Ministrja Dumoshi përkrah Rahovecin me projekte kulturore dhe sportive




Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi e shoqëruar nga zëvendësministri Halil Matoshi ka vizituar sot Komunën e Rahovecit. Ajo është takuar me kryetarin e kësaj komune, Smajl Latifin, me të cilin kanë biseduar për disa nga projektet kulturore-sportive, projekte këto që pritet të finalizohen në këtë komunë.

Gjatë këtij takimi ministrja Dumoshi tha se në Rahovec po nisin projekte sportive, si stadiumi sportiv në Ratkoc si dhe stadiumi i qytetit, projekte këto që lidhen direkt me nevojat e qytetarëve.

“Ne si Ministri e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në të gjitha komunat e Kosovës bashkëpunojmë, nënshkruajmë marrëveshje, memorandume që lidhen direkt ku qytetarët përfitojnë nga projektet. Jemi në procedurë të tenderimit për dy projekte që janë të rëndësishme për komunën e Rahovecit. Për stadiumin në Ratkoc është paraparë vlera 800 mijë euro. Ndërkaq për stadiumin e futbollit në qytetin e Rahovecit është paraparë vlera 2 milionë euro. Gjithashtu e kemi edhe ndërtimin e palestrës sportive në Krushë të Madhe”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.


Ministrja Dumoshi, zv.ministri Matoshi dhe kryetari Latifi shfrytëzuan rastin të vizitojnë edhe shtëpinë-muze të atdhetarit Ukshin Hoti në Krushë të Madhe.

“Një vizitë kjo emocionuese, e cila të sjellë ndër mend fatin akoma të pandriçuar, sakrificën në burgje e aktivitetin e pareshtur të Ukshin Hotit për çështjen e Kosovës.” – tha ministrja gjatë vizitës në muze.

Ministrja Dumoshi ka shpalosur në Rahovec edhe projektin që ka të bëjë me historinë gojore për tragjeditë që ka kaluar Kosova në luftën e fundit. Në këtë projekt do të përfshihen rrëfimet e dëshmitarëve të masakrës së Krushës së Madhe. Ajo tha se ky projekt është mbështetur edhe nga Ambasada Amerikane. Projekti i historisë gojore “Rrëfime gojore të dëshmitarëve të masakrës së Krushës së Madhe” do të realizohet nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Departamenti i Antropologjisë i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës.



Ministrja Dumoshi foli për rëndësinë e projektit të historisë gojore dhe tha që ky projekt do t’i kontribuonte ruajtjes së kujtesës kolektive.

“Është një projekt i cili është i një rëndësie shumë të madhe, projekti i historisë gojore, me rrëfimet gojore të dëshmitarëve të masakrës së Krushës së Madhe. MKRS-ja me një kujdes shumë të veçantë do të përkrahë edhe këtë profil të mbledhjes së historisë gojore se çka ka ndodhur në Kosovë.  Ne do t’i vendosim në pah dhe këto dokumente dhe librat të cilat do të përkthehen edhe në gjuhë të tjera“, tha ajo.

Kurse, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se është i kënaqur që ministrja Dumoshi po i përkrahë projektet e rëndësishme sportive e kulturore për qytetarët e kësaj komune.

“Është mirë që në këto prioritetet tona të cilat i ka komuna e Rahovecit po përfshihen jashtëzakonisht mirë dhe kënaqshëm nga Ministria e Kulturës.”

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka vizituar edhe hapësirën ku po planifikohet ndërtimi i stadiumit të qytetit. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi ndan certifikata për 150 të rinj të trajnuar në ndërmarrësi në Vushtrri e Mitrovicë


Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi e shoqëruar nga kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, kanë bërë certifikimin e të rinjve të trajnuar për ndërmarrësi nga komuna e Vushtrrisë.

Ky trajnim është organizuar në kuadër të projektit “Aftësimi profesional për të rinj” financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Projekti ka për synim që të nxisë të rinjtë në biznes dhe t’i përgatisë ata për tregun e punës. Projekti ka zgjatur katër muaj, ku janë trajnuar rreth 150 të rinj jo vetëm në Vushtrri por edhe në Mitrovicë dhe Skenderaj. Në komunën e Vushtrrisë janë trajnuar 60 të rinj për ndërmarrësi, dizajn grafik dhe zhvillim të rrjeteve.

Ministrja Vlora Dumoshi në fjalën e saj tha: “Për mua është kënaqësi kur jam në komuna, në veçanti në ato komuna ku shihet përparimi dhe përkushtimi i punëve. Unë si ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit jashtëzakonisht jam e kënaqur me bashkëpunimin të cilin e kemi pasur me kryetarin Xhafer Tahiri. Investimet që bëhen në komunën e Vushtrrisë janë investime për rininë, të cilat prekin fushën e rinisë, të tilla si Pallati i Kulturës, i cili është në përfundim, Stadiumi i Qytetit dhe Salla e Sporteve në Samadrexhë si dhe shumë projekte të tjera të cilat janë në dobi të të rinjve.”

“Puna e Ministrisë ka një angazhim të madh dhe objektivin kryesor e ka te rinia. Programi qeverisës ka paraparë këtë program të ndërmarrësisë për t’ju dhënë juve mundësinë t’i kryeni këto trajnime sepse zhvillimi ekonomik i vendit varet nga ngritja e kapaciteteve tuaja si ndërmarrës të rinj”, tha ministrja Dumoshi para të rinjve.

Tutje, ministrja Dumoshi shtoi se “në program ka qenë e planifikuar që të trajnohen vetëm 400 të rinj në 29 komuna të Kosovës, por kërkesat dhe pjesëmarrja e të rinjve ka qenë e madhe ndaj është rritur numrin, rrjedhimisht do t’i trajnouen 1255 të rinj. Me rritjen e këtij numri unë do ta paraqes të kryeministri Hoti kërkesën që fondi për ndërmarrësi të rritet me buxhetin për vitin e ardhshëm. Ju uroj shumë suksese sepse ju jeni krenaria jonë tash për tash prandaj kërkoj që të përkushtoheni dhe t’i rritni sukseset tuaja në Kosovë.”

Ndërkaq kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se objekti i Kalasë së Vushtrrisë asnjëherë nuk ka qenë më i mirë se sa sot me prezencën e miqve nga MKRS dhe të rinjve pjesëmarrës.

“Dua të falënderoj ministren Dumoshi për angazhimin dhe trajnimin e të rinjve vushtrrias për ndërmarrësi, dizajn grafik dhe zhvillim të ueb-faqeve.

Është tepër i rëndësishëm një projekt i tillë dhe besoj që të rinjtë me përvojën që kanë marrë do të arrijnë të gjejnë një vend pune dhe do të arrijnë të zhvillohen e të jenë profesionalistë.” – tha kryetari Tahiri.

Të rinjtë përfitues u shprehën falënderues ndaj ministres Dumoshi dhe MKRS-së sepse këto trajnime janë mundësia më e mirë për të arritur sukses.

90 të rinj në Mitrovicë u certifikuan në ndërmarrësi

Ndërkaq, në ceremoninë e organizuar në Mitrovicë për çertifikimin e të rinjve, morën pjesë përveç ministres Dumoshi edhe kryetari i Mitrovicës Agim Bahtri, dhe rektori i Universitetit “Isa Boletini” Fahrush Musaj.

Ministrja Dumoshi tha se programi për ndërmarrësi është shumë i rëndësishëm dhe është objektiva kryesore të cilën e ka programi i Qeverisë së Kosovës. 

