Për shumë shqiptarë, Italia do të thoshte liri dhe shpresë për një jetë më të mirë”.
Kështu deklaronte kohë më parë, ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi di Maio, kur mirëpriste kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama lidhur me eksodin e shqiptarëve.
8 gusht 1991. Atë ditë – tridhjetë vjet më parë – pamja e papritur e anijes “Vlora”, e tejmbushur nga njëzet mijë burra, gra dhe fëmijë shënoi një pikë kthese epokale për Italinë, shkruan në artikullin e saj “Corriere Della Sera”.
E përditshmja italiane, në vijim shkruan se në sytë e shqiptarëve shihej uria, lexohej shpresa e konfuzioni i atyre që erdhën nga një shtet i reduktuar për 41 vjet nën diktaturën buro-komuniste të Enver Hoxhës.
Në janar, raportet e para nga Tirana, duke përfshirë një nga Rai të “Isabella Stasi Castriota Scanderbeg” (i cili mbante në mbiemër lidhjen laike me heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbej, i vrarë në 1468 pasi u rrek të kundërshtonte pushtimin e turqve), tregonin për një Shqipëri të rraskapitur.
Corriere përshkruan faktin se si përballja e italianëve me shqiptarët e sapoardhur ishte një “shok” i vërtetë.
“Ata nuk dukeshin sikur vinin nga disa milje detare, por nga një Itali e mjerë e shekullit më parë”, shkruan më tej e përditshmja italiane.
Marrëdhënia fillestare ishte shumë e mundimshme. Dhe me kalimin e viteve ajo gjithashtu do të përkeqësohej nga gabimet e pafalshme të kaq shumë emigrantëve të cilët, të mjerë, arkaik dhe të çmendur nga një diktaturë e izoluar nga bota, shpesh nuk respektonin as rregullat më elementare.
8 gusht 2021
Sot, lidhja që bashkon Italinë dhe Shqipërinë është më e gjallë se kurrë. Rajoni i Puglia-s dhe autoritetet shqiptare organizuan një sërë ngjarjesh për të përkujtuar zbarkimin.
Më 23 korrik, një kremtim i jashtëzakonshëm u festua në Kishën e San Nikolës, ndërsa në datat 5-8 gusht qyteti i Durrësit do të presë një ekspozitë të fotografes Eva Mexe.
Eva ishte vetëm 24 vjeç kur u ngjit në “Dolce nave” drejt Italisë, ku ajo ka jetuar që atëherë duke punuar si përkthyese dhe ndërmjetëse kulturore.
Kur 20 mijë shqiptarë iu afruan bregdetit italian, kryebashkiaku i atëhershëm i Barit, Enrico Dalvino, i priste në skelë.
Ai bërtiste: “Ata janë njerëz, njerëz të dëshpëruar. Ata nuk mund të kthehen, ne jemi shpresa e tyre e vetme”.
Këto fjalë janë të gdhendura aq shumë në zemrat e njerëzve të Barit saqë në vitin 2019 artistja Yasmine Pignatelli i ktheu ato në një vepër të titulluar “Ata janë njerëz”.
Për të festuar 30 vjetorin e zbarkimit, artistja krijoi një instalacion të dyfishtë në Durrës, Shqipëri.
“Ky është përfundimi i punës sime: një tingull i vetëm kaloi detin dhe asokohe dukej një pengesë e pakapërcyeshme”, shtoi Mexe.
2021…1991
“Vlora” ishte një anije tregtare që mbante flamurin shqiptar, e emërtuar prej qytetit në jugperëndim të Shqipërisë.
Më 7 gusht 1991, kur ajo u kthye nga Kuba me një ngarkesë kallam sheqeri, u sulmua gjatë zbarkimit. 20 mijë njerëz në bord detyruan kapitenin Halim Malaki, të lundronte në Itali.
Destinacioni i parë ishte qyteti i Brindis-it, por sapo arriti, zëvendësguvernatori Bruno Pezzuto, e bindi kapitenin të lundronte drejt Bari-t, dhe koha e udhëtimit midis dy qyteteve u përdor për të paralajmëruar policinë dhe për të organizuar qendrat e pritjes.
Pasi “emigrantët” e pashpallur ende si të tillë mbërritën – u vendosën përkohësisht në “Stadio della Vittoria”.
Anija “Vlora” ishte episodi më i famshëm, por jo i vetmi. Pas rënies së diktatorit Hoxha në vitin 1985 situata nuk u përmirësua, dhe falë ndikimit të televizionit italian sinjalet e të cilit shkonin edhe përtej Adriatikut, duke filluar nga vitet ’90 njerëzit e parë vendosën të kalojnë detin në kërkim të një të ardhmeje më të mirë.
Në shkurt 1991, dhjetëra qytetarë shqiptarë filluan të zbarkojnë në portin e Brindisi-t. Eksodi i parë masiv në qytet erdhi rreth 7 marsit të të njëjtit vit. /Albanianpost.com/ KultPlus.com
Takime, prezantime, koncerte, një “itinerar fotografik” për të rrëfyer Shqipërinë 30 vjet pas zbarkimeve në Brindisi dhe Bari.
Nga e enjtja 29 korrik deri të dielën 1 gusht në fshatrat Castro, Diso, Marittima dhe Acquaviva të Salentos mbërrin “MediFest – Tinguj, bashkëbisedime, kujtime, imazhe të Mesdheut” i promovuar nga Rajoni i Pulias në bashkëpunim me partnerë të shumtë.
Edicioni i parë i Festivalit do t’i kushtohet tërësisht Shqipërisë. Tridhjetë vjet pas zbarkimeve në Brindisi dhe Bari, festivali ofron katër ditë takime, prezantime, koncerte, lexime, shfaqje, një “rrugëtim fotografik” por edhe pjata të kuzhinës shqiptare e arbëreshe për të njohur Shqipërinë, vendin e projektuar drejt Evropës, pa lënë mënjanë historinë e kujtimet që veçanërisht dhjetëvjeçarët e fundit e kanë lidhur në mënyrë të pandashme me Italinë e Rajonin e Puglias në veçanti.
“Shqipëria është e ftuara e këtij edicioni të parë falë afrimitetit të veçante me fqinjët italianë të Puglias – thotë Geri Ballo, kuratore shkencore e Festivalit, – Para syve të puljezëve ra muri që ndante Shqipërinë nga pjesa tjetër e botës para 30 vjetësh. Ishin ata të parët që përjetuan bashkë me ne shqiptarët eksperiencën e fortë emocionale të emigracionit. Tani që komuniteti italo-shqiptar është ndër më të rrënjosurit mes italianëve të rinj në Puglia, ato copëza historie kthehen në pikënisje reflektimi për MediFest, gjatë të cilit do të ndalohet në mënyrë të veçantë mbi çka bashkon popullin shqiptar me atë puljez, duke filluar nga civilizimi antik mesapian dhe trashëgimia e rëndësishme e përbashkët e përfaqësuar nga arbëreshët për të vijuar me shumë elementë të tjerë artistikë dhe letrarë që do të jenë subjekt i aktiviteteve të propozuara për publikun në katër mbrëmjet e festivalit”.
