Osmani: Telefonat e rinj e veturat e blinduara presin, duhet maska falas për qytetarët

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se propozimi i saj për shpërndarjen e maskave falas shumëpërdorimëshe për qytetarët është bërë për shkak se ka kërkesa të mëdha nga qytetarët kudo.

Osmani ka thënë se është pikërisht gjendja e rëndë ekonomike që ka bërë atë të propozojë një gjë të tillë, përcjellë KultPlus.

Kryekuvendarja ka thënë se në vend të kërkesave për shpenzime luksi që bëjnë institucionet siç janë mobiliet e reja, telefonat e madje edhe veturat e blinduara ato shuma të ndahen për maskat falas.

“Është pikërisht gjendja ekonomike e qytetarëve e cila më ka shtyrë që ta bëjë një amendament të tillë. Në vend se të brengosemi për 3 milionë euro që do të shpenzoheshin për maska për qytetarët ne duhet të brengoseshim për shumë shpenzime luksi që janë propozuar nga institucione të ndryshme. Buxheti që mund të shfrytëzohet për maska të merret nga shpenzimet e institucioneve që dëshirojnë t’i shfrytëzojnë për blerjen e mobiljeve të reja, sepse mobiljet munden me pritë. Përderisa buxheti është paraparë për mobilje, telefona të rinj, laptopa madje për vetura të blinduara, më mirë është që ajo shumë të shfrytëzohet që t’ia lehtësojmë barrën ekonomike qytetarëve që kanë nevojë”, ka thënë Osmani. / KultPlus.com

SHBA dhe BE dënojnë kërcënimin fizik ndaj kryeparlamentares Osmani

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë dhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, kanë dënuar kërcënimin fizik ndaj kryetares së Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani të premten, nga një deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, ambasada amerikane thotë se kuvendi ka humbur kohë duke u shpërqëndruar në sulme personale dhe retorika politike, ndërkaq nuk ka arritur të marrë përgjegjësinë për të zgjidhur krizën ekonomike dhe shëndetësore në vend.

Ndërkaq, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Apostolova, tha se dhuna nuk ka vend në shoqëri demokratike e sidomos ndaj gruas.

“Parlamenti i Kosovës duhet të bëjë punë konstruktive që të ballafaqohet me sfidat që ka përpara. Të gjithë duhet të përkushtohen për consensus politik dhe të përmbahen nga dhuna që nuk ka vend në shoqëritë demokratike, e sidomos në kuvend dhe ndaj gruas – kryeparlamentares”, tha ajo.

Seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën po diskutohej projektligji për rishikimin e buxhetit të Kosovës, të premten në mbrëmje, u ndërpre pas një përplasjeje verbale në mes të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Kryeparlamentarja, më vonë, përmes një postimi në Facebook njoftoi se ka paraqitur rastin në polici.

Incidentin e kanë dënuar edhe përfaqësues politikë e organizata joqeveritare në Kosovë. /KultPlus.com

Rrjeti i Grave dënon sjelljet ndaj Osmanit

Rrjeti i Grave të Kosovës ka dënuar sjelljet ndaj kryeparlamentares Vjosa Osmani në seancën e së premtes. Osmanit në fund të seancës i ishte vërsulur deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj, pas një debati mes deputetëve. Me t’iu vërsulur Ukaj, Osmani ndërpreu seancën.

Rrjeti i Grave të Kosovës përmes një reagimi për media ka thënë se ai veprim bie ndesh me kulturën parlamentare e demokratike të një shoqërie të barabartë.

“Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dënon gjuhën fyese dhe sjelljet denigruese të përdorura gjatë seancës së mbrëmshme të Kuvendit ndaj kryeparlamentares Vjosa Osmani. Kuvendi i Kosovës është institucion publik ku duhet respektuar rregullat dhe funksionet e secilit anëtar të tij. Në këtë institucion të gjithë qytetarët presin të përfaqësohet vullneti i tyre politik në mënyrë sa më dinjitoze. Veprime si ky i mbrëmshmi bien ndesh me kulturën parlamentare e demokratike të një shoqërie të barabartë. RrGK vlerëson se kryeparlamentarja Osmani është penguar në kryerjen e detyrës zyrtare në përputhje me rregulloren e Kuvendit, sipas së cilës ajo bart përgjegjësinë për mbarëvajtjen e seancave parlamentare, duke përfshirë këtu edhe tërheqjen e vërejtjes ndaj deputetëve të cilët nuk i respektojnë rregullat”, thuhet në njoftimin e RrGK-së.

Ky rrjet ka kërkuar nga politikanët të shmangin gjuhën kërcënuese dhe ka kërkuar ndëshkimin e tyre në përputhje me rregulloren e Kuvendit dhe ligjet në fuqi.

“Sjellje të tilla ndaj grave në politikë dhe procese vendimmarrëse janë krejtësisht të papranueshme dhe dëmtojnë rëndë aspiratën tonë për një shoqëri të barabartë për gratë dhe burrat. Trajtimi i tillë i grave në hapësirat publike është tregues shqetësues për trajtimin e grave në shoqërinë tonë, dhe nuk duhet kaluar pa ndëshkim”, përfundon reagimi. /Koha.net /KultPlus.com

Apostolova i del në krah Vjosa Osmanit: I papranueshëm tentimi për dhunë ndaj një gruaje

Shefja e Zyrës së BE’së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka reaguar pas përplasjes së mbrëmshme në Kuvendin e Kosovës me kryetares Vjosa Osmani dhe deputetit, Xhavit Ukaj.

