Rama: Peizazh magjik nga grykëderdhja e Vjosës në Levan

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga grykëderdhja e Vjosës në Levan, Fier.

Rama e cilësoi grykëderdhjen e Vjosës një peizazh magjik për t’u vizituar.

Lumi i Vjosës, si lumi i fundit i egër në Europë, u shpall më 13 mars të këtij viti nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “park natyror”.

Në 13 qershor 2022 u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe organizatës amerikane “Patagonia” për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar”.

Për shkak se, lumi Vjosa dhe lugina e tij është një park shumë kompleks, është marrë ekspertizë ndërkombëtare përveç asaj të brendshme, që të gjitha procedurat e shpalljes të Vjosës Park Kombëtar, të jenë me standardet më të larta ndërkombëtare.

Lumi Vjosa, në jug të Shqipërisë, është një nga lumenjtë më të njohur në Shqipëri, për sa i përket trashëgimisë natyrore dhe vlerave të biodiversitetit që mban. Formacionet e ndryshme gjeologjike, karakteristikat e relievit dhe kushtet klimatike të pellgut të Vjosës kanë kontribuar në një diversitet të madh habitatesh dhe speciesh, shumë prej të cilave mbeten të pazbuluara edhe sot e kësaj dite. Bollëku i Vjosës me peshq, duke përfshirë grykëderdhjen e saj dhe lagunën e Nartës, e bëjnë këtë rajon mjaft të rëndësishëm për peshkim dhe shumë banorë vendas e kanë ndërtuar jetesën e tyre bazuar në peshkim me praktika kryesisht tradicionale të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite./atsh/KultPlus.com

Presidentja Vjosa Osmani, nesër e ftuar në CNN

Prezantuesja në CNN, Christiane Amanpour, ka paralajmëruar se nesër do ta ketë të ftuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani në CNN, pritet të flasë për zhvillimet e fundit në Kosovë, pas sulmit në fshatin Banjskë të Zveçanit tetë ditë më parë, ku një grup kriminal serbë sulmuan Policinë e Kosovës.

Nga ky sulm mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, dhe tre terroristë serbë.

Zhvillimet e fundit në Kosovë kanë ngjallur reagime në të gjithë botën, me vendet e Bashkimit Evropian dhe SHBA-të që kanë dënuar këtë sulm./KlanKosova/KultPlus.com

Presidentja Osmani: Serbia duhet ta dijë se do të përballet me një popull të gatshëm për të mbrojtur lirinë me çdo kusht

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia duhet ta dijë se do të përballet me një popull që është i gatshëm me mbrojt lirin me çdo kusht.

Kështu ka deklaruar e para e shtetit në një intervistë për mediumin italian “La Republicca”, transmeton Klankosova.tv.

Osmani ka thënë se Serbia kreu një akt agresioni të dielën e shkuar, ku një grup prej 30 personave terroristë serbë sulmuan Policinë e Kosovës. Nga ky sulm mbeti i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre terroristë serbë.

“Serbia duhet ta dijë se do të përballet me një popull të gatshëm për të mbrojtur lirinë me çdo kusht dhe se NATO është me ne”, është shprehur presidentja Osmani në një intervistë për mediumin italian.

Osmani gjithashtu shtoi se Serbia është duke vepruar shumë më ndryshe se ajo që është parë në 25 vitet e fundit.

“Ka prova të pakundërshtueshme. Serbia ka kryer një akt agresioni më datën 24 shtator dhe po përgatitet të kryejë një akt tjetër duke përforcuar forcat e armatosura dhe artilerinë në kufirin me Kosovën. Është diçka ndryshe nga ajo që kemi parë në 25 vitet e fundit, e paprecedentë”, potencoi Osmani./KlanKosova/KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, biseduan për bashkëpunim dhe shkëmbime përvojash mes dy parlamenteve

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, shkruan KultPlus.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjersa po qëndron në një vizitë zyrtare dy ditore në Shqipëri, ka zhvilluar një takim me kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin e Shqipërisë.

“Sipas Presidentes Osmani, diplomacia parlamentare ka rol jetik në promovimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani dhe kryeparlamentarja Nikolla, diskutuan edhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet organeve legjislative të të dy shteteve si dhe shkëmbimit të përvojave e kapaciteteve”, thuhet në komunikatë.

Në njoftim po ashtu thuhet se sipas Presidentes Osmani, ekziston përkushtim i përbashkët për avancimin e interesave të Kosovës dhe Shqipërisë, duke rritur koordinimin dhe bashkërendimin në fushën e politikës së jashtme.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të përkrahjes së delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare e Këshillit të Evropës për përfundimin me sukses të trajtimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë”, thuhet në komunikatë.

Për Presidenten Osmani integrimi euroatlantik është synimi i përbashkët i të dy vendeve./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Nëse pezullohet liberalizimi i vizave, dialogu vritet një herë e përgjithmonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se pezullimi i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024, do ta vriste dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo i ka bërë këto deklarata, duke iu referuar qëndrimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili ka thënë më 28 gusht se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.

“Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet”, ka thënë Osmani në një vizite te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë.

Osmani ka thënë se Kosova ka arritur pajtueshmëri me Bashkimin Evropian për shtensionim të situatës në veri qysh më 10 korrik në Bratisllavë.

Ajo e ka përmendur që marrëveshja parasheh zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në dhe rreth ndërtesave komunale në veri, hap që ajo ka thënë se Kosova e ka bërë, dhe se është duke u punuar në organizimin e zgjedhjeve të reja.

Sipas Osmanit, baza ligjore për mbajtje të këtyre zgjedhjeve do të jetë gati më 1 shtator, dhe kështu ka thënë se pret që BE-ja t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat ajo i ka vlerësuar si të padrejta dhe joproporcionale.

Një tjetër pikë e marrëveshjes së Bratisllavës parasheh edhe kthimin sa më të shpejtë në dialog në nivel të lartë mes Kosovës dhe Serbisë.

Osmani ka thënë se pret lëvizje në këtë drejtim në shtator.

Për dialogun kanë diskutuar më 28 gusht edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë të larta në maj të këtij viti, meqë banorët e komunave veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunave.

Banorët e këtyre komunave me shumicë serbe kanë protestuar me javë para ndërtesave dhe me raste situata është përshkallëzuar në dhunë./REL/KultPlus.com

‘Bukuri përrallore’, Osmani bën thirrje që të vizitohet sa më shumë Dragashi

Presidentja e vendit Vjosa Osmani sot gjatë ditës ka qëndruar në komunën e Dragashit për një vizitë.

Ajo atje u takua me kryetarin e komunës, Bexhet Xheladini, me asamblenë komunale, OJQ, përfshirë edhe ato që udhëhiqen nga gratë e nga komunitetet.

“Kemi pasë një ditë me përplot takime të rëndësishme”, tha ajo në një video ku përmblodhi vizitën  e saj.

Osmani, që edhe gjatë rrugës u ndal për një ‘selfie’, tha se malet e Sharrit ofrojnë një pamje përrallore dhe se duhet të investohet në turizmin malor të kësaj komune.

“Natyrisht që për ne si institucion i Presidencës është me rëndësi për ne që qytetarët nga të gjitha komunat e Kosovës ta kenë zërin e tyre të dëgjuar, të flasin për sfidat që ballafaqohen, por mbi të gjitha t’i promovojmë këto bukuri përrallore që i ofrojnë malet magjepsëse të Sharrit. Me kryetarin e komunës patëm mundësinë që të diskutojmë se si ta promovojmë turizmin malor sa më shumë”.

Osmani vuri në pah edhe mungesat bazike që disa nga qytetarët e kësaj komune kanë.

“Natyrisht që qytetarët e kësaj ane kanë sfida që ballafaqohen ende, përfshirë edhe sfidat që kanë të bëjnë me ujin, me rrymën elektrike dhe do t’i trajtojmë të gjitha dhe do t’i shtyjmë përpara të gjitha projektet”.

Në fund, Osmani ftoi që të vizitohet Dragashi sa më shumë, përfshirë edhe mërgimtarët që po qëndrojnë në Kosovë. /Express/KultPlus.com

Osmani ngushëllon Bidenin për tragjedinë në Hawai

Zjarre të mëdha e kanë kapluar Hawain në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Raportohet se deri më tani 93 persona e kanë humbur jetën nga kjo fatkeqësi natyrore.

Me këtë rast, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i ka shprehur ngushëllime presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Ajo shprehu solidaritet të plotë me popullin amerikan në këto ditë të vështira.

“Zemrat tona janë me familjet e viktimave dhe i urojmë shërim të shpejtë të lënduarve”, tha Osmani./KlanKosova/KultPlus.com

Presidentja Osmani: Nuk ka maja që vajzat e Kosovës nuk mund t’i arrijnë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në kudër të Muajit të Rinisë ka takuar ekipin e futbollisteve të reja, të klubeve ‘Prishtina’ dhe ‘Brezovica’ nga ku ka inkurajuar vajzat e reja që të merren me sport, duke thënë për vajzat e Kosovës që nuk ka maja të cilat ato nuk mund t’i arrijnë, shkruan KultPlus.

Përmes një video-live, Osmani ka thënë se ky takim po zhvillohet në kuadër të Muajit të Rinisë.

‘Jemi këtu pët të festuar muajin e rinisë. Nuk ka mënyrë më të bukur se sa t’i inkurajojmë të githa vajzat e Kosovës që të luajnë futboll që të merren me sporte të tjera sepse nuk ka maja të cilat ato nuk mund t’i arrijnë’, ka thënë Presidentja Osmani./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut- ngjarje emblematike, e cila shënoi kthesë historike për lirinë dhe pavarësinë e vendit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar 2 korrikun, me ç’rast ka thënë se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, e shpallur nga 114 delegatët e Kuvendit të Kosovës hapi rrugën për përmbushjen e ëndrrës shekullore për Kosovën Republikë.

