Dumoshi uron 28 Nëntorin, thotë se në këtë datë Shqipëria u bë e barabartë me kombet evropiane

Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi ka publikuar një fotografi pranë pamjes së re të këtij institucioni kulturor, duke shprehur urimet e saj për 28 Nëntorin, shkruan KultPlus.

Dumoshi në foton e publikuar nga faqja zyrtare e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit duket pranë flamujve kuq e zi që kanë zbukurar hyrjen e këtij institucioni, teksa ka bashkangjitur edhe urimin e saj për festën kombëtare.

KultPlus ua sjell të plotë deklaratën e Dumoshit:

PËR 28 NËNTORIN – FESTËN E FESTAVE 🇦🇱❤️

Si sot, 108 vjet më parë, kombi ynë shqiptar, me vullnetin, zërin dhe forcën e përfaqësuesve nga të gjitha trevat etnike ku pati shqiptarë, shpalli pavarësinë, duke e bërë Shqipërinë të barabartë me kombet e tjera moderne evropiane.

Ndonëse për vite me radhë shqiptarët padrejtësisht mbetën jashtë kufijve të imponuar, me sakrifica arritën të ruajnë të shenjtë gjuhën, traditat dhe Flamurin kuq e zi.

28 Nëntori është dhe më kuptimplotë për ne shqiptarët e Kosovës meqë lidhet me ditëlindjen e Komandantit legjendar Adem Jashari i cili bëri kthesën e historisë së re e Kosovës.

Sot kur gëzojmë lirinë e munguar ndër shekuj, me të drejtë, si shqiptarë në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni e Diasporë mund të konsiderohemi qytetarë të denjë europianë, të shquar në mikpritje, empati, maturi, përgjegjësi dhe dashuri për njëri tjetrin.

Patriotizmin sot e tregojmë më së miri duke qenë qytetarë të ndërgjegjshëm, që shtetin e kanë shtëpi, detyrë e përgjegjësi.

Gëzuar 28 Nëntorin!

Nder të përjetshëm baballarëve, martirëve e të rënëve!

Vlora e Kosovës  . / KultPlus.com

Hyrja e Ministrisë së Kulturës zbukurohet me motivet kuq e zi

Krahas ndërtesave të Kuvendit dhe Presidencës së Kosovës në të cilat janë vendosur flamujt kombëtar, edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka marrë një pamje tjetër, shkruan KultPlus.

Dera hyrëse, pemët, shkallët që janë afër kësaj Ministrie tanimë janë mbështejllur me flamurin kuq e zi në pragë të 28 Nëntorit. Kombinimi i dy krenares së bukur me flamurin e Kosovës në këtë institucion ka dëshmuar edhe një herë vëllazërinë mes kombit shqiptar.

Këtë ndërrim të pamjes e ka shpërndarë ministrja për Kulturë, Vlora Dumoshi në profilin e saj në facebook.

KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Dumoshit:

Dita më domethënëse kushtuar lirisë së popullit tonë, sot këndojmë për të gjithë patriotët që mbrojtën Atdheun shqiptar.

Në festën tonë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndriçon nga dy flamujt vëllazëror 🇦🇱🇽🇰.

Gëzuar ditën e madhe të Fitores👐🏼

28.11.1912 💪🏼

Vlora e Kosovës . / KultPlus.com

Veprimtaria e Anton Çettës do të shpaloset nesër në ekspozitën “Rrëfim biografik”

Për nder të ditës së 28 Nëntorit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do ta organizoj ekspozitën “Rrëfim biografik” kushtuar Anton Çettës, shkruan KultPlus.

Muzeu Kombëtar i Kosovës do të hap dyert nesër duke filluar nga ora 13:30 për të shpalosur rrëfimin biografik të njeriut që u bë simbol i bashkimit, nëpërmjet kurimit të Skender Boshtrakajt.

Kjo ekspozitë do të organizohet në kuadër të muajit të Anton Çettës. / KultPlus.com

Ansambli “Shota” kremton 70 vjetorin, nga viti i ardhshëm do të jetë institucion në vete

Artdashës të grup moshave të ndryshme në kohëra të llojllojshme kishin gjetur bashkim në Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”.

Kjo shtëpi e valleve dhe kulturës tanimë feston 70 vjetorin e themelit të saj, teksa bëhet me dije se vitin e ardhshëm do të jetë institucion në vete, shkruan KultPlus.

Përtej shfaqjeve skenike dhe kërcimeve nën ritmin muzikor, ky ansambël tani është kthyer në vulë të rezistencës kulturore të vendit, duke dëshmuar në epoka të ndryshme rëndësinë e traditave dhe përcjelljes së tyre brez pas brezi.

Tash teksa ka krijuar një histori në vete, 70 vjetorin e saj “Shota” e feston dinjitetshëm, duke e pasur një listë të gjatë emrash që dikur ia ka hapur dyert.

Edhe ky përvjetor bashkoi shumë njerëz, në ceremoninë e festimit të së cilës e pranishme ishte edhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, e cila u shpreh se ndjehet e nderuar të jetë pjesëmarrëse në këtë ngjarje.

Për dallim nga të përvjetoret tjera, ky i sivjetmi u ndje ndryshe. Kërkesa e kahmotshme e Ansamblit “Shota” gjeti realizim.

“E kam mbajtur premtimin dhe nga janari i vitit 2021, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, do të jetë institucion i pavarur”, u shpreh Vlora Dumoshi.

Tutje ministrja çmoi lart kontributin që dha “Shota” në jetën kulturore të vendit.

