Dumoshi: Kosova duhet të përfaqësohet në botë me diplomacinë e saj kulturore

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur sot në takim Ministren e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, me të cilën kanë diskutuar për bashkërendimin e hapave konkretë për diplomacinë kulturore të Kosovës dhe bashkëpunimin e dy ministrive në këtë fushë.

Në kuadër të takimit u bisedua për nënshkrimin e një memorandumi të bashkëpunimit për diplomatët kulturorë të cilët do të vendosen nëpër misionet diplomatike të Kosovës në shtetet e ndryshme të botës, gjë për të cilën u vendos që të nënshkruhet ditëve në vijim.

Ministrja Vlora Dumoshi vlerësoi se identifikimi dhe caktimi i figurave të duhura e të rëndësishme për diplomatë kulturorë të Kosovës është jashtëzakonisht hap i nevojshëm, pasi që Kosova duhet të ketë përfaqësim me dinjitet të kulturës dhe vlerave të saj, në shtetet tjera të botës.

Ministrja Dumoshi Dumoshi tha se Kosovës i duhet të prezantojë pikat e saj të forta të kulturës e trashëgimisë në qendrat kryesore të Evropës dhe Botës duke ndikuar kësisoj në fuqizimin dhe thellimin e marrëdhënieve të Kosovës me shtetet tjera si dhe forcimin e mëtejmë të imazhit të shtetit tonë.

Të dy ministret u pajtuan që Kosova e ka të domosdoshme që të ketë një përfaqësim sa më të suksesshëm të diplomacisë kulturore në shtetet më të fuqishme të botës, të cilat janë qendra të vendimmarrjes botërore.

Në takim u diskutua edhe për bashkërendimin e veprimeve për anëtarësimin e Kosovës në organizatat e ndryshme botërore si në UNESCO, Eurimages, e organizatat e tjera që janë të dobishme për fuqizimin e kulturës dhe trashëgimisë tonë në arenën ndërkombëtare në kuadër të diplomacisë së jashtme. / KultPlus.com

MKRS funksionalizon nënkodet buxhetore për institucionet kombëtare të kulturës e të trashëgimisë

Funksionalizohen nënkodet buxhetore për institucioneve kombëtare të kulturës e të trashëgimisë të cilat janë në varësi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kjo gjë ua mundëson institucioneve në fjalë që vetë ato të menaxhojnë buxhetin që ministria ndan për to.

Ky është një fillim i procesit të pavarësimit të institucioneve vartëse në aspektin administrativ. Institucionet vartëse, përmes zyrtarëve përkatës të trajnuar dhe të certifikuar, vetë do të mund të zotojnë dhe shpenzojnë mjetet financiare në bazë të planit dhe programit të paraparë, ndërsa MKRS-ja bën vetëm certifikimin e shpenzimeve.

Me këtë rast, ministrja Vlora Dumoshi, e ka vlerësuar këtë si një proces konform ligjit dhe rekomandimeve, i cili institucioneve ua mundëson një performancë më të mirë dhe redukton procedurat burokratike.

“Ndarja e nënkodeve buxhetore për institucionet vartëse të MKRS-së është një lloj decentralizimi dhe pavarësimi financiar administrativ, ashtu që vetë institucionet të kenë mundësi vetë të bëjnë planifikimin e shpenzimeve dhe zotimin e mjeteve financiare për punët që vet institucionet kryejnë çdo ditë. Kjo gjë mundëson zvogëlimin e procedurave burokratike dhe në anën tjetër e rrit performancën dhe efikasitetin e punës së institucioneve të kulturës e të trashëgimisë për shkak të planifikimit të më mirë”, tha ministrja Dumoshi.

“Në takimin e parë që kam pasur si ministre me udhëheqësit e institucioneve vartëse, si shqetësim i tyre i përbashkët ka qenë çështja e nënkodeve buxhetore dhe atëherë u pata premtuar drejtuesve të institucioneve që kjo gjë do të rregullohet shumë shpejt. Andaj, ndjehem shumë e lumtur që ky zotim u realizua. Me pajisjen e institucioneve me nënkode të posaçme buxhetore, këtyre institucioneve nacionale të kulturës e të trashëgimisë u krijon lehtësira të jashtëzakonshme”, u shpreh ministrja.

Pa nënkode buxhetore, Institucionet vartëse të trashëgimisë dhe të kulturës kanë pasur sfida të theksuara në aspektin e menaxhimit e vet institucioneve, por tashmë pas funksionalizimit të nënkodeve, MKRS-ja do të kërkojë më shume përgjegjësi në raport me mandatet e institucioneve. / KultPlus.com

Dumoshi zotohet që do të themelojë ‘Qendrën e Librit’

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti sot në takim anëtarët e sapo emëruar të Këshillit të Librit.

Ministrja Dumoshi theksoi që qasja dhe bashkëpunimi i saj si ministre do të jetë gjithmonë në funksion dhe në ndihmë të autorëve dhe botuesve në Kosovë.

Libri dhe veprimtaria botuese është ndikuar dhe dëmtuar nga pandemia e COVID-19, prandaj edhe do të jenë pjesë e pakos emergjente për kulturë.

Ministrja u zotua që do të rritet fondi për përkrahjen e botimeve dhe blerje të librave si dhe u shpreh e bindur që Këshilli do të jetë aktiv në angazhimet e veta dhe do të punojë me profesionalizmin e duhur, në atë mënyrë që të bëhet seleksionimi i duhur i autorëve dhe librave që do të përkrahen nga MKRS.

Gjithashtu theksoi që prioritet i saj për këtë mandat është themelimi i Qendrës së Librit.

Edhe anëtarët e sapo emëruar u zotuan që do të angazhohen maksimalisht brenda funksionit dhe detyrës që u është dhënë ndonëse viti 2020 dhe situata me COVID-19 ka bërë që aktiviteti i botuesve të bjerë ndjeshëm dhe kjo ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në prurjet e reja të autorëve.

Këshilli i Librit, bazuar në ligjin për librin dhe veprimtarinë botuese emërohet nga Ministri i Kulturës dhe është organ këshillëdhënës që ka për qëllim të japë iniciativa dhe të propozojë vendime në të mirë të veprimtarisë botuese, të librit dhe të leximit të tij.

