Voskopoja, një nga qendrat më të rëndësishme kulturore e historike në vend, vijon të mbetet ndër destinacionet më interesante për vizitorët vendas dhe të huaj në të gjitha stinët e vitit.
Përveç bukurive natyrore, Voskopoja është e pasur dhe me shumë monumente kulture, siç janë kishat e manastiret, të cilat ngjallin interesin e vizitorëve.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ndau në rrjetet sociale pamje nga turistët e huaj që kanë vizituar këto ditë Voskopojën.
“Me lajmin e mirë se që nga çelja e sezonit turistik 1165 persona kanë vizituar Voskopojën, ftojmë të gjithë turistët vendas dhe të huaj për të eksploruar këtë destinacion, pasi krahas historisë së pasur, kishave dhe afreskeve të shumta që mbartin në vetvete një trashëgimi të çmuar kulturore, peizazhi dhe ushqimi i mirë që ky vend ofron janë një arsye më tepër për ta vizituar”, shkruan IKTK.
IKTK fton turistët ta vizitojnë Voskopojën.
“Nëse jeni në kërkim të një udhëtimi të veçantë dhe të paharrueshëm, bëhuni pjesë e historisë dhe kulturës së Voskopojës”, theksoi IKT.
Arkitektura e kishave në Voskopjë i ka rezistuar kohës, luftërave, dëmtimit nga dora e njeriut, si dëshmitare unike e atij qytetërimi. Nga 22 kishat e dikurshme kanë mbetur në këmbë në Voskopojë ende pesë kisha: Kisha e Shën Athanasit, Kisha katedrale “Fjetja e Shën Marisë”, Kisha e Kryeëngjëjve, Gabriel dhe Mihael, Kisha e Shën-Kollit dhe Manastiri i Shën Prodhromit./atsh/KultPlus.com
Në Voskopojë po zhvillohet projekti “Së bashku zhvillojmë traditën Voskopojare me Zejtari MENA”. Ky projekt i cili mbështetet nga Ministria e Kulturës, ka në fokus mësimin e profesionit dhe përcjelljen e traditës artizanale së punimeve të veglës, qëndisjes dhe shtizave tek të rejat Voskopojare.
Zejtaria e hapur ndodhet në Qëndër të Voskopojës, për të përcjellë traditën tek të rejat e kesaj zone, por dhe për çdo turist i cili dëshiron të mësojë punimet me vegël, qëndisjen dhe punën me shtiza.
Irini Tepshi zhvillon kurset në Voskopojë. Ajo vetë është vajzë e rritur në një familje me tradita Voskopojare, si ajo e Jorgjia Zgurit, nga e cila ka mësuar punimet e dorës dhe traditën e dekorimit të shtëpisë Voskopojare me qilimat, mbulesat, rrugicat dhe veshjet e punuara./atsh/KultPlus.com
Universiteti “Fan Noli” i Korçës dhe Universiteti “Aristoteli” i Selanikut organizuan për herë të parë një akademi ndëruniversitare pesëditore me pjesëmarrjen e studentëve dhe pedagogëve, me synimin për ta shndërruar në traditë të përvitshme.
Në këtë aktivitet prof. Shaban Sinani paraqiti ligjëratën “Arkivat, bibliotekat dhe burimet për Voskopojën në shek. XVII-XVIII”
Historia e Voskopojës është shkruar në dhjetëra studime monografike duke filluar prej shekullit XIX, në të gjitha gjuhët e Ballkanit, në osmanisht, hebraisht, si dhe në gjuhët e mëdha të Perëndimit: gjermanisht, italisht e frëngjisht.
Bibliografitë për Voskopojën përmbajnë burime e studime jo vetëm për qytetin, për “Akademinë e Re” (“Nea Akademia”) dhe shtypshkronjën që mbante emrin e Shën Lukës e herë-herë edhe me emrin e Shën Naumit; por edhe për familjet e mëdha voskopojare, arhondët, gjuhët dhe shkrimet, tetragloson-in e pentagloson-in, por edhe për protagonistët e zhvillimit kulturor, filozofë si Teodor Kavalioti e Grigor Voskopojari, për gramatikanë dhe hartues fjalorësh, mendimtarë, klerikë etj.
