Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Berisha me rastin e ndarjes nga jeta të piktorit të shquar dhe veprimtarit të dalluar, Daut Berisha.
Në vijim, KultPlus ju sjell të plotë telegramin e Presidentes Osmani:
E nderuar familje Berisha,
Me dhimbje të thellë e pranova lajmin për ndarjen nga jeta të piktorit të shquar e veprimtarit të dalluar, Daut Berishës.
Piktori Berisha ishte emër i shquar në botën e artit e të kulturës, jo vetëm në trojet shqiptare, por gjithandej botës.
Me punën e tij krijuese dhe me angazhimin e tij në të mirë të çështjes kombëtare, ai u bë shpejt personalitet i veçantë i kulturës dhe artit, por edhe referencë për veprime atdhetare.
Veprat e tij, të ekspozuara në galeritë më të njohura botërore, e bën atë artist e njeri të respektuar gjithandej.
Piktori Berisha na la trashëgimi të shquar artistike e njerëzore. Në këto momente ne jemi me familjen e tij, me miqtë dhe me artdashësit e tij./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Vatikanin me sekretarin e këtij shteti, kardinali Parolin.
Në këtë takim është diskutuar për raportet e Kosovës me Vatikanin.
“Në takim u diskutua mbi raportet e Kosovës me Selinë e Shenjtë, mbi kultivimin e paqes, harmonisë e bashkëjetesës në mes njerëzve e besimeve të ndryshme, mbi vlerat e përbashkëta, mbi promovimin e mëtejmë të lirive fetare, për rolin e Kishës Katolike në Kosovë si partner të rëndësishëm social, si dhe për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit në fusha të ndryshme”.
Të hënën, presidentja Osmani është pritur edhe nga Papa Françesku. / KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani sot ka udhëtuar për vizitë në Shtetin e Vatikanit. Ajo është pritur në audiencë private nga Papë Françesku në Selinë e Shenjtë, përcjell KultPlus.
“Thellimi i mëtejmë i raporteve me Vatikanin dhe zgjerimi i bashkëpunimit në shumë fusha janë orientimi ynë i përbashkët. Synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në këtë drejtim dhe në avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore”, ka shkruar Osmani.
Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:
E lumtur të pritesha në audiencë private nga Papë Françesku në Selinë e Shenjtë.
Papën e njoftova me vendosmërinë tonë për ta kultivuar e promovuar më tej paqen, harmoninë dhe bashkëjetesën ndërmjet njerëzve, si vlera të popullit tonë, mbi të cilat janë kultivuar e ruajtur prej afro dymijë vjetësh edhe raportet tona me Selinë e Shenjtë. Në mënyrë të veçantë e falënderova Atin e Shenjtë për kujdesin që ai po tregon ndaj Kosovës dhe e falënderova për vendimin e tij të para pesë vjetëve, që Administratën Apostolike ta ngrinte në nivel të dioqezës. Ishte kënaqësi e veçantë po ashtu që të shkëmbeja me të pikëpamjet mbi orientimin euroatlantik të Kosovës dhe progresin e vendit tonë drejt këtij synimi.
Thellimi i mëtejmë i raporteve me Vatikanin dhe zgjerimi i bashkëpunimit në shumë fusha janë orientimi ynë i përbashkët. Synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në këtë drejtim dhe në avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dje udhëtoi për vizitë në Shtetin e Vatikanit dhe në Itali.
Osmani, së bashku me zotërinë e parë, Prindon Sadriu dhe zëvendëskryeministren Donika Gërvalla do të pritet në audiencë nga Papa Françesku.
Presidentja do të ketë takim edhe me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin si dhe do të realizohen edhe një sërë takimesh e aktivitete të tjera.
Gjatë qëndrimit në Romë, Osmani do të pritet edhe nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, me të cilin do të diskutojnë për avancimin e bashkëpunimit bilateral si dhe rritjen e koordinimit për tejkalimin e sfidave aktuale të sigurisë në rajon dhe përtej. / KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani sot udhëtoi për vizitë në Shtetin e Vatikanit dhe në Itali.
Osmani, së bashku me bashkëshortin e saj, Prindon Sadriu dhe zëvendëskryeministren Donika Gërvalla, do të pritet në audiencë nga Papa Françesku.
“Presidentja do të ketë takim edhe me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin si dhe do të realizohen edhe një sërë takimesh e aktivitete të tjera”, njoftoi Presidenca.
“Gjatë qëndrimit në Romë, presidentja Osmani do të pritet edhe nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, me të cilin do të diskutojnë për avancimin e bashkëpunimit bilateral si dhe rritjen e koordinimit për tejkalimin e sfidave aktuale të sigurisë në rajon dhe përtej”, thuhet në komunikatë.
Vatikani nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës./ KultPlus.com
Me rastin e 17 vjetorit të vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, për nder të kujtimit dhe trashëgimisë së tij, nën përkujdesjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, sot u organizua ceremonia e vendosjes së kurorave.
Në homazhe mori pjesë edhe kryeministri i vendit Albin Kurti.
Të pranishëm ishin edhe liderë institucionalë dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, ndër ta edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.
Ish-presidenti Ibahim Rugova ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, pas përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet intensive, ka vizituar komunat: Klinë, Skënderaj dhe Mitrovicë.
Në takim me kryetarët: Zenun Elezaj, Fadil Nura dhe Bedri Hamza, Presidentja Osmani ka theksuar se që nga mbrëmë ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me institucionet e sigurisë dhe në këtë kontekst ka vlerësuar angazhimin e strukturave komunale dhe institucioneve emergjente për të ndihmuar qytetarët dhe për t’i minimizuar dëmet në ekonomi familjare.
Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet qendrore do të angazhohen maksimalisht për t’i mbështetur komunat e prekura nga vërshimet.
Presidentja Osmani ka vizituar biznese dhe ekonomi familjare, të cilat kanë pësuar nga vërshimet. Në këtë frymë, Presidentja ka kërkuar nga strukturat e sigurisë dhe të emergjencave, të angazhohen maksimalisht për t`u dalë në ndihmë qytetarëve dhe për t`i zvogëluar pasojat e krijuara nga kjo situatë e jashtëzakonshme.
“Falënderoj Forcën Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Zjarrfikësit, autoritetet komunale dhe të gjithë ata, të cilët ndodhen në terren në zonat më të rrezikuara, në gatishmëri të plotë për t`u ofruar ndihmë qytetarëve dhe për ta mbrojtur secilën jetë”, është shprehur Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani në të tri komunat ka ofruar mbështetjen institucionale dhe ka potencuar se jeta, shëndeti dhe pronat e qytetarëve, janë prioritet absolut, ndaj nevojitet angazhim dhe solidaritet i të gjithëve në një situatë të tillë. /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani e shoqëruar edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca kanë qëndruar në Dubovik, në shtëpinë e vëllerzërve Gërvalla, ku u pritën nga zv, kryeministrja Donika Gërvalla, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e presidentes Osmani.
Së bashku me Kryetarin Konjufca, u pritëm sot nga e bija e heroit Jusuf Gërvalla, Zv.kryeministrja Donika Gërvalla, në votrën e tyre, në Dubovik, ku nderuam kujtimin për shenjat e shenjta, të cilët përbëjnë fillet e luftës sonë për çlirim kombëtar.
Liria mbanë edhe emrat e Jusufit, Bardhoshit e Kadriut, kurse ne mbajmë të skalitur emrat e tyre jo vetëm në kujtesë, por edhe si referencë se si një jetë e tërë vihet në shërbim të atdheut!
Jusufi ishte jo vetëm një zë i veçantë në letërsi, gazetari e muzikë, por mbi të gjitha zëri i të vërtetës dhe lirisë sonë! Ai lindi artist, veproi si patriot e vdiq si hero. Gërshetimi i këtyre tri tipareve e shndërroi Jusufin në një personalitet poliedrik, një ikonë të kohës, një patriot që ëndrrën për liri e projektoi herët.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën!/ KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani tha se 45 civilët e masakruar 24 vjet më parë në Reçak të Shtimes trokasin çdo ditë në ndërgjegjen e secilit për drejtësi.
Këto komente Osmani i bëri në akademinë përkujtimore të Masakrës së Reçakut, raporton Gazeta Express.
