Presidentja e Republikës së Kosovës, njëherësh Komandante e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Ditën e Forcës ka vizituar kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.
Në Ditën e Forcës, Presidentja Osmani, inspektoi të gjitha stacionet e njësive të FSK-së, respektivisht aftësitë dhe kapacitetet taktike dhe operacionale të ekspozuara.
“Forca e Sigurisë së Kosovës, ushtria jonë është ngritur e strukturuar mbi sakrificën e brezave të tërë, të sublimuar me rënien epike të komandantit të UÇK-së, Adem Jashari me familje”, ka deklaruar Presidentja.
Sipas saj, Kosova është krenare me të arriturat e ushtrisë sonë, e cila e ka mision të shenjtë, mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetit dhe sigurisë së qytetarëve të Republikës.
“E tashmja dhe e ardhmja e vendit tonë është në duar të sigurta, teksa FSK-ja po ecën me hapa të sigurt drejt përfundimit të fazës së tranzicionit. Anëtarësimi në NATO është objektiv strategjik i Republikës së Kosovës dhe parakusht për paqe e stabilitet në rajon e përtej”, është shprehur Presidentja Osmani në Ditën e Forcës. /KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi nuk është arritur marrëveshja për targat në Bruksel, përcjell KultPlus.
Presidentja Osmani ka kritikuar zyrtarin e lartë të BE-së, Josep Borrellin për qasjen ndaj dialogut.
Sipas aj, nëse Borrell do të ishte neutral atëherë do t’ia përmendte Serbisë të gjitha marrëveshjet që nuk i ka zbatuar.
“Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën”, ka shkruar Osmani.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të saj:
Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën:
1. Shkelja e obligimit për shpërbërjen e strukturave paralele ilegale kriminale, ashtu siç kërkohet në Marrëveshjen e vitit 2013. Përkundrazi, këto struktura sot përkrahen, financohen e armatosen nga Vuçiq, me qëllim të sulmit ndaj Kosovës sipas stilit e planit të Putinit;
2. Moszbatimi i Planit të Zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2013, ku kërkohet që të dyja palët të miratojnë ligje për amnisti. Deri tani, vetëm Kosova e ka miratuar;
3. Shkelja e obligimeve nga Marrëveshja e vitit 2013, që kanë të bëjnë me mbajtjen e zgjedhjeve, ku Serbia vazhdimisht ka nxitur sulme ndaj partive serbe që nuk konsideroheshin besnike ndaj qeverisë së Serbisë. Kjo është konfirmuar disa herë nga raportet e ekipeve të vëzhguesve ndërkombëtare të zgjedhjeve;
4. Shkelja e vazhdueshme e pikës 14 të Marrëveshjes, ku kërkohet që Serbia të mos e bllokojë rrugën evropiane të Kosovës;
5. Shkelja e pikave 9, 10 dhe 11 të Marrëveshjes së vitit 2013 ku është paraparë integrimi i serbëve në polici, gjyqësi, etj. Për më tepër, ditët e fundit kemi parë shkelje flagrante të kësaj marrëveshjeje me nënshkrimin e kontratave me institucionet ilegale të Serbisë dhe asnjë reagim të BE-së;
6. Bllokimi i zbatimit të marrëveshjes për energji për gati 10 vite;
7. Moszbatimi i marrëveshjes për lëvizje të lirë, nëpërmjet ndalesave, të cilat Serbia ua bënë shumë zyrtarëve e qytetarëve të Kosovës të të gjitha profileve që të hyjnë në Serbi, mospranimin e dokumenteve të lëshuara nga Kosova, etj;
8. Moszbatimi i marrëveshjes për drejtësinë, nëpërmjet vendosjes së vulave në dokumentet origjinale të gjykatave dhe organeve të tjera të Kosovës me mbishkrimin “Republika e Serbisë –Kosova dhe Metohija –nën administrimin e OKB-së dhe Rezoluta 1244.”;
9. Moszbatimi i Marrëveshjes për Zyrat Ndërlidhëse duke mos lejuar zgjerimin e stafit të zyrave ndërlidhëse ashtu siç ishin marrë vesh palët;
10. Shkelja e marrëveshjes për dogana, ku Serbia ende përdorë vulat paralele doganore etj;
11. Shkelja e marrëveshjes për kadastra, ku nuk ka asnjë përparim në obligimet që i ka Serbia për t’i dorëzuar dokumentet origjinale të kadastrave;
12. Shkelja e marrëveshjes për diploma, në të cilën poashtu nuk ka asnjë përparim nga ana e Serbisë;
13. Shkelja e marrëveshjes për urën e Ibrit, duke nxitur strukturat ilegale të vazhdojnë me aktivitete të paligjshme duke bllokuar qarkullimin e automjeteve;
14. Shkelja e marrëveshjes për përfaqësim rajonal, duke tentuar të bllokojë pjesëmarrjen e Kosovës e duke keqinterpretuar marrëveshjen për fusnotën në thuaja secilin organizim rajonal apo të Bashkimit Evropian, qofshin ato takime të nivelit qeveritar, parlamentar apo të tjera;
15. Shkelja e obligimeve për funksionalizimin e pikave kufitare;
Lista është më e gjatë se kaq.
