Pas fitores së Akil Gjakovës i cili tashmë është kampioni i ri i Evropës në Xhudo, duke siguruar medaljen e artë në Lisbonë, ka reaguar presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.
Osmani ka shkruar se Akili dhe të tjerët gjithmonë i dëshmojnë botës se kur ka vullnet, angazhim, përkushtim e talent, nuk ka barriera e as pengesa që nuk tejkalohen.
Tutje ajo ka falenderuar xhudistë për ngritjen e Kosovës drejt majave të Olimpit xhudist.
“Xhudistëve tanë, familjeve që i përkrahën, e trajnerëve që i kalitën ata deri në perfeksionizëm- ju lumtë e bravo që po e ngrisni Republikën tonë drejt majave të Olimpit xhudist”, ka shkruar ndër të tjera Vjosa Osmani.
Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:
I artë dhe Akili jonë!
Kjo është padyshim një nga fundjavët më shpresëdhënëse që prej shumë kohësh në sport.
E gjithë kjo falë xhudistëve tanë dhe triumfit të tyre të pashoq në Kampionatin Evropian.
Sot, Akil Gjakova e përfundoi si kampion i Evropës këtë garë.
Ju po ia dëshmoni gjithë botës se kur ka vullnet, angazhim, përkushtim e talent, nuk ka barriera e as pengesa që nuk tejkalohen, sepse e mira gjithmonë triumfon dhe puna gjithmonë shpërblehet.
Xhudistëve tanë, familjeve që i përkrahën, e trajnerëve që i kalitën ata deri në perfeksionizëm- ju lumtë e bravo që po e ngrisni Republikën tonë drejt majave të Olimpit xhudist./ KultPlus.com