“Ne kemi nevojë për ngritjen e kapaciteteve tona, zhvillimi ekonomik në asnjë mënyrë nuk bëhet nëse nuk i kemi kapacitetet e përgatitura andaj ky ka qene një rast shume i mirë që edhe në kohë pandemie ka pasur interesim shumë të madh. Programi jonë ka qenë i planifikuar që të trajnojë vetëm 400 të rinj në 29 komuna të Kosovës, por kërkesat dhe pjesëmarrja e të rinjve ka qenë e madhe andaj e kemi rritur numrin. Rrjedhimisht do t’i trajnojmë 1255 të rinj dhe kjo është një zile për ne që duhet të fokusohemi për më shumë programe sepse të rijnë janë të gatshëm të jene pjesë e ndërrmasrrësisë dhe të kontribuojnë në zhvillimin tonë ekonomik”, tha ministrja Dumoshi.

Kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtri, tha se është bërë një punë e shkëlqyeshme që të rinjtë të aftësohen për ndërmarrësi dhe uroi për suksese dhe punë të mbarë në të ardhmen.

Ndërkaq rektori, Fahrush Musaj tha se janë të nderuar me praninë e Ministres Dumoshi dhe të rinjve në Universitetin e Mitrovicës. Kemi bërë punë të përbashkët me të gjithë pjesëmarrësit që kanë marrë pjesë në trajnimin e organizuar nga Agjensia Rajonale për Zhvillim në Veri të Mitrovicës.” – tha rektori.

Gjithashtu falënderoi ministren Dumoshi për mbështetjen e këtij projekti i cili ka dhënë rezultate shumë të mira.

MKRS investon 12 milionë euro në Stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka vizituar sot komunën e Mitrovicës, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune, Agim Bahtiri.

Gjatë këtij takimi  u diskutua për projektet kapitale në të cilat Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të investojë në këtë komunë.

Në fjalën e saj ministrja Dumoshi tha se së bashku me kryetarin Agim Bahtiri biseduam për projektet kapitale të cilat janë investime të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Stadiumi “Adem Jashari” i cili ka një kosto rreth 12 milionë e gjysmë euro është projekt kapital, i cili pritet të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm.

“Në komunën e Mitrovicës ia vlen të investohet sepse një është stadium i kategorisë së katërt, i cili i plotëson të gjitha kriteret e UEFA-s dhe do të jetë një ndër stadiumet më të bukura, për shkak të kapaciteteve që ka. Ky stadium brenda do t’i ketë edhe shtigjet e atletikës dhe jashtë do të pasurohet edhe me një teatër veror” tha ministrja Dumoshi.

Tutje, ajo tha se  “Gjithashtu ne do të investojmë dhe në projekte të tjera kapitale siç janë Stadiumi “Riza Lushta” në të cilin do të investojmë për tribuna si dhe tetë projekte për restaurim, duke filluar nga kulla e Isa Boletinit, shtëpia e familjes së Xhafer Devës dhe shumë projekte të tjera të rëndësishme.”

Duhet të veçohet edhe pjesa e kulturës, ku Mitrovica njihet për kulturë, dhe përmes projekteve të dhëna nga MKRS-ja komuna e Mitrovicës ka kanë qenë përfituese e 24 projekteve kulturore, kurse nga Departamenti i Rinisë kanë përfituar 12 OJQ.

Ndërkaq, kryetari  i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha që me ministren Dumoshi kemi një bashkëpunim të mirë. Deri më tani i kemi 36 projekte të cilat i ka mbështetur Ministria e Kulturës dhe së bashku me ministren biseduam edhe për gjëra të tjera të cilat janë më interes të përgjithshëm, siç është Stadiumi “Adem Jashari”, i cili besoj që do të përfundojë shumë shpejt dhe ne e falënderojmë ministren Dumoshi për punën dhe përkrahjen që po e jep për komunën tonë.

Gjatë kësaj ngjarjeje kryetari Bahtiri shpalosi projektin për Stadiumin “Adem Jashari”./ KultPlus.com

Vinçenc Gjini merr Çmimin për vepër jetësore “Niket Dardani”

Medina Pasoma

Në kabinetin e Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshit, u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimit për vepër jetësore dhe çmimeve vjetore në fushën e muzikës, shkruan KultPlus.

 Juria profesionale e përbërë nga Vaso Tole, Rafet Rudi dhe Baki Jashari ndau çmimin e veprës jetësore “Niket Dardani” për Vinçenc Gjinin.

Çmimi për vepër vokalo-instrumentale dhe muzikore skenike iu dha Valton Beqirit për veprën “Rrugëtimi”. Çmimin për vepër orkestralo-simfonike dhe koncentrante e morri Kreshnik Aliçkaj me veprën “Koncert”. Vepra “Trance” nga Drinor Zymberi u shpërblye me çmimin për vepër kamertale. Me çmimin për veprën korale nëpërmjet veprës së tij “Ubi Caritas” u shpërblye Hajrullah Syla. Ndërsa çmimi për veprat solistike dhe duo i shkoj Mehdi Mengjiqit me veprën “Dicantus”.

Ministrja Dumoshi përgjatë ceremonisë u shpreh se ndjehet e kënaqur për ndarjen e këtyre çmimeve, teksa tha se Kosova ani pse është shtet i ri ka pasur përherë traditë dhe histori të kompozimit muzikor.

“Çmimet nuk janë mbase shumë të mëdha, por me rëndësi është kujdesi dhe vëmendja që institucioni ynë ia kushton punës dhe kontributit sepse gjithmonë jemi borxh ndaj njerëzve të cilët gjithë jetën e japin për kompozim dhe ngritjen e muzikës klasike”, theksoj Vlora Dumoshi.

Vlerësimin e jurisë e shprehi anëtari Baki Jashari, i cili për Vinçenc Gjinin shpalosi krijimtarinë e tij prej: 3 simfonish, 10 kantata, sonata për violinë e piano, variacione klarinetë-piano, simfonjeta, cikli i këngëve solo “Letrat”, disa këngë korale, përpunime e stilizime.

“Bazuar në punën e tij shumëvjeçare krijuese, pedagogjike, botuese konsiderojmë se kompozitori dhe pedagogu Vinçenc Gjini padyshim meriton çmimin për veprimtari jetësore “Niket Dardani”, u shpreh Jashari teksa shpalli fituesin.

 “Rrugëtimi” të Valton Beqirit, Baki Jashari e vlerësoj si vepër madhore kombëtare e cila trajton motivin e qëndresës përmes larmisë muzikore të etnosit shqiptar, e sjellë përmes një kompozicioni racional, kompleks dhe bashkëkohor.

Veprën “Koncert” të Kreshnik Aliçkajt juria e vlerësoj si sjellëse të tingëllimave të reja dhe të një ritrajtimi krijues të gjinisë së koncertit instrumental.

“Koncert që zbulon marrëdhënie dinamike, të vazhdueshme, bashkëvepruese mes instrumentit solistik dhe orkestrës”, shtoj Jashari.

Për çmimin për vepër kamertale nga Drinor Zymberi, anëtari Baki Jashari theksoj: “Me kompaktësi dhe gjetje kompozicionale që burojnë nga rikonceptimi i transes dhe posaçërisht i gjenerimit të ritmikës elektrizuese përmes veglave muzikore të ansamblit harkor”.

“Ubi Caritas” e Hajrullah Sylës u shpërblye për këndvështrimin origjinal të kompozimit të himnit të njohur, për semantiken e sjellur me strukturat kompozicionale të thjeshta dhe emocionale.

Ndërkaq Mehdi Mengjiqit iu vlerësua “Dicantus” si krijim me vlera të spikatura, që risjell vlerat e discantusit në kohën moderne përmes ruajtjes së kontekstit formal dhe zbulimit të tingëllimeve të reja.