Paqja dhe stabiliteti nuk mund të arrihen duke akomoduar ata që kanë ambicie hegjemoniste. Por, Kosova asnjëherë nuk do të heq dorë nga qëllimi i qartë për paqe e stabilitet afatgjatë si dhe rend e ligj në tërë territorin e saj. / KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar kryeministrin kanadez, Justin Truedeau gjatë Samitin e Frankofonisë që u mbajt në Tunizi.
Ajo tha se me Truedeau foli për zhvillimet në rajon por edhe për mbështetjen e Kanadasë.
“Në Samitin e Frankofonisë fola me kryeministrin Justin Trudeau për zhvillimet e vazhdueshme në rajonin tonë dhe mirënjohjen e popullit tonë për mbështetjen e qartë dhe konkrete të Kanadasë”, ka shkruar Osmani.
Kujtojmë se gjatë këtij samiti, Osmani takoi edhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron. /KultPlus.com
Në kuadër të vizitës në Austri, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot është takuar me kryetarin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, me të cilin diskutoi avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Presidentja e vlerësoi lart mbështetjen e Austrisë për Kosovën dhe çmoi faktin se Austria ka qenë ndër përkrahëset e hershme të përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri. Ajo i shprehu mirënjohje Austrisë për kujdesin ndaj popullit të Kosovës, në veçanti ndaj arsimit të të rinjve, kur kjo e drejtë po u mohohej në vendin e tyre.
“Populli i Kosovës nuk mund ta harrojë mbështetjen që Austria ua dha të rinjve tanë, duke i njohur diplomat e institucioneve tona të arsimit gjatë periudhës së okupimit, duke u krijuar atyre mundësi të shkëlqyera që ta ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe të kontribuojnë më pas për vendin e tyre. Sot shumë sish janë pjesë e rëndësishme e institucioneve tona”, theksoi presidentja Osmani.
Në këtë frymë, Presidentja ka shfaqur bindjen se Austria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përfundimin e procesit të liberalizimit, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Ndërkaq, kryetari Sobotka e rikonfirmoi vazhdimin e përkrahjes së Austrisë për këto synime.
Me kryetarin e Parlamentit Austriak, Presidentja Osmani diskutoi edhe mbi thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar mes dy vendeve.
Presidentja Osmani theksoi po ashtu se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë për të kontribuar në për paqe dhe siguri të qëndrueshme.
Ndërkaq, sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani tha se ky proces duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke dhe ta ruajë pacenueshmërinë e sovranitetit dhe të rendit kushtetues të Kosovës.
Kryetari i Parlamentit Austriak, Wolfgang Sobotka, e falënderoi Presidenten Osmani për vizitën dhe theksoi se Austria është e përkushtuar për t’i thelluar më tej raportet mes dy popujve dhe vendeve tona, si dhe theksoi gatishmërinë e Austrisë për bashkëpunim të mëtejmë. / KultPlus.com
Presidentja Osmani takoi ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier dhe përfaqësues të ambasadave të Shteteve të Bashkuara në rajon
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim pune ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe përfaqësues të ambasadave të Shteteve të Bashkuara në vendet e rajonit.
