Fundjava për Vlorën ishte nën tingujt e Sanremos. Banorë të Vlorës por edhe pushues të shumtë, vendas e të huaj, patën mundësinë të ndjekin për shumë orë, një koncert të disa prej këngëtarëve më të njohur italianë, të cilët pëlqehen dhe ndiqen edhe në vendin tonë.
Në koncertin “live” performuan këngëtarë të cilët kanë fituar të paktën një herë festivalin e Sanremos si: Albano, Mieta, Marco Masini, Michelle Zarillo, Pupo, Matia Bazzar, Riccardo Fogli, Iva Zanicchi etj. Hyrja ka qenë e lirë, duke u dhënë mundësinë të gjithë të ishin pjesëmarrës të këtij eventi të jashtëzakonshëm.
Përveç se interpretuan, artistët italianë janë shprehur në skenë, me superlativa për qytetin e Vlorës dhe mikpritjen, duke thënë se do të donin të riktheheshin, madje disa prej tyre vinin për të disatën herë. Në shesh ka ndjekur aktivitetin edhe një komunitet i madh shtetasish italianë.
Koncerti “Sanremo-Vlorë, vajtje-ardhje” u organizua me iniciativën e Sinan Idrizit dhe gjeti mbështetje nga Konsullata Italiane dhe Bashkia Vlorë. / atsh / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama u takua sot në Vlorë me personazhet që prej katër ditësh në Gjirin e Vlorës, ofruan një pamje të veçantë si ajo e varkave me vela.
Gjatë fjalës së mbajtur përballë të pranishmëve, Rama mirëpriti aktivitetin italian duke theksuar se ky ishte një pushtim shumë i këndshëm.
“Unë jam shumë i lumtur që jam këtu sot me ju. E mirëpres krahë hapur çdo aktivitet italian, ky është pushtim shumë i këndshëm. Shpresoj që Vlora do të jetë gjithmon mikëpritse dhe gjërat do të shkojnë gjithmon dhe më mirë” tha Rama.
Kreu i qeverisë pati mundësinë të intervistonte personalisht edhe turisten më interesante, një vajzë të vogël të cilës i kishte lënë shumë mbresa aktiviteti dhe mbi të gjitha, Vlora.
“Vlora na ka dhënë një mikëpritje shumë të bukur janë të gjithë shumë simpatik” tha vajza. E pyetur nga Rama nëse do të rikthehet sërish vitin tjetër, ajo u shpreh “po, do të rikthehem padyshim vitin tjetër”, tha ajo.
Për katër ditë rresht, prej 6 korrikut, Gjiri i Vlorës u “pushtua” nga varkat me vela, të cilat ishin nisuar nga Brindizi.
Kjo ngjarje sportive që këtë verë mbush 12 edicione, dhuroi emocione të veçanta për të gjithë ata që adhurojnë sportet e ujit ose kanë dëshirë të sodisin një pamje të veçantë, si ajo e varkave me vela, që kaloi nga Marina Orikumit, ku për herë të parë garuan edhe dy varka shqiptare./atsh/KultPlus.com
Zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Vilma Bello ka pritur turistët nga vende të ndryshme të botës të ardhur me kroçerën që ka mbërritur për herë të parë në Vlorë.
Kroçera me 138 persona në bord ka mbërritur për herë të parë në Vlorë dhe vjen nga Korfuzi. Turistët që ndodhen në brendësi të saj janë nga SHBA, Kanadaja, Australia, Irlanda, Qiproja, Zvicra, Hungaria, Ruanda, Norvegjia, Italia, Kina.
Qyteti i Vlorës mbetet një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj.
Mbërritja e kroçerave është pjesë e axhendës së Mesdheut, ku qyteti i Vlorës tashmë zë një vend të veçantë. Mjaft agjenci turistike janë përfshirë në këtë drejtim, ndërkohë që numri i tyre pritet të rritet më tej./atsh/KultPlus.com
Tërheqja e detit është një fenomen që ndodh vit pas viti, sikurse ka ndodhur edhe vitin e kaluar dhe ka qënë me e dukshme në bregdetin e Vlorës dhe në Lezhë po ashtu.
Por ajo që është vënë re nga qytetarët dhe nga ekspertët e mjedisit është fakti se në qytetin e Vlorës tërheqja këtë vit ka qënë më e theksuar.
Gazetarja e Euronews Albania, Ebrieta Maçaj deklaroi për emisionin “Good Morning Albanians” kjo është një problematikë që po shqetëson ambientalistët.
“Në fakt, ndodh çdo vit, por nuk ka ndodhur asnjëherë në këto përmasa. Siç e shihni, unë jam në zonën e Lungomares. Kjo strukturë në det është ndërtuar nga arkitekti për të krijuar një lloj dinamike ku të dukej baticë-zbatica, që qytetarët ta shohin këtë fenomen si atraksion. Asnjëherë nuk kishte dalë kaq shumë, ka qenë shumë e fortë përmasa e tërhqejes së detit”, tha gazetarja.
“Kjo po shqetëson edhe ambientalistët, pasi një pjesë kaq e zbuluar e bregdetit, do të thotë një vdekje për ekosistemin. Ka rreth katër ditë që deti është tërhequr. Specialistët shprehen se kjo është një problematikë”, raportoi gazetarja Ebrieta Maçaj./ KultPlus.com
Grupi legjendar italian, “Ricchi e Poveri” mbrëmjen e së martës u ngjitën në skenën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë.
Këngët më të bukura dhe të sukseshme të repertorit, artistët Angela Brambati dhe Agelo Sotgiu i kënduan për gati dy orë njëzri me publikun vlonjat.
“Kishim te dridhura nga ky emocion me këtë publik të mrekullueshëm i cili këndonte me ne dhe ishte një gjë shumë e bukur. Nuk gjej fjalët për të përshkruar emocionet dhe gëzimin”, u shpreh Angela Brambati.
“Për ne ky është një emocion i madh. Na kanë kërkuar të vijmë edhe gjatë sezonit këtu që të organizojmë një event të bukur. Ne pranuam me dashamirësi dhe do shikojmë të gjejmë formulën e duhur por gjithsesi do vijmë për pushime. Kështu që nëse do vijmë për pushime këtu, mund të lindë dhe kënga për Vlorën”, tha Angelo Sotgiu.
Për spektatorët kjo nuk ishte vetëm një ngjarje e bukur kulturore por nostalgji për muzikën italiane të viteve ‘80.
Spektatorët e konsideruan koncertin një ngjarje te bukur kulturore por edhe një rikthim nostalgjik të muzikës italiane të viteve ‘80.
Grupi mitik numëron mbi 20 milionë disqe të shitura, ndërsa në Vlorë u nderuan me titullin Mirënjohja e Qytetit nga Bashkia e Vlorës./Tv Klan/ KultPlus.com
Në Teatrin “Petro Marko”, të Vlorës, mbrëmë është dhënë shfaqja “Profesionisti”, e cila u rikthye me kërkesë të publikut, pas suksesit që pati në vëniet e para në skenë.
