Vjosa Osmani pezullon punën si ligjëruese në Universitetin e Prishtinës

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e gatshme të pezullojë punën e saj si ligjëruese në Universitetin e Prishtinës.

Pas mbledhjes së parë të kryesisë së re të Kuvendit, Osmani është shprehur në një konferencë për media se do të fokusohet vetëm në punën si kryeparlamentare.

“Natyrisht që unë do ta dërgoj kërkesën për pezullim në universitetin ku ligjëroj. Personat që mbajnë pozita të zyrtarëve të lartë mund të bëjnë kërkesë për pezullim gjatë asaj periudhe. Gjatë këtyre katër viteve unë do të fokusohem në tërësi vetëm dhe vetëm në punën time në Kuvend, sado që studentët do të më mungojnë shumë”, ka thënë Osmani, teksa ka refuzuar të komentojë nëse deputetët e tjerë apo ministrat duhet të veprojnë ngjashëm.

“Për kolegët tjerë mund t’i pyesni individualisht secilin. E di se disa prej tyre janë ministra, kurse për deputetë të tjerë s’jam e sigurt kush mban pozita të ligjëruesve”. / KultPlus.com

Osmani pasi hoqi fotografinë e Thaçit: E njoh ligjin, Rugova është ai që më inspiron

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani pas vizitës në repartin e Neonatologjisë ka komentuar para mediave se pse e ka hequr nga zyra fotografinë e presidentit Hashim Thaçi.

Osmani ka thënë se ka arsye për këtë, e që sipas ligjit shton se fotografia e presidentit është në Kuvend. Kryeparlamentarja ka deklaruar se do të mbajë në zyrë një person që e inspiron.

“Natyrisht që ka arsye. Unë e njohë ligjin dhe në përputhje të plotë me ligjin fotografia e presidentit është në Kuvend.  Unë kam dashur qe në ballë të zyrës ta kem dikë që më inspiron. Ligji për simbolet nuk e përcakton se në cilin cep të ndodhet fotografia e presidentit”, tha Osmani.

Në shoqërimin e drejtorit të Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovcit, kryetarja e Kuvendit ka falënderuar stafin e kësaj klinike për punën.

 “I falënderoj doktorët për punën e jashtëzakonshme qe e bëjnë. Si kryetare e Kuvendit vizitën time të parë e kamë nisë me simbolikë aty ku fillon jeta. Dhe e tyra të tregojë që ne si Kuvend i Republikës së Kosovës do ta bëjmë të pamundurën që shëndetësia të jetë prioritet i Qeverisë së Kosovës. Ky shtet do të bëhet kur ne e vendosim si prioritet jetën e foshnjave’, ka deklaruar Osmani.

Ndërkohë, drejtori i Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci  ka falënderuar Osmanin për vizitën.

‘Ishte kënaqësi sot qe ta kemi në vizitë kryetaren e Kuvendit. Ajo ka ardhë aty ku fillon jeta. I falënderohem përzemërsisht’, ka thënë ai./GazetaExpress/ KultPlus.com

Abbotti uron Osmanin si gruan e parë në krye të Kuvendit, e quan “moment historik”

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, e ka uruar kryeparlamentaren Vjosa Osmani.

Abbotti, ka theksuar edhe faktin se ajo është gruaja e parë që mban këtë post në Kuvendin e Kosovës.

Duke e quajtur “moment historik”, Abotti thotë se ky është përparim drejt barazisë gjinore.

“Përgëzoj Vjosa Osmanin për zgjedhjen e saj si kryetare e Kuvendit të Kosovës, një rol kryesor në shtetin e Kosovës dhe demokracinë e saj. Vjosa është kryetarja e parë grua në Kosovë, një moment historik në përparim drejt barazisë gjinore. Detyra të rëndësishme e presin Kuvendin e ri: I uroj Vjosës dhe kolegëve të saj suksese në punën e tyre”, shkruan Abbott, transmeton Koha.net. / KultPlus.com

Vjosa Osmani e heq fotografinë e Thaçit, e vendos atë të Ibrahim Rugovës

Vjosa Osmani e ka nisur ditën si kryeparlamentare e Kosovës.

Kryetarja e parë grua e Parlamentit të Kosovës e ka marrë vendimin e parë në detyrë.

Ajo e ka hequr fotografinë e presidentit Thaçi nga zyra e saj, duke e vendosur fotografinë e ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

Ambasadori amerikan, Philip Kosnett ishte mysafiri i saj i parë në zyrën me fotografinë e Rugovës./ KultPlus.com

Për herë të parë, Kosova me 7 gra në pozita të larta udhëheqëse

Viti 2020, do të mbahet mend si viti kur për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës, shtatë gra janë përzgjedhur në poste udhëheqëse, shkruan KultPlus.

Sot, Kuvendi i Kosovës zgjodhi kryetaren dhe emëroi kabinetin e ri qeveritar.

Me 65 vota pro, kryetare e Kuvendit të Kosovës u zgjodh Vjosa Osmani. Ndërsa nënkryetare e këtij institucioni është Arbërie Nagavci.

Qeveria e re, e cila u votua me 66 vota pro do të ketë pesë ministre gra, të cilat janë si vijon:

Ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministre e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Inovacionit, Hykmete Bajrami

Ministre i Ekonomisë, Punësisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe i Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari

Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi

Ministre Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilia Rexhepi. / KultPlus.com

Për herë të parë në historinë e Kosovës, timonin e Kuvendit e merr një grua

Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës është zgjedhur Kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Osmani e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje,gjegjësisht nga deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, i 65 mori vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

“Është nder shumë i madh që sot me besimin tuaj të zgjedhem që ta drejtojë Kuvendin e Kosovës për katër vitet e ardhshme”, ka thënë Osmani.