Këshilli i Librit përbëhet nga një përfaqësuesi i autorizuar i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Universitetit të Prishtinës, Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Institutit Albanologjik si dhe nga krijues të afirmuar (sipas gjinive letrare: një poet, një prozator, një kritik letrar). / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi e Kryetari Haziri vunë gur themelin e stadiumit ndihmës në Gjilan

Ministrja Vlora Dumoshi bashkë me zv. ministren Valdete Bajrami, gjatë vizitës në Gjilan ishin të pranishme për vënien e gur themelit të stadiumit ndihmës në lagjen “Arbëria” në Gjilan.

Ministrja Dumoshi tha se investimi në fushën ndihmëse në lagjen “Arbëria” kap koston e 550 mijë eurove. Me këtë rast ministrja u bëri thirrje të rinjve dhe organizatave rinore që të aplikojnë për mbështetje nga fondi emergjent 5 milionësh që është ndarë për MKRS-në për kulturë, rini, sport e trashëgimi.

Ky fond do të përfshijë vende pune për të rinjtë, në fusha që ndërlidhen me kulturën, rininë e sportin, me ç ‘rast të rinjtë ftohen të aplikojnë përkitazi në projekte programore të Ministrisë. Me këtë theksoi që synohet që pjesën që i përket rinisë, përmes këtij fondi ta përkthejnë në vende punë për të rinjtë.

“Sot ndodhemi në komunën e Gjilanit ku në programin tonë bashkë me Federatën e Futbollit shpalosim programin për avancimin e sportit në përgjithësi e në veçanti për futbollin. Në katër komuna do të investojmë rreth 4 milionë euro. Fusha ku ndodhemi sot ka koston prej 550 mijë euro”.

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha se të rinjtë e Gjilanit do të shkollohen e stërviten në këtë stadium. Haziri mes tjerash ka thënë se ky është stadiumi i tretë në Gjilan.

“Ministrja dhe zëvendësministrja sot janë në Gjilan për të parë punimet në infrastrukturën sportive dhe për ta inauguruar stadiumin ndihmës të Gjilanit. Të rinjtë tanë do të shkollohen e stërviten por edhe klubet do t’i kryejnë stërvitjet në këtë stadium. Shpresoj që kjo t’ju shërbejë si motivim për lojën së bukur që do të zhvillohet këtu – tha Kryetari Haziri.

Stadiumet në fjalë janë projekt i përbashkët i MKRS-së, FFK-së dhe komunave dhe ndërtohen për ekipet e futbollit të cilat garojnë në Super Ligën e Kosovës.

Gjashtë fusha ndihmëse janë ndërtuar edhe gjashtë pritet të ndërtohen në tërë Kosovën. / KultPlus.com

Dumoshi dhe Haziri nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për festivalin tradicional “Flaka e Janarit”

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi bashkë me zëvendësministren Valdete Bajrami kanë vizituar sot Komunën e Gjilanit.

Gjatë vizitës, ministrja Dumoshi e zv. Bajrami kanë zhvilluar takim me Kryetarin e Komunës, Lutfi Haziri, i cili u informua për projektet e MKRS-së në këtë komunë.

Me kryetarin Haziri ministrja Dumoshi nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit për festivalin tradicional “Flaka e Janarit” në vlerë prej 20.000.00€.

Ministrja Dumoshi tha se është e gëzuar që po e finalizon një memorandum për të përkrahur këtë manifestim duke shprehur se çfarë e bën edhe më të veçantë është nënshkrimi pikërisht më 2 korrik kur kujtojmë të gjithë ata që kontribuuan për këtë ditë.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se nënshkrimi i memorandumit për financimi i manifestimit “Flaka e Janarit”, tregon kujdesin institucional për këtë qytet. Ai u shpreh i nderuar që pret për vizitë ministren Dumoshi dhe zv. Bajrami dhe u shpreh se simbolika e kësaj dite është kontributi i heronjve të 2 korrikut. Ardhja e vet ministres tregon kujdesin institucional për qytetin tonë – tha ai.

Gjatë takimit u diskutua edhe për finalizimin e projekteve si Muzeu i qytetit, Galeria e qytetit si dhe plani për një fond të veçantë për përkrahjen e punësimit të të rinjve dhe mbështetjen e ndërmarrësve të rinj.

Ministrja Dumoshi, zv. ministrja Bajrami dhe kryetari Haziri inspektuan edhe ecurinë e punimet në Stadiumin e Gjilanit i ku investimet janë mbi 9 milion euro.

Ky stadium sipas standardeve të UEFA-s i takon kategorisë së katërt. Ministrja Dumoshi, tha se si ministri do të vazhdojnë investimet nëpër stadiume, teksa shtoi se prioritet i tyre është rregullimi i infrastrukturës sportive.

Investimet tjera në Komunën e Gjilanit janë edhe Palestra sportive në Zhegër e cila kap vlerën e mbi 2 milion euro, dy fusha të tenisit, me vlerë mbi 70.000.00 dhe investimet në Palestrën “Petrit Selishta”, me vlerë mbi 400.000 euro.

Edhe kryetari Haziri, tha se stadiumi i qytetit është prioritet i lartë i Komunës dhe se ky konfirmim i kontribuon standardizimit të plotë të sportit në gara ndërkombëtare.

Gjatë inspektimit në stadium i pranishëm ishte edhe sekretari i Federatë së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, i cili mbështetjen e MKRS-së për stadiumin e qytetit të Gjilanit dhe në përgjithësi për projektet infrastrukturore në futboll i vlerësoi si të jashtëzakonshme, pasi që ua mundësojnë futbollistëve të zhvillojnë talentin e tyre dhe të realizojnë garat vendore e ndërkombëtare. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi takoi Këshillin e ri drejtues të AKKV ‘Shota’

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, takoi sot anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, Ismet Bogujevci, Riza Bytyçi, Fahredin Spahija, Xhevdet Gashi dhe Driton Rukiqi, si përfaqësues i MKRS-së.

Në këtë takim njohës u diskutua rreth planeve dhe objektivave që ka AKKV “Shota”, duke pasur gjithmonë parasysh realizimin e punëve në bazë të përgjegjësive që ka ky institucion kombëtar i kulturës, që mbikëqyret nga MKRS-ja.

