Hajde andёrr e djelltё prekmё pak shpirtin e harlisur Qё rrugёs m’i humbi kuptimi Nga njё ditё qё natё ish Kur dhash pёr t’marrё dashni E mora helm lumё
Ish djell mehlem pёr shpirt t’paprekun U ba djell pёrvёlues pёr t’ran’t e t’vran’t Bash si puna jeme Fort padjallёzisht nana mё tha tё hecja Botave maskuline gladiatorёsh
E tash vargani i ndodhisё seme
Mёngjes i djelltё, n’10.00 pa njё ҫerek
Nё dritёdepёrtuesin e dhomёs Ku hyjnё tё djelltat rreze Tё ambla si tamlёoriz ende i paftofun Tё verdhёta si i hojtё mjalti Zgjon nё elektrizim flokun tem Bashkё me shpirtin tem tё teptisur flakё prej vajznie
U hodha nga shtrati qё ranova deri para pak ҫastesh Kreha gёrshetat qё deri nё atё moment Njihnin veҫ hutira lumturish Vesha fustanin fshataresk Me korseten ngushtё-kёputё belin tem t’paprekun Lyva buzёt me tё trёndafiltёn si tё shpirtit tem.
Mora ҫantёn qё thurr ma kish gjyshja me arna kohёsh Me tё dal jashtё Gur e dru gjeth e lule Lakmi ma kishin
Ma andej… Pёrtej botёs sё Lizёs sё ҫudirave Pёrtej hekurudhёs nё rrugёn “Sante de Amor” Kёmba shkeli tjetёr trak… (krrakk)
Epilog Kisha marrё nё thu nё njё botё gladiatorёsh Tё veshur armaturё M’i kishin mavijosur buzёt Fustanin pluhur korb Ma kishin vrarё veҫ shpirtin Pamjen ma kishin tjetёrsuar E ardhmja ma kish pas dhanё lamtumirёn Sa isha ende pa vetёdije Bile pa ndjerё
Nandor, fundvjeshtё Gjendja sot Shkoj-vi nё punё Pa ndjenjё Pa djell Pa dritare Ka faj veҫ nana dhe djelli A m’vjen vera kah dera ma…/ KultPlus.com
Meloditë e një kitare përherë dinë të vijnë si vargje të shtruara nëpër faqet e një libri. Të marrin me vete, si një valle e ashpër dhe e lehtë, duke krijuar një ndjenjë që hidhet drejtë zjarrit si një kërcitje e gishtave. Çdo akord ka një histori të vetën që nisë nga një pasion, një rrahje zemre apo thjesht nga një dhimbje. Tingujt kanë folenë e tyre dhe aty nuk mund të futesh dot po nuk pate ndonjë guxim të mprehtë për t’i shkuar pas. Nëpërmjet notave të ndryshme muzikore, gjithsecili ndjen një dridhje rrotulluese të pulsit që natyrshëm rrjedh në vena sikurse lumenjtë në shtratin e tyre. E ngrohtë, e pamëshirshme, e lirë, e veçantë dhe e rrallë është muzika që krijon kitaristi Agron Peni, i cili së fundi ka publikuar albumin më të ri “Amantia”, nëpërmjet së cilit zgjon të gjitha emocionet e lartpërmendura, shkruan KultPlus.
Emërtimi “Amantia” rrjedh nga qyteti antik ilir në Epirin e Veriut apo Ilirinë e Jugut. Sot ky vend identifikohet me fshatin Ploç, në qarkun e Vlorës në Shqipëri dhe është i njohur për pozitën, rezistencën dhe kulturën që ka. Por, emri gjithashtu vjen si frymëzim nga krijimi i instrumentalit me po të njëjtin emër që ai e pati realizuar në vitin 2020. Ky është albumi i katërt personal mirëpo vjen pak më ndryshe nga të tjerët. Krijimtaria dhe kreativiteti në muzikë, sipas Penit, është dhunti, e frymëzimi duket se i është gjendur kudo nga bota. Pra, secili krijim i tij e ka kohën e posaçme për të dalë në pah.
Dallimi i këtij albumi nga tre të tjerët qëndron tek stili i krijimtarisë dhe aranzhimi. Dy albumet e mëhershme “Solo” me krijime origjinale dhe “Home” me përpunime të këngëve shqipe, janë albume që vijnë vetëm me solo kitarë, pra nuk ka asnjë tjetër instrument përcjellës, ndërkaq tek “Mirage” veprat janë origjinale por ka edhe përcjellje nga disa instrumentistë të tjerë. Por, tek “Amantia”, aranzhimet janë të mbushura me kitarë, me harqe, perkusione e të tjera. Përpos kësaj, tendenca këtu ka qenë që meloditë të jenë shumë më depërtuese tek publiku i gjerë, pa e ngarkuar shumë nga ana teknike (virtuoze).
Fatlind Ferati (basist) është instrumentisti me të cilin kitaristi Peni bashkëpunon vazhdimisht dhe ka shumë koncerte bashkë me të. Meriton Ferizi në fagot konsiderohet të jetë një instrumentist deficit, Gent Hoxha në fyell, konsiderohet shumë i rrallë dhe Kaltrina Berisha në violonçel e cila dallohet si shumë muzikale dhe bashkëpunuese. Këta janë artistët me të cilët ka bashkëpunuar Peni për këtë album.
Albumi më i ri ka gjithsej tetë krijime origjinale që vijnë të kompozuara nga kitaristi Agron Peni. Të titulluara si: “Many questions”, “Longing”, “Downpour”, “Passion”, “Into the fog”, “Path of nostalgjia”, “Elegia” dhe “Amantia”, veprat vijnë në një frymë më eksperimentale se zakonisht. Ky album ka pasur fillin qysh tri vite më herët dhe brenda kësaj periudhe, kanë qenë të panumërta netët që kitaristi Peni dhe producenti Shpejtim Gashi, i kanë përjetuar.
“Fillimi ka qenë pak eksperimental rreth idesë në orkestrim. Perkusionet i kam luajtur unë tek ky album edhe ishte pikëpyetje se si kanë me tingëllu, mandej kur hyjnë disa kitare në orkestrim plus violonçela dhe instrumente të tjera, shumë lehtë mundet me u ngarku dhe me pasë konflikt tek instrumentet mes vete. Përshtatja e orarit për instrumentistët pjesëmarrës, disponimi si dhe miksimi i instrumenteve të tyre e shumë faktorë të tjerë dinë me qenë elemente sfiduese sepse marrin shumë kohë dhe energji por dëshira ime, e Shpejtimit dhe e të gjithë instrumentistëve për me sjellë diçka të bukur ishte më e madhe sesa krejt të tjerat. Titujt e veprave janë në gjuhën angleze për shkak se edhe ky është album ndërkombëtar dhe nga përvojat e kaluara e kam kuptuar që titujt kanë shumë rëndësi nëse janë vetëm shqip apo në gjuhën angleze apo ndërkombëtare. Si gjithmonë, titujve iu kushtoj rëndësi të veçantë që të jenë poetik dhe përmes tyre të merr kuptimin krijimi”, thotë Peni për KultPlus.
Sikurse edhe në albumet e tij të mëhershme, edhe tek “Amantia” shkrihen rryma të ndryshme muzikore, duke dominuar gjithmonë flamenkoja. Nuancat etnike të pasura këtë herë vijnë me melodi melankolike që plotësohen nga një aranzhim i butë dhe modern duke e bërë lehtësisht të pranueshëm dhe të pëlqyer nga dëgjuesi. Në anën tjetër, albumi vjen me mjeshtëri i incizuar nga Shpejtim Gashi. Pas disa incizimeve të mëparshme të tij, kitaristi Peni e ka parë seriozitetin, përkushtimin dhe punën e tij, andaj dhe ka vendosur që ta realizojë një album të tillë dhe e vetmja mundësi ka qenë bashkëpunimi me Gashin.
Punën me Gashin, kitaristi Peni e vlerëson si diçka të bukur, marr parasysh faktin që derën tek producenti e ka pasur të hapur pas asnjë lloj interesi material, vazhdimisht duke i dëgjuar kërkesat e tij dhe duke e përkrahur shumë në këtë lloj muzike, në një kohë jo aq të lehtë.
Albumi është publikuar nga kompania spanjolle “Publimaster” në të gjitha adresat (dyqanet) online dhe ky fakt për kitaristin Peni është tejet i rëndësishëm.
“Është një kompani shumë serioze që ka kriter në përzgjedhjen e artistëve bashkëpunues. Përmes tyre muzika ime që 10 vite depërton jashtë shtetit, ruhet e drejta e autorit atje dhe ka mundësi të shumta për koncerte dhe përfitimi material përmes tyre është shumë më i lehtë”, tregon ai.
Në videon e publikuar në kanalin e tij në YouTube të këngës “Elegia” na shfaqet Peni duke sjellë tinguj të magjishëm me kitarën e tij, të kombinuara me pamjet mbresëlënëse të Kosovës. Bjeshkë e male shfaqen në video për të na bindur se e bukura është arti dhe e tillë është vet natyra. Gishtat i “kërcejnë” në kitarë, janë të pamëshirshëm, të lirë e të pushtuar nga lutja e flamenkos. Telat nxjerrin britmën e tyre dhe fluturojnë të kompozuara si melodi që digjen shkëlqyeshëm.
Të gjitha këngët e tjera në album, po ashtu janë të shoqëruara me video dhe kitaristi Peni për këtë pjesë ka thënë se këtë gjë e ka bërë për shkak se bukuritë natyrore të vendit tonë duhet të prezantohen sa më shumë dhe kjo për të është një akt patriotizmi.
“Bukuritë natyrore të vendit tonë sa ma shumë duhet të ruhen dhe të prezantohen. Me e prezentu bukurinë, muzikën dhe kulturën e vendit tënd është një formë e mirë e patriotizmit. Kjo më së miri mund të bëhet përmes videove të bashkuara me muzikë instrumentale e që në këtë rast unë e kisha këtë mundësi. Në këtë rast, jam shumë falënderues ndaj Elbasan Kryeziut i cili më ka përkrahë në realizimin e shtatë videove dhe Blerdi Malushit në realizimin e instrumentalit Amantia.”
Teksa arrijmë tek fundi i kësaj interviste për KultPlus, kitaristi Peni na thotë se ka marr komente nga më të bukurat e që kanë qenë shumë motivuese. Ai beson se publiku që dëgjon muzikë instrumentale nuk është i madh në numër, por shija e tyre është shumë e rafinuar.
“Nuk është e lehtë me e impresionu një publik të tillë. Ata që e kanë pasë mundësinë deri tash me e dëgju të gjithë albumin edhe pse është shumë herët, duket që janë impresionu, të paktën kështu shprehen dhe unë shpresoj që ashtu është. Gjithmonë mendoj që diçka që rrjedh natyrshëm dhe paraqitet si e tillë, është shumë më e afërt tek ta dhe është shumë origjinale, e njerëzit gjithmonë e duan origjinalitetin e një artisti. Nëse ky origjinalitet është i mbështjellë me profesionalizëm atëherë edhe arrin deri te impresionizmi”, përfundon Peni.
Më poshtë KultPlus ua sjell videon e këngës “Elegia” të albumit më të ri “Amantia”, të cilën e keni rastin ta shijoni e ta përjetoni./ KultPlus.com
(Nënës sime Belkis dhe të gjitha nënave që pushojnë në varrezat “Kopshti i kujtimeve” në Bogota të Kolumbisë).
Kur s’isha, ti ishe. Kur Linda, ti më buzëqeshe. Kur u rrita, ti më udhëhoqe. Kur gabova, ti më qortove Pse ti më deshe.
Dashurinë për gjithësinë Ti ma mësove. Bukurinë e ndjenjave Ti m`këshillove Me Universin n`harmoni t`jetoj, ti m`urdhërove Dritën e vërtetë ti ma tregove Pse Ti më deshe.
Ti, nënë, vëlla, motër, shoqe. Ti, n`lundrimet e vështira t`kësaj bote, Ti, eksperiencën e flokëve t`bardhë ma dorëzove Ti, n`heshtje për gjithmonë u largove. Pse ti më deshe.