Në rolin kryesor interpretoi aktori brilant Viktor Zhusti si dhe aktorët e Teatrit të Vlorës Astrit Hasani, Artan Islami dhe Matilda Avduli.
“Profesionisti”, një vepër e Dushan Kovaçeviç, u vu në skenë nga regjisori Leka Bungo.
“Profesionisti” një komedi e trishtë, trajton një nga temat më të nxehta të shoqërisë siç është hapja e dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit, një dramë e madhe me ankthet dhe frikërat e së shkuarës, e sjellë në formën e një komedie.
Në të gjitha netët që u vu në skenë, “Profesionisti” mbushi sallën plot, me artdashës e personalitete të artit, të cilët dhanë duartrokitje energjike. Për regjisorin Leka Bungo, ky ishte një rikthim i rëndësishëm pasi pikërisht në Teatrin e Vlorës, nisi rrugën e artit, 56 vite më parë. /atsh / KultPlus.com
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, njoftoi se ka përfunduar restaurimi i banesës së Beqo Zenunit, Monument Kulture i kategorisë së parë.
Sipas projektit të hartuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë dhe miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, objekti iu nënshtrua disa ndërhyrjeve mirëmbajtëse e restauruese. Punimet konsistonin në konsolidimin e kreut të murit, rindërtimin e tavanit prej druri dhe zëvendësimin e trarëve dhe tjegullave, në çatinë e objektit.
Banesa e Beqo Zenunit, në Konispol, është njëri prej 40 aplikimeve që përfitojnë nga thirrja e Ministrisë së Kulturës, për përfitimin e skemës së bashkëfinancimit të projekteve të restaurimit, konsolidimit, rijetësimit, pas lidhjes së kontratave përkatëse me Ministrinë.
Ndërhyrjet e specialistëve të DRTK Vlorë ndikojnë drejtpërsëdrejti në ruajtjen dhe mbrojtjen e këtij monumenti por edhe të trashëgimisë kulturore e historike që mbart kjo banesë. /atsh / KultPlus.com
Drejtoria e Policisë Vendore në Vlorë vijojnë kontrollet në subjekte të ndryshme, përgjatë vijës bregdetare, për respektimin e aktit normativ që ndalon muzikën në mjediset e hapura.
Mbrëmjen e djeshme, Policia e Vlorës ka vijuar kontrollet në lokalet në vijën bregdetare në Vlorë, Sarandë, Ksamil, Himarë, Dhërmi dhe Borsh.
Po ashtu, Policia njoftoi se kontrollet do të vijojnë çdo ditë, për të garantuar respektimin e orarit të përcaktuar për vendosjen e muzikës, në subjektet përgjatë gjithë vijës bregdetare të qarkut Vlorë.
Policia e Vlorës iu bën thirrje subjekteve që zhvillojnë aktivitete me muzikë, në ambiente të hapura, të respektojë oraret e përcaktuara në aktin normativ në fuqi, që të mos përballen me penalitete. /atsh/ KultPlus.com
Muzeu Hebraik në Vlorë, është institucioni më i ri i kujtesës, që bashkon histori kombesh, mbijetesën dhe besën.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga projekti i këtij muzeu.
“Mirëmëngjes dhe me projektin e Muzeut Hebraik në Vlorë, institucioni më i ri i kujtesës, që bashkon histori kombesh, mbijetesën dhe besën, ju uroj një ditë të mbarë”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë gjithashtu theksoi se, sot, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, hyrja në të gjithë muzetë dhe parqet arkeologjike është falas.
Historitë e shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë në vitet e errëta të Holokaustit do të kenë një vend të dedikuar kujtese, që është Muzeu Hebraik Shqiptar, ngritja e të cilit mbështetet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim me synimin për të ndërtuar një institucion bashkëkohor që do të dëshmojë një histori unike bashkëjetese, besimi dhe shprese mes shqiptarëve dhe hebrenjve, veçanërisht në vitet e Luftës së Dytë Botërore.
Projekti fitues për muzeun, vendndodhja e të cilit do të jetë në Vlorë, u prezantua dje në prag të ditës ndërkombëtare të muzeve, nga studio e njohur izraelite “Kimmel Eshkolot Architects”. /atsh / KultPlus.com
Vlora dhe Durrësi, dy qytetet e vjetra shqiptare të cilat me mrekullitë e tyre hyjnë thellësisht në rrënjën e qenies së njeriut, ngërthejnë në vete artin e rilindjes së antikitetit klasik dhe një histori që jo lehtë harrohet. Të ndryshme në pamje por të ngjashme në thelb, këto dy qytete shqiptare të cilat i vizituam këto ditë, të rrëmbejnë vëmendjen për të mos e lëshuar atë nga bukuritë e rralla natyrore, vlerat kulturore dhe vijat bregdetare nga më hijshmet ndonjëherë, shkruan KultPlus.
Rruga Tërthore (Kukës) dhe Kolsh (Kukës), në rrugën e gjatë që ishte planifikuar për në Vlorë, ishin vendet e para të cilat kapën vëmendjen e gjithsecilit qysh në sekondën e parë kur pamjet unike të gjelbërimit në intensitete të ndryshme të ngjyrës së gjelbër, kapluan gjithë spektrin e syrit tonë. Malet gjigande të shtrira në dimensione të ndryshme ku disa nga to ishin të mbuluara ende me dëborë e njëkohësisht të pasura në pamje, shtriheshin në një horizont i cili nën qiellin e kaltër dukej se po hynim në një vend përrallor që zbukuronte dhe vetë qenien e njeriut.
Në një mot të nxehtë por të përballueshëm, dielli i pranishëm rrezatonte mbi tokat e punuara si dhe mbi fusha të cilat dukshëm dëshmonin për një bujqësi të rrallë e tejet të veçantë. Së bashku me natyrën e cila posedonte një pamje të pakrahasueshme më vete, shtigjet e vogla, lulet e ndryshme në dukje e ngjyrë, fshatarët në zonat malore të cilët qysh herët shiheshin të punonin në arrat apo dhe oborret e shtëpive të tyre, ishin disa nga detajet e mrekullueshme të kulturës bujqësore. Ndërkaq, shkëmbinjtë e mprehtë, liqenet dhe lumenjtë që rrjedhin përgjatë drejtimit të tyre të shumanshëm, po rrumbullakonin një peizazh që nuk do të mund të shkrihej më së miri as edhe në ngjyrat e pikturave më autentike impresioniste.
Ndalesa jonë e parë në qytetin e Vlorës na bëri që vrojtimi ynë të merr kahje në drejtime të ndryshme. Për aq sa mund të shihnim, qyteti i cili përballë bregut të detit kishte të vendosur një numër të madh të kafeneve dhe restoranteve të populluara me tarrace, pallate kryesisht të bardha e të ndritshme, shtëpi me fasada tërheqëse, hotele nga më të ndryshmet si dhe natyrisht deti i cili është shoqëruesi i përjetshëm i qytetarëve vlonjat të cilët mes palmave gjigande dhe një trotuari jashtëzakonisht të gjerë, kanë mundësinë të shijojnë një pamje, qoftë ulur apo në këmbë në një ecje që po të duash, dukej se asnjëherë nuk do të kishte një fund.