Në fokus të takimit ishte partneriteti me Shtetet e Bashkuara, rëndësia e forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe në fushën e energjisë, bashkëpunimi rajonal, si dhe zhvillimet e fundit në vend, rajon dhe më gjerë.
Në lidhje me zhvillimet e fundit, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet tona mbeten plotësisht të angazhuara për të kontribuar në mënyrë aktive për paqe dhe siguri të qëndrueshme në vend dhe rajon, në bashkëpunim dhe koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar.
Presidentja Osmani ka nënvizuar përkushtimin e institucioneve të Republikës për partneritetin e palëkundur me Shtetet e Bashkuara, aleaten kryesore të vendit dhe popullit tonë. Në këtë drejtim, Presidentja ka theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe atë në fushën e sigurisë në mes të dy vendeve. Në takim u diskutua edhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal. /KultPlus.com
Të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe 53 janë plagosur kur një shpërthim tronditi një rrugë të frekuentuar këmbësore në qendër të Stambollit, transmeton KultPlus.
Ambulancat shkuan në vendngjarje në rrugën e mbushur plot Istiklal, të cilën policia e rrethoi me shpejtësi. Zona në lagjen Beyoglu të qytetit ishte e mbushur me blerës, turistë dhe familje.
Për këtë shpërthim reagoi edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se Kosova qëndron me popullin e Turqisë gjatë kësaj kohe.
“E pikëlluar thellësisht nga lajmi i shpërthimit të tmerrshëm në zemër të Stambollit sot.
Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e viktimave dhe të gjithë të lënduarve u urojmë shërim të shpejtë. Ne qëndrojmë me popullin e Turqisë gjatë kësaj kohe të vështirë”, thuhet në postimin e Osmanit. /KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po vazhdon të qëndrojë në Paris, ku ka udhëtuar për në Forumin e Paqes, shkruan KultPlus.
Atje, Osmani është takuar me liderë të ndryshëm nga e gjithë bota.
“Bashkëbisedime me liderë nga vende të ndryshme të botës, aleatë dhe miq të rinj të Kosovës, gjatë Forumit të Paqes në Paris”, thuhet në postimin e saj në “Facebook”.
Për këtë forum ka udhëtuar edhe i pari i vendit, Albin Kurti. /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka emëruar sot 27 anëtarët e rinj të Këshillit Konsultativ për Komunitete (KKK)
Emërimi për mandat dy vjeçar i anëtarëve të KKK-së, është rezultat i një procesi të nominimit brenda secilit komunitet dhe në fund emërimit të tyre nga Presidentja e Republikës.
Bazuar në Rregulloren e KKK-së, brenda tridhjetë ditëve pas emërimit të anëtarëve të rinj, Këshilli e mban takimin e vet konstituiv, i cili do të kryesohet nga anëtari më i vjetër i Këshillit dhe nga radhët e tij zgjedh kryesinë e Këshillit.
KKK-ja përbëhet nga njëzeteshtatë anëtarë, përfaqësues të të gjitha komuniteteve të Kosovës, siç është përcaktuar me nenin 12 (6) të Ligjit për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Tyre në Republikën e Kosovës, që përfshinë:
· nga dy (2) përfaqësues të komunitetit rom, egjiptian, goran, ashkali, malazez dhe kroat
· nga tre (3) përfaqësues të komunitetit boshnjak dhe turk,
· pesë (5) përfaqësues të komunitetit serb,
· një (1) përfaqësues i lartë i Zyrës së Presidentes;
· tre (3) përfaqësues të lartë të Qeverisë, që caktohen nga ministria apo agjencia, fushëveprimi i të cilëve është me rëndësi të veçantë për komunitetet.
Këshilli Konsultativ për Komunitete ka për qëllim sigurimin e mekanizmit për shkëmbimin e mendimeve në mes të komuniteteve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. KKK-ja u ndihmon komuniteteve dhe bën artikulimin e qëndrimeve të komuniteteve joshumicë dhe përfaqësuesve të tyre kur janë ne pyetje legjislacioni, politikat publike dhe programet më rendësi të veçantë për komunitetet.