N`gjirin e Universit Ti u ktheve Por prej meje Ti kurrë s`u ndave: Në yjet e qiellit xixëllojnë sytë e Tu, Kudo n`ajër marr frymë shpirtin Tënd, Sa shumë unë t`paskam dashur!
104 vjet më parë, më 2 gusht të vitit 1920, pas dy muajsh të nxehtë, qeveria shqiptare dhe pala italiane do të binin dakord në një traktat të fshehtë i cili do të dilte në formë të pjesshme në shtyp, nëpërmjet shoqërisë italiane “Stefani” të lajmeve.
Kjo marrëveshje kishte negociator kontin Manzoni nga pala italiane dhe Sulejman Delvinën për palën shqiptare.
Pala italiane pranoi që Shqipëria të qëndrojë nën hapësirat territoriale të vendosura nga traktati i Londrës. Pala italiane pranoi të tërhiqet nga malet e Shqipërisë dhe të dislokojë gradualisht trupat e saj të cilat gjendeshin kryesisht në bregdet për një kthim në Itali, me një njollë turpi humbjeje nga forcat territoriale civile shqiptare.
Italianët do të zotëronin nga kjo marrëveshje vetëm ishullin e Sazanit, të cilin do ta mbanin për të siguruar kalimin e qetë të anijeve në zonën e Otrantos.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, sjell edhe një material ilustrues të situatës së asaj kohe në kanalin e Otrantos, e veçanërisht në ujërat përreth ishullit të Sazanit. / KultPlus.com
Fundjavën e fundit të Marsit më 1964, pasi përgatiti vet dhe spageti për darkën e tij modeste , në shtëpinë ku banonte me Hëna Këlcyrën në Vjenë, Eqrem Bej Vlora nuk kishte më fuqi të vazhdonte punën të shkruante librin e tij mbi historinë e Shqipërisë. Ndjehej keq dhe duhet të shkonte në spital.
Hëna, e cila kujdesej për të, prej një viti në Vjenë, ku ai u zhvendos për të shkruar librin e tij mbi Historinë e Shqipërisë, lajmëroi urgjencën e spitalit. Ishte fundjavë e Marsit 1964, dhe spitali nuk kishte personelin e plot. Mjeku roje konstatoi hemorragji celebrale, dhe I duhej ta fuste direkt e në sallë të operacionit.
Ai e pyeti Hënën nëse mund të bënte një rol si plotësuese në ekipin e operacionit pasi kishte mungesa. Ndërkohë pacienti Eqrem Bej Vlora komunikonte vet me mjekun në gjermanisht dhe I shpjegonte se çfarë mund të kishte pësuar.
Ndërsa mjeku po përgatiste narkozën, e pyeti Hëna Këlcyrën:
-Në çfarë gjuhe flet me ju zotëria? -Në shqip, I tha Hëna. -A e flet dhe këtë gjuhën si gjermanishten? -Domosdo që e flet, I tha Hëna. -Si ka mundësi një njeri në pikën e fundit të jetës të jetë kaq skurpuloz dhe të na përgjigjet të dyve në gjuhën e vet, me kaq mjeshtëri tha mjeku. Çfarë pune ka bërë ky zotëri? -Atë nuk ja shpjegoja dot me dy fjalë, tha Hëna. Por ja shpjegova për orët në vazhdim derisa xhaxha Eqremi doli nga operacioni por nuk ja doli të mbijetojë.
Ishte një humbje e rënd, mbi të gjitha për kulturën shqiptare pasi ai la në mes një nga librat më të mirë të historisë së Shqipërisë, pro mjerisht e çoi atë deri në mes të viteve 20, ndërsa I kishte përfunduar skedat për gjithë historinë deri në vitin 1944.
Kush ishte Eqrem Bej Vlora?
Rastësia, ka bërë qe ai ta ketë ditëlindjen më 27 Nëntor të vitit 1886, një ditë para datës 28 Nentor, të cilën Familja Vlora do ta kthente në datë të lindjes së shtetit shqiptar.
Ai është djali i Syrja Bej Vlorës kandidatit për themelues të shtetit shqiptar dhe Mihria Toptanit, nga familja e njohur e Tiranës.
Pas shkollimit privat në Vlorë me një mësues zviceran, Eqrem Bej Vlora vazhdoi gjimnazin e famshëm privat të Vjenes, “Theresianische Akademie” dhe më pas thelloi studimet për orientalistikë në po këtë shkollë.
Pas vitit 1907, kur mbaroi “Theresianumin” ai u emërua nëpunës në Stamboll si sekretar ligjor në Ministrinë e punëve të jashtme dhe u angazhua në disa misione ndërkombëtare .
AI I kaloi gradat e nëpunësit civil në vitin 1909 dhe më 1911 duke marrë gradën e Sekretarit të Parë. Ndërsa ishte me leje në Shqipëri, dhe nisi Lufta Ballkanike, në Gushtë 1912, ai u emërua me dekret të Komandës së Përgjithshme osmane si komandant I vullnetarëve të Labërisë në frontin e Labërise kundër Greqisë me qendër në Kuç.
Kjo është dhe një periudhë nga më mbresëlënëset në formimin e tij si shtetar pasi I duhej të ishte një zyrtar Osman që mbronte kufijtë e perandorisë osmane dhe shtetit të ri shqiptar, në të njëjtën kohë.
Kur u zgjodh si delegate I Vlorës në mbledhjen Kushtetuese të shpalljes së pavarësisë, dhe u thirr nga Ismail Beu të vinte në Vlorë, ai hezitoi duke I thënë se kishte ende detyrë të ruante kufirin jugor të Shqipërisë nga rreziku grek në bazë të mandatit që kishte nga Komanda e Përgjithshme.
Zgjedhja si përfaqësues I Vlorës në Kuvendin e Pavarësisë ishte kërkuar më parë nga një përfaqësi e popullit të Vlorës. Përmes një telegrami dërguar nga Vlora në Kuç ku mendohej se Eqrem Bej Vlora kishte shtabin e tij të luftës. Qemal Risilia njoftonte Eqerem Bej Vlorën se ishte zgjedhur si përfaqësues ii popullit të Vlorës në këtë Kuvend.
Faksimile e telegramit që Qemal Risilia i dërgonte Eqrem bej Vlores ne Kuç, ku e njoftonte se ishte zgjedhur përfaqësues i popullit të Vlorës ne Kuvendin e Pavarësisë
Eqrem Bej Vlora u zgjodh si senator në Kuvendin e Përgjithshëm edhe pse ai nuk mori pjesë në mbledhjen e shpalljes së pavarësisë.
Shumë vet e shikonin refuzimin për të marr pjesë në mbledhje si një hatërmbetje që pavarësinë po shpallte Ismail Bej Vlora dhe jo Syrja Bej Vlora, babai i tij. Por nuk ishte aq e vërtet.
Krisja brenda familjes Vlora për rivalitetin e Themeluesit të shtetit shqiptar kishte bërë të vetën, por Eqrem Bej Vlora, ka qenë njeriu që ka bindur babin e tij Syrja Vlora ti hapte rrugë Ismail Bej Vlorës, pasi ishte më perëndimor dhe më I pranuar nga shtet fqinje, se Syrja Bej Vlora, I cili kishte një formim tërësisht Osman.
Syrja Bej Vlora pranoi këshillin e të birit me kusht që pasi të bëhej shteti të ikte ambasador në Austri , pasi nuk e duronte dot të drejtohej nga Ismail Beu.
Familja e Syrja Bej Vlores
Ismail Bej Vlora që e kishte shumë merak ruajtjen e unitetit brenda Familjes Vlora, sapo përfundoi mbledhja I dërgoi atij një telegram Eqrem bej Vlorës, aty ku ishte në frontin e Labërisë kundër grekëve dhe mbështetësve të tyre pro grek të Himarës, duke ju lutur të shmangte përgjakjen me grekët pasi nuk ishte në interes të njohjes së shtetit të ri shqiptar.
Në telegram thuhej: “Kongresi i Shqipërisë u mblodh ditën e enjte. Me unanimitet u shpall Pavarësia e Shqipërisë, u formua Qeveria Provizore, kryesia e së cilës m’u ngarkua mua. Iu komunikua Mbretërive të Mëdha, gjithashtu edhe shteteve ballkanike. Pavarësia e jonë është duke u vërtetuar. Derisa të vendoset nga Mbretëritë (e Mëdha) kthimi i vendeve tona, që sot ndodhen nën okupim, Kongresi vendosi që ndaj ushtrisë greke dhe ushtrive të tjera ballkanike, që ndodhen në tokën shqiptare, nuk do të mbahet ndonjë qëndrim armiqësor dhe do të mjaftohemi duke marrë një qëndrim mbrojtës. Ky vendim, sado që iu ishte njoftuar me mjete të posaçme komandantëve të ushtrisë, që ndodheshin në Kurvelesh e në Llogora, në telegramin tuaj dërguar Xhemil Beut [Vlorës], njoftohej se përpjekjet filluan me rreptësi. Është për të ardhur keq se kjo situatë dëmton iniciativat dhe veprimet politike, gjë që është shumë keq. Në ushtrinë që ndodhet atij krahu ngrini flamurin e Shqipërisë dhe në një mënyrë të përshtatshme u njoftoni ushtarëve se nuk është nevoja që të përdoren armët pa u sulmuar nga ndonjë krah dhe, medoemos, të mbahet një qëndrim mbrojtës. Juve, mbasi jeni shënuar anëtar i Kongresit në emër të Vlorës, me qëllim që të përfitohet nga zgjuarsia dhe dituria juaj, jeni të lutur të ktheheni sa më shpejt, djali im.
28 nëntor 1328 (1912) Kryetar i Qeverisë Provizore
Eqrem Bej Vlora I ka kthyer një përgjigje të thatë që siç e shpjegon dhe në kujtimet e veta, I tregon atij se ishte duke kryer një detyrë që ja kishte ngarkuar qeveria në fuqi, që nënkuptonte perandorinë osmane.
Më pas deri në ardhjen e Pric Vidit në Shqipëri, ai u përpoq të menaxhonte kaosin dhe konfliktet brenda shtetit të parë shqiptar si dhe rreziqet nga fqinji jugor, Greqia, e cila hyri në aleancë me bandat injorante të Haxhi Qamilit që kundërshtonin pavarësinë dhe kërkonin “babën Sulltan”.
Me ardhjen e Princ Vidit, ai shërbeu si këshilltar I tij në zgjidhjen e konflikteve me fraksionet rivale shqiptare kryesisht Esat Pashë Toptanin që e kishte dajë, dhe fraksionet e tjera të Shqipërisë së Mesme që pranonin dhe kundërshtonin kurorën e Princit sipas honorarëve që u jepnin të huajt e tjerë.
Në mars të 2014 ai u emërua Sekretar I përgjithshëm I Ministrisë ë Punëve të Jashtme në kabinetin e Turhan Pashë Përmetit në Durrës, por nuk I rezistoi dot trazirave të luftës parë ballkanike dhe u largua nga Shqipëria për disa kohë.
Ai hezitoi të mbështeste luftën e Vlorës kundër Italisë më 1920 dhe kjo ishte një nga pengjet e tij të mëdha në jetë. Siç e ka pohuar më vonë miqve të tij sidomos gjatë debateve me Ali Këlcyrën që ishte një nga protagonistët e Luftës së Vlorës, “thjesht nuk e besonte se ajo betejë mund të fitohej”.
Ai u rikthye në vend, pas Kongresit të Lushnjës, dhe u zgjodh deputet I Vlorës në krahun konservator më 1923.
Ai e përjetoi keq atë që quhej revolucion I Qershorit më 1924, ku revolucionarët e arrestuan në Vlorë dhe e morën me këmbë deri në Fier, mes të tjerash edhe si nip i Esat Pashë Toptanit nga nëna.