Një udhëtim në këmbë përgjatë bregut të detit, në zallin e ngrohtë dhe të butë është si një rrugëtim nëpër një qetësi hyjnore. Zhurma e valëve të lehta, era e ëmbël që futet këndshëm në shoqërinë tënde dhe mungesa e popullaritetit, të bënë që të ndjehesh sikur je i vetmi person që ka mundësinë e të shijuarit këtë perspektivë që rrallëherë ndodh. Një atmosferë e cila shijon ndryshe kur prezenca jote nuk ndërlidhet me asgjë tjetër përpos karakteristikave që elementet e lartpërmendura ofrojnë, do të ishte ajo e cila qetëson shpirtin dhe trazon kreativitetin e secilit njeri në cilëndo fushë të mundshme.
Bashkë me diellin i cili ngadalë po fillonte të zbriste dhe cicërimin e zogjve që krijonin një harmoni melodish, për të hapur sezonin veror për këtë vit, të pranishëm në konferencën e parë për mediat nga Kosova ishin: administratori i ‘Marina Bay’ Besmir Lula, menaxheri i ‘Barileva Turist’ Petrit Riza, kryetari i shoqatës së turizmit ‘Arta’ Ervin Sota, themeluesi i platformës “TripToAlbania” Azem Bujupi, konsulle e përgjithshme e Italisë në Vlorë, Ilva Palmieri dhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.
Ishin çështjet rreth vlerave turistike, përgatitjes më profesionale, risive e ofertave turistike, eksplorimit të botës nënujore të Vlorës, planit strategjik që diaspora të vijë në Shqipëri, rëndësisë ndaj profesionalizmit të shërbimit së porteve detare e malore, relievit fushor e malor, detit Adriatik e Jon, Karaburunit, Ishullit të Sazanit, brigjeve të pafundme të Vlorës, kulinarisë, promovimit të turizmit në nivel nacional, potencialit shumë të madh të zhvillimit të turizmit, problematikat e pandemisë dhe të turizmit në trevat jugore, lumit të Vlorës, Kalasë së Kaninës, Majës së Llogorasë si dhe Manastirit në Lagunë, ato që u shqyrtuan në mesin e tyre në mënyrë që Vlora të shndërrohet në shtëpinë e dytë të atyre që vizitojnë atë në këtë sezon.
Pas një ore, tashmë perëndimi i diellit kishte kapluar gjithë hapësirën e qiellit dhe detit për t’i bashkuar ata në një ndërlidhje të jashtëzakonshme në ngjyrë portokalli. Si një copëz magjie, dielli ngadalë u zhduk në përjetësinë e tij për të lënë gjurmë në kujtimet e secilit njeri të pranishëm, teksa meloditë e muzikës italiane vazhduan në sfond duke sjell kështu një ëmbëlsi shtesë të atyre çasteve.
Tani, nisja për në qytetin e Durrësit na zuri në një kontrast krejt ndryshe. Nën tingujt e muzikës tradicionale shqiptare, vëzhguam qytetin e vendosur në brigjet e detit Adriatik i cili përpos historisë të veçantë që posedon, imazhet e shfaqura të jo vetëm banesave që shtriheshin njëra pas tjetrës por edhe të detit i cili në kaltërsinë e tij përqafonte bregdetin në tërë portin e pasur të tij, që janë dy nga karakteristikat e këtij qyteti.
Stile të ndryshme arkitekturore që portretizojnë periudha të ndryshme të ndikimit si ato ilire, greke, romake dhe italiane janë dukshëm të dallueshme në secilin cep. Tani, qyteti ngërthen në vete një stil modernist i cili me blloqet e mëdha, ndërtesat moderne, qendrat tregtare dhe hapësirat e gjelbra të japin përshtypjen se jeta historike e Durrësit ndryshon vazhdimisht. Por veçantia e këtij qyteti është padyshim Muzeu Arkeologjik i cili është i vendosur pranë plazhit. Mure bizantine të shekullit të gjashtë, artefakte nga zona antike e Dyrrachium, koleksioni i gjerë nga periudha ilire, greke e lashtë, helenistike dhe romake, stela romake funerale, sarkofagët prej guri, mozaik eliptik shumëngjyrësh, koleksion bustesh e shumë të tjera, përshkojnë muret e pjesës më të madhe të Muzeut.
Po ashtu, shijimi i ushqimit tradicional, atij detar dhe italian në restorantet me pamje brilante, ecjet nëpër bregun detar mbi rërë, dashamirësia e durrsakëve, plazhet e shumta dhe imazhet piktoreske të cilat të shfaqen papritmas që nga mëngjesi e deri në mesnatë, përthekojnë disa nga veçoritë e përsosura dhe tiparet dalluese të këtij destinacioni bregdetar dhe kulturor.
Për shkak të historisë së tij të gjatë, Durrësi konsiderohet të jetë natyrshëm i mbushur me vende dhe gjetje arkeologjike të lashta, duke përfshirë amfiteatrin e famshëm të perandorit romak Hadrian, kapaciteti prej 15,000 vendesh e bënë atë amfiteatrin e dytë më të madh në Ballkan. Po ashtu, është një vend fantastik për adhuruesit e historisë dhe artit ku përtej Muzeut Arkeologjik, vizitorët mund të eksplorojnë Muzeun Etnografik, i cili ishte shtëpia e aktorit të famshëm Aleksandër Moisiu si dhe Galerinë e Arteve në qendër.
Kudo që sheh përreth është thjeshtë mahnitëse. Ky vend gjithandej është një mrekulli më vete.
Ishte spektakli i shiut ai i cili vulosi fundin e këtij udhëtimi teksa prekëm kufirin në Shqipëri. Nën piklat e shpeshta që binin në xhama, reflektuam mbi gjithsej dy netët e kaluara në dy vendet më të bukura shqiptare dhe jo vetëm.
Ky udhëtim që i bashkoi gazetarët e Kosovës për një eksplorim të mirë, na dërgoi për qëndrim dhe vizitë në hotelet si: Kraal Hotel (Vlorë) dhe Adriatik Hotel (Durrës). Ndërsa, i pranishëm me ne gjatë gjithë udhëtimit ishte edhe drejtori Azem Bujupi nga platforma ”Trip to Albania”.
Aktivitetet e ndërmarra nga ky udhëtim janë mundësuar nga “Trip to Albania” dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ftoi sot qytetarët të marrin pjesë në eventet për Javën e Eropës 2022 nga datat 3-12 maj.
Margariti u shpreh se eventet do të organizohen më 3 Maj në Shkodër tek Pedonalja, më 5 Maj në Vlorë tek Lungomare, më 9 Maj në Tiranë tek Pedonalja.
“Të takohemi për të festuar trashëgiminë tonë të pasur kulturore dhe vlerat e përbashkëta Evropiane”, theksoi Margariti, e cila nënvizoi se në këto evente janë përgatitur edhe disa aktivitete simpatikë për fëmijët.