Gjithashtu, ky Këshill siguron forumin për koordinim dhe këshilla në mes të komuniteteve dhe siguron funksionimin organizativ të cilat i përfaqësojnë komunitetet në bazë të Rregullores, e cila është miratuar nga ana e Këshillit Konsultativ për Komunitete. / KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti po marrin pjesë në manifestimin tradicional informativo-kulturor me moton “Zbulimi i hershëm – Mbijetesë”, që po organizohet nga Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita” në Prishtinë.
Ky manifestim po organizohet për herë të 16-të, por këtë herë nën pantronatin e presidentes Osmani, e ku të pranishme janë edhe zv.kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zv.kryeministrja Emilia Rexhepi, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu si dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama./ KultPlus.com
Nën patronatin e Presidentes Vjosa Osmani – Sadriu, në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Luftës Kundër Kancerit të Gjirit, Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “JETA/VITA”, për herë të 16-të, organizon manifestimin tradicional informativo-kulturor me moton “ZBULIMI I HERSHËM – MBIJETESË”.
Manifestimi do të mbahet sot me fillim në ora 12:00, duke u nisur nga Teatri Kombëtar./KultPlus.com
Tashmë e sa vite është traditë që në Kosovë të shtrohet Darka e Lamës, dhe këtë vit, presidentja Vjosa Osmani ka shtruar një darkë për të moshuarit që qëndrojnë në “Shtëpinë e të moshuarve” në Prishtinë, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell më poshtë statusin e plotë të presidentes Osmani sikurse edhe një video nga kjo darkë.
Darkën e Lamës, festën tonë tradicionale, të cilën e organizojmë në përfundim të të korrave, sivjet e shtruam për më të dashurit tanë, të moshuarit, të cilët qëndrojnë në “Shtëpinë e të moshuarve” në Prishtinë, për t’ua shprehur mirënjohjen e respektin tonë të thellë për ta.
Duke e shtruar sofrën e bukës me ta, ne treguam solidaritetin tonë për gjithë ata breza, të cilët i mblodhën bereqetet e kësaj toke, duke e mbajtur gjallë jetën tonë të përbashkët.
Ata meritojnë më shumë se çdonjëri që t’ua shprehim mirënjohjen tonë./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ka zhvilluar një sërë takimesh bilaterale me zyrtarë të lartë të disa shteteve.
Në takim me ministren gjermane të shtetit për Evropë dhe Klimë në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Ana Lührmann e ka falënderuar për mbështetjen dhënë Kosovës për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Presidentja gjithashtu ka mirëpritur progresin e arritur në takimet e fundit te nivelit ministror të Procesit të Berlinit në Berlin drejt finalizimit të disa marrëveshjeve që i kontribuojnë bashkëpunimit rajonal e në veçanti lëvizjes së lirë pa viza në mes 6 shteteve të rajonit dhe krijimit të Tregut të Përbashkët Rajonal.
Sipas Presidentes Osmani, ky proces i nisur për së mbari duhet të vazhdojë krahas mbështetjes së Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor. Presidentja Osmani, në takim me ministren Lührmann, ka ritheksuar se Kosova tashmë ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim dhe se pret që heqja e vizave të ndodhë deri ne dhjetor, duke mos u kushtëzuar me ETIAS, për fillimin e zbatimit të të cilit nuk ka ndonjë datë të qartë as Komisioni Evropian.
Kurse në takim me Anita Vandelbeld, sekretare në Ministrinë për Zhvillim Ndërkombëtar të Kanadasë, Presidentes Osmani i është konfirmuar mbështetja e këtij shteti në rrugën euro-atlantike të Kosovës.
