Plazhi publik në Vlorë ku të gjitha shërbimet ofrohen falas

Plazhi publik në qytetin e Vlorës është një mundësi e mirë për të gjitha moshat për të pushuar këto ditë vere.

Kreu i Bashkisë së Vorës, Dritan Leli, duke publikuar një video nga plazhi publik në qytetin bregdetar, nënvizon se në këtë plazh të gjitha shërbimet ofrohen falas.

“Plazhi publik i Bashkisë Vlorë, që po funksionon prej ditësh në afërsi të godinës së ish Akademisë së Marinës është një mundësi pushimi për të gjitha moshat në këto ditë vere, ku ofrohen falas të gjitha shërbimet, njëlloj si edhe në hapësirat që shfrytëzohen nga subjektet private”, shprehet Leli.

Sipas kryebashkiakut, ky është një model i vizionit të Bashkisë për t’ju gjendur pranë pushuesve.

“Ky mjedis, përbën njëkohësisht, një model të vizionit të administratës së Bashkisë, për t’ju gjendur pranë dhe për t’u krijuar standarde pushimi kategorive në nevojë; të moshuarve, grave e fëmijëve”, nënvizon Leli./ atsh/ KultPlus.com

‘The Guardian’ sjell fotot më të bukura nga bota, në krye pamja e flamingove duke fluturuar mbi lagunën e Nartës në Vlorë

Media e famshme britanike “The Guardian” ka sjellë fotot më të bukura të të gjithë botës në një ditë të vetme.

Në foton kryesore të shkrimit media ka zgjedhur një foto perlë të flamingove rozë duke fluturuar mbi lagunën e Nartës në Vlorë, te fotoreporterit Gent Shkullaku.

Në shumicën e fotove mbizotëron ‘efekti koronavirus’, që ka sjellë mbajtjen e maskave apo ndihma humanitare që po bëjnë shumë prej personave që kanë mundësi ekonomike.

Në Mbretërinë e Bashkuar është zgjedhur një foto e Georgia Riches, pronare e një biznesi duke ndihmuar personat që kanë nevojë për ushqime në këto ditë izolimi.

Në Wollongong të Australisë shfaqet anija e lundrimit “Princesha Ruby”, e cila u urdhërua të largohej nga ujërat australiane pas dy hetimeve të veçanta.

Hetimi po vazhdon se pse 2,700 pasagjerëve të saj u lejuan të zbrisnin në Sidney në mars pa kontrollet shëndetësore për shkak të koronavirusit.

Në New Delhi të Indisë, punëtorët e komunës spërkasin dezinfektuesin në një zonë banimi.

Qindra hektarë të parkut kombëtar Biebrza në Poloni janë përfshirë nga zjarri për shkak të thatësirës.

Kurse në Los Angeles të SHBA-së, protestuesit kërkojnë që qeveria të rihapë shtetin gjatë një tubimi të hapur.

Ndërsa në Anaheim të SHBA-së, Chad dhe Tracey Robbins puthen me maska ​​të vëna në fytyrën, ndërsa mban qenin e tyre Huggy pas ceremonisë së tyre të dasmës./shqiptarja/ KultPlus.com

Kanina, fshati turistik me pamje mahnitëse

Kanina, 3 km larg qytetit bregdetar të Vlorës, është e njohur për bukurinë e saj të rrallë.

Pamja që të ofron ky fshat mbi qytetin e Vlorës është mbresëlënëse për këdo që e viziton këtë fshat turistik, shumë pranë Vlorës.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmengjes me një video, nga ku shfaqet peizazhi mahnitës i Vlorës.

“Mirëmengjes dhe me këto pamje nga Kalaja e Kaninës, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Kalaja e Kaninës shpalos historinë 3000-vjeçare të kësaj qendre të banuar, që është më shumë se një thesar për kombin.

Kalaja dhe fshati, ndodhen në një pikë strategjike me një bukuri të rrallë.
Sot Kanina përmban rreth 253 objekte. Përveç kalasë, ndodhen aty edhe 3 objekte monument kulture të kategorisë së parë: Teqeja e Kaninës, banesa e Shefikat Begajt dhe banesa e Kujtim Hamzait.

