherë lufta e të tjerëve kundër teje rritet shumë.
“Përderisa je në ritmin e njëjtë me të gjithë, ke vlerësime të larta por në momenti kur e kupton që koreografia ose idetë e reja në fakt mund të avancojnë shoqërinë shumë më shumë sesa ato pjesë e të cilave ke qenë më herët, dhe insiston në to, lufton në to atëherë edhe lufta e të tjerëve kundër teje rritet në një masë të madhe”, ka deklaruar Kryetarja e Kuvendit të Kosovës.
Ndërkaq Donika Emini gjatë këtij diskutimi tha se zgjedhjet e fundit në Kosovë kanë promovuar lider që refuzojnë të ecin në rrugë të patrasuar, sipas saj përshtypjen më të madhe që e ka marrë gjatë kësaj kohe ka qenë nga ana e votuesve që kanë mbështetur këtë.
“Mendoj se zgjedhjet e fundit në Kosovë kanë promovuar lider të cilët kanë refuzuar me ecë në rrugë të patrasume, kanë sfidu sisteme të cilat janë konsolidua për 20 vite sisteme të kapura edhe megjithatë çka më ka lënë përshtypje është që edhe votuesi, qytetari e ka pa dhe e ka mbështetë këtë. Zakonisht në fillim të rrugëtimit shumë pak mbështetesh, në fillim të rrugëtimit kur fillon me e sfidu sistemin, sistemi është më i fortë edhe të mund. Mirëpo në momentin kur del me një fazë më të konsolidume, fillon me gjet mbështetje atëherë veç e sheh që ndryshimi ka filluar edhe ndryshimi ka fillu me u bë me ty”, ka deklaruar ajo.
Drejtuesja dhe panelistja e këtij diskutimi, Leonora Kryeziu u shpreh se ajo çka i bënë përshtypje e sidomos në shkollën politike që ajo udhëheq është fakti që të rinjtë që vijnë nga partitë politike, vijnë me ide të marra gatshëm. Mirëpo sipas saj qëllimi i një shkolle politike është që tu mundësoj këtyre të rinjve që të zhvillojnë individualitetin e tyre.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani e pyetur për hapësirën që partitë politike ju ofrojnë të rinjve tha se pjesën më të madhe të të rinjve “hapësira” që u ofrohet në parti politike nuk është ajo e shprehjes së mendimit apo qëndrimit. Sipas saj të rinjtë angazhohen vetëm në kohë zgjedhjesh e më pas lihen anash.
“Pra problemi është që shumica dërrmuese e të rinjve edhe kur u epet “hapësire”, ajo hapësirë nuk nënkupton hapësirë për shprehjen e mendimit, hapësirë për shprehjen e qëndrimit e mbi të gjitha jo hapësirë ku të merret parasysh pastaj mendimi. Pra merren kryesisht si një grup të cilët angazhohen vetëm në kohë të zgjedhjeve dhe pastaj një numër i madh i tyre lihen anash. Pra shumë shpesh nëpër parti politike të rinjtë konsiderohen më shumë si numër sesa si potencial e kjo duhet të ndryshoj si mendësi”, ka deklaruar ajo.
Madje ajo tha që kur merren shembuj vende tjera dhe diskutohet se si kanë arritur të kenë zhvillim të madh ekonomik përgjigjja është e qartë “investo në njerëz e jo në asfalt”.
Gjatë këtij diskutimi edhe pjesëmarrësit patën mundësinë që të shtrojnë pyetje për panelistët dhe të bëhen pjesë e diskutimit. Njëra nga pjesëmarrëset të cilës ju bë i ditur vetëm emri gjatë këtij diskutimi, e pyet Vjosa Osmani se si ka mundësi që ajo ka qenë pjesë e një muzike për dy dekada, madje pjesë e një muzikë që e ka formësuar e tani nuk mund ta dëgjojë më atë muzikë.
Osmani tha: “Përkundrazi Valmira unë nuk e kam asnjë problem që ta dëgjoj atë muzikë, unë jam duke e mbrojtur atë muzikë e cila është ndërtuar për dy dekada, janë të tjerët që kanë filluar valle tjetër, madje kanë filluar valle të rrezikshme. E tash në valle të rrezikshme që janë të këqija edhe për vendin edhe për qytetarët tanë, natyrisht që unë nuk e kam ndërmend me hy”, deklaroi ajo.