Ministrja Vlora Dumoshi tha se Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” është një prej institucioneve më të rëndësishme të kulturës në nivel kombëtar, i cili kontribuon në promovimin dhe ruajtjen e kulturës tonë përmes këngëve dhe valleve shqipe.

Ministrja mes tjerash u shpreh se Këshilli Drejtues i AKKV “Shota” do ta ketë mirëkuptimin dhe mbështetjen e plotë të saj dhe pret një bashkëpunim në shërbim të avancimit të vlerave kulturore. Ministrja kërkoi nga Këshilli të jenë aktiv dhe të punojnë me profesionalizëm në mënyrë që këtë institucion të kulturës tonë ta mbajnë lartë aty ku e meriton.

Ndërsa anëtarët e Këshillit Drejtues të “Shotës” falënderuan ministren Dumoshi për pritjen dhe për gatishmërinë për ta përkrahur vizionin e tyre që kanë për institucionin. Ata theksuan se janë të gatshëm për të bashkëpunuar dhe se do të punojnë që AKKV “Shota” të vazhdojnë ngritjen e tij edhe më tutje përmes realizimit të aktiviteteve kulturore dhe artistike duke e promovuar kulturën shqipe brenda dhe jashtë vendit. / KultPlus.com

Dumoshi: Të gjithë ne duhet ta kemi dhe mbajmë sportin duke e bërë pjesë të jetës tonë të përditshme dhe duke u rritur dhe edukuar me vlerat që ai kultivon

Ministrja e Kulturës Vlora Dumoshi në Ditën Olimpike ka thënë se sporti duhet të jetë cdo ditë në fokusin tonë, shkruan KultPlus.

“Dita Olimpike është një ditë e veçantë për të gjithë sportdashësit dhe të gjithë ne, duke na dhënë një mundësi për promovimin e sportit, por njëkohësisht kjo nuk duhet të jetë një ditë e vetme ku ne mendojmë për sportin, por sporti le të jetë çdo ditë në fokusin tonë.

Të gjithë ne duhet ta kemi dhe mbajmë sportin duke e bërë pjesë të jetës tonë të përditshme dhe duke u rritur dhe edukuar me vlerat që ai kultivon. Për shkak të problemeve me pandeminë Covid 19, Dita Olimpike u shënua ndryshe nga vitet e kaluara. Bashkë me kryetarin e KOK-ut, zyrtarë e sportdashës zbuluam Rrathët Olimpik, prandaj shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë sportistët, në veçanti Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovën dhe të gjithë ata që e lartësuan shtetin e Kosovës nëpër botë dhe duke na bërë çdoherë krenar”, shkruan Ministja Dumoshi. /KultPlus.com

Ministrja Dumoshi mori pjesë në lansimin e organizatës ‘Kosova Jewish Organization’

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka marrë pjesë në ceremoninë e lansimit të organizatës hebraike-kosovare Kosova Jewish Organization, aktivitet i organizuar bashkë me British Academy.

Qëllimi i kësaj organizatë është rritja e shkëmbimeve kulturore e edukative midis Izraelit dhe Kosovës dhe për të afruar dy popujt me njëri-tjetrin. Kjo organizatë është rezultat i një grupi vullnetarësh që kanë avokuar dhe vite me herët në të njëjtat fusha.

Ministrja Dumoshi uroi themeluesit e kësaj organizate për nisjen e aktiviteteve dhe realizimit të qëllimeve të mira të saj në vendin tonë. Organizatat të cilat kanë për synim rritjen e shkëmbimeve kulturore dhe sjelljen e përvojave të mira në Republikën e Kosovës janë të mirëseardhura dhe ministria i mirëkupton dhe i përkrah, ka vlerësuar ministrja. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi priti në takim komunitetet jo shumicë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar sot një takim me grupin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës 6+, me të cilët ka diskutuar për projekte në të cilat pritet që MKRS-ja të investojë, me theks, ato që janë në interes të qytetarëve të komuniteteve jo shumicë.

Konkretisht, ministrja Dumoshi diskutoi me deputetët për tema dhe projekte që kanë të bëjnë për diversitetin dhe dialogun kulturor mes komuniteteve jo shumicë që jetojnë në Kosovë, trashëgiminë kulturore, restaurimin e objekteve, në veçanti në Prizren si dhe për bashkëpunimin, subvencionet në kulturë, rini e sport për këto komunitete.

Me këtë rast, ministrja Dumoshi, tha se në vazhdimësi MKRS-ja i trajton me kujdes dhe prioritet projektet që kanë të bëjnë dhe që janë në interes të komuniteteve.

“Komunitetet jo shumicë që jetojnë në Kosovë janë një pasuri e vendit tonë të cilat bëjnë që diversiteti të jetë një ndër vlerat që çmohet e respektohet juridikisht e konkretisht. Vazhdimisht ministra të cilën unë e udhëheq i ka përkrahur projektet e idetë që janë në dobi të komuniteteve jo shumicë dhe me mbështetjen e saj MKRS-ja ka nxitur dialogun kulturor mes komuniteteve me qëllim të ngritjes së urave të bashkëpunimit dhe shmangies së keqkuptimeve”, tha mes tjerash ministrja Dumoshi.

Nga ana e tyre, deputetët e komuniteteve jo shumicë, të grupit parlamentar 6+ e falënderuan ministren për pritjen dhe shprehën mirënjohjen e tyre për gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe përkrahur komunitetet jo shumicë që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Deputetët i paraqitën sfidat me të cilat ballafaqohen komunitetet që ata përfaqësojnë dhe e informuan ministren për prioritetet që presin t’i përkrah MKRS-ja. Ata thanë se pas rishikimit të buxhetit do të jetë një pasqyrë më e qartë rreth projekteve për kulturë, rini e sport. / KultPlus.com

Dumoshi: Kujtimi për Bekim Fehmiun do të jetë i përhershëm

Sot bëhen dhjetë vjet nga vdekja e Bekim Fehmiut, aktorit shqiptar me famë botërore, i cili la gjurmë në kinematografinë botërore e shqiptare. Bekimi me talentin e tij të pashembullt në aktrim arriti të depërtojë në skenën ndërkombëtare të filmit.