“Java e Evropës2022 është pothuaj këtu! Ju presim të na bashkoheni më: 3 Maj në Shkodër tek Pedonalja; 5 Maj në Vlorë tek Lungomare; 9 Maj në Tiranë tek Pedonalja. Le të takohemi për të festuar trashëgiminë tonë të pasur kulturore dhe vlerat e përbashkëta Evropiane. Ejani së bashku me më të vegjlit, kemi përgatitur disa aktivitete simpatike për ta”, theksoi Margariti në një postim. /atsh/ KultPlus.com
Reshjet e dendura të shiut kanë tejfryrë lumin Vjosa, duke shkaktuar daljen e tij nga shtrati.
Raportohet se rreth orës 03:00 të mëngjesit, lumi ka çarë argjinaturën, duke përmbytur shtëpitë në fshatin Fitore.
Prurjet e mëdha kanë krijuar një situatë të pazakontë në Vlorë. Në terren ndodhet shtabi i emergjencave dhe kryetari i bashkisë, ndërsa banorët janë njoftuar të marrin masa për evakuuim.
Deri më tani janë larguar 11 familje, ndërkohë që vijon të ketë rritje të prurjeve në lum.
Situatë problematike për shkak të reshjeve që vazhdojnë prej disa ditësh paraqitet dhe në Himarë. Lumi Shushica ka shkatërruar tërësisht urën e fshatit Kallarat. / KultPlus.com
Sezoni veror turistik sjell edhe më shumë vizitorë në sajtet e trashëgimisë kulturore dhe monumentet natyrore të vendit, mes të cilëve edhe në Kishën e Shën Spiridhonit në fshatin piktoresk të Vunoit, në Vlorë.
Në skajin jugor të fshatit Vuno, midis ullishtave shekullore ndodhet edhe manastiri i Shën Spiridhonit me kishën më të madhe të vetë këtij fshati. Në një mbishkrim thuhet se kjo kishë u rindërtua në vitin 1778 dhe madje u pikturua e gjitha në vitin 1784 me harxhet dhe shpenzimet e banorëve të vetë fshatit.
Kisha është e tipit bazilikatë e përbëhet nga hajati i mbështetur në arkada e kolonada, nga naosi i ndarë në tre nefe, altari dhe hapësida. E gjithë kisha ruan vlerat arkitekturore dhe është e pasur me piktura murale. Pas shkatërrimit që pësoi me djegien e gjithë çatisë në vitin 1998 dhe dëmtimet që pësojë në muajin maj të vitit 2014 u realizua restaurimi i plotë i kësaj kishe.
Restaurimi konsistoi në përforcimin e gjithë strukturës, në konservimin e pikturave murale dhe në mbulimin e çatisë. Ky restaurim do të sigurojë jetëgjatësinë e vlerave monumentale dhe artistike të kishës. Kjo kishë e mrekullueshme që nuk duhet humbur pa u vizituar është një monument kulture i kategorisë së parë. / ATSH / KultPlus.com
Parkut arkeologjik të Amantias në Vlorë i shtohet edhe një tjetër pasuri me vlera të jashtëzakonshme jo vetëm historike, por edhe kombëtare.
Bëhet fjalë për një varr të lashtë monumental që daton që në shekullin e 3 para erës tonë. Është një varr mbi 2 mijë vjeçar, kohë kur qyteti antik i Amantias mendohet se ka qenë në kulmin e lulëzimit të tij.
Nisur nga forma dhe mënyra sesi është ndërtuar, mendohet se ky varr mund t’i përkasë ndonjë personi mjaft të rëndësishëm për kohën.
Gjatë gërmimeve për zbulimin e varrit monumental janë gjetur gjithashtu orendi të tjera si qeramika të vjetra të cilat janë ende në studim.
Sipas arkeologëve në këtë zonë mendohet të jenë edhe 9 varre të tjera antike. /a2/ KultPlus.com
Shiu pranveror, shoqëruesi ynë i veçantë në hyrje të kufirit të Shqipërisë kishte kapluar atmosferën në një mbizotërim të lehtë të pikave të cilat binin lehtësisht mbi dritaret tona e që njëkohësisht pamjet e bukura të reve kishin zënë tërësisht vendin e tyre në qiell, por ketë herë jo në formën e tyre të zakonshme, por ato frymonin në hapësirën personale të maleve të larta të cilat jepnin një përshtypje se po bashkoheshin dy botë krejtësisht të ndryshme në një mjegullinë të vetme që nuk po i dukej as fundi e as fillimi, shkruan KultPlus.
Tokat e shtrira e të punuara në vija dëshmonin se bujqësia është aq e pasur ku së bashku me natyrën që posedonte një gjelbërim herë të errët, herë të çelur e herë një e gjelbër e pa identifikuar dhe shtigjet e vogla të rrezeve që depërtonin pingul vende-vende në shkëmbinjtë përreth, në një ndërlidhje me trazirën e ëmbël të shiut dhe lulet shumëngjyrëshe të cilat dalloheshin akoma më shumë kur ngjyra e tyre gjallërohej nën pikat e shiut, këtë peizazh në hyrje të Shqipërisë e bënte akoma më të bukur për ta shijuar e sidomos kur vrojtohet behari që po binte dalëngadalë mbi një fund që ishte e pamundur ta kapje.
Ndalesa jonë e parë në qytetin e Durrësit, i vendosur në brigjet e detit Adriatik dhe i cili jo vetëm që ka një histori të jashtëzakonshme por ngërthen në vete imazhe të veçanta ku pas çdo blloku të banesave në një shtrirje të gjerë mund të admirohet pamja e detit e cila nga larg dukej se sapo kishte filluar shkëlqimin e portretit në një përndritje të ngrohtë por që në të vërtetë nga afër këto valë dinake sa vinin e u rritnin në një epërsi vrazhdësie që shkrihej në breg duke formuar një ikonografi të tyre dhe duke na dhënë një iluzion se këto valë të cilat përplaseshin sa andej e këtej, kanë jetë dhe po njëlloj si kujtimi ynë për dikë, edhe ato jetojnë në përjetësi.
Ndërsa, në mesditë atëherë kur dielli bëhet gati për ta lëshuar fronin e tij, në një tingëllimë mjalti që po ngjyroste kanvasin e zakonshëm të qiellit të kaltër në një ngjyrë rozë e cila po jetësohej përnjëherë duke pikturuar kështu ndjenja entuziaste me një pendë delikate në një spikatje mbretërore që na kishte zënë rob në mbështjelljen magnetizuese të perëndimit. Ndërkohë , aty pranë, siç pamë mund të zhvillohen edhe sporte të ndryshme si ‘kitesurfing’.
Tani, nisja për në qytetin e Vlorës, qyteti bregdetar në jugperëndim të Shqipërisë, na zuri në një adrenalinë të këngëve shqiptare që si dukej na bëri gati për atë se çfarë do të pasonte më vonë. Hyrja e këtij qyteti i cili ka përballë një mal shtatë lart që ishte prezent në çdo kënd ku sytë arrinin të shihnin dhe së bashku me shtëpitë e boshatisura që dhuronin kënaqësi estetike, rrugicat e ngushta me kalldrëm, dyqanet e vogla të vendosura radhazi në dy anët e rrugës të mbushura me suvenire, palmat që nga larg shtriheshin në pëllëmbë të dorës, e shndërronin Vlorën në një klithmë renesance të antikitetit klasik, aty ku parajsa e shtatë magjepset e rrëmbehet pas mëkatit ngazëllues të ekstazës mistike.