Në vijim gjeni të plotë urimin e Presidentes Osmani:

Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, e shpallur nga 114 delegatët e Kuvendit të Kosovës hapi rrugën për përmbushjen e ëndrrës shekullore për Kosovën Republikë.

Akti i tyre dëshmoi se rruga e bërjes së shtetit kërkon përkushtim, sakrificë dhe guxim.

Delegatët e asaj kohe i gërshetuan këto të tria, duke vërë gurin themeltar të shtetit të Kosovës, i cili u vulos më 17 shkurt 2008.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut është ngjarje emblematike, e cila shënoi kthesën tonë historike për liri dhe pavarësi.

2 Korriku mbetet një nga datat më të rëndësishme për shtetin tonë, ngase  themelet e tij qëndrojnë mbi vendimin e delegatëve të asaj kohe.

Urime 2 Korriku, qoftë e përjetshme Republika e Kosovës!/KultPlus.com

Presidentja Osmani uron festën e Kurban Bajramit: Të kujtojmë frymën e unitetit dhe harmonisë që simbolizon kjo festë

Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka uruar festën e Kurban Bajramit të gjithë besimtarëve të besimit musliman, duke bërë thirrje për unitet dhe harmoni, shkruan KultPlus.

Presidentja Osmani përmes një postimi në faebook ka thënë se Festa e Bajramit është edhe mundësi reflektimi mb solidaritetin, mundësi për t’i çmuar lidhjet familjare dhe për t’u dalë në ndihmë atyre që kanë nevojë.

“Kurban Bajrami është mundësi reflektimi mbi solidaritetin, sakrificën e tolerancën. Është mundësi për t’i çmuar lidhjet tona familjare dhe miqësore, si dhe për të zgjatur dorën e mirësisë ndaj atyre në nevojë.

Derisa sot mblidhemi së bashku për të festuar, le të kujtojmë frymën e unitetit dhe harmonisë që simbolizon kjo festë. Me shpresën që kjo festë të sjellë te ju, familjet dhe të afërmit tuaj të mira e begati, ju uroj edhe një herë me fat Kurban Bajramin”, thuhet në urimin e Presidentes./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Ballafaqimi me drejtësinë e grupeve kriminale në veri – i domosdoshëm

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të Grupit të Miqësisë Austri-Kosovë në Parlamentin e Austrisë, të përbërë nga deputetë të partive të ndryshme politike në Austri.

Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë. Osmani aty përmendi veprimet e vazhdueshme destruktive të Serbisë, të cilat kanë për qëllim të drejtpërdrejt destabilizimin e vendit, thuhet në komunikatën e presidencës.

Presidentja potencoi se ballafaqimi me drejtësinë i grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët është i domosdoshëm.

E para e vendit po ashtu theksoi se Kosova është e përkushtuar për kontribut për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit, në koordinim me aleatët.

Tutje Osmani falënderoi shtetin e Austrisë për mbështetjen ndaj Kosovës përgjatë viteve, ndërsa ka shprehur gatishmërinë që të hapen kapituj të rinj të bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

Osmani ka përmendur edhe rolin jetik të diasporës sonë në Austri si urë ndërlidhëse e bashkëpunimit dypalësh, si dhe në forcimin e mëtejmë të raporteve të shkëlqyera ndërshtetërore. /21Media/KultPlus.com

Presidentja Osmani pjesëmarrëse në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Erdogan

Presidentja e vendit Vjosa Osmani do të marr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Në njoftimin e presidencës thuhet se presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Turqi, për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Në këtë ceremoni të inaugurimit të Presidentit Erdoğan, Presidentja Osmani, e shoqëruar nga Zotëria i Parë Prindon Sadriu, do të jetë përkrah krerëve të tjerë të shteteve nga mbarë bota.

“Presidentja Osmani ditë më parë, ka uruar Presidentin Erdoğan në emër të popullit të Republikës së Kosovës për fitoren dhe ka shfaqur gatishmërinë që të vazhdohet puna e përbashkët për ta thelluar bashkëpunimin dhe për ta forcuar partneritetin në mes të dy shteteve.”, thhet në njoftimin e presidencës./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Këto akte të papranueshme dhune duhet të dënohen nga të gjithë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar pas sulmeve në Veri të Mitrovicës, ku janë sulmuar policia e Kosovës, oficerët e KFOR-it dhe gazetarët, shkruan KultPlus.

Presidentja Osmani përmes një postimi në Twitter, ka thënë se ata që zbatojnë urdhrat e Vuçiqit për destabilizimin e veriut të Kosovës, duhet të përballen me drejtësinë.