Voskopoja lulëzoi për aq kohë sa ishte e jashtëvarur: kryeqendra e saj ishte Ohri, ku gjendej selia e Patrikanës, që u shua më 1767; ishte e përjashtuar nga sistemi tatimor i perandorisë otomane për shkak të statusit të mbrojtur të saj nga nëna-perandoreshë si “has” i saj, status që e humbi pikërisht pak vite më vonë kur u shit prej saj; që kishte lidhje të drejtpërdrejtë me “Harvin e Madh të Jerusalemit” dhe “Vëllazërinë e Varrit të Krishtit”. Kur këto jashtëvartësi protektuese mbaruan, Voskopoja nisi rënien.
Nga dokumentet osmane që ruhen në Shqipëri provohet se voskopojarët e gëzonin mbrojtjen nga tatimet edhe kur dilnin jashtë territorit të tyre.
Epoka e lulëzimit të Voskopojës është cilësuar si shekulli i sinkronisë së zhvillimit në Ballkan e në Europë, sunduar prej dukurisë së iluminizmit, që u zhvillua në të njëjtën kohë në dy anët e kontinentit, dukuri që nuk kishte ndodhur as me romantizmin, as me realizmin e zhvillime të mëvonshme. Ky zhvillimi sinkronik mendor e kulturor në Ballkan me dukuritë sunduese në Europë njihet edhe si shekulli i iluminizmit gjuhësor, që i parapriu romantizmit kombëtar një shekull më vonë. / KultPlus.com
Disa nga afresket më të mrekullueshme mund të gjenden në Voskopojë, që ”National Geographic” e konsideron edhe si “Parisin e Ballkanit”.
Ekspertët e ruajtjes së veprave të artit në Voskopojë po garojnë për të shpëtuar qindra kryevepra ortodokse të shekullit XVIII në kishat e degraduara nga koha.
Në thellësi të Shqipërisë Juglindore, në një fshat të vogël ndodhen pesë kisha, që kanë një nga elementet më madhështore të artit të afreskut të krishterë ortodoks në botë, thotë “National Geographic”.
Nga jashtë, kishat në Voskopojë ngjajnë me hambarë prej guri, një pasqyrim i trashëgimisë së shekullit XVIII si vende grumbullimi të krishterë, në Perandorinë Osmane. Brenda, ato zbulojnë kryevepra të pikturuara në ngjyrën blu, të kuqe dhe të verdhë brilante që shfaqin tematika të mrekullueshme, (Krishti i Plotfuqishëm ose Pantokrator) dhe të çuditshme (Shën Nikolla tejkalon perëndeshën Artemis).
“Për ne është si Luvri”, thotë ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Nuk ka objekte të tjera në Shqipëri apo në botë si kishat e Voskopojës dhe afresket e tyre 43 000 metra katrore. Qeveria i ka cilësuar ato si Monumente Kulture, dhe në vitin 2020 njohu qendrën e fshatit ku ndodhen shumica e tyre si Ansambël Historik. Afresket janë një artefakt mbresëlënës ku Lindja takon Perëndimin, dhe shfaqin një identitet multikulturor dhe multifetar shqiptar. Shumë prej ekspertëve kishin frikë se ekzistenca e tyre do të shuhej nën regjimin e mëparshëm komunist.
Është një mrekulli që disa afreske kanë mbijetuar.
Duke filluar nga fundi i shekullit XVIII, Voskopoja u plaçkit dhe u shkatërrua tre herë në 20 vjet. Ajo u dogj gjatë Luftës së Parë Botërore dhe u bombardua në Luftën e Dytë Botërore. Nga më shumë se 20 kisha që ishin dikur në fshat, vetëm gjashtë kanë mbetur, duke përfshirë pesë kishat me afreske.
Në dekadat e fundit, këto thesare arkitekturore dhe artistike janë shkatërruar. Një kishë, pësoi atë që një autoritet rajonal e quajti, dëmtim të nivelit SOS, pas reshjeve të mëdha të shiut në vitin 2021, kur çatia e saj u shemb pjesërisht. Një tjetër u deklarua në gjendje kritike, një vit më vonë.