Mbrëmja e parë, e enjte 29 korrik, do t’i ofrojë publikut të Kastros dy takime në “Messapi: Populli i dy deteve” me arkeologët Francesco D’Andria dhe Katia Mannino dhe “Të rinjtë dhe Mesdheu” me nënkryetaren e bashkisë së Tiranës Anuela Ristani dhe Aldo Patruno, drejtor i përgjithshëm i Departamentit të Turizmit e Kulturës së Rajonit të Puglias dhe shfaqjen “Nina kërcen” të Claudio Prima & Seme.
Gjatë mbrëmjeve në vijim do të flitet për ndikimin kulturor të komuniteteve arbëreshe, për “Fenë, ateizmin dhe shqiptarinë” me, ndër të tjerë, Imzot Gjergj Metën dhe me Imamin e Tiranës Ylli Gurra; do të kujtohet i ndjeri Alessandro Leogrande dhe këndvështrimi i tij mbi Shqipërinë dhe Mesdheun me Christian Raimo dhe Stela Xhunga. Botuesi Besa Muci do të kurojë një fokus mbi letërsinë shqipe që do të ofrojë një ballafaqim mes shkrimtarëve Tom Kuka dhe Anilda Ibrahimi dhe një lexim me zërin e Angela De Gaetano. “Tingujt” do t’u besohen fizarmonikës Admir Shkurtaj i cili do të sjellë në skenë projektin Harè me Lindita Hoxhën (violinë) dhe Pino Basile (kupafon) dhe një përqafimi midis muzikës popullore arbëreshe dhe asaj të Salentos të realizuar nga bashkëpunimi i “Ansamblit arbëresh të Puglias” me tre grupe tradicionale të Disos.
Agimi i të dielës 1 Gusht do të pritet në gjirin Acquaviva nën tingujt e koncertit për piano të Robert Bishës. Nuk do të mungojë seksioni “Imazhe” që do të sjellë për publikun “itinerarin fotografik” të Elton Gllavës dhe Fate Velajt dhe shfaqjen e filmit të shkurtër “Omonimia” të Mentor Selmanit. Çdo mbrëmje në orën 21.30 pjata tipike arbëreshe dhe shqiptare të përgatitura nën kujdesin e Institutit të hotelerisë IPSEO “Aldo Moro” në Santa Cesarea Terme në bashkëpunim me Puglia në Rosè.
Për informacion më të detajuar për çdo veprimtari të këtyre 4 ditëve të MediFest, shkoni në faqen e facebook MediFest Puglia/diaspora shqiptare. / KultPlus.com
Sezoni veror turistik sjell edhe më shumë vizitorë në sajtet e trashëgimisë kulturore dhe monumentet natyrore të vendit, mes të cilëve edhe në Kishën e Shën Spiridhonit në fshatin piktoresk të Vunoit, në Vlorë.
Në skajin jugor të fshatit Vuno, midis ullishtave shekullore ndodhet edhe manastiri i Shën Spiridhonit me kishën më të madhe të vetë këtij fshati. Në një mbishkrim thuhet se kjo kishë u rindërtua në vitin 1778 dhe madje u pikturua e gjitha në vitin 1784 me harxhet dhe shpenzimet e banorëve të vetë fshatit.
Kisha është e tipit bazilikatë e përbëhet nga hajati i mbështetur në arkada e kolonada, nga naosi i ndarë në tre nefe, altari dhe hapësida. E gjithë kisha ruan vlerat arkitekturore dhe është e pasur me piktura murale. Pas shkatërrimit që pësoi me djegien e gjithë çatisë në vitin 1998 dhe dëmtimet që pësojë në muajin maj të vitit 2014 u realizua restaurimi i plotë i kësaj kishe.
Restaurimi konsistoi në përforcimin e gjithë strukturës, në konservimin e pikturave murale dhe në mbulimin e çatisë. Ky restaurim do të sigurojë jetëgjatësinë e vlerave monumentale dhe artistike të kishës. Kjo kishë e mrekullueshme që nuk duhet humbur pa u vizituar është një monument kulture i kategorisë së parë. / ATSH / KultPlus.com
Ky vit përkon dhe me 30-vjetorin e eksodit të shqiptaëve në vitete ’90 pas rënies së komunizmit.
Tashmë një pjesë e mirë e atyre emigrantëve janë të mirëintegruar në shoqërinë italiane. “Shqiponjat e Mëndafshta” në Bari janë bashkëorganizatore e një eventi për këtë rast “Shpresa e anijes së ëmbël”, që do të mbahet më 23 dhe 24 korrik.
Në këtë takim do të mblidhen italianë dhe shqiptarë, për të diskutuar për te shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Nga një iniziativë e Fondazione Migrantes, Ipsaic Istituto Pugliese Storia Antifascismo e Italia Contemporanea, Pastorales së Katolikëve Shqiptare në Itali dhe “Shqiponjave të Mëndafshta”./gazeta diaspora/ KultPlus.com
Lufta e Vlorës ishte një luftë e armatosur e popullit shqiptar për çlirimin e krahinës së Vlorës nga pushtuesit italianë dhe për bashkimin e saj administrativ me pjesën tjetër të Shqipërisë. Forcat italiane ishin vendosur në Vlorë gjatë Luftës së I Botërore.
Vendimi për fillimin e Luftës së Vlorës u mor nga përfaqësuesit e krahinës së Vlorës të mbledhur në Kuvendin e Barçallait më 29 maj 1920, i cili zgjodhi për organizimin dhe drejtimin e luftës Komitetin “Mbrojtja Kombëtare” me kryetar O. Haxhiun. Ai formoi gjithashtu edhe një komision ushtarak me Ahmet Lepenicën në krye, i cili më vonë u zëvendësua nga Q. Koculi. Qeveria e Tiranës dha ndihmën e vet, pavarësisht se nuk mori pjesë zyrtarisht në luftë.
Lufta e Vlorës nisi më 5 qershor 1920 dhe u zhvillua në mënyrë frontale. Përballë ushtrisë së rregullt italiane, që kishte në Shqipëri dy divizione, u vunë forcat shqiptare, të grumbulluara mbi baza vullnetare e që arrinin në rreth 4 mijë veta. Më 5-6 qershor u goditën njëherazi të gjitha garnizonet italiane në krahinë, që nga Tepelena e deri në Drashovicë. Sulmi mbi forcat italiane në qytetin e Vlorës dhe rrethinat filloi më 11 qershor.
Lufta për marrjen e Vlorës vazhdoi gjatë dhe u zhvillua me mësymje dhe kundërmësymje, në një nga të cilat spikati trimëria e Selam Musait. Gjatë Luftës së Vlorës (1920), trupat italiane nuk mundën të çanin rrethimin e forcave shqiptare. Roma u detyrua më në fund të hiqte dorë nga sovraniteti mbi krahinën e Vlorës dhe të nënshkruante me Qeverinë e Tiranës “Protokollin shqiptaro-italian” të 2 gushtit 1920.