Apostolova ka thënë se të gjithë duhet të përmbahen nga dhuna në Kuvend e sidomos ndaj një gruaje që është kryetare e Kuvendit.

“Kuvendit të Kosovës i duhet një punë konstruktive për t’u ballafaquar me sfidat serioze që e presin përpara. Të gjithë duhet të angazhohen për një konsensus politik dhe të përmbahen nga dhuna e cila nuk ka vend në shoqëritë demokratike, e lëre më në Shtëpinë e Popullit, veçanërisht ndaj një gruaje-kryetare e Kuvendit”, ka shkruar ajo në Twitter.

Vjosa Osmani është përplasur me fjalë mbrëmë me deputetin e LDK’së, Xhavit Ukaj, i cili shkoi te foltorja e Kryeparlamentares pasi kjo e fundit e kërcënoi se me forcën e sigurimit fizik do ta largonte nga seanca pasi i njëjti protestoi kundër mënyrës se si ish-Nënkryetarja e LDK’së po i favorizonte deputetët e Albin Kurtit./ KultPlus.com

Osmani ndan mirënjohje për përfaqësuesit e legjislaturës së 2 Korrikut

Më 2 korrik 1990 u miratua Deklarata Kushtetuese – gurthemel i pavarësisë së Kosovës. Miratimi i kësaj deklarate ishte padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar. Ky akt politiko-juridik ishte shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi në rrethanat e reja që po krijoheshin asokohe ndër shqiptarët dhe në gjithë rajonin e Ballkanit. Shuarja e autonomisë po shënonte fillimin e serbizimit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë paraqiste hyrje në një periudhë tepër të rëndë për shqiptarët të cilët po trajtoheshin, jo vetëm si qytetarë të rendit të dytë, por edhe po u nënshtroheshin torturave sistematike nga regjimi kriminal serb.

Duke qenë të vetëdijshëm për momentin historik para të cilit ndodhej Kosova, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik të vitit 1990, miratuan publikisht (para Kuvendit të Kosovës) Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. Ky ishte një akt historik i pritur moti dhe që shprehte aspiratat shekullore të popullit të Kosovës për mëvetësi shtetërore e territoriale nga Serbia.

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e shënimit të këtij përvjetori historik për Kosovën, ka ndarë mirënjohje për përfaqësuesit e legjislaturës e cila, para dyerve të tempullit të lirisë, e artikuloi qartë pikësynimin e pathyeshëm për liri në Deklaratën e 2 korrikut të vitit 1990.

Me këtë rast, Osmani është shprehur se 2 korriku, shënoi themelet e shtetësisë.

Ky është postimi i plotë i Vjosa Osmanit:

Sot prita dhe ndava mirënjohje për përfaqësuesit e legjislaturës e cila, para dyerve të tempullit të lirisë, e artikuloi qartë pikësynimin e pathyeshëm për liri në Deklaratën e 2 korrikut të vitit 1990. Deklarata e miratuar nga 114 delegatët e asaj kohe qe akti politik dhe juridik me të cilin Kosova përfundimisht nuk pranoi t’i nënshtrohej hegjemonisë dhe i hapi udhë artikulimit të shtetësisë së Kosovës, e cila u konkretizua me Kushtetutën e Kaçanikut, të 7 shtatorit të po atij viti. Prandaj, ua shpreha mirënjohjen më të thellë timen dhe të Kuvendit të Kosovës për aktin sa heroik, aq njerëzor të secilit prej tyre, duke nisur nga ish-kryetari, z. Ramajli, delegatët e pranishëm sot, delegatët që për arsye moshe e shëndeti nuk mund të ishin sot me ne dhe në veçanti atyre grave e burrave që tashmë nuk janë mes nesh.
Që të gjithë do të mbahen në mend përjetësisht, sepse në vorbullën politike të kohës, kur vendi ynë po vihej egërsisht nën çizmen e regjimit serb ata i dolën zot atij dhe e artikuluan vullnetin politik të qytetarëve liridashës për Kosovën Republikë.
Ne ju përkulemi sot sepse ata e kuptuan se në botën e përplasjeve të mëdha ideologjike të fundviteve ’80, orientimi drejt vlerave demokratike, përqafimi i idesë së lirisë për veten dhe për tjetrin, si dhe refuzimi i ideologjisë komuniste ishin edhe vullnet edhe orientim strategjik.
Sot themelet e shtetit tonë qëndrojnë mbi vendimin e këtyre delegatëve për ta refuzuar dhunën dhe për t’i përqafuar vlerat e lirisë. Prandaj, si Kryetare e Kuvendit i falënderoj në emër të të gjitha legjislaturave pas asaj të 2 korrikut dhe t’i siguroj se çdo veprim yni në jetësimin e lirive njerëzore dhe në promovimin e tyre do të jetë i frymëzuar nga parimet që i vulosën këta delegatë me Deklaratën Kushtetuese. E, njëri ndër këto parime është këmbëngulja për ta jetësuar shtetin e së drejtës dhe mosdorëzimi para çfarëdo lloj pengese. Ne qëndrojmë fort mbi këtë parim sepse delegatët e 2 korrikut i kishim shembull nga i cili mësuam.

Urime 2 korriku, që shënoi themelet e shtetësisë! / KultPlus.com

Osmani: Majlinda tregoi se ky vend i vogël mund t’i japë njerëzimit vlera të pakontestueshme në sport, kulturë e shkencë

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani në Ditën Olimpike ka kujtuar rolin e sportistëve që e kanë ngritur lartë emrin e Kosovës që nga Aziz Salihu deri Majlinda Kelmendi, shkruan KultPlus.

