Ansambli vokal ‘Harmonius’ në paraqitjen premierë vjen me mesazhe për fuqinë e gruas dhe bukurinë e jetës

Vjollca Duraku

Ansambli vokal “Harmonius” mbrëmë për herë të parë është prezantuar para publikut me koncertin “Këndo me ne” në Kishën Katolike “Shën Ndou”, nën drejtimin e dirigjentes Adelinë Ndreca- Kolaj, shkruan KultPlus. 

Ky ansambël në përbërje nga: Aurela Krasniqi, Aurela Murtezaj, Urata Haziraj, Elona Sadiku, Saranda Ademi- Smajlaj, Fjolla Salihu- Kadiu, Fiona Shabani dhe Rita Hyseni solli një koncert të pasur artistik në paraqitjen e tij premierë, me një repertor që përfshin vepra të zgjedhura kryesisht nga muzika “Evergreen”, me mesazhe të fuqishme për gruan, fuqinë e gruas, dhe për bukurinë e jetës në përgjithësi.

“Harmonius Vocal Ensemble” përbëhet nga tetë vajza, dhe për mision ka kultivimin dhe promovimin e interpretimit vokal në një nivel të lartë artistik përmes një çasjeje të rafinuar ndaj muzikës. Pjesëmarrja e një publiku që kishte zënë çdo cep të sallës, ishte shenja e parë e kualitative e Oktetit “Harmonious”, pjesë e të cilit janë: katër soprano, dy mezzosoprano dhe dy alto.

Ndërkaq, interpretimi i tyre me zëra të jashtëzakonshëm që përcillnin një ndjeshmëri të veçantë, të kombinuar përkushtim estetik, solli një përjetim të rrallë artistik përmes veprave: Warrior- Kim Baryluk The Wyrd Sisters, True Colors- Billy Steinberg dhe Tom Kell, Autumn Leaves- Joseph Kosma, Wake me up- Tim Bergling (Avicii), Aloe Blacc, Michael Einziger, Egbert Nathaniel Dowkins Arr. Henrik Dahlgren, La Llorona- Adrian A. Cuello Piraquibis, Java Jive- Ben Oakland & Milton.

Vepra “Bring me Little Water, Sylvie”- nga Huddie W. Ledbetter solli një atmosferë të veçantë përmes mënyrës interpretative, që përcillej me një mënyrë elegante të të kënduarit e kombinuar me duartokitje me duar dhe trup, prekje delikate dhe tinguj të krijuar me këmbë. Kurse, vepra e fundit “What a Wonderful World”- nga George David Weiss & Bob Thiele, nën përcjelljen e pianistes Kristina Palokaj- Perkola e përfshiu në interpretim edhe publikun, duke dhuruar edhe atomosferën kulmore të koncertit.

Nën emcione të shumta, dirigjentja Adelinë Ndreca- Kolaj, pas koncertit tha se interpretimi i veprave të zgjedhura sipas shijes së profesionisteve ka qenë arsyeja e mirëpritjes së “Oktetit” nga ana e publikut.

“Ishte një emocion shumë i veçantë, bashkëpunimi pas një kohe shumë të gjatë me kor të tillë. Ka qenë një mbrëmje shumë e këndshme. Si gjithmonë vajzat e kanë treguar edhe njëherë sa të mrekullueshme janë. Paraqitja jonë ka qenë premierë, pas një miniprezantimi në muajin nëntor. Repertori ka pasur një laramani veprash. Kemi vendosur të këndojmë atë që neve na pëlqen, jo atë që presin të tjerët prej nesh të këndojmë. Për ta shiuar një vepër 100% duhet që ansambli fillimisht ta shijoj këngën që e këndon. Besoj që ja kemi dal”, ka  thënë dirigjentja Ndreca-Kolaj.

Ajo më tutje tha se nëse kori gjen mbështetje, tendencat janë që performancat të vazhdojnë edhe në qytete të tjera, e pse jo, edhe jashtë kufijve të Kosovës.

“Gjithmonë kemi marrë komente të mira nga kolegët, por të kesh prezent një numër kaq të madh të njerëzve, për ne ka qenë një nder i madh. Normalisht, na ka bërë të ndihemi shumë mirë dhe na ka shtyen të vazhdojmë tutje me programe të tilla, me diçka jo shumë të zakonshme në Kosovë. Nëse kori gjen mbështetje, ka tendenca që të performojë edhe në qytete të tjera, e si dihet, pse jo edhe jashtë kufijve të Kosovës”, ka thënë dirigjentja Ndreca- Kolaj.

Ndërkaq, sopranoja Elona Sadiku ka thënë se ndihet krenare për nivelin e treguar artistik, qysh në paraqitjen premierë të “Harmonius Vocal Ensemble”.