Më 3 shtator 1920 forcat shqiptare hynë triumfalisht në qytetin e Vlorës të zbrazur nga trupat pushtuese. Bashkë me krahinën e Vlorës, qeveria italiane u detyrua të tërhiqte garnizonet ushtarake edhe nga Saranda, Durrësi e Shëngjini. / KultPlus.com
Shiu pranveror, shoqëruesi ynë i veçantë në hyrje të kufirit të Shqipërisë kishte kapluar atmosferën në një mbizotërim të lehtë të pikave të cilat binin lehtësisht mbi dritaret tona e që njëkohësisht pamjet e bukura të reve kishin zënë tërësisht vendin e tyre në qiell, por ketë herë jo në formën e tyre të zakonshme, por ato frymonin në hapësirën personale të maleve të larta të cilat jepnin një përshtypje se po bashkoheshin dy botë krejtësisht të ndryshme në një mjegullinë të vetme që nuk po i dukej as fundi e as fillimi, shkruan KultPlus.
Tokat e shtrira e të punuara në vija dëshmonin se bujqësia është aq e pasur ku së bashku me natyrën që posedonte një gjelbërim herë të errët, herë të çelur e herë një e gjelbër e pa identifikuar dhe shtigjet e vogla të rrezeve që depërtonin pingul vende-vende në shkëmbinjtë përreth, në një ndërlidhje me trazirën e ëmbël të shiut dhe lulet shumëngjyrëshe të cilat dalloheshin akoma më shumë kur ngjyra e tyre gjallërohej nën pikat e shiut, këtë peizazh në hyrje të Shqipërisë e bënte akoma më të bukur për ta shijuar e sidomos kur vrojtohet behari që po binte dalëngadalë mbi një fund që ishte e pamundur ta kapje.
Ndalesa jonë e parë në qytetin e Durrësit, i vendosur në brigjet e detit Adriatik dhe i cili jo vetëm që ka një histori të jashtëzakonshme por ngërthen në vete imazhe të veçanta ku pas çdo blloku të banesave në një shtrirje të gjerë mund të admirohet pamja e detit e cila nga larg dukej se sapo kishte filluar shkëlqimin e portretit në një përndritje të ngrohtë por që në të vërtetë nga afër këto valë dinake sa vinin e u rritnin në një epërsi vrazhdësie që shkrihej në breg duke formuar një ikonografi të tyre dhe duke na dhënë një iluzion se këto valë të cilat përplaseshin sa andej e këtej, kanë jetë dhe po njëlloj si kujtimi ynë për dikë, edhe ato jetojnë në përjetësi.
Ndërsa, në mesditë atëherë kur dielli bëhet gati për ta lëshuar fronin e tij, në një tingëllimë mjalti që po ngjyroste kanvasin e zakonshëm të qiellit të kaltër në një ngjyrë rozë e cila po jetësohej përnjëherë duke pikturuar kështu ndjenja entuziaste me një pendë delikate në një spikatje mbretërore që na kishte zënë rob në mbështjelljen magnetizuese të perëndimit. Ndërkohë , aty pranë, siç pamë mund të zhvillohen edhe sporte të ndryshme si ‘kitesurfing’.
Tani, nisja për në qytetin e Vlorës, qyteti bregdetar në jugperëndim të Shqipërisë, na zuri në një adrenalinë të këngëve shqiptare që si dukej na bëri gati për atë se çfarë do të pasonte më vonë. Hyrja e këtij qyteti i cili ka përballë një mal shtatë lart që ishte prezent në çdo kënd ku sytë arrinin të shihnin dhe së bashku me shtëpitë e boshatisura që dhuronin kënaqësi estetike, rrugicat e ngushta me kalldrëm, dyqanet e vogla të vendosura radhazi në dy anët e rrugës të mbushura me suvenire, palmat që nga larg shtriheshin në pëllëmbë të dorës, e shndërronin Vlorën në një klithmë renesance të antikitetit klasik, aty ku parajsa e shtatë magjepset e rrëmbehet pas mëkatit ngazëllues të ekstazës mistike.
Ecjet përgjatë qytetit të Vlorës, shijimi i ushqimit tradicional në gërshetim me atë detar dhe italian, pemët e vendosura në një vijë vertikale, dashamirësia e vlonjatëve, plazhet e shumta, monumentet kulturore, brigjet e pakrahasueshme, deti trazues e tufat e kafshëve që dilnin papritmas në një befasi të dëlirë si dhe përmes peizazheve të këndshme, mund të përjetohen në një rilindje njerëzore ku zgjuarsia, bukuria dhe e vërteta përjetohen në një afsh lirik.
Gjatë ecjes në këtë qytet unik, një kafene mjaft e veçantë e cila dallohet direkt përballë teatrit ‘Petro Marko’, aty ku u shënua historia e themelimit të Teatrit Profesionist të Dramës, e titulluar me emrin ‘Poema Bistro’, ofronte një rehati përmes soditjes së dizajnit bohem, shijimit të ushqimit tradicional, duke filluar nga mishi i pulës me patate dhe qofte, salca e djathit dhe qepëve, buka me vaj ulliri dhe erëza, djathërat e ndryshëm, sallama e pjekur në skarë, makarona, qofte, sallatat e deri tek verërat diversive e në veçanti e bardha që papritmas të bënte pas vetes. Ndërkohë , për të apasionuarit e pianos, për ata që personalisht nuk kanë pasur mundësi ta ndjejnë magjinë që instrumenti sjell, ekzistonte mundësia që të krijonin një interpretim çasti që lehtësisht mbahet mend në rrënjën surreale të kujtimeve.
Gjithashtu, hapja zyrtare e sezonit turistik veror në Vlorë u shënua me koncertin nga artistët si: Marsela Çibukaj, Bruno dhe Klajdi Haruni. Ky koncert mblodhi rreth vetes qytetarë dhe vizitorë të shumtë duke nisur nga moshat më të vogla e deri tek të moshuarit që po shijonin këngët shqiptare duke kërcyer e argëtuar jashtë mase. Malli për të parë një turmë të tillë i gjeti edhe banorët e shtëpive të afërta në ballkonet e dritaret e tyre duke dëgjuar këngë të vjetra shqipe ku ndër to ishte edhe kënga ‘E dehun jam’ nga bilbili i Kosovës Nexhmije Pagarusha, këngë kjo që në brendësinë tonë solli një qetësi shpirtërore.
Kurse, aty ku shtrihet prehri i shkëmbinjve që rrahet ëmbëlsisht nga tundimi i dallgëve manipuluese, ndodhet edhe vija bregdetare e Vlorës e pasuruar me ujërat e detit të kristaltë që ngjason me atë të ‘Côte d’Azure’ në Francë, pikërisht për arsye se ky peizazh ofron paroksizëm poetik, një burim frymëzimi ku krahnori i zjarrmisë pushon nën hijen modeste shpirtërore.