Numri i roleve në të cilët ka luajtur ai është shumë i madh. Në secilin rol që është angazhuar, Bekimi i ka dhënë vlerë të shtuar secilit film dhe përkushtimi e angazhimi me shpirt në secilin rol që ka jetësuar e kanë bërë të famshëm Bekimin, me të cilin jemi rritur, jemi gëzuar, jemi emocionuar e kemi qenë dhe do të jemi përherë krenar.

Mbeten të paharruara performancat e tij filmike në “Mbledhësit e Puplave”, “Odissea”, “Avanturieri” e shumë e shumë projekte të tjera që mbeten kryevepra të kinematografisë.

Unë si ministre dhe institucioni të cilin e udhëheq, e përkujtojmë dhe nderojmë figurën e Bekim Fehmiut dhe ndjehemi jashtëzakonisht keq që për shkak të rrethanave të pandemisë COVID-19, nuk mund ta shënojmë përvjetorin e tij të vdekjes ashtu siç e meriton Bekim Fehmiu me trashëgiminë që la pas. Organizimi i ndarjes së çmimit i cili është i përcaktuar me rregullore, do të bëhet në një formë tjetër ditëve në vijim.

Ne e kujtojmë me pietet dhe nuk do të harrojmë kurrë Bekim Fehmiun, në artist kaq të madh që popujt do ta ëndërronin ta kishin.

I paharruar do të jetë emri i tij dhe ne do ta kujtojmë, vlerësojmë dhe nderojmë gjithmonë figurën dhe emrin e të madhit Bekim Fehmiu.

Sinqerisht,
Vlora Dumoshi
Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
/ KultPlus.com

Dumoshi: Artistët kosovarë po e prezantojnë me sukses kulturën tonë jashtë shtetit

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 21 vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, takoi aktoren Adriana Matoshi, e cila së fundi është shpërblyer me çmim si aktorja më e mirë në Festivalin e Francës “See A Paris”, për rolin e saj në filmin “Nëntori i Ftohtë”.

Ministrja Dumoshi tha se është krenari dhe lajm i mirë që kemi aktore kaq të talentuara si Adriana. Ajo i shprehu mirënjohjen për kontributin që aktorja po jep në promovimin e kulturës tonë dhe në shenjë falënderimi ministrja i ndau si dhuratë një okarinë.

“Dua t’i përkrah maksimalisht aktorët dhe ata që realizojnë dhe promovojnë vlerat tona të mirëfillta kulturore. Tashmë është një fakt i ditur se filmi po tregon sukses në arenën ndërkombëtare krahas sportit. Kësisoj, në nivel shtetëror nëse e vlerësojmë, pa dyshim se prezantimi i kulturës tonë po realizohet nëpërmjet filmit”, tha mes tjerash ministrja.

Ndërkaq aktorja Matoshi e falënderoi ministren për takimin dhe vlerësimin e bërë. Ajo tha se Kosova ka kuadro dhe di të bëj filma të mirë. Ajo foli për përvojat e veta, për filmat në të cilët është angazhuar dhe se po punon maksimalisht të përçojë mesazhe që edhe ne si vend kemi talente e profesionistë edhe në kinematografi.

Ministrja Dumoshi në fund vlerësoi se pjesëmarrja dhe prezantimi i artistëve tanë në festivale ndërkombëtare, në rastin konkret në Francë, tregon për bashkëpunimin që kanë dy vendet në kulturë.

“Dua të falënderoj Ambasadën e Francës në Kosovë dhe përmes saj qeverinë dhe popullin francez për tërë kontributin e tyre ndaj vendit tonë, sidomos në fushat që ka në përgjegjësi MKRS-ja në shumë projekte konkrete që kanë qenë në interesin e përbashkët”, tha ministrja. / KultPlus.com

Hapet Burgu i Prishtinës, shpalosen figurat e rezistencës së çështjes kombëtare në Kosovë

Xhemile Hysenaj

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për nder të 21 vjetorit të çlirimit të Kosovës, sot ka organizuar hapjen e Burgut të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Ky burg shpalos një histori të dhimbshme, historinë e popullit tonë, përmes të cilit kaluan shumë personalitete që u torturuan për kohë të gjatë në dhomat e atij burgu.

Hapjen zyrtare të burgut e bëri kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, i cili e quajti një moment të veçantë hapjen e këtij burgu, duke thënë se me të drejt është quajtur ‘Burgu i ideve’, pasiqë aty edhe kanë nisur idetë për levizjet e rezistencës së Kosovës.

“Është ndjenjë e veçantë dhe e përjeton kur hyn nga një çeli në tjetrën. Ky është burgu i ideve. Le të jetë kjo një qendër që të gjithë qytetarët e Kosovës ta përjetojnë atë që kanë kaluar njerëzit gjatë kohës sa ishin të burgosur”, u shpreh tutje Hoti për të pranishmit.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi shprehej se të burgosurit e këtij burgu, në periudha të ndryshme kanë qenë dhe janë bazament i rezistencës.

“Ne e kemi paraparë që për këtë ditë ta ofrojmë për vizitorët ta hapim. Burgu është ndërtuar në vitin 1945 në kohën e Rankoviqit, është ndërtuar nga të burgosurit politikë. Kjo tregon për historinë e popullit tonë sa kemi qenë të fortë. Çka është specifike, burgu është i ndërtuar në formën harkore, sepse ka qenë urdhër Aleksandër Rankoviqit që me qenë bashkë me hetuesinë apo UDB-në. Kemi këtu individë që me vjet kanë qëndruar në çeli. Kjo do të jetë pjesë integrale e historisë tonë”, deklaroi Dumoshi.

Sipas të dhënave nga Arkivi i Prishtinës, ndërtesa e Burgut të Prishtinës, është ndërtuar në fund të viteve 1940-50, në kohën kur është ndërtuar edhe ndërtesa e Komunës së Prishtinës dhe ndërtesa e ish-Komitetit në Sheshin Nënë Tereza. Disa shënime të tjera tregojnë se në këtë zonë para ndërtimit të burgut ka ekzistuar një shkollë e vjetër e muzikës, e cila më pas është transformuar në administratë policore.