“Në 70 vite jetë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve ka kaluar nëpër peripeci dhe sfida të shumta, por ai është ngritur mbi to dhe është shndërruar jo vetëm në një institucion që mbanë gjallë traditën tonë të këngëve, valleve, veshjeve autentike dhe galerisë së pashtershme të motiveve popullore, por edhe në një ambasador të mirëfilltë të kulturës sonë në botë”, tha Dumoshi.

Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota” përveç në vendin tonë, tanimë është dëshmuar edhe në skenat e shteteve përtej kufirit duke rrëmbyer çmime të shumta. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi takoi ambasadorin e Hungarisë, Jozsef Bencze

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka takuar sot Ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Jozsef Bencze, me të cilin diskutoi për çështje dhe tema që janë të interesit dypalësh, për marrëdhëniet mes dy shteteve dhe për bashkëpunimin konkret mes Kosovës dhe Hungarisë në fushat që janë në domenin e ministrisë.

Ministrja Dumoshi e falënderoi Ambasadorin Bencze për vizitën, dhe u shpreh se MKRS-ja është e interesuar që të rrisë bashkëpunimin me Hungarinë me veprime dhe projekte konkrete të përbashkëta, sidomos në fushat që lidhen me kulturën, sportin dhe rininë.

Ndërsa Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Jozsef Bencze, e falënderoi ministren Dumoshi për pritjen dhe u shpreh se Hungaria dëshiron që të bashkëpunojë ngushtë me Institucionet e Kosovës, dhe në këtë rast, me ministrinë në veçanti për të finalizuar iniciativa dhe realizuar projekte që janë në interesin e dyanshëm. / KultPlus.com

Nesër nënshkruhet memorandumi për Atashetë Kulturorë të Kosovës

Ministra e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj gjatë ditës së nesërme do të nënshkruajnë Memorandum të Bashkëpunimit për Atashetë Kulturorë, shkruan KultPlus.

Nënshkrimi i këtij memorandumi do të bëhet në objektin e ministrisë të punëve të jashtme dhe diasporës në orën 11./ KultPlus.com

Loriana Kuka fiton medaljen e bronztë në xhudo, Dumoshi: Kjo dëshmon kapacitetin e vajzave kosovare në xhudo

Loriana Kuka është një emër tjetër nga lista e gjatë e vajzave të Kosovës që na bëjnë krenar. Së fundmi, ajo fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të xhudos, në Pragë shkruan KultPlus.

Ajo këtë sukses e ka shënuar duke mposhtur italianen Giorgia Stangherlin në kategorinë 78 kilogramë.

Kurse ministra e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, këtë fitore e ka cilësuar si një dëmshi të radhës të kapacitetit të vajzave të Kosovës në xhudo.

“Loriana Kuka ka shkëlqyer në Pragë si medaliste e bronztë e Evropës, në kategorinë – 78 kilogramë të xhudos kundër italianes Giorgia Stangherlin, gjë që dëshmon edhe njëherë kapacitetin e vajzave të Kosovës në këtë sport:, ka shkruar Dumoshi.

Krahas Lorianës, në Pragë, ekipi i Kosovës ka rrëmbyer medaljen e bronztë edhe me Distria Krasniqin.

Kujtojmë që edhe xhudistja tjetër nga Kosova, Distria Krasniqi ditë më parë ka fituar medaljen e medaljen e bronztë në po këtë kampionat./KultPlus.com

Dumoshi nga stadiumi ‘’Fadil Vokrri’’: Zëri i heroinave të Kosovës sot kumbon për fitoren e madhe

Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi ka vizituar stadiumin ‘’Fadil Vokrri’’, meqë rast ka shprehur përkrahjen e saj ndaj lojëtarëve të Kosovës për lojën kundër Moldavisë, shkruan KultPlus.

Të veshur me fanela të cilat janë një kombinim mes Dardanëve dhe llogos së fushatës si përkrahje ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale, Dumoshi ka shpërndarë fotografi bashkë me kryeministrin Avdullah Hoti dhe ish-presidenten Atifete Jahjaga.

‘’Forca djelmoshave që sonte sfidohen në lojën kundër Moldavisë. Bashkë me Kryeministrin Hoti dhe ish-Presidenten Jahjaga sapo vizituam stadiumin “Fadil Vokrri” ku do të mbahet ndeshja e i cili sot është veshur nga “Dardanët” në mbështetje të fushatës senzibilizuese ‘Bëhu zëri im’ në përkrahje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë’’, ka shkruar ministrja Dumoshi.

Tutje ajo ka theksuar se zëri i heroinave të Kosovës sot kumbon për fitoren e madhe.

Ulëset e stadiumit ‘’Fadil Vokrri’’ sot morrën një pamje tjetër, duke u veshur me llogot e lules Anemone, kuptimi i së cilës është shpresë për të mbijetuarit e dhunës seksuale./ KultPlus.com

MKRS-ja me investime të shumta në Komunën e Podujevës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka vizituar Komunën e Podujevës me qëllim të përurimit të fushës multifunksionale sportive në Kërpimeh, ku Ministria ka investuar 25 mijë euro dhe të nisjes së punimeve për fushën tjetër multifunksionale sportive në Siboc të Podujevës, projekt të cilin e investon vet komuna.

Po ashtu, ministrja vizitoi edhe stadiumin e qytetit “Zahir Pajaziti”, në Podujevë, në të cilin janë duke u zhvilluar punimet e fazës së dytë dhe ministria po investon 750 mijë euro. Kurse në fazën e tretë do të investohen edhe 1 milion euro dhe fusha e stadiumit do të bëhet me bari natyral ashtu edhe siç kërkohet sipas standardeve. Në projektin e investimeve në këtë stadium janë paraparë edhe rregullimi i tribunave dhe ndriçimit, ndër shumë detaje tjera.