Edhe me Ilhan Kyuchuk, bashkëkryuesues i Aleancës Liberal-Demokrate të Evropës (ALDE), njëherësh eurodeputet, me të cilin, gjithashtu diskutuan për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Eurodeputeti Kyuchuk konfirmoi mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën, sikurse edhe për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Ndërkaq me ish- presidenten e Estonisë, Kersti Kaljualid, ka potencuar se Kosova gjithnjë ka pasur vizion euro-atlantik dhe se shumica e kosovarëve jo vetëm që ndajnë vlerat e njëjta me vendet evropiane, por edhe janë më shumicë pro integrimit në BE.
Në takim me Eric Nelson, ambasador rezident në George C Marshall Center for Security Studies, Presidentja Osmani ka diskutuar për përmbushjen e agjendës WPS, duke falënderuar SHBA-të për mbështetjen në organizimin e Forumit të sivjetmë. Një pjesë e takimit iu kushtua sulmeve dhe kërcënimeve kibernetike, me të cilat Kosova po përballet kohën e fundit. Ambasadori Nelson ka premtuar mbështetje ndaj Kosovës kundër sulmeve kibernetike.
Presidentja Osmani, në kuadër të aktiviteteve të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka takuar edhe Ruth Gaby Vermot, bashkëkryesuese e organizatës Peace Women Across the Globe./KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani thotë se SHBA-ja s’ka kërkuar kurrë që Kosova të heq dorë nga kërkesa për njohje reciproke me Serbinë.
Osmani tha se presidenti amerikan, Joe Biden dhe Sekretari i Shtetit, Antony Blinken kanë kërkuar me shkrim që njohja reciproke të jetë në qendër të dialogut, raporton Gazeta Express.
“Sa i përket marrëveshjes finale, Shtetet e Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk kanë kërkuar nga Republika e Kosovës një marrëveshje finale pa njohje reciproke. Po ashtu më lejoni ta potencoj një gjë që është konfirmuar edhe nga partnerët tanë strategjikë më shumë se një herë: njohja reciproke është e vetmja zgjidhje e cila sjell paqen dhe stabilitet afatgjat në rajonin tonë”, tha Osmani.
“Janë tjetërgjë propozimet për marrëveshje specifike që diskutohen në Bruksel”, shtoi presidentja.
Osmani ka përsëritur se “nuk ka pasur kërkesë asnjëherë që Kosova të heq dorë nga kërkesa për njohje reciproke”.
Presidentja Osmani tha se njohja reciproke “është domosdoshmëri”. / KultPlus.com
Në hapje të edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili fillon punimet sot në Prishtinë, dhe i cili mbahet me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pjesëmarrësve iu drejtua me një video adresim të të veçantë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Sekretari Blinken tha se Forumi i organizuar nga Presidentja Osmani bashkon dy gjëra që i kishte shumë për zemër Sekretarja Madeleine Albright: popullin e Kosovës dhe fuqizimin e grave.
falënderuar Presidenten Osmani për organizimin e këtij Forumi dhe NDI-në për mbështetjen e tij. Sipas tij, Sekretarja Albright kur është pyetur se çfarë e bën krenare gjatë shërbimit të saj prej shumë dekadash, gjithmonë thoshte Kosova.
Sipas tij, në vizitën e fundit në Prishtinë, në vitin 2019, Sekretarja Albright ka mbrojtur sërish ndërhyrjen e NATO-s, në Kosovë, më 1999.
“Lufta në Kosovë ishte një përballje mes vrasjeve barbare dhe forcës së nevojshme, ndërmjet mostolerancës së dhunshme dhe respektimit të të drejtave të njeriut, mes tiranisë dhe demokracisë. Ne fituam sepse aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë. Më e rëndësishmja, ne ia dolëm sepse kauza jonë ishte e drejtë dhe për shkak të popullit të Kosovës”, ka cituar Sekretari Bliken fjalët e zonjës Albright.
Sipas tij, sekretarja Albright luftoi për angazhimin e grave në të gjitha aspektet e ndërtimit të paqes dhe vendimmarrjes së sigurisë, pjesërisht sepse ajo kishte parë ndryshimin që ndodhte kur atyre u jepej një zë.
Albright ka inkurajuar edhe gratë kosovare, kur më 2005 kishte thënë se e ardhmja e vendit do të varet – në një masë jo të vogël -nga mundësitë që do t`u ofrohen grave të vendit.