Osmani tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ishte përkujdesur t’i masakronte edhe një herë viktimat me propagandën të cilës i printe pas masakrës.
“Sot kur i kujtojmë me dhembje të dashurit tanë, të cilëve makineria e dhunës ua këputi jetën vetëm e vetëm sepse ata ishin shqiptarë, sepse donin të jetonin të lirë, detyrimi për të siguruar drejtësi për ta e për të gjitha viktimat gjithandej Kosovës, bëhet synimi ynë më i madh më i rëndësishëm. Sepse historia e secilit prej tyre, është historia e Kosovës”, tha presidentja./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim një delegacion të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, të udhëhequr nga zyrtari i lartë z. Derek Chollet, i shoqëruar nga ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit Gabriel Escobar, zëvendës ndihmës sekretari i Mbrojtjes Spencer Boyer, si dhe përfaqësues të tjerë të Departamentit të Shtetit dhe ambasadës amerikane.
Presidentja Osmani dhe z. Chollet kanë konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara, aleatin kryesor të Republikës së Kosovës, si dhe janë angazhuar për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve. Presidentja Osmani ka falënderuar z. Chollet për angazhimin proaktiv të Shteteve të Bashkuara në procesin e dialogut, duke theksuar se angazhimi i shtuar amerikan në këtë drejtim është vendimtar për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Presidentja Osmani tha se marrëveshja përfundimtare, e cila duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve, dhe arritjen e paqes së qëndrueshme dhe afatgjate në rajon. “Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me SHBA-të, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, tha Presidentja Osmani.
Në takim me z. Chollet, Presidentja Osmani bisedoi për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, duke potencuar aleancën dhe afërsinë e theksuar të Serbisë me Rusinë dhe rreziqet që paraqet ky raport jo vetëm për Kosovën, por edhe për aleancën euroatlantike. Presidentja Osmani theksoi se me mbështetjen e Rusisë, Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në rajon.
Presidentja Osmani në takim me delegacionin e lartë amerikan, konfirmoi partneritetin historik dhe të pathyeshëm në mes të SHBA-ve dhe Kosovës, ndaj pikërisht kjo është një bazë e fortë për rritjen e bashkëpunimit në fushën ushtarake dhe atë ekonomike. Bazuar në nismën e saj për Dialog Strategjik ndërshtetëror me SHBA-të, të iniciuar formalisht nga Presidentja Osmani para gjashtë muajsh, u shpreh gatishmëri për përshpejtimin e këtij procesi në përfitim të qytetarëve të të dy shteteve. /KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha sot se interesimi i satelitit rus, Serbisë, për destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor është më i madh se kurrë më parë, përcjell KultPlus.
Në një takim me deputetin David Lammy, njëherësh sekretar i Jashtëm nën hije i Partisë Laburiste në Mbretërinë Bashkuar, Osmani tha se Serbia është e interesuar të bllokojë suksesin në dialog dhe të arrijë qëllimet e saj me dhunë e nëpërmjet bandave kriminale.
“Por, interesimi i satelitit të Rusisë, Serbisë, për ta destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor, është më i madh se asnjëherë më parë, për shkak se Serbia është e interesuar të bllokojë suksesin në dialog dhe të arrijë qëllimet e saj me dhunë e nëpërmjet bandave kriminale”, citohet të ketë thënë ajo.
Presidentja Osmani shtoi më tej se Kosova ka ende nevojë për mbështetjen e aleatëve sikurse Mbretëria e Bashkuar, në mënyrë që të bëhen hapa përpara në forcimin dhe konsolidimin e mëtejmë të pozitës ndërkombëtare si dhe në luftimin e tendencave destabilizuese ruso-serbe.
Theks të veçantë, Presidentja Osmani i kushtoi rëndësisë së mbështetjes për anëtarësim në Këshillin e Evropës si dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s, si prioritete imediate.
Në takim është biseduar edhe për procesin e dialogut me Serbinë ku Presidentja Osmani ka përsëritur faktin se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive, e cila po përballet me obstruksionet e vazhdueshme të Serbisë.
Ajo gjithashtu u shpreh se është me rëndësi që Mbretëria e Bashkuara ta vazhdojë trashëgiminë e saj të mbështetjes ndaj Kosovës jo vetëm në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, por edhe në intensifikimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të dyanshëm. /KultPlus.com
Me rastin Krishtlindjeve, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë, përcjell KultPlus.
Ajo ka uruar besimtarët e krishterë që në këtë ditë ta rrisin shpresën dhe t’i hapin zemrat.
Në vijim gjeni urimin e presidentes Osmani:
Kremta e Krishtlindjes sjell mesazhin e paqes, dashurisë, respektit, mirëkuptimit dhe tolerancës.
Uroj të gjithë besimtarët e krishterë që në këtë ditë ta rrisin shpresën e t`i hapin zemrat. Në shtëpinë e secilit të mbizotërojë shëndeti, lumturia e paqja!
Të jemi solidarë, të reflektojmë harmoni e të festojmë bashkë!/ KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, kanë emëruar Kujtim Shalën si Inspektor të Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Intelegjencës (AKI) pas dorëheqjes së Burim Ramadanit nga kjo pozitë.
Osmani dhe Kurti kanë falënderuar Ramadanin për shërbimin e tij në AKI nga viti 2019 dhe i kanë uruar suksese të mëtejme në angazhimet e tij profesionale.
Kujtim Shala deri tani ishte i angazhuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës. /KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar vendet që kanë mbështetur aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ajo falënderoi në Twitter Italinë, Francën, , Lituaninë, Estoninë Finlandën, Austrinë si dhe Bullgarinë. Kryeministri Albin Kurti dorëzoi zyrtarisht të enjten aplikacionin e Kosovës për t’u bërë pjesë e BE-së, përcjell Klankosova.tv.
Ndryshe, të mërkuren e 14 dhjetorit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryekuvendari, Glauk Konjufca firmosën dokumentin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ndërkaq, një ditë pas kryeministri Kurti këtë aplikim ia dorëzojë Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur sot në Kuvend adresimin vjetor në përmbyllje të vitit 2022 duke e cilësuar këtë vit si një vit shumë sfidues për Kosovën, përcjell KultPlus.
Por krahas kësaj ajo ka falënderuar në fillim qytetarët e Kosovës për punën e palodhur, qëndrueshmërinë e pashoq, dhe angazhimin e çdoditshëm që secila ditë të jetë më e mirë se tjetra.
Në vijim gjeni postimin e plotë të presidentes Osmani:
Po ju drejtohem sërish nga foltorja e këtij Kuvendi në prag të përmbylljes së një viti që ka qenë në të vërtetë një vit i rrethanave të jashtëzakonshme e rrjedhimisht, një vit i zhvillimeve sfiduese. Por, ajo që dua të bëj qysh në fillim të këtij adresimi është të falënderoj qytetarët e vendit tonë, bashkëqytetarët tanë, për punën e palodhur, qëndrueshmërinë e pashoq, dhe angazhimin e çdoditshëm që secila ditë të jetë më e mirë se tjetra.
Jeni ju, të gjithë, qytetarë të dashur, që e bëni këtë vend më të mirë. Është taksisti që punon përtej orarit për të mbajtur familjen e tij, është mësuesja e shkollës që me mjeshtëri edukon një gjeneratë të tërë dukë dhënë mësim në një klasë të stërmbushur; është infermierja që sakrifikon gjumin e natës për shëndetin tonë kolektiv; është pronarja e biznesit të vogël në një cep të lagjes që kryelartë zhvillon aktivitetin biznesor përkundër parametrave ekonomik që aktualisht nuk janë fort të favorshëm– është një mozaik kaq i larmishëm i individëve që realisht janë heronjtë tanë të përditshëm.
Janë njerëzit ata që i bëjnë shtetet e jo anasjelltas. Andaj, në këtë fundvit reflektojmë po ashtu mbi çdo sukses individual që përfundimisht rezultoi me suksesin tonë kolektiv. Puna juaj qytetarë të dashur, përkrah punës së institucioneve, ka kontribuar që Kosova jonë të fuqizohet e të konsolidohet gjithnjë e më shumë si përbrenda e po ashtu në rrafshin ndërkombëtar. Janë qytetarët tanë që gjithnjë e konfirmojnë se kur krijohen kushtet e duhura dhe garantohen platforma adekuate, suksesi është pothuajse çdo herë i sigurt. Këtë na e kanë dëshmuar me arritjet në sport, në art, në shkencë e kudo tjetër. Si e tillë, nga viti në vit, Kosova jonë me ju qytetarë të dashur dhe përmes jush fuqizohet gjithnjë e më shumë.
