“Gratë po vriten veç se janë gra”, nesër mbahet protestë në sheshin ‘Zahir Pajaziti’

Nesër mbahet protesta “Vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare” organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, përcjell KultPlus.

Protesta fillon nga ora 16:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Më poshtë gjeni postimin e tyre të plotë:

Edhe një burrë sot vrau një grua. Edhe një grua që ra viktimë e patriarkatit që i bënë burrat vrasës e grave ua merr jetën. Sot, për të dytën herë brenda javës, u njoftuam edhe nga një vrasje tjetër makabre e një gruaje shtatëzënë nga ish-bashkëshorti i saj në QKUK, në sytë e shtetit. Pesë ditë, dy vrasje.

Gratë po vriten një nga një në Kosovë, në shtëpitë e tyre, në spitale e rrugë nga burrat bashkëshortë, familjarë e të njohur. Me sopata e plumba e në mënyrën më makabre burrat po ua marrin jetën grave. Ata po vrasin gratë në sytë tanë e në dijenin e shtetit e me ndërmjetësimin e tij. Gratë vriten, e para kësaj dhunohen vazhdimisht, në heshtje e pa mbrojtje. Ato jetojnë nën frikë të vazhdueshme, deri sa në fund iu merret edhe fryma e fundit.

Gratë po vriten veç se janë gra. Ato po vriten nga burrat sepse ky sistem i ka mësuar ata që gratë janë pronë e tyre, gjithmonë të nënshtruara me dhunë ndaj pushtetit të burrave.

Rasti i sotëm i femicidit dhe ai i para pesë ditëve, janë alarmet e fundit që shteti dhe shoqëria ta trajtojë si urgjencë kombëtare vrasjen e grave nga burrat. Janë sinjale që na ftojnë në organizim e revoltë. Ne thërrasim përfundimisht në organizim gjithëpopullor për t’i kundërshtuar luftës që na u është shpallur nga ky sistem i cili është duke synuar t’i shfarosë gratë.

Ne nuk mund të lejojmë që gratë të vriten a të jetojnë më frikë e dhunë deri në fund të jetës. Organizohemi e luftojmë kundër patriarkatit, shtetit e burrave dhunues e vrasës. Organizohemi për të thënë përfundimisht që vrasja nuk është çështje private. Ajo është çështje politike, rezultat dhune e shtypjeje strukturore ndaj grave. Organizohemi që asnjë grua të mos jetojë nën dhunë e frikë se një ditë do i vije rradha asaj.

Nesër, ora 16:00, sheshi “Zahir Pajaziti”, Prishtinë.

Mjaftë ma! / KultPlus.com