“Sot, në Ditën Olimpike kujtojmë rolin e jashtëzakonshëm të sportistëve tanë dhe punëtorëve sportivë në ngritjen lart të emrit të Kosovës, nga ish-fituesi i medaljes së parë olimpike, boksieri Aziz Salihu, i cili në Olimpiadën e vitit 1984, në Los Anxheles e fitoi medaljen e bronztë, e deri te ajo që flamurin e Kosovës e lartësoi në piedestal, duke e fituar të parën medalje të artë olimpike për shtetin e pavarur të Kosovës, madje në më të parën olimpiadë në të cilën Kosova mori pjesë si shtet i pavarur.

Majlinda përloti çdo njeri sportdashës, por preku edhe zemrat e çdo njeriu paqedashës e liridashës. Ajo tregoi se ky vend i vogël, në të cilin jetojnë njerëz me zemër të madhe, mund t’i japë njerëzimit vlera të pakontestueshme në sport, kulturë e shkencë.
Sot, Kosova ka pesë norma olimpike në xhudo dhe një në mundje dhe mund të ketë edhe të tjera deri në lojërat e ardhshme olimpike. E përgëzojmë Komitetin Olimpik të Kosovës për këto të arritura, sikur edhe secilin punëtor sportiv, si dhe federatat e sportit, të cilat po e mbajnë gjallë frymën olimpike dhe u urojmë shumë suksese!”, ka shkruar Osmani në Facebook. /KultPlus.com

‘U shkarkova se jam grua, sepse asnjë burrë në të kaluarën kur ka vepruar kundër vendimeve të partisë, nuk janë përjashtuar’

Shkruan Vjosa Osmani

Po përjashtohem e diferencohem sepse:
Thashë kurrë me të korruptuarit, dhe ashtu mbeti;
Thashë do t’i sjellim Kosovës ndryshimin e jo mendësinë e vjetër në pushtet, dhe ashtu mbeti;
Thashë se nuk do ta përkrahë asnjë tregtar të kufijve e të sovranitetit, dhe ashtu mbeti.
Thashë për Kosovën do të kërkojmë barazi nëpërmjet reciprocitetit, dhe ashtu mbeti;
Thashë se askujt nuk do t’i punojmë pas shpine, dhe ashtu mbeti;
Pra, u diferencova e shkarkova sepse e mbajta fjalen.
U diferencova edhe për shkak se jam grua, sepse asnjë nënkryetar burrë në të kaluarën, edhe kur kanë kundershtuar e vepruar kundër vendimeve të partisë, nuk janë përjashtuar.

Por, të dashur qytetarë të Kosovës, sistemet që themelin mbi të cilin qëndrojnë e kanë diferencimin, janë gjithnjë të destinuara të dështojnë. Kështu ka qenë në të kaluarën, e kështu do të jetë edhe tash e tutje, të jeni të bindur. Prandaj po e përsëris atë që e kam thënë në Kuvend më 25 mars:

Në politikë, sikur edhe në jetë, ndonjëherë duhet ta paguash çmimin e të qenit parimor. Unë e kam provuar në lëkurën time më shumë se njëherë. Por, parimësia tregon udhën e vërtetë, edhe kur ajo është e mbushur përplot gjemba. E, unë nuk përtoj t’u rrekem këtyre pengesave për ta bërë të dukshme dritën, edhe nëse kjo nuk kuptohet nga disa mendjeshkurtër që sot votuan për përjashtimin e diferencimin tim. Por është një udhë që unë e kam ndjekur këto 20 vjet e ajo është udha që ta shtron besimi qytetarë dhe asaj nuk e kam ndërmend t’i ndahem kurrë. Në secilën betejë, do të jem me qytetarët, deri në fund.

I falenderoj 53 anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm që nuk u bënë pjesë e këtij diferencimi politik. Ndërsa për diferencuesit e sotëm, shihemi në garën zgjedhore së shpejti. E aty do ta shohim se kush do të fitojë kur të dalim para qytetarëve. Gara e vërtetë është para qytetarëve, edhe pse shumica dërmuese prej jush diferencues, jeni aq frikacakë sa nuk do të guxoni të dilni në atë përballje, por sërish do të fshiheni prapa dikujt tjetër. Por përballja e madhe do të ndodhë. Mua më ka ngritur populli dhe vetëm ai do të mund të më rrëzojë.

Bring it on! 💪🏼 / KultPlus.com

Osmani: Edhe 20 vjet pas luftës, s’ka drejtësi për 20 mijë persona të dhunuar

Në Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës Seksuale në Kohë Lufte, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe shefja e Zyrës së UN Women, Ulrike Richardson, kanë organizuar ecjen nga shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova e deri te monumenti “Heroinat”, transmeton KultPlus.

Osmani tha se edhe 20 vjet pas luftës, s’ka drejtësi për 20 mijë persona të dhunuar. / KultPlus.com

Osmani propozon që një ulëse në Kuvend t’u dedikohet fëmijëve që u vranë në luftë

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se si sot 21 vjet më parë u realizua ëndrra dhe përkushtimi i brezave të tërë që luftuan për liri.

Ajo ka propozuar që një ulëse në sallën e Kuvendit t’i kushtohet fëmijëve të vrarë gjatë luftës së fundit.

Duke kujtuar ardhjen e Ditës së Çlirimit, Osmani ka thënë se pas 78 ditë bombardimeve shpresa ngadhënjeu, Kosova e pa dritën e lirisë, dhe qytetarët morën frymë.