Pas leximit të vlerësimeve nga ana e jurisë u bë ndarja e çmimeve ku muzikantët dhe kompozitorët i morën ato personalisht, përveç Vinçenc Gjinit, i cili për arsye shëndetësore nuk mund të ishte prezent. Mirëpo, në vend të tij çmimin e morri motra.

Përgjatë kësaj kohe, ministrja Dumoshi e përmendi letrën të cilën e kishte pranuar në fillim të mandatit të saj nga artisti Vinçenc Gjini, në të cilën ai kishte shprehur uratat dhe kërkesat e tij. Me këtë rast, Dumoshi e falënderoj Gjinin për këtë letër, duke i premtuar edhe mbështetje.

“E keni pas një kërkesë për një kompozim që e keni shumë për shpirt për ta jetësuar, ne urojmë që bashkërisht me drejtorinë e Filharmonisë dhe kolegët e tu do ta jetësojmë veprën tënde”, theksoj Vlora Dumoshi për veprën e Vinçenc Gjinit.

Profesor Vinçenc Gjini ani pse nuk ishte i pranishëm fizikisht, u sigurua që fjala e tij përshëndetëse të jetë aty nëpërmjet motrës së tij.

“Shpallja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që do të shoqërohet me Ditën Botërore të Muzikës ka rëndësi të madhe për kulturën, përkitazi promovimin e muzikës kosovare në botë”, kishte shkruar Gjini në letrën e tij falënderuese.

Në anën tjetër, ish-ministri i Kulturës dhe fituesi i njërit nga çmimet, Valton Beqiri duke falënderuar institucionet, theksoj se prezenca e autorëve dhe kompozitorëve të rinj në listën e të shpërblyerve është dëshmi se çmimet janë duke dhënë rezultatin e tyre. Edhe muzikantët e tjerë nuk kursyen falënderimet e tyre për ndarjen e këtyre çmimeve, teksa biseda vazhdoj duke dhënë kritika dhe sygjerime për të mirën e skenës së artit muzikor. /KultPlus.com

Ministrja Dumoshi ndau 165 certifikata për të rinj nga Prishtina

Në kuadër të programit të edukimit joformal që ka mbështetur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në politikat e saj për përkrahjen dhe avancimin e rinisë në Republikën e Kosovës, sot janë certifikuar edhe 165 të rinj në fushën e ndërmarrësisë nga komuna e Prishtinës.

E pranishme në këtë ngjarje ishte ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e cila tha se përmes këtij projekti, i cili ka shtrirje në të gjithë Kosovën, po u mundësohet të rinjve të trajnohen për krijimin e planeve për bizneset e tyre me të cilat mund të fitojnë grante në Ministrinë e Kulturës.

“Në total  janë certifikuar 165 të rinj të cilët janë nga komuna e Prishtinës, respektivisht sot 113 vetëm nga qyteti i Prishtinës. Ky program është mjaft domethënës sepse po dalin ndërmarrës të rinj. Ky projekt ka shtrirje në gjithë Kosovën dhe interesimi i madh ka bërë që numri i paraparë për 400 ndërmarrës të rin të  përfundojë me 1255 certifikime. Këta të rinj të cilët po certifikohen tash do ta hartojnë planin e biznesit dhe do vijnë në Ministri të konkurrojnë për garante dhe shumë shpejt të fillojnë punën”

Tutje ministrja Dumoshi tha se qeveria Hoti ka synim dhe objektiv rininë e vendit tonë.

“Unë si ministre dhe qeveria Hoti e kemi objektiv rininë dhe ne bashkërisht do ta rrisim buxhetin, sidomos në programin e ndërmarrësisë sepse kjo direkt ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit”, tha ministrja Dumoshi.

Ndërkaq, Besnik Krasniqi nga “BSC Kosovo” falënderoi ministren Dumoshi për mbështetjen e dhënë dhe tha se “Trajnimi ka qenë mjaft intensiv, ka qenë dhjetëditor dhe bazohet kryesisht në zhvillimin e shkathtësive praktike në përpilimin e planit të biznesit, menaxhimin financiar, marketingun digjital dhe njëkohësisht mjedisi ka qenë mjaft inkurajues. Ka qenë kënaqësi të punoj në këtë mjedis të të rinjve që janë optimistë dhe kanë ide kreative”, tha Kraniqi.

Gjatë kësaj ceremonie ministrja Vlora Dumoshi u nderua me një mirënjohje. / KultPlus.com

Dumoshi për vdekjen e gazetarit Misini: Një dritë u shua, me mallëngjim për të punuar për vendin

Gjatë mbrëmjes së sotme ka ndërruar jetë gazetari Radio Kosovës, Nazmi Misini, shkruan KultPlus.

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, nëpërmjet një postimi në Facebook ka shprehur ngushëllimet e saja, duke e cilësuar Misinin si një dritë tjetër që ju shua vendit.

Më poshtë gjeni statusin e saj të plotë:

Prehu në paqe Profesor!

Ishe dhe do kujtohesh përherë si mbështetës besnik i dijes për gjenerata të tëra. Sinonim i pavdekshëm i arsimit.

“E nderuar ministre po të shkruaj, sëmundja më ka pru në atë gjendje që nuk mundem të ecë në këmbet e mia, kam mall që nuk u takuam per te te uruar personalisht, të përqafoj miqësisht nxenesen time. Amanetin e forte mbaje me vete:

Puno fort për vendin!”

Fjalët e fundit që më përcolli Prof. Nazmi Misini ishin këto. Të faleminderit Profesor!

Një dritë u shua, me mallëngjim për të punuar për vendin.

Amanetin do ta jetësoj për ju!

Dheu i Kosovës të qoftë i lehte, që shumë e dashte!/ KultPlus.com

https://www.facebook.com/photo?fbid=10157899117044075&set=a.10150840513389075

Nënshkruhen katër memorandume bashkëpunimi në fushën e kulturës, mes Kosovës dhe Shqipërisë

Ministrja e Ministrisë së Kulturës Vlora Dumoshi ka njoftuar për memorandumet e nënshkruara mes Ministrisë së Kulturës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Më poshtë keni njoftimin e plotë të ministres Dumoshi.

Në Mbledhjen e përbashkët të dy qeverive si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, nënshkrova sot katër memorandume të bashkëpunimit.

Memorandumi i bashkëpunimit për Veprimtarinë Botuese dhe Librin i cili ka për qëllim bashkëpunim të shumëfishtë me Shqipërinë për librin dhe botimin.

Memorandumi i bashkëpunimit për Kalendarin e përbashkët kulturor Kosovë – Shqipëri me anë të së cilit do të bashkërendojmë aktivitete kulurore.

Memorandumi për Bashkëprodhim Filmik i cili do të ngrisë bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve filmike, Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Qendrës së Filmit të Shqipërisë në bashkëprodhim filmik, dhe memorandum i cili parasheh ndarjen e çmimeve kombëtare të përbashkëta në kinematografi.

Memorandumi i bashkëpunimit për themelimin e Ligës së përbashkët të Basketbollit me anë të së cilit mbështetet themelimi i një lige unike të përbashkët të basketbollit ndërmjet Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit.

Uroj dhe shpresoj që këto marrëveshje të forcojnë edhe më shumë marrdhëniet tona vllazërore shtetërore dhe t’i ndihmojnë njëzëri kulturës e sportit andej e këndej kufirit shqiptar./ KultPlus.com

Dumoshi nesër ndanë çmimet vjetore për kinematografi

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi gjatë ditës së nesërme do të ndajë çmimet vjetore për kinematografi, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një komunikate për media është bërë e ditur se ndarja e çmimeve do të bëhet në kabinetin e ministres Dumoshi në orën 10:00.