Në rastin e burgut, tema që trajtohet është shumë e rëndësishme, por edhe komplekse sepse ngërthen burgimet politike, përndjekjet, rezistencën por edhe gjithë organizimin politik për liri të shqiptarëve në Kosovë.

Ndërkaq në një pjesë të murit, jashtë burgut, qytetarët dhe personalitete të njohur, vendosën mbishkrime të ndryshme dedikuar të gjithë atyre që dikur kanë vuajtur tortura të mëdha në dhomat e këtij burgu.

Në muret e këtij burgu vareshin disa nga fotografitë e figurave më të mëdha që Kosova ka pasur përgjatë historisë së saj në luftën për liri e pavarësi, Ukshin Hoti, Rexhep Mala e Adem Demaçi ishin disa nga këto figura. Në ato mure akoma gjendeshin lutje e gëvishtje të të burgosurve të atëhershëm, të cilët përjetuan tortura nga më të rëndat, disa prej të cilëve përfunduan edhe fatalisht e disa të tjerë nuk u gjetën më kurrë.

Ish-burgu i Prishtinës planifikohet që në të ardhmen të shndërrohet në muze. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi vendos lule te varri i Fadil Vokrrit: Ai është i pavdekshëm

Ministrja e Sportit, Vlora Dumoshi, ka vendosur kurorë lulesh mbi varrin e ish Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, në dyvjetorin e shkuarjes së tij në amshim.

Ajo ka thënë para mediave se kontributi i Vokrrit është i jashtëzakonshëm, transmeton Klan Kosova.

“Sot në dyvjetorin e vdekjes së legjendës kemi ardh ta bëjmë nderimin për të, ka qenë njeri shumë i madh ku ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për sportin në Kosovës në faza të ndryshme të jetës – sidomos në pjesën e fundit ku arritur që futbollin e Kosovës ta anëtarësojë në FIFA dhe UEFA”, është shprehur Dumoshi.

“Fadil Vokrrin do ta restkojnë gjenerata e gjenerata që do të vinë. Me kontributin e tij, ai është i pavdekshëm”.

“Kontributi i tij është i jashtëzakonshëm dhe ne do ta mbështesim amanetin e tij që sportin ta dërgojmë përpara. Sot në orën 13:00 në stadiumin e Prishtinës do prezanoeht buceta për shtatoren e tij që do të përfundojë sivjet”. / KultPlus.com

Në Kosovë shënohet Dita Botërore e Sportit dhe Mjedisit

 

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi pas rimarrjes së mandatit ka vazhduar me aktivitete në kuadër të realizimit dhe përmbushjes së planit dhe objektivave që ka si ministre, konform agjendës që ka MKRS-ja për këtë vit.

Ministrja Dumoshi mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, për të shënuar 5 qershorin – Ditën Botërore të Sportit.

Më këtë rast ministrja Dumoshi u shpreh se pas rimarrjes së mandatit si ministre në MKRS në qeverinë Hoti do të vazhdojë të punojë me përkushtim dhe do të bashkëpunojë në interes të avancimit të fushave që janë në përgjegjësinë e ministrisë që ajo udhëheq.

“Bashkërisht do të punojmë shumë sidomos për sportin sepse nuk do të kemi sport të shëndetshëm nëse nuk do të kemi një mjedis të pastër. Ky mesazh është i mirë se çdo qytetar të mbjellë më shumë pemë dhe ta fisnikërojmë natyrën tonë. i ftoj të gjithë qytetarët që secili prej tyre nëpër komuna ta japin mesazhin më të mirë për ruajtjen e ambientit për ta bërë një Kosovës sa më të pastër”, u shpreh ministrja Dumoshi pasi mbolli një pemën olimpike bashkë me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, si simbolikë për të shënuar këtë ditë të rëndësishme për sportin
Po ashtu ministrja Dumoshi tha se “do të diskutohet edhe për Pakon Emergjente që do t’i dal në ndihmë sportistëve. Ajo tha se do të diskutohet edhe në mbledhjen e Qeverisë për këtë çështje”.

Ndërkaq kryetari i Komitetit Olimpikë të Kosovës, Besim Hasani tha se “Sot është Dita Botërore e Sportit dhe Mjedisit, edhe Komiteti Olimpik i është bashkangjitur kësaj dite dhe nga kjo mbjellje ne duam të dërgojmë mesazhin që të mbillet në kokën e secilit të ri që të mbillet ajo fara për përkujdesjen e mjedisit dhe të ambientit”. / KultPlus.com

Vlora Dumoshi vazhdon të udhëheqë me Ministrinë e Kulturës edhe në Qeverinë Hoti

Qeveria Hoti mori besimin e deputetëve të Kuvendit. Me 61 vota për, 24 kundër dhe një abstenim, sot është votuar Qeveria e re në krye me Avdullah Hotin.

Kësisoj, Hoti merr udhëheqjen e ekzekutivit nga Albin Kurti, i cili në 70 ditët e fundit ishte kryeministër në detyrë.

Qeveria Kurti është rrëzuar me mocion mosbesimi më 25 mars. Qeveria e re, e kundërshtuar nga VV-ja si parti fituese, do të ketë për partner koalicioni LDK-në, AAK-në, Nisma-AKR dhe komunitetet joshumicë.

Kandidati për kryeministër të Kosovës, Avdullah Hoti ka prezantuar përbërjen e kabinetit të ri qeverisës.

Me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të vazhdojë të udhëheqë Vlora Dumoshi e cila u zgjodhë fillimisht pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Tutje po ju shpalosim përbërjen e Qeverisë Hoti: Zëvendës kryeministër i parë do të jetë Besnik Tahiri, pasuar nga Driton Selmanaj, Albulena Balaj dhe Goran Rakiqi.