Këtë vit e kemi hapur Kosovën për botën përmes forumeve e ngjarjeve kulturore ndërkombëtare, si dhe kemi dërguar një copë Kosove anë e mbanë botës nëpërmjet artistëve, sportistëve, diplomatëve, shkencëtarëve, studentëve e afaristëve. Në secilin rast, ne i treguam botës që Kosova është vendi i rinisë, i ambicies së paepur e të shëndoshë. Ne dëshmuam se jemi vend i potencialit dhe një shtet partner paqedashës dhe i besueshëm.
Solidariteti, mirëkuptimi e përkrahja ndaj njëri tjetrit na ndihmoi të dalim të suksesshëm përgjatë sfidave historike, në rrugën tonë të gjatë e përplot sakrifica. Ëndrra jonë e përbashkët për një shtet ashtu siç e meritojnë qytetarët tanë, po bëhet realitet çdo ditë. Por, sikur është e kuptueshme, ne nuk mund të ecim përpara nëse nuk e kujtojmë çdo ditë rrugën të cilën e kemi përshkuar deri këtu.
Prandaj, nga kjo foltore e tempullit të demokracisë, ju lus ta kthejmë vëmendjen në përpjekjet shekullore të popullit tonë për liri, t’i kujtojmë brezat e tërë, bijtë e bijat të cilët nuk kursyen asgjë për ta bërë të mundur realizimin e synimit tonë historik: ëndrrën e lirisë e të pavarësisë.
Ta kujtojmë edhe sot, si çdo ditë tjetër, udhërrëfyesin tonë, atin themeltar të shtetit të Kosovës, Presidentin Ibrahim Rugova, i cili e udhëhoqi Kosovën bazuar në postulatin “Liri, Pavarësi, Demokraci” drejt krijimit të aleancave të fuqishme të cilat edhe sot e kësaj dite janë strategjike e të domosdoshme për vendin tonë; ta kujtojmë simbolin e rezistencës së armatosur, komandantin legjendar Adem Jashari dhe gjithë ata bij e bija të cilët u rreshtuan përkrah tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke dhënë kështu më të shtrenjtën e tyre, jetën e tyre, në mënyrë që të agojë dita e lirisë. T’i kujtojmë të gjithë njerëzit tanë të cilët punuan e sakrifikuan shumë në mënyrë që liria jonë sot të përjetohet e të gëzohet nga secili e që pavarësia e sovraniteti ynë të jenë realitet i pakthyeshëm e i paprekshëm.
E, duke i kujtuar ata, të kujtojmë rrugën tonë të derikëtushme, vendosmërinë me të cilin ne dëshmuam se jo vetëm që dimë ta ëndërrojmë lirinë e shtetin, por edhe ta jetësojmë atë çdoditshëm.
Ta kthejmë edhe një herë, sikur përherë, poashtu vëmendjen nga dhimbja për të zhdukurit me dhunë, për zbardhjen e fatit të të cilëve po punojmë pa pushim; për jetët e këputura të mbi njëmijë fëmijëve të vrarë gjatë luftës; për mijëra gra të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës, të cilat u shndërruan në simbol të forcës, të qëndrueshmërisë e të betejës së pareshtur për drejtësi, për mijëra jetimët, për familjet e dëshmorëve, e për të gjithë ata që dhanë gjithçka për këtë vend, sepse vëmendja ndaj tyre nuk është asnjëherë e mjaftueshme.
Gjersa kthejmë kokën pas kah e kaluara në mënyrë që të jemi në gjendje të kuptojmë më mirë të tashmen, domosdoshmërisht do të na kujtohen sfidat dhe vuajtjet e përjetuara edhe së fundi si rezultat i pandemisë. Sapo besuam se po këndelleshim, ne u përballëm me një portë tjetër të dhimbjes njerëzore: luftën e tmerrshme të Rusisë kundër Ukrainës dhe, si rrjedhojë, edhe krizën globale ekonomike e atë energjetike.
Kjo luftë po dëshmon edhe njëherë se akomodimi i autokratëve dhe i atyre që kanë tendenca hegjemoniste asnjëherë nuk është rruga e duhur, sepse kjo vetëm se i inkurajon ata që të ushtrojnë më shumë dhunë e shkatërrim, më shumë tirani e hegjemoni.
Ukraina po e dëshmon sot, ashtu siç e dëshmoi Kosova në vitin 1999, se askush e asgjë nuk mund ta ndalë vullnetin e një populli për të jetuar i lirë. Idealet e lirisë e demokracisë ishin në rrezik atëherë e janë në rrezik edhe sot, por Kosova është shembulli më i mirë se çfarë mund të arrijë një popull i bashkuar rreth idealit të lirisë dhe çfarë mund të arrijë bota demokratike kur bashkohet rreth mbrojtjes së këtyre idealeve. Prandaj populli dhe shteti i Kosovës i ka qëndruar pranë Ukrainës pa asnjë ekuivokë, ndërkaq kemi miratuar sanksionet ndaj Rusisë pa asnjë hezitim të vetëm. Sepse të hezitosh në situata të tilla, do të thotë të bëhesh bashkëfajtor në krimet ndaj civilëve të pafajshëm. Nuk mund të ketë neutralitet mes të mirës e të keqes; mes agresorit e viktimës; mes paqes e gjenocidit. Në situata të tilla zgjedhja do duhej të ishte e qartë për të gjithë e Kosova ka zgjedhur gjithnjë të qëndroj në anën e drejtë të historisë.
Të nderuar qytetarë,
Përderisa këto sfida globale të sigurisë kanë krijuar edhe sfida të jashtëzakonshme në ekonomi dhe në sigurinë energjetike, t`i kujtojmë vështirësitë e çdoditshme me të cilat përballet qytetari ynë dhe të mendojmë nëse veprimi ynë politik ka qenë i mjaftueshëm për ta. Në situata të tilla të rënda, të gjithë duhet t`i tejkalojmë dallimet e përditshme e t’i bashkojmë forcat e mendjet në mënyrë që masat që ndërmerren të kenë në fokus vetëm e vetëm interesin qytetar në përballje me këto kriza.
Pavarësisht sfidave, ky vit solli konsolidimin dhe fuqizimin e mëtejmë të shtetit, të institucioneve të tij, të gatishmërisë së tyre për t’u dalë zot kërkesave të qytetarëve. Bashkëvepruam brenda vendit, herë duke u pajtuar e herë duke pasur mendime të ndryshme për rrugën që duhet ndjekur, por të bashkuar në qëllimet, sikur që e fuqizuam peshën e shtetit në arenën ndërkombëtare.
Si presidente e shtetit, edhe përgjatë këtij viti jam kujdesur që përgjegjësitë e mia kushtetuese t’i ushtroj në interes të qytetarëve, si dhe konform aspiratave të cilat populli im i kërkon prej të parës së shtetit.
Nuk kam ngurruar dhe nuk do të ngurroj asnjëherë që idealin e brezave, të artikuluar politikisht nga Presidenti Rugova, ideator e arkitekt i shtetit modern të Kosovës, dhe të mbrojtur nga guximi i mijëra grave e burrave në uniformën e UÇK-së që u vunë në mbrojtje të këtij ideali e të vendit të tyre, ta artikuloj zëshëm, me fuqinë e argumenteve, përballë çdokujt e në çdo kohë. Shteti sovran e i pavarur, në të cilin secili qytetar ndihet i dinjitetshëm dhe mund t’i përmbush pritjet e t’i realizojë të drejtat e veta; shteti në të cilin liritë individuale e kolektive janë ta garantuara me kushtetutë e të mbrojtura me ligj; shteti në të cilin mbisundon liria e plotë e zgjedhjes; shteti në të cilin qytetari është i mbrojtur nëpërmjet institucioneve shtetërore – ky është ideali me të cilin jemi rritur e jemi formësuar politikisht andaj ky është ideali nga i cili nuk mund të heqim dorë, ngase prek në rrënjët e historisë sonë, të kulturës sonë politike dhe të së drejtës qytetare për të jetuar të lirë.
