Presidentja Osmani udhëtoi për vizitë pune në Singapor

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë pune në Singapor gjatë së cilës do të takohet me përfaqësues të lartë shtetëror.

 Gjatë qëndrimit në Singapor, Presidentja Osmani do të pritet në takim nga presidenti i Singaporit, Tharman Shanmugartnam dhe nga kryeministri i Singaporit, Lee Hsien Loong.

Në kuadër të kësaj vizite Presidentja Osmani do të marrë pjesë në Forumin Ekomomik te Bloombergut në Singapor, ku do të jetë ndër folëset kryesore në këtë forum. Forumi Ekonomik i Bloomberg-ut është ndër forumet më të mëdha dhe më të rëndësishme ekonomike në botë, i cili mbledhë CEO nga kompanitë më të suksesshme botërore dhe liderë politik, për të diskutuar tejkalimin e sfidave globale në fushën e ekonomisë dhe krijimin e partneriteteve te reja.  

 Gjatë kësaj vizite, Presidentja Osmani bashkë më bizneset kosovare prezente në Bloomberg, do të jenë pjesë e një tryeze të rrumbullakët për tregtinë, investimet dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Singaporit. Në këtë tryezë, ajo do të flasë për potencialin ekonomik të Kosovës dhe së bashku me bizneset kosovare do t’i përgjigjen interesimit të bizneseve të Signaporit.

 Ndër të tjera, Presidentja është ftuar të marrë pjesë edhe në ceremoninë e Earthshot Prize, që mbahet nën patronatin e Princit William të Wales-it, ceremoni kjo që i dedikohet agjendës së gjelbër. / KultPlus.com

Osmani uron Erdoganin për 100 vjetorin e Republikës: Kosova dhe Turqia kanë një miqësi të rrënjosur thellë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Turqinë për 100-vjetorin e Republikës.

Osmani në platformën X, ka shkruar se Kosova dhe Turqia kanë një miqësi të rrënjosur thellë, transmeton Klankosova.tv.

Me rastin e 100 vjetorit të Republikës së Turqisë, e uroj sinqerisht presidentin Recep Tayip Erdogan dhe kombin turk”, shkroi Osmani.

“Miqësia e rrënjosur thellë dhe marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Turqisë tregojnë për një të ardhme të ndritur”.

“Edhe shumë shekuj dhe miqësia jonë e fortë!”. /KultPlus.com

Presidentja Osmani vizitë në Iowa, takohet me zyrtarë shtetërorë, profesorë, studentë dhe përfaqësues të bizneseve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron për vizitë në shtetin e Ioëas ku edhe ka vizituar Kolegjin DMACC, përcjell KultPlus.

Osmani nëpërmjet një postimi në Facebook ka njoftuar se është takuar me zyrtarë të shtetit, profesorë, student dhe përfaqëues të bizneseve, e të cilëve edhe u shprehu mirënjohje për mbështetjen ndaj Republikës së Kosovës.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e presidentes Osmani:

Përmbyllja e ditës në Kolegjin DMACC.

Takim me zyrtarë të shtetit të Iowas, profesorë, studentë dhe përfaqësues të bizneseve.

Përkushtimi i shtetit të Ioëas për edukimin dhe fuqizimin e rinisë së Kosovës është i jashtëzakonshëm.

Jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen tuaj ndaj Republikës së Kosovës dhe rinisë sonë!/KultPlus.com

Presidentja Vjosa Osmani e përmend heroin Afrim Bunjaku në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Presidentja Vjosa Osmani në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e ka përmendur vrasjen e oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, më 24 shtator nga grupi i serbëve që kryen agresion në Banjskë të Zveçanit.