Gadishulli i Karaburunit ka formën e një harku në një gjatësi rreth 15 km që përqafon një peizazh natyror me bregdetin e përthyer, lëndinat e vogla që zbresin deri poshtë, gjiret e shumta dhe të fshehura, kullotat e pasura dhe gëlqerorët e periudhës së paleogjenit ku shikuesi lehtësisht përmes një udhëtimi me anije, mund ta admirojë këtë copëz gjigande e cila pranon puthjet e shumta të ujit përreth. Ndërkohë, në skajin veriperëndimor të Karaburunit, ndodhet Kepi i Gjuhëzës, pika më perëndimore e Shqipërisë ku është e vendosur shpella e Haxhi Alisë, aty ku rrezet e diellit nuk kanë prekur asnjëherë dhe syri i njeriut humbet në lartësinë dhe bukurinë e mahnitshme të saj që duket sikur zotëron një errësirë e cila frymon si gjurmë e vazhdueshme e këtij Gadishulli.
Ky port është i mbushur me anije të vogla të cilat pushonin afër bregdetit në një vijë çoroditëse, ofronin një pamje ku edhe shkrepja e fotografisë më të bukur nuk do të mund ta përçonte emocionin e huazuar për pak çaste nga soditja e bukurive natyrore dhe fluturimit të shpendëve që formonin një trajektore lëvizëse në horizontin përvëlues të venitjes që fishket në papërfytyrësinë e çiltër.
Ky udhëtim që i bashkoi gazetarët e Kosovës për një eksplorim të veçantë, na dërgoi për qëndrim dhe vizitë në disa hotele që ndodhen në qytetin e Vlorës, si: Albanian Star Hotel, Harmonia Hotels Group, Regina Garden Hotel dhe Kraal Hotel. Ndërsa, i pranishëm me ne gjatë gjithë udhëtimit ishte edhe drejtori Azem Bujupi nga portali ”Trip to Albania”, i cili do të hapet zyrtarisht më 30 maj të këtij viti.
Po ashtu, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli në një prononcim për të gjitha mediat kosovare të pranishme është shprehur se në muajt në vazhdim asgjë nuk do të duket më njëlloj në Vlorë.
“Ne kemi bërë një projekt të ri me Qeverinë Shqiptare dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit që do të ndërrohet tërësisht zona e plazhit të vjetër. Kur unë kam qenë fëmijë, ajo që ishte zona e prindërve dhe gjyshërve tanë, ishte pikërisht kjo këtu”, thotë Leli.
Sipas tij, pandemia gjunjëzoi globin por shqiptarët qëndruan bashkë për të mbajtur gjallë ekonominë e turizmit sepse të gjitha investimet që bëhen kanë nevojë për klientë dhe klientët kanë nevojë për mikpritje, shërbime dhe atraksione të vërteta në vijën bregdetare të Vlorës.
Në fund të këtij udhëtimi është nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi nga portali ‘Trip to Albania’ dhe Bashkisë së Vlorës ku synohet promovimi masiv.
Aktivitetet e ndërmarra nga ky udhëtim janë mundësuar nga ’’Trip to Albania’’ dhe Asociaconi i Gazetarëve të Kosovës.
E themeluar në shekullin VI p.e.s., fillimisht me emrin Aulona, Vlora është qytet i lashtë ku është shpallur Deklarata e Pavarësisë shqiptare më 28 nëntor 1912 dhe konsiderohet si njëri nga portet kryesore të Shqipërisë dhe qyteti më i rëndësishëm ekonomik dhe kulturor i Shqipërisë jugperëndimore, andaj turizmi në këtë pjesë është joshja kryesore për një vizitë në tërë Shqipërinë që pasuri dominuese e ka natyrën dhe historinë. / KultPlus.com
4 dhjetori 1912 pas shpalljes së Pavarësisë është një tjetër moment i rëndësishëm për shtetin shqiptar pasi shënon krijimin e shërbimit diplomatik dhe Forcave të Armatosura shqiptare.
Ndër vendimet e para të qeverisë së përkohshme të Ismail Qemalit ishte pikërisht dhe ajo që ngarkonte Ministrin e Punëve të Jashtme me përgatitjen e misionit diplomatik për në Londër ku kishte filluar punën Konferenca e Ambasadorëve.
Me vendimin e 8 dhjetorit u miratuan edhe tezat politike për misionin që do të nisej në Londër e do të punonte për njohjen e shtetit të pavarur shqiptar nga pjesëmarrësit e Konferencës, dhe me 9 dhjetor u miratuan edhe anëtarët e këtij misioni.
Në të gjitha përçapjet e saj diplomatike pranë Fuqive të Mëdha dhe shteteve fqinje, Qeveria e Përkohshme e Vlorës doli si qeveri përfaqësuese e gjithë shqiptarëve në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Në një prej letrave dërguar shqiptarëve jashtë, shihen përpjekjet e Ismail Qemalit që Shqipëria të përfaqësohet denjësisht në Londër.
“Mbledhja e sotme e këshillit të ministrave vendosi që tu hiqen tejshkrime Mehmed Bej Konnicës, Filip Nogës në Vier, dhe z. Sotir Koleas në Brindisi që të shkojnë në Paris, të takohen me Rasik bej Dinon dhe të gjithë bashkë të venë në Londër ku do të përpiqen për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë. Mehmet Bej Konicës dhe z. Filip Nogës ju dërguam 100 napoleon me anën e z. Pierron në Vienë“, thuhet në letrën e tij. /dp/ KultPlus.com
“Zeje, Avaze, Polifoni”, është titulluar panairi i zejtareve profesioniste dhe folkloristeve në qendrën historike të Vlorës.
Artizanë të instrumenteve muzikore, të fyellit apo cylave, artizanë të veshjeve popullore si dhe të punimeve artistike në dru kanë treguar pasionin e tyre shumëvjeçar, pasion i cili vetëm pasurohet, edhe pse aktivitetet e tyre jo gjithnjë e gjejnë tregun e duhur.
Kryebashkiaku i Vlorës i ka ftuar artizanët që të tregtojnë punimet e tyre në dyqanet e qendrës historike të Vlorës, një ambient tashmë i restauruar.
”Zona historike u rikonstruktua që këto zotërinj të vijnë këtu, të marrin me qira këto objekte dhe të promovojnë veprat e tyre”, deklaroi kryetari i Bashkisë, Dritan Leli. Gjatë këtij panairi kanë interpretuar grupe polifonike dhe ato të këngës labe.
100-vjetori i Luftës Kombëtare të Vlorës bëri bashkë në qytetin historik studiues, autoritetet vendore, deputetë të qarkut Vlorë si dhe përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Muzeu Historik Kombëtar dhe Muzeu Kombëtar Vlorë, të cilët ishin dhe organizatorët e ekspozitës së realizuar me këtë qëllim.
Ekspozita përmbante dokumente që datonin që nga fillesat e organizimit të luftës, deri në fund të çlirimit të qytetit të Vlorës, foto të vullnetarëve në luftë, telegrame për çlirimin e vendit, fotografi nga festimet e çlirimit, dekoratat dhe vlerësimet për heronjtë e luftës, si dhe krahës ekspozitës ishin paraqitur disa objekte muzeale.