Në lagjen e vjetër të Kaninës ka edhe banesa të tjera që spikasin me vlerat e tyre arkitektonike dhe dekorative, të cilat meritojnë të bëhen pjesë e trashëgimisë sonë kulturore./ atsh/ KultPlus.com

Nesër në Vlorë nisë “Aulona Inter Folk”, më i madhi e me shumë risi

Festivali “Aulona Inter Folk” që do të zhvillohet nga data 11-13 maj do ta kthejë Vlorën në trevën e kulturës, traditës, historisë për të përcjellë përmes saj vlerat e mëdha që folklori ka krijuar dhe përcjellë vit pas viti.

“Ky festival këtë vit vjen më i madh se çdo vit tjetër. Janë 350 pjesëmarrës të ftuar nga vende të ndryshme nga Anglia, Finlanda, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Bullgaria do të zbukurojnë mbrëmjet në Vlorë, për të gjithë spektatorët e këtij festivali të muzikës dhe traditës”, tha kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

Kreu i bashkisë Leli tha se “Vlora është vendi që mirëpret pa fund turistë. Jam i bindur që këtë vit ashtu si një vit më parë kapëm rekordin këtë vit do të thyejë rekordin e vitit të shkuar për të qenë destinacioni i të gjithë shqiptarëve, por sigurisht edhe i të gjithë atyre njerëzve që do të vizitojnë Shqipërinë që jam i bindur që do të kalojnë patjetër nga Vlora”.

Drejtori i Përgjithshëm i këtij festivali, Sejmen Gjokoli në një intervistë për ATSH-në tha se “është edicioni i 11-të që do të zhvillohet “Aulona Inter Folk”, i bërë tashmë festivali i qytetarëve vlonjatë apo turistëve dhe qytetarëve jashtë Vlorës që zgjedhin qytetin tonë për të kaluar fundjavën”.

“Është një edicion që do të ketë risi e veta jo vetëm në pjesëmarrje Anglia, Finlanda, Kroacia, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Bullgaria, do të jetë festival ku do të shpalosen disa atraksione të reja sidomos në fushën e turizmit. Për herë të parë festivali do të kalojë nga porti i Vlorës në Karaburun, do të prekë kishën e Zvërnecit, por edhe plazhin e Radhimës”, – nënvizoi Gjokoli.

Gjokoli bën të ditur se festivali do të sjellë mbi 350 festivalistë. Do të zhvillojmë për herë të parë paradën e kostumeve pasdite, pasi në vitet e tjera është zhvilluar paradite.

“Do të prekim ndryshimin e madh që ka ndodhur në bulevardin “Ismail Qemali”, do të jetë një paradë e bukur me ngjyra, valle e muzikë”, – shtoi ai.

Gjokoli ftoi të gjithë qytetarët të jenë pjesë e kësaj parade.

“Po ashtu të shtunën në kinemanë verore, ky atraksion i ri i qytetit të Vlorës, do të zhvillohet nata e parë e festivalit ku do të performojnë të gjitha grupet. Është festivali që falë mbështetjes së bashkisë së Vlorës dhe kryetari Leli, të cilin e falënderoj për këtë promovim që i bën festivalit në mënyrë të drejtpërdrejtë, pasi tani ky festival ka kapërcyer kufijtë e Vlorës, madje edhe të Shqipërisë”, – tha Gjokoli.

Edicioni i 11-të i Festivalit “Aulona Inter Folk” do të mbledhë për tri ditë më radhë në qytetin bregdetar të Vlorës mbi 300 artistë nga vende të ndryshme të Europës.

Festivali do të zhvillohet në sheshin “Lungomare” dhe do të ketë një larmishmëri të ansambleve pjesëmarrëse.

Në “Aulona Inter Folk” do të marrin pjesë 9 ansamble folklorike nga Anglia, Finlanda, Kroacia, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Bullgaria, dy grupe polifonike, do të jetë e ftuar këngëtarja kosovare Shkurte Fejza, si dhe grupi i valleve nga SHBA”.

Festivali Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Interfolk”, që është pjesë e aktiviteteve në çelje të sezonit turistik në Vlorë, vlerësohet nga specialistët si një nga aktivitetet më të spikatura në trevat shqiptare dhe më i madhi në Shqipëri në llojin e vet, dhe me një gjeografi pjesëmarrjeje që shtrihet në Europë e Azi. /KultPlus.com

“Kruja dhe Skënderbeu”, veprat e 54 piktorëve shqiptarëve ekspozohen në Vlorë

Ekspozita “Kruja dhe Skënderbeu”e 54 piktorëve shqiptarë u çel mbrëmjen e djeshme në qytetin bregdetar të Vlorës, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Në ekspozitën e organizuar nga Instituti i Librit dhe Promocionit, bashkia e Vlorës dhe Qendra e Kulturës dhe Artit Vlorë, ishin të pranishëm kryetari i bashkisë Dritan Leli, Irena dhe Fatmir Toçi nga ILP, piktorë, artdashës, etj.