“Nesër (e enjtë, 01.10.2020, ora 10:00 ) Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi do të ndajë çmimet vjetore për kinematografi”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Ministrja Vlora Dumoshi ka pritur në takim sportistët e verbër

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot në takim sportistët e verbër të cilët po zhvillojnë aktivitete në kuadër të Javës Evropiane të Sportit. Në takim ishte e pranishme edhe Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barisic, Kryetarja e Komitetit Paraolimpik të Kosovës,  Njomza Emini dhe Administratorja e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë, Eva Havasiova.

Ministrja Dumoshi u shpreh e lumtur që kjo javë sportive ka bërë që të përfshihen të gjithë me aktivitete dhe që lehtësimi i masave ndaj Covid 19 ka bërë të mundur që aktivitetet sportive të zhvillohen më lehtësisht.

“Gjithëpërfshirja në aktivitete sportive për të gjithë në Kosovë është tepër e rëndësishme dhe i kontribuon një shoqërie demokratike të barabartë”, tha ministrja Dumoshi.

Ajo tutje tha se “Ju uroj për aktivitetin tuaj të shahut për të cilin keni një talent të shkëlqyer. Ju e keni përfaqësuar Kosovën në Kampionatin Botëror dhe ju keni sjellë rezultate të mira. Edhe pse Kosova është një vend i vogël ju e keni bërë të mundur që ajo të jetë në mesin e 20 vendeve të botës, e kjo është një arritje shumë e madhe për vendin, prandaj edhe mbështetja jonë për ju nuk do të mungojë.”

Sporti i personave të verbër në Republikën e Kosovës është organizuar nga Federata e Sportit për të Verbër, e cila është themeluar në vitin 2006 dhe përbëhet nga shoqatat komunale dhe nder komunale në tërë territorin e Kosovës.

Sportistët e verbër zhvillojnë dy disiplina sportive goalball dhe shah. Në goalball organizohet liga që nga viti 2006 dhe reprezentacioni i goalballit të Kosovës e ka përfaqësuar Kosovën edhe në gara ndërkombëtare në Suedi, Belgjikë e Slloveni.

Në disiplinën e shahut, të verbrit e Kosovës në vitin 2017 kanë marrë pjesë në Olimpiadën Botërore të Shahut për të Verbër dhe kanë treguar sukses të kënaqshëm.

Federata e Sportit për të Verbër është anëtare e Komitetit Paraolimpik të Kosovës prej vitit 2011, prej themelimit të këtij Komiteti.

Ndërkaq, kryetarja e Komitetit Paraolimpik të Kosovës, Njomza Emini, tha se “Në Kosovë ka persona me aftësi të kufizuara, por që nuk i pengon aspak ata të jenë pjesë e garave ndërkombëtare dhe kjo na lehtëson edhe më shumë punën neve si Komitet Paraolimpik me mbështetjen që kemi nga Ministrja Dumoshi. Jemi të lumtur që e kemi menduar dhe realizuar aktivitetin ku të verbrit kanë marrë pjesë në Javën Evropiane të Sportit”.

Kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuki, tha se “shahu ka avancuar shumë dhe ne jemi pjesëmarrës si në Olimpiadën Botërore të Shahut po ashtu edhe në dy kampionate individuale botërore për të verbër në kategorinë e shahut dhe me përkrahje nga Ministria dhe Federata e Shahut kemi treguar rezultate të mira”. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi: Përkthyesi përfaqëson një ndër shtyllat e qytetërimit



 
Ministrja Vlora Dumoshi, sot në Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit, ditë kjo e shpallur edhe nga UNESCO ka uruar të gjithë përkthyesit për punën e tyre jo të lehtë, por fisnike.

Sipas Dumoshit, përkthyesi përfaqëson një ndër shtyllat e qytetërimit sepse përkthim nënkupton komunikim dhe komunikimi është i pashmangshëm për shoqërinë njerëzore. Si akti i parë i qytetërimit, përkthimi duhet të ketë vëmendjen e duhur shoqërore e institucionale.

“Si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit më gëzon fakti që kemi një shtim shumë të madh të numrit të përkthimeve të shqipes në gjuhë të tjera, një numër të madh përkthyesish dhe shtim të botimeve nga autorë të huaj përkthyer në shqip.
Përkrahja ime dhe MKRS-së për të gjithë ata që merren me këtë veprimtari do të jetë e pakursyer”, ka thënë Dumoshi.

Ajo tutje vlerëson lart punën e përkthyesve letrarë e shkencorë por edhe të përkthyesve të dokumenteve zyrtare të cilët me profesionalizëm kryejnë detyrat e tyre në institucionet e Kosovës.

Dita Ndërkombëtare e Përkthimit shënohet në mbarë botën, në ditën e vdekjes së Shën Jeronimit të Stridonit, i cili kreu një përkthim të plotë të Biblës në Latinisht.
“Në përkthim, unë nuk transmetoj fjalë për fjalë, por mendoj për mendime” – pati thënë vetë Shën Jeronimi.

Krejt për fund, Dumoshi shprehet: Vlerësim maksimal për angazhimin e tyre që në këtë botë polifonike të kuptohemi më mirë! / KultPlus.com

Marrëveshja kulturore Kosovë – Itali do të mundësojë bashkëpunim më të thellë mes dy vendeve

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur në takim Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, me të cilin bisedoi për çështje që janë të interesit të përbashkët.

Ministrja Dumoshi e falënderoi ambasadorin dhe nëpërmjet tij edhe shtetin e Italisë dhe popullin e saj, për kontributin që ka dhënë në forcimin e shtetit të Kosovës. Ministrja tha se lidhshmëria e MKRS-së me ambasadën është në raport shumë të ngushtë ngase mund të konkretizohen shumë punë dhe ministrja ka thënë se beson që bashkërisht do t’i shtyjmë para shumë projekte në fushën e kulturës e të trashëgimisë.

Si temë bosht e takimit ishte marrëveshja e cila pritet të nënshkruhet për bashkëpunim në fushën e kulturës mes Republikës së Kosovës dhe Italisë.

“Me konkretizimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes i hapet rrugë një bashkëpunimi konkret dhe thellimit të raporteve mes dy vendeve. Aty mund të hyjnë çështje konkret si një kalendar i përbashkët kulturor Kosovë-Itali, ku do të mund të përfshiheshin edhe arbëreshët në këtë bashkëpunim”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.

Ndër të tjera, ministrja e njoftoi ambasadorin edhe për pjesë të programit që ka MKRS-ja për zhvillimin e kulturës dhe të trashëgimisë dhe për hapat konkret që ka ndërmarrë ministria sikurse është pasurimi i fondit të trashëgimisë shpirtërore duke futur asete të reja në kuadër të këtij fondi.

Ministrja tha se është e gatshme që me ambasadën të kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me zhvillimin e projekteve konkrete në të ardhmen ku përfshihen edhe investimin në kuadrot e reja pasi që MKRS-ja veçse ka nënshkruar një memorandum me Universitetin e Prishtinës për mbështetje të edukimit të kuadrove të reja në fushën e trashëgimisë, ekspertizë të cilën Italia e posedon dhe Kosova mund të përfitojë në këtë drejtim.

Ndërkaq, ambasadori Orlando e falënderoi ministren dhe e vlerësoi për idetë e shumta e të mira që janë në interes për Kosovën. Ai tha se pajtohet që marrëveshja për bashkëpunim në fushën e kulturës mes Kosovës e Italisë duhet të nënshkruhet sa më parë dhe se ai po mban kontakte me Romën zyrtare që kjo gjë të konkretizohet.

Ambasadori Orlando konfirmoi se bashkëpunimi mund të konkretizohet përmes ekspertëve dhe konsulentëve, përmes komunikimeve, videokonferencave dhe vizitave të ndryshme studimore.