Ajo tha se i ndjeri Afrim Bunjaku e humbi jetën duke mbrojtur integritetin territorial të Kosovës./Klankosova.tv/KultPlus.com

Presidentja Osmani: Kosova shtet i përkushtuar ndaj demokracisë e sundimit të ligjit

Krerë të institucioneve publike, partive politike, ambasadorë, përfaqësues të ndërkombëtarëve e delegacione nga e mbarë bota po marrin pjesë në shënimin e përvjetorit të 14-të të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, kryetarja e kësaj gjykate, Gresa Caka Nimani, kryetare e Gjykatës Kushtetuese foli për punën e bërë gjatë kësaj periudhe, deri sa nuk la pa përmendur as kritikat e sulmet verbale që kanë marrë ndër vite.

” Sot simbolikisht shënojmë 14 vjetorin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë, simbol i një rendi të pavarur kushtetues është ndeshur me interpretimin dhe mbrojtjen e kësaj kushtetuese. 14 vite më parë gjenerata e parë mori përgjegjësinë për të interpretuar një kushtetutë të një shteti të posa themeluar.  Ndërveprimi mes pushteteve krijon edhe tension mes tyre, ky tension reflekton faktin se demokracia në Republikën e Kosovës funksionon. Mungesa e tensionit nënkupton që nuk po ruhet ekuilibri i duhur kushtetues. Ky tension jo rrallëherë është manifestuar edhe në sulme ndaj gjykatës. Kushtetuta është edhe përkushtimi kolektiv i të gjitha autoriteteve për një shtet të së drejtës. Gjykata do t’i qëndrojë besnike parimeve”, shtoi ajo.

Ndërkaq, të pranishmëve përmes një video-adresimi, iu drejtua edhe para e shtetit, Vjosa Osmani-Sadriu.

“Republika e Kosovës është shtet i përkushtuar ndaj demokracisë e sundimit të ligjit. Këto janë dhe duhet të jenë kryefjala e punës së secilit institucion të vendit tonë. Si presidente, puna ime udhëhiqet nga kjo kushtetutë. Rol tejet të rëndësishëm kanë gjykatat tona që pritet të punojnë mbi parimet e barazisë e drejtësisë. Jam e lumtur që në ditët në vijim Kosova do të jetë nikoqire e diskutimeve me gjykatat e shteteve tjera. Jam e bindur se përvojat e shkëmbyera të shteteve tjera do të jenë udhërrëfyes i drejtë për Kosovën në adresimin e shumë sfidave”, shtoi presidentja./rtk/KultPlus.com

Vjosa Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin e Shqipërisë, Qemal Minxhozi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur dje në takim lamtumirës ambasadorin e Shqipërisë, Qemal Minxhozi, të cilin e ka falënderuar për angazhimin e tij të deritashëm dhe i uroi suksese në angazhimin e mëtejmë.

Me rastin e përfundimit të mandatit të tij, Presidentja Osmani e falënderoi ambasadorin Minxhozi për angazhimin e tij përgjatë viteve për avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve në mes të dy shteteve simotra.

Me këtë rast, ajo e vlerësoi bashkëpunimin, si dhe përkushtimin e ambasadorit Minxhozi për t’i përafruar edhe më shumë qytetarët e vendeve tona.

“Presidentja Osmani deklaroi se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos në unifikimin e politikës së jashtme mbetet prioritet, duke thënë se fuqizimi i vazhdueshëm i koordinimit diplomatik është interes jo vetëm i shteteve tona, por edhe i rajonit në tërësi. Në këtë frymë, Presidentja përmendi edhe nevojën e vazhdimit të thellimit të bashkëpunimit ekonomik në mes të dy shteteve tona”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidentes.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend e rajon, si dhe mbi aktin e agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës, me ç’rast, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e Shqipërisë që të jetë zëri ynë në të gjitha instancat ndërkombëtare ku Kosova ende nuk ka përfaqësim.