Lufta e Vlorës, e njohur ndryshe si Lufta e 20-ës, ishte një seri betejash mes forcave italiane dhe patriotëve shqiptarë për zotërimin e qytetit të Vlorës.
Kjo luftë zgjati 3 muaj dhe më 3 shtator 1920 pas shumë luftimesh, forcat shqiptare arrijnë të çlirojnë qytetin duke i detyruar pushtuesit italianë të largohen jo vetëm nga rrethi i Vlorës, por edhe nga Saranda, Durrësi dhe Shëngjini. Nuk duhet lënë pa përmendur dhe kapedani Hodo Zeqiri i cili ka qenë një ndër heronjtë dhe udhëheqësit legjendarë të kësaj lufte.
Ekspozita do të jetë e hapur për të gjithë vizitorët gjatë gjithë ditës së sotme në pedonalen e Vlorës.
Monumenti historik kushtuar Luftës së Vlorës, në një nga kodrat më të bukura të qytetit, i është shtuar listës së stacioneve të turistëve që vizitojnë Vlorën dhe simbolet e ngjarjeve të saj më të rëndësishme historike.
Kryetari i bashkisë së Vlorës inspektoi sot nga afër këtë monument që pritet të përurohet nesër.
“Ndërmarrja e gjelbërimit në ditët e nxehta të gushtit bëri një punë kolosale për të shndërruar një vend që ishte lënë pothuajse në harresë plot me plehra e hedhurina në një destinacion të ri turistik në respekt të qytetit, të luftës së Vlorës dhe në respekt të këtij monumenti fantastik. Që është një nga veprat e artit historik që ne kemi në një kodrat më të bukura të qytetit pavarësisht se këtu ka ndërtime pa leje, që janë ndërtuar kaq pranë objekteve historike duke prishur edhe peizazhin”, – theksoi Leli.
Kryebashkiaku Leli u shpreh se kjo ndërhyrje që u bë me shumë sakrificë, përkushtim njerëzor dhe me mbështetje të donatorëve, si Dhimo, që ka sjellë gurin nga zona e lumit të Vlorës, për pjesën e shkallares dhe Thimo që ka bërë tapetin e betonit këtu dhe ka ndihmuar në tapetin e barit”.
Leli falënderoi edhe Ndriçimin një nga banorët e lagjes, që ka ruajtur shkrimin në piedestal të monumentit, i cili ishte futur mes hedhurinave të viteve të fundit për të na treguar të gjithëve se duhet të jemi të kujdesshëm dhe të vëmendshëm për historinë. “Për fat vazhdon të jetë falë ruajtjes së banorëve të zonës dhe punës së shkëlqyer të “Shehaj Metal” që e risolli përsëri në piedestalin e këtij monumenti”, tha Leli.
Kryetari i bashkisë së Vlorës u shpreh se ““është shtruar edhe rruga që lidh Qafën e Babicës, deri tek monumenti. Ky monument do të përurohet në kuadër të 100- vjetorit të luftës së Vlorës”. atsh / KultPlus.com
“Më ka marrë malli për Vlorën” mban titullin një videomesazh i realizuar me të rinjtë shqiptarë të qytetit të Vlorës që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, si Nju Jork, Dallas, Bremen, Milano, Pragë e Vjenë.
Pjesë e kësaj videoje promovuese janë profesionistë e artistë të mirënjohur të skenave ndërkombëtare, si balerini Eno Peçi.
Anni, një vajzë e cila jeton me bashkëshortin e saj në SHBA, Nju Jork shprehet se ka mall për Vlorën. Dashurinë e saj për Vlorën dëshiron të ja tregojë eshe bashkëshortit të saj. “Unë kam lindur në Vlorë dhe jetoj në Nju Jork bashkë me familjen time. Kam shumë dëshirë t’ia tregoj bashkëshortit”,- tha Anni.
Ndërsa bashkëshorti Christopher, shprehet se mezi pret të udhëtojë drejt Vlorës. “Mezi pres ta vizitoj Vlorën e bukur, të shoh plazhin spektakolar dhe zonat atraktive të pabesueshme. Shpresoj të vij sa më shpejt”,- pohoi ai.
Ndërsa Mario është nga Teksasi i SHBA. Ndër gjërat që i ndjen më së shumti mungesën, ai përmend shëtitoren e Vlorës. “Na mungon Vlora, shumë”,- thekson ai.
“Këtu është një mbrëmje e mrekullueshme, por do dëshironim vërtet të ishim në plazhet e Vlorës së bashku me familjet tona”, – shprehet nga ana tjetër Carson, bashkëshortja e Marios.
Edhe Bimi Gunbardhi nga Bremen në Gjermani mezi pret që të udhëtojë drejt Vlorës. “Urojmë që çdo gjë të rregullohet, biletat i kemi gati dhe urojmë të nisemi sa më shpejt drejt Vlorës për të kaluar tre javë të mrekullueshme muzike dhe frymëzimi në bregdetin e bukur”,- u shpreh ai.
Nga Milano, Genci Tepelena thotë se: “dëshirën më të madhe e kam që pushimet t’i kaloj në bregdetin e Vlorës. Të festojmë daljen nga pandemia atje, bashkë me familjen time”.
Paola Rrapaj nga Praga nuk i fsheh emocionet kur flet për Vlorën. “Është dashuria ime, më bën ta ëndërroj. Miqtë dhe familjarët që kam atje ma bëjnë edhe më të madhe dëshirën për t’u kthyer në Vlorë”,- u shpreh ajo.
Balerini i njohur Eno Peçi nga Viena, kërkon që Vlorën t’ia prezantojë fëmijëve të tij. “Më ka marrë malli për Vlorën, mezi pres t’ia tregoj fëmijëve të mi bukurinë e Vlorës”.
Këto janë vetëm një pjesë nga shqiptarët në të gjithë botën që janë nga Vlora dhe që iu mungon ky vend.
Video e realizuar nga Deputeti Fate Velaj ka për qëllim prezantimin e disa prej të rinjve ekselentë nga Vlora të cilët kanë arritur suksese në botë në fusha të ndryshme, me qëllim sensibilizimin për të sjellë përvojën e marrë në botë në vendlindjen e tyre. /KultPlus.com
Qendra historike e Vlorës ka marrë shkëlqimin multidimensional të një pike referimi historiko-kulturor dhe me impakt në zhvillimin ekonomik dhe turistik të qytetit bregdetar.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar mbrëmjen e sotme foto nga transformimi I këtij investimi në Vlorë.
“S’është 3D jo. Është zemra e VLORËS”, shprehet Rama duke publikuar foto nga Qendra historike e qytetit bregdetar, një zonë e cila ruan ende gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19‐të dhe fillimit të shekullit të 20‐të.
Brenda kufijve të zonës ku dhe është investuar, ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë si edhe rruga më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat arkitektonike‐historike që mbart: rruga “Justin Godard”.