Aktualisht, ndërsa turizmi në zonë po rritet, një grup studiuesish dhe restauruesish të përkushtuar po garojnë për të shpëtuar kishat. Në nëntor, Ministria e Kulturës zbuloi një propozim ambicioz, që do t’i sillte ekspertët e ruajtjes së veprave të artit nga e gjithë Evropa, dhe arkitektët e konservimit, për t’i restauruar ato përpara se të ishte tepër vonë.
“Parisi i Ballkanit”
Shqipëria ka një histori të trazuar. Gjatë mijëra viteve, vendi u pushtua nga disa perandori, nga ato romake deri te ato bizantine dhe otomane.
“Në vitin 1760, Voskopoja lulëzoi, duke u bërë Parisi i Ballkanit në vitin 1760”, shkruajnë vëzhguesit.
Voskopoja kontrollonte rrugët tregtare tokësore midis Adriatikut dhe Stambollit, duke lidhur osmanët me doxhët në Venecia, Habsburgët në Vjenë dhe më gjerë. Në kulmin e saj, funksiononin rreth 50 esnafe artizanale, duke tërhequr dhe trajnuar artizanë si rrobaqepës, argjendarë dhe armëpunues. Për njëfarë kohe, qyteti kishte të vetmen shtypshkronjë në Perandorinë Osmane, e themeluar në 1744, që drejtohej nga ”Akademia e Re” dhe që ushqente ide iluministe .
Aftësia ekonomike e qytetit, i mundësoi atij të lulëzonte si një qendër e besimit dhe artit të krishterë ortodoks, në perandorinë e dominuar nga Islami, duke çuar në një lulëzim në ndërtimin e kishave. Por duke filluar nga fundi i shekullit XVIII, qyteti filloi të bjerë. Në vitin 1769 grabitësit, me gjasë nga rajoni përreth, plaçkitën Voskopojën. Banorët ikën dhe qyteti dikur madhështor u reduktua në një fshat të vogël.
Pas Luftës së Dytë Botërore, diktatori Enver Hoxha konsolidoi sundimin e tij mbi Shqipërinë, duke zbatuar ateizmin nën regjimin e tij komunist. Kishat e mbijetuara të Voskopojës, u lanë pas dore, u përdorën si magazina dhe depo. Kishat e tjera u shkatërruan. Besimtarët, fshehën fshehurazi, ikona fetare nën dërrasat e dyshemesë në banesat e tyre. Priftërinjtë, si dhe imamët dhe klerikë të tjerë, u ekzekutuan ose u dërguan në kampet e punës.
“Mendoj se është e rëndësishme që fëmijët e sotëm, të dinë se çfarë besonin paraardhësit e tyre, çfarë sakrifikuan për të shpëtuar”, tha Fjoralba Prifti, drejtoreshë në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, në Korçë, i cili ruan 6 400 ikona, përfshirë edhe shumë të tjera të shpëtuara nga kishat e Voskopojës.
“Kur regjimi ra në vitin 1991, fshatarët u mblodhën në Shën Nikollë. “Edhe pse kishin frikë, kishin njëri-tjetrin. Perëndia gjithmonë na ka thënë: Unë jam brenda jush”, kujton at Thoma Samaraj, kryeprift i kishave të Voskopojës.
Koha ka vazhduar të degradojë kishat. Në vitin 2002 dhe 2004, ata fituan njohje të dyshimtë në listën e “vëzhgimit” të Fondit Botëror të Monumenteve të vendeve të trashëgimisë në rrezik.
Në vitin 2018, ata hynë në listën e “7 më të rrezikuarve” të Europa Nostra.
“Është një vend ku kryhen ndërhyrje të vazhdueshme, i gjithë fshati. Kjo është fryma e shqiptarëve, duke rezistuar dhe duke treguar gjithmonë se mund të vazhdojnë te ruajnë artin, trashëgiminë e tyre kulturore, ndër vite”, tha Margariti.