Ajo ka thënë se u dëshmua se në Kosovë liria e jashtme mund të vije vetëm nëse fitohet liria e brendshme

“Prandaj ne u çliruam sepse edhe e fituam lirinë e brendshme dhe këmbëngulëm në vlerat humanë kur fqinjët tanë i shkelen atë. Do t’i propozojë Kuvendit që njërën nga ulëset në qendër të sallës ta mbajmë të rezervuar si dedikim të fëmijëve të pafajshëm të këtij vendi të cilëve iu këput ëndrra për jetë”, ka thënë ajo

Osmani ka thënë se sot duhet unitet për paqe të qëndrueshme dhe mbrojtje të sovranitetit e territorit në Kosovë.

“Ne e njohim shumë mirë peshën e lirisë sepse e kemi përjetuar me shekuj të tërë mungesën e saj. Pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin e popujve në Ballkan. Historinë e kemi në krah. Kosova e ka numrin të madh të fëmijëve e grave të vrara. Në këtë ditë të lirisë, kemi një mesazh, siç ishim unik dikur si një akt sublim, sot të jemi unik në idenë për paqe të qëndrueshme duke mbrojtur sovranitetin e territorit tonë në çdo pëllëmbë”, ka thënë ajo. / KultPlus.com

RrGK: Të ndalen sulmet dhe shpifjet ndaj Vjosa Osmanit

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shpreh shqetësim për sulmet e vazhdueshme dhe, siç thotë përmes një reagimi, shpifjet ndaj kryeparlamentares së parë në Kosovë, Vjosa Osmanit.

“Duke përsëritur kërkesën që të ndalen sulmet ndaj grave në politikë dhe vendimmarrje, përmes kësaj letre bëjmë thirrje që të mos cenohet integriteti dhe kontributi i Osmanit në sferën publike. Osmani është figurë publike dhe është e angazhuar në politikë tash e një kohë të gjatë, andaj, puna dhe performanca e saj duhet vlerësuar mbi kritere të jetës publike dhe institucionale, dhe asnjëherë duke u nisur nga një mendësi patriarkale dhe një diskurs që në qendër ka familjen”, thuhet në reagim.

RrGK vlerëson se kundërshtimet politike si dhe mospajtimet institucionale duhet të shprehen pa linqime të tilla ndaj familjarëve të palëve të përfshira.

“Shpifja dhe fyerja, sipas Ligjit nr. 02/L-65 të Republikës së Kosovës cilësohen si vepra penale dhe janë të dënueshme më ligj, andaj me qëllim të ndërtimit të një shoqërie demokratike që promovon lirinë e shprehjes, mirëpo parandalon gjuhën e shpifjes dhe atë të fyerjes, RrGK kërkon që shpifjet ndaj Osmanit të trajtohen përkitazi me ligjin në fuqi. Çdo përpjekje për të zvogëluar kontributin e grave në politikë dhe në sferën publike është vetëm hap prapa në arritjen e synimit tonë të përbashkët për një shoqëri të lirë, demokratike dhe të barabartë”, përfundon reagimi i RrGK-së. / KultPlus.com

Osmani: Të garantojmë një të ardhme të gjelbër e të shëndetshme për fëmijët tanë dhe për të gjithë ne

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, në Ditën Botërore të Mjedisit ka shkruar se duhet të fokusohemi te krijimi i mundësive që përmes bashkëpunimit të garantojmë një të ardhme të gjelbër, shkruan KultPlus.

Kur fëmijët na thonë që duhet të bëjmë më shumë për t’ju siguruar atyre një jetë më të mirë e një të ardhme të barabartë, më të shëndetshme, me më shumë mundësi për tu avancuar dhe zhvilluar për të gjithë, pa dallim, kjo është një thirrje që ne nuk guxojmë ta anashkalojmë. Përkundrazi, këto thirrje duhet të jenë udhërrëfyesi ynë si dhe vizioni i përbashkët i të gjithë ne që jemi përgjegjës për bërjen e politikave.

Në Ditën Botërore të Mjedisit, në frymën e mendësisë që tokën nuk e trashëgojmë nga paraardhësit tanë por e huazojmë nga gjenerata që vijnë pas, të fokusohemi te krijimi i mundësive që përmes bashkëpunimit të garantojmë një të ardhme të gjelbër, më të shëndetshme, e me të qëndrueshme për fëmijët tanë si dhe për të gjithë ne. /KultPlus.com

Vjosa Osmani kërkon publikisht dënime për deputetët që pinë duhan brenda Kuvendit

Jo rrallë herë kanë dalë pamje kur deputetët e Kuvendit të Kosovës janë parë duke pirë cigare brenda ambientit të ndërtesës të Kuvendit.

Një gjë të tillë e ka potencuar sot edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani e cila ka kërkuar publikisht që të shqiptohen dënime për deputetët që e shkelin Ligjin për Duhanin.

“Po vërehet tymi në sallën plenare që po vjen nga salla prapa. Jeni duke e shkelur Ligjin për Duhanin. E ftoj publikisht Inspektoratin e Ministrisë së Shëndetësisë që të monitorojë këtë shkelje dhe t’i shqiptojë dënimet e merituara për të gjithë që po e shkelin këtë ligj brenda ndërtesës së Kuvendit”.

“Të gjithë deputetët janë të njoftuar që Inspektorati do të fillojë me dënime për këdo që e shkel këtë ligj”. 

Osmani: Liria nuk do të ketë kuptim pa drejtësi për njëmijë e njëqind e tridhjet e tre fëmijët që i morën nga ne

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për drejtësi në ditën ndërkombëtare të fëmijëve, shkruan KultPlus.