Ecjet përgjatë qytetit të Vlorës, shijimi i ushqimit tradicional në gërshetim me atë detar dhe italian, pemët e vendosura në një vijë vertikale, dashamirësia e vlonjatëve, plazhet e shumta, monumentet kulturore, brigjet e pakrahasueshme, deti trazues e tufat e kafshëve që dilnin papritmas në një befasi të dëlirë si dhe përmes peizazheve të këndshme, mund të përjetohen në një rilindje njerëzore ku zgjuarsia, bukuria dhe e vërteta përjetohen në një afsh lirik.
Gjatë ecjes në këtë qytet unik, një kafene mjaft e veçantë e cila dallohet direkt përballë teatrit ‘Petro Marko’, aty ku u shënua historia e themelimit të Teatrit Profesionist të Dramës, e titulluar me emrin ‘Poema Bistro’, ofronte një rehati përmes soditjes së dizajnit bohem, shijimit të ushqimit tradicional, duke filluar nga mishi i pulës me patate dhe qofte, salca e djathit dhe qepëve, buka me vaj ulliri dhe erëza, djathërat e ndryshëm, sallama e pjekur në skarë, makarona, qofte, sallatat e deri tek verërat diversive e në veçanti e bardha që papritmas të bënte pas vetes. Ndërkohë , për të apasionuarit e pianos, për ata që personalisht nuk kanë pasur mundësi ta ndjejnë magjinë që instrumenti sjell, ekzistonte mundësia që të krijonin një interpretim çasti që lehtësisht mbahet mend në rrënjën surreale të kujtimeve.
Gjithashtu, hapja zyrtare e sezonit turistik veror në Vlorë u shënua me koncertin nga artistët si: Marsela Çibukaj, Bruno dhe Klajdi Haruni. Ky koncert mblodhi rreth vetes qytetarë dhe vizitorë të shumtë duke nisur nga moshat më të vogla e deri tek të moshuarit që po shijonin këngët shqiptare duke kërcyer e argëtuar jashtë mase. Malli për të parë një turmë të tillë i gjeti edhe banorët e shtëpive të afërta në ballkonet e dritaret e tyre duke dëgjuar këngë të vjetra shqipe ku ndër to ishte edhe kënga ‘E dehun jam’ nga bilbili i Kosovës Nexhmije Pagarusha, këngë kjo që në brendësinë tonë solli një qetësi shpirtërore.
Kurse, aty ku shtrihet prehri i shkëmbinjve që rrahet ëmbëlsisht nga tundimi i dallgëve manipuluese, ndodhet edhe vija bregdetare e Vlorës e pasuruar me ujërat e detit të kristaltë që ngjason me atë të ‘Côte d’Azure’ në Francë, pikërisht për arsye se ky peizazh ofron paroksizëm poetik, një burim frymëzimi ku krahnori i zjarrmisë pushon nën hijen modeste shpirtërore.
Gadishulli i Karaburunit ka formën e një harku në një gjatësi rreth 15 km që përqafon një peizazh natyror me bregdetin e përthyer, lëndinat e vogla që zbresin deri poshtë, gjiret e shumta dhe të fshehura, kullotat e pasura dhe gëlqerorët e periudhës së paleogjenit ku shikuesi lehtësisht përmes një udhëtimi me anije, mund ta admirojë këtë copëz gjigande e cila pranon puthjet e shumta të ujit përreth. Ndërkohë, në skajin veriperëndimor të Karaburunit, ndodhet Kepi i Gjuhëzës, pika më perëndimore e Shqipërisë ku është e vendosur shpella e Haxhi Alisë, aty ku rrezet e diellit nuk kanë prekur asnjëherë dhe syri i njeriut humbet në lartësinë dhe bukurinë e mahnitshme të saj që duket sikur zotëron një errësirë e cila frymon si gjurmë e vazhdueshme e këtij Gadishulli.
Ky port është i mbushur me anije të vogla të cilat pushonin afër bregdetit në një vijë çoroditëse, ofronin një pamje ku edhe shkrepja e fotografisë më të bukur nuk do të mund ta përçonte emocionin e huazuar për pak çaste nga soditja e bukurive natyrore dhe fluturimit të shpendëve që formonin një trajektore lëvizëse në horizontin përvëlues të venitjes që fishket në papërfytyrësinë e çiltër.
Ky udhëtim që i bashkoi gazetarët e Kosovës për një eksplorim të veçantë, na dërgoi për qëndrim dhe vizitë në disa hotele që ndodhen në qytetin e Vlorës, si: Albanian Star Hotel, Harmonia Hotels Group, Regina Garden Hotel dhe Kraal Hotel. Ndërsa, i pranishëm me ne gjatë gjithë udhëtimit ishte edhe drejtori Azem Bujupi nga portali ”Trip to Albania”, i cili do të hapet zyrtarisht më 30 maj të këtij viti.
Po ashtu, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli në një prononcim për të gjitha mediat kosovare të pranishme është shprehur se në muajt në vazhdim asgjë nuk do të duket më njëlloj në Vlorë.
“Ne kemi bërë një projekt të ri me Qeverinë Shqiptare dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit që do të ndërrohet tërësisht zona e plazhit të vjetër. Kur unë kam qenë fëmijë, ajo që ishte zona e prindërve dhe gjyshërve tanë, ishte pikërisht kjo këtu”, thotë Leli.
Sipas tij, pandemia gjunjëzoi globin por shqiptarët qëndruan bashkë për të mbajtur gjallë ekonominë e turizmit sepse të gjitha investimet që bëhen kanë nevojë për klientë dhe klientët kanë nevojë për mikpritje, shërbime dhe atraksione të vërteta në vijën bregdetare të Vlorës.
Në fund të këtij udhëtimi është nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi nga portali ‘Trip to Albania’ dhe Bashkisë së Vlorës ku synohet promovimi masiv.
Aktivitetet e ndërmarra nga ky udhëtim janë mundësuar nga ’’Trip to Albania’’ dhe Asociaconi i Gazetarëve të Kosovës.
E themeluar në shekullin VI p.e.s., fillimisht me emrin Aulona, Vlora është qytet i lashtë ku është shpallur Deklarata e Pavarësisë shqiptare më 28 nëntor 1912 dhe konsiderohet si njëri nga portet kryesore të Shqipërisë dhe qyteti më i rëndësishëm ekonomik dhe kulturor i Shqipërisë jugperëndimore, andaj turizmi në këtë pjesë është joshja kryesore për një vizitë në tërë Shqipërinë që pasuri dominuese e ka natyrën dhe historinë. / KultPlus.com
Në Ditën e Kujtesës së viktimave të Holokaustit, Ministria e Kulturës, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF) dhe Bashkia e Vlorës nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi, duke u angazhuar së bashku në ngritjen e Muzeut Hebraik të Shqiptareve në Vlorë.