Përbërja:

Avdullah Hoti – Kryeministër – LDK

Besnik Tahiri – Zëvendëskryeministër i parë – AAK

Driton Selmanaj – Zëvendëskryeministër – LDK

Albulena Balaj – Zëvendëskryeministre – Nisma 

Goran Rakiq – Zv.kryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal -Lista Serbe

Hykmete Bajrami – Ministre e Financave – LDK

Besian Mustafa – Ministër i Zhvillimit Rural – LDK

Vlora Dumoshi – Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – LDK

Anton Quni – Ministër i Mbrojtjes – LDK 

Arban Abrashi – Ministër i Infrastrukturës – LDK

Agim Veliu – Ministër i Punëve të Brendshme – LDK

Armend Zemaj – Ministër i Shëndetësisë – LDK 

Selimi Selimi – Ministër i Drejtësisë -AAK 

Blerim Kuqi – Ministër i Ambientit -AAK 

Meliza Haradinaj – Ministre e Punëve të Jashtme dhe Drejtësisë – AAK 

Ramë Likaj -Ministër i Arsimit dhe Shkencës – AAK 

Skender Reçica – Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale – Nisma 

Vesel Krasniqi – Ministër i Tregtisë dhe Industrisë – Nisma 

Dalibor Jevtiq – Ministër për Komunitete dhe Kthim – Lista Serbe 

Enis Kervan – Ministër i Zhvillimit Rajonal – KDP. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi takoi kryetarin e Obliqit, premton investim në kulturë e rini

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, priti sot të takim Kryetarin e Komunës së Obiliqit Xhafer Gashi, me të cilin biseduan për realizimin e projekteve të përbashkëta që janë në interes të qytetarëve të kësaj komune.

Ministrja Dumoshi e siguroi Kryetarin Gashi se prioritet i saj dhe i MKRS-së është që të përkrahë secilën komunë në fushat që mbulon ministria, me këtë rast edhe për Obiliqin, në të cilën ministria ka në plan të investojë në projekte konkrete në kulturë e rini.

“Unë si ministre dhe MKRS-ja do t’u gjendemi pranë të gjitha Komunave të Kosovës pa përjashtim në bazë të mundësive dhe kapaciteteve buxhetore që ministria ka, duke bërë investime të shumta kapitale  edhe në përkrahje të drejtpërdrejtë në ngritje të cilësisë në kulturë, trashëgimi kulturore, rini e sport”, tha mes tjerash ministrja.

Ndërsa, kryetari Gashi e uroi ministren për marrjen e detyrës dhe e falënderoi për gatishmërinë e treguar për ta përkrahur Komunën e Obiliqit. Gashi tha se Obiliqi ka nevojë që të investohet më shumë në këtë komunë në projekte infrastrukturore dhe është e mirëseardhur mbështetja e MKRS-së. / KultPlus.com

MKRS aktualisht ka 18 projekte në realizim në Komunën e Prizrenit

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, në kuadër të vizitës së sotme në Komunën e Prizrenit, e shoqëruar edhe nga Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilia Rexhepi, kanë zhvilluar një takim me kryetarin Mytaher Haskuka, ku kanë bashkëbiseduar për projektet që do të investohen në këtë komunë nga ana e MKRS-së.

Ministrja Dumoshi dhe kryetari Haskuka nënshkruan edhe një memorandum bashkëpunimi mes MKRS-së dhe Komunës së Prizrenit. Qëllimi i tij është Ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në fshatin Manastiricë të kësaj komune, në vlerën financiare prej 300 mijë euro, projekt ky i cili do të implementohet në vitet 2020-2022.

Me këtë rast, ministrja Dumoshi u shpreh se shumë projekte janë në plan për Prizrenin dhe lavdëroi këtë qytet për diversitetin dhe trashëgiminë kulturore që ka.

“Sot jam e lumtur që nënshkruam këtë memorandum i cili është shumë i rëndësishëm për atë pjesë. Prizreni është qyteti më i bukur dhe tregon diversitetin kulturor. Ministria e Kulturës ka diku 18 projekte të cilat janë duke u realizuar”, u shpreh ndër të tjera ministrja.

Po ashtu, Ministrja Dumoshi veçoi projektin e Muzeut të Filigranit dhe paralajmëroi edhe për një sallë sportive.

“Ne jemi në përfundim të marrëveshjes me komunën për Muzeun e Filigranit. Është këtu edhe ministrja që ka bërë një punë të jashtëzakonshme për Prizrenin. Do të shohim që të fusim në buxhetin e vitit 2021 të fusim edhe një sallë sportive”, tha ministrja, duke premtuar edhe mbështetje për festivalet që mbahen në Prizren.

Ndërkaq, kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka tha se MKRS-ja ka shumë projekte në Prizren.

“Me ministren diskutuan e për shumë projekte që po realizohen në këtë komunë. Ne kemi shumë projekte me MKRS-në. Sot e kemi projektin ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në fshatin Manastiricë, janë realisht projekte të rëndësishme nëpër fshatra. Pos kësaj marrëveshje e diskutuam për mbarëvajtjen e projekteve të tjera, pas kësaj do të dalim në teren ku do të zhvillohen projekte. E falënderoj zonjën Dumoshi për mbështetjen”, tha Haskuka. / KultPlus.com

4 vjetori i pranimit të FFK-së në FIFA, Dumoshi: Ditë historike për futbollin kosovar



Data 13 maj 2016, është një ditë e shënuar në historinë e futbollit të Kosovës pasi rezulton me pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në FIFA. Sot është 4 vjetori i pranimit të FFK-së në organizatën kryesore të futbollit të botë dhe si datë ka një domethënie e një rëndësi për sportin e futbollit në vendin tonë.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi përmes një letre ka uruar këtë datë të shënuar për futbollin e Kosovës e të cilën KultPlus ju sjell më poshtë:

Kjo datë ka sjellë epilogun e ndërkombëtarizimit të futbollit të Kosovës, duke i dhënë një shtysë zhvillimit dhe avancimit të futbollit në vendin tonë, i cili ka qenë një sport që është kultivuar dhe ka pasur traditë ndër vite në Kosovë.

Pranimi i FFK-së në FIFA ka kurorëzuar punën dhe sakrificën e gjeneratave të tëra që kanë dhënë për zhvillimin e futbollit në Republikën e Kosovës, sport i cili nuk ka kaluar aq lehtë nëpër periudha të ndryshme kohore, gjatë rrugëtimit të tij historik deri më sot.

Nuk harrohen dot fushat e improvizuara, arat e livadhet që njerëzit e vullnetit të mirë, i kanë liruar për terrene futbolli, për t’i dhënë shpresë shoqërisë dhe qytetarëve të Kosovës për të vazhduar më tutje, për të tejkaluar çdo barrierë e sfidë, sociale, ekonomike e politike, që pa të drejtë i ishin vënë mbi qafë popullit të Kosovës, sidomos në dekadën e fundit të shekullit 20.