Në profilin e saj në Facebook, Osmani ka publikuar një video në të cilën shpalosen fotografi të fëmijëve që u ndanë nga jeta gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Gjatë luftës së fundit, 1133 fëmijëve, disa prej tyre foshnje disajavëshe, iu pre jeta ende pa e nisur mirë. ‘Faji’ i vetëm i tyre qe ëndrra e tyre, bota e tyre e çiltër dhe shpresa për ta jetuar jetën në një botë të lirë. E, ata kishin lindur në një vend në të cilin liria ishte e kërcënuar dhe përkatësia etnike e familjare trajtohej si argument i mjaftueshëm për t’i ndarë ata nga jeta. 109 fëmijë sot e kësaj dite rezultojnë ende të zhdukur.
Fëmijët e vrarë në Kosovë, më shumë se në çdo luftë tjetër në hapësirat e ish-Jugosllavisë, po të krahasohen me numrin e përgjithshëm të viktimave, janë thirrja e vazhdueshme e ndërgjegjes për mizorinë ndaj qenieve më të pafajshme në botë, fëmijëve.
Secili emër i tyre, të cilin ne e sollëm në kujtesë sot në ditën ndërkombëtare të fëmijëve, na e rrëfen një histori më vete, e të gjithë së bashku jehojnë si thirrje e përhershme për ta kujtuar të kaluarën, ëndrrën e këputur, nga e cila, megjithatë, lindi dhe po rritet Republika jonë.
Por, nëse Republika po lëshon shtat, nëse pavarësia e Kosovës është mbërritur, bashkë me moshën e republikës po rritet edhe distanca me përjetimin, me historinë tone, gjurmët e së cilës mund të treten një ditë. Prandaj, bashkë me shtatin e Republikës, duhet të rritet edhe vetëdija për themelet e saj, për dhimbjen e përhershme mbi të cilën lindi ajo. Thirrja e 1133 fëmijëve duhet të kumbojë çdo ditë në veshët tanë, që shtetin ta bëjmë strehë të sigurt dhe vend në të cilin fëmijët e Kosovës do ta ndërtojmë të ardhmen e tyre.
Ne nuk mund ta shfletojmë faqen e së nesërmes nëse nuk sigurohemi se e kemi lexuar vëmendshëm dhe e kemi mbajtur në mend mësimin e së djeshmes.
Liria nuk do të ketë kuptim pa drejtësi për njëmijë e njëqind e tridhjet e tre fëmijët që i morën nga ne”, ka shkruar Osmani. /KultPlus.com

“Nana, të dua” – mesazhet e ëmbla që vajzat ia lanë Vjosa Osmanit në zyrë

Vjosa Osmanit i duhet shpesh herë që të bëjë dy punë shumë të rëndësishme në jetën e saj njëkohësisht – të jetë në krye të detyrës si kryeparlamentare dhe të përkujdeset për dy vajzat e saj binjake.

Një rast të tillë ajo duket se e pati edhe një ditë më herët kur dy vajzat e saj i kishte marrë në zyrën e Kryetares së Kuvendit, njofton Klan Kosova.

Por, duket se bijat e Vjosa Osmanit u përkujdesën që ta lumturojnë nënën e tyre duke i lënë mesazhe shumë të ëmbla në zyrë.

“Nana, të dua”, kishin shkruar ato në disa letra që i kishin lënë në vend të ndryshme në zyrën e nënës së tyre, madje duke ia ngjitur një të tillë edhe në ekranin e kompjuterit.

“Kur i merr fëmijët me vete në punë dhe kthehesh një ditë më pas në zyrë për t’i gjetur këto”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Vjosa Osmani propozon që vetura në të cilën ishte sulmuar Rugova të ruhet në muze

Kryeparlamentarja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka propozuar që vetura, në të cilën ndodhej ish-presidenti Ibrahim Rugova kur ishte sulmuar në vitin 2005 në rrugën “Agim Ramadani”, të ruhet në muze.

Në një postim në Facebook, një ditë para “Ditës së Presidentit”, Osmani ka thënë se vetura në të cilën ishte sulmuar Rugova “është dëshmi se duhet të ruajmë kujtesën kolektive e jo të bëhemi pjesë e amnezisë kolektive”.

“Në prag të 24 Majit, Ditës së Presidentit, e inicuar si ditë presidenti nga vetë dr. Ibrahim Rugova, e kujtuam arkitektin e pavarësisë së Kosovës, ideatorin e shtetësisë së saj, njeriun e butë por këmbëngulës në vizionin e tij për ta realizuar ëndrrën e brezave për të jetuar të lirë. U përkulëm para varrit të Presidentit historik, me kujtesën e freskët për njeriun, i cili na mësoi se këmbëngultësia në parime, sado e vështirë, është rruga e vetme për ta realizuar ëndrrën për shtet që i bën të dinjitetshëm qytetarët e vet dhe ua garanton atyre liritë qytetare; se ëndrra për t’i shërbyer me dinjitet vendit është më e madhe se moskuptimi, sharjet e sulmet nga ata që s’mund ta kuptojnë vizionin tuaj, madje edhe kur sulmoheni me bomba, sikur i ndodhi presidentit tonë, 16 vjet më parë. Sot, vetura në të cilën ndodhej presidenti Rugova atë ditë, së bashku me veturat e tjera të eskortës së tij, gjinden në oborrin e Kuvendit të Kosovës, në mëshirë të fatit. Si kryetare e Kuvendit të Kosovës, do t’u propozoj institucioneve përgjegjëse që këtë veturë, e cila është pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës, ta marrin nën mbrojtje. Atë veturë nuk guxon ta mbulojë pluhuri i harresës. Ajo është dëshmi se duhet ta ruajmë kujtesën kolektive e jo të bëhemi pjesë e amnezisë kolektive. Është dëshmi se Presidenti nuk thyente parimet as kur përballej me bombat”, ka shkruar ajo në Facebook.