Sipas Osmanit pjesa dërrmuese e keqkuptojnë faktin që ajo vetëm po mbanë fjalën dhe e quajnë dele që largohet nga kopeja.
‘Po e përmbyllë më këtë, shumica dërmuese e njerëzve që e keqkuptojnë faktin që unë thjesht po e mbajë fjalën, më thonë kështu, kështu më thonin edhe në vitin 2014 e 2015 e po e përsërisin edhe tash. Më thonin “Delja që ndahet nga kopeja e hanë ujku”, përgjigja ime është e thjeshtë “Unë nuk jam dele mos u bëni as ju dele”, ka përfunduar Vjosa Osmani.
Gjatë këtij diskutimi u fol edhe për faktin se si gratë instrumentalizohen në politikë, si dhe pozitën që kanë gratë në politikë. Gjithashtu penalistët theksuan faktin se sfidimi i sistemit bëhet dyfish më i vështirë kur, sfiduesja është grua e jo burrë. / KultPlus.com
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se për arsye të ndryshme është zvarritur shqyrtimi i Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e COVID-19 në territorin e Kosovës.
Sipas saj, me këtë ligj është paraparë të ndëshkohen të gjithë ata persona që thonë që nuk ka virus.
“Me këtë ligj do të sankionohen personat fizik dhe juridik që nuk zbatojnë masat e vendosura nga ana e qeverisë, që pritet që nëpërmjet amandamentit të bëhet detyruese, ku parashihen ndëshkime, që me ndikimin e tyre keqpërdorin duke thënë që nuk ka virus, sepse dëmi që e bëjnë në shoqëri është i madh dhe dezinformatat e tyre nuk do të duhej lënë pa u ndëshkuar”, theksoi ajo.
“Më në fund për arsye të ndryshme ky ligj është zvarritur përkundër faktit se ka qenë kërkesë e qartë. Përkundër situatës së rënduar nga panddemia Covid-19, ligji ka mbetur peng i politikave, e vendosin shëndetin para politikave. Ky ligj që e kemi iniciuar së bashku me 5 deputetë të tjerë. Ky ligj ka për qëllim që nëpërjmet kufizimeve të jetë me efektiv për parandalimin e kësaj pandemie në respektim të kushtetueshmërisë”, ka thënë Osmani.
“Ky ligj hynë në fuqi në ditën e miratimit, por shfuqizohet automatikisht nga pushimi i arsyeve për nxjerrjen e tij. Këtë ligj deputetët do të mund ta trajtojnë nëpërmjet dy leximeve”, tha tutje ajo.
“Projektligji e trajton bazën kushtetuese, presim që Komisini i Shëndetësisë ta plotësojë për nevojat e duhura, pasi që koha kur është inicuar ka qenë ndryshe në muajin mars nga tash që kemi 300 të peronave që kanë vdekur”, vlerësoi ajo.
Sipas Osmanit, rrethanat me të cilat po përballet vendi ky ligj mund të plotësohet.
“Ky ligj nuk është i Vjosa Osmanit, por i dëputetëve të Kuvendit të Kosovës”, shtoi në fund ajo. / KultPlus.com
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj, i njohur si deputeti që iu vërsul kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanit, gjatë një seance të mbajtur në Kuvend javë më parë, ka thënë për deputeten Mimoza Kusari-Lila, se do t’ia mbyllim gojën edhe kësaj.
Kjo për shkak se Mimoza Kusari-Lila, kritikoi kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin, duke thënë se ky i fundit doli në terren duke qenë i dyshuar se është i infektuar me koronavirus.
Ndërkohë, kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, reagoi përmes një shkrimi në Facebook, duke e quajtur “xhelate” deputeten Kusari-Lila.
Në një reagim në Facebook ku shahej deputetja Kusari Lila për kritikat që ia bëri Hotit, Ukaj ka shkruar “Ajt se edhe ksaj ja mbyllim gojën”.