Presidentja theksoi se shqiptarët në të dy anët e kufirit gjithnjë kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten faktor stabiliteti në rajon, me orientim të qartë euroatlantik. /KultPlus.com

Fjalimi i presidentes Osmani para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara  lidhur me dhunimet seksuale gjatë luftës (VIDEO)

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani mbajti fjalim para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, shteteve të shumta anëtare të Kombeve të Bashkuara, përfaqësuesve të shoqërisë civile e mediave lidhur me dhunimet seksuale të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Falënderoj Shqipërinë për nismën, si dhe për ftesën që të flas në emër të Republikës së Kosovës, duke i dhënë kështu zë mijëra të mbijetuarëve të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë. Mirënjohëse edhe ndaj Shteteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar si bashkërorganizatorë të kësaj seance”, është shprehur presidentja. / KultPlus.com

Presidentja Osmani organizon Darkën e Lamës në kampin e Njësisë Speciale në Mitrovicë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka organizuar darkën e përvitshme të falënderimeve, “Darka e Lamës” në kampin e njësisë speciale të Policisë së Kosovës, “Enver Zymeri”, ish-Belvedere në Mitrovicë.

Siç ka mësuar Klan Kosova, në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe rreth 300 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ndërkaq atyre që kanë qenë në patrullim, ua kanë dërguar ushqimin.

Mësohet po ashtu se ideja prapa organizimit të darkës në këtë lokacion ka qenë falënderimi ndaj forcave policore pas zhvillimeve të kohëve të fundit në pjesën veriore të vendit, ku më 24 shtator mbeti i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku nga një grup terrorist i armatosur serb.

Kjo darkë tradicionalisht organizohet në përfundim të të korrurave, në fund të muajit tetor. /Klankosova.tv /KultPlus.com

Osmani: Tetori Rozë. Ngjyrë shprese, force e uniteti

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përdorur platformën e saj në Facebook për të shprehur mbështetjen e saj ndaj tetorit rozë, një muaj që dedikohet ngritjes së ndërgjegjësimit për rrezikun e kancerit të gjirit, shkruan KultPlus.

Ajo ka theksuar se ky muaj është një periudhë ku ne mund të bashkohemi dhe, sipas saj, solidariteti ynë mund të triumfojë mbi çdo sfidë.

“Tetori Rozë. Ngjyrë shprese, force e uniteti. Muaj që shërben për ngritjen e vetëdijes tek secili për rreziqet e kancerit të gjirit. Muaj që na kujton se kur bëhemi bashkë, mund të mposhtim çdo gjë. Sot na bëri bashkë marshi, e tërë vitin do jemi pranë njëra-tjetrës. Kështu fillon ndryshimi”, është shprehur ajo. /KultPlus.com

Manifestimi “Zbulimi i hershëm – mbijetesë” nën patronatin e Presidentes Osmani

Nesër do të organizohet manifestimi tradicional informativo-kulturor me moton “Zbulimi i hershëm – mbijetesë”, shkruan KultPlus.

I gjithë ky organizim do të bëhet nën patrionatin e Presidentës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me Qendrën Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”.

Ngjarja do të fillojë nga ora 12:00 në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.

Muaji tetor shënon muajin e ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit. /KultPlus.com

Milanoviq i bën thirrje vendeve anëtare të BE-së: Thyeni dhe shkelni masat ndaj Kosovës

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq ka kërkuar sot nga shtetet anëtare të BE-së t’i thyejnë masat ndaj Kosovës që i ka ndërmarrë Komisioni Evropian.

Milanoviq i ftoi të gjithë të shkelin këto masa dhe të takohen me përfaqësuesit e Kosovës.

“Borrelli ministrit të Punëve të Jashtme të Kroacisë ia ka dërguar një letër dhe i ka thënë se Kroacia nuk ka të drejtë të caktuar dhe kur e shkruan një fëmijë është një gjë, kur e shkruan Përfaqësuesi i Lartë i Komisionit Europian është një gjë tjetër dhe aty ka theksuar një sërë pasaktësish dhe të gënjeshtrave të pranuara, të cilat i thonë Kroacisë se nuk ka të drejta të caktuara, por ka të drejtë. Pra më sheh në sy dhe më gënjen. A duhet të hesht për këto gjëra? Pasi ekzistojnë masa të caktuara të Komisionit Europian dhe nuk guxojmë të flasim për komplotet e tyre dhe për veprimet e tyre të padrejta. Ata të cilët nuk kanë dëgjuar për faktin që Komisioni Europian ka masa ndaj Kosovës, i ftoj të gjithë që thyejnë këto masa, të shkelin këto masa dhe të takohen me përfaqësuesit e Kosovës dhe që t’i përsërisin këto”, tha ai.