Bukuri e brendshme
Plagët nga historia janë ende të dukshme në një inspektim të fundit, në Kishën e Shën Mërisë, së bashku me Anxhela Zguri, docente në Institutin e Monumenteve të Kulturës të qeverisë dhe pronare e bujtinës “Bujtina Liana”. Narteksi u shkatërrua dhe naosi u rrënua pjesërisht nga bombardimet e Luftës së Dytë Botërore.
“Të degraduara nga kalimi i viteve, shumica e afreskeve nuk janë në gjendje të mirë”, tha ajo.
E ndërtuar në vitin 1699, kjo është kisha më e madhe dhe më e vjetër nga katër kishat me afreske që ndodhen ende në fshat. Tre të tjerat u ngritën brenda disa dekadave dhe të gjitha janë të ndërtuara afërsisht në të njëjtin stil bazilik. I pesti është në një manastir në një kodër, me pamje nga fshati.
Ajo që e dallon secilën prej tyre është arti në mure. Arti ortodoks duhej t’u përmbahej disa parimeve të ikonografisë fetare, dhe afresket duhej t’i përcillnin historitë e Biblës dhe të krishterimit të hershëm në një kongregacion analfabet. Pjesa tjetër varej nga imagjinata e piktorëve.
Në Kishën e Shën Marisë, skenat e kryeengjëjve Mikael dhe Gabriel janë pika kryesore;
Një pikturë në Kishën e Shën Athanasiut përshkruan kullat e Babilonisë që bien mbi banorët e saj fatkeq, midis veprave të tjera të nënshkruara nga vëllezërit Kostandin dhe Athanas Zografi, artistë të frytshëm që i shtuan stilin ortodoks në shekullin e 18-të.
Pjesa qendrore e fshatit, Kisha e Shën Nikollës është domeni i David Selenicës, një mjeshtër portreti aktiv këtu në vitet 1720, i cili pikturoi në mënyrë anekdotike fytyrat e fshatarëve mbi trupat e shenjtorëve. Në një panel, Shën Nikolla lutet mbi trupin e një marinari, ndërsa dallgët e një stuhie të frikshme trondisin anijen e tij. Muralisti zgjodhi ta vendoste shenjtorin në mënyrë anakronike mbi një galion me katër direkë, të zbukuruar me top.
Lëvizja e ringjalljes
Ka shpresë për kishat e mbetura të Voskopojës. Të inkurajuar nga rritja e turizmit, vendasit po hedhin dritë mbi strukturat, fshatin dhe historinë e tyre. Në nëntor, Ministria e Kulturës shpalli një plan ambicioz për restaurimin dhe zhvillimin e qytetit.
Plani përfshin fortifikimin e muraturës dhe çatitë e varura të tre kishave. Afresket do të restaurohen jo vetëm nga mjeshtërit e vjetër të teknikës, por edhe nga profesorë ndërkombëtarë dhe studentë të ruajtjes së artit, në terren. Gjithashtu në listën e dëshirave përfshihen, ndriçim i ri për një eksperiencë muzeale, guida audio, dhe turne virtuale.
Ministria ka dorëzuar propozimin në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e tij, i cili sipas Margariti mund të arrijë rreth dy milionë euro (2,1 milionë dollarë). Projektet e rehabilitimit do të zgjasin të paktën dy vjet.
Ndërkohë, mjeshtërit kanë nisur tashmë punën për restaurimin e afreskeve të Shën Nikollës. Pas gjashtë muajsh janë përfunduar dy panele. Diku tjetër në qytet, udhëtarët mund të qëndrojnë në pallate historike të rinovuara dhe të mësojnë për lavdinë e dikurshme të Voskopojës. Në një fushë, përtej fshatit ekzistues, disa shenja zbulojnë vendin ku dikur qëndronin, akademia e madhe, biblioteka dhe shtypshkronja.
Në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, i cili u vizitua nga një numër rekord turistësh, këtë vit (27 000), ofron dhjetëra ikona të Zografit dhe një Selenicë të rrallë, së bashku me pikturat e bashkëkohësve të tyre, gdhendje në dru dhe punime metalike. /atsh /KultPlus.com
Kisha e Shën Nikollës, një nga xhevahiret e gjerdanit të monumenteve të kulturës në Voskopojë po i nënshtrohet restaurimit të plotë, ku një sfidë më vete është rilindja e afreskeve të dëmtuar.