Organizimi dhe menaxhimi i garave të futbollit nën robëri, ka qenë një frymëzim, vullnet dhe model edhe për sferat tjera jetësore, për mos t’u dorëzuar por për të luftuar për ta ndërtuar shtetin e Kosovës, për të cilin kanë sakrifikuar jetën e tyre edhe futbollistë të shumtë për Kosovën që ne gëzojmë sot.

Një mirënjohje të veçantë për tërë ata që kanë kontribuuar për sportin e futbollit në Republikën e Kosovës në çfarëdo forme, të cilët e kanë mbajtur gjallë këtë sport në vendin tonë dhe të cilët ua mundësuar gjeneratave të reja sot që të garojnë të barabartë me qytetarët e Evropës dhe të Botës.

Ishte legjenda Fadil Vokrri, që fati deshi, e vulosi me emrin e tij ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës si një kupë fitoreje për të dhe për vendin tonë duke e bërë Kosovën anëtaren e 205-të të FIFA-s.

Kosovën e presin sfida tjera në avancimin dhe ngritjen e mëtejme të cilësisë së futbollit, përfaqësimi dhe rezultatet në garat ndërkombëtare, puna me talentet e reja në këtë sport, përmirësimi i infrastrukturës ligjore e fizike të futbollit, dhe ne si Ministri e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do t’i qëndrojmë gjithherë përkrah Federatës së Futbollit të Kosovës me të gjitha mundësitë që kemi.

Andaj, përmes këtij mesazhi dua t’i uroj drejtuesit e FFK-së për këtë datë historike për ta, të gjithë futbollistët i përgëzoj për këtë përvjetor të pranimit në FIFA, po ashtu edhe trajnerët, punëtorët sportiv dhe gjyqtarët e futbollit.

Urime dhe gëzime përjetë anëtarësimin në FIFA duke e bërë Kosovën pjesë të familjes së madhe të futbollit botëror! / KultPlus.com

Dumoshi: Ahmeti ka qenë njeriu me të cilin është identifikuar baleti në Kosovë

Telegram ngushëllimi i ministres Dumoshi për vdekjen e Ahmet Brahimajt

E nderuara familje Brahimaj,

Me pikëllim të madh e morëm lajmin për ndarjen nga jeta e të dashurit tuaj, Ahmetit.

Ahmeti ka qenë njeriu me të cilin është identifikuar baleti në Kosovë. Me angazhimin e tij, ai ka bërë që të njihet jo vetëm nga artistët e ata që merren me kulturë por edhe në fusha tjera. Kur ka folur dikush për baletin e ka pasur në mendje Ahmetin.

Ahmet Brahimaj është prej njerëzve të parë që është marrë me balet dhe është edukuar në këtë fushë duke qenë prej gjeneratave të para të Baletit të Kosovës. Si një ndër balerinët e parë, ai ka formuar Ansamblin e Baletit në vendin tonë në vitet e 70-ta të shekullit 20.

Ka luajtur në mëse 40 premiera baleti e në shumë premiera tjera artistike duke pasur rolet kryesore në to duke u paraqitur me sukses. Përkushtimi me të cilin Ahmeti ka punuar ka bërë që ai përpos që ka fituar dhe gëzuar respektin e atyre që kanë pasur rastin ta njohin e të punojnë me të, ta marrin për frymëzim dhe nxitje për angazhim më të madh.

Baleti i Kosovës por edhe kultura shqiptare në përgjithësi ka humbur një figurë shumë të madhe duke e lënë një zbrazëti të pazëvendësueshme. Ahmeti do të kujtohet dhe do të mbetet i paharruar përmes veprave të shumta e gjurmëve të pashlyera që la pas. Mes bashkëpunëtorësh, shëmbëlltyra e tij do të mbetet përjetësisht udhërrëfyes i punës dhe angazhimit.

Ngushëllime familjes, miqve e tërë komunitetit artistik për këtë humbje të madhe. / KultPlus.com

MKRS dhe organizatat e sportit me kërkesë të përbashkët për të lejuar fillimin aktiviteteve sportive në Kosovë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar sot një takim me Kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani dhe krerët e federatave sportive për të bashkërenduar veprimet dhe hapat, pas lehtësimit të masave të izolimit për shkak të pandemisë COVID-19.

Ministrja Dumoshi ka kërkuar nga organizatat sportive që konkretisht të raportojnë në Departamentit të Sportit se në cilën fazë gjenden dhe cilat janë nevojat e emergjente që ato kanë në mënyrë që institucionet përgjegjëse për menaxhimin e pandemisë në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet tjera ndërlidhëse të qartësojnë se si do të realizohet vazhdimi i përgatitjeve të sportistëve dhe zhvillimi i garave sportive në federatat përkatëse.

Ministrja ndër tjera u shpreh se MKRS-ja ka nënshkruar memorandume me secilën organizatë sportive dhe për të dëshmuar përkrahjen dhe bashkëpunimin me KOK-un dhe federatat sportive, ka ftuar drejtuesit e tyre për të qartësuar dhe koordinuar hapat e mëtejmë për të nisur gradualisht jetën sportive në vend deri në normalitet.

“Ne bashkë me KOK-un dhe federatat e sportit në Republikën e Kosovës, do t’i drejtohemi me një letër të përbashkët institucioneve shëndetësore në vendin tonë për të na e qartësuar dhe lejuar fillimin e përgatitjeve, ushtrimeve të sportistëve dhe vazhdimin e garave dhe aktiviteteve tjera sportive”, tha ministrja Dumoshi duke e vlerësuar si një hap të duhur dhe në interes të gjitha organizatave sportive sepse kërkesa njëzëri pa e trajtuar secilin sport veç e veç tregon për një unitet që mbizotëron në sportin e Kosovës dhe tregon për disiplinën që e karakterizon atë.