”Strukturat ilegale serbe të kthyera në banda kriminale kanë sulmuar policinë e Kosovës, oficerët e KFOR-it dhe gazetarët. Këto akte të papranueshme dhune duhet të dënohen nga të gjithë. Ata që zbatojnë urdhrat e Vuçiqit për destabilizimin e veriut të Kosovës, duhet të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Osmani në Twitter./KultPlus.com

Dita Europiane e Parqeve, Rama ndan video nga Vjosa

Në ditën Europiane të Parqeve, kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetin e tij social një video me parqet natyrore në Shqipëri, mes tyre edhe Vjosën, i cili u shpall Park Kombëtar vetëm pak javë më parë. Rama shkruan se si asnjëherë më parë,  zonat e mbrojtura përbëjnë 21% të territorit shqiptar

“MIRËMËNGJESI dhe në Ditën Europiane të Parqeve me këtë buqetë të disa prej mrekullive të natyrës shqiptare, të ruajtura si zona të mbrojtura që si asnjëherë më parë sot përbëjnë 21% të territorit shqiptar, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Me vendim të Këshillit të Ministrave Vjosa u shpall Park Kombëtar, çka do të thotë se në nuk do të lejohet asnjë lloj ndërtimi që cenon lumin Vjosa. E gjithë sipërfaqja e lumit Vjosa, zona bregore, një pjesë e sipërfaqes tokësore, bashkë me tre degët e lumit Drino, Bënsh, Shushicës është shpallur Park Kombëtar, me një sipërfaqja totale 12 727 hektarë. Shpallja e lumit Vjosa si Park Kombëtar ndihmon ruajtjen e një prej lumenjve të fundit të egër të Europës. Ky status nuk do të mbrojë vetëm lumenjtë, por pritet të kthehet edhe në një burim të ardhurash për zonën.

Presidentja Osmani: “Defender Europe”, ushtrim historik për FSK-në, kontinenti është i sigurt nga sulmet e mundshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur në ceremoninë e fillimit të ushtrimit më të madh ushtarak ndërkombëtar në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe” në Prishtinë, duke iu thënë së pari ushtarëve të FSK-së “ju jeni gardianë të paqes”.

“Forca jonë nuk qëndron vetëm në fuqinë e armëve tona, por në lidhjet që krijojmë, në aleancat që ne i ndërtojmë dhe në vlerat e përbashkëta që çdo ditë po i kultivojmë. Së bashku ne jemi më të fortë kundrejt forcave që kërkojnë të na ndajnë”, tha Osmani.

Osmani tha se objektivi kryesor i ushtrimit “Defender Europe ’23” është “që ta shfaqë aftësinë ushtarake dhe luftarake të Shteteve të Bashkuara dhe forcave aleateve kundër agresorëve të mundshëm dhe për t’i siguruar aleatët dhe partnerët evropianë se kontinenti është i sigurt nga sulmet e mundshme”.

“Ky ushtrim është historik në shumë aspekte, veçanërisht për ushtrinë më të re në kontinentin evropian, për Forcën tonë të Sigurisë”, tha ajo./Rtv21/KultPlus.com

RAI3: Vjosa, lumi i egër i Evropës, e mbushur me vlera dhe potenciale

Nga malet e Pindit tek grykëderdhja e Adriatikut. Lumi i Vjosës me degët e tij përshkruan 400 kilometra nga Veriu i Greqisë. Nga Shqipëria, brigjet e Vjosës banohen nga 1 100 specie dhe kafshë barngrënëse. Një zonë e blertë me një peizazh panoramik, sipas një dokumentari në televizionin italian Rai3, i cili promovon vlerat turistike të lumit Vjosa.

”Lumi i Vjosës i u shpall një park kombëtar nga qeveria shqiptare, shembull i parë i një parku të egër në Evropë dhe së shpejti mund të shpallet biosfera e UNESCO-s.

Vendimi i qeverisë së Tiranës për ta shpallur ”Zonë të Mbrojtur” erdhi pas shumë vitesh betejash nga qytetarë dhe organizata të ndryshme ambientaliste kundër ndërtimit të hidrocentraleve dhe digave duke arritur edhe në thirrjen e aktorit të Hollivudit Leonardo DiCaprio”, thotë RAI3, i cili interviston edhe ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Lumi i Vjosës nuk është një lumë si gjithë të tjerët. Është një lumë i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën. Do të thosha më shumë. Është i vetmi lumë i egër i Evropës. Do të thosha që vendet e tjera të Europës me lumenjtë e tyre kanë bërë çfarë kanë dashur, i kanë zhvilluar, kanë ndërhyrë, ndërsa Shqipëria e vogël ka dhënë modelin që mund të mbrohet ky laborator natyral i biodiversitetit”, thotë Kumbaro.

”Vjosa quhet i egër pasi në të nuk ka diga, hidrocentrale, rrjedh i lirë në rrugëtimin e tij, duke favorizuar bujqësinë dhe nga pikëpamja e peshkimit ka disa lloje specie që rriten në këto ujëra. Në shkurtin e kaluar ky lumë u vizitua edhe nga drejtoresha e përgjithshme, Odri Azule  e shoqëruar nga ministrja Kumbaro. Në muajt e ardhshëm ky lumë mund të marrë çmimin prestigjioz të Biosferës të agjencisë së OKB-së”, vijon RAI3.