Në këtë takim, palët u pajtuan që hapi i parë është konkretizimi i marrëveshjes me nënshkrimin e saj, si dhe mundësia për bashkëpunim në projektet konkrete në të ardhmen. / KultPlus.com

Qeveria më në fund merr vendim: Teatrot do të hapen

Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka njoftuar se lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të MKRS-së dhe komunave; Teatrove, Bibliotekave, Filarmonisë, Galerive, Ansambleve, Baleti, Kinemave, Qendrave Rinore, Muzetë, Qendrave të Kulturës, me grupe, duke shfrytëzuar 40% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse.

Përqindja e shfrytëzimit të hapësirave do të vlen për të gjitha aktivitetet si në shfaqje ashtu edhe në ushtrimë gjithmonë duke u bazuar në Manualin për mbrojtjen nga përhapja COVIV19; Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekte;Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura; stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; në hapësirat e mbyllura gjatë stërvitjeve mund të marrin pjesë deri në 30 persona ndërsa në organizimin e garave mund të marrin pjesë deri në 50 persona gjithmonë duke u bazuar në Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID19.

Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekte të mbyllura sportive dhe në hapësirat e hapura sportive;

Lejohen fitneset si dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative, në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID19. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekte. / KultPlus.com

Publikohet udhëzuesi për planifikim menaxhues të trashëgimisë kulturore

Në ambientin ku zë fill trashëgimia kulturore e Kosovës, në Muzeun Kombëtar u bë përurimi i udhëzuesit për standardet e hartimit të planeve menaxhuese të trashëgimisë kulturore, shkruan KultPlus.

Nën prezencën e ministres për Kulturë, Rini dhe Sport, ambasadorit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore u bë prezantimi i këtij udhëzuesi me rëndësi për kulturën në vend.

Ky udhëzues i cili është rezultati i përpjekjeve afatgjata të Misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) do të ketë kontribut kyç për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të objekteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë.

“Ne këtu po e prezantojmë një udhëzues të planeve menaxhuese, se si duhet të hartohen ato, të cilat e kanë një rol të rëndësishëm dhe kanë dal nga kërkesat e grupeve të ndryshme punuese dhe nga raportimet që nga viti 2014”, u shpreh ministrja Dumoshi.

Në anën tjetër, ambasadori Braathu theksoj se ky udhëzues është rezultat i bashkëpunimit në mes të anëtarëve të misionit të OSBE-së dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Udhëzuesi ka për qëllim të jetë i përdorshëm, praktik dhe frymëzues dhe është i adresuar për të gjithë palët e interesuara në përfshirje të menaxhimit të trashëgimisë kulturore”, tha ambasadori Jan Braathu.

Në fund ai shtoj se udhëzuesi duhet te jetë frymëzues për faktin se ri-përpilimi i këtyre dokumenteve të cilat ndihmojnë trashëgiminë kulturore duhet të bëhet çdo 5 vite. Pas fjalimeve ministrja Dumoshi ia dhuroj një mini- statujë të Hyjneshës në Fron si dhuratë ambasadorit Braathu, të cilën ai e priti gëzueshëm.

Në fund, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me ambasadorin e OSBE-së Jan Braathu dhe stafin e përbashkët e vizituan brendinë e Muzeut Kombëtar të Kosovës, për çka Braathu u nda i kënaqur me pasurinë trashëgimore. /KultPlus.com

Çertifikohen 120 ndërmarrës të rinj nga MKRS-ja

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka lajmëruar se kanë çertifikuar 120 ndërmarrës të rinj, të cilët do të marrin mbështetje financiare.

Ky lajmërim vjen nga ministrja Vlora Dumoshi, e cila thotë se kjo mbështetje ofrohet nga MKRS për rininë.

Përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, ministrja thekson se me këtë sistem pjesëmarrja e të rinjve po luan rol kyç në proceset e vendimmarrjes.

Ndër të tjera, ajo thekson se është privilegj të ndërtohen mundësitë për ndryshim, dhe se prioriteti i saj për fuqizimin e të rinjve është i pandalshëm./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/vlora.dumoshi/posts/10157871356354075

Ministrja Dumoshi hap Javën Evropiane të Sportit në Kosovë

Sot në Kosovë ka filluar Java Evropiane e Sportit, e cila organizohet edhe në vendet tjera të Evropës në javën e fundit të këtij muaji, nga 23 deri më 30 shtator.

Është viti i tretë radhazi që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe federatat e sportit e organizojnë këtë ngjarje e cila ka për qëllim të promovojë sportin dhe aktivitetin fizik si dy aspekte të rëndësishme për shëndetin.

Hapjen e Javës, nën patronatin e së cilës organizohet edhe kjo ngjarje, e bëri ministrja Vlora Dumoshi, që u shpreh se është një ngjarje e rëndësishme.

“Hapja e Javës Evropiane të Sportit po fillon me Forumin për Sportin, dhe nga sot e deri më 30 shtator në Kosovë do të organizohen aktivitete sportive dhe fizike, të cilat kanë për qëllim aktivizimin e qytetarëve që të mos jenë pasiv, por të merren me aktivitete që janë të dobishme për shëndetin, siç është sporti. Përmes Forumit për Sportin përfaqësuesit e lartë të sportit, kontribuuesit, biznesmenët, institucionet qendrore dhe ato lokale, gazetarët sportivë dhe të gjithë ata që kanë kontribuuar në forma të ndryshme në sport gjate kësaj periudhe pandemie, në mënyrë që bashkërisht të diskutojnë problemet e shumta që preokupojnë sportin dhe te nxirren rekomandime”, u shpreh ministrja Dumoshi.

Në aktivitetin e parë të Javës, “Forumin për Sportin” u diskutuan tema që trajtojnë avancimin e sportit si Ligji për Sponsorizimin, kategorizimi i sportit, sportistëve dhe trajnerëve, qeverisja e mirë në sport, barazia gjinore, etj.

Ministrja tha se përkrahja e MKRS-së për sportin në kohë pandemie është bërë me një kujdes të veçantë. “Prioritet i MKRS edhe ketë vit janë investimet që janë duke u realizuar në Modernizimin e Infrastrukturës sportive. Këto investime kalojnë shumën e 19 milion euro në mbi 80 projekte infrastrukturore, në te gjitha komunat e Kosovës duke u realizuar në Stadiume, Palestra, Fusha të Tenisit, Pishina, Poligone sportive, Shtigje te Atletikes, ku përfitues janë edhe komunat e komuniteteve dhe tërë këto investime të MKRS-së ndikon edhe në Masivizimin e sportit në përmbushje të objektivit “Sport për te gjithë”.

Po ashtu, Ministrja Dumoshi, theksoi edhe hapat që ka ndërmarrë MKRS-ja në kuadër të themelimit të agjencisë Anti-Doping.

Ndërkaq, Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani tha se Komiteti Olimpik i Kosovës me kënaqësi ka pranuar për këto vite organizimin e forumit, që fillon sot e që është shumë atraktive për shumë shtete, ku kanë mbledhur miliona njerëz duke i ikur pasivitetit. Kjo ngjarje ka për synim që rë mblidhen më shumë njerëz por që në Kospvë nuk po arrin të mblidhen shumë. Prindërit duhet që ta marrin për dore e ta dergojnë në ndonjë klub, siç e dërgojnë në shkollë”, tha Hasani. /KultPlus.com

Ministrja Dumoshi: Kosova krenohet me diversitetin që ka në kulturë e trashëgimi

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur sot në takim deputeten e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, përfaësuese e komunitetit boshnjak, me të cilën diskutuan për trashëgiminë kulturore.

