Kumbaro: Projektet për zonat e mbrojtura dhe biodiversitetin nga Ulëza në Korçë dhe Vjosë

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro foli sot në Kuvend në interpelancën e kërkuar nga opozita edhe për projektet për ruajtjen dhe promovimin e zonave të mbrojtura dhe biodiversitetit për vitin 2025.

Në fjalën e saj, Kumbaro tha se “investimet në zonat e mbrojtura do të vazhdojnë të jenë në fokus edhe në vitin 2025, ku vetëm falë buxhetit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, do të kryejmë Investimin infrastrukturor për EKO-Park-Ulzën, duke nxjerrë në dritë një tjetër perlë të natyrës dhe të zonave të mbrojtura të Shqipërisë në veri. Por duke shfrytëzuar edhe gjithë pjesën historike duke e kryer edhe muzealizimin e hidrocentralit të Ulëzës për të gjithë kureshtarët”.

“Ky është vizioni që i shndërron këto zona të vizitueshme, të pëlqyeshme dhe i nxjerr nga errësira. Fillon po brenda vitit 2025 ndërtimi i një Qendre Multifunksionale dhe edukimi natyror së bashku me muzeun edukativ të natyrës në Korçë, sikurse dhe një tjetër të tillë në Drilon, që ju nxis ta vizitoni se Parku Natyror i Drilon-Tushemishtit ka dalë në dritë. Unë e di që shkoni, po këtë keni ju, bukuritë që ne ndërtojmë i shijoni e i gëzoni, por kur vini këtu mbani ‘koburen e sharjeve në brez’ njësoj siç bëtë me Parkun e Liqenit”, tha Kumbaro.

Por, vijoi ajo, gjithashtu do të ecim përpara me ndërtimin e Qendrës Multifuksionale në Vjosë, projekt që erdhi pas një konkursi ndërkombëtar dhe i projektuar me një stacion kryesor në Tepelenë dhe dy stacione plotësuese në Përmet dhe në Vlorë, ku pikërisht për shkak të gjatësisë dhe sipërfaqes mbi 12 mijë hektarë të Parkut Kombëtar, synojmë të krijojmë një tjetër atraksion ekoturistik duke promovuar vlerat e biodiversitetit të lumit të fundit të egër në Europë, i cili gjatë dy viteve të fundit është kthyer në pasaportë të promovimit ndërkombëtar për vendin.

“Dhe jo më larg se një javë më parë, Këshilli i Ministrave mori vendimin për të krijuar Zyrën e Administrimit të Parkut Kombëtar të Lumit të Vjosës, duke qenë se është një park që kalon në katër qarqe të ndryshme, nuk mund ta linim pa një mirëadministrim të dedikuar”, u shpreh Kumbaro.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit foli edhe për vizionin e turizmit të qëndrueshëm ku zonat e mbrojtura janë vizituar nga 5,3 milionë vizitorë gjatë periudhës janar-nëntor 2024, rreth 1 milionë më shumë se një vit më parë.

“5,3 milionë vizitorë kishim në parqet tona kombëtare dhe natyrore gjatë periudhës janar – nëntor 2024, ose 1 milionë më shumë se i gjithë viti i kaluar. Dhe nuk është çështja vetëm tek shifrat, por tek ekonomia që zhvillohet për banorët e këtyre zonave, që nuk po ndërtojnë hidrocentrale, – madje krejt e kundërta, ne po anulojmë edhe ato kontratat hec-esh që nënshkruat ju – por bujtina, agroturizme, restorante të vogla që më pas zënë faqet e para të mediave, të cilat i bëjnë jehonë mikpritjes shqiptare dhe buzëqeshjes së ëmbël të amvisave tona”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “synimi ynë është turizmi i qëndrueshëm, turizmi elitar, që mbron mjedisin, kujdeset për natyrën dhe i lë brezave një Shqipëri të begatë, krejt e kundërta e batërdisë që ju propozoni dhe që fatkeqësisht e keni provuar që e arrini rregullisht. Zonat e mbrojtura mbartin brenda tyre histori njerëzore dhe trashegimi natyrore, ky është fakt, është pasuri, dhe ne duhet ta mbrojmë jo duke dëbuar njerëzit nga fshatrat e duke i shtyrë të gjithë drejt Tiranës, qytetit apo punësimit të huaj. Por duke i orientuar drejt turizmit dhe agroturizmit, drejt vizionit të Shqipërisë 2030. Për këtë jemi votuar, e për këtë do të votohemi sërish edhe në 11 maj, e mbi të gjitha pikërisht në ato zona që po begatohen nga shpirti njerëzor, përkundër shkretëtirës që ju propozoni”./atsh/KultPlus.com

Kumbaro: Turistët edhe gjatë mbrëmjeve vijojnë aktivitetet në Vjosë

Turistët nuk hezitojnë të vijojnë me aktivitetet e shumëllojshme edhe përgjatë mbrëmjeve në lumin Vjosa.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot foto nga turistët, të cilët vijojnë aktivitetet e tyre sportive edhe gjatë mbrëmjes.

“Vjosa është po aq magjike  dhe sfiduese edhe përgjatë mbrëmjeve ku turistët nuk hezitojnë të vijojnë me aktivitetet e shumëllojshme”, shprehet Kumbaro.

Në rrugën e saj mbi 270 km, Vjosa karakterizohet nga kanione të bukur, rrjedha të rrëmbyeshme, ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme.

Çfarë e bën këtë lumë vërtetë të veçantë ndërkombëtarisht është fakti, se pothuajse të gjitha degët e tij rrjedhin të pandërprera dhe të paprekura, duke krijuar një rrjet lumor të gjallë si diçka që nuk haset më aktualisht në Evropë.

Në 13 mars 2023 lumi i Vjosës, i fundit i egër në Evropë, u shpall nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “Park Natyror”.