”Ideja është që të ndihmojë komunitetin vendas. Është diçka tjetër të ndryshosh natyrën. Është ndryshe ta quash një territor park kombëtar. Është diçka tjetër që t’u ofrosh  njerëzve që jetojnë këtu ide, mundësi, ndihma ekonomike etje. Ne nuk duam që njerëzit të braktisin ketë vende, sepse do të jenë vende të vdekura”, shton Kumbaro.

”Në brigjet që përshkruan Vjosa banojnë 100 000 banorë. Fermerët punojnë tokat, barinjtë kullosin bagëtitë si dhi e dhenë. Aleksi ka lindur dhe jeton në Përmet bën guida turistike. Ai e njeh Vjosën si xhepat e tij”, vijon RAI3.

”Një miku im italian duke parë këto bukuri thotë se ju keni një Ferrari, por nuk dini ta ngisni. Të ruash Vjosën do të thotë shumë për ekonominë tonë. Kush i ka braktisur këto vende e di që mund të kthehet të investojë në turizëm këtu”, thotë Aleksi.

”Ujëvara, natyrë, restorante me pamje nga lumi tërheqin vizitorët kuriozë për të zbuluar nga afër Shqipërinë e përtej detit. Një nga aktivitetet më të njohura është rafting. Në fshatin e vogël të Peshtanit takuam edhe Mirelën, e cila ofron një bujtinë për turistët. Në kopshtin e saj në qiell të hapur ndodhet një muze me reliket e Luftës së Dytë Botërore të cilat i gjeti në malet mbi fshat. Ajo gjithashtu ka luftuar për mbrojtjen e Vjosës”, vijon RAI3.

”Turismi po shtohet dhe do të jetë e ardhmja e kësaj zone. Jemi me fat që e kemi Vjosën. Natyra është treguar bujare me ne”, thotë Mirela./ atsh / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Deklarata për të Zhdukurit, moment lehtësimi për familjet e prekura

Presidentja Vjosa Osmani, është deklaruar pas miratimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur mes kryeministrin Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Kjo është deklarata e Osmanit:

“Fati i të zhdukurve me forcë ka qenë prej kohësh një plagë e thellë në shoqërinë tonë”.

“Familjet që vazhdojnë të kërkojnë vendndodhjen e të dashurve të tyre, të cilët u zhdukën me forcë nga regjimi i Millosheviqit dhe përmes një sistemi të krimeve të luftës dhe gjenocidit të sponsorizuar nga shteti, kanë mbi dy dekada që mbajnë këtë barrë të rëndë në zemrat dhe në emër të një vendi të tërë”.

“Atyre u është mohuar në mënyrë çnjerëzore drejtësia dhe paqja për një kohë të gjatë”.

“Shpresojmë që Deklarata e rënë dakord sot në Bruksel do të hapë rrugën për njohjen e këtyre krimeve dhe për drejtësinë. Por mbi të gjitha, një moment lehtësimi për familjet që kanë pësuar dhimbje dhe vuajtje të pashpjegueshme”.

“Kjo deklaratë do të kërkojë zbatim të menjëhershëm dhe për këtë, siç e dimë nga marrëveshjet e mëparshme, Serbia ka një histori të paimagjinueshme”. /Klankosova.tv/KultPlus.com

Euronews: Përjetoni parajsën në parkun kombëtar të Vjosës

Rafting në ujë të bardhë, ushqime të shijshme dhe banja termale ju presin në parkun më të ri kombëtar të Evropës Lindore, shkruan Franc Merkuri për Euronews.

Parku Kombëtar i Lumit Vjosa është një mrekulli.

Pas vitesh fushate nga marka e veshjeve ”Patagonia”, IUCN dhe askush tjetër përveç aktorit Leonardo Dicaprio, këtij pellgu prej 6 500 kilometrash katrorë degësh dhe rrugësh të egra ujore iu dha mbrojtja që meritonte duke e bërë atë parkun e parë lumor të egër në Evropë.

Mund të jetë parku i parë, por është lumi i fundit i egër i Evropës, shtëpia e 1 110 llojeve të kafshëve dhe bimëve, nga të cilat dy specie bimore dhe 13 kafshë janë në rrezik të zhdukjes globale. Prandaj, mbrojtja zyrtare është kaq e rëndësishme.

Vjosa fillon në Greqi si Aoos, përpara se të kalojë në Shqipëri, duke gjarpëruar nëpër malet e Ballkanit dhe në fund të arrijë në detin Adriatik.

Gjatë rrugës, ajo kalon nëpër fusha të blerta dhe përgjatë shpateve malore duke krijuar kanione mbresëlënëse, ishuj rërë dhe kthesa të mrekullueshme.

Bukuria dhe domethënia e lumit e kanë fituar emrin “Zemra Blu e Evropës”.

Ku është vendi më i mirë për të eksploruar parkun kombëtar të lumit Vjosa?

Ne kemi zgjedhur dy nga qytetet më piktoreske ku mund të përjetoni këtë lumë të fuqishëm – Përmetin, Tepelenën dhe Gjirokastrën. Nëse vini nga Tirana është rreth tri orë e gjysmë me makinë deri në këto qytete.