Bëhet fjalë për pasurimin e trashëgimisë shpirtërore të trashëgimisë kulturore të Kosovës me trashëgiminë e komunitetit boshnjak.

Me këtë rast, ministrja Dumoshi, u shpreh se e mirëpret gatishmërinë e përfaqësuesve të komunitetit boshnjak të pasurojnë trashëgiminë kulturore të Kosovës.

“Kosova krenohet dhe e konsideron pasurinë më të madhe, diversitetin që ka në trashëgimi e kulturë, pasi që ka komunitete të ndryshme që bashkëjetojnë dhe MKRS-ja është e gatshme që të përkrah dhe bashkëpunojë me secilin komunitet që jeton në Kosovë e që kontribuon në pasurimin e trashëgimisë dhe kulturës tonë”, tha ministrja, duke iu bërë thirrje edhe komuniteteve tjera që ta bëjnë një gjë të këtillë, duke pasuruar trashëgiminë e duke plotësuar dokumentacionin në këtë fushë.

Ndërkaq, deputetja Balje e falënderoi ministren për gatishmërinë dhe përkrahjen, duke e konsideruar si një hap të rëndësishëm pasurimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës edhe me trashëgiminë e komunitetit boshnjak.

Ministrja Dumoshi e deputetja Balje u pajtuan që së shpejti kjo çështje do të konkretizohet me një vizitë që ministrja do ta realizojë në Prizren për të parë për së afërmi veshjet, kulturën dhe trashgiminë shpirtërore që ka komunitet boshnjak në regjionin e Prizrenit dhe më gjerë. / KultPlus.com

Dumoshi: Urime Kosovë, vajzat tona na përfaqësuan dinjitetshëm në fushën e gjelbër

Sot në stadiumin e Prishtinës, ‘Fadil Vokrri’, u zhvillua ndeshja e Grupit A kualifikues për Euro 2021 në futboll për femra, ndërmjet Kosovës dhe Estonisë, shkruan KultPlus.

Në këtë ndeshje, ekipi nga Kosova doli fitues.

Fitoren e Kosovës e ka uruar ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi. Dumoshi përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka uruar Kosovën për këtë fitore dhe ka treguar se si ministre do të mbështesë pa rezervë sportin e në veçanti futbollin në kategorinë e femrave.

‘Ndihem krenare dhe shumë e kënaqur me paraqitjen dhe fitoren e Kosovës kundër Estonisë. Vajzat tona na përfaqësuan dinjitetshëm në fushën e gjelbër’, thuhet ndër të tjera në statusin e Dumoshit. / KultPlus.com

Samka Ferri me letër të hapur për Dumoshin: Thuani STOP këtij degradimi dhe merreni timonin vet në dorë

Letër e hapur nga Samka Ferri, drejtuar Ministres znj Vlora Dumoshi

E nderuara ministre Dumoshi, s’apo mora një informatë se komisioni i emëruar për përzgjedhjën e çmimeve vjetore Për Teater, në përbërje:

1. Marigona Bekteshi – regjisore e teatrit.

2. Sahadete Beqiri – dramaturge

3. Agim Selimi – regjisor

4. Jeton Ahmetaj – regjisor

5. Fatos Berisha – regjisor.

Qenka përcaktuar dhe paska marrë vendim për fituesit e sivjetëm.
Kur pashë listën e komisionit dhe listën e fituesve, me dëshpërim të thellë thash me vetë: ” Edhe sivjet si për vjet”.

Këtë dëshpërim nuk e kam pse si doajene e teatrit dhe kostumografisë edhe sivjet kam qenë e nominuar nga disa institucione teatrore për çmimin për vepër jetësore, por se vlera dhe merita ashtu sikur viteve të kaluara, nuk është përcaktues as i emërimit të komisionit profesional, as i përzgjedhjes së fituesve të këtyre çmimeve.

Kur pashë listën e anëtarëve të komisionit, pashë artiste të reja në profesion, të cilat ende nuk janë dëshmu në fushat e tyre përkatëse, e në anën tjetër të njejtave ju ipet një përgjegjësi kaq e madhe dhe delikate për të vlerësuar artistë më kredibilitet, madje edhe doajen të teatrit!

Zgjedhja në këtë komision e artistëve me biografi profesionale të tillë, lë dyshim të bazuar se autoriteteve kompetente, nuk po ju intereson edhe aq që këto çmime ti marrin njerzit e merituar, sepse nga një komision i pamerituar nuk mund të rezultoj një përzgjedhje e merituar e laureateve.

Pyetja që shtroj tani është kjo: Sa ia vlenë të pranohet nominimi nga institucionet teatrore, për të konkuruar në këtë konkurs me laureat të paracaktuar? Këtë pyetje se pari po ia bëjë vetës dhe mandej të njejtën, po ia drejtoj komunitetit artistik dhe juve si ministre…

Këtë pyetje po ia bëjë ndërgjegjes sonë kolektive, që të zgjohet nga letargjia për ti bërë ballë egos tonë të babëzitur…

E nderuara ministre, asnjë herë më parë nuk kam reaguar edhe kur kam verejtur lëshime të tilla në të kaluarën, por kësaj radhe vendosa të ngritem mbi heshtjen time, duke ju drejtuar një ministre femer që një kohë të gjatë ka qenë në krye të institucioneve të ndryshme kulturore.

Të drejtohem ty ministre Dumoshi, sepse ju duhet ta ndaleni këtë trend të paktën për shkak të asaj çka përfaqësoni edhe si person edhe si familje.

Thyeni edhe ju heshtjen dhe merrni kurajon të thuani STOP…Ndaleni tatpjetën ministre, jo për mua, jo për koleget e mij doajen, por për të ardhmën që po vjen.

Thuani STOP ministre këtij degradimi dhe merreni timonin vet në dorë, duke e drejtuar andej nga është drejtësia, besueshmëria dhe vlera.

Merreni kurajon dhe shkarkojeni këtë komision, zgjedheni një komision kredibil dhe zgjedheni laureatët meritorë…

Bëjeni këtë ministre, se e ardhmja nuk do të na e falë… / KultPlus.com

MKRS nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Institutin Albanologjik të Prishtinës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ky memorandum u nënshkrua në kuadër të ditëve evropiane të trashëgimisë.  

Pas nënshkrimit të memorandumit ministrja Dumoshi tha se qëllimi i nënshkrimit të këtij memorandumi është realizimi i interesave të dyanshme në fushën e ruajtjes, mbrojtjes dhe komunikimit të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës. Ministrja gjithashtu theksoi që trashëgimia kulturore e shpirtërore është pjesë kyçe e programit qeverisës.  

 “Pas nënshkrimin të këtij memorandumi na mundësohet realizimi i aktiviteteve dhe hulumtimeve shkencore me rëndësi për trashëgiminë kulturore të Kosovës, si pjesë e fushëveprimtarisë dhe programeve të punës të të dyja institucioneve në fushat specifike studimore si në etnologji, folkloristikë, etnomuzikologji dhe arkeologji” tha ministrja Dumoshi.  

 Ajo tutje tha se në kuadër të muajit të trashëgimisë jemi të përkushtuar maksimalisht që ta ruajmë dhe promovojmë kulturën dhe traditën e vendit tonë.  

Ndërkaq, drejtori i institutit Albanologjik të Prishtinës Hysen Matoshi, falënderoi ministren Dumoshi për pritjen dhe tha se me pas nënshkrimit të këtij memorandumi do të realizojmë programe të përbashkëta për ruajtjen, mbrojtjen dhe komunikimin e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi në Ranillug, ndan 51 certifikata në trajnimin për ndërmarrësi, për të rinj të komunitetit serb

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi vizitoi sot edhe Ranillugun, ku mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga organizata Centra za depolitizaciju kosovskog društva (CDKD), ku të rinj nga komuniteti serb të komunave Ranillug, Partesh, Novobërdë e Kamenicë po trajnohen për ndërmarrësi.