Ministrja Dumoshi me këtë rast vlerësoi se MKRS-ja e ka përkushtimin për zhvillimin e sportit ku përfitues në rend të parë janë të rinjtë, sportistët aktiv dhe qytetarët e komunitetit të kësaj rrethine.

“Përkushtimi im si ministre do të vazhdojë do jetë në secilën komunë, në çdo cep të Kosovës, për avancimin e sportit, por edhe në kulturë e në rini. Kjo është vizita ime e katërt në komunën e Podujevës me qëllim të fillimit, inspektimit dhe përurimit të shumë projekteve sportive”, tha ndër të tjera ministrja.

Ministrja Dumoshi tha se MKRS-ja ashtu siç ka bashkëpunim të shkëlqyer me Komunën e Podujevës, një bashkëpunim të tillë e ka me të gjitha komunat e Kosovës pa përjashtim, në shumë projekte në fushat në të cilat janë në domenin e MKRS-së.

Ndërkaq, u.d. kryetari i Podujevës, Nexhmi Rudari, tha se këto projekte sportive janë në interes të qytetarëve të këtyre lokaliteteve dhe do të plotësojnë hapësirat e munguara për aktivitete sportive.

Rudari e falënderoi ministren dhe MKRS-në për tërë përkrahjen që ka treguar ministria për realizimin e projekteve të ndryshme, e këtyre në Kërpimeh e Siboc, dhe në stadiumin e qytetit në veçanti./ KultPlus.com

Ndahen çmimet për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka nënshkruar vendimet për çmimet për laureatët për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020, në bazë të vlerësimeve të Jurisë Profesionale.

Çmimi i parë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020 i ndahet dramës “Cari i Carave”, të autorit Agim Sopi; Çmimi i dytë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020 i ndahet dramës “ Shtëpia e të humburve “, të autorit Zgjim Baraliu; Çmimi i tretë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020 i ndahet dramës – “ Era”, të autores Albana Muja.

Ministrja Dumoshi me rastin e nënshkrimit të vendimeve i uroi laureatët për çmimet duke e vlerësuar dhe marrë në konsideratë punën e jurisë profesionale.

“I uroj fituesit e çmimeve sivjet dhe i falënderoj autorët e dramave për sjelljen e këtyre dramave në jetë duke kontribuuar kësisoj në krijimtarinë artistike për këtë vit. Si ministri përmes këtyre çmimeve ne e tregojmë mirënjohjen për autorët që shkruajnë drama si dhe nxisim krijimtarinë e vlerat e mirëfillta”, tha mes tjerash ministrja.

Në bazë të vendimeve të nënshkruara nga ministrja Dumoshi, çmimi i parë shoqërohet me shpërblim financiar prej 3600 euro, i dyti me 2400 euro dhe i treti me 1200.

Çmimet u janë ndarë laureatëve pa ceremoni të organizuar ashtu siç edhe tradicionalisht MKRS-ja i ndan këto çmime, për arsye se njëri prej tyre është i infektuar me virus dhe kjo gjë ka pamundësuar një organizim të këtillë.

Juria Profesionale ka qenë në përbërje të Selman Jusufi – kryesues, dhe anëtarët: Arian Krasniqi – dramaturg, Ilir Bokshi – regjisor, Naser Shatrolli – dramaturg (përfaqësues i MKRS-së) dhe Adrian Morina – aktor. / KultPlus.com

Institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë nga viti tjetër me kode të veçanta buxhetore

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar sot një takim me drejtuesit e institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, për të diskutuar planifikimin dhe programet e punës për vitin 2021.

Ministrja Dumoshi në takim, drejtuesve ua kumtoi lajmin se nga viti ardhshëm institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore do të kenë kodet e veta buxhetore, veprim ky i rëndësishëm drejt pavarësimit financiar të institucioneve.

“Më lejoni t’ju informoj se kam zhvilluar takim me drejtuesit e Ministrisë së Financave dhe Transfereve që institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore të pajisjen me kode buxhetore”, tha mes tjerash ministrja Dumoshi.

“Krahas kësaj dhe në përputhje me aktet ligjore në fuqi, do të angazhohemi që të hartohen statutet e institucioneve, si dhe rregullimin e përhershëm të marrëdhënies së punës për performuesit dhe profesionistët e fushave specifike të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore”, njoftoi ministrja.

Këto janë disa nga punët që i kemi shtyrë përpara sqaroi tutje ministrja, kurse falënderoi drejtuesit e institucioneve që me kohë kanë dorëzuar planifikimet e tyre për vitin 2021, në përputhje me kërkesat e reja.

Në këtë kuadër ministrja u zotua se do të ndërmarrë veprime në shpalljen e procedurës për rekrutim për pozitat udhëheqëse, për institucionet e kulturës të cilat aktualisht janë me ushtrues detyre.

Gjithashtu, ministrja i falënderoi drejtuesit e institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore për angazhimet e tyre edhe në rrethana të pandemisë.

Ministrja foli edhe për Euroimazhin, ku përmendi që bashkë me QKK-në janë duke shtyrë përpara procesin dhe theksoi se do të ketë edhe aktivitete tjera deri në fund të vitit me institucionet vartëse të trashëgimisë kulturore.

Nga ana tjetër, drejtuesit e institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore mirëpritën lajmin për kodet buxhetore dhe se kjo do t’ua lehtësojë punën dhe efikasitetin. Ata thanë se kjo është një prej gjërave më të mira që do të mund t’u ndodhte institucioneve që drejtojnë, pasi që do të ndikojë drejtpërsëdrejti në rritjen e performancës së institucioneve.