Duke qenë se Shqipëria është ende një destinacion nën radar, ju do të gjeni lehtësisht strehim në të gjitha vendet tona të rekomanduara.

Një bujtinë e drejtuar nga vendasit është mënyra më e mirë për të njohur shqiptarët dhe mënyrën e tyre të jetesës. Por, ka edhe hotele më të mëdha nëse doni një përvojë më të mirë.

Përmet – Shëtitje me kalë dhe ushqime vendase

Vjosa është një habitat natyror ku mund të ndjeni fuqinë e vërtetë të një lumi të egër. Rafting është mënyra më e mirë për t’u njohur nga afër me fuqinë e tij dhe Përmeti ka shumë kompani që do të organizojnë turne për ju.

Ka edhe operatorë turistikë që organizojnë udhëtime me kalë. Me ndihmën e një ”shoku” me katër këmbë, ju do të vizitoni pyjet dhe fshatrat lokale – këto janë vendi më i mirë për të shijuar ushqime vërtet tradicionale shqiptare.

Nëse po kërkoni një mënyrë më të ngadaltë për të kaluar nëpër Përmet, një shëtitje nëpër këtë qytet të luleve do të jetë perfekte. Vendasit pëlqejnë të thonë se “përveç detit, mund të gjesh gjithçka tjetër në këtë qytet”. Edhe këtu kuzhina shqiptare është e bollshme, e bërë me produkte organike të kultivuara nga fermerët vendas.

Ndërsa jeni në Përmet, mos humbisni urën e Ottoman Kadiut. Ujërat bruz të lumit Langaricë rrjedhin nën urë, duke krijuar një pamje mahnitëse. E ndërtuar në mesjetë, ajo është përdorur prej shekujsh për të kaluar lumin, që nga ditët kur Perandoria Osmane kontrollonte Shqipërinë.

Tepelenë – Banja termale dhe kala

Tepelena është e vendosur mes vargmaleve të thyer malore dhe ka pamje nga bashkimi i lumenjve Vjosë dhe Drinos. Ajo shtrihet rrëzë një kodre, duke krijuar një peizazh të mrekullueshëm rreth saj.

Tepelena u bë e famshme nga Ali Pashë Tepelena, i cili e filloi karrierën e tij si bandit duke grabitur karvanet tregtare, por përfundoi si një guvernator i pamëshirshëm për osmanët, duke sunduar mbi një sipërfaqe të madhe toke midis Tepelenës, Gjirokastrës dhe Janinës.

Kalaja e tij e dikurshme ia vlen të vizitohet për një pamje tjetër të Vjosës, ku bashkohet me lumin Drinos.

Nëse doni aventura, kanioni i Langaricës dhe shpellat përreth Petranikut janë ideale për zhytje dhe kanion.

Ose për diçka më të rehatshme, shfrytëzoni sa më shumë llixhat natyrore në këtë zonë.

Në kohën e komunizmit frekuentoheshin nga shqiptarët për të kuruar problemet e tyre të ndryshme shëndetësore. Ju mund të vizitoni rrënojat e një kampi të ndërtuar gjatë Perandorisë Osmane. Mund të shihni akomodimin ku qëndronin pacientët, dhomat për relaksim dhe madje edhe vaska të asaj kohe.

Edhe sot e kësaj dite, ujërat termale janë të njohur për fuqitë e tyre shëruese.

Ku është vendi më i mirë për të parë kafshët në parkun kombëtar të lumit Vjosa?

Ne do të rekomandonim Lagunën e Nartës në bregun perëndimor të Shqipërisë.

Është një nga lagunat më të mëdha dhe më të pasura ekologjikisht në vend. I caktuar si një Rezervat Natyror i Menaxhuar, ju jeni të garantuar të shihni peizazhe të paprekura këtu.

Kafshët e egra më të rëndësishme që banojnë në këtë lagunë përfshijnë flamingo, pelikani dalmat, çakalli i artë dhe delfini i zakonshëm me sqep të shkurtër./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani: Serbia brenda 24 orëve shkeli dy  herë marrëveshjen e Ohrit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se brenda 24 orëve Serbia ka bërë dy shkelje të Marrëveshjes Bruksel/Ohër, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në Twitter, Presidentja Osmani ka thënë se shkeljen e parë të marrëveshjes, Serbia e ka bërë duke ndërhyrë në zgjedhjet në Kosovë, ndërsa si shkelje të dytë e ka përmendur lobimin dhe votimin kundër aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

“Në më pak se 24 orë, Serbia ka bërë dy shkelje të Marrëveshjes Bruksel/Ohër: Ndërhyrja e jashtme në zgjedhjet në Kosovë (në ndesh me nenin 2), lobimi dhe votimi kundër aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës (në ndesh me nenin 4. Marrëveshje e re, por Serbi e njëjtë e vjetër”, ka shkruar Osmani në Twitter./KultPlus.com

Vendet që duhet të vizitoni në 2023 sipas New York Times, Shqipëria në ‘top’ listë

Londra, Japonia dhe Arizona dolën në krye të listës vjetore të “New York Times” të destinacioneve që duhen vizituar. Nëse kërkoni të rezervoni një udhëtim këtë vit, por nuk po vendosni se ku të shkoni, ekspertët në gazetës prestigjioze kanë publikuar listën e tyre vjetore të 52 vendeve që duhen vizituar në vitin 2023.