Osmani ka propozuar që vetura të jetë në Muzeun Kombëtar, ose në atë të Pavarësisë, “sepse, sikur e gjithë veprimtaria e dr. Rugovës, ajo është dëshmi se vizioni për shtetin e pavarur, i prirë nga dashuria për vendin, është i pathyeshëm; se këmbëngulja për ta ndërtuar vendin është më e madhe se cilado pengesë dhe se kujtesa për lëvizjen për pavarësi është kujtesë për qenien tonë”.

“Ne do ta kujtojmë përherë presidentin Rugova si njeri stoik e si model të papërsëritshëm të politikanit, i cili ia dha politikës dimensionin më të çmuar të saj: atë human; e kujtojmë unifikuesin e jashtëzakonshëm të popullit të tij e përafruesin po kaq të madh të pikëpamjeve të ndryshme politike rreth vizionit për lirinë. Ai u ndihmoi shqiptarëve që ta krijonin lirinë e brendshme, si premisë mbi të cilën do ta realizonin lirinë fizike dhe kjo qe e arritur e jashtëzakonshme e tij dhe e lëvizjes që ai e udhëhoqi; e kujtojmë udhëheqësin shpirtëror të shqiptarëve, i cili vizionin e tij për Kosovën dhe çështjen shqiptare e shpalosi aq bindshëm nëpër kancelaritë botërore, sa krijoi ura miqësie gjithandej globit dhe e vulosi përfundimisht aleancën e qëndrueshme e të përhershme të shqiptarëve me qytetërimin e vendet e perëndimit. Këto, sikur dihet, ia mundësuan Kosovës që përfundimisht ta prekte ëndrrën për të jetuar e lirë, ëndërr që u bë realitet më 1999. Ëndrra e presidentit vazhdon!” ka shkruar tutje Osmani në këtë postim.

Ende s’janë gjetur autorët e atij sulmi. /Koha.net /KultPlus.com

Vjosa Osmani: Nuk ka qenie njerëzore më të fortë se nënat

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar se sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera anekënd botës, festohet Dita e Nënës.

Ajo ka thënë se në këtë kohë pandemie në veçanti, por edhe çdo ditë të jetës sonë, gjithsecili prej nesh e kuptojmë se nuk ka qenie njerëzore më të fortë se nënat, njofton Klan Kosova.

“Për mjeket e infermieret që për të shpëtuar jetë po punojnë ditë e natë duke mos i parë fëmijët e tyre për ditë të tëra, për nënat vetushqyese që përkundër sfidave rrisin e edukojnë fëmijë të mrekullueshëm e të suksesshëm, për punëtoret në veprimtaritë esenciale që nuk pushuan as kur të gjithë rrinin në shtëpi, për mësueset që vazhduan mësimin online përderisa kujdeseshin për fëmijët e familjen, për secilën grua që kontribuoi në shërbimin e shujtave për familjet në nevojë, për policet e ushtaret që rrezikojnë jetën e tyre për ne, e për secilën nënë që çdo vështirësi na e kthejnë në lehtësim: faleminderit që ekzistoni. Urime dita e nënës!” / KultPlus.com

Osmani: Urime Dita e Evropës nga populli më i izoluar në Evropë

Kryeparlamentarja e Kosovës Vjosa Osmani përmes një postimi në Facebook ka uruar ditën e Evropës, duke theksuar se Kosova orientim të qartë strategjik e ka anëtarsimin në Bashkimin Evropian, shkruan KultPlus.

Postimi i Osmanit:

Sot në ditën e Evropës rikthejmë në kujtesë edhe një herë se sa e rëndësishme dhe produktive është paqja mes popujve e shteteve dhe orientimi drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane. Duke promovuar fillimisht bashkëpunimin tregtar e pastaj edhe diversitetin kulturor e etnik, Bashkimi Evropian u shndërrua në projektin që jetësoi zhvillimin ekonomik, krijoi mirëqenie për qytetarin dhe u shndërrua në entitetin që u bë sinonim i paqes dhe i stabilitetit në botë. Andaj, Kosova orientim të qartë strategjik e ka anëtarsimin në Bashkimin Evropian.

Jetësimi i vlerave që i ka mishëruar Bashkimi Evropian në themelet e tij janë sot po aq të rëndësishme sikurse edhe 70 vjet më parë. Por, mbajtja e popullit më pro-evropian, popullit të Kosovës, të izoluar është në kundërshtim me po këto vlera. Çdo skenar i pranuar për ndryshim kufijsh të vendeve që aspirojnë integrimin në BE është poashtu në kundërshtim me këto vlera. Shpresojmë që sot, 70 vite pas, e përherë në BE të mbizotërojnë mendjet e ndritura, sikurse ajo e Robert Schuman dhe të punohet për paqe, stabilitet e solidaritet e të bashkohemi kundër atyre që promovojnë urrejtje, ndarje e diskriminim. /KultPlus.com

Osmani: Sot iku njeriu i cili dha gjithçka për baletin, artisti i merituar

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së mjeshtrit të baletit Ahmet Brahimaj

Sot iku rithemeluesi i trupës së baletit të Kosovës. Njeriu, i cili dha gjithçka për baletin, artisti i merituar dhe profesionisti i pakompromis.

