Vlora Dumoshi propozohet ministre e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka miratuar listën me gjashtë ministrat e kësaj partie, që pritet të jenë pjesë e qeverisë Kurti, shkruan KultPlus.

Vlora Dumoshi, e cila më parë ka qenë në postin e Drejtoreshës në Drejtorinë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, është propozuar si Ministre e Kulturës nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndërsa në ministritë tjera, të propozuarit janë si në vijim:
Avdullah Hoti – Zv.kryeministër i parë

Lumir Abdixhiku – Ministër i Infrastrukturës

Agim Veliu – Ministër i Punëve të Brendshme

Anton Quni – Ministër i Mbrojtjes

Hikmete Bajrami – Ministre e Arsimit

Besian Mustafa – Ministër i Bujqësisë. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi: Të rinjtë, pjesa më potenciale e Kosovës

Në kuadër të Muajit të Rinisë, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, takoi përfaqësuesit e strukturave dhe organizatave rinore në Kosovë, të Këshillit Qendror të Veprimit Rinor, të Qendrave të Rinisë, të Këshillave të Veprimit Rinor Lokal, dhe diskutoi me të rinjtë për fushën e rinisë në përgjithësi ku drejtpërsëdrejti u informua duke dëgjuar propozimet e tyre dhe shqetësimet me të cilat përballen të rinjtë e vendit tonë, përcjellë KultPlus.

Pjesë e diskutimeve të takimit, me theks, ishin manifestimet dhe aktivitetet që realizojnë të rinjtë anekënd Kosovës, dhe përkrahjen që MKRS-ja jep për ta, përmes programeve të ndërmarrësisë për punësim, mbështetja e aktiviteteve sportive me karakter jo-garues, përkrahja e aktiviteteve me qëllim të promovimit të vlerave kulturore Kosovës, qofshin ato tradicionale apo bashkëkohore, duke ftuar edhe të rinj të vendeve nga rajoni dhe vendet e tjera të Botës, për ta vizituar Kosovën si dhe organizimin e ngjarjeve në ditë të shënuara, si 12 gushti – Dita Ndërkombëtare e Rinisë, dhe aktivitetet e materialet që përkrahen në fushën e edukimit shëndetësor dhe sigurisë njerëzore.

Ministrja Dumoshi u shpreh se rinia është pjesa më potenciale e vendit tonë dhe ne si institucion përpiqemi vazhdimisht që kjo pjesë elitare e shoqërisë të jetë pjesë aktive dhe kontributdhënëse në të gjitha fushat e zhvillimit të vend.

Ndër të tjera, ministrja i informoi përfaqësuesit e të rinjve se Ministria është në proces të draftimit të “Strategjisë Kosovare dhe Planin e Veprimit për Rini 2018-2023” përmes të cilit parashihet të krijohet një sinergji e përbashkët ku do të rritet përkrahja edhe më tej për t’i arritur synimet e parapara që ndërlidhen me përmirësimin e pozitës së rinisë në jetën ekonomike dhe shoqërore të Kosovës.

Ministrja i inkurajoi strukturat dhe organizatat rinore që të fokusohen në ngritjen e kapaciteteve në përgjithësi, sidomos për aplikim dhe sigurim të projekteve rajonale dhe europiane, siç është Zyra për Bashkëpunim Rinor Rajonal (RYCO).

Ndërkaq, përfaqësuesit e rinisë shprehën falënderimin dhe mirënjohjen për gatishmërinë e ministres Dumoshi dhe të stafit të MKRS-së për të rritur mbështetjen për rininë, duke i dëgjuar propozimet e tyre, me synim të hartimit dhe realizimit të një strategjie që e nxitë pjesëmarrjen e rinisë në jetën institucionale dhe vendimmarrëse të Kosovës.

Gjithashtu, përfaqësuesit e rinisë e vlerësuan bashkëpunimin e deritashëm të MKRS-së me strukturat dhe organizatat rinore, duke përkrahur edhe edukimin jo-formal. / KultPlus.com

Vlora Dumoshi uron Mirela Kumbaron për riemërimin në pozitën e ministres

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me ministren e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaron, me ç’rast e ka uruar atë për riemërimin e saj në pozitën e ministres.

Me këtë rast, ministrja Dumoshi shprehu përkushtimin për të thelluar bashkëpunimin kulturor, si një mundësi e mirë në funksion të njohjes dhe afirmimit të mëtejmë të kulturës shqiptare, nëpërmjet bashkëpunimit konkret ndërmjet institucioneve kulturore të dyja vendeve.

Ministrja Dumoshi më tej u shpreh se Kosova dhe Shqipëria, tanimë kanë një bashkëpunim të shkëlqyer kulturor, me një Kalendar të Përbashkët Kulturor dhe me iniciativa tjera, që janë në dobi të kulturës shqiptare, dhe shtoi se thellimi i këtij bashkëpunimi është në të mirë të dyja shteteve. / KultPlus.com