Për të përcaktuar vendet kryesore në botë, ata shtruan pyetjen shumë të rëndësishme se përse udhëtojmë. Këto destinacione në mbarë botën u zgjodhën sepse u ofrojnë udhëtarëve ushqim, kulturë, aventurë ose bukuri natyrore që është unike për atë vend dhe për të cilën ia vlen të udhëtosh.

Ajo që bijë në sy është se Shqipëria renditet e 8-ta në këtë listë, dhe vendi që “New York Times” sugjeron është lumi Vjosa. “Mbrojtja e Vjosës , një nga lumenjtë e fundit të Evropës, nuk ka qenë e lehtë”, shkruan “New York Times”. “Pas një dekade projektesh të propozuara që kërcënonin të ndryshonin rrjedhën e egër të tij dhe ekosistemet e panumërta, qeveria shqiptare mori një angazhim qershorin e kaluar për të krijuar Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa.

Realizimi i këtij zotimi, i planifikuar të bëhet realitet në vitin 2023, do të krijojë një model global ruajtjeje duke ruajtur shtrirjen e tij me kanione prej 120 milje të rrugës ujore nga 169 milje e cila shkon nga malet Pindus në Greqi deri në detin Adriatik si dhe duke përfshirë rreth 60 milje nga degët e lumit”, thuhej më tej. New York Times vlerëson gjithashtu mikpritjen e vendasve, duke thënë se ata mirëpresin aventurierët për kafe, raki dhe ushqime tradicionale.

Lista e plotë e vendeve për të udhëtuar në 2023 sipas “New York Times” në 2023.

1. London, UK

2. Morioka, Japan

3. Monument Valley Navajo Tribal Park, Arizona

4. Kilmartin Glen, Scotland

5. Auckland, New Zealand

6. Palm Springs, California

7. Kangaroo Island, Australia

8. Vjosa River, Albania

9. Accra, Ghana

10. Tromsø, Norway

11. Lençóis Maranhenses National Park, Brazil

12. Bhutan

13. Kerala, India

14. Greenville, South Carolina

15. Tucson, Arizona

16. Martinique

17. The Namib Desert, Southern Africa

18. The Alaska Railroad

19. Fukuoka, Japan

20. Flores, Indonesia

21. Guadalajara, Mexico

22. Tassili n’Ajjer, Algeria

23. Kakheti, Georgia

24. Nîmes, France

25. Ha Giang, Vietnam

26. Salalah, Oman

27. Cuba

28. Odense, Denmark

29. Uluru-Kata Tjuta National Park, Australia

30. Boquete, Panama

31. Tarragona, Spain

32. Charleston, South Carolina

33. Cayos Cochinos, Honduras

34. Burgundy Beer Trail, France

35. Istanbul, Turkey

36. Taipei, Taiwan

37. El Poblado, Medellín, Colombia

38. Lausanne, Switzerland

39. Methana, Greece

40. Louisville, Kentucky

41. Manaus, Brazil

42. Vilnius, Lithuania

43. Macon, Georgia

44. Madrid, Spain

45. Grand Junction, Colorado

46. La Guajira, Colombia

47. Bergamo and Brescia, Italy

48. American Prairie, Montana

49. Eastern Townships, Quebec

50. New Haven, Connecticut

51. The Black Hills, South Dakota

52. Sarajevo, Bosnia and Herzegovina./ KultPlus.com

Nga “Park natyror”, Vjosa së shpejti në mbrojtje si “Park Kombëtar”

Kryeministri Edi Rama publikoi mbrëmjen e sotme pamje mbresëlënëse të luginës së Vjosës në rubrikën “Beatiful Albania”.

“Vjosa, sot e mbrojtur si ‘Park Natyror’ së shpejti në mbrojtje si ‘Park Kombëtar’”, shkruan Kryeministri Rama në postimin e tij në rrjetet sociale.

Në 13 qershor u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe organizatës amerikane “Patagonia” për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar”.

Për shkak se lumi Vjosa dhe lugina e tij është një park shumë kompleks, është marrë një ekspertizë ndërkombëtare përveç asaj të brendshme, që të gjitha procedurat e shpalljes të Vjosës Park Kombëtar, të jenë me standardet më të larta ndërkombëtare./atsh / KultPlus.com

Di Caprio zë i fuqishëm në mbrojtjen e Lumit Vjosa, kërkon mbështetje përmes peticionit

Aktori me famë botërore, Leonardo Di Caprio, po vazhdon të jetë zëri i fuqishëm për mbrojtjen e lumit Vjosa, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social “Instagram”, ai ndau një video me ndjekësit e tij, më shumë se 50 milionë të tillë, ku edhe shkroi se aktivistët kanë punuar pothuajse për një dekadë që të mbrojnë këtë lum.