Kryeministri Edi Rama në kuadër të turit të takimeve që po zhvillon në Korçë pa nga afër sot punimet për restaurimin e kësaj kishe.
Rama tha se janë 4 kisha, të gjitha dëshmi të qytetërimit, artit dhe rëndësisë së madhe historike e kulturore të Voskopojës që do ti nënshtrohen restaurimit.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se se synojmë që këto 4 kisha ti kthejmë në muze.
“Ne po shikojmë mundësinë e bashkëpunimit me universitete apo shkolla të huaja. Katër kishat kemi arritur ti vendosim në programet me donatorët”, tha ajo.
Në Voskopojë, vijoi më tej Margariti, ka patur një numër të lartë aplikimesh për ngritjen e bujtinave.
Edhe artizanati po merr rëndësi gjithnjë e më të madhe në Korçë, me punime dore të zonjave korçare që po e trashëgojnë këtë traditë të bukur edhe tek brezat e rinj, në funksion edhe të rritjes së kërkesës prej zhvillimit të turizmit.
Kryeministri Rama u ndal në një nga shtëpitë e cila është shndërruar në hapësirë për mbështetjen e grave të zonës që merren me punë dore.
Në këtë shtëpi mblidhen punët dorës së grave të zonës dhe më pas shiten për turistët. Kryeministri Rama informoi se qeveria po shikon mundësinë e krijimit të një skeme për mbështetjen e zejtarëve.
“Ne duam të krijojmë një model të posaçëm në rrjetin e artizanatit në të gjithë Shqipërinë. Po shikojmë mundësinë se si ti stimulojmë financiarisht dhe prurjen e të rinjve dhe rejave, duke shfrytëzuar bërthama si kjo, që ti mbështesim financiarisht për vend pune, dhe të krijohen punishte që funksionojnë për të marrë zejet, pa taksa”, tha Rama.
Në kishën e Shën Athanasit në Voskopojë, monument kulture i kategorisë I, kanë nisur punimet për restaurimin e saj.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila thekson se “shqetësimit tonë për dëmtimin e çatisë së kishës së Shën Athanasit në Voskopojë iu bashkua edhe ai i komunitetit, ndaj japim lajmin e mirë të ngritjes së kantierit të restaurimit”.
“Kisha e Shën Athanasit është monument kulture i kategorisë I, i shek. XVIII, një nga më të bukurat e Voskopojës, që ofron një informacion të pasur përmes mbishkrimeve.
Projekti i financuar nga Abi Bank – American Bank of Investments, parashikon restaurim të kupolave, të çatisë, strehës me dekoracion etj.”, tha Margariti.
Kisha e Shën Athanasit është ndërtuar mbi kodrën me të njëjtin emër, e cila ka shërbyer edhe si varrezë e qytetit të Voskopojës. Kisha e Shën Athanasit është kisha e katërt e të njëjtit tip, bazilikë me mbulesa të kurbëzuara, e ndërtuar në Voskopojë. Kisha është ndërtuar gjatë viteve 1721-24, ku më 1721 ka përfunduar naosi dhe më 1724 ka përfunduar arkada.
Narteksi është rrënuar nga tërmeti i vitit 1960. Pikturimi i naosit dhe arkadës ka përfunduar në qershor të vitit 1745 nga vëllezërit Konstantin dhe Athanas nga Korça.
Pikturat e naosit dallohen për programin ikonografik tepër të veçantë, ku prezantohet një cikël tepër i zgjeruar me skena të shumta të martirizimit të shenjtorëve dhe ku trajtimi i hollësishëm deri diku makabër i torturimit të tyre tejkalojnë fantazitë e shikuesit.
Në pikturat e arkadës vëllezërit Konstantin dhe Athanas kanë prezantuar me mjeshtëri një cikël të zgjeruar të Apokalipsit, i cili konsiderohet si cikli më i plotë i prezantuar në afreske deri në atë periudhë./atsh/KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujtoi sot 232-vjetorin e ndarjes nga jeta të Teodor Anastas Kavaliotit, mendimtar, filozof dhe iluminist, drejtor i Akademisë së Voskopojës.