Ahmet Brahimaj është përfaqësues i brezit të parë të baletanëve të Kosovës dhe do të mbetet ikona e artit skenik të baletit.

Trupa e Baletit mbeti pa frymëzuesin, bashkëpunëtorin e mirë e vetëmohuesin! Kosova mbeti pa maestron!

Ngushëllime komunitetit artistik!

Pusho në paqe mjeshtër! / KultPlus.com

Vjosa Osmani: Profesor Agani i shërbeu vendit me gjithë qenien e tij prej dijetari e ideologu nacional

Sot më datën 6 maj janë bërë 21 vjet nga vrasja e ish-nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Fehmi Agani i cili u vra nga forcat serbe.

Ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës për liri dhe pavarësi.

Në këtë përvjetor të 21-të, Aganin e kujton edhe Kryeparlamentarja Vjosa Osmani duke e cilësuar si një njeri të urtë e veprimtar të madh, këmbëngulës në përpjekjen për jetësimin e idealeve të brezave për liri.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të Osmanit:

Sot, në 21-vjetorin e vrasjes, e kujtojmë njeriun e urtë e veprimtarin e madh, bashkudhëtarin politik të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, në lëvizjen e viteve ’90 për pavarësi, njërin ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mbi të gjitha, njeriun e dijeve e të ideve për konsolidimin e kombit, profesor Fehmi Aganin. Ai u vra më 6 maj 1999 nga regjimi gjenocidal serb i Millosheviçit. Vrasja e tij qe përpjekje për ta dobësuar vullnetin dhe këmbëngultësinë e shqiptarëve për liri dhe pavarësi.
Dr. Agani, njeri i urtë, tepër modest, por këmbëngulës në përpjekjen për jetësimin e idealeve të brezave për liri, qysh më 1968 qe njëri ndër bartësit e debatit për Republikën e Kosovës. Në vitet ’80 ai ngrehu zërin kundër diferencimeve politike dhe sidomos kundër ndryshimeve të dhunshme kushtetuese, për t’iu bashkuar nismës për themelimin e LDK-së, e cila u shndërrua në lëvizje të fuqishme kombëtare kundër ideologjisë totalitare dhe i bashkoi shqiptarët përreth idesë së lirisë. Profesor Agani i shërbeu vendit me gjithë qenien e tij prej dijetari e ideologu nacional. Ai ia dha lëvizjes urtinë e nevojshme për ta bërë të pathyeshëm idealin e shqiptarëve për liri dhe e mbajti të gjallë vazhdimisht ëndrrën për ta parë të jetësuar atë.
Profesor Aganin sot e kujtojmë si personalitet me mendim të thellë politik, promotor i mendimit politik ndër shqiptarë dhe i përafrimit të pikëpamjeve të ndryshme rreth projektit të shqiptarëve për liri, pavarësi e demokraci. / KultPlus.com

Vjosa Osmani ia thotë këngës bashkë me të bijat (VIDEO)

Tani kur e gjithë bota po ballafaqohet me pandeminë Covid-19 dhe kur spektri politik në Kosovë mbetet i përçarë rreth përpjekjeve për ta formuar një Qeveri të re apo për ta mbajtur këtë Qeveri në detyrë derisa të krijohen kushtet për të shkuar në zgjedhje, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, po e menaxhon mjaft mirë këtë kohë.

Ajo në llogarinë e saj në Twitter, Osmani e ka publikuar një video ku shihet dhe dëgjohet duke kënduar së bashku me dy vajzat e saja, njofton Klan Kosova.

Në gjuhën angleze ajo është shprehur se vajzat e saj janë motivimi i saj i përditshëm.

“Vajzat e mia janë motivimi im i përditshëm dhe më bëjnë të besoj se një nënë e binjakëve mund të bëjë çfarëdo. Përmes zërit të Miriam Canit dhe Alban Skenderajt kemi kënduar ‘Ti je Dhurata’ për të gjithë fëmijët të cilët janë duke frymëzuar prindërit e tyre të jenë të guximshëm dhe të mos heqin dorë kurrë”. /KultPlus.com

Osmani: Nëse ne i japim këmbë virusit, beteja me të do të jetë e gjatë dhe e dhimbshme

Pas raportimit të mbrëmshëm ku u njoftua që numri i të prekurve me Covid-19 ishte gjithsej 79 për 24 orë, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar përmes një statusi në Facebook, duke lutur qytetarët që të jenë të kujdesshëm, përndryshe beteja ndaj tij do të jetë e gjatë dhe e dhimbshme, shkruan KultPlus.

Në një postim në Facebook ajo ka shkruar se numri i të infektuarve mbrëmë tregon fuqinë e armikut të padukshëm.

“24-orëshi i fundit shënoi numrin më të madh të të infektuarve të konfirmuar me Covid-19, gjithsej 79. Ky numër tregon fuqinë e armikut të padukshëm, dëshmon se, nëse ne, sikur thonë profesionistët shëndetësorë, ne i japim këmbë atij, ia bartim atë tjetrit, beteja ndaj tij do të jetë e gjatë dhe e dhimbshme.”

Tutje, ajo bënë thirrje që të jeni të kujdesshëm për të shpëtua jetën tona.