“Aktivistët me @blueheartrivers kanë punuar për të mbrojtur Vjosën për një dekadë dhe përpjekjet e tyre kanë fituar mbështetje globale. Nëse Vjosa do të bëhej park kombëtar, ajo do ta mbronte përgjithmonë nga kërkimet e naftës dhe digat aty pranë, ndër të tjera”.

Tutje ai shpjegoi se një Park Kombëtar i Vjosës do të tërhiqte rreth 1.5 milionë vizitorë çdo vit, do të gjeneronte rreth 20 milionë euro të ardhura çdo vit dhe do të krijonte shumë vende të reja punës.

Përmes një linku të vendosur aty, shihet edhe peticioni i krijuar për të mos lejuar kompanitë e naftës të bëjnë kërkime aty.

Ky peticion veçse ka marrë vëmendje të madhe, ku madje është nënshkruar nga më shumë se 32 mijë njerëz. /KultPlus.com

Fituesi i çmimit alternativ “Nobel”, letër Ramës: 30 projektet e HEC-eve rrezik për ekosistemin, Vjosa dhuratë për gjithë Evropën

Ekologjisti gjerman, Michael Succow, fitues i çmimit alternativ “Nobel”, në një letër të hapur kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama i bën thirrje për fillimin e projektit të Parkut të Kombëtar të Vjosës.

Në një letër drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe autoriteteve të BE-së, fituesi i çmimit të fondacionit “The Right Lievelihood”, i njohur ndryshe edhe si çmimi alternativ Nobel, bën thirrje për të nisur që tani me planifikimin e Parkut Kombëtar të Vjosës.

Model për BE-në
“Vjosa në Shqipëri është një nga lumenjtë e fundit të virgjër të Evropës me një nga ekosistemet më të spikatura të kontinentit. Në dritën e përkeqësimit të jashtëzakonshëm të habitateve natyrore dhe biodiversitetit në Evropë dhe në notë, Vjosa është një dhuratë e madhe jo vetëm për banorët e Shqipërisë, por për të gjithë evropianët dhe më gjerë”, shkruan ekologjisti 79-vjeçar ndër të tjera në letrën e tij.

Profesor Succow, i cili në këtë letër mbështetet edhe nga të tjerë fitues të çmimit alternativ Nobel, i bëjnë thirrje Shqipërisë që të fillojë sa më shpejt me planifikimin e Parkut Kombëtar te Vjosës përgjatë gjithë lumit në Shqipëri duke përfshirë edhe degët e tij. Sipas Succow rreth 30 projektet e HEC-eve të reja përgjatë lumit përbëjnë rrezik për ekosistemin.
Në letrën e tij drejtuar edhe BE-së, Succow u bën thirrje edhe Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të mbështesin me fonde dhe me ekspertizë Shqipërinë në qëllimin e saj për të krijuar Parkun e Parë Kombëtar të një lumi të virgjër në Evropë. “Kjo do të ishte një arritje gjigante për natyrën e Evropës dhe dhe mund të shërbente si model për BE-në” shkruan ndër të tjera Succow.

36 organizata mbështesin nismën
Rreth 36 organizata mjedisore i janë drejtuar për këtë çështje që nga shkurti e deri tani qeverisë së Shqipërisë, ndër ta edhe aktori i Hollivudit, Leonardo di Caprio, në një mesazh në Twitter. Më 10 shkurt, rreth 20 organizata mjedisore nga Shqipëria dhe Evropa i kishin dorëzuar ministrit të Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, një plan për krijimin e Parkut Kombëtar në rrjedhën e lumit Vjosë.

Qeveria e Shqipërisë më herët kishte paralajmëruar se do ta kthente luginën e Vjosës në një plan kombëtar, por sipas shoqatës për mbrojtjen e mjedisit, EcoAlbania, projekti i qeverisë shqiptare i ka përjashtuar nga mbrojtja zonat përreth hidrocentraleve të planifikuara.
Veç hidrocentraleve, ekspertët e shohin të rrezikuar ekosistemin e Vjosës, me ngritjen e aeroportit të Vlorës, tenderi i të cilit i është dhënë ndërkohë kompanisë zvicerano-shqiptare Mabetex, të ish-ministrit të jashtëm të Kosovës Behgjet Bacolli, dhe kompanisë turke ADA, e cila aktualisht po ndërton edhe spitalin e Fierit.

Sipas Ecoalbania, përgjatë Vjosës jetojnë aktualisht 1.175 specie kafshësh dhe bimësh, duke përfshirë 119 specie të mbrojtura sipas ligjit shqiptar dhe 39 specie që janë të listuara në Listën e Kuqe Ndërkombëtare të Specieve të Kërcënuara të shoqatës ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës IUCN. Ekspertët mendojnë se numri i specieve të rralla është shumë më i lartë, pasi shumë zona të Vjosës dhe degëve të saj janë ende të paeksploruara./DW/ KultPlus.com