Investimet e realizuara nga qeveria përfshinë restaurimin e 68 banesave, mes të cilave, Shtëpinë e Marigosë, Xhaminë e Tabakëve, Rrugën e Hebrenjve, Sheshin e Sahatit dhe Shtëpinë e Qeverisë.
Në zonën qendrore të Vlorës, me një sërë objektesh të trashëgimisë kulturore, e shndërrojnë këtë qytet jo vetëm në perlë të bukurisë turistike, por edhe të historisë dhe kulturës.
Epopeja e Luftёs sё Vlorёs nё vitin 1920 ёshtё njё nga faqet mё tё lavdishme tё historisё sonё kombёtare.
Mё 29 maj 1920 u mbajt kuvendi nё Barçalla, njё shpat mali pranё Dukatit ku pjesemarrёsit aprovuan propozimin pёr tё filluar sa mё parё kryengritjen çlirimtare kundёr pushtuesit Italian. Mё 26 prill 1915 midis qeverive tё Italisё dhe Antanёs u nёnshkrua Traktatit i Fshehtё i Londrёs pёr copёtimin e trojeve shqiptare.
Nё kёtё traktat Vlora, ishulli i Sazanit, Himara dhe Hinterlandi i saj ju la Italisё. Pёr kёtё arsye nё Kuvendin e Barçallasё ku ishte pjesmarrёs dhe kryeministri i Qeverisё sё Lushnjёs Sulejman Delvina, u zgjodh njё Kёshill Kombёtar prej 30 vetёsh dhe nga gjiri i tij doli Komiteti “Mbrojtja Kombёtare” prej 12 anёtarёsh, tё cilёve ju ngarkua drejtimi i kryengritjes.
Kryetar i komitetit u zgjodh patrioti Osmёn Haxhiu. Mё, 2 qershor 1920 nё Beun u mblodhёn rreth 4000 luftёtarё nё pёrgjigje tё thirrjes sё Komitetit tё Mbrojtjes dhe lidhёn besёn pёr tё luftuar deri nё vdekje kundёr pushtuesve.
Kjo ishte njё luftё jetike pёr mbrojtjen e kufijve tё shtetit shqiptar, tё cilat pёrveç rrezikut Italian, rrezikoheshin tё coptoheshin nё veri dhe jug nga ushtritё greke e serbe.
Bashkimi i Vlorёs dhe mbarё Shqipёrisё nё kushtrimin pёr liri kundёr ushtrisё Italiane bёri qё tё fitohej njё nga luftrat mё tё rёndёsishme nё historinё moderne tё Shqipёrisё, ku nё harkun kohor tё 5 qershorit dhe 3 shtatorit tё vitit 1920 trupat italiane tё mposhteshin nga ato shqiptare dhe tё ktheheshin kokёulur nё Gadishullin Apenin.
Udhëheqës të Luftës së Vlorës ishin Qazim Koculi, Ahmet Lepenica dhe Osmën Haxhiu. Çlirimi i Vlorёs i hapi rrugё çlirimit dhe tё krahinave tё tjera shqiptare qё mbaheshin tё pushtuara nga ushtritё greke e serbe, duke mundёsuar nё kёtё mёnyrё çlirimin e gjithё trojeve Shqiptare.
Betimi i datës 29 Maj 1920 në Barcalla: “Me ndihmë e pa ndihmë të viseve të tjera të Shqipërisë, do të luftojmë deri sa të bashkohemi me shtetin tonë ose, në mos e arrifshim këtë ideal, të vdesim me armë në dorë që ta marrë vesh bota e qytetëruar se shqiptari për lirinë e vet din të vdesë dhe kur vendos të vdesë, s‘e trembin milionat me ushtri e topa”./KultPlus.com
20 objekte dhe struktura të shembura për t’i hapur rrugën rikostruktimit të 60 godinave mes të cilave dhe shtëpisë së Marigo Posio, e njohur si vajza që qëndisi flamurin e Pavarësisë, dhe rezultati është ky në qendrën historike të qytetit të Vlorës.
Rikualifikimi i kësaj zone është bërë i mbulur falë mbështetjes së Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe për të është shpenzuar një buxhet prej afro 180 milionë Lekësh. Kryeministri, i cili ishte në ceremoninë e inagurimit në krah të Majkell Granof, kryetarit të Bordit të Drejtorëve të Fondit Shqiptaro-Amerikan, e vlerëson si një transformim që i ka tejkaluar dhe përfytyrimet e tij optimiste.
Por Kryeministri i cili thotë se gjatë qeverisjes së tij i ka dhënë me investimet e qeverisë një fytyrë të re Vlorës, flet dhe për projektet e pritshme në këtë qytet, që e cilëson si qendrën e gravitetit të gjitheë rajonit të jugut.
Në qendrën historike janë në proces restaurimesh dhe rikonstruktimesh dhe ish-Galeria e Arteve, dy muze, ai Etnografik dhe Historik si dhe kulla e sahatit./tv klan/ KultPlus.com
Imagjinoni Mesdheun! Çfarë ju vjen në mendje? Brigjet gjarpëruese të mbushura me shkëmbinj dhe limane. Qielli fantastik, pa një njollë reje. Dhe sigurisht, një det i jashtëzakonshëm, për të cilin nuk ka epitet që mund ta përshkruajë. Nëse nuk i keni planifikuar ende këto pushime verore, ju jeni ende në kohë për të bërë zgjedhjen e duhur. Plazhet fantastike të jugut të Shqipërisë janë perlat e Mesdheut dhe ju duhet patjetër t’i vizitoni, shkruan Traveler.es.
Shqipëria, objektivi juaj i ardhshëm.
Mundohuni të kujtoni plazhe si Costa Brava, Costa Azur ose bregdetin amalfitan… janë destinacionet e para që vijnë në mendje për disa pushime verore të paharrueshme në vijën e bardhë gurore dhe ujin blu të plazheve. Është koha për të shtuar në këtë listë edhe një vend të ri: Rivierën Shqiptare.
Plazhet më të mira të Rivierës Shqiptare
Shqipëria më në fund ka hapur dyert e saj për turistët dhe pushuesit dhe nuk ka nevojë për shumë argumente, thjesht shikoni fotot. Plazhet i ngjajnë parajsës në tokë (dhe disa janë pothuajse të braktisura). Surpriza arkeologjike dhe të gjitha me ndjenjën e zbulimit të një prej sekreteve të mirëfshehura në anën tjetër të Mesdheut. Një breg i mbushur me surpriza
Riviera nuk ka kufij të përcaktuar, por nëse doni të vendosni një portë, ndoshta do të jetë në Vlorë, 150 kilometra në jug të kryeqytetit shqiptar, Tirana. Këtu është vendi ku Adriatiku takon Jonin, në një takim detar që ju fton të bashkoheni që nga momenti i parë. Vlora vjen me një ngarkesë të madhe historike: Aty u shpall pavarësia e Shqipërisë nga Perandoria Osmane në vitin 1912. Që atëherë, ajo është rritur për t’u bërë një qendër për aktivitetin e rëndësishëm të portit, gjithashtu dhe një nga plazhet kryesorë të Rivierës fantastike .