Në çdo ditë të këtij viti kemi këmbëngulur që shteti dhe ligji përfundimisht të mos u shërbejë vetëm disave, por të gjithëve. Sundimi i ligjit është esencial për funksionimin e çdo shtylle të shtetit. Në fakt është parakusht për një gjë të tillë. Por, siç e dini, të nderuar deputetë, veriu i Kosovës vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale që Serbia ka ndaj Kosovës e të cilat i shprehë nëpërmjet financimit dhe përkrahjes së strukturave ilegale kriminale. Por, ne jemi të vendosur si asnjëherë më parë që të krijojmë siguri e sundim të ligjit në çdo cep të territorit tonë. Bandat kriminale nuk do të mund të mbisundojnë dëshirën e qytetarëve tanë edhe atyre në veri për të jetuar të lirë në atdheun e tyre, në Kosovë.
Natyrisht që bandave kriminale nuk iu pëlqen vendosmëria e institucioneve që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë para ligjit, atyre nuk iu pëlqen as zbatimi i ligjit në tërë territorin e vendit. Por, mbi të gjitha, nuk iu pëlqen lufta e pakompromis ndaj krimit të organizuar e korrupsionit. Mirëpo le ta kenë të qartë, që kjo është rrugë nga e cila nuk devijojmë e nga e cila asnjëherë nuk do të heqim dorë. Ata do të përballen me drejtësi për veprat penale kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, si dhe për frikësimin e kërcënimet që po ua bëjnë qytetarëve tanë.
Jemi të gjithë dëshmitarë të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Ky kërcënim me përmasa agresioni së fundi është shpërfaqur nëpërmjet idesë hegjemoniste të vendosjes së trupave ushtarake të Serbisë në Kosovë. Por, Serbia dhe udhëheqësi i saj Vuçiq e dinë fare mirë se prezenca e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës mori fund një herë e përgjithmonë më 12 qershor 1999. Në vitin 1999, kur trupat e NATO-s thyen boshtin kurrizor të idesë hegjemoniste te Serbisë për një Kosovë pa shqiptarë ku shfarosja ishte qëllimi gjenocidal i tyre.
Dua t’i falënderoj, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, policinë e Kosovës të cilët pavarësisht sfidave po kujdesen për jetën e të gjithë qytetarëve tanë pa dallim, si dhe të gjithë zyrtarët e tjerë të sigurisë dhe inteligjencës për punën e tyre në mbrojtje të interesave të vendit. Puna e institucioneve të Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në veriun e vendit është edhe përpjekje për mbrojtjen e serbëve lokal nga strukturat ilegale të organizuara në banda kriminale të cilat kanë për synim presionin, frikësimin dhe kërcënimin e tyre. Kosova është një dhe e tërë, atdhe i të gjithëve, pra edhe i qytetarëve të komunitetit serb, sikurse i të gjitha komuniteteve tjera, ndaj e kemi obligim kushtetues të kujdesemi për ta nga veriu në jug, nga lindja në perëndim të Kosovës.
Përkushtimi ynë i çdoditshëm është krijimi i një mjedisi ku zotëron paqja e stabiliteti. Por, përtej këtij përkushtimi, ne jemi në shtëpinë tonë, në vatrat tona shekullore dhe çdo ditë kontribuojmë për fqinjësi të mirë. Serbia duhet ta kuptoj qartë e përfundimisht se Kosova është shtet dhe i tillë do të mbetet përgjithmonë, se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se procesi i dialogut duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë si garancia e vetme për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.
E pavarësisht sfidave, ju siguroj që sovraniteti i vendit tonë do të vazhdojë të mbesë i shenjtë e integriteti territorial i pacenueshëm. Pavarësia e shtetit tonë është ndërtuar me gjak, e shtëpia jonë, Republika e Kosovës, themelet i ka më të forta se sa mund të mendojnë disa. Në ato themele gjendet sakrifica e heronjve e dëshmorëve tanë, prandaj nuk ka kush qe i lëvizë e as kush që i shkundë.
Si trashëgimi të këtij heroizimi e kemi ushtrinë tonë, Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku vajza e djem të vendit tonë me krenari mbajnë uniformën e shtetit të Kosovës dhe janë të gatshëm t’i dalin zot atdheut në çdo kohë.
Kjo forcë, e ndërtuar me standarde të NATO-s, çdo ditë po na bën krenar me të arriturat e saj. Rritja e buxhetit për ushtrinë tregon përkushtimin tonë të përbashkët për forcimin e saj të mëtejmë, ndërkaq orientimi ynë strategjik nuk ka se si të jetë më i qartë: Shteti i Kosovës e ka vendin në NATO e ushtria jonë do t’i shërbejë paqes e sigurisë në botë përkrahë ushtarëve të shteteve tjera anëtare të NATO-s.
Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetarë,
Gjatë vitit 2022 ashtu sikurse edhe në vitin paraprak, kemi investuar fort në zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe me shtete e organizata në një frymë bashkëpunimi, e respekti reciprok.
Politika jonë e jashtme po i shërben në tërësi interesave shtetërore dhe të qytetarëve të saj, bazuar në promovimin e vlerave euroatlantike, ndërtimin e partneriteteve me shtete nga kontinente të ndryshme dhe thellimin e aleancave me partnerët tanë tradicional strategjik.
Në kuadër të orientimeve strategjike të politikës se jashtme, si udhëheqëse e saj, kam punuar drejt forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë, avancimin e procesit të integrimit në strukturat euroatlantike, promovimit të marrëdhënieve të mira me shtetet anekënd botës, si dhe promovimin e interesave ekonomike të vendit.
Gradualisht e me hapa të sigurt po lëvizim nga premtimet në vepra. Andaj këtë vit kemi ndërmarrë hapa konkret drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi në këtë institucion është moment kulminant i angazhimit të Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Dje, ndërkaq nënshkruam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i cili sot i dorëzohet Presidencës Çeke, të cilën dua ta shfrytëzoj rastin ta falënderoj për përkrahjen e jashtëzakonshme gjatë këtyre gjashtë muajve. Anëtarësimi në BE është objektiv i yni strategjik, prandaj aplikimi na sjellë një hap më afër realizimit të këtij synimi historik të popullit të Kosovës. Në këtë frymë, kemi filluar qe një kohë po ashtu diskutimet politike me aleatët tanë për përfshirjen e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, si hap paraprijës formal i anëtarësimit në NATO.
Por, mbi të gjitha, gjatë këtij viti jemi kujdesur që t’i ruajmë e thellojmë miqësitë ekzistuese, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Britaninë e Madhe, me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian e me shumë e shumë shtete të tjera, ndaj kemi punuar për fuqizimin e partneritetit me to edhe në kontinente përtej Evropës. Natyrshëm, kemi fuqizuar çdo ditë edhe raportet tona vëllazërore me Shqipërinë, duke eliminuar barrierat e duke rritur numrin e marrëveshjeve që janë në dobi të qytetarëve tanë.
Duke synuar përfaqësim e prezencë gjithnjë e më të shtuar të Kosovës në arenën ndërkombëtare, vetëm gjatë këtij viti kam takuar 44 krerë të shteteve , shumë prej tyre nga dy-tre herë nga të gjitha kontinentet, 46 kryeministra, shumë prej tyre nga dy-tre herë, shumë kryetarë Parlamentesh, liderë të dikastereve të ndryshme, përfshirë këtu shumë udhëheqës të organizatave ndërkombëtare. Gjatë këtij viti janë realizuar 19 vizita bilaterale (si mysafir apo nikoqir), si dhe Kosova është përfaqësuar në forume e takime të shumta rajonale e ndërkombëtare.
Në çdo takim e çdo vizitë në fokus ishte fuqizimi i bashkëpunimit në dobi të zhvillimit të vazhdueshëm të shtetit tonë. Në mesin e këtyre takimeve, dua t`i potencoj po ashtu takimet me liderët e vendeve jo njohëse me të cilat gradualisht po ndërtojmë korniza të shëndosha të bashkëpunimit të bazuara në vlera të përbashkëta.