Drejtoresha e Institutit të Librit dhe Promocionit Irena Toçi, tha se “e veçanta e kësaj ekspozite është se marrin pjesë piktorë nga trevat mbarëshqiptare. Janë 54 piktorë pjesëmarrës, të cilët i përkasin brezave të ndryshëm”.

Ndërsa kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, vlerësoi për përkushtimin e piktorëve që më veprat e tyre kanë sjellë figurën e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeun.

Në ekspozitë piktorët nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia kanë hedhur në telajo impresionet e tyre për Skënderbeun.

Ekspozita përfshin rreth 65 punime në pikture me kuratorë Edi Kojani dhe Saimir Çuçi. Pjesë e ekspozitës janë piktorët Kujtim Buza, Abdi Bajrami, Adriana Puleshi, Adrian Çene, Adrian Devolli, Agim Kadillari, Agim Sulaj, Azem Kuçana, Idriz Berisha, Jordan Findiku, Pashk Përvathi, Nasuf Myftari, Nerjada Dado, Parid Dule, Romeo Kallço, Sadik Kasa, Sali Shkupolli, Spiro Panariti, Vangjel Gjikondi etj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Qendrën e Kulturës dhe Artit Vlorë deri më 26 dhjetor./A.T.SH/ KultPlus.com

Enigma e pazgjidhur e origjinalit të zhdukur të Aktit të Pavarësisë

Ndoshta jo të gjithë e dinë por dokumenti origjinal i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në 28 nëntor 1912 rezulton i zhdukur.

Versioni që qarkullon sot është një riprodhim i këtij dokumenti që u publikua në vitin 1937 nga Lef Nosi me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë.

Historiani Kristo Frashëri ka lënë ndoshta dëshminë më të vyer lidhur me vendndodhjen e origjinalit, por për fat të keq ai nuk përmendi emër gjatë kësaj dëshmie, – raporton Dita.

Në një intervistë për VOA, pak përpara se të ndërronte jetë, Frashëri tha se një person ia ka treguar këtë dokument në 1962, por nuk ka pranuar ta dorëzojë zyrtarisht:

“…Ky dokument doli në dritë në 1962. Ai që e kishte, pronari i saj, tha se ia kishte dorëzuar Ismail Qemali me dorën e vet. Ai kishte edhe një letër të Ismail Qemalit që i thoshte: “Ta kesh kujdes. Ky është dokument i madh, me rëndësi të jashtëzakonshme”. Ai e mbajti dhe nuk donte ta jepte. Më 1962 ndoshta kishte frikë…

Unë kam folur vetë me atë pronar, dhe jam munduar që ai t’ia dhuronte muzeumit kundrejt një shpërblimi. Pastaj u kalua ajo, dhe ai dorëzoi vetëm disa dokumenta. Kjo është historia e origjinalit. Unë nuk mund të them më shumë. Nuk mund të them më shumë.

Ai dokument ndoshta ekziston edhe sot, ndoshta ekziston edhe sot. Kushedi, ndonjë ditë mund të dalë befas, sepse është një dokument me vlera të rralla. Kushdo që e ka marrë, nuk ka mundësi ta ketë prishur. Do ta ketë ruajtur. Edhe nga ana materiale ai ka vlera kolosale…” – tha Frashëri, sipas DITA.

Dhe pas kësaj lidhur me personin ose personat që e posedojnë atë, Frashëri thotë:

“…Nuk janë këtu në Shqipëri. Nuk janë në Shqipëri. Më duket se nuk janë. Nuk e di mirë. Problemi është ky; që neve dokumentin, nëse nuk e kemi në origjinal, e kemi të riprodhuar…”

Edhe historian Paskal Milo pohon se dokumenti po kërkohet ende, por gjetja e tij ka rezultuar një proces i vështirë – raporton Dita

Gjatë një konference shkencore dy vjet më parë Milo tha se “po bëjmë kërkime edhe nëpër arkivat e huaja, por deri tani nuk ka ndonjë gjurmë konkrete se ku mund të gjendet ky dokument themelor i shpalljes së Pavarësisë”.