 “Falëndëojë qytetarët e Kosovës, që asnjëherë nuk rreshti së besuar që vota e tij do ta sjellë ndryshimin”, ka shtuar ajo.

Osmani është zotuar se Kuvendi do ta mbikëqyr Qeverinë e Kosovës.

“Të jemi një Kuvend që do të mbikëqyr mirë dhe rreptë Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Osmani.

“Gjatë këtij mandati do t’ia kthejmë dinjitetin Kuvendit të Kosovës dhe po e shoh kualitetin e grupeve parlamentare”, u shpreh ajo,

Kryeparlamentarja e zgjedhur ka premtuarn debat demokratik, gjuha korrekte ndaj njëri – tjetrit gjatë udhëheqjes së saj.n

/KultPlus.com

Osmani kujton Rugovën: Le të mësojmë prej urtësisë së tij në këto ditë të vështira për vendin

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar presidentin historik, Ibrahim Rugova, me rastin e 14 vjetorit të vdekjes së tij.

Osmani ka thënë se në 14 vjetorin e vdekjes së udhëheqësit dhe themeluesit të Kosovës së pavarur e moderne, Presidentit Ibrahim Rugova, më shumë se kurrë kemi nevojë të mësojmë prej urtësisë së tij politike, së pari, për të ndërtuar ura të brendshme, dhe pastaj, për t’i mirëmbajtë dhe riparuar urat me miqtë tanë ndërkombëtarë.

Osmani tutje ka thënë se vlerat e veprimtarisë së Presidentit historik janë të domosdoshme, sidomos në këto ditë të vështira, kur vendi ynë është para vendimeve të rëndësishme politike, që lidhen me zhvillimet e brendshme dhe të jashtme.

Postimi i plotë:

Në katërmbëdhjetë vjetorin e vdekjes së udhëheqësit dhe themeluesit të Kosovës së pavarur e moderne, Presidentit Ibrahim Rugova, më shumë se kurrë kemi nevojë të mësojmë prej urtësisë së tij politike, së pari, për të ndërtuar ura të brendshme, dhe pastaj, për t’i mirëmbajtë dhe riparuar urat me miqtë tanë ndërkombëtarë.

Rugova, sa qe gjallë, na ka mësuar se me miq mund të sendërtohet çdo aspiratë, kurse pa ta, e ardhmja e vendit tonë është e mjegullt. Po ashtu, Rugova na ka lënë testamentin e përhershëm të nevojës për bashkëpunim të brendshëm pa të cilin nuk mund të konsolidojmë shtetin tonë, si dhe domosdonë që te përcjellim rrugën e vullnetin që qytetarët tanë të urtë e të durueshëm e trasojnë për ne, nëpërmjet votës së tyre.

E sot, vlerat e veprimtarisë së Presidentit historik janë të domosdoshme, sidomos në këto ditë të vështira, kur vendi ynë është para vendimeve të rëndësishme politike, që lidhen me zhvillimet e brendshme dhe të jashtme. Në këto ditë të acarta, figura e urtë e tij, na ndihmon që të tejkalojmë vetveten dhe mosdurimin për njëri-tjetrin, drejt bashkimit për interesat e përgjithshme të vendit dhe në respekt të plotë të vullnetit qytetar.

I përhershëm kujtimi për Presidentin dhe njeriun e madh të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova! / KultPlus.com

Osmani: Përderisa Kosova kujton viktimat e gjenocidit, BE e shpërblen Serbinë

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani ka shkruar në ditën ndërkombëtare të viktimave të gjenocidit, se Kosova në këtë ditë kujton ata që humbën jetën si pasojë e politikave gjenocidiale të shtetit serb.

Përmes një shkrimi në Facebook, Osmani ka kujtuar në veçanti fëmijët e vrarë e të masakruar nga ky regjim.

Tutje, nënkryetarja e LDK-së, shprehet se edhe më tutje shteti serb po vazhdon që të mohojë këto krime, derisa, nuk shpreh keqardhje për viktimat e pafajshme.

“Në ditën ndërkombëtare të kujtimit të viktimave të gjenocidit, kujtojmë të gjithë ata që humbën jetën si rezultat i politikave gjenocidale të shtetit serb, dhe në veçanti fëmijët e vrarë e të masakruar nga ky regjim. Edhe pas më shumë se dy dekadash, shteti serb vazhdon me politikën e mohimit të këtyre krimeve, nuk shprehë keqardhje për viktimat e pafajshme dhe tenton të rishkruaj historinë edhe pse krimet serbe ndodhën para syve të të gjithë botës”, thotë ajo.

Vjosa Osmani ka thënë se në këtë ditë, derisa në Kosovë kujtohen ata që humbën jetën në luftën e fundit, Bashkimi Evropian shpërblen Serbinë me hapjen e një kapitulli të ri në procesin e integrimit evropian.

“Përderisa ne sot kujtojmë të gjithë ata që humbëm, Bashkimi Evropian, pikërisht sot, po e shpërblen Serbinë me hapjen edhe të një kapitulli në procesin e integrimit evropian”, tha Osmani./GazetaExpress/ KultPlus.com