Edhe këto trajnime janë organizuar me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e bërë e mundur përmes thirrjes publike për mbështetje të organizatave rinore.

Ministrja Dumoshi ndau certifikata për 51 përfitues të këtij trajnimi të ndërmarrësisë si dhe u shpreh tepër e lumtur që për herë të parë të rinj të Ranillugut përfitojnë nga trajnimet për ndërmarrësi të cilat u mundësojnë këtyre të rinjve të marrin njohuritë e duhura për tu bërë ndërmarrës të suksesshëm. Ministrja premtoi edhe për hapjen e qendrës rinore e cila do t’i kontribuoje angazhimit rinor në këtë komunë.

“Jemi munduar maksimalisht që nga thirrja publike të përzgjidhen organizata që në fushën e rinisë do të bëjnë impaktin e duhur dhe që ofrojnë programe sa më kualitative. Integrimi i të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë i kontribuon një demokracie gjithëpërfshirëse dhe një ambienti të përshtatshëm për të gjithë” – u shpreh ministrja Dumoshi.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një procesi transparent ka mbështetur mbi 32 organizata rinore të cilat kanë aplikuar me projekte atraktive dhe sensibilizuese./ KultPlus.com

Ministrja Dumoshi përkrahje maksimale projektit rinor në Gjilan



Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi ishte sot në Gjilan në aktivitetin e organizuar nga Organizata Joqeveritare “Rinia Studentore Kadri Zeka” mbështetur nga MKRS përmes thirrjes publike për mbështetje të projekteve rinore.

Organizata në fjalë është implementuese e projektit “S’duhani” i cili ka për qëllim ngritjen e vetëdijes qytetare tek të rinjtë kundër duhan pirjes. I gjithë ky projekt po implementohet përmes një morie aktivitetesh atraktive në vazhdën e muajit të rinisë dhe të aktiviteteve të parapara për muajin e rinisë.

Ministrja Dumoshi u shpreh tepër e lumtur që përmes thirrjes publike për rininë kanë mbështetur rreth 32 projekte rinore, në vlerë prej 100 mijë euro.

“Jemi duke punuar intenzivisht për projektligjin për rininë, dhe përmes tij do ta rrisim moshën si dhe do ta forcojmë komponentin e njohjes së punës vullnetare” theksoi ministrja.

Përmes këtij projekti synohet objektivi i ndërgjegjësimit qytetar ndaj shprehive të dëmshme si dhe ngritja e vetëdijes tek të rinjtë për një ambient sa më të shëndetshëm.

Rinia është një nga dikasteret kyçe të ministrisë dhe nga fushat më me prioritet për mbështetje institucionale, prandaj edhe vëmendja e saj si ministre është maksimale për ngritjen e kapaciteteve rinore. / KultPlus.com

Me veshje kombëtare, ministrja Dumoshi merr pjesë në Lojërat Tradicionale të Rugovës

Në Rugovë kanë filluar Lojërat Tradicionale të Rugovës, në kuadër të muajit të Trashëgimisë Kulturore, dhe pikërisht ditën e parë të këtij shënimi, ministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Vlora Dumoshi e ka vizituar këtë aktivitet, që e ka quajtur thesar të cmueshëm të kulturës së kësaj treve, por edhe i etnikumit shqiptar në përgjithësi, shkruan KultPlus.

“Lojërat tradicionale të Rugovës janë ruajtur brez pas brezi dhe duke i mbijetuar kohës janë ruajtur e zhvilluar edhe sot nga banorët e kësaj ane. Ansambli folklorik autokton “Rugova” në anën tjetër, në shtatë dekada ka ruajtur vallet, këngët, veshjet e të tjera pjesë të traditës rugovase”, ka shkruar ministrja Dumoshi.

Sipas saj, vlerat artistike të ansamblit janë përcjellë nga brezi në brez nga gjeneratat e artistëve popullorë.

“Kjo krijimtari e shquar jo vetëm nga niveli i lartë artistik, por edhe nga elementi i theksuar etnik, përbën një shtyllë identitare të popullit tonë të lashtë e me botë të pasur artistike dhe estetike. Si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit duke u bazuar në Ligjin Nr.02/L – 088 për Trashëgimi Kulturore kam marrë vendim që Lojërat Tradicionale Rugova dhe Opusi i Ansamblit folklorik “Rugova” të marrin statusin e mbrojtjes se përkohshme”, ka njoftuar ministrja Dumoshi, e cila ka vlerësuar në fund se trashëgimia kulturore është pasuria jonë me e çmuar dhe ruajtja e saj është misioni ynë më i rëndësishëm./ KultPlus.com

Kolegët me lot në sy: Komedia do të jetë më e varfër pa Adem Mikullovcin

Suada Qorraj

Përpara teatrit kombëtar tashmë ishte vendosur fotoja e Adem Mikullovcit, por ndryshe nga herë të tjera ai ishte vetëm, për të dhënë shfaqjen e tij të fundit, lamtumirën me skenën ku për aq sa jetoj i dha jetë. Krahas fotos para së cilës ishin vendosur lule, qëndronte edhe tavolina e veshur me të zeza, e së bashku me të libri i kujtimeve ku dalë nga dalë filluan të shënoheshin fjalët, kujtimet e ditëve të mira e të këqija, që miqtë, kolegët e artdashësit kishin përjetuar me të, shkruan KultPlus.

Homazhet për të nderuar veprën, jetën, talentin e madhështinë e Mikullovcit, filluan dalë nga dalë, në ditën kur dielli nuk kishte harruar të lindë, por që artit i kishte marrë dritën. Ishte kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ajo që vendosi shkronjat e para në librin e kujtimeve të ikonës së artit kosovar.

Osmani tha se sot kemi humbur një njeri të madh, e jo vetëm të komunitetit artistik, por një njeri të madh të zemrës të secilit qytetar të Kosovës. Ajo theksoi se ishte pikërisht Adem Mikullovci, ai prej të cilit mësuan shumë çka e mbi të gjitha ai prej të cilit, përmes humorit ju bëri më të lehtë tejkalimin e situatave të vështira.

“Sot kemi humbur një njeri të madh jo vetëm të komunitetit artistik. Adem Mikullovci aktroj për publikun, por në të njëjtën kohë e mbrojti interesin publik deri në frymën e fundit. Ishte një bashkëpunëtor i jashtëzakonshëm në Kuvendin e Kosovës, një njeri nga i cili kemi mësuar shumëçka , i cili edhe në kohërat më të rënda e dinte përmes humorit të tejkalohen ato situata të vështira për të gjithë ne”, tha Osmani për tashmë të ndjerin Adem Mikullovci.

Në homazhe ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi. Ajo theksoi se ky vit ka sjellë një shprazëti të madhe, ka marrë me vete një gjeneratë e emra kulminant të artit të Kosovës. Dumoshi tha se Mikullovci në kohët më të vështira në familjet e secilit ka sjellë humorin dhe gëzimin.