Debatet e tij me Ali Këlcyrën në këtë pikë kanë qenë gjithnjë të forta. Ndërsa ata jetonin bashkë në një shtëpi në Romë në vitet 50 kjo ishte një pikë e fort debati, sa herë që binte biseda. Ai akuzonte Ali Këlcyrën si frymëzues të Revolucionit të Qershorit dhe se kishin lartësuar padrejtësisht figurën e Avni Rustemit, një atentator që sipas tij nuk kishte asnjë vlerë . Për më tepër nuk ua falte kurrë që e kishin marrë me këmbë deri në Fier dhe për ti torturuar I kishin dhënë vaj recini që të hiqte barku rrugës.
Hëna Këlcyra që jetonte me të dy në një shtëpi, tregon që babai I saj nuk e kundërshtonte për ankesat e tij, pro nuk pajtohej në asgjë me të, në këtë pikë. Për të Avni Rustemi ishte një patriot shqiptar.
-Kur vendosëm të jetojmë bashke, babit I është dashur një vit kohë të vendosi thotë Hëna. Ishte I frikësuar se bashkëjetesa e detyruar me Eqrem Bej Vlorën dhe vëllain e tij mund të kthehesh në një armiqësi që do dëmtonte familjen pasi I kishin gratë motra. Por gjithçka shkoi perfekt. Edhe pse me Ali Këlcyrën, nuk pajtoheshin në shumë gjëra, kurrë nuk u hidhëruan me njëri tjetrin.
“I vetmi problem ishte që unë duhet ti blija gazetat e majta italiane për babain e gazetat e djathta për xhaxha Eqremin në një kohë që nuk kishim lek për bukë dhe që mamaja ime nuk e kuptonte çfarë I donin katër gazta, kur mund të lexonin një.
Eqrem Bej Vlora dhe Hena Kelcyra me veshje kombetare, ne nje nga festat e Flamurit ne Itali ne vitet 50.
Pas rikthimit të Zogut, Eqerem Bej Vlora u zgjodh senator I Vlorës më 1925. Nga viti 1927 u angazhua në shërbimin diplomatik dhe shkoi ambasador në Londër e më pas më 1929 këshilltar në Ministri, ambasador në Greqi, drejtor politik në Ministri të jashtme më 1933 dhe Sekretar I përgjithshëm më 1935.
Më 1937 rikthehet në jetën politike si senator I Vlorës në parlamentin e Shqipërisë.
Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia, Eqrem Bej Vlora, shfaqi pre dispozicionin e tij pro italian. Ai mori pjesë në Mbledhjen e Kuvendit Kushtetues që vendosi bashkimin e shtetit shqiptar me Mbretërinë e Savojës, nën kurorën e Mbretit Viktor Emanuel dhe u ngarkua si shef I ceremonive të Mëkëmbësisë Mbretërore në Tiranë.
Më pas ai u emërua si Ministër I Tokave të Lirueme, siç quhej Kosova dhe një pjesë e Maqedonisë që ju bashkëngjiten Shqipërisë nga Italia.
Më 11 Nëntor të vitit 1944, ndërsa po përgatitej të largohej nga Shqipëria, ai banonte në hyrje të Rrugës së Durrësit aty ku sot është ambasada e Vatikanit. Rreziku që komunistët të hynin në Tiranë ishte I dukshëm. Ata ishin në kodrat e Dajtit prej një jave. Eqrem Beja Vlora kërkonte të gjente Mitrush Kutelin, (Dhimitër Pasko), që ti dorëzonte statujat e Apalonisë, pjesë e çiflikut të Ferit Pashë Vlorës që administrohej nga Eqrem Bej Vlora, si djali I madh I familjes Vlora që rridhte nga gjaku I Ferit Pashës. Kërkimet e tij në Apolloni dhe certifikimi prej tij I shumë gjetjeve u futën në bodrumin e Bankës Qendrore të Shqipërisë guvernator i së cilës ishte në atë kohë Mitrush Kuteli.
Pas kësaj ai u largua I lehtësuar drejt Shkodrës e më pas drejt Austrisë dhe Italisë. Me vete mori tre statueta të vogla si kujtim.
Në vitët pesëdhjet, kur ishin në krizë të fort financiare në Romë, rrethi i tij familjar, i sajuan një interes nga një muze në SHBA për statuetat. Në fakt deshën ti jepnin ca pare për të jetuar më mirë, duke bërë sikur i blenin statuetat. Në lojë kishte hyrë dhe qeveria italiane me sa duket. “Erdhi në shtëpi një djal që dukej i kulturuar dhe po i tregonte se do ti çonte ato në Muzeun Metropolitan të Neë York-ut. Kërkoi ti shihte. Eqrem Beu e pa me shumë dyshim megjithatë ja tregoi. Një prej tyre kishte hundën e thyer.
-Shumë të mira qenkan i tha “blerësi” . Këtë hundën dhe mund tia ngjisim ska problem.”
Eqrem Beu që ishte shumë dyshues deri atë moment, ju vërsul sipër, i mori statuetat dhe doli jashtë për të mos e parë që po qante.
Kishte ecur rrugëve të Romës për disa orë derisa sa gjeti drejtorin e Muzeut dhe i dorëzoi aty statuetat me amanetin që dikur t’ia kthenin Shqiperisë. U kthye në mesnatë në shtëpi dhe nuk na foli me gojë, tregon Hëna.
Të nesërmen tha vetëm një fjali: Ai ishte një horr. Me siguri e ka gjetur Safai. (Ishte fjala për vëllain e tij që nuk është se mërzitej shumë për tre statueta).
Largimi I Eqrem Bej Vlorës nga Shqipëria shkaktoi një dramë më vete për familjen e tij në Vlorë. Gruaja e tij dhe dy vajzat mbetën në Vlorë për shkak se Eqrem Bej Vlora besonte se ata do të riktheheshin shpejt. Kur e kuptoi se mund të ishte kthim I pamundur, ai u dërgoi atyre fjalë të mundoheshin të hipnin në një linjë trageti për në Brindisi nga Vlora që në muajt e parë pas fitores së komunizmit ishte ende e lirë.
Manush Myftiu, kushëri I tij që tanimë ishte pjesë e pushtetit të ri komunist, I ndihmoi ato ilegalisht të nxirrnin pasaporta, por mjerisht përpjekja e tyre u kuptua dhe u ndaluan të iknin duke u internuar në Kavajë Golem dhe Durrës deri në vitin 1990.
U sekuestrua shtëpia e tij në qendër të Vlorës që fatmirësisht ruhet akoma dhe e trashëgoi vajza e vogël e tij. Aty u sekuestruan dhe librat dhe gjithë dorëshkrimet e tij.
Bashkë me këto u sekuestrua dhe vakëfi i Ferit Pashës, xhaxhait të tij, që shtrihej nga Vlora në Fier buzë detit, dhe që në fakt ishte vakëf(Fondacion), ku gjysmat e të ardhurave i merrte teqeja e Kuz Babasë dhe gjysmat përdorshin për pes bursa nga Vlora për në Teresianum. Vakëfi buronte nga pronat e Ferit Pashë Vlorës, kryeministrit të Turqisë në vitin 1903, I cili ishte xhaxhi I Eqrem Bej Vlorës, vëllai I Syrja Beut. AI kishte vdekur në Itali dhe ishte sjellë në Kaninë më 1916, në një kohë trazirash, ku mezi i kishin lejuar dy djemtë e tij, të sillnin trupin e babait në Kaninë dhe të largoheshin brenda tre ditëve, për shkak të autoritetit të madh që kishte
Vakëfi sipas amanetit të tij, administrohej nga mashkulli I madh I Familjes Vlora që rridhte nga gjaku I tij. Më 1944 administrator I këtij vakëfi ishte Eqrem Bej Vlora, dhe kur ai u sekuestrua nga komunistët, u shënua si një pronë që i merrej Eqrem Bej Vlorës. Në fakt është një pronë që i merrej një fondacioni. Gjithçka tjetër është spekulim.
Familja e tij, gruaja dhe dy vajzat u vendosën fillimisht në Kavajë. Më vonë atyre ju bashkua dhe Shega Këlcyra, vajza e Muhamet Bej Këlcyrës, po ashtu baxhanak me Eqrem Bej Vlorën, i cili ishte beu i fundit i familjes Këlcyra.
Komunikimi me Eqrem Bej Vlorën ka qenë një hsitori më vete. Atyre u dërgonin letra nga Gjermania, sikur të ishin, ish shoqe shkolle vajzave të Safa Vlorës, një prej te cilave ka qene ne shkolle ne Gjermani, me kartolina me veshje kombëtare austriake apo gjermane për të mos u kuptuar që komunikonin me familjen.
AI vdiq në vitin 1964, më 30 mars, 70 vjet me parë, pa mundur ti takoj më ato. Vajza e tij e madhe Lejla vdiq në vitin 1973 në Kavajë, pas një krize depresioni të cilës nuk mundi ti mbijetojë. Vajza tjetër e vogël Ajnisha Vlora, arriti të krijojë familje, të martohet me një djalë të një familje të persekutuar nga Kuçi, dhe të arrij dhe rikthimin e eshtrave të babait ë saj në Shqipëri më 2014.
Duke bërë humor me këtë fakt, Hëna Këlcyra thotë se “xhaxha Eqremi do jetë rrotulluar në varr, kur të ketë mësuar se vajza ju martua me kuçjot. Me sa duket përvoja e tij si komandant i kuçjotueve me 1912 =kishte lënë gjurmët e veta.
Veprimtaria politike në emigracion.
Në vitin 1946 Eqrem Bej Vlora dhe vëllai I tij Safa Vlora u shpërngulën nga Austria në Itali për tu takuar me pjesën tjetër të emigracionit politik. Bashkë me ta ishte dhe Nuredin Bej Vlora, djali I Ferit Pashës, xhaxhait të Eqrem Bej Vlorës.
Ata ishin fillimisht në një gjendje të keqe ekonomike . Ai u përfshi ne debatet e pamundësisë së bashkimit të legalistëve me ballistët në emigracion. Por nuk është se bashkimi funksionoi. Ka pasur përpjekje për të vendosur kontakte dhe me qeverinë greke, në përpjekje për të përdorur zemërimin e saj ndaj regjimit komunist në favor të tyre, por asgjë nuk është konkluduar.
Bisedimet mes bllokut indipendent dhe Ballit Kombëtar përfunduan me një përpjekje për pajtim të palëve me Ahtmet Zogun që në atë kohë gjendjen në Kajro në Egjipt, por pa ndonjë rezultat politik.
Pas këtyre përpjekjeve dhe sidomos pas dështimit dhe të përpjekjeve amerikane dhe angleze për dërgimin e forcave parashutiste në Shqipëri, Eqrem Bej Vlora hoqi dorë nga përfshirja në jetën politike të diasporës dhe filloi të merrej me atë dinte ta bënte më mirë, kulturën dhe historinë.
Ai ishte një I papunë në Romë në fillim të viteve 50 dhe kërkoi të shkonte në Stamboll për të përkthyer arkivat osmane për Shqipërinë, përmes një projekti që e mundësoi qeveria italiane e asaj kohen ë përpjekje për ti gjetur një mundësi jetese.
Ai u paraqit në legatën turke në Romë për të kërkuar vizë, port ë nesërmen e njoftuan se duhet të takohej me ambasadorin. Ambasadori I Turqisë në Romë e priti mirë por mjerisht I tha se nuk mund ti jepej vizë për në Turqi pasi familja Vlora është ende në listën e zezë të Turqisë për mungesë besnikërie që ka treguar ndaj Turqisë. Eqrem Bej Vlora i shpjegoi se Turqia moderne nuk ka pse mbron dështimin e Perandorisë Osmane por me sa duket vendimi ishte I prerë dhe Eqrem Bej
Vlora nuk shkoi dot në Stamboll.
Ndërkohë më pas dhe me ndihmën e profesor Koliqit ai filloi një program në RAI ku çdo të shtune tregonte historinë e Shqipërisë në një emision që u bë shumë I dëgjuar.
Pas vdekjes së Ali Këlcyrës me të cilën banonte në një apartament ai u zhvendos pranë të bijës së tij në Vjenë, pasi kishte fituar projektin e historisë së Shqipërisë nga Instituti i Studimeve për Evropën Juglindore në Munih. Ai vdiq duke e shkruar atë. Por dhe aq sa ka shkruar, ai ka mbetur një xhevahir I rrallë në historiografinë shqiptare.