“Performanca ka shkuar edhe më mirë se sa që e kam pritur, për faktin që “Harmonius Vocal Ensemble”është një ansambël i ri, andaj edhe pritshmëritë e mija kanë qenë më të pakta se sa ajo që është arritur sonte. Mund të them që ndiej krenari që jam gjendur mes disa grave dhe vajzave të mrekullueshme. Ishte një ndjenjë e mrekullueshme interpretimi përkrah tyre”, ka thënë sopranoja Sadiku, e lumtur për një pjesëmarrje të madhe të publikut në sallë.

“Si ansambël i ri jemi shumë të lumtur për prezencën e shumë njerëzve. Na kanë nderuar me prezencën e tyre, e ne besoj e kemi bërë po të njejtën gjë duke përçuar emocionet më të thella te ata”, ka përfunduar Sadiku.

“Harmonius Vocal Ensemble” është themeluar në tetor të vitit 2024./ KultPlus.com

John Davis vdes pas betejës me koronavirusin

Këngëtari John Davis ka vdekur në moshën 66 vjeç pas një luftë me koronavirusin.

Ai kishte një vokal të pabesueshëm.

Vajza e John, Jasmin, e kujtoi babanë e saj në Facebook me anë të një mesazhi prekës.

Ajo shkroi: “Fatkeqësisht babai im ndërroi jetë këtë mbrëmje pas infektimit me COVID-19. Ai bëri shumë njerëz të lumtur me buzëqeshjen e tij, shpirtin e tij të lumtur, dashurinë dhe sidomos përmes muzikës së tij. Ai i dha aq shumë botës! Ju lutemi jepni dorën e fundit të duartrokitjeve. Do të na mungojë shumë”. / Klan Kosova / KultPlus.com

Luan Durmishi sjellë Studion e Teknikës Vokale dhe Repertorit

Studio e teknikës vokale dhe repertorit është një program i udhëhequr nga tutori vokal Luan Durmishi, që ka në fokus edukimin, avancimin dhe zhvillimin e zërave/vokaleve, gjegjësisht këngëtarëve dhe aktorëve, përmes teknikës ‘’Zëri për trupin, trupi për zërin’’, përcjell KultPlus.

Studio e teknikës vokale dhe repertorit ofron trajnime profesionale me fokus të veçantë në vokalin e këngëtarëve. Duke filluar prej këngëtarëve fillestarë e deri tek këngëtarët me më shumë përvoje në skenë, studioja aplikon metodologji tejet të avancuar dhe bashkëkohore, me programe të specializuara 6 mujore që kanë mundësi avancimi në kohëzgjatje deri në një vit. Çfarë e bën këtë teknikë të veçantë është fakti se ajo është në shërbim të të gjitha zhanreve muzikore. Një aplikim të jashtëzakonshëm, kjo teknikë e gjen edhe tek aktorët, duke iu mundësuar ta shfrytëzojnë potencialin e tyre vokal.

Edukimi përmes kësaj teknike bëhet përmes kurseve të Vokalit dhe të Repertorit, paralelisht dhe ndaras, sipas kërkesës dhe nevojës, duke mos u kufizuar në zhanre apo stile të caktuara.

Përshkrim i shkurtër i teknikës “Zëri për trupin, trupi për zërin”

Teknika në fjalë, vjen si rezultat i një sërë studimesh që i janë bërë vokalit gjatë dekadës së kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ekspertët e zërit në bashkëpunim me shkencëtarët mjekësorë kanë konstatuar se 90% e këngëtarëve këndojnë me sforcim. Për më tepër, ekspertët e UMHS (University of Medicine and Health Sciences) në Neë York City, të cilët kanë bërë një studim më të thellë, përmes obduksionit në trupa njerëzorë, kanë parë se elasticiteti i kordave të zërit është shumë më i madh sesa që u është krijuar mundësia këngëtarëve me përdorimin e metodologjive të aplikuara deri më tani. Këto hulumtime kanë gjetur format më praktike për trajtimin e vokalit, të cilat kanë rezultuar tejet të suksesshme, duke e larguar tërësisht sforcimin gjatë performancës dhe tejkaluar teknikat e deritanishme konvencionale.


Teknika vokale “Zëri për trupin, trupi për zërin” ndikon drejtpërdrejt në zgjerimin e ambitusit të këngëtarëve, në origjinalitetin e tyre, qetësinë gjatë performancës, energjinë e këndimit, në rehabilitimin e dëmtimit të vokalit dhe, më e rëndësishmja, në rregullimin e frymëmarrjes në mënyrë profesionale dhe kondicionin e saj.

Kjo teknikë nuk kufizohet në një grupmoshë të caktuar, në një stil të muzikës, apo në ambitus të ulët apo të lartë. “Zëri për trupin, trupi për zërin” thyen kufijtë konvencionalë dhe e ndihmon çdo lloj vokali ta shprehë vetveten në mënyrën më të natyrshme të mundur në cilindo repertor./ KultPlus.com