“Mundet dhe rastësia dhe fatkeqësia që mund të jetë zhdukur dhe që për fat të keq nuk do ta kemi. Ne nuk jemi dorëzuar, do vazhdojmë ta kërkojmë por gjithsesi është një proces i vështirë”, tha Milo.

Sipas tij, nga hulumtimet e deritanishme mendohet se ky dokument mund të ketë përfunduar në duart e familjarëve të Ismail Qemalit, konkretisht të një djali të tij që ka jetuar dhe ndërruar jetë në Strugë.

Historiani Ilirim Dervishi e mbështet këtë version. Ai thotë se viti i humbjes së gjurmëve të dokumentit të aktit të pavarësisë koinçidon me vitin kur Qazim bej Vlora, djali i dytë i Ismail Qemalit, është shpërngulur nga Shqipëria për në Strugë, ku jetoi 17 vitet e fundit të jetës së tij.

“Qazim bej Vlora ishte sekretar personal i Ismail Qemalit, ndërsa pas shpalljes së pavarësisë ishte edhe shef i kabinetit të tij. Një pjesë të madhe të dokumentacionit të shtetit shqiptar, Qazim bej Vlora i solli në Strugë”, thotë Dervishi.

Nga dëshmitarët e kohës, pas vdekjes së Qazim beut, nga shtëpia janë nxjerrë një sasi e madhe librash e dokumentesh nga punëtorët e pastrimit komunal.

Në vitin 1975 shtëpia bëhet pronë e Ramazan Azizit, i cili bënë disa riparime të vogla, sidomos në çati.

“Nga biseda e zhvilluar me pronarin aktual, mësojmë se në çati janë gjetur një sasi librash me shkrim arab, të cilat i ka hedhur. Më pas vazhdon se në katin e parë ka prishur një mur të brendshëm me trashësi të madhe, në brendinë e të cilit ka gjetur libra dhe letra në gjuhën arabe të vendosura në një polisë brenda murit, të cilat poashtu i ka hedhur. Pronari i shtëpisë dyshon se në muret e trasha të shtëpisë ende mund të gjenden dokumente me vlerë, ndër to ndoshta edhe dokumenti i Aktit të shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar”, ka thënë për median shqip në Maqedoni historiani Ilirim Dervishi, raporton DITA.

Akti i Pavarësisë së Shqipërisë u firmos nga rreth 40 delegatë nga të gjitha trojet e Shqipërisë më 27-28 Nëntor në Vlorë.

Por në versionin “Nosi” të deklaratës që qarkullon sot nuk janë të gjitha firmat.

Edhe këtë pohim e ka bërë historian Kristo Frashëri:

“…Ishte deklarata e pavarësisë e riprodhuar në zinkografinë e asaj kohe, shumë e pastër, shumë e qartë, veçse me një mungesë. Nuk e di për ç’arsye ndodhi ajo mungesë. Akti i shpalljes së pavarësisë mbushi dy faqet e letrës, përpara dhe prapashpinën e saj. Firmatarët nuk i nxuri të gjithë faqja e parë. Një pjesë e tyre kanë firmosur në prapashpinën e dokumentit. Këtë faqe nuk e botoi Lef Nosi. Për ç’arsye nuk e di…” – ka thënë ai gjatë intervistës, raporton Dita.

28 Nëntor 1912

Ka edhe një tezë që thotë se dokumenti origjinal i Pavarësisë së Shqipërisë mund t’i jetë dhuruar ish-udhëheqësit jugosllav Josip Brzo Titos dhe akti të ndodhet në arkivat serbe. Një tjetër tezë e çon Aktin e Pavarësisë më larg, në perëndim, ku ai mund të jetë mbyllur në ndonjë nga arkivat e Evropës ose të jetë dhuruar.

Sipas historianëve dhe dokumenteve të kohës, Kuvendi Kombëtar që prodhoi Deklaratën e Pavarësisë i çeli punimet në orën 15.30 të 28 nëntorit. Në të morën pjesë 37 delegatëve, të cilët u shtuan më pas deri në 63 vetë dhe përfaqësonin të gjitha viset shqiptare.

Në këtë kuvend u krijua Qeveria e Përkoshme, si dhe u emërua Pleqësia, ose Senati. Procedurat e mëtejshme vazhduan me nënshkrimin e aktit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.