“A do t’u jepet atyre një shans i barabartë për të shkëlqyer në klasë, për të pasur sukses në vendin e punës, për të ndjekur ëndrrat e tyre në çfarëdo fushe të angazhimit që mund të zgjedhin – të bëhen biznespersona ose mjekë, gazetare, programuese kompjuteri, madje në të ardhmen edhe presidente e kryeministre të Kosovës?”, ka cituar Blinken, duke potencuar se që nga ajo kohë, Kosova ka votuar dy gra presidente, respektivisht dy më shumë se Shtetet e Bashkuara.
Ai ka përmendur edhe gratë iraniane me kauzën e tyre kundër shtypjes, sikurse edhe ato kubaneze, të cilat vazhdojnë të protestojnë duke bërë thirrje që regjimi t`i respektojë të drejtat e njeriut dhe t`i plotësojë nevojat themelore të njerëzve.
Në adresimin e tij, Blinken është ndalur edhe te lufta brutale e Presidentit Putin kundër Ukrainës, duke cituar një mendim të Albright.
“Ajo na kujtonte vazhdimisht rëndësinë e qëndrimit përballë tiranëve dhe provokuesve, sikurse edhe të parandalimit që vendet me përdorim të forcës të rishkruajnë kufijtë e një tjetri dhe për të mbrojtur parimet e Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare”, ka cituar Blinken, Albright.
Në fund të adresimit të tij, Blinken ka thënë se duke iu përmbajtur porosive të Albright, do të triumfojmë përsëri. / KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, një organizim i pari i këtij lloji, është e rëndësishëm për njerëzimin në përgjithësi.
Sipas saj, historia e Kosovës është histori e secilës grua e cila siç ka thënë, ka larguar një gur nga rruga drejt barazisë.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, e para e shtetit ka falënderuar partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë për ndihmën në organizimin e këtij eventi.
“Ne besojmë që nëse i njohim praktikat e partneritetit, çdo fëmijë do të na jep kontributin që të ndërtojmë një botë paqësore. Pjesëmarrja dhe vetëbesimi është mbushur me liderë, ekspertë nga e gjithë bota, të cilët e kanë mësuar mësimin e tyre për botën si një botë të sigurt. Dua t’i falënderoj miqtë që e kanë bërë këtë Forum, të gjitha institucionet kosovare dhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, u shpreh Osmani.
Përgjatë dy ditëve sa do të zgjasë ky Forum, folës, panelistë e diskutues të tjerë do të debatojnë në temën bosht “Ndërtimi i Aleancave për Paqe të Qëndrueshme”./ KultPlus.com
Të shtunën dhe të dielën do të nisë së mbajturi në Prishtinë, Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se gjatë këtij forumi do të nderohen me Medaljen Presidenciale të Meritave gratë ukrainase. Ajo ka thënë se në forum do të ketë edhe përfaqësues nga Ukraina dhe atyre do të ju ndahet medalja.
Më tej Osmani tha se për dy ditë në Prishtinë do të organizohen 16 panele me 400 pjesëmarrës dhe aty do të ketë një adresim edhe Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken./ KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se ka marrë garancion nga shumica e ambasadorëve në Kosovë që nuk do të ketë kritere shtesë për liberalizimin e vizave.
Ajo tha se jo vetëm që nuk do të kërkojnë kritere shtesë, por edhe do të kundërshtojnë dhënien e kritereve shtese teknike, pasi sipas saj, ato kanë përfunduar më 2018.
“Mirëkuptim kemi nga shumica dërmuese, ka 2-3 shtete që i kanë disa shqetësime që po merremi intensivisht jo vetëm ne por edhe diplomatët tanë që po merren me këtë temë me shpresën e plotë që në takimet e radhës që do të mbahen në nivel të grupeve punuese për vizat të sigurohemi që të mos ketë ndonjë bllokadë”, është shprehur Osmani, njofton Klankosova.tv.
