Nis nesër edicioni i 20 i Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik ‘Marie Kraja’

Festivali Ndërkombëtar i Vokalit Operistik “Marie Kraja” rikthehet në datat 27, 28 dhe 29 mars 2024 në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Edicioni i 20 i Festivalit do të zhvillohet në tri net, ku në natën e parë talentet e rinj të operas do të interpretojnë në skenën e TKOB përballë Jurisë Ndërkombëtare, dhe dy net koncertore për t’u shijuar në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit.

Juria ndërkombëtare edhe këtë vit, është e përbërë nga personalitete të njohura operistike botërore dhe kryesohet nga sopranoja Italiane Cecilia Gasdia, të cilët do të përzgjedhin fituesit mes 16-të zërave operistikë nga e gjithë bota.

Në konferencën për shtyp të dhënë sot nga organizatorët ishin të pranishëm 16 konkurrentët, të cilët do të garojnë për të marrë çmimin që mban emrin e themelueses së operës shqiptare Marie Kraja.

Juria ndërkombëtare mbërrin sot në Tiranë, për të gjykuar se cilët do të jenë triumfatorët e edicionit jubilar. Këtë vit pjesë të jurisë do të jenë:

Cecilia Gasdia, menaxhere e përgjithshme dhe drejtore artistike e Fondacionit “Arena di Verona”

Zana Çela, themeluese e Festivalit Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”

Alessandro Ariosi, president i agjencisë “Ariosi Artists Management”, Los Angeles

Kristoph Seuferle, drejtor i Deutsche Operas, Berlin

Tobias Hasan, drejtor i Staatsoperas Unter Den Linden, Berlin

Karen Stone, drejtoreshë e përgjithshme e “Opera Europa”, Bruksel

Ervis Gega, drejtore artistike e Fondacionit Villa Musica Rheinland-Pfalz, Gjermani

Julia Lagahuzère, drejtoreshë e përgjithshme e “Operas per Paqe”, Paris

John Allison, botues i revistës “Opera Magazine”, Londër

Vikena Kamenica, mexosoprano, soliste e parë e Teatrit të Operas e Baletit, Tiranë

Festivali është ndërtuar në formën e spektaklit, i cili në sajë të bashkëpunimit me Top Channel, gjatë të dyja netëve do të mund të shijohet nga të gjithë. Rikthehet në moderim sopranoja e njohur shqiptare Enkeleda Kamani, që do të shoqërohet në prezantim nga gazetari dhe moderatori i njohur Blendi Salaj, ndërsa Vikena Kamenica, përveçse anëtare jurie, do t’i bashkohet për të komentuar performancat e finalistëve.

Këngëtarët lirikë do të konkurrojnë në dy disiplina: gara e arieve dhe ajo e këngës. Këngët lirike, më të njohurat e më të dashurat e repertorit botëror dhe shqiptar do të vijnë në formën e dueteve. Natën e parë duetet do t’i realizojnë me njëri tjetrin, kurse në finale ata do të këndojnë me artistët të të njohur të muzikës së lehtë shqiptare. Emra të njohur si Eneda Tarifa, Elhaida Dani, Kamela Islamaj, Venera Lumani, Lind Islami, Era Rusi, Kejsi Tola dhe Enxhi Nasufi do të këndojnë krah këngëtarëve operistikë në garë.

Rikthehet këtë vit si moderatore dhe interpretuese e festivalit sopranoja Enkeleda Kamani. Gjithashtu do të performojnë shumë emra të njohur të muzikës shqiptare, si Eneda Tarifa, Kamela Islamaj, Venera Lumani, Elhaida Dani.

Festivali Ndërkombëtar i Këngëtarëve Operistik “Marie Kraja” u iniciua në vitin 1999 nga Zana Çela, dhe është i vetmi event në Shqipëri që synon të promovojë dhe zhvillojë talentet në një konkurs të standardeve artistike ndërkombëtare./atsh/KultPlus.com