Në orën 17.30 Ismail Qemali, doli në ballkonin e godinës duke ngritur flamurin. Kjo godinë ishte një nga dy sarajet e familjes së njohur të Vlorajve, pinjoll i së cilës ishte edhe Ismail Qemali. Këto saraje kanë ekzistuar deri në vitin 1925, kur u prishën, për t’ja lënë vendin ndërtimit të Lulishtes së Madhe, në Sheshin e sotëm të Flamurit në Vlorë./ KultPlus.com

Thesarët historikë të Vlorës, tre muzeume për të mos u humbur

Turistët që vizitojnë Vlorën kanë aq shumë në ofertën e qytetit bregdetar, sa nuk do t’u mjaftonte koha e pushimeve të tyre. Deti, natyra e mrekullueshme, vendet e veçuara e të paprekura që duhen soditur, por edhe historia dhe kultura e këtij qyteti me rëndësi të veçantë në historinë e vendit, përbëjnë një pasuri të madhe që duhet programuar për t’u shijuar.

Kështu, pas një dite në plazhet e Vlorës, pasditja mund të jetë një moment i mirë për t’ia kushtuar muzeumeve.

Në qytetin e Vlorës ndodhen dhe funksionojnë 3 muzeume. Secili prej tyre përfaqëson vlera, problematikë dhe periudha të caktuara në historinë e rrethit.

Muzeu i Pavarësisë Kombëtare, Muzeu i Relikeve Historike (Muzeu Historik) dhe Muzeu Etnografik, janë të vendosur në tre godina në pozicione të ndryshme në qytet. Madje, secila prej këtyre godinave përfaqëson dhe mbart në vetvete vlera të caktuara historike e arkitektonike.

Viti pas viti, numri i turistëve, veçanërisht atyre nga Kosova ka njohur rritje në vizitat e regjistruara në këto muzeume, veçanërisht në atë të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, ku gjenden pjesë të rëndësishme të historisë së kombit.

Muzeu i Pavarësisë Kombëtare

Është krijuar në vitin 1936 dhe është muzeu i parë shqiptar. Prej krijimit e deri në ditët tona, është rritur, plotësuar e konsoliduar si një nga objektet më të rëndësishme muzeale jo vetëm në rrethin e Vlorës, por edhe më gjerë. Me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, u shpall Muze Kombëtar. Vetë godina dhe gjithçka ndodhet e ekspozuar në të, përfaqësojnë një nga momentet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Në këtë godinë, janë hedhur themelet e shtetit shqiptar.

Për 6 muaj, aty u vendos dhe funksionoi Qeveria e Ismail Qemalit, që u krijua pas shpalljes së pavarësisë. Muzeu i Pavarësisë Kombëtare, konsiderohet si një objekt muzeal i pëlqyeshëm. Ai përbëhet nga 2 dhoma dhe 2 korridorë. Në të janë ekspozuar objekte origjinale të kohës që pasqyrojnë, dokumente të rëndësishme të periudhës së Rilindjes e të Pavarësisë, si dhe vepra të ndryshme arti kushtuar kësaj periudhe, pesha e së cilës i kalon caqet lokale.

Ai ndodhet në jug të qytetit të Vlorës, në afërsi të portit.

Muzeu i Relikeve Historike (Muzeu Historik)

Ndodhet në qendër të qytetit, në një godinë mjaft të veçantë, e cila më parë ka shërbyer për organet e qeverisjes vendore dhe organizatat e masave. Ky muze u krijua në vitin 1962.

Këtu janë ekspozuar dhe ruhen qindra objekte origjinale, të cilat përfaqësojnë dhe pasqyrojnë periudha të ndryshme historike, që fillojnë me antikitetin dhe vazhdojnë me ditët tona. Në këtë muze, vizitorët mund të shohin objekte arkeologjike që u përkasin qyteteve të ndryshme antike në rrethin e Vlorës si, Orikut, Amantias, Plocës, Olimpias (Mavrovë) e më tej, Kioninës (Kaninë). Në mjediset e këtij muzeu ndodhen gjithashtu, objekte origjinale që i përkasin periudhës së mesjetës. Mes tyre, përfshihen dokumente origjinale për qytetin e Vlorës, armë, sende luftëtarësh të njohur në histori. Në Muzeun Historik, ka një kënd të vecantë ku pasqyrohet kontributi i popullit të rrethit të Vlorës për shpalljen e pavarësisë. Në të ndodhen njëkohësisht edhe 2 pavione të veçanta, që evokojnë Luftën e Vlorës në 1920, si dhe Lëvizjen Demokratike të Qershorit 1924.