Plazhi më i ri në dispozicion mund të jetë zgjedhja e ardhshme nëse nuk doni ta ndani veten në shumë bare të këtij plazhi. Uji i Ftohtë, vetëm dy kilometra larg, është një shtrirje e plazheve më pak të frekuentuar, por me një nivel të aktivitetit për t’u pasur zili.
Nëse dëshironi një ofertë të mirë për kohën e lirë, Vlora duhet të jetë zgjedhja juaj.
Pas bregdetit në jug, ndalesa tjetër është qyteti i qetë i Himarës, i ndarë midis vendpushimeve moderne dhe tavernave tradicionale greke. Pak me larg nga Himara është Llamani, një plazh i bukur, i rrethuar nga dy kodra, shumë popullor për turizmin vendas.
Po kërkoni një eksperiencë më të relaksuar? Shkoni në Qeparo, një fshat piktoresk i kapur pas dy shkëmbinjve dhe me pamje nga skena e Mesdheut, pikërisht ajo që keni në mendjen tuaj: portin e artë, detin bruz dhe qiellin e përjetshëm.
Mbërritja në Sarandë, qendra strategjike e Rivierës dhe një destinacion që po fiton popullaritet në Ballkan. Saranda, përkundër popullsisë modeste të saj, po përjeton një periudhë rritjeje të lartë, e cila dallon dukshëm nga “bumi” i ndërtesave në të gjitha kodrat përreth qytetit bregdetar. Por, për momentin (dhe fatmirësisht), Saranda mbetet një opsion i këndshëm si një bazë për të eksploruar plazhet aty pranë, kur ju i keni parë tashmë ata që janë në rrugë.
Oazet e Ksamilit
Midis tyre, Ksamili merr trofeun më të mirë, jo vetëm në zonë, por ndoshta në të gjithë Rivierën. Ky arkipelag i vogël, 20 milje në jug të Sarandës, ka tre plazhe të vogla gurore që pothuajse mund të bashkohen me njeri-tjetrin. Ksamili është shumë afër qytetit të lashtë të Butrintit, sot një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri. Me një park kombëtar, Butrinti tregon shenja të vendbanimeve të lashta romake dhe greke që kanë jetuar aty, në një përzierje interesante që do t’ju marrë një gjysmë dite, për t’ju nxjerrë kështu nga peshqiri i plazhit.
Ejani dhe zbuloni parajsën e re mesdhetare. Apo keni nevojë për më shumë arsye?”, përfundon Traveler.es./KultPlus.com
“Qytetit bregdetar do t’i kthejmë ‘Vlorën historike të harruar”, kështu u shpreh kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, gjatë inspektimit të punimeve në rehabilitimin e qendrës historike të qytetit të Vlorës së bashku me zëvendësministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli.
“Kemi vizituar të gjitha pjesët e projektit, kemi koordinuar punën me të gjithë ata që janë duke punuar, me inxhinierët e firmës që po zbaton projektin, në mënyre që të gjejmë zgjidhjet më oportune për të kapërcyer çdo vështirësi që del hap pas hapi në këtë projekt, do të thoja nga më kompleksët që kemi realizuar në bashkinë Vlorë”, theksoi Leli.
Leli falënderoi Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe qeverinë shqiptare për mbështetjen e këtij projekti.
“Pak muaj më parë ishte një hapësirë e bllokuar, jo në përdorim të qytetarëve, po merr formë tërësisht të re për ta kthyer në një shesh të madh, ku do të ndërtojmë muzeun e parë të hebrenjve”, tha Leli.
Leli u shpreh se “pjesa e parë e projektit rruga “Justin Godard” do të përfundojë në prag të sezonit turistik. Projekti do të zgjerohet në vijimësi me mbështetjen e qeverisë dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit për të arritur atë që ne duam një zonë historike tërësisht të restaruar”.
Zv/ministri Shkreli duke përgëzuar punën e bashkisë tha se “Vlora do të jetë destinacioni i ri turistik jo vetëm në kuadër të Shqipërinë, por edhe në kuadër mesdhetar”.
Sipas tij, këto projekte i përshtaten morfologjisë historike të këtij qyteti.
Qendra historike e Vlorës është zona ku qyteti i Vlorës ruan ende gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të. Brenda kufijve të zonës së projektit ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë si edhe rruga më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat historike që mbart: rruga “Justin Godard”. Rruga “Justin Godard” ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes dhe Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj të nxjerr tek Sheshi i Flamurit, kurse ana lindore në lagjen “Partizani” në drejtim të Babicës, ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920.
Shtëpitë janë me dy kate, me ballkone të vegjël të stilit neoklasik. Degëzimet e rrugëve sekondare të çojnë tek ish-pazari, “lagja e hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga. Në fund, nga ana lindore ka qenë dhe xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit. Rruga ka pasur disa ndërtesa shoqërore në shekullin XIX, si një sahat (kullë) dhe Postën e qytetit. Kompleksi e ka marrë emrin nga juristi i njohur francez Justin Godard, i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Godard ka qenë mik i shqiptarëve dhe ka ndihmuar dhe me fonde ekspeditën e arkeologut Leon Rey në Apoloni./ atsh
Moti i ngrohtë mblodhi sot qytetarë të shumtë dhe vizitorë nga qytete të tjera të vendit në Vlorë.
Fëmijë dhe të rinj mes lojërave të ndryshme sportive po kalojnë momente argëtuese. Ndërsa qytetarë të shumtë po shijojnë këtë ditë me diell në bregun e Lungomares.
I konceptuar si një hapësirë ku alternohen 3 lloje lëvizjesh, ajo me automjete, me biçikleta, si dhe pedonalja, në Lungomare qytetarët gjejnë vetveten, në varësi të dëshirave të tyre.
Por, ka nga ata që kanë zgjedhur si destinacion të tyre edhe vizitat në pikat turistike të qytetit, ose në lokalet pranë bregdetit.
Në disa fotografi të publikuara bashkia e Vlorës na sjell momente nga dita e sotme e qytetarëve vlonjatë, por edhe e vizitorëve nga qytete të ndryshme të vendit dhe jashtë tij.
Vlora me brigjet e saj, Karaburunin, Sazanin, Llogoranë, kalanë e Kaninës, Lagunën e Nartës, plazhet e shumtë, monumentet, njerëzit, prodhimet e tokës dhe të detit është gjithnjë e më shumë e frekuentuar nga turistët vendas dhe të huaj./ ata
Më 29 nëntor 1912, Ismail Qemal bej Vlora, me cilësinë e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, formuloi notën e parë diplomatike drejtuar përfaqësuesve të Rusisë, Asutrisë dhe Italisë në Vlorë, me të cilën i njoftoj për shpalljen e pavarësisë se Shqipërisë dhe kërkonte vendosjen e marrëdhënieve zyrtare me qeverinë e re kombëtare.