Varri i Eqrem Bej Vlores ne Kaninë … Kur Hëna Këlcyra vendosi të sjell eshtrat e tij në Shqipëri në vitin 2014, dhe qeveria shqiptare mori përsipër ta nderonte atë me një ceremoni zyrtare, ndodhi diçka që ishte një lloje ironie e fatit me gjithë jetën e tij, prej një intelektuali të shquar , në një rebel kundër Perandorisë dhe në fund si armik I saj.
Avioni që do sillte arkivolin në Tiranë, nuk kishte vend dhe u desh të provohej një avion që bënte linjën Vjenë Stamboll Tiranë.
Ironia ishte se arkivoli I tij u desh të qëndronte 24 orë në Stamboll I vdekur, duke përsëritur rrugën e jetës së tij që kishte nisur nga Stambolli në
Vjenë e pastaj në Shqipëri. Tani po kthehej i vdekur nga Vjena në Stamboll e prap në Shqipëri.
“Kur zbuluam varrin, për çudi edhe pse kishte kaluar 50 vjet, një prej mëngëve të xhaketës ajo e djathta nuk ishte kalbur” më tha Hëna atë ditë.
Ishte ajo që kishte shkruar historinë tonë. /Tema/ KultPlus.com
Bregdeti i Vlorës në Shqipëri ka marrë vëmendjen e mediave të huaja, duke u cilësuar madje edhe si “xhevahiri i Ballkanit në Shqipëri” që ofron pushime si në Maldive, por shumë më lirë.
Sipas hulumtimit të Booking.com, Vlora sugjerohet për pushimet e vitit 2024, falë çmimeve të përballueshme.
“Mund të duket sikur vera 2023 sapo ka kaluar, por për ata që presin pushimet e tyre verore vitin e ardhshëm, ekziston një perlë evropiane e “nënvlerësuar” që është në rrugën e duhur për t’u bërë një destinacion trend në vitin 2024. Sipas parashikimeve vjetore të udhëtimit të Booking.com, britanikët ka të ngjarë të vendosin në alternativa më të lira për disa nga pikat më të njohura të pushimeve në botë”, shkruan Daily Express.
Teksa fluturimet për në Maldive zakonisht zgjasin nga 10 deri në 11 orë nga Londra, ekspertët nga Booking.com sugjerojnë se pushuesit mund të shijojnë plazhe të ngjashme, mahnitëse dhe me ujëra të kristalta shumë më afër shtëpisë, në Vlorë, Shqipëri. Dhe kjo është arsyeja pse ata e kanë emëruar qytetin bregdetar si një nga destinacionet e tyre kryesore, në trend për vitin 2024.
“Xhevahiri i Ballkanit, Shqipëria është arratisja me pushime, më trend për vitin 2024 për shkak të ujërave të kaltra, maleve mbresëlënëse dhe çmimeve të lira për të gjithë kategoritë e udhëtarëve”, sugjeron Booking.com.
“Vlora, kjo perlë e nënvlerësuar bregdetare, që është dhe pikënisja e Rivierës Shqiptare, ka shumë për të eksploruar lart e poshtë bregdetit të saj. “Shtëpia” e disa prej plazheve më të bukura të Shqipërisë, vija e saj bregdetare u ofron vizitorëve pushime evropiane si në Maldive, por shumë më lirë. Një opsion i mirëpritur për 43% të udhëtarëve nga Mbretëria e Bashkuar që do të kërkojnë pushime të bukura, por me kosto të reduktuara”, thuhet në përshkrim. /KultPlus.com
Nermin Falaski Vlora, lindi më 18 prill 1921 në Tiranë, ka qenë shkrimtare, intelektuale dhe studiuese shqiptare, stërmbesë e Ismail Qemal bej Vlorës, shkruan KultPlus.com.
Nermin Vlora, qysh në shkollën e mesme kishte filluar të merrej me shkrime e përkthime nga gjuha frënge e italiane për radion e Tiranës.
Më pas me largimin e saj në Itali, ajo filloi të studionte shkencat juridike. Njohja e disa gjuhëve të huaja, e ndihmoi në gjurmimet e saja njëzet vjeçare mbi çështjen etruske ku bëri deshifrime-përkthime të kësaj gjuhe nëpërmjet të idiomave të gjuhës shqipe. Ajo pohonte gjuha etruske mund të shpjegohet vetëm nëpërmjet gjuhës shqipe.
Ndër veprat më të njohura të saj janë: Zotëruesi i kohës, Nga gjysëmhëna tek hëna, Momente kolumbiane, Enesërmja e Kohës; Pellazgët, Ilirët, Etruskët, Shqiptarët; Etruskishtja gjuhë e gjallë etj.
Nermin Vlora Fallaschi ndërroi jetë në vitin 2004 duke lënë pas vehtes një pasuri, një monument të gjallë shkrimesh me një vlerë të jashtëzakonshme.
Si njohëse e disa gjuhëve të huaja dhe studjuese erudite, numëron mbi 35 vëllime poetike, romane, studime, etj.
Ndërkaq me rëndësi për kulturën shqiptare është studimi i saj: “Lashtësia e gjuhës shqipe –sipas dokumenteve epigrafike nga Egjeu deri në Atlantik”./ KultPlus.com
Grupi legjendar italian, “Ricchi e Poveri” mbrëmjen e së martës u ngjitën në skenën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë.
Këngët më të bukura dhe të sukseshme të repertorit, artistët Angela Brambati dhe Agelo Sotgiu i kënduan për gati dy orë njëzri me publikun vlonjat.
“Kishim te dridhura nga ky emocion me këtë publik të mrekullueshëm i cili këndonte me ne dhe ishte një gjë shumë e bukur. Nuk gjej fjalët për të përshkruar emocionet dhe gëzimin”, u shpreh Angela Brambati.
“Për ne ky është një emocion i madh. Na kanë kërkuar të vijmë edhe gjatë sezonit këtu që të organizojmë një event të bukur. Ne pranuam me dashamirësi dhe do shikojmë të gjejmë formulën e duhur por gjithsesi do vijmë për pushime. Kështu që nëse do vijmë për pushime këtu, mund të lindë dhe kënga për Vlorën”, tha Angelo Sotgiu.
Për spektatorët kjo nuk ishte vetëm një ngjarje e bukur kulturore por nostalgji për muzikën italiane të viteve ‘80.
Spektatorët e konsideruan koncertin një ngjarje te bukur kulturore por edhe një rikthim nostalgjik të muzikës italiane të viteve ‘80.
Grupi mitik numëron mbi 20 milionë disqe të shitura, ndërsa në Vlorë u nderuan me titullin Mirënjohja e Qytetit nga Bashkia e Vlorës./Tv Klan/ KultPlus.com
Ricchi e Poveri, grupi pop italian vjen në Shqipëri. Është Sinan Idrizi sipërmarrësi vlonjat, ai që do të sjellë në Teatrin Petro Marko në Vlorë, grupin mitik.
Gjatë një interviste Sinan Idrizi tregon se ka vetëm një synim të rizgjojë qasjen e vlonjatëve ndaj kulturës italiane.
Por nuk do të jetë vetëm ky grup i shumëpëlqyer për shqiptarët, që do të vijë në Shqipëri. Idrizi premton se do të sjellë çdo muaj në Vlorë, një personazh BIG, të viteve ’90. Ndër to Toto Cutugno, Fausto Leali, Gianni Morandi, Pupo, Claudio Baglioni e më vonë Eros Ramazzoti dhe Vasco Rossi.
Idrizi synon që kjo ngasje tërësisht personale e tij të përqafohet edhe nga Dhoma e Tregtisë dhe biznesmenë të tjerë, për ta parë Vlorën jo vetëm si terren ndërtimesh e tenderash, por si qytetin që meriton edhe nisma për altruizëm në emër të dashurisë për të.
Ricchi e Poveri mbërrijnë në Vlorë më 31 janar dhe do të ngjiten në skenën e Petro Markos mbrëmjen e së martës./gazetatema/ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama u ndal sot te transformimi që ka pësuar Vlora falë investimeve të qeverisë, ndërsa solli në vëmendje faktin se më parë Vlora ishte vetëm një rrugë kalimi.
Gjatë prezantimit të investimeve publike të kryera në bashkinë e Vlorës, Kryeministri u shpreh se Vlora ishte tërësisht e braktisur.
“Për të mos folur për Himarën që ishte e lënë pas dore dhe faktikisht në mëshirën e disa zhvillimeve që kërcënonin ta shkatërronin njëherë e përgjithmonë, e për të shkuar më tutje në Sarandë. Ndërkohë që sot përsëri unë them të njëjtën gjë. Nëse e shohim me sytë e momentit kur u nisëm, sot është dita me diell me natën pa hënë krahasuar me të shkuarën. Ndërkohë që nëse e shohim ku jemi, me atje ku duam të arrijmë, ka ende për të bërë”, tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje faktin se në takimin që realizoi sot me operatorët turistikë të Vlorës, kishte dhe një grup të gjerë italianësh që banojnë në Vlorë, por edhe të ftuar, kryetarë komunash të Italisë.
“Pa diskutim që edhe ai takim nuk do të bëhej disa vite më parë, kur Vlora vetëm qytet turistik nuk ishte. Ishte rrugë kalimi dhe shumë pak njerëz vendosnin të qëndronin në Vlorë, se dhe mundësitë ishin shumë më të pakta”, tha ai. /atsh /KultPlus.com
102 vjet më parë, më 2 gusht të vitit 1920, pas dy muajsh të nxehtë, qeveria shqiptare dhe pala italiane do të binin dakord në një traktat të fshehtë i cili do të dilte në formë të pjesshme në shtyp, nëpërmjet shoqërisë italiane “Stefani” të lajmeve.
Kjo marrëveshje kishte negociator kontin Manzoni nga pala italiane dhe Sulejman Delvinën për palën shqiptare.
Pala italiane pranoi që Shqipëria të qëndrojë nën hapësirat territoriale të vendosura nga traktati i Londrës. Pala italiane pranoi të tërhiqet nga malet e Shqipërisë dhe të dislokojë gradualisht trupat e saj të cilat gjendeshin kryesisht në bregdet për një kthim në Itali, me një njollë turpi humbjeje nga forcat territoriale civile shqiptare.
Italianët do të zotëronin nga kjo marrëveshje vetëm ishullin e Sazanit, të cilin do ta mbanin për të siguruar kalimin e qetë të anijeve në zonën e Otrantos.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, sjell edhe një material ilustrues të situatës së asaj kohe në kanalin e Otrantos, e veçanërisht në ujërat përreth ishullit të Sazanit. / KultPlus.com
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë, i njohur gjithashtu si Festivali i Filmit në Prishtinë dhe PriFilmFest, ka prezantuar projektin e tyre të radhës, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, PriFest ka njoftuar se përmes projektit “Moving Cinema” me datë 21.05.2022 nga ora 09:30 PriFest sjell në Gjakovë në Kino HYRIJE HANA, 4 filma të metrazhit të shkurtë nga regjisorë të suksesshëm nga Kosova.
Filmat “Rruga”, “Sea by the River and River by the Sea”, “Adelina” dhe “Vlora” do të jenë filmat që do të prezantohen në Gjakovë.
Pas shfaqjes së filmave do të ketë diskutime me pjesmarrës nga ekipi i filmave. /KultPlus.com
Vlora dhe Durrësi, dy qytetet e vjetra shqiptare të cilat me mrekullitë e tyre hyjnë thellësisht në rrënjën e qenies së njeriut, ngërthejnë në vete artin e rilindjes së antikitetit klasik dhe një histori që jo lehtë harrohet. Të ndryshme në pamje por të ngjashme në thelb, këto dy qytete shqiptare të cilat i vizituam këto ditë, të rrëmbejnë vëmendjen për të mos e lëshuar atë nga bukuritë e rralla natyrore, vlerat kulturore dhe vijat bregdetare nga më hijshmet ndonjëherë, shkruan KultPlus.