“Prandaj, të bëhemi të gjithë bashkë për ta ndalur atë, për të shpëtuar jetët tona e të të dashurve tanë; t’i kufizojmë liritë tona sot që t’i gëzojmë përherë pastaj; ta kuptojmë se fatin e betejës e kemi në duart tona dhe se vetëm duke qëndruar në shtëpi dhe duke i ndjekur udhëzimet e profesionistëve, mund ta fitojmë atë. Së bashku mund t’ia dalim! #Rrinshpi #ShpëtoJetë.” / KultPlus.com

Osmani: Unë jam nënë e dy vajzave të vogla, nuk dua ti rrisë me shembullin që duhet heshtur përballë ofendimeve ndaj grave

E para e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, sonte duke folur për zhvillimet e fundit politike dhe sociale në vend, mes tjerash ka folur shkurt edhe për ofendimin ndaj grave, shkruan KultPlus

Osmani ka thënë se si nënë e dy vajzave të vogla nuk mund të jetë shembull e heshtjes përballë ofendimit ndaj grave.

Kryeparlamentarja e Kosovës, Vjosa Osmani, kohëve të fundit ka qenë model për ruajtjen e integritetit të pozitës ku punon.

Osmani: Ikja e Lezes do ta lë bosh përherë një vend, porse nuk do ta lë kujtimin për aktoren e mirë

Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, ka reaguar pas ikjes së aktores Leze Qena.

Osmani e konsideron Lezen si aktore që do të kujtohet gjithmonë për pozitivitetin dhe krijimtarinë e pasur që la pas vetes.

Postimi i plotë i Osmanit:

Ikona e skenës teatrore iku. Leze Qena na la bashkë me një bagazh të pasur të krijimtarisë së saj.
Lezja jonë do të mbetet në kujtimet tona për nga interpretimi brilant në skenën teatrore e filmike dhe për buzëqeshjen e dashurinë që përqonte tek të gjithë.
Lezja do të kujtohet ndër breza, sepse shumë të tillë për më tepër se gjysmë shekulli panë dhe mësuan mjeshtërinë e aktrimit nga diva teatrale, e cila ishte e tillë jo vetëm në skenë, por edhe në jetën e përditshme!
Ikja e Lezes në skenën teatrore kosovare do ta lë bosh përherë një vend, porse nuk do ta lë kujtimin për aktoren e mirë, e mbi të gjitha njeriun e mirë!
Prehu në paqe Leze, dritë pastë shpirti yt! /KultPlus.com

Osmani: Të jesh ndryshe është normale, Dita e Personave me Sindromën Down të na shërbejë si rikujtim për këtë gjë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se përderisa për shumicën e njerëzve  kjo ditë mund të jetë ditë e veçantë, por për personat me sindromën Down është vetëm një ditë tjetër, ku mospërfshirja, izolimi dhe distancimi shoqëror mbizotërojnë ende.

Osmani tha se të jesh ndryshe është normale dhe 21 marsi, Dita e Personave me Sindromën Down, duhet të shpërbëje si rikujtim për këtë gjë.

Në Kosovë mendohet se janë afër 900 njerëz me këtë sindrom.

Postimi i plotë:

Sot është dita e parë e pranverës dhe dita e personave me Sindromin Down.

Përherë në këtë ditë në rrugët e sheshet tona kanë dominuar e lëvizjet e shumta dhe hareja e njerëzve. Por, dita e sivjeme e pranverës na gjen ndryshe. Për shkak të pandemisë globale, sot jemi të izoluar e në distancë. Mirëpo, nëse për shumicën e njerëzve kjo ditë mund të jetë ditë e veçantë, për personat me sindromën Down është vetëm edhe një ditë tjetër, në të cilën mospërfshirja, izolimi dhe distancimi shoqëror mbizotërojnë ende.

Në të gjithë lindim të ndryshëm. Është pikëtisht kjo që këtë botë e bën më të veçantë, më të bukur. Të jesh ndryshe është normale dhe 21 marsi, Dita e Personave me Sindromën Down, duhet të na shërbejë si rikujtim për këtë gjë. Në Kosovë mendohet se janë afërsisht 900 njerëz me sindromën Down. Megjithatë, ky numër paraqet vetëm vlerësim, derisa nevoja për statistika të sakta është thelbësore, ngaqë do të ndihmonte në identifikimin e kësaj gjendjeje gjenetike të fëmijëve në moshë të hershme dhe do të hapte mundësi për ofrim të terapisë së përshtatshme. ​Prandaj, të përkushtohemi për mbrojtjen e të drejtave të personave me sindromën Down, si dhe për përfshirjen dhe mirëqenien e tyre.

Në janar të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutën për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ), në thelb të së cilës qëndron parimi “Askush të mos mbetet pas”. Nëpërmjet saj kërkohet fuqizimi i fëmijëve me nevoja të veçanta, por edhe i të rriturve, përfshirë personat me sindromën Down, në mënyrë që të gjithë së bashku të kontribojmë në të ardhmen tonë të përbashkët.

Motoja e Ditës Botërore të Sindromës Down 2020 është “NE VENDOSIM”, duke ritheksuar nevojën për krijimin e hapësirës për pjesëmarrje të plotë të personave me sindromën Down në vendimmarrje për çështje që prekin jetën e këtyre personave. Në Kuvendin e Republikës së Kosovës miratojmë ligje e vendine që ndikojnë drejtpërsëdrejti në jetët tuaja, mirëpo suksesi për çdo gjë që “NE VENDOSIM” është i garantuar vetëm nëse pjesë e kësaj “NE” jeni edhe JU!
Prandaj, edhe pse sot fatkeqësisht nuk mund të ishim bashkë në aktivitete të shumta që ishin menduar për këtë ditë, uroj që kjo qetësi në shtëpitë tona të na shërbejë të gjithëve për të dëgjuar, parë e vepruar për atë që s’kemi dëgjuar, parë e vepruar parë deri më tash. /KultPlus.com