Që në fillim të Presidencës sime kam theksuar së pozita ndërkombëtare e Kosovës fuqizohet nëpërmjet pjesëmarrjes së saj qoftë në nisma rajonale ashtu edhe multilaterale si palë e barabartë, vetëm si e barabartë me shtetet e tjera. Këtë vit, Kosova u ftua të jetë palë e barabartë në krijimin e Komunitetit Politik Evropian, që është nismë e Presidentit Macron e që bashkon 44 shtete të kontinentit tonë. Në Samitin e parë të këtij Komuniteti adresova sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova dhe kërkova përkrahjen e partnerëve tanë në adresimin e tyre.
Në të gjitha samitet BE-Ballkan Perëndimor ku jam ftuar të përfaqësoj vendin, kishte një gjë të përbashkët në fokus: është përçuar mesazhi i qartë se Kosova meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe se me reformat që po zbatojmë në sektorë të ndryshëm e me ndikimin gjeostrategjik të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, meritojmë të kemi proces të përshpejtuar të anëtarësimit. Në të gjitha këto samite, veprimet e Kosovës për përafrim me BE-në janë vlerësuar si shembullore, ndërkaq siç u dëshmua tani që po përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave, përkrahja për vendin tonë vetëm sa po rritet.
Por, këtë vit jemi siguruar poashtu të konsolidojmë vendin e Kosovës edhe si nikoqire të nismave e forumeve ndërkombëtare që trajtojnë tema të rëndësisë së veçantë për ne dhe partnerët tanë. Në tetor të këtij viti, Kosova ishte nikoqire e edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, në të cilin mbi 500 pjesëmarrës, nga pesë kontinente të ndryshme, dhe mbi 130 panelistë të ndryshëm, kanë ofruar pikëshikimin e tyre ndaj këtyre çështjeve. Forumi, përfundimisht, e ka vendosur Kosovën në hartën e ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare të kësaj natyre. Por, mbi të gjitha, ka konfirmuar gatishmërinë tonë dhe kapacitetin për kontribut të vlefshëm e përmbajtësor drejt adresimit të sfidave të përbashkëta dhe avancimit të agjendave në interes të përbashkët.
Ashtu siç potencoi Sekretari Amerikan i Shtetit, z. Blinken kur iu adresua të pranishmëve në këtë forum: duke cituar Sekretaren Albright: “Lufta në Kosovë ishte një konfrontim midis vrasjeve barbare dhe forcës së nevojshme, midis intolerancës së egër dhe respektimit të të drejtave të njeriut, midis tiranisë dhe demokracisë. Ne fituam sepse aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë. Më e rëndësishmja, ne ia dolëm sepse kauza jonë ishte e drejtë dhe për shkak të popullit të Kosovës. Të nderuar deputetë, e gjithë kjo është e vërtetë sot dhe, përderisa e kujtojmë dhe i qëndrojmë besnik asaj, jemi të bindur se do të triumfojmë përsëri.
Në takimin që kishim në Washington D.C., Sekretari Blinken rikonformoi se partneriteti ynë mbetet i palëkundur, ndërkaq në bisedat që kisha me Presidentin Biden gjatë muajit shtator, ai përsëriti përkrahjen e madhe për vendin dhe për popullin tonë, e cila më së miri përshkruhet në vet fjalët e tij: Asnjëherë nuk do t’ju lëmë vetëm!
Kjo garancë amerikane, e përsëritur edhe këto ditë, dëshmon se Kosova nuk ka partner më të rëndësishëm sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prandaj këtë aleancë duhet ta trajtojmë si të shenjtë e ta ruajmë e ta kultivojmë përjetësisht.
Të dashur qytetarë,
Pashmangshëm, politika jonë e jashtme këtë vit, ngjashëm si ajo e shteteve të tjera, është ndikuar nga konteksti ndërkombëtar, ndryshimet në ekonominë globale dhe kërcënimet hibride. Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, mjedisi ndërkombëtar në të cilin veprojnë shtetet po bëhet më kompleks, më i paparashikueshëm dhe po i nënshtrohet ndryshimeve të pandalshme. Andaj një mjedis i sigurt rajonal dhe global kërkon bashkëpunim ndërkombëtar ndërmjet të gjitha shteteve pasi që problemet rajonale dhe globale kërkojnë zgjidhje të bazuar në partneritet dhe reciprocitet duke mos i harruar vlerat që na bashkojnë. Në këtë drejtim, Kosova ka qenë tërësisht në harmoni me vendimet e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian jo vetëm sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë por çdo vendimi tjetër të politikës së jashtme. Duke marrë për bazë këto zhvillime, tashmë është shndërruar në domosdoshmëri ndërtimi i kapaciteteve për siguri kibernetike, pasi që lufta hibride dhe kërcënimet jo-tradicionale të sigurisë vazhdojnë të sfidojnë shtetet anekënd globit.
Përfundimisht, Republika e Kosovës asnjëherë nuk ka pasur politikë të jashtme më aktive, më kuptimplote, më të përgatitur e më të koordinuar. Natyrisht që, kjo politikë e jashtme e fokusuar në interesin e Kosovës dhe vetëm të Kosovës, e jo të interesave të ngushta individuale e shpeshherë të paligjshme, po u pengon disave, jo vetëm në Serbi por edhe jashtë saj. “Kosova nuk ka politikë të jashtme”, po thonë ca zëra. Natyrisht që Kosova ka politikë të jashtme. Në fakt, më në fund, Kosova ka politikë të jashtme. Por, po ju tregoj se çfarë nuk ka Kosova tani: Nuk ka lobim për ndryshim kufijsh, nuk ka pagesa lobistësh për të shtyrë përpara agjenda puro individuale, nuk ka intervista të paguara për të promovuar liderë të caktuar, nuk ka flirtime me Serbinë e me Rusinë me qëllim të interesave individuale, nuk ka udhëheqës që Kosovën e krahasojnë me Nagorno Karabakh e me Abkhazi e me Krime. Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar njëherë e përgjithmonë!
Sfidat e politikës së jashtme natyrisht që janë të panumërta, sepse gabimet kanë qenë të përmasave të mëdha. Tani ne duhet t’i riparojmë këto dëme, hap pas hapi, me durim e me vizion të qartë.
Prandaj, së bashku po ndërtojmë një Kosovë partnere të denjë për nisma politike e për misione paqeruajtëse; e cila ndërvepron me vendet demokratike në fushën e politikës së jashtme e me vendet anëtare të NATO-s në çështjet e sigurisë globale; një Kosovë e cila është shndërruar në faktor të besueshëm për komunitetin ndërkombëtar që merr pjesë aktivisht në këto nisma dhe e bën të dukshme Kosovën gjithandej si partner kredibil. Madje, në nisma si Samiti për Demokraci i Presidentit Biden, Kosova është ndër performueset më të suksesshme dhe kampione në përmbushjen e zotimeve të marra.
Përfundimisht, politika jonë e jashtme sot është në shërbim të plotë e funksion të forcimit të shtetësisë sonë në arenën ndërkombëtare dhe konsolidim të Kosovës si faktor kyç i stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin tonë e përtej.
Të nderuar deputetë!
Të dashur qytetarë të vendit tonë!
Mbrojtja dhe garantimi i të drejtave dhe lirive qytetare, krijimi i një ambienti të sigurt për të gjithë, si dhe luftimi i dukurive negative, është jetik për funksionimin e mirëfilltë të një shoqërie demokratike. Në përmbushjen e këtij synimi të përbashkët, jam përkushtuar duke e zgjeruar bashkëpunimin me institucionet tona në mënyrë që të garantojmë rend dhe ligj në të gjithë vendin.
E kur flasim për të drejtat e njeriut, dua të ndalem në veçanti të falas tek aktet mizore të femicidit.
Fatkeqësisht, paralelisht me pandeminë Covid19, mori hov edhe një pandemi nën hije – pandemia e dhunës ndaj grave.
Ky fenomen tashmë duhet të shihet nga prizmi i një emergjence kombëtare dhe, si i tillë, ai përbën një prej plagëve më serioze e një prej sfidave më komplekse të ditëve tona.
• Vetëm në 5 vitet e fundit, në Kosovën tonë u shënuan mbi 14 mijë raste të dhunës në familje, nga të cilat në shumicën dërmuese, viktimat ishin vajzat e gratë
• Në vendin tonë, sipas të dhënave të organizatave për mbrojtjen e grave, nga viti 2010, 50 gra u bënë viktima të femicidit. 50 gra janë vrarë nga burrat. 50 gra nuk janë më me ne, vetëm e vetëm pse ato ishin gra!