Presidenti kroat në konferencën e përbashkët me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani tha se është kundër sanksioneve që janë ndërmarrë ndaj Kosovës.

Sipas tij ato s’kanë asnjë rezultat, dhe sipas tij nuk mund të pritet objektivitet nga Borrelli, një spanoll, që siç tha ai “nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën, nga dikush që është spanjoll e që drejton politikën evropiane kundër Kosovës”.

“Natyrisht, Kosova është nën sanksione, nën sanksione të Komisionit Evropian dhe i ftoj ata që t’i bojkotojnë ato. Dhe keto janë disa prej masave të cilat i ka ndërmarrë Komisioni Evropian nga z.Borrell i cili shpresoj së shpejti shkon në pension dhe si të them t’i ndalojnë, pra nuk janë masa të ndërmarra nga Këshilli i Ministrave, por nga Komisioni, nga Borrelli, ekipi i tij të cilat na ndalojnë dhe kërcënojnë të gjithë ne që të takohemi në disa nivele të caktuara me disa përfaqësues të Kosovës”./ isnajderi/ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Kosova dhe Kroacia e kuptojnë dhe përkrahin njëra-tjetrën pa kushte

Presidentja Vjosa Osmani po qëndron në Kroaci, e cila ka realizuar takim me presidentin kroat Milanovic, shkruan KultPlus.

Pas takimit me të parin e shtetit kroat, presidentja Osmani është shprehur të jetë falënderuese për mbështetjen e shtetit kroat që ka për Kosovën, duke përfshirë edhe mbështetjen e fundit të Kosovës, përgjatë ballafaqimit me pasojat e agresionit të Serbisë.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e presidentes.

Kosova dhe Kroacia e kuptojnë dhe përkrahin njëra-tjetrën pa kushte.

Jemi me fat që kemi një aleat të tillë në krah, që na qëndron pranë në kohë të mira e në kohë të vështira. Kjo përkrahje po dëshmohet edhe këto ditë teksa Kosova po ballafaqohet me pasojat e aktit të agresionit të Serbisë.

President Milanović, faleminderit për mikpritjen dhe mbështetjen ndaj Kosovës! 🇽🇰🇭🇷./ KultPlus.com

Osmani: Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për mbështetjen e Komisionit Evropian

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Osmani potencoi se tani Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen e Komisionit Evropian.

“Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për mbështetjen e Komisionit Evropian, ndërkohë që po përballemi me sfida të paprecedentë”, shkroi Osmani në platformën X. /KultPlus.com

Osmani takohet me aleatë e partnerë të Kosovës, diskuton për sigurinë në vend pas sulmit terrorist në Veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së fundi po qëndron në Spanjë ku edhe është takuar me aleatë dhe partner të Kosovës.

Në takimet e krerëve shtetërorë, Osmani ka diskutuar edhe për sigurinë e Kosovës pas sulmit terrorist në veri të Kosovës nga forcat kriminale serbe.

“Diskutime të rëndësishme me aleatë dhe partnerë të Kosovës rreth situatës së sigurisë pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë, si dhe për fuqizimin e aleancave tona në përballje me sfidat aktuale.”, ka shkruar presidentja Osmani në faqen zyrtare në Facebok./KultPlus.com

Osmani në Spanjë përfaqëson Kosovën në samitin e tretë të Komunitetit Politik Evropian

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është në udhëtim për në Granada të Spanjës, ku do të përfaqësojë Kosovën në samitin e tretë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje e rëndësishme, e organizuar me ftesën e Presidentit të Këshillit të Bashkimi Evropian, Charles Michel, dhe Kryeministrit të Spanjës, Pedro Sanchez, ka për qëllim nxitjen e dialogut politik dhe forcimin e bashkëpunimit për të adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.