Rruga Tërthore (Kukës) dhe Kolsh (Kukës), në rrugën e gjatë që ishte planifikuar për në Vlorë, ishin vendet e para të cilat kapën vëmendjen e gjithsecilit qysh në sekondën e parë kur pamjet unike të gjelbërimit në intensitete të ndryshme të ngjyrës së gjelbër, kapluan gjithë spektrin e syrit tonë. Malet gjigande të shtrira në dimensione të ndryshme ku disa nga to ishin të mbuluara ende me dëborë e njëkohësisht të pasura në pamje, shtriheshin në një horizont i cili nën qiellin e kaltër dukej se po hynim në një vend përrallor që zbukuronte dhe vetë qenien e njeriut.
Në një mot të nxehtë por të përballueshëm, dielli i pranishëm rrezatonte mbi tokat e punuara si dhe mbi fusha të cilat dukshëm dëshmonin për një bujqësi të rrallë e tejet të veçantë. Së bashku me natyrën e cila posedonte një pamje të pakrahasueshme më vete, shtigjet e vogla, lulet e ndryshme në dukje e ngjyrë, fshatarët në zonat malore të cilët qysh herët shiheshin të punonin në arrat apo dhe oborret e shtëpive të tyre, ishin disa nga detajet e mrekullueshme të kulturës bujqësore. Ndërkaq, shkëmbinjtë e mprehtë, liqenet dhe lumenjtë që rrjedhin përgjatë drejtimit të tyre të shumanshëm, po rrumbullakonin një peizazh që nuk do të mund të shkrihej më së miri as edhe në ngjyrat e pikturave më autentike impresioniste.
Ndalesa jonë e parë në qytetin e Vlorës na bëri që vrojtimi ynë të merr kahje në drejtime të ndryshme. Për aq sa mund të shihnim, qyteti i cili përballë bregut të detit kishte të vendosur një numër të madh të kafeneve dhe restoranteve të populluara me tarrace, pallate kryesisht të bardha e të ndritshme, shtëpi me fasada tërheqëse, hotele nga më të ndryshmet si dhe natyrisht deti i cili është shoqëruesi i përjetshëm i qytetarëve vlonjat të cilët mes palmave gjigande dhe një trotuari jashtëzakonisht të gjerë, kanë mundësinë të shijojnë një pamje, qoftë ulur apo në këmbë në një ecje që po të duash, dukej se asnjëherë nuk do të kishte një fund.
Një udhëtim në këmbë përgjatë bregut të detit, në zallin e ngrohtë dhe të butë është si një rrugëtim nëpër një qetësi hyjnore. Zhurma e valëve të lehta, era e ëmbël që futet këndshëm në shoqërinë tënde dhe mungesa e popullaritetit, të bënë që të ndjehesh sikur je i vetmi person që ka mundësinë e të shijuarit këtë perspektivë që rrallëherë ndodh. Një atmosferë e cila shijon ndryshe kur prezenca jote nuk ndërlidhet me asgjë tjetër përpos karakteristikave që elementet e lartpërmendura ofrojnë, do të ishte ajo e cila qetëson shpirtin dhe trazon kreativitetin e secilit njeri në cilëndo fushë të mundshme.
Bashkë me diellin i cili ngadalë po fillonte të zbriste dhe cicërimin e zogjve që krijonin një harmoni melodish, për të hapur sezonin veror për këtë vit, të pranishëm në konferencën e parë për mediat nga Kosova ishin: administratori i ‘Marina Bay’ Besmir Lula, menaxheri i ‘Barileva Turist’ Petrit Riza, kryetari i shoqatës së turizmit ‘Arta’ Ervin Sota, themeluesi i platformës “TripToAlbania” Azem Bujupi, konsulle e përgjithshme e Italisë në Vlorë, Ilva Palmieri dhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.
Ishin çështjet rreth vlerave turistike, përgatitjes më profesionale, risive e ofertave turistike, eksplorimit të botës nënujore të Vlorës, planit strategjik që diaspora të vijë në Shqipëri, rëndësisë ndaj profesionalizmit të shërbimit së porteve detare e malore, relievit fushor e malor, detit Adriatik e Jon, Karaburunit, Ishullit të Sazanit, brigjeve të pafundme të Vlorës, kulinarisë, promovimit të turizmit në nivel nacional, potencialit shumë të madh të zhvillimit të turizmit, problematikat e pandemisë dhe të turizmit në trevat jugore, lumit të Vlorës, Kalasë së Kaninës, Majës së Llogorasë si dhe Manastirit në Lagunë, ato që u shqyrtuan në mesin e tyre në mënyrë që Vlora të shndërrohet në shtëpinë e dytë të atyre që vizitojnë atë në këtë sezon.
Pas një ore, tashmë perëndimi i diellit kishte kapluar gjithë hapësirën e qiellit dhe detit për t’i bashkuar ata në një ndërlidhje të jashtëzakonshme në ngjyrë portokalli. Si një copëz magjie, dielli ngadalë u zhduk në përjetësinë e tij për të lënë gjurmë në kujtimet e secilit njeri të pranishëm, teksa meloditë e muzikës italiane vazhduan në sfond duke sjell kështu një ëmbëlsi shtesë të atyre çasteve.
Tani, nisja për në qytetin e Durrësit na zuri në një kontrast krejt ndryshe. Nën tingujt e muzikës tradicionale shqiptare, vëzhguam qytetin e vendosur në brigjet e detit Adriatik i cili përpos historisë të veçantë që posedon, imazhet e shfaqura të jo vetëm banesave që shtriheshin njëra pas tjetrës por edhe të detit i cili në kaltërsinë e tij përqafonte bregdetin në tërë portin e pasur të tij, që janë dy nga karakteristikat e këtij qyteti.
Stile të ndryshme arkitekturore që portretizojnë periudha të ndryshme të ndikimit si ato ilire, greke, romake dhe italiane janë dukshëm të dallueshme në secilin cep. Tani, qyteti ngërthen në vete një stil modernist i cili me blloqet e mëdha, ndërtesat moderne, qendrat tregtare dhe hapësirat e gjelbra të japin përshtypjen se jeta historike e Durrësit ndryshon vazhdimisht. Por veçantia e këtij qyteti është padyshim Muzeu Arkeologjik i cili është i vendosur pranë plazhit. Mure bizantine të shekullit të gjashtë, artefakte nga zona antike e Dyrrachium, koleksioni i gjerë nga periudha ilire, greke e lashtë, helenistike dhe romake, stela romake funerale, sarkofagët prej guri, mozaik eliptik shumëngjyrësh, koleksion bustesh e shumë të tjera, përshkojnë muret e pjesës më të madhe të Muzeut.
Po ashtu, shijimi i ushqimit tradicional, atij detar dhe italian në restorantet me pamje brilante, ecjet nëpër bregun detar mbi rërë, dashamirësia e durrsakëve, plazhet e shumta dhe imazhet piktoreske të cilat të shfaqen papritmas që nga mëngjesi e deri në mesnatë, përthekojnë disa nga veçoritë e përsosura dhe tiparet dalluese të këtij destinacioni bregdetar dhe kulturor.
Për shkak të historisë së tij të gjatë, Durrësi konsiderohet të jetë natyrshëm i mbushur me vende dhe gjetje arkeologjike të lashta, duke përfshirë amfiteatrin e famshëm të perandorit romak Hadrian, kapaciteti prej 15,000 vendesh e bënë atë amfiteatrin e dytë më të madh në Ballkan. Po ashtu, është një vend fantastik për adhuruesit e historisë dhe artit ku përtej Muzeut Arkeologjik, vizitorët mund të eksplorojnë Muzeun Etnografik, i cili ishte shtëpia e aktorit të famshëm Aleksandër Moisiu si dhe Galerinë e Arteve në qendër.
Kudo që sheh përreth është thjeshtë mahnitëse. Ky vend gjithandej është një mrekulli më vete.
Ishte spektakli i shiut ai i cili vulosi fundin e këtij udhëtimi teksa prekëm kufirin në Shqipëri. Nën piklat e shpeshta që binin në xhama, reflektuam mbi gjithsej dy netët e kaluara në dy vendet më të bukura shqiptare dhe jo vetëm.
Ky udhëtim që i bashkoi gazetarët e Kosovës për një eksplorim të mirë, na dërgoi për qëndrim dhe vizitë në hotelet si: Kraal Hotel (Vlorë) dhe Adriatik Hotel (Durrës). Ndërsa, i pranishëm me ne gjatë gjithë udhëtimit ishte edhe drejtori Azem Bujupi nga platforma ”Trip to Albania”.
Aktivitetet e ndërmarra nga ky udhëtim janë mundësuar nga “Trip to Albania” dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. / KultPlus.com
Identifikimi i një objekti me kaq rëndësi për kombin shqiptar, nuk është një ngjarje e zakonshme. Ajo meriton një vëmendje të veçantë për nga rëndësia dhe unikaliteti që ajo mbart në vetvete.
Më datë 2 dhjetor 2011 u zbulua në fondin etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali! Është një ngjarje që nuk mund të komentohet! Vetëm heshtja shpreh nderimin më madhështor për gjithçka.
Ismail Qemali vdiq në Peruxhia, në hotelin “Brufani” më 26 janar të vitit 1919, (bazuar në Fjalorin enciklopedik shqiptar). Në darkën e 10 shkurtit 1919 luftanija italiane “Alpino” solli në Skelë të Vlorës arkivolin me trupin e pa jetë të njeriut të madh.
Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. U vendos që Ismail Qemali të varrosej në Kaninë, në varrezën familiare të familjes Vlora, me që në qytet nuk kishte mundësi urbanistike. Komanda italiane, që ia kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli, patriotizmi i të cilit mbushte grykën e pushkës.
Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar.
Dhe ashtu u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Në se flamuri është një simbol kombëtar, atëherë i gjithë kombi u nder mbi njeriun që e ngriti kombin në përjetësi. Ishte një prekje, një përkëdhelje, një shtrëngim në gjoks, jo, më tepër, në shpirt. Këtë flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars të vitit 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë.
Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Et’hem Bej Vlora.
Ceremonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë. U mbajtën dy fjalime mbresëlënëse nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Mbas heshtjes u ekzekutua hymni mbretëror italian. Pastaj kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë. Ishte ora 10:00. Karroca ku ndodhej arkivoli tërhiqej nga gjashtë kuaj. Anash ecnin me ngadalë dy rreshta ushtarësh. Banda ushtarake ekzekutonte melodinë e përmortshme “Jone” të kompozitorit italian Petrella.
Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga “Djelmoshat e Vlorës”, të shoqërisë me po këtë emër. Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria “Djelmoshat e Vlorës” dhe nga gazeta “Kuvendi”. Mbas këtyre vinte “Shoqëria djaloshare”. Pastaj ecte banda ushtarake qe luante marshin funebër. Mbas bandës ushtarake ishin ushtarët e regjimentit 86 dhe reparti i mitralierëve italianë. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh.
Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemt e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritet ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë.
Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, flamur të cilin e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në “Sheshin e Flamurit” me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Et’hem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.
Në Arkivin e Shtetit ruhen disa dokumente që vërtetojnë ngjarjen. Po i paraqesim:
Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.
“MBRETNIJA SHQIPTQRE
PREFEKTURA MBRETNORE
VLONЁ
Nr. 172
Vlonë me 21. Kallnuer. 1933
P.T.
Ministris Arsimit
Tiranë
Këtu ngjitun kemi nderin me ju paraqit process-verbalin e mbajtun me rastin e marrjes në dorëzim të Flamurit që asht ngritun për të parën herë në Vlonë, prej Patriotit Ismail Qemalit.
Gjithashtu në pako të veҫantë dhe po me këtë shkresë dërgohet edhe Flamuri në fjalë.
Shtojmë se me gjithëse Z. Etéhem Vlora pretendon se ky Flamur asht ngritur për të parën herë në ndërtesën Qeveritare më dorën Atit tij, por nga sa kemi hetue ky Flamur asht ngritur me të vërtet me 28 Nanduer 1912, por jo në ndërtesën Qeveritare, por në Zyren e doganave në Vlonë.
Lutemi me na njoftue marrjen në dorëzim.