“Kosova duhet të shikojë edhe vendet e rajonit se çfarë hapash kanë ndërmarrë në këtë drejtim se si do t’i fillojnë angazhimet dhe aktivitetet sportive dhe ne bashkërisht do të dalim me një kërkesë të përbashkët drejtuar institucioneve shëndetësore për lejimin dhe hapat e duhur për federatat për të aktivitetet e tyre të planifikuara për këtë vit”, sqaroi tutje ministrja.

Ndërkaq, kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, e informoi ministren se KOK-u ka mbajtur një mbledhje virutale me federatat sportive për t’u informuar mbi situatën e secilës federatë se në ç’fazë janë ato dhe cila prej tyre, në bazë të specifikave që kanë, munden që menjëherë të startojnë me ushtrime dhe gara.

Kryetari Hasani tha se është bërë punë individuale nga ana e sportistëve edhe në këtë kohë izolimi. Fokusi ynë ka qenë tek ekipi olimpik dhe ekipet kombëtare se si ato kanë vepruar. U konstatua dhe u vlerësua se më së miri është që të bëhet një kërkesë e përbashkët e jo kërkesa individuale nga federatat për lirimin e masave të izolimit për të lejuar zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe kjo të shkojë nëpërmjet MKRS-së.

Po ashtu, në takim u bisedua edhe për probleme e sfida tjera që do të ballafaqohen federatat e sportit këtë vit, por që bashkërisht MKRS-ja në bashkëpunim me KOK-un dhe federatat do të bëjnë të gjithçka që është e mundshme për t’u kthyer në normalitet. / KultPlus.com

MKRS nënshkruan katër memorandume bashkëpunimi me komunën e Skenderajt

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, kanë nënshkruar sot katër memorandume bashkëpunimi.

Konkretisht bëhet fjalë për projektin “Ndërtimi i Palestrës së Sporteve në Skenderaj’’, projekt ky që do të implementohet gjatë vitit 2020, projekti “Ndërtimi i Fushës Sportive në fshatin Polac të Skenderajt”, gjithashtu ky projekt do të  implementohet gjatë vitit 2020. “Ndërtimi i Tribunave, Rrethojës dhe shtrimi i Zhavorit në Stadiumin e Skenderajt’’, projekt ky që do të implementohet gjatë viteve 2020/2021/2022, si dhe projektin  “Rinovimi i kulmit të Shtëpisë së Kulturës Hasan Prishtina në Skënderaj”, që do të implementohet gjatë vitit 2020.

Në bazë të memorandumeve ministria merr përsipër ta përkrahë financiarisht komunën e Skenderajt, ndërkaq komuna bashkë me MKRS-në do të kujdesen për implementimin e projektit.

Në takimin e zhvilluar mes ministres Dumoshi dhe kryetarit të Skenderajit Jashari, u bisedua edhe për projektet tjera që do të implementohen në këtë komunë.

Ministrja Dumoshi gjatë takimi tha se gjatë kësaj kohe jemi munduar që të  nënshkruaj memorandume të rëndësishme me të gjitha komunat e Kosovës në mënyrë që të ju krijojmë lehtësira komunave që t’i realizojnë projektet që i kanë planifikuar.

Nga të dyja palët gjatë takimi u tha se investimet në sport dhe në kulturë nëpërmjet këtyre katër projekteve të madha kane rëndësi të veçantë dhe kontribuojnë në zhvillimin e kulturës  dhe sportit në këtë qytet, si dhe synojnë zhvillimin infrastrukturorë në fushën e kulturës dhe sportit.


Ndërkaq, kryetari Jashari e falënderoi ministren Dumoshi për përkrahjen ndaj komunës në këtë kohë të vështirë pandemie dhe tha se këto memorandume të cilat u nënshkruan sot janë shumë të rëndësishme për komunën dhe qytetin që ai udhëheq. / KultPlus.com

Dumoshi: Shahindere Bërlajolli i dha muzikës tonë perla të cilat do t’i kujtojmë përherë me nostalgji


Të nderuar familjarë, miq, artdashës,

Sot, mora lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të këngëtares së mirënjohur, Shahindere Bërlajolli Stafaj. Jam e prekur thellësisht nga kjo humbje e madhe për familjen, miqtë e dashamirët, në këto ditë të vështira.

Shahindere Bërlajolli – Stafaj, me zërin e saj unik, i dha muzikës tonë perla të cilat do t’i kujtojmë përherë me nostalgji. Repertori i saj i pasur gjysmë-shekullor, është vlerë për këngën dhe lirikën shqipe.

Me dashuri do t’i kujtojmë përherë këngët e saj origjinale popullore “Në zabel të erdha”, “Miriban”, “Kush ma i pari bani”, “O bylbyl me pika-pika”, “Një lule në Gostivar”, “Gajdexhiu”, “Baresha e dashnume”, “Lules” etj. Me këto këngë u rritëm gjenerata të tëra. Opusi i saj muzikor do të mbesë përherë thesar autokton i muzikës burimore shqiptare.

Me nderimin më të madh për kontributin dhe trashëgiminë e pavdekshme muzikore te saj, shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe artdashësve.
/ KultPlus.com

MKRS nënshkruan memorandum me komunën e Kaçanikut

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për mbështetje financiare për projektin “Fusha ndihmëse në Kaçanik” i cili do të implementohet në këtë vit.

Në bazë të memorandumit ministria merr përsipër ta përkrahë financiarisht projektin ndërkaq komuna bashkë me MKRS-në do të kujdesen për implementimin e projektit.

Në takimin e zhvilluar mes ministres Dumoshi dhe kryetarit të Kaçanikut, Ilazi, u bisedua edhe për projektet konkrete që do të implementohen në këtë komunë.

Ministrja Dumoshi tha se është e rëndësishme që në këtë kohë të vështirë projektet të trajtohen sa më me kujdes e me prioritet dhe të cilat i plotësojnë nevojat primare të qytetarëve. Me realizimin e këtij projekti të fushës ndihmëse, sportistët e Kaçanikut do të kenë edhe një hapësirë tjetër ku t’i kryejnë aktivitetet e tyre sportive.

Ndërkaq, kryetari Ilazi e falënderoi ministren për përkrahjen ndaj komunës dhe u shpreh se vazhdimisht MKRS-ja dhe komuna e Kaçanikut kanë pasur një bashkëpunim shumë të mirë. /KultPlus.com