“Do të ketë një shprazëti shumë të madhe, ka ik një gjeneratë këtë vit disa emra kulminantë të artit të Kosovës, ne do t’i kujtojmë dhe detyra jonë është që këta njerëz të cilët dhanë kontributin e vet për artin e Kosovës, për teatrin dhe fushat e tjera t’i përcjellim te gjeneratat e reja. Në kohët më të vështira ai nëpër familjet tona na ka sjellë shumë herë me rolet e tij të humorit edhe gëzimin, sidomos vitet e 90ta e këndej, kur nuk kishim televizione të cilat punonin por me video kaseta ka qenë prezent në çdo shtëpi”, është deklaruar ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Përgjatë karrierës së tij të madhe e të bujshme si aktor, Mikullovci la pas vete personazhet që sollën hare, gëzim madje edhe pikëllim. Por, krahas këtyre personazheve ai ju la kujtimet më të bukura, kolegëve me të cilët pati fatin të bashkëpunoi. Homazheve për Adem Mikullovcin nuk kishte si t’ju mungonte Shkumbin Istrefi dhe Fatmir Spahiu, artistët që për vite të tëra punuan së bashku me të ndjerin.

Teksa sytë i kishte të mbushur lot, Istrefi deklaroi se humbja e Adem Mikullovcit ishte e madhe për të githë popullin e Kosovës. Ai nuk la pa përmendur faktin që ai ishte rritur me praninë e Ademit në skenën e teatrit. Aktori pohoi se Adem Mikullovci përpos bashkëpunëtor, ka qenë edhe prind që ka përcjellë rritjen e tij artistike.

“Ademi na la dhe kjo është humbje e madhe jo vetëm për komunitetin artistik por edhe për gjithë popullin e Kosovës. Me Ademin jo vetëm unë por edhe gjeneratat më të vjetra jemi rrit, me praninë e Ademit në skenën e teatrit dhe sidomos në programe televizive. Për mua Ademi ka qenë përveç një bashkëpunëtor i ngushtë, ka qenë edhe prind i cili e ka përcjell rritjen time artistike. Hapat e parë në ekranin televiziv i kam marrë në projekte të Ademit dhe e falënderoj shumë për ndihmën që ma ka dhanë  jo vetëm mua por krejt gjeneratave të reja të aktorëve të Kosovës”, tha gjatë homazheve Shkumbin Istrefi.

Ai ka shtuar se veprat që la pas Adem Mikullovci janë vulë e kohës, ngase ai ka qenë një opozitë e së keqes. Sipas tij ishte pikërisht Ademi ai që në momentet më të vështira mbajti popullin me humorin e tij të hollë duke ju dhënë në të njejtën kohë edhe forcë.

“Veprat e Ademit mendoj që kanë qenë vulë e kohës, në çdo kohë që ka punuar. Ka qenë opozitë e të keqes. Në momentet e vështira e ka mbajtur popullin me humorin e tij të hollë. Pushoftë në paqe dhe shpresoj që vepra e tij do të jetë pishtar për punën tonë të mëtutjeshme”, ka përfunduar Istrefi.

Kurse Fatmir Spahiu tha se Kosova sot ka humbur Çaplinin e saj, figurën komike e tragjike. Ai ka shtuar se ka humbur një nga bashkëpunëtorët e tij më të mirë dhe se ikja e Ademit ka shënuar varfërimin e komedisë.

“Kosova ka humbur Charlie Chaplinin e vet, figurën e vet edhe komike edhe tragjike. Personalisht kam humbur njërin prej bashkëpunëtorëve më të mirë të atij brezi. Adem Mikullovci ka qenë ndër profesionistët e parë, me të cilin unë kam pasur mundësi të bashkëpunoj qysh në moshën time 18 vjeçare, si aktor shumë i ri dhe student i aktrimit. Kosova dhe skena filmike, televizive dhe teatrove nuk do të jetë më e njëjtë. Komedia do të jetë më e varfër pa Adem Mikullovcin”, ka deklaruar Spahiu.

Edhe për artisten Arbnesha Grabovci -Nixha, humbja e ikonë së artit ka qenë një lajm i hidhur. Sipas saj humbja e kolegëve e rëndoi edhe më shumë pandeminë, por pasuria që ata lanë pas është ngushëllimi më i madh.

“Sot u zgjuam me një lajm të hidhur, me humbjen e bacës Adem. Mirëpo pasuria të cilën e ka lënë na bën të ngjitemi pas asaj dhe të gjejmë një ngushëllim. Baca Adem ka qenë një tekstshkrues, regjisor, filmbërës i njohur, mbi të gjitha ka qenë një patriot i cili ka kontribuar shumë edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por me plotë kuptimin e fjalës mund të them që ka qenë një trim, intelektual i kohës së tij i cili është ballafaquar me sistemin”, deklaroi ajo teksa bënte homazhe pranë fotografisë së Mikullovcit.

Aktori i njohur Adem Mikullovci vdiq në mëngjesin e sotëm në moshën 82-vjeçare, duke lënë kështu të pikëlluar të gjithë ata që e njohën e e deshën edhe nga ekrani. Aktori Mikullovci ka lindur në vitin 1939 në Vushtrri, kurse përgjatë jetës së tij ka luajtur në shumë projekte filmike, teatër, komedi dhe shumë performanca të tjera artistike. Varrimi i tij do të bëhet sot në varrezat e qytetit në Dragodan/Arbëri në orën 16:00./ KultPlus.com

Dumoshi: Baca Adem më nuk do të jetë i pranishëm me trupin e tij, por do të jetë i paharruar në mesin tonë

Me rastin e vdekjes së aktorit Adem Mikullovci, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka shkruar telegram ngushëllimi familjes së tij. Ajo ka thënë se Mikullovci do të mbetet i paharruar dhe se humbja e tij lë zbrazëtirë të pazëvendësueshme për artin dhe kulturën e Kosovës.

“E nderuar familja Mikullovci,

Me pikëllim dhe me mërzi të madhe e mora lajmin për ndarjen nga jeta e të dashurit tuaj, krenarisë tonë artistike, aktorit, skenaristit e regjisorit tonë të madh, bacës Adem.

Baca Adem më nuk do të jetë i pranishëm me trupin e tij, por do të jetë i paharruar në mesin tonë me shpirtin e tij të madh fisnik e artistik dhe me trashëgiminë e pashterur artistike që ka lënë pas.

Ai do të jetë përherë në kujtimet tona me veprën e tij të pamohueshme e të pashlyeshme që ka lënë pas, si një rrugë të shtruar fort për brezat që vijnë.

Numri i roleve dhe veprave artistike e të papërsëritshme të bacës Adem do të mbesin xhevahire të çmuara dhe do të jenë gjurmë të skalitura e të pashlyera në botën e artit e të aktrimit.

Me praninë e tij, ai e ka pasuruar dhe e ka bërë madhështore çdo vepër artistike dhe i ka dhënë peshë roleve që i ka marrë mbi supe t’u japë shpirt.

Me korpusin e roleve të tij në teatër, film e televizion, baca Adem ka tejkaluar çdo barrierë dhe pa dyshim ai konsiderohet krenaria dhe një prej ikonave të artit shqiptar.

Adem Mikullovci ka qenë dhe do të mbetet shembull dhe pikë orientuese në historinë e artit të aktrimit shqiptar por edhe më larg, i cili me angazhimin e tij ka qenë edhe frymëzim jo vetëm për kolegët e tij të gjeneratës dhe për aktorët e rinj, por edhe një frymëzim edhe për popullin e Kosovës në kohët më të vështira nëpër të cilat ka kaluar shteti i Kosovës.

Ndarja e bacës Adem nuk është humbje e rëndë dhe e dhimbshme vetëm për familjen dhe miqtë e tij, por ikja e tij pa dyshim se lë zbrazëtirë të pazëvendësueshme për artin dhe kulturën e Kosovës.

Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt veprën dhe kontributin e tij të çmuar e të paçmim që ka dhënë për kulturën e Kosovës dhe atë mbarëshqiptare.

Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Adem Mikullovcit”./ KutlPlus.com