Prefekti
Nepravishta”
Shkruar me dorë:
“T’i dërgohet ky
flamur Bibliotekës”
Nën këtë shënim, është një tjetër, që konfirmon marrjen e flamurit në dorëzim:
“asht këtu në bibliotekën t’onë”
28/10/33
Vijojnë disa vula dhe firma dhe në fund:
“Marrë në dorëim me 29-X-933”.
Po paraqesim edhe proces-verbalin shoqërues:
“PROCES-VERBAL
Sot më 28 Nanduer 1932, ditën e Hënë, me rastin e transferimit të eshtravet të shénjtorit të Kombit të ndjerit Ismail Qemalit nga Kanina në Pemendoren kujtimore të ngrehun prej N.M. Tij Mbretit dhe në pranie të Përfaqesuesit té N.M.Tij Mbretit Shkelqësis sé tij Gjeneral Leon De Gjilardi dhe té shkelqesave të tyne Z.Z. Hil Mosi, Ministër i Arsimit, Milto Tutulani, Ministër i Drejtësisë dhe të Prefektit të Vlonës Z. Abedin Nepravishta, Zoti Ethem Bej Vlora, i biri i të ndjerit Ismail Qemal për kujtim Kombëtar i dorëzoj Prefektit të Vlonës Flamurin Kombëtar të cilin më 28 Nanduer 1912 ati i tij Eroj i Kombit i ndjeri Ismail Qemal e ngriti në qytetin e Vlonës tue prokllamuar indinpendencën e Shqipnisë pas shumë shekujsh rrobnije.
Këtë Flamur të shenjtë Prefekti i Vlonës ja dorëzoj Ministrit të Arsimit Shk. tij Z. Hil Mosi për ta depozituar në Muzeun Kombëtar në Tirané.
Për sa ma naltë u redaktua ky Proces-Verbal i mbajtun në katër kopje dhe i nënshkruem prej të gjithëve qe përmenden ma sipër.
Nga shkresa e mëposhtme, e firmosur nga vetë ministri i arsimit Mirash Ivanaj, vërtetohet se flamuri i u dorëzua Muzeut Kombëtar. E citojmë:
Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.
“ MINISTRI E ARSIMIT
Nr. Prot. 1208. Dërgohet Flamuri Komtar i ngrehun për herë të parë në Vlonë.
Drejtoris së Muzeut Komtar, Tiranë
Këtu ngjitun i dërgojmë asajë Drejtorije kopjen e process-verbalit të mbajtun me 28 Nanduer 1932 mbi flamurin komtar qi asht ngreh për herë të parë nga i ndjeri Ismail Qemali në Vlonë.
Për njiherit me këto shkresa ju dërgojmë dhe kët flamur historik për t’a ruejtun me kujdes në muzeun komtar.
Ministr’i Arsimit, Mirash Ivanaj (firma)
Nisur me 6/XI/1933”
Kështu, në bazë të këtij dokumenti, Shqipëria u bë me flamur kombëtar. Por kjo nuk ishte e vërtetë. E vërtetojnë mohimet që i u bënë faktit të servirur nga dëshmitarët e atyre ngjarjeve, që detyruan autoritetet e kohës të bënin verifikime të shumta, për të sqaruar të vërtetën. Mirëpo patriotizmi vulosi mendimin. Për shumë kohë u besua se flamuri i pavarësisë ndodhej i ruajtur në Muzeun Kombëtar. U desh kohë që ngatarresa të shpështillej, por kjo është ҫështje që nuk lidhet me këtë shkrim, aq më tepër që është sqaruar.
Vijojmë të paraqesim dokumente të tjerë që shkojnë më pranë të vërtetës.
“M.A.
Nri 402/749
Flamuri i Vlorësë
Mënistërijës’ së Arësimitë
Q y t e t
Bashkë me shkresën’ Nri 1208 të së 6s’ së këtij muaji, të shoqëruarë me verbalin’ e endur’në Vlorë më 28 të Vjeshtës’ së Tretë 1932. Muarëm’ në dorëim:
Flamurin’ kombëtar që shtolli në Vlorë vetë Ismail Qemal Vlora, mbë 28 të Vjeshtës së Tretë 1912.
Ky flamur zu vëndin’ në rjeshtën’ e kujtimevet’ t’ tjerë, me vlejë të jëstorijëtë, që ruhen’ në Tiranë, 9 Vjesht’ e Tretë 1933 / Drejtori (Firma dhe vula )
Ngjitur’ pas kësaj’ dorë-dëftesa
e jonë Nri C. 208”
Dokumenti: AQSH, Fondi 195, viti 1936, dosja 62.
“Flamuri i Vlorës”
Për punën, e flamurit’ kombëtar që valoj në Vlorë për here të pare ditën’ e të lëҫiturit’ të Shqipërijsë mbë krye të vehtë, Zoti Et-hem Bej Vlora, bir i të ndjerit Iamail Qemal Bej Vlora, pati mirësijën’ të shtronjë këta kujtime:
flamuri upat nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora. (Shënim nga F.Stamati: fjalët, “nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora”, janë të shuara me një vijë përsipër).
Pëlhura e flamurit’ qe e leshtë dhe shkaba e shtampuarë; nuk’ mban mënt të ketë pasur,’ theka o kravatë.
Të madhët’ të tijë, gjer sa mund të caktohet’ me të maturë syri, munt të qe afëro 0 m. 80 për së gjati, dhe 0 m. 50 për së gjëri.
Sa për fundin ‘ e këtij, flamuri Zoti Et-hem Bej Vlora ësht’ i mejtimit’ se flamuri nuk’ ka qënë shdukurë, po se ndodhet’ i ruajturë në Shqipërijë, ndër duar’ që do të kujtohen’ ndofta ndonjë ditë t’i a falin’ Muzejës’ Kombëtare.
Tiranë, 10 shkurt 1936”
Më poshtë, në të majtë, është vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, si dhe firma, ndërsa në të djathtë, firma e Ethem Bej Vlorës. Poshtë ka një shënim:
Zoti Et-hem Bej Vlora ndreqi me dorën’ e vehtë:
“nga shtëpija e Zotit’ Xhemil Bej Vlora”.
Ёshtë me interes edhe një dokument tjetër:
Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1936, dosja 62. Po e citojmë: “Flamuri i Doganës’ së Vlorësë.
Me shkresën’ e Mënistërijës’ së Arësimitë Nri 1208 të së 6s’ së Vjeshtës’ së Tretë 1933, i udorëzua Muzejës’ Kombëtare një flamur i trajtuarë prej dy fijesh pëlhure të leshtë, 1 m. 45 i gjatë dhe 0 m. 95 i gjërë, me shkabën’, me dy krerë dhe me krahë të shtallurë mbë të përpjetë, pa theka dhe pa kravatë.
Pas shkresës’ që i përsillte Muzejës’ Kombëare këtë flamurë, janë mpështeturë:
një verbal me ditë 28 të Vjeshtës ‘ së Tretë 1932, në të cilin’ kan’ vënë duarëtë:
Përfaqësi I L. Madhërijës’ së Tijë Mbëretitë, Gjeneral Leon de Ghilardi,
Ministri i Arësimitë, Hil Mosi,
Ministri i Drejtësijësë, Milto Tutulani,
Zoti Et-hem bej Vlora, përfaqësi i Fëmijës’ së të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë, Prefekti i Vlorësë, A. Nepravishta.
Në këtë verbal është shënuarë se flamuri i dhuruarë Muzejës’ Kombëtare është muu ay që pati ngriturë në Vlorë me dorën’ e vehtë i ndjeri Ismail Qemal Beu, të 28në të Vjeshtës’ së tretë 1912.
një shkresë e Prefekturës’ së Vlorësë, Nri 172 me ditë 21 Jenar 1933, në të cilën’, ndër t’ jera, është shënuarë se si pas kërkim’ e hetimeve të bërë nga Prefektura e Vlorësë, ky flamur nuk ‘ ka qënë ngritur’ kurrë mbi ndërtesën’ qëverritare as ditën’ që ulëҫit të krye-mbë-vehtët’ të Shqipërijésë as mëë pas, po ka valuarë vetëmë për një kohë të gjatë mbi godinën’ e Doganës’ së detitë të Vlorësë.
Për të kthillurë këtë pikë ukërkuanë hollësija nga Zoti Et-hem Bej Vlora, i cili pati mirësijën’ të apinj’ këta shënime:
flamurin’ që i udorëzua Muzejës’ Kombëtare, i a fali të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë Duku i Monpansierit’, kur pat’ ardhurë në Vlorë, nga Marsi i vitit’ 1913.
qëverrija e Shqipërijësë e përdori për Doganën’ e Vlorësë, mbi ndërtesën’ e së cilësë valoj gjer ditën’ që Ismail Qemal Beu hoqi dorë nga Kryesija e Qëverrijësë.
mbë t’ ularguarë nga Vlora Ismail Qemal Beu, kërkoj të ketë si kujtim një nga flamuret’ të Qëverrijësë; usgjoth ky flamur dhe i udorëua Zotit’ Et-hem Bej Vlora, i cili e pati me vehte gjatë kohës’ që bashkë me t’ anë undodhën’ ndëpër Evropë.
ditën’ që i ndjeri Ismail Qemal Vlora ndërroj jetë në Perugia të Italijësë (25 Jenar 1919) Zoti Et-hem Bej Vlora mbuloj trupin’ e t’et me këtë flamur.
kur upru i vdekuri në Vlorë dhe uvendos në sallën’ e fllugërijës’ së përmortëshme, që pati navaturë Kumanda e Ushtërijës’ Italjane, prapë ky flamur under mbi arqivolin’ e të vdekuritë.
gjatë përsjellës’ së trupitë nga Vlora në Kaninë, arqivoli qe mbuluarë me po këtë flamur.
edhe ditën’ që eshtërat’ të të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë umbartën’ nga Kanina në Vlorë, për t’ ukallurë në varrin’-monoment, që ngrehu Qëverrija Mbëretërore e Shqipërijësë, ky flamur qe nderur’ mbi arqivolin’ edhe gjatë rrugësë edhe gjer sa mori funt shërbesa e të kalluritë, pas së cilësë Zoti Et-hem Bej Vlora u a dorëzoj Përfaqësvet’ të Qëverrijësë Mbëretërore, si kujtim për t’ uruajtur’ në Muzejën’ Kombëtare.
Tiranë, 10 Shkurt 1936”
Më poshtë, majtas, është firma dhe vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, ndërsa djathtas firma e Et-hem Bej Vlorës.
Në vitin 1946 materialet e Muzeut Kombëtr i kaluan Instituit të Shkencave. Në vitin 1957, kur u krijua Universiteti i Tiranës, mori jetë edhe Instituti i histori-gjuhësisë, i cili pati në vartësi të vet edhe Muzeun arkeologjik-etnografik, si edhe fondin etnografik. Në këtë fond kaluan edhe flamujt, që ndodheshin dikur në Bibliotekën dhe Muzeun Kombëtar. Mirëpo nuk pati asnjë dokument për historinë e tyre. Kështu, ata mbetën enigmë. Edhe i ndjeri Rrok Zojsi, themeluesi dhe shefi i etnografisë dhe i fondit etnografik, e kishte me të dëgjuar se dikush i kishte dorëzuar flamujt pa dhënë ndonjë sqarim për ta, duke thënë: merrini dhe ruaini edhe këta! Punonjësja më e vjetër e fondi etnografik Znj. Pandora Plaku, kujton edhe në ditët e sotme porosinë e Rrok Zojsit për kujdesin ndaj ketyre flamujve dhe punën që ka bërë ajo me kolegët e saj për t’i mbrojtur këta flamuj nga infeksionet e insekteve dhe nga dëmtime të tjera.
Ishin tetëmbëdhjetë. Puna për identifikimin e tyre filloi dhjetë vjet më parë. Me 2 dhjetor 2011 i erdhi rradha këtij. Se si ndodhi mund ta tregojmë ndonjë herë tjetër.
Flamuri është i plotë, por ka dëmtime të shumta. Ngjyra e kuqe është zbehur nga veprimi i diellit. Duket të jetë pis. Duhet restauruar. Do të jetë një punë jo e lehtë në gjendjen që është ai!