Muzeu do tregojë një histori unike, dedikuar bashkëjetesës së hebrejve dhe shqiptarëve në kohë; një histori bese, dëshmia e dimensionit europian të shqiptarëve, që e treguan më shumë se çdo europian tjetër, në kohërat më të errëta të historisë njerëzore.
Ministria ka ndërmarrë iniciativën për ngritjen e Muzeut Hebraik të Shqiptareve në Vlorë, në kuadër të rehabilitimit të Qendrës Historike të Qytetit të Vlorës, iniciativë e miratuar në parim nga Komisioni Shtetëror i Muzeve në vitin 2018.
Në kuadër të bashkëpunimit me Ministrinë dhe Bashkinë në projektin për rehabilitimin e Qendrës Historike Vlorë, AADF ka kryer një fazë kërkimore për zhvillimin e projektit të ngritjes së Muzeut Hebraik te Shqiptareve në Vlorë, nëpërmjet angazhimit të një konsulenti ndërkombëtar e cila u përmbyll me propozimin nga Ministria dhe AADF të projekt idesë paraprake për zhvillimin e projektit të Muzeut.
Projekt-ideja parapake për Muzeun Hebraik të Shqiptarëve e zhvilluar nga AADF në bashkëpunim me Ministrinë u miratua nga Këshilli Kombëtar i Muzeve dhe Këshilli Kombëtar për Trashëgiminë Kulturore Materiale.
AADF, Ministria dhe Bashkia janë angazhuar të bashkëpunojnë për realizimit të projektit të ngritjes së Muzeut Hebraik të Shqiptarëve në Vlorë, që do të tregojë një histori unike, dedikuar bashkëjetesës së hebrejve dhe shqiptarëve në kohë, i cili synohet të kthehet në një magnet kulturor për zonën historike në Vlorë si dhe të vendosin një standard të ri për muzetë në Shqipëri duke mbështetur krijimin e një muzeu bashkëkohor, të vetmin në llojin e tij në Shqipëri dhe rajon, përsa i përket misionit, konceptit, arkitekturës, menaxhimit, qeverisjes, modelit të ekspozimit dhe tregimit të historisë, partneriteteve dhe angazhimit të komunitetit.
Projekti do të zhvillohet përgjatë tri fazave. Faza e parë do të jetë ajo kërkimore për konceptimin e përmbajtes për muzeut. Faza e dytë do të jetë për përgatitjen e projektit arkitektonik dhe të muzealizimit dhe në fazën e tretë parashikohet zbatimi i punimeve dhe përgatitja e programacionit të muzeut. /atsh/ KultPlus.com
Daniel dhe Miki po i bien botës me biçikletë. Në turin e tyre të tretë një prej destinacioneve është edhe Shqipëria ku vijnë për herë të dytë, por kësaj here për të qëndruar më gjatë.
Çifti gjerman do t’i kalojë Krishtlindjet në Shqipëri.
“Shqiptaret janë te këndshmen dhe tolerantë. Kultura dhe natyra juaj na beri te vinim serish këtu”.
“Shqipëria është vend me njerëz te dashur dhe natyre te bukur. Kurrë s’na është dashur te mbyllim me çelës bagazhin tone”.
Me biçikletën e tyre dyshe dhe me bagazhin ku kanë gjërat e nevojshme dhe bazike, nuk mungon pema e Krishtlindjeve. Nga Shtutgarti deri në Vlorë ata kanë përshkuar 2730 km.
“Udhëtimi ynë është krejt ndryshe nga udhëtimet e te tjerëve… me një biçiklete dhe pa plan se ku do flemë apo çfarë do hamë është ndjesia e te papritur qe duam te marrim teksa përshkruajmë km pa fund dhe paralelisht ushtrohemi. Gjithmonë gjejmë një mënyre qe t’ia dalim dhe ndihemi te sigurt, çdokush na ofron ndihme kur kemi nevoje”.
Me urimin gëzuar Krishtlindjen, çifti nga Gjermania vijon udhëtimin e tyre me ngjitjen e majës se Llogorasë, duke vazhduar përgatitjen fizike për mijëra kilometrat që i presin për në ndalesën e tyre të fundit Kirgistan./TCH/ KultPlus.com
Përgjatë gërmimeve të shpëtimit në qytetin ilir, në Amantia të Vlorës janë gjetur dy varre.
Gjatë punës për një varr monumental që ndodhet brenda parkut, janë zbuluar dy varre, për të cilat kreu i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Orges Feimi tha se vlerësohet se varri i parë është me muraturë tulle dhe i përket shek. III-II para lindjes së Krishtit, ndërsa brenda tij janë gjetur edhe disa objekte.
Ndërsa varri i dytë i zbuluar mbi portën me hark në qytetin ilir të Amantias vlerësohet se i përket periudhës otomane.
“Këto zbulime konfirmojnë një datim të parkut arkeologjik të Amantias. Do të veçoja dhe zbulimin në gërmimin e shpëtimit që u krye në varrin tjetër, pjesë e akropolit i cili ndodhej mbi portën me hark të qytetit ilir të Amantias ku nga vlerësimet paraprake ne mendojmë se ky varr i përket periudhës otomane pasi përveç enëve qeramike të gjetura, u gjendën edhe disa monedha të ndryshme brenda varreve antike. Ne kemi evidentuar 4 apo 5 pika të tjera brenda këtij parku, të cilat ne presim të nisim gërmimet që ti shtohen edhe disa monumente të tjera pjesë e këtij parku për t’u shtuar. Objektet e gjetura do të ruhen, ndodhet në zyrat e Drejtorisë Rajonale, do të studiohen restaurohen dhe më pas do të gjendet vendi ku do të ekspozohen”, tha Feimi.
Këto varre janë një vlerë e shtuar për parkun arkeologjik dhe sipas drejtorit Feimi, ato do të ndryshojnë të ardhmen e kësaj zone historike. Krahas pasurimit të parkut arkeologjik me monumente të reja për t’u vizituar dhe të dhëna me rëndësi për historinë e qendrës antike, nga gërmimet e këtij viti u rikuperuan objekte të një rëndësie të veçantë që do të pasurojnë stendat e muzeve lokalë dhe kombëtarë. /zhurnal/ KultPlus.com
Në ngritjen e Flamurit në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, ishte i pranishëm edhe Komitetit Italo-Shqiptar, Arbëreshët. Mëvetësimi i Shqipërisë është pritur gjatë prej arbëreshëve, të cilët e kanë mbështetur në të gjitha format e mundshme këtë proces. Në foton e mëposhtme të publikuar para nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, dokumentohet prania e tyre fizike në këtë datë të shënuar.
Janë 9 personalitete arbëreshe që morën pjesë në Shpalljen e Pavarësisë, të rreshtuar në foto sipas këtij rendi: (më këmbë, nga e majta) Luigi Chimisso, Salvatore Stratico, Attilio Belluscio, Pierino Maurea, (ulur, nga e majta) Gerardo Conforti, Culielmo Ciarla, Francesco Mauro, Francesco Chinigo, Pasquale Dorsa.