Këta numra nuk janë thjesht statistika sepse nuk e tregojnë historinë e plotë të këtyre grave. Çdo numër është një jetë; është sinonim i dhimbjes, i pasigurisë, pashpresës, zhgënjimit e dëshpërimit. Çdo numër duhet të na shërbej si kambanë e alarmit që mban të zgjuar ndërgjegjen tonë dhe i jep shtytje të hovshme veprimit e aktivizmit tonë të përbashkët.
Por, më i dhimbshëm akoma është fakti se në shumë raste dhuna vazhdon të frymojë në heshtje. Ka kaq shumë dhunë të paraportuar; ka kaq shumë zëra ende të pafuqizuar; ka kaq shumë dhimbje që mbetet e ngujuar brenda mureve e çative.
Ta kuptojmë përfundimisht se grave e vajzave tona nuk është se u mungon zëri. Por, është puna jonë që t’i fuqizojmë vazhdimisht për ta përdorur atë. Grave e vajzave tona nuk u mungon guximi. Por, është përgjegjësi e jona për t’u krijuar platformat e duhura që u garantojnë atyre siguri e barazi – në shtëpi, në punë, në rrugë, brenda për brenda komunitetit, në qasje në trashëgimi e në drejtësi.
Përballë dhunës nuk duhet të jemi të heshtur; përballë padrejtësive duhet të fuqizojmë edhe më tej rendin dhe ligjin; përballë diskriminimit do t’i japim hov së bashku dinjitetit e integritetit; e pabarazitë gjinore do t’i luftojmë përmes integrimit, edukimit, komunikimit e bashkëpunimit.
Ne nuk kemi vajza e gra për të humbur. Asnjë më shumë. Andaj, nga diskursi dominant që ne jemi shoqëri e vlerave, është momenti final të fillojmë të zbërthejmë deri në bosht çdo koncept e normë shoqërore historikisht e padrejtësisht të konstruktuar e të promovuar nga patriarkati. Sepse, për vlera mund të diskutohet vetëm e vetëm atëherë kur ka barazi, integritet e dinjitet.
E këtë do ta arrijmë atëherë kur do të ketë drejtësi. Por, trendet në sistemin tonë të drejtësisë janë shqetësuese. Vetëm në periudhën 2016 – 2019, sipas organizatave vendore mesatarisht rreth 2/3 e rasteve janë parashkruar. 2/3 e rasteve e dhunës ndaj grave janë parashkruar! Në anën tjetër, një statistikë edhe më shqetësuese ka të bëjë me dhunimet seksuale. Sipas të dhënave të publikuara nga EULEX-i, KGJK-ja ka raportuar se 173 raste të dhunimeve seksuale që kanë arritur në gjykatat themelore në periudhën 2019-2021. Nga këto 173 raste, 76 janë përfunduar dhe në 38 raste janë aktgjykime dënuese, ndërsa në 38 rastet tjera, gjykatat kanë nxjerrë aktgjykime lirues, refuzues ose lëndët janë parashkruar. Nga të gjitha rastet dënuese, vetëm në tetë aktgjykimet, vetëm në tetë, kohëzgjatja e dënimit ishte në përputhje me ligjin. Vetëm në 8 raste deri tani, nga 173 lëndë, 8 nga 173, pra përafërsisht vetëm 5% të lëndëve dënimi ishte në përputhje me ligjin. Pothuajse në të gjitha rastet janë marrë parasysh të ashtuquajturat rrethanat lehtësuese, ndërsa në pak raste janë marrë parasysh rrethanat rënduese.
Po e them para jush atë që e kam thënë para institucioneve të drejtësisë në javën për mbrojtjen e të drejtave të viktimave: Një qasje e tillë e sistemit të drejtësisë inkurajon vrasjen e grave. Një qasje e tillë inkurajon më shumë dhunë. Prandaj të kërkojmë njëzëri e me vendosmëri që autorët urgjentisht të përballen me fuqinë e ligjit.
Të nderuar qytetarë,
Vitin e fundit, Republika e Kosovës është renditur më lart në indekse e raporte ndërkombëtare sa i përket reformave në fushën e sundimit të ligjit. Por ky fakt pozitiv nuk duhet të na krijojë vetëkënaqësi. Përkundrazi, forcimi i sistemit të drejtësisë vazhdon të mbetet ndër sfidat kryesore të Republikës së Kosovës.
Nevoja për reformë dhe forcim të sistemit të drejtësisë nuk duhet të na vijë ndërmend vetëm kur kriminelë recidivist që shëtisin të lirë kryejnë edhe një krim makabër, sepse sistemi ynë i drejtësisë në të kaluarën i ka dënuar ata me dënimet më të lehta të mundshme madje edhe me dënime që nuk parashihen me ligj. Nuk mjafton po ashtu të reagohet vetëm kur shohim grupe kriminale të pandjekura penalisht dhe të pandëshkuara nga sistemi ynë i drejtësisë, që sfidojnë dhunshëm dhe haptazi rendin tonë kushtetues, sidomos në komunat veriore të Republikës sonë.
Përkrahja e sistemit të drejtësisë bëhet vetëm duke e forcuar atë, me njerëz me integritet e profesionalizëm, që drejtësinë e kanë edhe ideal, edhe ideal jo vetëm profesion.
Në sistemin tonë të drejtësisë nuk duhet të ketë vend për ata që e shfrytëzojnë atë si një trampolinë për t’u pasuruar dhe e shndërrojnë shantazhin në mjet për arritjen e qëllimeve e interesave të ngushta. Pavarësia dhe integriteti i sistemit të drejtësisë është parim themelor për funksionimin efektiv të tij. Por, pavarësia nuk nënkupton vetëm privilegj, çfarëdo qoftë ai, por edhe përgjegjësi e llogaridhënie. Mbi të gjitha nuk mund të ketë pavarësi ndaj kushtetutës e ndaj ligjeve. Përgjegjësia dhe llogaridhënia vlejnë për të tri shtyllat e pushtetit dhe kjo është garancia e pazëvendësueshme për një demokraci të qëndrueshme.
Ndër aspektet themelore të mbrojtjes së të drejtave të njeriut është edhe mbrojtja gjyqësore e këtyre të drejtave. Kjo nuk mund të bëhet pa një sistem të drejtësisë të pavarur, profesional e që themel kryesor e ka integritetin. Prandaj ka vite që vetingun në drejtësi e shoh jo vetëm si ndihmesë në këtë drejtim por si domosdoshmëri dhe dua t’i bëj thirrje këtij Kuvendi që ta trajtojë këtë çështje si urgjente dhe sa më parë të jetë e mundur të përmbyllë punën e vet dhe të dalë përpara me një pako finale e cila nuk do të jetë një veting veç sa për sy e faqe, por veting i vërtetë që i përfshinë të gjitha shtyllat e rëndësishme e në veçanti atë të integritetit.
Të dashur qytetarë,
Në rolin e Presidentes së Republikës, në çdo hap, në çdo vendim e çdo qëndrim ishte besimi juaj të dashur qytetarë, besimi juaj që më ka shërbyer si busull për orientim, sepse jam e bindur se vullneti i qytetarëve na mban përherë me këmbë në tokë e gjithnjë në rrugë të drejtë.
Kur themelet janë të forta – e themeli më i fortë ka qenë dhe mbetet përherë besimi juaj – çdo tendencë e jashtme për të shkaktuar devijim nga rruga e drejtë rezulton me mossukses.
Në këtë rrugëtim nuk do të ketë asnjëherë veprime e vendime qëllimkëqija, sepse qëllimi im kryesor është që të mund t’ju shoh në sy në fund të çdo dite e çdo viti për aq sa jam në shërbimin tuaj dhe të gjej mirëkuptimin, besimin e shtuar dhe konfirmimin se ju kam shërbyer të gjithë qytetarëve me dinjitet e integritet.