Në çdo vepër të tij, Teodor Anastas Kavalioti nuk harron të shënojë, bashkë me emrin, edhe vendin ku kishte lindur, Voskopojën.
Data e lindjes nuk i dihet me siguri. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa studimet më të zgjeruara i kreu në Janinë, me mësuesit më të shquar të kohës. U kthye në Voskopojë, ku vijoi të studionte, por edhe të mësonte nxënësit e zonës.
Më 1743 u emërua mësues i shkollës së Voskopojës, kurse më 1746 drejtor i saj. Pas përfundimit të ndërtesës së re më 1750, shkolla u emërtua Akademi e Voskopojës, duke marrë mbi vete, me meritë, lavdinë e së dikurshmes Akademi të Athinës.
Voskopojarët patën meritën e ndërtimit të saj, kurse Kavalioti, pa dyshim, mban meritën e zhvillimit dhe kthimit të Akademisë në shkëndijë iluministe në një kohë jo fort të përshtatshme për të bluar idetë e Aristotelit, Antrakitit e Dekartit.
Teksa merrej me mësimdhënien, Kavalioti edhe përgatiste tekste mësimore e vepra të mirëfillta autoriale. Kështu, më 1743 shkroi “Logjikën”, më 1752 “Fizikën” dhe më 1767 “Metafizikën”. Më 1760 botoi në shtypshkronjën e Voskopojës “Gramatikë e greqishtes”, kurse më 1774, meqenëse shtypshkronja në Voskopojë u shkatërrua bashkë me qytetin më 1769, botoi në Venecia veprën “Protopiria” (“Fillesat”), ku përfshihet dhe një fjalor trigjuhësh në greqisht, vllahisht e shqip me 1170 fjalë, duke na dhënë një fjalës të pasur, gjithmonë për kohën, të shqipes së asaj periudhe. Veç veprimtarisë arsimore, Kavalioti ishte edhe klerik, dhe mbante gradën e protopapës së Voskopojës.
Vdiq në vendlindje më 11 gusht 1789.
DPA publikoi edhe dorëshkrimet e dy prej veprave të Kavaliotit që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror, “Fizika” me 2 vizatimet e barometrit që shoqërojnë tekstin, dhe “Metafizika”. / KultPlus.com
“Voskopoja – 4 mrekullitë e gdhendura në dru” me autore Fatbardha Shkupi është libri që i ofrohet lexuesve si një thesar i shtuar dhe informativ mbi objektet e trashëgimisë tonë kulturore dhe historikun e tyre.
Për Voskopojën është folur shumë por libri i sjellë nga studiuesja e njohur Fatbardha Shkupi, e cila njeh mirë terrenin si dhe objektin e analizuar, përbën një pasuri, që na shërben si një guidë për interpretimin e një teknike shumë të përhapur deri në shek. XIX, sic është gdhendja në dru.
Studiuesja, gjithashtu, përshkruan me hollësi historikun e ndërtimit të katër kishave me stilin dhe artin e të daltuarit, të disa mjeshtërve shqiptarë të ardhur nga Krimi i Kosturit, Mariani, Lavdari, Karbanjozi, Dushari e Misrasi, fshatra të Oparit, në rrethin e Korçës./KultPlus.com
12 kisha të Voskopojës dhe Vithkuqit janë nominuar nga organizata “The past for the Future” si kisha në rrezik. Sipas organizatës në fjalë objektet janë të neglizhuara tërësisht dhe nën menaxhimin e Institutit të Monumenteve. Dëmet janë cilësuar të ardhura nga hyrja e ujit në çati dhe nga dritaret, ndërsa flitet për dëme në afreske.
Organizata “The past for the future” ka kërkuar që këto kisha të futen në listën e objekteve të rrezikuara të Europa Nostrës për vitin 2018. Në të njëjtën listë, organizata kërkon të fusë edhe Gjirokastrën.
Duket se i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Ministrisë së Kulturës. Kjo e fundit përmes postimeve të ndryshme, ka bërë me dije ndërhyrjet në kishat e Voskopojës dhe restaurimet e bëra së fundmi sikundër projektet e realizuara dhe ato të miratuara për Gjirokastrën. Ministria hedh dritë pikërisht mbi investimet që kanë nxjerrë nga rreziku kishat në atë zonë, që sidomos në dy vitet e fundit ka pasur një vëmendje të madhe duke tërhequr fonde të konsiderueshme.