Ata e falënderuan ministren Dumoshi për këtë angazhim dhe thanë se krahas kësaj nisme do të angazhohen dhe bashkëpunojnë ngushtë me MKRS-në drejt avancimit të fushave të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, si dhe duke ngritur përgjegjësinë dhe llogaridhënien./ KultPlus.com

Ministrja Dumoshi priti në takim përfaqësuesit e Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti sot në takim përfaqësues të Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, në krye me Erzen Hysenin.

 Ministrja Dumoshi u shpreh shumë e lumtur që i mirëpret në takim, meqenëse rinia është fokus i saj prej marrjes së mandatit.

Ministrja i informoi për ndryshimet që po bëhen në Ligjin për Rininë i cili do të parashohë ndryshime të shumta pozitive për të rinjtë e Kosovës. Vlen të përmendet ndryshimi i moshës nga 15-24 vjeç në 15-29 vjeç si dhe për njohjen e vullnetarizmit si përvojë punë.

Gjithashtu i njoftoi për mbështetjen financiare që u është bërë të rinjve përmes thirrjes publike ku MKRS ka ndarë 500.000 euro për ndërmarrësi, 100.000 mijë euro për integrim shoqëror, 120.000 euro për promovim dhe edukim shëndetësor dhe 100.000 euro për edukim jo-formal në fushën e rinisë.

 Të njëjtat çështje ishin fokus i interesimit edhe nga ana e përfaqësuesit e Parlamentit Studentor të cilët u shprehën shumë të lumtur që ka zhvillime për të mirën e të rinjve të Kosovës.

Përfaqësuesit e Parlamentit Studentor e njoftuan për punën e tyre dhe angazhimin e vazhdueshëm brenda Universitetit të Prishtinës, ndonëse në periudhë pandemie.

Ndër të tjera shpalosën edhe dy ide për projekte për të cilat kërkuan ndihmën e MKRS-së.

Ministrja Dumoshi u shpreh e angazhuar dhe e determinuar të mbështesë secilën iniciativë që vjen nga të rinjtë dhe për të rinjtë. / KultPlus.com

MKRS dhe UNKT me programe të përbashkëta për fuqizimin e të rinjve

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot në takim Koordinatoren e OKB-së për Zhvillim Ulrika Richardson dhe Përfaqësuesen e Përhershme të UNDP-së në Kosovë, Maria Suooko.

Temë bosht e këtij takimi ishte Rinia dhe bashkëpunimi për programet e platformat e përbashkëta të cilat i mbështesin të rinjtë.

Ministrja Dumoshi i informoi për mjetet dhe mbështetjen që MKRS i ka dhënë të rinjve përmes thirrjeve publike.

“Kemi qenë jashtëzakonisht të lumtur dhe njëkohësisht të befasuar për numrin e tejkaluar të të rinjve të cilët kanë aplikuar për ndërmarrësi. Parashihej që të trajnoheshin 400 të rinj mirëpo si pasojë e këtij interesimi kemi trajnuar 1255 të rinj në total, rrjedhimisht u certifikuan 755 aplikues në trajnime profesionale dhe 500 aplikues në ndërmarrësi. Ky është numri më i madh i të rinjve të trajnuar ndonjëherë dhe për këtë nuk kemi se si të jemi më të kënaqur.”

Çfarë e ka bërë certifikimin edhe më të rëndësishëm është edhe përfshirja e komuniteteve serbë, ashkali dhe egjiptas, të cilët kanë pasur një entuziazëm të jashtëzakonshëm për aftësitë e mara gjatë këtyre trajnimeve.” – theksoi ministrja Dumoshi.

Ministrja Dumoshi gjithashtu i informoi znj. Richardson dhe znj. Suooko për fondin e rimëkëmbjes prej 5 milion euro në të cilin parashihet: Ndarja e mjeteve financiare e bazuar në tri masa specifike në mënyrë që secilit sektor t’i ofrohet mbështetje relevante.

Masa 1 i referohet punës në praktikë për të rinjtë të cilët do të kenë mundësinë të angazhohen në sektorin publik dhe privat. Masa 2 i referohet mbështetjes direkte financiare për klubet e sportit që janë të regjistruara në federatat përkatëse sportive ndërsa Masa 3 i referohet mbështetjes financiare për organizatat kulturore, krijuesve të pavarur dhe hulumtuesve të kulturës, rinisë dhe sportit.

Koordinatorja e OKB-së për Zhvillim në Kosovë znj. Richardson dhe Përfaqësuesja e Përhershme të UNDP-së në Kosovë znj. Suooko e falënderuan ministren për pritjen si dhe ofruan bashkëpunim të mëtejmë midis institucioneve, me theks të veçantë për angazhimin e të rinjve në luftën kundër pandemisë Covid -19.

Ky takim u ka paraprirë edhe shumë takime të mëtejme në të cilat do të konkretizohet bashkëpunimi mes MKRS-së dhe Ekipit të OKB-së në Kosovë. / KultPlus.com

Telegram ngushëllimi i ministres Dumoshi me rastin e vdekjes së Emin Dushullovcit

Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të punëtorit shumëvjecar si dhe njëherësh Sekretar Teknik i Federatës Skitare të Kosovës, Emin Dushullovci.

Baca Emin ashtu siç e thërrisnin të gjithë, ishte punëtor i vyer përgjatë dekadave të shumta të konsolidimit dhe zhvillimit të sportit të skitarisë në vendin tonë. Ishte njeri me vullnet të madh për avancimin e gjeneratave dhe kushteve në të cilën organizoheshin garat e skitarisë në kohën e paraluftës e atë të Republikës së Kosovës.

I përjetshëm do të jetë emri, puna dhe kujtimi për veprën e tij.