Andaj, nuk do të zmbrapsem asnjëherë para akuzave sa të turpshme aq edhe qesharake që i dëgjojmë çdo ditë e të cilat dirigjohen nga interesat e ‘klaneve anti-Kosovë’. Nuk zmbrapsem as atëherë kur tentojnë të më ngjyrosin me epitete te çdollojshme që sulmojnë pamjen time apo integritetin tim, sepse të parat janë thelbësisht të parëndësishme e sa i përket vlerësimit për integritetin e dinjitetin, të dashur qytetarë, sytë i mbaj përherë vetëm nga ju. E përfundimisht, nuk do të zmbrapsem as përpara seksizmit, seksizmit të paprecedent e tendencave për të minimizuar rolin e Zyrës së Presidentes vetëm e vetëm pse në krye të saj është një grua, e në Republikën tonë askush nuk e ka të drejtën e assesi nuk do t’ia dalë,për këtë ju siguroj, për të na heshtur apo frikësuar. Çdo vajzë e grua e vendit tim është po aq e aftë e meritore për të qenë në çdo detyrë apo funksion sa edhe çdo djalë e çdo burrë.
Në rrugëtimin tim përpara, ashtu sikurse edhe deri më tash, do të punoj duke respektuar vullnetin qytetar, frymën kushtetuese mbi të cilën është ndërtuar ky vend, si dhe sakrificën e idealin e atyre që vunë themelet e shtetit tonë.
Ky vit po aq sa ishte vit i mundësive, do të kujtohet edhe si vit i sfidave. Gjersa shkojmë drejt vitit të ri, e kemi të qartë se pasojat e krizave aktuale do të vazhdojnë të jenë në mesin tonë.
Por, si popull ne shquhemi për rezistencë e për qëndrueshmëri, për ambicie dhe energji të pakufishme, prandaj së bashku do t`ia dalim. Ne kemi triumfuar edhe në periudhat më të vështira të historisë sonë. Ky unitet është tani më i nevojshëm se kurrë përballë agresionit të vazhdueshëm që vjen nga Serbia dhe Rusia.
Me qëllim të mbrojtjes së pakompromis të interesave tona, do të punoj fort që koordinimi ndërinstitucional të jetë çdo herë në qendër dhe në shërbim të interesit kombëtar. Andaj, dera ime është gjithmonë e hapur dhe dora do të jetë përherë e shtrirë ndaj të gjithë atyre që besojnë e veprojnë në frymën e njëjtë. E në po këtë frymë, si udhëheqëse e politikës së jashtme dhe komandante supreme e ushtrisë sonë, do të vazhdoj t’i forcoj e zgjeroj partneritetet tona në çdo cep të botës duke garantuar paqen, sigurinë, sovranitetin, kushtetutshmërinë e integritetin territorial të Republikës sonë.
Të dashur qytetarë,
Gjersa e përmbyllim së bashku kapitullin e vitit 2022, rikujtojmë se në Vitin e Ri ne do të shënojmë edhe 15 vjetorin e Republikës sonë të pavarur dhe sovrane. Uroj që ky përvjetor jubilar, ashtu edhe siç e do rendi, të jetë përvjetor i festës, i haresë dhe i gëzimit për të arriturat tona të përbashkëta dhe rikonfirmim i përkushtimit tonë të patjetërsueshëm për konsolidim të vazhdueshëm si vend me të drejta të barabarta në strukturat euroatlantike.
Si një shtet i ri, sfidat i kemi të pashmangshme, por njëkohësisht edhe mundësitë të panumërta. Gjersa punojmë për të ardhmen tonë euroatlantike, fokusi ynë mbetet gjithnjë i qartë: “Kosova shtet i pavarur e sovran, i inkuadruar në Bashkimin Evropian e në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thoshte themeltari i shtetit tonë, Presidenti Ibrahim Rugova. Dhe kështu do të mbetet përgjithmonë.
Qofshin ditët e këtij viti të bekuara e në prag të Vitit të Ri, uroj të triumfoj shëndeti, mirësia e mbarësia në çdo cep e nën çdo çati!
Sot Kosova ka aplikuar zyrtarisht për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, përcjell KultPlus.
Nënshkrimi i aplikimit është bërë nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca.
Pas nënshkrimit, presidentja Osmani ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke e cilësuar këtë moment si një moment historik për Kosovën
“Moment historik. Drejt jetësimit të ëndrrës së atyre që u flijuan për liri, pavarësi e demokraci, e përmbushjes së ambicies sonë të përbashkët e të patjetërsueshme për integrim në Bashkimin Evropian.Na priftë e mbara!”, ka shkruar presidentja Osmani./ KultPlus.com
Presidentja Osmani ka pritur në takim delegacionin e Shteteve të Bashkuara, të udhëhequr nga Ndihmës Administratorja e USAID-it, Erin McKee, përcjell KultPlus.
“E falënderova ambasadoren McKee, në emër të popullit të Kosovës dhe rikonfirmova se Republika e Kosovës do të mbetet partneri i ngushtë dhe i besueshëm i SHBA-ve”, ka shkruar ajo.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të saj:
USAID-i është katalizator i ndryshimit në Kosovë me projektet e shumta në funksion të forcimit të institucioneve, demokratizimit si dhe një ekonomie të qëndrueshme.
Pata kënaqësinë ta pres në takim delegacionin e Shteteve të Bashkuara, të udhëhequr nga Ndihmës Administratorja e USAID-it, Erin McKee. Vetëm gjatë mandatit tim të deritashëm si Presidente e Republikës, USAID-i ka kontribuar me mbi 73 milionë dollarë mbështetje financiare përmes Grantit të Objektivave të Zhvillimit me Shtetet e Bashkuara.
E falënderova ambasadoren McKee, në emër të popullit të Kosovës dhe rikonfirmova se Republika e Kosovës do të mbetet partneri i ngushtë dhe i besueshëm i SHBA-ve. / KultPlus.com
Zvicra e ka zhvilluar sonte ndeshjen ndaj Serbisë, e vlefshme për Kampionatin Botëror, dhe kësisoj arriti që të kualifikohet në mesin e 16 kombëtareve më të mira në botë, shkruan KultPlus.
Me një epërsi 3:2, Zvicra ka fituar në ndeshjen me Serbinë.
Me këtë rast ka reaguar Presidentja Vjosa Osmani, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
Ajo në mbishkrim ka shkruar: Bravo shqipe 👐🏻👐🏻 / KultPlus.com
Sot shënohet 78-vjetori i lindjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka kujtuar ish-presidentin përmes një statusi në rrjetet sociale, duke e cilësuar Rugovën si ideator të shtetit të pavarur të Kosovës e si prijës i parë i saj.
“Sot shënojmë 2 dhjetorin, ditën e lindjes së Presidentit të parë, historik, të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, njeriut i cili e udhëhoqi popullin e vet drejt lirisë dhe pavarësisë. Presidenti Rugova ishte ideator i shtetit të pavarur të Kosovës e prijës i parë i saj. Me urti e dije të pashoqe, ai arriti ta artikulonte politikisht vullnetin e qytetarëve të Kosovës për të jetuar të lirë, në tokën e tyre e në shtetin e tyre”, shkruan Osmani.
Tutje Osmani është shprehur se udhëheqja e tij është shembull.
“Udhëheqja e tij është shembull e model të cilin duhet ta kujtojmë çdo ditë e me të cilin duhet të mishërohemi, në mënyrë që vizionin e Presidentit Rugova për shtet ta bëjmë edhe më kuptimplotë, duke e jetësuar çdo ditë atë”, shprehet Osmani.
Presidenti Rugova, për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës.
Presidenti Rugova vdiq më 21 janar të vitit 2006 dhe u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake./ KultPlus.com
Gjatë ditës së sotme është raportuar për një grua të vrarë nga burri i saj në oborrin e QKUK-së, shkruan KultPlus.
Për këtë rast ka reaguar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Postimi i plotë:
“Sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, për bijën e humbur, për jetën që u shua pa të drejtë. Sonte vajtojmë për jetën e palindur që nuk frymoi kurrë, për jetën që nuk erdhi në jetë.
Një tjetër krim makabër e çnjerëzor. Një tjetër “burrë” që nuk mund të quhet qenie njerëzore, por që ia mori jetën gruas dhe fëmijës që do të bëhej gëzimi e jeta e nënës.
Sonte mungojnë fjalët se ato i ka zëvendësuar dëshpërimi. Sonte është e vështirë të mendosh se ka shpresë!
Por, sonte shpresa e besimi janë më të nevojshme se kurrë. Kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund. Në sprovë jemi jo vetëm si shtet, por edhe si shoqëri. S’ka më arsyetime e justifikime. Jeta e vajzave dhe grave, sikurse e çdo qytetari tonë është e shenjtë.