Samiti i EPC-së pritet të mblidhë krerë shtetesh nga 47 vende të kontinentit evropian, si dhe liderët e institucioneve evropiane. Qëllimi kryesor i kësaj ngjarjeje është të përmirësojë bashkëpunimin ndërmjet vendeve evropiane për të siguruar një Evropë më të qëndrueshme, e pasur dhe më gjeostrategjike.

Presidentja Osmani do të marrë pjesë në sesionet kryesore të samitit, ku do të diskutohet për sfidat që i pret Evropën në fushën e sigurisë dhe stabilitetit. Ajo gjithashtu do të zhvillojë takime të veçanta me liderët evropianë për të informuar ata mbi agresionin e Serbisë kundër Kosovës dhe për të diskutuar mënyrat e thellimit të bashkëpunimit për tejkalimin e këtyre sfidave të përbashkëta.

Para liderëve evropianë, Presidentja Osmani pritet të përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për paqe, stabilitet dhe siguri në vend dhe rajon. Kjo prezantim i Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare është një shenjë e qëndrueshmërisë dhe përkushtimit të vendit në promovimin e paqes dhe bashkëpunimit në Evropë. /KultPlus.com

Pas sulmit në veri, Osmani takohet me ambasadorin turk Angılı

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, shkruan KultPlus.

Në dritën e zhvillimeve të fundit në rajonin verior të vendit, pas një sulmi terrorist dhe agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës, Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me shtetet aleate dhe koordinimin e institucioneve të sigurisë për të parandaluar përsëritjen e akteve të tilla.

Sipas presidentes Osmani, institucionet e Republikës së Kosovës janë plotësisht të përkushtuara për menaxhimin e situatës aktuale dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

Gjatë takimit me ambasadoren Angılı, presidenti Osmani theksoi edhe përkushtimin e Kosovës për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe intensifikimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme me Turqinë. /KultPlus.com

Presidentja Osmani në pritjen e Presidentit Biden: Themelet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës janë në aleancën e përhershme me SHBA-të

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.

Në një bashkëbisedim të ngrohtë me Presidentin Biden, Presidentja Osmani ka theksuar se në themelet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës është aleanca e përhershme me SHBA-të.

Rrjedhimisht, në këtë kontekst, ka përsëritur qëndrimin se partneriteti me Amerikën është ekzistencial, i pacenueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Presidentja poashtu pati mundësinë ta njoftojë Presidentin Biden për zhvillimet e fundit dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova.

Pas këtij bashkëbisedimi, Presidentja Osmani theksoi se ka marrë garanca të fuqishme nga Presidenti Biden për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj Kosovës. Presidentja Osmani ka falënderuar Presidentin Biden për ndihmën, të cilën në vazhdimësi e japin SHBA-të për Kosovën në rrugën e saj drejt stabilitetit dhe zhvillimit. / KultPlus.com

Presidentja Osmani mori pjesë në shënimin e 10- vjetorit të Grave Lidere në Politikë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet Sesioni i 78 i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, mori pjesë në një ceremoni në të cilën u shënua 10 vjetori i Grave Lidere në Politikë.

Në një adresim para grave tjera lidere, Presidentja Osmani foli për angazhimin dhe rolin e shquar të grave në epoka të ndryshme të historisë së zhvillimit të vendit. Ajo theksoi se Kosova, në 15 vjetët e pavarësisë së saj, shquhet për lidership të grave në politikë, teksa potencoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe rrjetëzimit të vazhdueshëm me qëllim të fuqizimit të grave në jetën publike.

Presidentja Osmani në adresimin e saj, theksoi se Kosova po dëshmohet si vend lider në udhëheqjen e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe potencoi se fuqizimi i grave në fushën e sigurisë, si dhe në fusha të tjera, është mundësia më e mirë për ta avancuar shoqërinë në tërësi. / KultPlus.com

Presidentja Osmani merr pjesë në takimin e liderëve të rajonit në Procesin Brdo-Brione që mbahet në Shkup

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Republikën e Maqedonisë së Veriut për të marrë pjesë në takimin vjetor të krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të Procesit të Brdo-Brione.

