Kur magjia ndodh virtualisht: Premiera e filmit të Zâ Fest IV vjen këtë të diel online

Në një kohë kur më shumë se kurrë, duhet të kufizojmë lëvizjet e të ruajmë distancat, gjuha universale e artit është ajo që na bashkon e mbush hapësirat bosh të krijuara nga kjo gjendje. Pandemia ishte një nga pengesat më të mëdha, me të cilën u përballëm, por pikërisht në një vit si ky, atëherë ku njerëzit kanë më shumë nevojë për shpresë, emocione dhe art, Zâ Fest nuk mund të mungonte, përcjellë KultPlus.

Edicioni i katërt i festivalit do të transmetohet online dhe magjia e tre ditëve me muzikë, poezi dhe aktivitete, do t’i përcillet publikut të Zâ Fest, përmes një filmi, premiera e të cilit është më datë 27 shtator, ora 18:00 në YouTube e faqen e Facebook-ut të Zâ Fest, mbështetësit kryesor Delegacioni e Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Iceberg Communication.

Ishte besimi i mbështetësve besnikë dhe bashkëpunëtorëve, që ndajnë  largpamësinë e të gjitha përfitimeve që buron nga ky aktivitet, ato që i dhanë shpresë drejtorit artistik Vlashent Sata të besonte se edicioni i katërt i Zâ Fest nuk duhet të mungonte. Ndonëse interesi ishte shumë i lartë dhe gjithëkush priste të përjetonte magjinë e Thethit, duke respektuar rregullin që ndalon grumbullimet, festivali u organizua në datat 14, 15 dhe 16 gusht në mungesë të publikut të gjerë.

https://www.instagram.com/p/CFSV8yrnom8/?utm_source=ig_web_copy_link&fbclid=IwAR1eMFMOHGoQAtUTvWqR8VvCtIgshvrX5lwOFs_W4MkL8rnAsi-lcXz7v2A

Shkodra ka qenë gjithnjë shtëpia e Zâ Fest, por këtë vit, për të parën herë, skena e festivalit u ngrit dhe në Kalanë e Rozafës, një monument mijëvjeçar edhe një trashëgimi e vendit tonë. Mes atyre mureve që mbartin histori të jashtëzakonshme, magjikja mori formë e vendi u elektrizua nga performanca e artistit Vlashent Sata. Për herë të parë në atë skenë u ngjitën gjithashtu Shkodra Elektronike dhe Sytë, dy grupe të reja, muzika e të cilëve karakterizohen nga stili dhe rryma e veçantë.

Zâ Fest ka si qëllim jo vetëm rizgjimin e vlerave shqiptare, kultivimin e artit, zhvillimin e ekonomisë lokale e më gjerë, por edhe përcjelljen e mesazheve të forta. Në vendet më të bukura të Thethit ishte artistja Ilire Vinca, me një karrierë prej më shumë se 3 dekada në fushën e pedagogjisë, kinematografisë dhe në skenën e teatrit, e cila performoi poezi dhe përçoi mesazhe për të drejtat e grave e jo vetëm. Ilir Kaso, pedagog në Akademinë e Arteve, mik i Zâ Fest, ishte gjithashtu një ndër të ftuarit, i cili përmes performancës së tij me gurë të mbledhur anembanë Shqipërisë, përcolli mesazhe për ruajtjen e natyrës dhe ndërgjegjësimin ndaj saj.

https://www.instagram.com/p/CFWyvhHgRj4/?fbclid=IwAR2lkwAjHTbHj_4dBrbqy3lVR0MO0Qqc_7EVV_vkW1OMjb5wMNoSGTsZtBo

Si çdo vit, nuk munguan aktivitetet, takimet dhe “Një kafe në Muzeun Etnografik të Dukagjinit” organizuar nga Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit në bashkëpunim me Zâ Fest, pati si qëllim diskutimin dhe shtrimin e mundësive që ky muze të shndërrohet në një vatër komunitare edhe në një portë hyrëse, ku takohet vizitori me traditën e krahinës së Dukagjinit.

Në gusht të 2017-s, kohë kur artisti Vlashent Sata organizoi edicionin e parë të Zâ Fest, qëllimi i tij ishte që festivali të ishte i përvitshëm, e pas edicionit të katërt, me bindje themi se ky festival është një nga ngjarjet më të rëndësishme mbi kulturën, trashëgiminë dhe natyrën e vendit tonë

Zâ Fest  do të shfaqet online në kanalin zyrtare të artistit Vlashent Sata në YouTube: https://www.youtube.com/channel/UC4fcgKUjjSdSOd9U9bwz-xw?view_as=subscriber&fbclid=IwAR1KXmsMkA8xZmKLFdddhachrCnxKrEQ3FrrdC3jp48tT1nQvCSJCoeMdfA / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/CFcYnEDHiCI/?utm_source=ig_web_copy_link&fbclid=IwAR3S78VWwleBx-lCNSMZFNC52hYOABm8gWPrfFWgwcFzFV4DDp3puDL9dRY
https://www.instagram.com/p/CFhqFW6g_4B/?utm_source=ig_web_copy_link&fbclid=IwAR1hC1LkZICe5uXuHxeV4XQRBbJgEDqtBftqaXVkzP6QFPWPR38Jxrjlm60