Në të njëjtën ditë ai iu drejtua me telegrame qeverive ballkanike duke u bërë të ditur shpalljen e pavarësisë dhe dëshirën e popullit shqiptar për të jetuar në paqe dhe miqësi me të gjitha vendet fqinje. Këto ishin hapat e parë të diplomacisë shqiptare që u rilind bashk me shtetin e ri shqiptar pas pesë shekujsh robërie./ KultPlus.com
Këto pamje të rrallë vijnë nga Vlora në vitet 1915-1920.
Pamjet filmike janë realizuar nga ushtria italiane që ishte prezente në Vlorë në ato vite. Ky filmin i rrallë është publikuar nga faqja “Shqipëria e harruar”./ KultPlus.com
Tetë kështjella të ndërtuara në rajonin e Vlorës dhe që përfaqësojnë periudha të ndryshme historike, vlerësohen si objekte të rëndësishme në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor në këtë rajon bregdetar.
Miradministrimi i tyre mund të krijojë të ardhura të konsiderueshme, por njëkohësisht ndikon në ndërtimin e një imazhi të qëndrueshëm tek turistët e huaj.
Ndër kështjellat më të spikatura është kalaja e Vlorës, e ndërtuar në vitin 1531 nga Sulltan Sulejmani, gjurmë të të cilës janë zbuluar në afërsi të Skelës. Qëllimi i ngritjes së saj, sipas historianëve, ishte mbrojtja e gjirit të Vlorës nga sulmet e venedikasve.
Krahas saj, në listën e kështjellave përfshihet edhe ajo e Gjon Boçarit, e cila ndodhet në fshatin Tragjas dhe është ndërtuar në periudhën mes shekujve XVI-XVII. Ajo ka formë drejtkëndore dhe gjerësia e mureve arrin deri në 1.25 metra dhe lartësi deri në 5.5 metra.
Ndërsa kalaja e Himarës i përket një periudhe shumë më të hershme. E ndërtuar si një fortifikim i fisit të Kaonëve, ajo përmendet shpesh në dokumentet bizantine. Në shekullin VI kalaja u riparua me urdhër të Perandorit Justinian, për t’u bërë ballë sulmeve të barbarëve, gotëve e husëve.
Pak kilometra nga qyteti i Himarës, ndodhet dhe kështjella e Porto Palermos, ose e njohur ndryshe kalaja e Ali Pashë Tepelenës. Ajo u ndërtua në fillim të shekullit XIX nga pashai i famshëm, si një dhuratë për zonjën e vet, Vasiliqinë. Kalaja u projektua nga një inxhinier francez në formën e një pesëkëndëshi, me muret që arrijnë një trashësi prej 1,6 metra dhe u ndërtua nga specialistë italianë dhe shqiptarë. Ky objekt i trashëgimisë kulturore ruhet në një gjendje mjaft të mirë dhe është shndërruar prej disa vjetësh në një qendër mjaft të rëndësishme turistike që ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve shqiptarë dhe të huaj.
Në listën e tetë kalave me vlera në rrethin e Vlorës përfshihet dhe ajo e Kaninës. E ndërtuar mbi një qendër të vjetër banimi, në shekullin III p.e.s, kjo fortesë ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 3.625 hektarë. Kalaja u rindërtua nga Perandori Justinian, në shekullin V, ndërsa rëndësia e saj spikati veçanërisht gjatë rezistencës së shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu ndaj pushtuesve turq.
Kalaja e Mavrovës ndodhet në Luginën e Shushicës dhe është ndërtuar në shekullin IV p.e.s. E veçanta e kësaj kështjelle lidhet me faktin se muret janë punuar me blloqe gurësh gëlqerorë.
Por, një kështjellë e hershme është edhe ajo e Kukumit, në fshatin Qeparo, në afërsi të gjirit të Porto Palermos, ndërtimi i të cilës daton në shekullin II p.e.s.
Dy detet që lagin brigjet e Vlorës Adriatiku dhe Joni, duke krijuar dhe dy laguna të mëdha si ajo e Nartës dhe Orikumit, janë atraksioni kryesor për turizmin e jugut shqipëtarë. Nisin me plazhet e shumtë të Zvërnecit, me gjire të bukur e rërë të pastër dhe vazhdojnë me plazhin qëndror të Lungomares, Uji i Ftohtë, Radhimë, Orikum, Palas, Dhërmi,Himarë e pa fund plazhe që frekuentohen në këtë periudhë nga pushues të shumtë.
Vlora mbetet kështu qendra e gravitetit për turizmin shqiptar duke i shtuar dhe parqet e shumtë natyrorë si ai i Llogarasë, i Luginës së Vjosës dhe së fundmi Nivicën me kanionet e famshëm për turizmin e aventurës.
Vetëm Parku i Llogarasë për vitin që shkoj u vizitua nga rreth 90 mijë turist. Po kështu dhe Zvërneci kapi mbi 20 mijë vizitorë pa llogaritur plazhet e Vlorës ku pushuesit janë të shumtë. Vlora i ka të gjitha dhe duhet vizituar…
Qeveria shqiptare tashmë po bën realitet ëndrrën dhe ambicien e shprehur ndër vite për fuqizimin e infrastrukturës aeroportuale.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Tepelena, ku mori pjesë në ceremoninë e çeljes së punimeve për bypass-in e Tepelenës se paralelisht me infrastrukturën rrugore, mund të themi se ëndrra dhe ambicia e shprehur në fushata elektorale për të fuqizuar infrastrukturën aeroportuale të Shqipërisë është në rrugën e realizimit.
“Jemi në proces dhe së shpejti do të finalizojmë edhe kontratën për të çelur aeroportin e Kukësit. Po ashtu jemi në proces dhe së shpejti finalizohet kontrata për të ndërtuar aeroportin e ri ndërkombëtar të Vlorës. Kemi nisur procesin për të bërë vlerësimet e nevojshme për të ndërtuar aeroportin turistik të Sarandës”, informoi kreu i qeverisë./KultPlus.com
Edhe pse sezoni turistik ende nuk ka nisur zyrtarisht, Shqipëria me bukurinë dhe historinë e saj ka bërë për vete turistët e huaj, të cilët kanë zgjedhur të zbulojnë më shumë rreth saj.
Ditët e fundit në portin e Vlorës, u ankorua kroçera “BERLIN” me rreth 400 turistë gjermanë të ardhur nga Porti i Kotorrit, Mali i Zi.
Turistët vizituan qytetet turistike të Shqipërisë si Vlora (Llogara), Apolonia e Fierit dhe Beratin.
Kjo është kroçera e parë që ka mbërritur për këtë vit në portin e Vlorës. Më pas udhëtimi i turistëve gjermanë vazhdoi drejt Korfuzit.
Porti i Vlorës është kthyer tashmë në një pikë të rëndësishme të itinerarit të anijeve turistike që përshkojnë Mesdheun.Bashkëpunimi i frytshëm mes “Portit Detar” Vlorë sh.a, dhe kompanive turistike vendase e të huaja ka rritur në mënyrë të ndjeshme numrin e turistëve që mbërrijnë në portin e Vlorës.
Kjo është hera e dytë që Krocera “Berlin” viziton Poritn e Vlorës./ATSH