 Në sesionin e përbashkët me liderë të rajonit, Presidentja Osmani do ta mbajë fjalim, ndërkaq më pas do të zhvillojë takime bilaterale me krerët e disa shteteve pjesëmarrëse.

 Takimi i Brdo-Brione është ngjarje vjetore multilaterale në të cilën takohen presidentët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe të Sllovenisë dhe Kroacisë, e ku fokusi kryesor është në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe anëtarësimin e rajonit në BE.

Temat qendrore të takimit të sivjetem janë përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në BE, luftimi dhe zvogëlimi i pasojave nga ndryshimet klimatike në rajon, si dhe krijimi i kushteve për qëndrimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor.

Procesi i Brdo-Brione është një nismë rajonale e bashkëthemeluar nga presidentët slloven dhe kroat në vitin 2010.

Gjatë qëndrimit të Maqedoninë e Veriut, Presidentja Osmani, krahas presidentit Stevo Pendarovski dhe atij të Shqipërisë, Bajram Begaj do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të bustit të Shën Terezës në hapësirën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup./ KultPlus.com

Presidentja Osmani solidarizohet me popullin maroken pas tërmetit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, iu ka uruar forcë e shërim të gjithë të prekurve nga tërmeti shkatërrues në Marok.

E para e shtetit iu shprehu ngushëllime të gjithë familjeve që humbën më të dashurit e tyre sot.

“Populli i Kosovës solidarizohet me popullin e Marokut në këtë kohë tragjike”, shkroi Osmani.

Kujtojmë se Maroku është goditur nga një tërmet 6.8 shkallë të Rihterit, i cili i la të vdekur 820 persona ndërsa të paktën 672 persona u lënduan, duke përfshirë 205 të cilët janë në gjendje të rëndë. / KultPlus.com

Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, Vjosa Osmani: Triumf i jashtëzakonshëm i sportit kosovar

Kosova do të jetë nikoçire e Lojërave Mesdhetare 2030, përcjell KultPlus.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, nëpërmjet një postimi në Facebook e përgëzoi Komitetin Olimpik të Kosovës dhe të gjitha institucionet e angazhuara në këtë arritje.

Në vijim gjeni postimin e plotë të presidentes Osmani:

Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030 duke i hapur dyert për 26 shtete nga tri kontinente dhe afër 5 mijë sportistë.

Përgëzime për Komitetin Olimpik të Kosovës dhe të gjitha institucionet e Kosovës të angazhuara në këtë arritje të madhe.

Pa dyshim se Lojërat Mesdhetare do të jenë frymëzim për shumë të rinj e të reja, si dhe për sportistët kosovarë që të prekin majat e suksesit!/KultPlus.com

Osmani: Lidhja e Kosovës me NATO-n, është e përjetshme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në takim nga Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në selinë qendrore të NATO-s. Takimi trajtoi zhvillimet e sigurisë ne vend dhe çështje të ndryshme të interesit të përbashkët, si dhe nevojën për vazhdim dhe thellim të bashkëpunimit.

Në takim, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të NATO-s, për lirinë dhe sigurinë e popullit të Kosovës, si dhe ruajtjes së paqes në rajon. Në këtë frymë, Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e palëkundur të institucioneve të Kosovës për ta vazhduar bashkëpunimin me aleatët tanë në NATO dhe misionin e KFOR-it në përpjekjet e përbashkëta për paqe dhe siguri afatgjate.

Në takim u diskutua edhe për sfidat e sigurisë me të cilat po përballet rajoni dhe kontinenti ynë si rezultat i agresionit së Rusisë kundër Ukrainës dhe popullit të saj, përfshirë këtu edhe përpjekjet destabilizuese përmes satelitëve të saj në rajonin tonë. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani theksoi se Kosova vazhdon të qëndrojë në anën e drejtë të historisë, duke bashkërenduar politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me aleatët e saj, dhe duke mbështetur popullin e Ukrainës.