Në këtë muze, është vendosur edhe arkivoli origjinal ku prehej trupi i patriotit Avni Rustemi, në momentin që u varros e deri në çastin kur u zbulua për t’u rivarrosur në të njëjtin vend. Arkivoli me trupin e tij u gjet rastësisht në mesin e viteve ’80-të të shekullit të kaluar, gjatë punimeve për rikonstruksionin e bulevardit Vlorë-Skelë. Gjatë gërmimeve në vendin ku ndodhet sot statuja e Avni Rustemit, punëtorët zbuluan papritur një mjedis të nëndheshëm me të paktën dy kthina, në njerën prej të cilave ndodhej arkivoli me trupin e Avni Rustemit, i ruajtur në një gjendje mjaft të mirë. Më pas ai u rivarros pothuajse në të njëjtin vend, ndërkohë që arkivoli origjinal u vendos në mjediset e Muzeut Historik. Arkivoli, mjaft hermetik dhe i mbuluar nga flamuri kombëtar, është një objekt mjaft i rrallë. Ai është ndërtuar prej plumbi dhe një pjesë xhami.

Muzeu Etnografik

Është vendosur në një nga godinat më të vjetra të qytetit, që është ndërtuar në mesin e shekullit XIX. Kjo godinë është shpallur monument kulture. Muzeu është mjaft i pëlqyeshëm për vizitorët dhe në të pasqyrohen të veçantat e traditave të rrethit të Vlorës. Mes tyre, përfshihen traditat më të mira të kulturës materiale, të punuara nga banorë të rrethit të Vlorës, ku vecojnë ato të punimit të metaleve, drurit, veshjeve dhe qëndisjes, peshkimit. Në godinën ku është vendosur Muzeu Etnografik, në vitin 1908 u krijua klubi patriotik “Labëria” me president nderi Ismail Qemal Vlorën. Po ashtu, në vitin 1909 këtu u çel shkolla e parë në gjuhën shqipe për vashat e qytetit, e drejtuar nga patriotja Marigo Posio.

Të huajt zbulojnë jugun e Shqipërisë, nga Vlora në Sarandë zor dëgjohet shqipja mes turistësh

Përgjatë vijës bregdetare nga Saranda deri në Vlorë kanë pushuar këtë sezon veror 66,038 të huaj.

Në bregdet, në shëtitore vështirë të dëgjosh të flitet gjuha shqipe. Më shumë se 1000 turistë hyjnë në port.

Jugu i Shqipërisë, një zbulim për të huajt. Në udhëtimin tonë, rrugës drejt Sarandës takojmë dy gjermanë, të cilët pasi kanë parë çdo cep të Europës, kureshtje shfaqin për vendet e Ballkanit.

“Erdhëm në Shqipëri me motorë, sepse e prisnim që do ishte bukur këtu. Rrugët janë spektakolare. Për ne, Shqipëria ishte një vend i largët për të ardhur, ndaj është si një aventurë”, shprehet Johannes Muller.

“Vendosëm të përshkonim gjithë vendet e Ballkanit. E nisëm udhëtimin fillimisht në Greqi dhe më pas erdhëm këtu në Shqipëri, për të vijuar më pas në Maqedoni e në fund do të kthehemi në shtëpi, Gjermani. Vërtet na pëlqeu këtu, rrugët me kthesa janë sfiduese”, tha Raja Arabi, turiste.

Ndërkohë që ka edhe turistë besnikë. Dy vjet më parë, çifti polak Vojtek dhe Anjeska vizituan veriun e Shqipërisë. Me biçikleta këtë herë po eksplorojnë jugun.

“Pse jemi ne sërish në Shqipëri? Sepse njerëzit janë fantastik! Çmimet janë shumë më të lira, krahasuar me Greqinë ku ishim më parë me pushime”, tha Wojciech Siarra, turist polak.

“6 mijë lekë, blemë bukën, 2 domate dhe djathë”, thotë turisti polak.

Të tjerë turistë zgjedhin kampin e Himarës, më të shumtit janë polakë. “Doja të shikoja një vend të ri, ndaj jam këtu. Më pëlqen bregdeti juaj dhe koha me diell”.

Të dashur dhe mikpritës…polakët ngjajnë me ne shqiptarët.