Me këtë rast i shpreh ngushëllime familjes, miqve të të ndjerit, FSK-së, komunitetit të skijimit dhe komunitetit sportiv./ KultPlus.com

Qeveria e Kosovës miraton propozimin e Dumoshit për shpërndarjen e fondit të rimëkëmbjes

Qeveria e Kosovës, sot në mbledhjen e qeverisë ka miratuar propozimin e Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi për Planin e veprimit dhe kriteret për shpërndarjen e fondit të rimëkëmbjes.

MKRS pasi e ka analizuar gjendjen e tre sektorëve ka përgatitur metoda konkrete dhe kritere specifike për zbatimin e këtij vendimi për të siguruar ndarje korrekte dhe racionale të mjeteve financiare në përputhje me nevojat në terren.

 Ndarja e mjeteve financiare do të bazohet në tri masa specifike në mënyrë që secilit sektor t’i ofrohet mbështetje relevante.

 Masa 1 i referohet punës në praktikë për të rinjtë të cilët do të kenë mundësinë të angazhohen në sektorin publik dhe privat duke u kompensuar me 170 € në muaj.

Masa 2 i referohet mbështetjes direkte financiare për klubet e sportit që janë të regjistruara në federatat përkatëse sportive.

Masa 3 i referohet mbështetjes financiare për organizatat kulturore, krijuesve të pavarur dhe hulumtuesve të kulturës, rinisë dhe sportit.

 Në momentin e parë që do të transferohen mjetet financiare, MKRS do të fillojë me zbatimin e këtij plani. Vendime të mira dhe shumë të rëndësishme për qytetarët, në veçanti për kulturën, sportin dhe të rinjtë e Kosovës. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi përuron objekte të reja kulturore në Ferizaj

Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi sot ka qenë në qytetin e Ferizajt bashkë me zëvendësministrat Halil Matoshi e Qazim Rrahmani dhe është pritur nga kryetari i kësaj komune Agim Aliu. Me këtë rast është përuruar kompleksi i fushave të tenisit dhe është vënë gurthemeli i Pallatit të Kulturës, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në profilin e saj në facebook, ministrja Dumoshi ka bërë të ditur se fushat e tenisit janë një investim në vlerë prej 100 mijë eurove.

Tutje ajo ka treguar se Pallati i Kulturës që sot ju vu gurthemeli, është i pari i këtij lloji në Kosovë.

“Bashkë me Kryetarin dhe aktorët e Teatrit të Ferizajt vëmë edhe gurthemelin e vendit ku po ngrihet Pallati i Kulturës, i pari i këtij lloji në Kosovë për nga kapaciteti dhe shtrirja e veprimtarive, gjithashtu i përkrahur financiarisht nga MKRS”, ka shkruar Dumoshi.

Ajo ka bërë të ditur se në Pallatin e Kulturës do të zënë vend qendra rinore, teatri dhe biblioteka e këtij qyteti.

Qëndrimin në Ferizaj, Vlora Dumoshi e ka vazhduar duke vizituar palestrën sportive “Bill Klinton”, për shqyrtim të nevojave dhe përmirësimeve të duhura./KultPlus.com

Në Komoran nis stadiumi sintetik, investim i MKRS-së mbi gjysmë milioni euro

Komunës së Drenasit i shtohet edhe një terren sportiv sintetik. Për këtë Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, zëvendësi Halil Matoshi dhe Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, kanë vënë gurthemelin e stadiumit sintetik në Komoran, projekt kapital që tejkalon shumën prej gjysmë milioni euro dhe që pritet të përfundojë brenda dy viteve.

 Në kuadër të vizitës së punës në Drenas, Ministrja Dumoshi ka treguar se bashkë me Kryetarin Lladrovci, kanë bërë homazhe tek shtatorja e Fehmi e Xhevë Lladrovci, për të vazhduar tek Stadiumi “Rexhep Rexhepi” i cili është financuar nga MKRS-ja.

 Gjithashtu, ministrja tha se kanë biseduar për projektet që janë në realizim dhe ato që kanë qenë në plan të realizohen në të ardhmen, por për shkak të shkurtimeve buxhetore si pasojë e pandemisë, projektet që do të realizohen janë vetëm ato që kanë vazhdimësi, ndërsa projektet e reja, do të shtyhen për një kohë, ka paralajmëruar ministrja.

 “Në Drenas e kudo në Kosovë, ka përmirësim të dukshëm të infrastrukturës sportive e kulturore dhe kjo na gëzon si ministri, meqenëse ky është synimi i të gjitha investimeve”, ka thënë ministrja.

 Kurse nga ana e tij, kryetari Lladrovci, ka falënderuar ministren dhe MKRS-në për përkushtimin dhe përkrahjen për projektet që janë në dobi të qytetarëve të Komunës së Drenasit. Ai tha se MKRS-ja dhe Komuna kanë një bashkëpunim të shkëlqyer. / KultPlus.com

MKRS-ja ndan 500 mijë euro për programet për Tregun e Punës, për 400 të rinj punëkërkues

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Vlora Dumoshi, dhe Përfaqësuesja e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Maria Suokko, kanë nënshkruar marrëveshjen e financimit mes MKRS-së dhe UNDP-së për zbatimin e projektit Programet Aktive të Tregut të Punës 2, konkretisht programit të praktikës në punë në Kosovës.

Programi do të ndihmojë rreth 400 të rinj të regjistruar në Agjencinë e Punësimit, si punëkërkues që të bëjnë praktikë në punë, në sektorin privat por edhe në institucione publike dhe kështu të aftësohen profesionalisht, ndërkaq, financimin për 6 muaj do ta bëjë MKRS-ja me një fond prej gjysmë milioni euro, që do të zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Do të synohen ato kompani dhe ato institucione të cilat pas përfundimit të punës praktike do të kenë mundësi të ofrojnë mundësi të punës më afatgjatë.