Asnjë vajzë e grua më shumë është thirrje kombëtare për të gjithë ne. Përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal. Borxhi ynë ndaj viktimave të dhunës, jetëve të palindura e jetëve të ndërprera pa të drejtë është një dhe i vetëm: DREJTËSI!”, thuhet në postimin e saj. /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, njëherësh Komandante e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Ditën e Forcës ka vizituar kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.
Në Ditën e Forcës, Presidentja Osmani, inspektoi të gjitha stacionet e njësive të FSK-së, respektivisht aftësitë dhe kapacitetet taktike dhe operacionale të ekspozuara.
“Forca e Sigurisë së Kosovës, ushtria jonë është ngritur e strukturuar mbi sakrificën e brezave të tërë, të sublimuar me rënien epike të komandantit të UÇK-së, Adem Jashari me familje”, ka deklaruar Presidentja.
Sipas saj, Kosova është krenare me të arriturat e ushtrisë sonë, e cila e ka mision të shenjtë, mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetit dhe sigurisë së qytetarëve të Republikës.
“E tashmja dhe e ardhmja e vendit tonë është në duar të sigurta, teksa FSK-ja po ecën me hapa të sigurt drejt përfundimit të fazës së tranzicionit. Anëtarësimi në NATO është objektiv strategjik i Republikës së Kosovës dhe parakusht për paqe e stabilitet në rajon e përtej”, është shprehur Presidentja Osmani në Ditën e Forcës. /KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi nuk është arritur marrëveshja për targat në Bruksel, përcjell KultPlus.
Presidentja Osmani ka kritikuar zyrtarin e lartë të BE-së, Josep Borrellin për qasjen ndaj dialogut.
Sipas aj, nëse Borrell do të ishte neutral atëherë do t’ia përmendte Serbisë të gjitha marrëveshjet që nuk i ka zbatuar.
“Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën”, ka shkruar Osmani.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të saj:
Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën:
1. Shkelja e obligimit për shpërbërjen e strukturave paralele ilegale kriminale, ashtu siç kërkohet në Marrëveshjen e vitit 2013. Përkundrazi, këto struktura sot përkrahen, financohen e armatosen nga Vuçiq, me qëllim të sulmit ndaj Kosovës sipas stilit e planit të Putinit;
2. Moszbatimi i Planit të Zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2013, ku kërkohet që të dyja palët të miratojnë ligje për amnisti. Deri tani, vetëm Kosova e ka miratuar;
3. Shkelja e obligimeve nga Marrëveshja e vitit 2013, që kanë të bëjnë me mbajtjen e zgjedhjeve, ku Serbia vazhdimisht ka nxitur sulme ndaj partive serbe që nuk konsideroheshin besnike ndaj qeverisë së Serbisë. Kjo është konfirmuar disa herë nga raportet e ekipeve të vëzhguesve ndërkombëtare të zgjedhjeve;
4. Shkelja e vazhdueshme e pikës 14 të Marrëveshjes, ku kërkohet që Serbia të mos e bllokojë rrugën evropiane të Kosovës;
5. Shkelja e pikave 9, 10 dhe 11 të Marrëveshjes së vitit 2013 ku është paraparë integrimi i serbëve në polici, gjyqësi, etj. Për më tepër, ditët e fundit kemi parë shkelje flagrante të kësaj marrëveshjeje me nënshkrimin e kontratave me institucionet ilegale të Serbisë dhe asnjë reagim të BE-së;
6. Bllokimi i zbatimit të marrëveshjes për energji për gati 10 vite;
7. Moszbatimi i marrëveshjes për lëvizje të lirë, nëpërmjet ndalesave, të cilat Serbia ua bënë shumë zyrtarëve e qytetarëve të Kosovës të të gjitha profileve që të hyjnë në Serbi, mospranimin e dokumenteve të lëshuara nga Kosova, etj;
8. Moszbatimi i marrëveshjes për drejtësinë, nëpërmjet vendosjes së vulave në dokumentet origjinale të gjykatave dhe organeve të tjera të Kosovës me mbishkrimin “Republika e Serbisë –Kosova dhe Metohija –nën administrimin e OKB-së dhe Rezoluta 1244.”;
9. Moszbatimi i Marrëveshjes për Zyrat Ndërlidhëse duke mos lejuar zgjerimin e stafit të zyrave ndërlidhëse ashtu siç ishin marrë vesh palët;
10. Shkelja e marrëveshjes për dogana, ku Serbia ende përdorë vulat paralele doganore etj;
11. Shkelja e marrëveshjes për kadastra, ku nuk ka asnjë përparim në obligimet që i ka Serbia për t’i dorëzuar dokumentet origjinale të kadastrave;
12. Shkelja e marrëveshjes për diploma, në të cilën poashtu nuk ka asnjë përparim nga ana e Serbisë;
13. Shkelja e marrëveshjes për urën e Ibrit, duke nxitur strukturat ilegale të vazhdojnë me aktivitete të paligjshme duke bllokuar qarkullimin e automjeteve;
14. Shkelja e marrëveshjes për përfaqësim rajonal, duke tentuar të bllokojë pjesëmarrjen e Kosovës e duke keqinterpretuar marrëveshjen për fusnotën në thuaja secilin organizim rajonal apo të Bashkimit Evropian, qofshin ato takime të nivelit qeveritar, parlamentar apo të tjera;
15. Shkelja e obligimeve për funksionalizimin e pikave kufitare;
Lista është më e gjatë se kaq.
Paqja dhe stabiliteti nuk mund të arrihen duke akomoduar ata që kanë ambicie hegjemoniste. Por, Kosova asnjëherë nuk do të heq dorë nga qëllimi i qartë për paqe e stabilitet afatgjatë si dhe rend e ligj në tërë territorin e saj. / KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar kryeministrin kanadez, Justin Truedeau gjatë Samitin e Frankofonisë që u mbajt në Tunizi.
Ajo tha se me Truedeau foli për zhvillimet në rajon por edhe për mbështetjen e Kanadasë.
“Në Samitin e Frankofonisë fola me kryeministrin Justin Trudeau për zhvillimet e vazhdueshme në rajonin tonë dhe mirënjohjen e popullit tonë për mbështetjen e qartë dhe konkrete të Kanadasë”, ka shkruar Osmani.
Kujtojmë se gjatë këtij samiti, Osmani takoi edhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron. /KultPlus.com
Në kuadër të vizitës në Austri, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot është takuar me kryetarin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, me të cilin diskutoi avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Presidentja e vlerësoi lart mbështetjen e Austrisë për Kosovën dhe çmoi faktin se Austria ka qenë ndër përkrahëset e hershme të përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri. Ajo i shprehu mirënjohje Austrisë për kujdesin ndaj popullit të Kosovës, në veçanti ndaj arsimit të të rinjve, kur kjo e drejtë po u mohohej në vendin e tyre.
“Populli i Kosovës nuk mund ta harrojë mbështetjen që Austria ua dha të rinjve tanë, duke i njohur diplomat e institucioneve tona të arsimit gjatë periudhës së okupimit, duke u krijuar atyre mundësi të shkëlqyera që ta ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe të kontribuojnë më pas për vendin e tyre. Sot shumë sish janë pjesë e rëndësishme e institucioneve tona”, theksoi presidentja Osmani.
Në këtë frymë, Presidentja ka shfaqur bindjen se Austria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përfundimin e procesit të liberalizimit, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Ndërkaq, kryetari Sobotka e rikonfirmoi vazhdimin e përkrahjes së Austrisë për këto synime.
Me kryetarin e Parlamentit Austriak, Presidentja Osmani diskutoi edhe mbi thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar mes dy vendeve.
Presidentja Osmani theksoi po ashtu se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë për të kontribuar në për paqe dhe siguri të qëndrueshme.
Ndërkaq, sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani tha se ky proces duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke dhe ta ruajë pacenueshmërinë e sovranitetit dhe të rendit kushtetues të Kosovës.
Kryetari i Parlamentit Austriak, Wolfgang Sobotka, e falënderoi Presidenten Osmani për vizitën dhe theksoi se Austria është e përkushtuar për t’i thelluar më tej raportet mes dy popujve dhe vendeve tona, si dhe theksoi gatishmërinë e Austrisë për bashkëpunim të mëtejmë. / KultPlus.com