Nilsi është norvegjez dhe një notar shumë i zoti. Kthjelltësia e Jonit është një nga arsyet e ardhjes së tij në Shqipëri.

“Një mik shqiptar po na shoqëron të eksplorojmë jugun. Dje ishim në Gjirokastër dhe në Syrin e Kaltër e tani ja ku jemi. Po e shijoj vërtet qëndrimin në Shqipëri, deti me ujë të pastër dhe perfekt për të notuar, njerëz të këndshëm dhe çmime të lira krahasuar me Norvegjinë”, thotë Nilsi.

Por Nilsi nuk është i vetmi skandinav që preferon të pushojë në jug. Aty gjen edhe pafund europianë. Për turistët, Shqipëria është aventurë. Një vend i vogël që të bën për vete.

“Ne kemi dëgjuar të flitet shumë për Shqipërinë. Për motin, detin, ushqimet dhe çmimet. Në Norvegji, fjalët e mira për Shqipërinë janë përhapur tani”, thotë turisti.

“Ne kemi qenë në vende të ndryshme, verën e shkuar në Kroaci. Por këtë herë lexuam së në Shqipëri supozohej të bëheshin pushime ideale dhe që do ishte shumë bukur. Në fakt, është vërtet. Si dhe është shumë lirë. Gjë e mirë, për ne si studentë që s’kemi shumë lekë”, shprehet një turist polak.

“Njerëzit janë shumë të shoqërueshëm. Nëse I pyet për diçka, çdokush tregohet I gatshëm të ndihmojë dhe duken shumë të lumtur kur na shikojnë”, thotë një tjetër.

“Është mirë këtu në Shqipëri, duket bukur. Më pëlqen gjithçka”, thotë një fëmijë nga Franca.

“Deti ka një ngjyrë shumë të bukur. Jam paksa xheloze sepse Deti ynë Baltik nuk është kaq i kthjellët”, shprehet një turist nga Suedia.

“E duam këtë marrëdhënien mes detit dhe malit këtu. Është vërtet magjepsëse”, shprehet një tjetër./TCh/KultPlus.com

Nisë rrjetëzimi i Zonës Historike në Vlorë (FOTO)

Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës në Shqipëri, mëngjesin e së dielës ka treguar se do të nis rrjetëzimi i Zonës Historike të Vlorës, shkruan KultPlus.

Ajo përmes një publikimi në rrjetin social Facbook, ka postuar disa fotografi se si do të duket Kantieri më i ri i Trashëgimisë Kulturore, duke treguar se sa e lumtur është për punën me të cilën do i bëjë krenarë fëmijët e saj për origjinën e tyre.

“Drejt Vlores per te nisur Kantierin me te ri te Trashegimise Kulturore, ate te rijetezimit te Zones historike te Vlores. E lumtur per punen me te cilen mund te bej krenare femijet e mi per origjinen e tyre. Pune e perbashket e Instituti i Monumenteve të Kulturës, Bashkia Vlorë, arkitektet e #Atelie4 me mbeshtetjen e The_AADF
#BashkePerTrashegimineKulturore
#TrashegimiaMotorZhvillimi”, ka shkruar Kumbaro./ KultPlus.com


Përurohet qendra e vizitorëve në Radhimë

Një tjetër qendër do të jetë në dispozicion të turistëve në Radhimë. Gjatë përurimit të kësaj qendre zhvilluar sot në Vlorë, u prezantuan edhe 3 modelet e Qendrave të reja të vizitorëve që do të vendosen në Parqet Kombëtare të Llogarasë, Divjakë-Karavasta dhe Dajtit me mbështetjen e Bashkimit Evropian, përmes projektit NaturAl.

Të pranishëm në ceremoni ishin Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, autoritetet vendore të Vlorës, partnerët për zhvillim, rejnxhërsat e Administratës vendore të Parqeve dhe përfaqësues të komunitetit.

Të pranishmit, vlerësuan bukuritë natyrore, biodiversitetin dhe ekosistemet në zonat e mbrojtura të Shqipërisë si destinacione të rëndësishme turistike.

Gjatë aktivitetit u theksua se qendrat e reja do të ofrojnë shërbim dhe informacion cilësor për turistët vendas dhe të huaj.

Një ekspozitë në mjediset e Qendrës së Vizitorëve në Llogara promovoi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit natyror, duke vënë në pah vlerat dhe përfitimet që i sjellin komunitetit dhe shoqërisë në tërësi. / KultPlus.com