Me këtë rast, Ministrja Dumoshi, ka vlerësuar se nëpërmjet kësaj marrëveshje, bëhet e mundur përkrahja e të rinjve në tregun e punës, dhe se MKRS-ja ka treguar gatishmëri të përfshihet në këtë kontribut për mbështetjen e të rinjve të Kosovës.

“Ne jemi befasuar sivjet, ndonëse kohë pandemie, por interesimi i të rinjve për programet e MKRS-së ka qenë shumë i madh. Vetëm në fushën e edukimit për ndërmarrësi, ne kemi paraparë të certifikojmë 400 të rinj, por për shkak të interesimit të lartë, kemi shpërndarë mbi 1200 certifikata për të rinjtë. Për planet për vitin e ardhshëm ne do të rrisim buxhetin për trajnime për të rinjtë. Duke e parë tërë këtë interesim si dhe vështirësitë që kanë të rinjtë, ne bazë të kapaciteteve që kemi për këtë vit, kemi kontribuuar për të rinjtë në punën praktike që t’i ndihmojmë ata”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.

Ndërkaq, përfaqësuesja e UNDP-së, Suokko, shprehu falënderimin e ministres Dumoshi dhe të MKRS-së për besimin ndaj UNDP-së, që ajo ta zbatojë projektin për Tregun e Punës.

“Për shkak të pandemisë, të rinjtë janë ndër më të prekurit dhe kjo përkrahje që po jepni do të jetë e dobishme për ta, andaj ju falënderoj për reagimin e shpejtë dhe gatishmërinë që në kohë krize keni ndërmarrë veprime për përkrahjen e të rinjve”, u shpreh Suokko./ KultPlus.com

Shënohet Dita e Gështenjës në Deçan, Dumoshi: Deçani ka fatin të krenohet me kultivimin e gështenjës

Në bjeshkët e Deçanit gjatë ditës së sotme është bërë organizimi tradicional ‘Dita e Gështenjës në syrin e piktorit’, ku përveç qytetarëve morën pjesë edhe shumë politikan të kësaj ane.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Ministrja e Kulturës dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka bërë të ditur se sot ka marrë pjesë në organizimin e bërë nga komuna e Deçanit për të shënuar ditën e gështenjës.

Ajo ka shtuar se qyteti i Deçanit ka fatin të krenohet me ruajtjen dhe kultivimin e gështenjës.

Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:

Sot, në praninë e ish-kryeministrit Haradinaj, kryetarit të Deçanit Ramosaj dhe e shoqëruar nga zv/ministrat Zefaj e Matoshi me shumë kënaqësi mora pjesë në manifestimin tradicional “Dita e gështenjes në syrin e piktorit” i mbajtur për Ditën e Gështenjës, në Deçan, aktivitet ky tashmë tradicional, i përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe që shënon promovimin e gështenjës si pasuri natyrore.

Piktorë emblematikë përmes punimeve të ndryshme artistike përdorën gështenjën si subjekt inspirimi çka e bëri këtë manifestim edhe më të veçantë.

Deçani ka fatin që të krenohet me ruajtjen dhe kultivimin e trungut të gështënjes dhe begatitë e saj.

Institucionalisht do të përkrahim begatitë tona natyrore të cilat i veçojnë trevat e ndryshme dhe e bëjnë Kosovën tonë kaq të bukur./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/vlora.dumoshi/posts/10157929191109075

Ministrja Dumoshi në FemArt: Aty ku menaxhojnë gratë, sukseset janë më të mëdha

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi mori pjesë në publikimin e raportit “Drejt solidaritetit dhe bashkëpunimit – Analizë mbi përfaqësimin e grave në shoqëri civile, media dhe institucione të kulturës në Kosovë” i punuar nga Gresa Rrahmani dhe mbështetur nga Artpolis, i cili u publikua në kuadër të festivalit FemArt – festival ky i mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Ky festival arritur përmes artit të mirë dhe cilësor të njihet edhe ndërkombëtarisht të krijuar nga artistet dhe aktivistet me qëllim të fuqizimit të grave dhe vajzave në njohjen e të drejtave të tyre të plota për arritjen e barazisë politike, ekonomike, kulturore, personale, dhe shoqërore.

Solidariteti si parim i mbështetjes së ndërsjellë në mes grave dhe vajzave, artisteve dhe aktivisteve që punojnë për barazinë gjinore dhe të drejtat e grave. Qëndrueshmëria si aftësi për t’i bërë ballë fatkeqësive, traumave dhe sfidave duke u ngritë në këmbë sa herë rrëzohemi e duke e ngritë zërin sa herë që mundohen të na heshtin.

Në fjalën e saj, Ministrja Dumoshi tha se në këtë kohë pandemie jemi ballafaquar me shume sfida por se ministria është munduar ta menaxhojë sa më mirë situatën me ato mundësi dhe kapacitete që MKRS-ja ka pasur.

“Nëse e shohim historikisht rolin e gruas në shoqërinë tonë lë për të dëshiruar shumë. Ne kemi gra të cilat janë të gatshme të bëhen udhëheqëse dhe t’i marrin përsipër detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, po ashtu kemi edhe prej atyre të cilat janë të përgatitura jashtëzakonisht mirë por që nuk kanë ndonjë pozitë me përgjegjësi. Pra, ato duhet të vetëdijesohen dhe të kërkojnë që të marrin pozita udhëheqëse sepse aty ku menaxhojnë gratë, sukseset janë më te mëdha”, tha mes tjerash ministrja Dumoshi.

“Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, janë të punësuar rreth 579 punëtorë. 252 prej tyre janë gra. Gjithashtu kemi 3 drejtoresha dhe kemi edhe udhëheqëse të divizioneve të ndryshme në sport kemi 50 % gra”, sqaroi tutje ministrja, duke u shprehur se edhe në kabinetin e saj, ka të angazhuara gra.

Ministrja tha se gratë duhet të jenë më kërkuese dhe nëpërmjet deputeteve dhe zëri i avokimit të jetë më i madh për rolin e gruas.

Ne në ministri po punojmë që të kihet një kujdes më i veçantë për gratë, sidomos ato që angazhohen në artet performuese, që me ligj të rregullohet edhe koha e pensionimit të tyre.

Ministrja Dumoshi foli edhe për përkrahjen për organizatat kulturore nëpërmjet subvencioneve që ministria ka dhënë këtë vit, duke ua lehtësuar sadopak skenës së pavarur të kulturës në Kosovë që të mund t’i tejkalojnë vështirësitë që i kanë goditur për shkak të pandemisë. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi: Prizreni, qytet ndër më të pasurit, në trashëgimi kulturore

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, sot ka vizituar qytetin e Prizrenit, pasi që ka përfunduar restaurimi i disa shtëpive të vjetra të familjeve Doda, Dukagjini e Skenderi, në kuadër të fushës së trashëgimisë kulturore dhe ministrja ka përuruar shtëpitë e restauruara.

Gjithashtu, ministrja ka vizituar edhe Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore, në Prizren, ku është pritur nga drejtori i kësaj qendre, Samir Hoxha, si dhe Kalanë e Prizrenit, për të parë për së afërmi punimet që janë realizuar në këtë objekt të rëndësishëm të trashëgimisë.

Në qëndrimin në QRTK-Prizren, ministrja, është takuar me stafin e qendrës dhe ka biseduar për planet dhe punën që zyrtarët bëjnë si dhe ka parë edhe ambientet të cilat janë shfrytëzuar si burg, në podrumin e objektit të qendrës dhe ka thënë se ky burg do të kthehet në muze, me qëllim të dokumentimit të historisë tonë të trishtë, vend në të cilin kanë përjetuar tmerre shumë intelektualë shqiptarë të kohës së pasluftës së dytë botërore të shek. 20.

Ministrja Dumoshi u shpreh gjithashtu se QRTK-ja në Prizren ka një staf dhe planprogram profesional i aftë për zhvillimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, si pjesa më e rëndësishme e historisë së Kosovës.

“Me drejtorin e Qendrës, ne biseduam dhe posa e vizituam burgun famëkeq, dhe këtë burg ne do ta zhvillojmë do ta bëjmë si muze që do të dokumentohen historia jonë e trishtë, e njerëzve të cilët kanë kaluar, dhe të cilët edhe sot nuk gjinden as eshtrat e tyre, njëri prej tyre është edhe familjar i imi. Për mua është emocion i veçantë, po në këtë burg, vet shkrimet të cilat janë shkruar, dhe notat e muzikës, tregojnë që pjesa intelektuale ka përjetuar torturat me të rënda në këtë vend”, ka thënë Dumoshi.

Ndërsa, drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Samir Hoxha, u shpreh se në bodrumet e objektit ka qenë një qendër paraburgimi, në vitet 1945-1965, që nga koha e Ozna-s.

Dumoshi: Familjet kanë pasur durimin dhe kurajën t’i ruajnë shtëpitë

“Familjet në Prizren, e kanë ditur rëndësinë që kanë shtëpitë dhe nuk i kanë lëshuar ato dhe kjo gjë më la mbresë të madhe dhe ne si ministri kemi ndërhyrë për t’i restauruar shtëpitë e këtyre familjeve me qëllim të ruajtjes së trashëgimisë tonë kulturore”, është shprehur ministrja Dumoshi, pas vizitës së shtëpive.

Ministrja ka thënë gjithashtu se MKRS-ja do të punojë edhe në rrugën ‘Marin Barleti’ dhe ky projekt do të finalizohet shumë shpejt.

Kalaja e Prizrenit, objekt i rëndësisë së veçantë të trashëgimisë

Ministrja Dumoshi dhe një pjesë e stafit të MKRS-së kanë vizituar edhe Kalanë e Prizrenit. Ministrja ka thënë se në ditët në vijim do të nënshkruajë planin e menaxhimit për këtë objekt të rëndësisë së veçantë të trashëgimisë kulturore jo vetëm të Prizrenit por të gjithë Kosovës.

“Bashkë me zotin Gashi biseduam për plotësimin e stafit të Kalasë, dhe ajo do të ketë ciceronin edhe zyrtarë të mbikëqyrjes dhe mjeshtrive të ndryshme të cilat janë mjaft specifike”, tha ndër të tjera ministrja, e cila përmendi se edhe gërmimet arkeologjike në kala duhet të vazhdojnë.

Ndërkaq, Shafi Gashi, arkeolog dhe menaxher i projektit të Kalasë së Prizrenit, tha se vizita e ministres në Kala, tregon përkushtimin e ministres dhe MKRS-së që kanë për objektin dhe për trashëgiminë kulturore në përgjithësi.

Po ashtu, ministrja Dumoshi, gjatë vizitës së sotme në Prizren, ka takuar edhe filigranë, të cilët me mjeshtrinë e tyre, realizojnë stoli të ndryshme.