Tutje, Osmani tha shpreson që vendimi për vizat të merret më së largu në dhjetor dhe pastaj të hyjë në fuqi sipas praktikave të deritanishme që është deri në 6 muaj e të mos lidhet me procesin ETIAS./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim, zyrtaren e lartë të Sekretarit të Shtetit në Zyrën për Çështje Globale të Grave (S/GWI), Katrina Fotovat.
Në takim me znj. Fotovat, Presidentja Osmani ka theksuar se Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë me temë “Ndërtimi i Aleancave për Paqe të Qëndrueshme”, po organizohet për herë të parë dhe përbën një nga zotimet në kuadër të Samitit për Demokraci.
Sipas Presidentes Osmani, Forumi është ngjarja e parë e përmasave të tilla me pjesëmarrës nga 6 kontinente.
Gratë e Republikës së Kosovës, sipas Presidentes Osmani e kuptojnë shumë mirë rëndësinë e kësaj Agjende.
Presidentja Osmani theksoi se gratë e Kosovës janë shembulli në i mirë i angazhimit rreth kësaj agjende. Sipas Presidentes Osmani, ato shquhen posaçërisht për angazhimin aktiv drejt lehtësimit dhe ballafaqimit me pasojat e luftës dhe drejtësinë tranzicionale. Tutje, Presidentja ka veçuar punën e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës. Sipas Presidentes Osmani edhe gratë nga shoqëria civile kanë ndihmuar, gjithashtu të mbijetuarat e dhunës seksuale.
Presidentja Osmani ka shfaqur bindjen se me përfshirjen e grave në proceset e paqes dhe sigurisë, rriten shanset për paqe të qëndrueshme.
Palët janë dakorduar për bashkëpunim dhe koordinim të rregullt drejt realizimit të projekteve të përbashkëta drejt avancimit dhe zbatimit të Agjendës GPS./ KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani në kuadër të muajit Rozë, ka vizituar Klinikën e Onkologjisë në QKUK, së cilës i është dhuruar 100 proteza të gjirit për gratë e prekura nga kanceri i gjirit ndërkaq në vitet në vijim, ajo shprehet se do të rritet kjo përkrahje, përcjell KultPlus.
“Prioritet duhet të jetë parandalimi, reduktimi i vdekjeve të parakohshme, krahas zbulimit të hershëm, sikurse edhe përmirësimi i cilësisë së jetës dhe trajtimit të të prekurve nga kjo sëmundje”, ka thënë Osmani.
Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:
Muaji Rozë është një muaj në të cilin duhet ta shprehim solidaritetin, t’i shtojmë përpjekjet, e ta sensibilizojmë secilën grua për rrezikun nga kanceri i gjirit. Identifikimi i hershëm shpëton jetë.
Në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Luftimit të Kancerit të Gjirit, vizitova sot Klinikën e Onkologjisë në QKUK, së cilës ia dhuruam 100 proteza të gjirit për gratë e prekura nga kanceri i gjirit ndërkaq në vitet në vijim do ta rrisim këtë përkrahje.
Prioritet duhet të jetë parandalimi, reduktimi i vdekjeve të parakohshme, krahas zbulimit të hershëm, sikurse edhe përmirësimi i cilësisë së jetës dhe trajtimit të të prekurve nga kjo sëmundje.
Na duhen 12 muaj rozë që jetën ta bëjmë më të mirë me njerëzit tanë bashkërisht! / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vazhduar takimet me ambasadorë të vendeve të ndryshme të BE-së, të akredituar në Kosovë lidhur me liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Sot, ajo takoi ambasadorët e Kroacisë, Bullgarisë, Çekisë dhe Hungarisë.
Në takim me ambasadorët, presidentja Osmani falënderoi Kroacinë, Bullgarinë, Çekinë dhe Hungarinë për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, përfshirë takimin e fundit të grupit teknik punues të Këshillit Evropian.
Presidentja Osmani ka theksuar se është më rëndësi që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tej, në procesin e liberalizimit të vizave deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi.
Në këtë kontekst, presidentja Osmani tha se vendet anëtare të BE-së duhet ta marrin parasysh rekomandimin e Komisionit Evropian, i cili tashmë e ka konfirmuar se e mbështet heqjen e vizave, ngase Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret.