Në lidhje me zhvillimet e fundit të sigurisë në rajon, përfshirë edhe sulmet e dhunshme në veri të vendit nga grupet kriminale të mbështetura nga Beogradi kundër forcave të NATO-s, Policisë së Kosovës, qytetarëve e gazetarëve, Presidentja theksoi nevojën për përgjegjësi për këto sulme për ta parandaluar përsëritjen e tyre, ndërsa theksoi se Serbia përmes përpjekjeve të saj destabilizuese vazhdon edhe frikësimin dhe kërcënimin kundër qytetarëve serb të Kosovës, përfshirë edhe zyrtarët policor serbë të Policisë së Kosovës dhe institucioneve tjera.

Për sa i përket anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe përfshirjen në Programin e Partneritetit për Paqen, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë strategjike në këtë drejtim. Ajo bëri thirrje për kreativitet dhe fleksibilitet për ta lehtësuar integrimin e Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqen, si vlerë e shtuar drejt anëtarësimit të plotë në NATO.

Në përfundim, Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës ndaj paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit me NATO-n dhe aleatët e saj. Ajo theksoi nevojën për përpjekjet e përbashkëta për t’i adresuar sfidat e sigurisë në rajon dhe për ta siguruar një të ardhme të sigurtë për Kosovën dhe rajonin në përgjithësi. /KultPlus.com

Osmani: Porti i Durrësit kursen kohën dhe koston e bizneseve kosovare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së dytë të vizitës shtetërore që po zhvillon në Shqipëri, ka qëndruar edhe në qytetin e Durrësit, shkruan KultPlus.

Gjatë takimit me kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako tema e diskutimit ka qenë për sezonin turistik, si dhe mundësitë e bashkëpunimit me komunat e Kosovës.

Presidenca njoftoi se presidentja Osmani dhe kryetarja Sako kanë vizituar Pikën Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, me ç`rast kanë takuar drejtorin e Doganave të Kosovës, Agron Llugaliu dhe homologun e tij nga Shqipëria, Genti Gazheli.

“Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e përdorimit të këtij Porti nga ana e bizneseve kosovare. Sipas saj, Kjo Zyrë kursen kohën dhe koston, sikurse edhe e lehtëson operimin e bizneseve kosovare në tregjet ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Nga presidenca njoftuan gjithashtu përmes komunikatës zyrtare se të dy drejtorët e doganave kanë prezantuar bilancin e shkarkimit të mallërave nga Kosova në këtë Port dhe mundësive për përdorim më të shumtë të tij në këtë funksion. /KultPlus.com

Mbillet bredhi i Nënë Terezës në oborrin e Presidencës së Kosovës

Presidentja Osmani bashkë me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup mbollën bredhin e Nënë Terezës në oborrin e Presidencës së Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Nënë Terezës”, bashkë me drejtorin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup, Skënder Asani dhe biografin e Nënës Terezë, Don Lush Gjergji, sot në oborrin e Presidencës së Kosovës, në kujtim të Shën Terezës,  mbollën bredhin me farat e bredhit të shkatërruar të Nënë Terezës.


“Ky bredh, i mbjellë sot, simbolizon dëshminë e veprës së Nënë Terezës në shërbim të njerëzimit, vullnetin e saj për t’i shërbyer atij. Nënë Tereza gjeti gjithmonë forcë që dhimbjen e saj, të popullit të saj dhe të të gjithë të vuajturve ta kthejë në dashuri për njerëzimin, në vepër të përvuajtur në shërbim të të varfërve, madje, sikur thoshte vetë, në shërbim të më të varfërve ndër të varfrit”, tha presidentja Osmani.

“Ndërkaq, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, Skënder Asani, tha se bredhi dedikuar Nënë Terezës simbolizon lidhjen mes njerëzve, popujve e vendeve. Shembulli i saj në shërbim të njerëzimit është modeli më i vyer, të cilin ne mund ta njohim”, thuhet në njoftim.