NASA ka humbur kontaktin me “Voyager 2”, anijen e saj kozmike që ka mbledhur informacione të dobishme për sistemin tonë diellor pa pushim që nga viti 1977.
Agjencia amerikane e hapësirës bëri të ditur se ka dërguar një seri komandash të planifikuara në mjetin hapësinor më 21 korrik, por udhëzimet e nisura e çuan “Voyager 2” në drejtimin e gabuar.
Antena e saj tani është e drejtuar vetëm dy gradë larg Tokës, kështu që ka humbur kontaktin me inxhinierët e saj.
“Sonda as nuk mund të marrë komanda dhe as të dërgojë të dhëna”, tha NASA.
Normalisht, kjo do të bëhej duke kontaktuar me “Deep Space Network”, ose DSN, i cili është një grup antenash të vendosura në tokë që lejojnë komunikimin me anije kozmike në distancë.
Por të dhënat e dërguara nga “Voyager 2” nuk arrijnë në këtë rrjet . Duhen të paktën 18 orë që të dhënat nga sonda të arrijnë në DSN. “Voyager 2” aktualisht po lëviz vetë ,pothuajse 20 miliardë kilometra nga Toka.
Megjithatë, NASA ende shpreson se do të mund të rivendosë kontaktin me anijen pasi sipas planifikimeve ajo do të riorientohet automatikisht, një operacion ky që e kryen disa herë çdo vit dhe e drejton mjetin hapësinor drejt Tokës.
Rivendosja e radhës pritet të bëhet më 15 tetor. Deri atëherë, agjencia hapësinore pret që anija kozmike të qëndrojë në orbitën e saj të planifikuar.
Siç duket edhe nga emri, “Voyager 2” ishte pjesë e një çifti anijesh, të dy të nisur në 1977. Voyager 1 është edhe më larg nga Toka, 24 miliardë kilometra, dhe NASA thotë se vazhdon të funksionojë normalisht.
Programi Voyager solli me vete një numër rekordesh: Voyager 2 është e vetmja anije kozmike që ka vizituar Uranin dhe Neptunin, dhe së bashku, dy mjetet hapësinore janë të vetmet që kanë arritur të futen në hapësirën ndëryjore. / a2cnn / KultPlus.com
Everything should be back on track with #NASA's Voyager 2 by October. #spacex https://t.co/MvN4aCH6yN
— TechEBlog (@techeblog) July 30, 2023