Reagimi i ministrisë:
Në fshatit turistik Voskopojë ka përfunduar projekti për restaurimin e strukturave në kishën e Shën Nikollës, Shën Marisë, manastiri i Shën Prodhomit dhe kisha e Shën Ilisë ka njoftuar Ministria e Kulturës.
“Me një ndërhyrje me mbi 12 milionë lekë të reja kemi nxjerrë këto kisha nga rreziku. Korça është një nga hambarët e turizmit kulturor dhe itinerari i rrugës së besimit në Korçë e ka pikën kulmore në Voskopojë, për të vazhduar me kantieret në Dhërmi, Vuno, Gjirokastër”, pat deklaruar ministrja Mirela Kumbaro nga Voskopoja.
Ministria bën me dije se Kisha e Shën Nikollës, Voskopojë ka rëndësi të veçantë, si në aspektin historik dhe atë arkitektonik si dhe ka vlera të çmuara për pikturën murale dhe artin e dekorit në interier. Restaurimi i kryer konsiston në ndërhyrjet për përmirësime dhe për ruajtjen, rinovimin e objektit në drejtim të kohëzgjatjes së tij si monument. Përveç arkitekturës në këtë projekt, më vonë do të ketë dhe trajtime të pikturave murale në pjesët e tyre të brendshme dhe të jashtme. Të dyja ndërhyrjet do të rritin vlerën e objektit dhe njëkohësisht pritet që të rritet vizitueshmëria.
Investimi për rehabilitimin e qendrës historike të Voskopojës kap vlerën 365 milionë lekë të reja dhe, përveç rikonstruksionit të 4 kishave, përfshin edhe investime në infrastrukturën rrugore të fshatit.
Në Voskopojë po ecën me ritme të shpejta një nga investimet më të rëndësishme të qeverisë shqiptare, me synimin që ta kthejë këtë qytezë në një pikë turistike të vizitueshme për 12 muaj. Projekti përfshin rikonstruksionin e plotë të rrugëve, qendrës, sistemit të ndriçimit dhe restaurimin e plotë të 4 kishave të shpallura Monument Kulture.
Manastiri i Shën Prodhromit ndodhet në anën veriore të Voskopojës. Është ndërtuar në një pozitë të bukur natyrore, në mes të një pylli pishash dhe me pamje të gjerë të peizazhit rrethues. Kisha, e ngritur në mes të oborrit, formon qendrën kompozicionale të manastirit. Sipas mbishkrimit të gdhendur në një pllakë mermeri, të vendosur mbi portën e hyrjes ndërtimi i kishës është bërë në vitin 1632, ndërsa pikturimi në vitin 1659. Gjendja e konakëve ka qenë e degraduar dhe rrezikonte të shembej. Ndërhyrja restauruese e përfunduar para disa muajsh na jep sot këtë pamje të plotë.
Gjirokastra
Vetëm dy ditë më parë u bë me dije se 18 banesa në qytetin e Gjirokastrës do t’i nënshtrohen restaurimit. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të KKR-së, e cila miratoi projektet restauruese të hartuara nga IMK dhe Drejtoria Rajonale e Kulturës në Gjirokastër në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Në listën e shtëpive që do të restaurohen janë edhe ato më të rrezikuara si banesa e Kabilatëve, banesa Çano, Lolomani, Skënduli etj, të cilat do t’i nënshtrohen një restaurimi tërësor sipas projekteve specifike për secilën prej tyre.
Një seri e banesave që do të restaurohen të cilat janë: banesa Kabilatët; Zeko; Lolomani; Batha; Skënduli; Kokobobo; Gurgai ; Ish-Radio dhe banesa Çano janë pjesë e projektit “Shtëpitë e shkrimtarëve”, një projekt i cili parashikon ndërhyrje në strukturën e brendshme dhe të jashtme të këtyre banesave të trashëgimisë materiale, për të evidentuar dhe konservuar vlerat historike dhe artistike të tyre, bazuar në modelin e shtëpisë së Kadaresë.
