Presidentja Osmani emëron anëtarët e rinj të Këshillit Konsultativ për Komunitete

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka emëruar sot 27 anëtarët e rinj të Këshillit Konsultativ për Komunitete (KKK)

Emërimi për mandat dy vjeçar i anëtarëve të KKK-së, është rezultat i një procesi të nominimit brenda secilit komunitet dhe në fund emërimit të tyre nga Presidentja e Republikës.

Bazuar në Rregulloren e KKK-së, brenda tridhjetë ditëve pas emërimit të anëtarëve të rinj, Këshilli e mban takimin e vet konstituiv, i cili do të kryesohet nga anëtari më i vjetër i Këshillit dhe nga radhët e tij zgjedh kryesinë e Këshillit.

KKK-ja përbëhet nga njëzeteshtatë anëtarë, përfaqësues të të gjitha komuniteteve të Kosovës, siç është përcaktuar me nenin 12 (6) të Ligjit për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Tyre në Republikën e Kosovës, që përfshinë:

· nga dy (2) përfaqësues të komunitetit rom, egjiptian, goran, ashkali, malazez dhe kroat

· nga tre (3) përfaqësues të komunitetit boshnjak dhe turk,

· pesë (5) përfaqësues të komunitetit serb,

· një (1) përfaqësues i lartë i Zyrës së Presidentes;

· tre (3) përfaqësues të lartë të Qeverisë, që caktohen nga ministria apo agjencia, fushëveprimi i të cilëve është me rëndësi të veçantë për komunitetet.

Këshilli Konsultativ për Komunitete ka për qëllim sigurimin e mekanizmit për shkëmbimin e mendimeve në mes të komuniteteve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. KKK-ja u ndihmon komuniteteve dhe bën artikulimin e qëndrimeve të komuniteteve joshumicë dhe përfaqësuesve të tyre kur janë ne pyetje legjislacioni, politikat publike dhe programet më rendësi të veçantë për komunitetet.

Gjithashtu, ky Këshill siguron forumin për koordinim dhe këshilla në mes të komuniteteve dhe siguron funksionimin organizativ të cilat i përfaqësojnë komunitetet në bazë të Rregullores, e cila është miratuar nga ana e Këshillit Konsultativ për Komunitete. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Duke e miratuar Kushtetutën, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës vendosën gurin e parë të shtetësisë sonë

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, me rastin e 32 vjetorit të Kushtetutës së Kaçanikut ka vlerësuar guximin qytetar të grave dhe burrave përfaqësues që e miratuan Kushtetuën, përcjell KultPlus.

KultPlus e sjell të plotë reagimin e presidentes Osmani, lidhur me këtë datë historike:

32 vjet më parë, gra e burra përfaqësues, me guximin qytetar e vetëdije kombëtare, e miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, e cila shënon aktin e parë në krijimin e rendit kushtetues të Kosovës dhe i fortifikon përpjekjet e brezave të tërë për shtet të pavarur.

Përfaqësuesit e atëhershëm të Kuvendit, më 7 shtator 1990 i dolën zot vendit dhe e përjetësuan në Kushtetutë vullnetin e qytetarëve të cilët i përfaqësonin, duke e vulosur përfundimisht përpjekjen për liri, demokraci e shtet të pavarur. Ata e sfiduan një shtet e një regjim të egër, duke i vënë themelet e palëkundura të Kosovës së pavarur.

Sot, 32 vjet më pas, teksa e kujtojmë këtë datë historike, ne i përulemi guximit të delegateve e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, përkushtimit të tyre ndaj atdheut dhe këmbënguljes për ta parë të jetësuar shtetin e tyre. Duke e miratuar Kushtetutën, ata e vendosën gurin e parë, themeltar, të shtetësisë sonë. Me të nisi krijimi i identitetit kushtetues e shtetëror të Republikës së Kosovës. Përjetësisht mirënjohës për këtë akt historik! / KultPlus.com