Pavarësisht nga të dhënat e grumbulluara deri më sot, rëndësia e këtij flamuri dikton domosdoshmërinë e studimeve gjithnjë edhe më të gjera për të ndriçuar maksimalisht këtë simbol kombëtar.
Edhe disa ditë dhe ky flamur do të ekspozohet përkohësisht në mjediset e Qendrës së Studimeve Albanologjike për të kujtuar përvjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit./Ariola Prifti /Frederik Stamati/ KultPlus.com
Sot shënohen 178 vite që nga lindja e Ismail Qemalit më 16 janar të vitit 1844 në Vlorë.
Pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, vijoi studimet në shkollën plotore turke në Selanik, ku ishte internuar familja e tij dhe më pas kreu gjimnazin “Zosimea” në Janinë.
Në vitin 1860 punoi si përkthyes pranë zyrës së përkthimit të Portës së Lartë. Nga vitet 1862-1864 shërbeu në administratën vendore në Janinë e më pas u transferua në Tërhallë (Thesali) e përsëri në Stamboll.
Ai mori pjesë, së bashku me Jani Vreton, Hoxhë Tahsinin, Kostandin Kristoforidhin, Pashko Vasën e Sami Frashërin, në mbjedhjen e parë për caktimin e alfabetit të shqipes dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare.
Ismail Qemali pati në vijim një varg detyrash të larta në administratën turke si: kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Stamboll, mytesarif i Varnës (Bullgari), guvernator i Danubit të Poshtëm (Tulxhë-Bullgari) etj.
Më 1877 Porta e Lartë e akuzoi si kundërshtar të politikës së Sulltan Abdyl Hamitit II dhe përkrahës të pikëpamjeve liberale të Mithat Pashës (funskionar i lartë i Perandorisë, reformator, opozitar).
Me këto akuza Porta e Lartë e dënoi me 7 vjet internim në qytetet Kytahja, Eskishehir dhe Bursa në Anadoll. U lirua më 1884 dhe u emërua si mytesarif i sanxhakut të Galiopolit dhe guvernator i Vilajejtit të Tripolit Libi.
Më 1900 për t’u shpëtuar ndjekjeve të sulltanit, u arratis nga Turqia dhe i dorëzoi dorëheqjen sulltanit, duke e motivuar largimin e tij nga Stambolli, se në këtë mënyrë do t’i shprehte më mire idetë e tij dhe do t’i kushtonte kujdesin e duhur çështjes shqiptare.
Ismail Qemali qëndroi në vende të ndryshme të Europës ku vendosi lidhje dhe bashkëpunoi me rrethet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. U aktivizua në lëvizjen patriotike shqiptare, mori pjesë në përpjekjet për caktimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare.
Qemali zhvilloi gjithashtu veprimtari të ngjeshur politike në Europë për njohjen e kombit dhe të të drejtave të tij. Ai shpejt do të shpallte në shtypin e kohës, vendas dhe të huaj, platformën e tij politike për autonominë e plotë të Shqipërisë ndaj Perandorisë.
Së bashku me Luigj Gurakuqin e patriotë të tjerë hartoi Memorandiumin e Greçës të qershorit 1911 dhe në fund të atij viti mori nismën për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912. Më 19 nëntor 1912 njoftoi bashkëatdhetarët se do të mblidhej në Shqipëri një Kuvend Kombëtar.
Në këtë kuvend, që u mblodh nën kryesinë e tij më 28 nëntor 1912 lexoi deklaratën e shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë dhe ngriti flamurin kombëtar. Pas kësaj u caktua kryetar i Qeverisë së Përkohshme dhe minister i Punëve të Jashtme.
Në politikën e tij të jashtme Ismail Qemali u bë i papajtueshëm ndaj çdo cënimi të pavarësisë e të sovranitetit kombëtar. Pavarësisht kushteve të vështira të brendshme e të jashtme, qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali mori një varg masash për organizimin dhe ndërtimin e shtetit të pavarur. Në të gjitha këto veprimtari Ismail Qemali u tregua burrë shteti dhe diplomat largpamës, mbrojti me vendosmëri shtetin e pavarur shqiptar. / KultPlus.com
Reshjet e dendura të shiut kanë tejfryrë lumin Vjosa, duke shkaktuar daljen e tij nga shtrati.
Raportohet se rreth orës 03:00 të mëngjesit, lumi ka çarë argjinaturën, duke përmbytur shtëpitë në fshatin Fitore.
Prurjet e mëdha kanë krijuar një situatë të pazakontë në Vlorë. Në terren ndodhet shtabi i emergjencave dhe kryetari i bashkisë, ndërsa banorët janë njoftuar të marrin masa për evakuuim.
Deri më tani janë larguar 11 familje, ndërkohë që vijon të ketë rritje të prurjeve në lum.
Situatë problematike për shkak të reshjeve që vazhdojnë prej disa ditësh paraqitet dhe në Himarë. Lumi Shushica ka shkatërruar tërësisht urën e fshatit Kallarat. / KultPlus.com
– Investimi do të kushtojë rreth 3 miliardë lekë – Do të krijohen mbi 500 vende të reja pune – Do të gjenerohen deri në 20 milionë euro në vit për ekonominë vendase
Pjesë e buxhetit të deklaruar nga qeveria e Shqipërisë për vitin 2022 është edhe një port i ri turistik në qytetin e Vlorës. Është folur për përparësitë e tij krahasuar me portin aktual, për peshën që do të zërë në ekonomi dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.
Marina Vlorë do të ndjekë modelin e qendrave të ngjashme nëpër Europë, kurse në rajon mund të përmendim marinat në Malin e Zi apo Kroaci si më të afërtat. Sipas parashikimeve, kur të fillojë funksionimi, kjo marinë në vetvete do t’i sjellë ekonomisë së Vlorës rreth 4,3 milionë euro në vit të ardhura. Nëse marrim parasysh edhe shërbimet ndihmëse që do ta shoqërojnë atë, si p.sh. hoteleria, baret dhe restorantet apo edhe turizmin lokal, vlera e përgjithshme që do të krijohet për komunitetin arrin mbi 20 milionë euro në vit. Këto shifra tregojnë rëndësinë e vërtetë që do të ketë ky zhvillim për Vlorën dhe jo vetëm.
Interesit të publikut për këto zhvillime i vjen në ndihmë Ervin Bacaj. Ai është drejtuesi i projektit për portin e ri ose siç njihet ndryshe Marina Vlorë. Ervini shpjegon për herë të parë konceptin e një sipërmarrjeje të tillë dhe rëndësinë strategjike të saj.
1. Çfarë kuptojmë me Marina Vlorë?
Shpjegimi më i thjeshtë do të ishte porti i ri turistik që pritet të fillojë nga puna në Vlorë, ndërsa termi në vetvete përfshin të gjitha funksionalitetet e një porti modern dhe shërbimet ndihmëse për mjetet lundruese që e vizitojnë, për turistët që sjellin, si dhe për publikun e gjerë. Në rajonin tonë, por edhe në mbarë botën, marinë është koncepti modern i portit ekskluzivisht për turizëm, i përshtatur për jahte të madhësive të ndryshme dhe anije turistike. Gjatë kohës që qëndrojnë të ankoruara, këto mjete kanë nevojë për t’u furnizuar me karburant, ujë dhe elektricitet. Udhëtarët e ardhur me to, mund të dëshirojnë shërbime si hoteleri, gastronomi, argëtim, kulturë, vizita në qytet e më gjerë, dhe marina është në gjendje t’ua ofrojë të gjitha këto.
2. Pra kemi dhe simotra të Marinës Vlorë në vende të tjera?
Do të thoshim se jemi të vonuar madje. Sot Mali i Zi ka disa marina të njohura, Kroacia natyrisht ka marina me famë ndërkombëtare, pa përmendur Greqinë dhe pafundësinë e plazheve apo ishujve të saj të njohur. Marina shërben si një motor zhvillimi për qytetin dhe zonën përreth. Punësimi në profile të ndryshme gjatë ndërtimit dhe funksionimit të saj, ekonomitë ndihmëse të lidhura me aktivitetin e saj, promovimi ndërkombëtar elitar që i bëhet bregdetit, janë disa prej kontributeve madhorë të marinës për qytetin ku ndodhet.
3. Cilët e sjellin këtë projekt
Porti turistik vjen si një produkt i ekspertizës së kompanive prestigjioze ndërkombëtare në fushën e menaxhimit të marinave si D-Marine. Shërbimet e ofruara do ta ngrenë Marinën Vlorë në nivelin e strukturës më pesë yje. Ajo do të reklamohet në panaire dhe media ndërkombëtare të specializuara, fakt që do të kontribuojë në njohjen e mëtejshme ndërkombëtare të qytetit të Vlorës si destinacion turistik.
Koncepti i Marines është zhvilluar nga kompani angleze me reputacion të padiskutueshëm në këtë fushë. Vlera e përgjithshme e investimit do të jetë 2.8 miliardë lekë, e shtrirë në 3-4 vite.
4. Ku qëndron Marina Vlorë në lidhje me të gjithë panoramën e zonës?
Marina plotëson natyrshëm kërkesat për ankorim të velierave, jahteve dhe mjeteve të tjera turistike, njëkohësisht ofron shërbimet që i japin penelatën finale projektit të shëtitores Lungomare, në gjatësinë e saj të sotme dhe vazhdimit që do të ketë nesër. Banorët e Vlorës dhe turistët do të kenë akses të drejtpërdrejtë e pa kufizime në shërbimet detarë në zemër të qytetit. Do të shijojnë magjinë e mjeteve lundruese të të gjithë flamujve, si në Portofino, Monte Karlo e të tjera qytete të mirënjohura.
5. Çfarë mund të presin banorët e zonës nga Marina Vlorë?
Përfitimet për popullsinë dhe ekonominë lokale janë në disa plane. Fillimi i punimeve do të hapë menjëherë vende pune, të cilat parashikohen të arrijnë ne disa qindra, në specialitetet inxhinier marine, inxhinier navigimi, inxhinier konstruktor, teknologji informacioni, arkitekt, financier, ekonomist dhe të tjera. Më pas, funksionimi i njësive përbërëse të portit do të kërkojë një numër të madh menaxherësh të shërbimeve të ndryshme dhe punonjës të të gjitha niveleve.
Marina Vlorë llogaritet që të shtojë numrin e turistëve në Vlorë me 200.000 persona në vit, pasi hoteleria do të jetë e standardit me 4 dhe 5 yje dhe qyteti do të futet në itineraret e rekomanduar të udhëtimeve luksoze. Porti i ri do të jetë veçse porta hyrëse e këtyre turistëve drejt pikave turistike të Vlorës, madje edhe të zonave më të afërta. Atëherë do të flasim vërtet për turizëm elitar në Vlorë dhe për gjithë përfitimet nga pushues të atij kalibri.
Ne kemi llogaritur që gjithë aktiviteti i Marinës Vlorë do t’i sjellë Vlorës rreth 4.3 milionë euro të ardhura në vit. Po të llogarisim edhe aktivitetin ekonomik të hotelerisë, restoranteve, furnizimin dhe mirëmbajtjen e mjeteve lundruese, vlera vjetore që përfiton ekonomia arrin deri në 20 milionë euro.
Duhet theksuar edhe që veprimtaritë e ndryshme argëtuese, kulturore apo sportive që do të zhvillohen në mjediset e portit të ri, do të mirëpresin edhe qytetarët e Vlorës apo vizitorët e ndryshëm që e kanë Vlorën në planet e tyre. Produktet dhe shërbimet e nevojshme për veprimtarinë e saj, Marina Vlorë do t’i sigurojë nga tregu vendas. Krahas kësaj, ajo do t’i përkushtohet promovimit të prodhimeve ushqimore dhe artizanale të zonës, vlerave historike dhe kulturore të rajonit të Vlorës. / KultPlus.com
Ngritja e muzeut hebraik në Vlorë, që do të rrëfejë historinë shqiptaro-hebreje, e që nuk nis gjatë Luftës së Dytë Botërore, kalon në një tjetër fazë tashmë, atë të konkursit ndërkombëtar për projektin arkitektonik.