Fotoja e botuar në faqen zyrtare të DPA, shoqërohet edhe me një shënim, ku të gjithë arbëreshët e cituar më sipër cilësohen si Komiteti Italo-Shqiptar: “Pas vdekjes së Gjerk Kastriotit-Skënderbeut, shumë prej arbërorëve u larguan për në Italinë e Jugut, për të mbrojtur veten, familjen dhe traditat. Pas lanë shpirtin dhe pasurinë, por nuk harruan atdheun. Më 28 nëntor 1912, kur në Vlorë shpallej mëvetësia e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, një grup italo-arbëresh marrin pjesë në ngritjen e flamurit”./ KultPlus.com
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, zhvilloi në Prishtinë një takim me akademikun Rexhep Qosja.
“Nuk ndodh përditë të ndash kohën me një njeri të rrallë si Profesor Rexhep Qosja, historiani i letërsisë shqipe dhe krijuesi i disa prej nocioneve e terminologjive themelore të saj. Standardolog i gjuhës shqipe, kulturolog dhe personaliteti më me ndikim në historinë e re shqiptare, Qosja, ishte për mua, takimi më mbresëlënës, jo vetëm në Kosovë”, – theksoi Leli.
Kryebashkiaku Leli u shpreh se “gjatë vizitës time, veç kënaqësisë së bisedës, mora edhe premtimin se këtë nëntor, Festën e Pavarësisë, nëse Covid-19 nuk do të na pengojë, do ta gëzojmë së bashku në Vlorë. /atsh/ KultPlus.com
“Phototonet: Nga qielli tek deti” është një ekspozitë që bën bashkë gjashtë artistë të huaj dhe nëntë vepra arti të përzgjedhura nga artistja Donika Çina, që do të organizohet nga datat 26 shtator- 24 tetor në Galerinë e Bregdetit, Radhimë Vlorë, me mbështetjen e Swedish Arts Grants Committee.
Mbrëmjen e sotme në Tiranë u zhvillua një bisedë e hapur me artistët që i janë bashkuar kësaj ekspozite.
Shpesh, një projekt i Donika Çinas merr formë nga koleksionimi dhe bashkimi i fragmenteve apo historive të cilat, edhe pse në pamje të parë duken të shkëputura, ndërlidhen me njëra-tjetrën për të përshkruar një udhëtim dhe krijuar një narrativë të re fundi i së cilës është i hapur.
Përmes kombinimit të regjistrave të ndryshëm personalë e kolektivë të mendimit dhe memories, këto fragmente funksionojnë si bulëza në vetvete, por gjithashtu hapin shtigjet drejt fragmenteve të tjera, duke e përcaktuar rolin e artistes jo si regjisore por si moderatore të diskursit.
E ftuar nga Galeria e Bregdetit, Çina përdor praktikën e saj artistike si metodë për të kombinuar dhe krijuar asocime midis punëve, duke kuruar një ekspozitë në formën e një udhëtimi përmes tyre.
Udhëtimi në të njëjtën kohë eksploron rolin e imazhit fotografik brenda praktikës së artistëve, gjatë krijimit të veprës, por edhe prezencën e imazhit fotografik si sfond, që në mënyrë direkte apo indirekte influencon përditshmërinë tonë dhe mënyrën se si perceptojmë jetën në të gjithë komponentët e saj.
Në të njëjtën mënyrë, punët e përzgjedhura nuk trajtojnë të njëjtën temë, as artistët nuk përdorin të njëjtin medium. Edhe pse nuk ka një lidhje lineare midis tyre, secili prej tyre sugjeron por dhe rrjedh nga një vepër tjetër, si dhe hap shtresa dhe shtigje të ndryshme të mendimit.
Udhëtimi nis nga qiejt nokturnë të Johan Österholm i cili përdor fotografinë si medium për të reflektuar mbi konceptin gjithmonë në zhvillim të asaj çka përbën një peizazh nate dhe çfarë quhet “errësirë”. Ai i qaset subjektit të ndotjes prej dritës si një lloj historiani i dritës, duke kombinuar kujdesshëm materiale arkivore dhe procese fotografike arkaike. Yjet, që nuk janë më të dukshëm për syrin tone për shkak të ndotjes së tanishme prej dritës, janë fiksuar në xhama fenerash me gaz të lyera me xhelatinë argjendi. Përdorimi i këtij procesi arkaik fotografimi shndërron vet objektin artistik në syrin e aparatit fotografik. Qëllimi këtu nuk është inkuadrimi i një imazhi se sa vetë kapja e cilësisë së dritës.
E ndërsa qëndron përballë një tabloje të Niklas Holmgren syri mund të gënjehet. Nuk është një print por fryt i një procesi të gjatë dhe të përpiktë të fiksimit të imazhit nëpërmjet mediumit më të vjetër artistik, pikturës së vajit (përfundimi i një pikture për Holmgren mund të zgjasë edhe më shume se gjashtë muaj punë të përditshme në studio). Holmgren i rikthehet pikturës pas një eksperience dhjetë vjeçare si regjisor filmi.
Dy pikturat në muret e ekspozitës përshkojnë tensionin e qenësishëm të ndërveprimeve sociale dhe gjendjen mendore tranzitore të njerëzve të zakonshëm; një fragmet të realitetit që artisti kërkon ta kapë ndërsa pikturon në mënyrë obsesive fizikalitetin e tij. Janë dy piktura me subjekt identik. Drita, ngjyrat, kompozimi si dhe përsëritja e ekzaktësisht të njëjtit kuadër nuk janë të vetmet cilësi që të sugjerojnë imazhin fotografik. Duke vështruar me kujdes brenda tablosë gjenden zona të mjegulluara që sugjerojnë se subjekti nuk është vështruar me sy të lirë por nëpërmjet lentes së një aparati fotografik që tek e tuk ç’fokuson imazhin.
Të njëjtat zona të mjegulluara brenda tablosë gjenden edhe në akuarelet jo-figurative të Ylva Carlgren. Fillimet e saj në pikturë janë pikërisht si piktore fotorealiste, ndërsa tashmë Carlgren ka krijuar një gjuhë vizuale të reduktuar të karakterizuar nga prania dhe statizmi, duke hequr dorë nga çfarëdolloj pretendimi mimetik. Çfokusimi brenda kuadrit duket sikur është një relikë e asaj kohe. Nëpërmjet një teknike të përpiktë shtresëzimi, spektri i ngjyrës ngarkohet gradualisht me dritë duke e manipuluar fushën e perceptimit. Puna e saj është një eksplorim i limiteve të vet mediumit. Është një proces perfeksionimi ku praktika e artistes fillon dhe përfundon nga dhe prej vetes.
E kundërta ndodh me punët e Mikaela Steby Stenfalk. Puna e saj fillon nga dhe ju drejtohet të tjerëve. Fotografia nuk është mediumi as thjesht një influencë por burimi dhe materiali bazë i punëve të saj. Këtu nuk kemi të bëjmë me historinë e fotografisë, edhe pse ajo përdor material arkivor, se sa me të tashmen e saj dhe atë që përbën arkivin digjital. Në një bashkëpunim me artistin Sjoerd ter Borg, në një instalacion audiovisual, artistët hulumtojnë mbi atë çka njerëzit lenë online kur eksplorojnë një qytet dhe se si këto gjurmë na joshin kur eksplorojmë “të njëjtën”.