Përveç banesave që janë pjesë e projektit “Shtëpitë e Shkrimtarëve”, KKR miratoi edhe projektet e restaurimit dhe rehabilitimit të fasadave në lagjen Hazmurat dhe Pazari i Vjetër në Gjirokastër për banesat, “Avdi Bozgo”, “Familja Aliko” , “Zapanaja Alimatët”, “Pajtim Ahmeti” , “Hirov Spahiu”, “Vëllazëria Dudumi”, “Kamberi dhe Krongo” , “Familjes Jaupi”, “Familjes e Sevo Caro”.
Ndërhyrjet restauruese të parashikuara në banesën ZEKO do të jenë kryesisht në punimet e brendshme për restaurimin e elementeve drusorë, elementeve arkitektonikë të interierit, restaurimin e çatisë ekzistuese si dhe sistemimin e ambientit të jashtëm. Banesa BATHA ka pësuar ndryshime kryesisht në ndarjet e brendshme, hapje dritare dhe dyer të reja si dhe shtesa anësore të jashtme që lidhen me objektin ekzistues fillestar. Meqenëse banesa paraqitet në gjendje të mirë konservimi, ndërhyrjet e parashikuara në të konsistojnë kryesisht në restaurimin e elementëve drusorë testekëve, zëvendësimi i dyer dritareve, zëvendësimi i shtrimit të dyshemesë, restaurim i brezit lidhës, restaurimi i fasadës, restaurimi i çatisë me rasa guri. Banesa Batha në lagjen Hazmurat, është një ndërtesë gjirokastrite me një kompozim të thjeshtë që çon në variantin fillestar të tipit të banesave gjirokastrite.
Banesa Çano ndodhet brenda Qendrës Historike të qytetit të Gjirokastrës ka një vlerë shumë të madhe për kompozimin e saj tepër të thjeshtë, që i përket variantit të pazhvilluar me dy krahë. Gjatë viteve, kjo banesë ka pësuar ndryshime të shumta në katet e banuara duke zvogëluar ambientet fillestare, për të rritur numrin e tyre dhe për pasojë ka humbur shumë nga elementet origjinalë të saj.
Voskopoja, fshati turistik 21 km larg qytetit të Korçës, ku natyra, historia e kultura ndërthuren plot harmoni, po prek çdo ditë e më shumë një transformim zhvillimi.
Falë investimeve të qeverisë që janë adresuar tek ripërtëritja e vlerave tradicionale e turistike, Voskopoja do të jetë e një destinacion dhe një model i zhvillimit të zonave rurale dhe atyre turistike në veçanti.
Në kuadër të programit të zhvillimit të infrastrukturës rajonale dhe lokale, janë çelur procedurat për ndërtimin e rrugës Loti 1. Voskopojë – Kisha e Shën Prodhomit.
Ndërtimi i kësaj rruge do të lehtësojë lëvizjen e automjeteve të cilët kanë si destinacion Kishën dhe Manastirin e Shën Prodhomit.
Voskopoja është një nga atraksionet më të fuqishme turistike dhe kjo do të shërbejë si një element shumë i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit.
Me një vlerë investimi që kap shifrën e 87 413 176 lekëve, ndërtimi i këtij aksi rrugor parashikon punime në reabilitimin e plotë të gjithë infrastrukturës sipas standardeve më të mira.
Ndërsa vëmendje do të marrë edhe punimi i veprave të arti, që konsistojnë në krijimin e një sërë elementësh të tjerë si mure mbajtës/pritës, urës, shtrimin e rrugës me kalldrëm, etj.
Investimi është akorduar nga buxheti i shtetit dhe punimet parashikojnë të zgjasin për një periudhë një vjeçare.
Voskopoja shtrihet në një pllajë 1160 metra mbi nivelin e detit dhe njihet si një qendër e zhvilluar kulturore e themeluar në vitin 1330.
Nga kisha e Shën Prodhomit, hapet para vizitorit një pamje e mahnitshme nga duken majat e Lenies dhe Ostrovicës, me një lartësi prej 2246 metra./ KultPlus.com