Ftesës për të marrë pjesë në konkursin e organizuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF) dhe Ministria e Kulturës i janë përgjigjur 5 studio, Kimmel Eshkolot Architects, Tel Aviv/Izrael, Merz & Renz GmbH + Co. KG, Berlin/Gjermani, studio Terragni Architetti, Como/Itali, Wandel Lorch Götze Wach GmbH, Frankfurt/Gjermani dhe Winkler + Ruck Architekten, Klagenfurt/Austri.
“Ky muze do të jetë një magnet tërheqës jo vetëm për turistët, si pjesë integrale e qendrës historike të qytetit, por mbi të gjitha për të rinjtë. Shpresojmë që studiot pjesëmarrëse në konkurs, të mund të kapin shpirtin dhe domethënien që ky muze ka për shqiptarët dhe hebrenjtë, në një bashkëjetesë shekullore”, deklaroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjatë një forumi online me përfaqësuesit e 5 kompanive. / KultPlus.com
Në fshatin Vranisht të bashkisë Himarë i cili ndodhet rrëzë malit të çikës gjejmë gdhendeshin e gurit Selman Pazo.
Veçantia e tij është se edhe pse 85 vjeç mban gjallë një profesion unik, të përpunimit të gurit. Që fëmijë 85 vjeçari ka patur pasion gdhendjen lojërat e fëmijërisë.
Gjithë jetën me shumë durim e ka zbutur gurin. Ai çdo ditë ecën në rrëzë malit të Cikës për të marrë copa shkëmbi e më pas ti kthej në vegla muzikore. Për ne ai luan një melodi që e ka quajtur guri që këndon.
Për Selmanin dy cylat e dyjares i ngjajnë kullave binjake dhe kërkon qe kjo dhuratë simbolikë të covet në ambasadën amerikane në Shqipëri. Në dhomën e tij “muze” gjen një botë të vogël guri të kthyer në art ku çdo suvenir është punuar vetëm me duar.
Sipas Sejmen Gjokoli, specialist i trashëgimisë kulturore në Vlorë dhe i shoqatës Art craft ”, ky rast është i unik dhe në zhdukje. /tch/ KultPlus.com
Edhe në natën e dytë të Prishtina International Film Festival, Teatri Kombëtar ishte i mbushur plot me njerëz që kishin ardhur për të parë filmat e paralajmëruar për t’u shfaqur në këtë natë.
Interesimi i madh i publikut shihej në sallën e teatrit kur filloi të shfaqej premiera e filmit ‘Vlora’. Ky film me regji të Erblin Nushit, me role kryesore Irena Cahanin, Luan Jahën dhe Shengyl Ismailin shfaq problemet e një familje pas luftës në Kosovë, shkruan KultPlus.
Vlora, një nënë që siguron të ardhurat e familjes përmes qepjes së rrobave, ftohet nga shoqja e saj për të punuar në një organizatë ndërkombëtare që ka për qëllim edukimin e grave nëpër fshatra. Sfida e madhe e Vlorës është ta bindë burrin e saj i cili është kundër që gruaja e tij të punojë, për shkak të paragjykimeve nga njerëzit përreth.
Përkundër dhunës nga bashkëshorti, ajo vendos t’i lë pas shpinës të gjitha dhe të fillojë një etapë të re në jetën e saj. Hapja e derës për t’u nisur në punë, shënon çlirimin e dytë të Vlorës pas përfundimit të luftës.
Regjisori Erblin Nushi thotë se ky film ka ardhur pas rrëfimeve që kishte dëgjuar nga nëna e tij.
“Ky film është bazuar nga rrëfimet që më ka treguar nëna ime, e cila ka punuar në një organizatë ndërkombëtare pas luftës dhe storjet që më ka treguar ajo më kanë lënë shumë përshtypje prandaj kam dashur ta realizoj këtë tregim “ – tha Nushi pas premierës së filmit.
Ndërkaq aktorja Irena Cahani që në film shfaqet me rolin e Vlorës, bën thirrje në edukimin e djemve për ta respektuar dhe dashur gjininë femërore./KultPlus.com
Më 8 gusht 1991, anija shqiptare e mallrave “Vlora”, mbërriti në portin e Barit, e tejmbushur me refugjatë nga Shqipëria.
Autoritetet e qytetit dhe rajonit, me mbështetjen e agjencive të lajmeve, gazetave lokale e jo lokale apo lajmeve televizive, përkujtuan ngjarjen si një lloj feste të ndjenjës së mirëpritjes, tanimë e humbur.
Por ngjarjet kanë pasur një rrjedhë të ndryshme: imigrantët fillimisht u mbyllën në stadiumin e vjetër Della Vittoria, dhe më pas u riatdhesuan për në Shqipëri.
Gjendje shëndetësore e mjeteve tona të komunikimit duhet të jetë e lëkundur deri sa dembelizmi pengon rindërtimin e ngjarjeve, të bujshme, që kanë ndodhur vetëm njëzet vjet më parë.
Le të shohim pra se kanë shkuar gjërat, duke ndjekur kronikat e asaj kohe.
Anija Vlora, mbërrin nga Durrësi, gati pa karburant, mundohet të hedhe spirancën në Brindisi, por nuk pranohet dhe drejtohet për në Bari.
Në bord ka edhe njerëz të armatosur, përveç imigrantëve në arrati nga 45 vjet regjimi komunist, tanimë i shkërmoqur, ka dhe gra e fëmijë. Komandanti Halim Milaqi i rrëfen gazetarit Antonio Padalino të revistës ‘Panorama’ se anija e tij kishte mbërritur në port nga Kuba, plot me sheqer, dhe shkarkimi i saj nuk kishte përfunduar akoma, kur e pa që po afrohej ky det njerëzish.
Atëherë jep urdhër që të fillojë lundrimi, por disa policë, që kanë arritur të hipin, i vënë një thikë në fyt dhe e detyrojnë të kthehet prapa për të marrë të gjithë ata njerëz.
Sa janë në bord? Gazetat e 9 gusht 1991 shkruanin se bëhej fjalë për 11 000 persona, ndërsa në kronikat e sotme flitet për 20.000. Një gjë është e sigurt, ishte një morì mbresëlënëse njerëzish, e shumë prej tyre ishin kapur edhe në shtizën e flamurit.
Fotografitë e Luca Turi dhe Vittorio Arcieri janë tronditëse dhe kanë përjetësuar edhe njerëz që, pas mbërritjes në port, janë hedhur në ujë nga anija.
Në orën 11e 30 lumi i njerëzve ndodhet në platformë. Kërkojnë bukë dhe ujë. Vlora është kthyer në një nevojtore me erë të keqe. Policia i drejton të gjithë në stadiumin e vjetër të futbollit, ne pritje të vendimeve.
Kryeministri, Giulio Andreotti, dikton nga Roma këtë deklaratë: ‘Nuk jemi absolutisht në gjendje të mirëpresim shqiptarët që po dynden në brigjet italiane dhe vetë qeveria e Tiranës është dakord me ne që ata duhet të riatdhesohen në vendin e tyre’.
Në stadium plas revolta.
Më të rinjtë shkulin pllakat e shkallëve dhe hedhin gurë kundër policisë. Përleshje të ashpra zgjatën tre ditë, më të dhunshmet qenë ato të së dielës, më 11 gusht, me 40 të plagosur mes policisë dhe një numër i pacaktuar mes protestuesve.
Shqiptarëve u jepet ushqimi dhe uji nga qielli, më thasë të hedhur nga helikopterët. Ishin skena Apokalipsi.
Ndërkohë organizohet operacioni më i madh i riatdhesimit në historinë e Republikës së Italisë. Në të marrin pjesë 11 avionë ushtarakë C130 dhe G222, së bashku me tre Super80 të Alitalia-s dhe motobarka si Tiepolo, Palladio dhe Tiziano, në të cilën hipën klandestin gazetari i ‘Il Messaggeros’ Marco Guidi.
Ai u hoq si shqiptar për të mund të njohur historitë e imigrantëve. Në fillim shumë prej tyre nuk e dinë se po i kthejnë. ‘Është e vërtetë që do na çoni në Venecia?’ pyet njëri ekuipazhin, sipas rrëfimit të Marco Guidi.
Të riatdhesuarit qenë 17 mijë e 400, më shumë nga pasagjerët e Vlorës (e përsërisim sipas shifrave të asaj kohe), sepse u riatdhesuan edhe imigrantë që kishin mbërritur me anije të tjera.
Mbetën në Itali 1.500 vetë që kishin paraqitur kërkese për stremi politik.
Gianni De Michelis, ministër i Punëve të Jashtme, fluturoi për në Tiranë për të ilustruar një plan italian ndihme: 90 miliardë lireta për ushqime, 60 miliardë për industrinë dhe furnizimet për hapjen në tetor të shkollave, dhe bashkëpunim në rendin publik për të parandaluar ikje të tjera.
Në Parlament pati polemika mbi metodat e rrepta, madje brutale, të këtij operacioni. Shumë më pak mbi thelbin e tij. Në një konferencë shtypi deputetët e PDS (Partia Demokratike Italiane e sotme) ‘megjithëse kuptojmë vendimin e dhimbshëm për riatdhesimin e refugjatëve në Shqipëri’ ata denoncuan ‘zgjedhjen e pamenduar për të mos respektuar të drejtat e njeriut, duke u mohuar atyre një asistencë të denjë.’
Kjo është e vërteta e fakteve, që askush sot nuk mund t’i ndryshojë. Megjithatë, në ato vite, Italia në përgjithësi dhe Puglia në veçanti dhanë prova shumë të mëdha mikpritjeje.
Më pas mes Romës dhe Tiranës do të lidhet një marrëveshje model, e cila arriti të lehtësojë emigracionin e rregullt të të shumë shqiptarëve.
Por historia e anijes Vlora është kjo.
Marrë nga kronikat mediatike të kohës. / KultPlus.com
E përditshmja prestigjioze italiane “La Repubblica” ka kujtuar 30-vjetorin e anijes “Vlora” përmes rrëfimeve të fotografit të kohës Lorenzo Turi.
Tridhjetë vjet më parë 20 mijë shqiptarë zbarkuan në Bari nga anija e Vlorës. Ajo ngjarje mbahet mend në të gjithë botën mbi të gjitha falë një fotografie që më mirë se çdo fjalë arriti të përcillte dimensionet e dramës: mijëra njerëz u mblodhën në mol dhe po aq akoma në bordin e anijes, të kapur pas litarëve ose shtizave të flamurit. Por ndoshta pak njerëz e dinë që ai imazh është marrë nga një djalë i vogël. Lorenzo Turi ishte 16 vjeç në atë kohë dhe punonte në agjencinë e fotografive të babait të tij Luca.
“Kjo është një fotografi që kam bërë në orën 14.30, pas disa orësh që anija ishte ankoruar: kalata ishte plot dhe anija ishte ende plot me njerëz, sikur askush të mos kishte zbritur”.
Sot, 30 vjet më vonë, pavarësisht përvojave në gjysmën e botës edhe në skenarët e luftës për Reuters, për Sky dhe tani edhe për agjencinë e prodhimit dhe shërbimit Xentek, kujtesa e 8 gushtit 1991 mbetet e pashlyeshme.
“Ajo ditë nuk mund të harrohet – thotë Turi sot – sepse është një gjë unike, e papërsëritshme. Asnjëherë nuk kishte ndodhur dhe ndoshta nuk do t’i ndodhë askujt që të ballafaqohet me një anije që ishte shndërruar në një lloj pengese njerëzore. Për orë të tëra, burra, gra dhe fëmijë të të gjitha moshave dolën nga anija Vlora, të ndotur, të lodhur, të uritur dhe në nevojë për gjithçka ”.
Fotografi shumë i ri po kërkonte një pikë nga e cila mund të kishte një paraqitje të saktë të situatës.
“Unë u ngjita – thotë ai – në murin e portit duke u ngjitur në një shkallë të ndryshkur. Nuk kishte dritë perfekte, por pozicioni ishte i mirë. Dhe kështu bëra fotografinë: ai imazh është bërë simboli i kësaj historie”.