MKRS publikon Regjistrin e Trashëgimisë Kulturore në mbrojtje të përkohshme

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka publikuar Regjistrin e aseteve të Trashëgimisë Kulturore në mbrojtje të përkohshme e cila përveç tjerash është pasuruar me asete të reja të trashëgimisë kulturore shpirtërore të cilat prezantojnë njohuritë dhe krijimtarinë popullore nga individë dhe grupe shoqërore.

Si rezultat, Regjistri i Trashëgimisë, i publikuar më 10 tetor, përveç tjerash është pasuruar me 8 asete të reja të trashëgimisë kulturore shpirtërore të cilat prezantojnë njohuritë dhe krijimtarinë popullore nga individë dhe grupe shoqërore. Asetet e përfshira në listë janë:

– Pleqnia në odat e Dukagjinit, Këngë vajtimi ‘Gjama e Burrave’, Këngë për krye krahi – Malësorçe, Këngë me Lahutë, Këngë e Tepsisë të propozuara nga QRTK Pejë,

– Mësiti në Shalën e Bajgorës, Kangagjeqi në Shalën e Bajgorës dhe Dasma në Shalën e Bajgorës të propozuara nga QRTK Mitrovicë janë përfshirë në një njësi,

– Flaka e Janarit, propozim i QRTK Gjilan,

– Çiftelia dhe Teleisja, si fryti i parë i bashkëpunimit formal me Institutin Albanologjik.

Ministrja Dumoshi në 100 ditët e angazhimit të saj në Qeverinë Hoti ka vendosur si prioritet politik trashëgiminë kulturore, me fokus të veçantë në trashëgiminë shpirtërore me qëllim mbrojtjen dhe promovimin e diversitetit tonë kulturor, vlerë kjo shumë të rëndësishme për afrimin e komuniteteve dhe për përmirësimin e dialogut mes kulturave të ndryshme. Trashëgimia kulturore e krijuar në shekuj e në vijimësi nga paraardhësit tanë, është ruajtur dhe mbrojtur duke u përcjellë brez pas brezi.

MKRS, me përkushtim të madh do t’i mbështesë kërkesat e qytetarëve, institucioneve, organizatave, që të sjellin propozimet e tyre në pasurimin e listës së trashëgimisë shpirtërore e materiale, në mënyrë që këtë trashëgimi ta ruajmë dhe ta përcjellim për gjeneratat e reja.

Linku ku është publikuar lista e aseteve:

https://mkrs-ks.org/repository/docs/Regjistri_i_Trash%C3%ABgimis%C3%AB_Kulturore_-_Shqip.pdf / KultPlus.com

Telegram ngushëllimi i Ministres Dumoshi për ndarjen nga jeta të Agim Bytyqit

E nderuar familja Bytyqi,

Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të familjarit tuaj, Kryetarit të parë të Federatës së Futbollit të Kosovës z.Agim Bytyqi.

Kontributi i Agim Bytyqit për futbollin në Kosovë dhe sportin në përgjithësi është i papërsëritshëm.

Ai u angazhua vazhdimisht si në federatë si në Klubin Futbollistik “Liria”, klubi prizrenas ku shërbeu si Kryetar për shumë vitë me përkushtimin maksimal.

Federatën e Futbollit, z.Bytyqi e kryesoi prej korrikut të vitit 1991, në kohë të vështira për futbollin e për Kosovën.

Sot, kur futbolli kosovar gëzon ditët e tij më të mira të njohjes ndërkombëtare dhe kur kemi kaq shumë futbollistë të denjë e të talentuar, kujtojmë me falenderim të gjithë ata që kontribuan e vecanërisht z.Bytyqi.

Si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, Federatën e Futbollit të Kosovës, komunitetin sportiv në Kosovë dhe për të gjithë ata që patën rastin ta njohin!/ KultPlus.com

MKRS-ja do të kujdeset për ‘Mullirin e Dulahit’

Në kuadër të inspektimeve të lokaliteteve, objekteve dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka qëndruar në fshatin Mramor të Prishtinës, për të parë për së afërmi gjendjen e një objekti të vjetër i cili quhet “Mulliri i Dulahit”.

Ministrja duke parë gjendjen në të cilën ndodhet ky objekt, tha se MKRS-ja do të ndërmarrë hapat e shpejtë për konservimin e mullirit që ai t’i rezistojë stinës së dimrit dhe më pas, vitin e ardhshëm, profesionistët e trashëgimisë kulturore do të vendosin se çfarë do të ndërmerret më tutje.

Ministrja tha se ky mulli ka rëndësinë e vet historike dhe pozita gjeografike në të cilën ndodhet, ka shërbyer dhe luajtur një rol jetik për mirëqenien e popullsisë së kësaj zone.

“Ashtu si çdo objekt tjetër të vjetër, si institucion e kemi obligim që të kujdesemi për të. Me të marrë informacion për mullirin dhe gjendjen e tij, kam pasur dëshirë që personalisht ta shoh për së afërmi se në çfarë situate ndodhet objekti. Zyrtarët e trashëgimisë veçse kanë ndërmarrë hapat e parë, duke evidentuar detajisht gjendjen e Mullirit të Dulahit dhe si MKRS do të ruajmë këtë objekt në kuadër të trashëgimisë tonë kulturore, me proces të konservimit e restaurimit, ashtu si do të propozojnë ekspertët e trashëgimisë”, ka deklaruar ministrja.

Mulliri i Dulahit ka qenë mulli me ujë, që ka një karakteristikë për dallim nga mullinjtë përreth, sepse gjatësia e vijës së ujit ka qenë e gjatë 1000 metra dhe presioni i ujit i ka vënë në funksion gurët për bluarje. Mulliri është ndërtuar në vitin 1918 dhe ka funksionuar si i tillë deri në vitet e ‘90-ta të shek. 20. / KultPlus.com