Si në rastin e bashkëpunimit me ter Borg edhe në punët e tjera, Stenfalk krijon skulptura dhe imazhe tredimensionale duke bashkuar fragmente nga fotografitë e çastit në Instagram. Nëpërmjet tyre ajo reflekton mbi riprodhimin dhe procesin e arkivimit në periudhën digjitale si dhe marrëdhënien gjithmonë në rritje të peizazhit digjital me jetën publike.
Në fund të këtij udhëtimi, që filloi nga qiejt e Johan Österholm, do të mbërrijmë në detin e Lotta Törnroth. Kuptohet, deti nuk është vendi më i sigurt ku mund të ankorohesh as metafora e mbërritjes. Mund të jetë vendi i pakufi, vendi i thellësive, i lirisë dhe shpresës por edhe i rrezikut dhe sfidës. Vendi i të guxuarit dhe shpresuarit se gjithçka do të shkojë mirë. Ky tension dhe ndjesia e dramës është thelbësor në punët e Törnroth. Në fotografitë e saj ajo qëndron me një dritë në dorë në orët e para të ditës përballë madhështisë së një peizazhi deti në acar. Gjesti i saj trupëzon pritjen dhe shpresën po edhe reflektimin ndaj një rreziku dhe tragjedie nga këndvështrimi i distancës së spektatorit.
Deti nuk është kurrsesi fundi i një udhëtimi, as kjo ekspozitë, se sa thjesht mundësia e eksplorimit të pafund./atsh/ KultPlus.com
Parada retro e mjeteve të koleksionit historik shqiptar së bashku me punishten e targave suvenir, startoi në qytetin bregdetar të Vlorës në ritmet JAZZ & SWING.
Koleksioni i përzgjedhur i makinave shumëngjyrëshe dhe modele nga më të hershmet dhe antiket sollën një spektakël plot dashuri për artin e të bukurën si një surprizë për të gjithë dashamirësit e automjeteve, nostalgjikët, banorët dhe turistët në qytetin e Vlorës, këtë messhtatori.
Ky event nën logon “Një pasion që jeton mes kujtimeve për t’u soditur duke respektuar protokollet e distancës”, është një organizim në bashkëpunim me Bashkinë e Vlorës dhe i kuruar artistikisht nga Hemingway Fan Club Albania. /atsh/ KultPlus.com
Karvani i mjeteve RETRO nga koleksioni shqiptar do zhvilloj paradën e radhës sot në qytetin bregdetar të Vlorës.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, i cili ka njoftuar të apasionuarit mbas këtyre mjeteve se sot në orën 17:00 sheshi i “Flamurit” në Vlorë do kenë mundësi të shohin këto mjete mjaft të veçanta dhe të shijojnë ritmet e Jazz dhe Swing.
“Vlora, stacioni i radhës i paradës së mjeteve historike RETRO. Pikëtakimi: ora 17:00 tek sheshi i “Flamurit” . I gjithë itinerari do të shoqërohet nga ritmet e JAZZ & SWING!”,- shprehet Rama.Në Shqipëri, ka një numër të konsiderueshëm mjetesh rrugore të hershme, por që për shkak se nuk ka pasur një akt ligjor që të mbrojë dhe promovojë këtë pasion, nuk kanë qenë asnjëherë të ekspozuara tërësisht.
Ndaj aktivitet e këtij lloji janë një manifestim i të bukurës mbi katër rrota.Tashmë DPSHTRR, ka krijuar edhe Qendrën Historike Shqiptare RETRO, një hapësirë ku mund të gjenden mjete të hershme dhe jo vetëm, por edhe pjesë mjetesh, dokumentacione, targa të ruajtura nga koleksionistë të sendeve apo relikeve të vjetra dhe që janë të mirëmbajtura. /atsh/ KultPlus.com
Kalaja e Kaninës, 3 km larg qytetit bregdetar të Vlorës është kthyer vitet e fundit në një destinacion për turizmin kulturor dhe historik.
E cilësuar si një nga objektet më të njohura të trashëgimisë kulturore e historike në Vlorë e më gjerë, historia e ndërtimit të kalasë që nis prej shekullit IV p.e.s, përcjell periudhat e antikitetit dhe të Mesjetës (kronologjikisht bizantine, veneciane, turke), së bashku me teknikat respektive të ndërtimit.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, në një video të publikuar me pamje nga kalaja e Kaninës fton turistët vendas e të huaj ta vizitojnë atë.
Sipas Lelit, kjo kala përbën një atraksion të jashtëzakonshëm për turizmin historik e kulturor, në Vlorë.
Kastriot Hoxha, ciceroni i kalasë shprehet se “kalaja është në një fushë të rrethuar me mure dhe përballë saj është deti, që duket si në pëllëmbë të dorës. Këto kanë qenë sarajet e pashallarëve të Kaninës”.
Sipas tij, Sulejmani i madhërishëm e ka vizituar Kaninën dhe ka lënë porosi ta kenë kujdes atë.
“Kjo është pika ku dashur pa dashur të gjithë vizitorët qëndrojnë dhe shikojnë fshatin, ata mahniten nga bukuria . Në kala është edhe teqeja, më parë në vend të saj ka qenë një kishë dhe me ardhjen e Sulejman Pashait, admirali i madh e ktheu në teqe”, – tha Hoxha.
Ai tregon se Ernest Koliqi kur e pa për herë të parë Kaninën nga mali i Shashicës ka thënë: Për Kaninën Perëndia kur e pa si diell mbi det tha, “nuk është nga veprat e mia këtë mrekulli dikush tjetër e ka bërë””.
Kalaja e Kaninës është vizituar nga Sulejmani i Madhërishëm, ndërkohë që simbolika e saj, merr dimensione të tjera me emrat e Gjergj Arianitit, Donika Kastriotit, pashallarëve të famshëm protagonistë të fazave të ndryshme të Perandorisë Turke, Ismail Qemalin etj.
Struktura e ndërtimit të saj, evokon ngjashmëri me objekte të tjera si kalatë e Beratit, Durrësit etj. Kalaja ngrihet në majë të një kodre me lartësi 380 metra mbi nivelin e detit. Ajo ka një sipërfaqe prej 3,6 hektarësh. Prej këndej hapet një pamje mjaft e bukur drejt Vlorës dhe gjirit të saj.
Në këtë zonë, ngrihet një kodër në të cilën gjenden rrënojat e një qyteti të vjetër, atij të Kaninës. Këtu lugina e Lumit të Vlorës shtyhet deri në rrëzë të kodrës duke e lehtësuar tepër lidhjen e zonës bregdetare me atë të thellë.
Vizitorë të shumtë që pushojnë gjatë verës në gjirin e Vlorës, vizitojnë edhe kalanë e Kaninës. /atsh/ KultPlus.com