Sipas presidentes Osmani, vendimmarrja politike gjatë Presidencës Çeke është më se urgjente, ndaj liberalizimi i vizave nuk duhet të mbetet peng i asnjë teknikaliteti.
Në të njëjtën linjë, presidentja Osmani kërkoi vazhdimin e mbështetjes ndaj Kosovës edhe në procesin e anëtarësimit në Këshill të Evropës, në të cilin mund të mbrohen, promovohen dhe avancohen të drejtat dhe liritë e njeriut. / KultPlus.com
Presidentaj e vendit Vjosa Osmani ka pritur në Presidencë, ambasadorin e Francës dhe disa shteteve të tjera pas diskutimeve të djeshme dhe raportimeve se sistemi ETIAS është kushti i ri për vizat.
Shefja e shtetit ka shprehur besimin e saj që kërkesat teknike të ngritura nga disa prej shteteve anëtare të BE-së lidhur me ETIAS, sistemin evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, të mos ndikojnë në vendimmarrjen politike dhe caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës duke prezantuar argumentet se një situatë e kundërt do t`i vendoste qytetarët e Kosovës më pozitë diskriminuese.
Osmani ka potencuar se Kosova “do të përfshihet në ETIAS, sikurse të gjitha shtetet e tjera, në momentin që ai sistem të bëhet operacional, por pa ndikuar në caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave”.
Njoftimi nga Presidenca:
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim, përfaqësuesit e Francës, Suedisë, Holandës, Belgjikës dhe Austrisë në Kosovë, me të cilët diskutoi për zhvillimet pas takimit të 13 tetorit të grupit teknik punues për vizat të Këshillit Evropian, lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Presidentja do të vazhdoj takimet me ambasadorët e tjerë të shteteve anëtare të BE-së në ditët në vijim.
Në takimet me ambasadorët e shteteve të Bashkimit Evropian, Presidentja Osmani, ka falënderuar për mbështetjen e dhënë nga shtetet anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave të Kosovës dhe ka rikujtuar se ditë më parë Komisioni Evropian ka konfirmuar në Raportin vjetor për Kosovën se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.
Presidentja Osmani theksoi nevojën që vendimmarrja politike lidhur me liberalizimin e vizave brenda BE-së të përmbyllet brenda kryesimit çek të BE-së duke ditur se nuk ka qëndrime kundërshtuese nga asnjë prej shteteve anëtare të BE-së për këtë temë.
Në këtë drejtim, Presidentja Osmani shprehu besimin që kërkesat teknike të ngritura nga disa prej shteteve anëtare të BE-së lidhur me ETIAS, sistemin evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, të mos ndikojnë në vendimmarrjen politike dhe caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës duke prezantuar argumentet se një situatë e kundërt do t`i vendoste qytetarët e Kosovës më pozitë diskriminuese.
Presidentja Osmani potencoi se Kosova do të përfshihet në ETIAS, sikurse të gjitha shtetet e tjera, në momentin që ai sistem të bëhet operacional, por pa ndikuar në caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ekipin futbollistik “Ballkani” nga Suhareka, i cili aktualisht po i zhvillon garat në Ligën e Konferencës të UEFA-së.
Presidentja Osmani uroi djelmoshat e “Ballkanit”, për suksesin e historik të ekipit të treguar deri tani në garat evropiane dhe tha se sportistët kosovarë prej shumë kohësh janë ambasadorët më të mirë të Kosovës. Sukseset e tyre, sipas Presidentes Osmani e bëjnë krenar shtetin dhe qytetarët e Kosovës.
Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë ta mbështesin sportin në të gjitha aspektet duke uruar që ekipi i “Ballkanit”, sikurse edhe sporti kosovar në përgjithësi të vazhdojë me sukseset në prezantimet ndërkombëtare.
Ekipi i Ballkanit i dhuroi Presidentes Osmani një fanellë të klubit dhe një top futbolli, teksa ajo uroi futbollistët për fitore në ndeshjen e nesërme ndaj ekipit të Sivasspor. /KultPlus.com