Sonte në mbrëmje nis edicioni i dytë i Festivalit të Teatrit “Moisiu”. Organizatorët kanë përzgjedhur dramën “Vojcek” për ta çelur këtë festival shëtitës, i cili edicionin e tij të parë e pati vjet në Shkup.
Në orën 19:00, në sallën 400 tek “ArTurbina”, do të shaqet “Vojcek” me autor Georg Büchner dhe artdashësit do të mund të hyjnë pa pagesë.
Regjisori i dramës është japonezi Kuniaki Ida.
“Vojcek”, e cila e pati premierën në muajin shtator, është një vepër e shkruar në fillim të shek. XIX, por që i flet publikut bashkëkohor mbi transformimin e qenies njerëzore në shoqëri të dhunshme, sjellë me emocion nga trupa e aktorëve, me një skenografi dhe muzikë mbresëlënëse.
Pjesa është përkthyer nga Ardian Klosi, kompozitor Endri Sina, ndërsa në role interpretojnë: Rafael Hoxhaj, Luli Bitri, Lulzim Zeqja, Hervin Çuli, Besmir Bitraku, Donald Shehu, Genti Deçka, Erjona Kakeli, Arben Derhemi, Dori Çaushi, Elia Zaharia, Neritan Liçaj, Igli Zarka.
Pacienti Vojcek, funksionet normale të të cilit janë shkatërruar, vazhdon të luftojë kundër sëmundjes së tij (çmendurisë) për të rifituar identitetin e tij njerëzor. Shoqëria ku jetojmë sot është plot kaos, ankth, frikë dhe imazhe dhune./atsh/KultPlus.com